Thursday, April 5, 2012

Manifesti i Bashkimit


Dott. Mag Alban Daci


Manifesti i Bashkimit


   Aleanca Kuq e Zi, është  rrymë politiko-iluministe që nuk bazohet vetëm në bindje partiake, por edhe kombëtare, ku në gjirin e saj ka njerëz të mençur dhe largpamës që mendojnë se faktori shqiptar është i rëndësishëm në rajon, se shqiptarët duhet të bashkohen në diçka më të madhe se edhe vetë Shqipëria, se integrimi evropian është i domosdoshëm jo vetëm për shqiptarët,  por për të gjithë rajonin.
            Aleanca Kuq e Zi si rrymë politike-iluministe mjaft e rëndësishme për kohën do t’u jap  përgjigje efikase të gjithë argumenteve që kanë të bëjnë me çështjen e Bashkimit Kombëtar, e cila është një aspiratë shekullore që legjitimohet tek principi i vetëvendosjes, normë e përgjithshme e të Drejtës Ndërkombëtare në fuqi.


Lindja e Republikës së Kosovës, bën që faktori shqiptar të jetë jo vetëm më i rëndësishmi në Ballkanin Perëndimor, por vendimtar në zbatimin e proceseve integruese në zonën euro-atlantike për të gjithë Ballkanin. Megjithatë, lindja është fillimi i një jete, i një procesi të pambaruar. Lindja e Republikës së Kosovës është lindja e një shprese mbarë shqiptare për bashkim, realizimi i kësaj shprese është aspirata e popullit shqiptar ndër shekuj.
Po të analizojmë aktualisht në bazë të kriterit hapësinor e demografik, faktori shqiptar ka një shtrirje të gjerë dhe një prani të rëndësishme në Republikën e Maqedonisë, në Kosovë, në Mal të Zi, në Shqipëri, pa lënë mënjanë dhe Diasporën që është e kudogjendur nëpër botë, ku në pjesën me të madhe ka arritur integrim të plotë shoqëror, ekonomik, kulturor dhe akademik.
Kjo situatë e favorshme për shqiptarët, ka nevojë për nisma të reja efikase dhe të shpejta në kuadrin e një forme të re politike. Kjo formë e re politike bazohet në identitetin tonë kombëtar dhe shprehet përmes ngjyrave Kuq e Zi, si simbole të flamurin tonë kombëtar.
Aleanca Kuq e Zi si rrymë e re politiko-iluministe ka në qendër të saj dhe si mision të shenjtë krijimin dhe riforcimin e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që kanë politika dhe interesa të përbashkëta me faktorin shqiptar në Ballkan.
Në situatën aktuale të krijuar në Ballkan, shqiptarët duhet të ndërmarrin disa hapa të rëndësishëm për sa u përket marrëdhënieve ndër veti, sepse premisat e reja në të ardhmen nuk do të jenë vetëm pozitive, por ndoshta herë-herë edhe negative. Nëse nuk veprohet që tani në krijimin e një baze të shëndoshë për të ardhmen e përbashkët dhe të pandarë, atëherë ka mundësi që jo vetëm të mbetemi të ndarë, por të rrezikojmë edhe ndarje të reja të pa drejta.
Duhet të analizojmë me kujdes problemin e madh që ekziston mes Kosovës dhe Serbisë, problemin mes shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve që në pamje të parë duket i heshtur, problemin e vjetër të çamëve, si dhe të drejtat e mohuar të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndoshta ka ardhur momenti që këto probleme të krijuara padrejtësisht nga të huajt, t’i zgjidhim po ne, në favor të drejtësisë sonë legjitime, duke ushtruar principin e vetëvendosjes.
Pavarësia e Kosovës, ishte me të vërtetë një fitore e merituar për faktorin shqiptar, por, nëse e studiojmë me gjakftohtësi ecurinë e saj drejt krijimit të shtetit të ri bashkë me komponentët e tij formues, mund të shprehemi se kjo mund të çojë në të ardhmen në krijimin e një “kombi të ri” (Kombi Kosovar) që do të mohonte në simbole kombëtare, në histori, traditë dhe kulturë identitetin e tij të vërtet shqiptar. Disa herë na jepet përshtypja e rreme se në atë vend ka ekzistuar një popull (popull kosovar) me identitetin e vet, me simbolet e veta dhe me historinë e tij. Ky është një imazh qëllimisht i rremë, sepse shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës janë shqiptarë, të cilët jo vetëm kanë lidhje gjaku, kulture, historike dhe gjuhe me ato të shtetit amë, Shqipërisë, por janë të njëjtët, të cilët u ndanë padrejtësisht nga rendi botëror i fillim shekullit që tashmë e kemi lënë mbrapa.
Një sistem ndërkombëtar, që nuk konsiderohet i drejtë, herët a vonë do të vihet në rrezik. Por, si e percepton një popull drejtësinë e një rendi të caktuar botëror? Varet si nga institucionet e brendshme, ashtu edhe nga gjykimet mbi çështjet taktike të politikës të jashtme.
