Alban Daci
Pranvera Arabe është një risi që duhet të studiohet me shumë kujdes nga
sociologët, nga studiuesit e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, nga politologët. Edhe
pse rreth Pranverës Arabe ka komente dhe analiza të ndryshme, ku disa e mbështesin
dhe disa të tjerë e kundërshtojnë. Duhet të theksojmë faktin se kemi dy rryma,
të cilat e shikojnë në optika të ndryshme Pranverën Arabe. Bota Perëndimore e
shikon si një rinovim të shoqërive tradicionale autoritare drejt shoqërive moderne
e demokratike-liberale.
Nuk është vetëm Bota Perëndimore që e mbështet Pranverën Arabe, por janë edhe
qytetarët e thjeshtë të vendeve të përfshira
në këtë lëvizje të madhe social-politike. Janë ato qytetarë, cilët për vite me
radhë kanë jetuar në shoqëritë e tyre të shtypura nga udhëheqjet autoritare
politike. Mjafton të përmendim faktin se pas 40 vjetësh të regjimit autoritar të
Gedafit më në fund edhe Libia zhvilloi zgjedhjet e para të lira e demokratike.
Edhe pse këto zgjedhje nuk premtojnë kristalizimin e menjëhershëm të demokracisë,
janë një hap i madh i rëndësishëm përpara që edhe qytetarët e Libisë të jetojnë
në një shoqëri të lirë, ku liritë themelore të njeriut do të përbëjnë bazën e
funksionimi shoqëror.
Pra, janë pikërisht qytetarët e thjeshtë të Libisë, Egjiptit të cilët të shtypur
padrejtësisht dhe në formë autoritare, vendosën të merrnin fatin e tyre në dorë
dhe të rrëzonin regjimet autoritare që për vite me radhë i kishin bërë qytetarët
të ndjeheshin si trup i vetëm me pa të drejta, dinjitet dhe që komandohej sipas
dëshirave dhe nevojave të klasës politike autoritare sa herë që kjo e fundit ta
shikonte të nevojshme.
Megjithatë, fatin e Pranverës Arabe nuk e kanë caktuar vetëm qytetarët apo
Bota Perëndimore, por një rol të fuqishëm janë përpjekur të luajnë edhe ekuilibrat
botëror e sidomos ato rajonal. Siç ka ndodhur e ndodh gjithmonë, lëvizjet qytetare
që kanë për qëllim përmisimin e shoqërisë, përdoren edhe nga grupe të tjera për
interesa të caktuara. Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore për shkak të kaluarës së
saj koloniale, pozicionit gjeografik mbeten zona me interesa dhe influenca të
miksuara dhe shumë herë jo të qarta.
Kjo ka bërë që jo gjithmonë qëllimet e fenomeneve social-politike në këto
vende të kenë një kah standard vazhdimësie të orientuar drejt pozitivizmit. Kështu,
liderët autor të këtyre vendeve, të marr peng edhe nga interesat e jashtme e të
brendshme si për edhe për shkak të egoizmave etnocentrik nuk mundën të bënin në mënyrë paqësore tranzicionin
e shoqërive të tyre. E dimë shumë mirë Luftën
Civile që u zhvillua në Libi, e cila në pamje të parë dukej sikur bëhej vetëm kundër
një personi mizor siç ishte Gedafi, por në të vërtetë ajo ishte një betejë
brenda të cilës luftonin shumë interesa e qëllime. Shumë qenie të pafajshme u vranë dhe u bënë dëshmor
pa dëshmitar, të cilët kërkonin të ishin të lirë dhe të jetonin në një vend
demokratik.
Megjithatë fundi i Luftës Civile në Libi nuk dëshmoj vetëm faktin se
qytetarët fituan të drejtat e tyre legjitime, por edhe faktin tjetër se çdo
tiran që del mbi popullin duke e mos dëgjuar atë përfundon me eliminimin e tij
fizikë.
Për fat të keq edhe pse demokracia është e lashtë sa vetë njerëzimi, po aq
të lashta janë edhe regjimet autoritare e diktatoriale. Edhe pse demokracia ka
bërë hapa gjigant duke qenë në shumë vende të Botës promotore e evoluimit shoqëror,
kemi për fat të keq akoma shumë vende e shtete që drejtohen e qeverisen në mënyrë
diktatoriale, ku qytetarët shtypen e përdoren sikur të mos ishin qenie njerëzore,
por milingona.
Tashmë është krejt e qartë se edhe Siria është përfshirë në një Luftë
Civile, e cila është krejt e ngjashme me
atë të Libisë. Asad një tiran mizor po bombardon dhe po vret qytetarët e tij
ashtu siç bëri Gedafi. Duke kujtuar fundin që pati Gedafi del qartë në pah kush
do të jetë edhe fundi i Asad. Populli i Sirisë do të arrijë të fitoi të drejtat
legjitime të mohuara prej dekadash padrejtësisht në fillim nga i ati i Asad e
tani edhe nga vetë Asad.
Gjithashtu, edhe në Korën e Veriut kalimi i pushteti nga i ati tek i biri
nuk po bëhet krejt natyrshëm dhe pa probleme. Sipas burime të inteligjencës së
Koresë së Jugut, marrja e kompetencave të plota të ushtarake nga i riu Kim Joung-un
është shoqëruar me një përplasje të armatosur, ku kanë mbetur të vdekur të paktën
30 ushtarë.
Pranvera Arabe edhe pse mund të ketë mangësi dhe mund të ketë kritika të
ndryshme, ajo sensibilizoi jo vetëm qytetarët e vendeve arabe, por edhe qytetarët
e vendeve të tjera, që nëse janë të vendosur dhe të guximshëm mund të fitojnë përballë
çdo diktatori. Pranvera Arabe rrëzoi mitin se diktatorët janë të paprekshëm dhe
të përjetshëm. Jam i sigurt që shumë shpejt edhe regjimi autoritar i Koresë së
Veriut do të ketë të njëjtin fund me atë Gedafit e me atë që do të ketë ndoshta
shpejt edhe ai i Asad-it.
Disa vende kryesisht të Ballkanit Perëndimor janë të përfshira nga regjime,
të cilat të bazuara tek teoritë mafioze dhe të antishtetit po përpiqen të themelojnë
regjimet e tyre autoritare, duke abuzuar ose duke mos respektuar verdiktin e
popullit. Ato po gabojnë rëndë, sepse siç
thamë, qytetarët falë edhe teknologjisë moderne të telekomunikacionit janë të
informuar dhe të frymëzuar nga Pranvera Arabe dhe janë të gatshëm të ndërhyjnë
për të marrë në dorë fatin e tyre të nëpërkëmbur nga lider autoritar, që përfaqësojnë
interesa të errëta dhe antidemokratike.
Diktatorët e rinj e Ballkanit Perëndimor duhet të veprojnë sa janë në kohë
duke dëgjuar kërkesat e qytetarëve. Përndryshe edhe ata do i pres i njëjti fund
që pati Gedafi, që do të ketë Asad dhe të tjerët pas tyre. Ne po jetojmë në shoqëri
globale shumë koherente dhe evolutive, ku për çdo ngjarje arrijmë të njoftohemi
në kohë reale falë zhvillimit të madh që ka marrë fusha e telekomunikacionit në
nivel botëror. Për këtë arsye Diktatorët nuk kanë të ardhme, sepse ato nuk mund
t’i mbajnë më qytetarët të izoluar sikur
të gjithë të ishin shurdh, memecë dhe qorra.