Prandaj, përputhja e institucioneve të brendshme çon në forcimin e paqes. Sistemi aktual ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit nuk është konsideruar dhe as nuk do të konsiderohet si i drejtë nga shqiptarët. Prandaj, shqiptarët, herët a vonë do të veprojnë ndryshe, derisa ai të ndryshojë në favorin e drejtësisë së tyre. Institucionet e brendshme shqiptare nuk po bëjnë asgjë për drejtësinë ndërkombëtare të shqiptarëve në Rajon, sepse ato po merren me veten.
 Prandaj, nuk kemi arsye të besojmë, se politika aktuale është ajo që mund të realizojë aspiratat tona të drejta e të merituara. Klasa aktuale e politikës shqiptare, ka kohë që është shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Një klasë politike që nuk është në gjendje të krijoi demokracinë në vend, ajo nuk është në gjendje që këtë princip ta mbrojë dhe ta forcojë edhe jashtë, aty ku prej shekujsh jetojnë shqiptarë, të shtypur dhe të nëpërkëmbur.
Duke parë situatën aktuale politike në vend dhe duke kujtuar atë që ka ndodhur në vite, kemi plotësisht të drejtë, edhe pse në formë të dëshpëruar, të mos besojmë më tek kjo klasë politike, e cila mendon dhe lufton vetëm për interesat vetjake. “Problemet e politikës nuk vijnë nga mjedisi, por polarizimi politik i udhëheqësve që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për të cilët demokracia është diçka jashtë tyre, demokracia është diçka që nuk u vjen për shtat, diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë”, -tha zoti Withers.
Unë, do të vazhdoja edhe më tej... përderisa kjo klasë politike as nuk e ka në agjendë bashkimin kombëtar (më i mundshëm është ai mes Kosovës dhe Shqipërisë), do të thotë se bashkimi për ata është diçka e huaj. Për këtë arsye ne kemi të drejtë të besojmë se kjo klasë politike nuk e do bashkimin.
Po të shohim historitë e bashkimeve në të kaluarën, si dhe po të analizojmë të drejtën për vetëvendosje të popujve, bashkimin e një populli mund ta bëj vetë popull me iniciativën e tij të lirë, duke u bazuar në demonstrimin e vullnetit të lirë që është shenja më e lartë e një demokracie. Gjermania u bashkua, sepse vet populli gjerman (kundër edhe faktorit ndërkombëtar të asaj kohe) vendosi ta shemb murin absurd dhe të padrejtë që ndante qytetin e Berlinit dhe vet Gjermaninë. Prandaj, populli shqiptar, duke u mbështetur edhe në principin ndërkombëtar të vetëvendosjes, nuk duhet të pres që bashkimi i tyre të bëhet nga politika aktuale, por ato, si gjermanët duhet të vendosin për të ardhmen e tyre të përbashkët që është vetëm bashkimi. Aleanca Kuq e Zi, si rrymë politiko-iluministe, e cila ka dal nga gjiri i qytetarëve dhe orientohet sipas kërkesave të tyre, ka marrë obligimin politiko-kombëtar t’i orientojë ata në rrugën e bashkimit.
Vetëvendosja është një princip drejtësie dhe për këtë arsye as nuk mund të na e ndalojnë ta ushtrojmë dhe as nuk duhet ta harrojmë, se është e drejta jonë legjitime për ta ushtruar atë. Sipas pikëpamjes së Amerikës, nuk ishte vetëvendosja që shkaktonte luftëra, por mungesa e saj. Duke u nisur kjo analizë, mund të themi me siguri të plotë, se nuk sjell probleme në rajon, ushtrimi i vetëvendosjes nga shqiptarët, por mos ushtrimi i kësaj të drejte pikërisht nga shqiptarët.
Mos u shtrimi i kësaj të drejte nga shqiptarët dhe pengimi i ushtrimit të saj nga popujt e tjerë, do të bëj të mundur që në rajon të qëndrojë gjithmonë gjysmë e hapur dera e telasheve dhe probleme me pasoja të rrezikshme për të gjithë. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën duhet të ndodh duke bërë bashkëpunime të rëndësishme si më poshtë. Megjithatë, nëse bashkëpunimet e më poshtme janë të parealizueshme për shkak të faktorëve të brendshëm politik, atëherë shqiptarët duhet të mbaj si alternativë, bashkimin e menjëhershëm dhe demonstrativ, ashtu siç bënë gjermanët e dy Gjermanive, duke u paraqitur masivisht në pikat e kontrollit dhe të kalimit.
Procesi i Bashkimit mund të kërkojë dy aksione për t’u realizuar: fillimisht bashkim të tipit step by step për sektorë e pastaj kurorëzimin e tij me anë të ushtrimit të principit të vetëvendosjes, ose në fillim, ashtu si Gjermania ushtrimin e vetëvendosjes dhe pastaj realizimin brenda një kohë rekord të bashkimit përmes procesit step by step për çdo sektorë. Të dyja janë të aplikueshme dhe të pranueshme, por duke pasur parasysh eksperiencën e mrekullueshme të Bashkimit Europian, do të ishte më funksionaliste, që në fillim të vihej në zbatim principin step by step për çdo sektorë.
Ja disa nga fushat ku mund të ndodh ky lloj integrimi-bashkimi për sektor.



 Bashkëpunim Ekonomik 

a) Të krijohet një zonë e përbashkët ekonomike, ku të ketë një tarifë të përbashkët doganore, e cila duhet të aplikohet sipas modelit europian, ku të mirat e dy vendeve mund të qarkullojnë pa pengesa dhe që qeveritë e dy vendeve zotohen se do të eliminojnë çdo lloj pengese. 
b) Të fillojnë tentativat për realizmin e një politike të përbashkët në agrikulturë, e cila duhet të jetë sipas parametrave evropian, ku të vendosen çmime të përbashkëta për prodhimet elementare. Politika e përbashkët në agrikulturë mund të zbatohet në krijimin e një arke të përbashkët, e cila duhet të financohet nga të ardhurat e përbashkëta, të mbledhurat kryesisht nga tarifat e përbashkëta doganore me shtetet e tjera të rajonit. 
c) Të sanksionohet lëvizja e lirë e shërbimeve, njerëzve dhe e mallrave, duke krijuar një zonë të lirë tregtie. Nisma e krijimit të kësaj zone duhet të jenë Shqipëria dhe Kosova, por që të ketë klauzola që lënë të hapur pjesëmarrjen dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përsa i përket lëvizjes së lirë duhet të bëhet një marrëveshje e shkruar për heqjen e pengesave të kontrollove kufitare. Kjo mund të vlejë si një provë për të anëtarësuar në ardhmen me drejtat të plota në Traktatin Schengen. 
d) Të krijohet një strategji e përbashkët kombëtare për modernizimin e infrastrukturës së telekomunikacionit, ku të vihen në zbatim interesat të përbashkëta. Rol parësor duhet të kenë veprat e mëdha si për shembull zonat portale si dhe rrjetet rrugore që do të bënin më të lehtë dhe të shpejtë komunikimin mes këtyre dy vendeve.
 e) Krijimi i një strategjie të përbashkët në fushën e energjetikës si në investime të përbashkëta për vepra të reja dhe për administrimin me efikasitet të veprave dhe sistemit të trashëguar.
Hapi i pari dhe më i rëndësishëm do të ishte krijimi i një kompanie të përbashkët koorporuese mes dy vendeve. Këtë rol mund ta bëj shumë mirë KESH (Kompania Energjetike Shqiptare) që mund të veproj si kompani kombëtare e bashkuar me KEK-un e Kosovës.
Hap tjetër i rëndësishëm do të ishte investimi i përbashkët për forcimin e rrjetit ekzistues, si dhe krijimin e rrjeteve të reja të standardeve moderne të kohës që do të lehtësonin shpërndarjen e energjisë elektrike mes këtyre dy vendeve si dhe mundësinë e eksportimit të saj më vendet e tjera të rajonit. Mund të ketë projekte të përbashkëta për ndërtimin e hidrocentraleve, termocentraleve dhe formave të tjera të energjisë së rinovuar përmes aksioneve të përbashkëta investuese për të pasur një shfrytëzim të përbashkët dhe të barabartë në të ardhmen. 

Bashkëpunim Politik 

         a) Të krijohen organizma ndër institucionale si “Këshilli Kombëtar për Integrim”, i cili duhet të përfaqësohet nga nivelet më të larta drejtuese të dy vendeve, si dhe në nivel specialistësh që duhet të mblidhet në çdo katër muaj të vitit, ku të diskutohen implementimet e politikave të përbashkëta për një integrim të përbashkët dhe uniformë në Bashkimin Evropian. Selia e këtij këshilli mendoj se duhet të jenë Prishtina dhe Tirana. Ky këshill do të bënte që faktori shqiptar të ketë politika të përbashkëta për çështjet e përbashkëta në Ballkan.
             b) Krijimi i një politike të jashtme të përbashkët (PJP) që duhet të përfaqësohet nga nivelet e larta drejtuese të dy vendeve dhe të ketë objektiva parësore implementimin e reforma për integrim të shpejtë në zonën euro-atlantike, të jap kontribut dhe garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të mbrojë interesat e faktorit shqiptar në botë në sintoni më politikat e aleatëve të deklaruar. 
        c) Mund të krijohen konfederata partiake, ku forcat kryesore partiake të dy vendeve, sipas programeve dhe ideologjive që kanë, në zbatim mund të bashkëpunojnë duke krijuar organe të përbashkëta këshilluese në realizimin e objektivave të përbashkëta, por gjithmonë duke venë në qendër të vëmendjes interesat kombëtare. Përsa u përket konfederatave politike, si më të mundshme mund të shikojë krijimin e një konfederate me Vetëvendosjes në Kosovë dhe Aleancës Kuq e Zi në Shqipëri. Këto lëvizje politike, e kanë shprehur në mënyrë të qartë, se bashkimi kombëtar është strategjia kryesore e aktivitetit. 

Bashkëpunim Kulturore

            a) Krijimi i një “Komisioni kulturor” të përbashkët, që do të diskutojë çështjet e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e kulturës, në mënyrë që të mos krijohen distanca më rryma të ndryshme dhe të largëta. Një rol të rëndësishëm mund të luaj Instituti i Albanologjisë duke operuar në të gjitha nivelet e arsimimit. Nëse Albanologjia si institucion nuk është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, Shqipëria dhe Kosova kanë plot intelektualë të nivelit të lartë, të cilët punojnë në mënyrë autonome prej kohësh. Atëherë, këto intelektualë duhet të riorganizohen dhe të krijojnë një institucion krejt të pavarur që të përfaqësojë interesat e kulturës tonë kombëtare.
            b) Krijimi i një “Komisioni Gjuhësie” që duhet të analizojë problemet dhe sfidat me të cilat përballet aktualisht gjuha shqipe si në aspektin drejtshkrimor e gramatikor, si dhe nga huazimet e shumta që po e mbysin. Ky komision besoj, se duhet të përbëhet nga niveli më i lartë i akademikëve të gjuhësisë dhe duhet të mblidhet njëherë në gjashtë muaj. Gjuha shqipe duhet të evoluojë bashkë me proceset e tjera. Kongresit i fundit i gjuhës shqipe, pa komentuar rrethanat në të cilat është zhvilluar, është bërë shumë kohë më parë, kurse proceset e tjera jetësore kanë ndryshuar me hapa të mëdha. Kjo ka bërë që gjuha shqipe të përballet me sfidën kohë dhe hapësirë, sepse shtrirja e përdorimit të saj, falë ndryshimeve që kanë ndodhur në rajon, është rritur, duke bërë që të mos ketë një harmonizim të plotë dhe uniformë përdorimi, si dhe mos koherencë me proceset e tjera si globalizimin. Prandaj, e shikoj të drejtë të punohet dhe të bëhen rishqyrtime që gjuha shqipe të jetë si koherente dhe uniforme në të gjitha zonat shqipfolëse .

Unifikimi i sistemit Arsimor

1.   Hartimi i një abetare të vetme e të përbashkët për të gjithë shqiptarët.  Abetarja duhet të përbëhet dhe të shoqërohet në brendësi me elementë që vënë në pah historinë, traditën dhe kulturën e vendit tonë. Simbolet kombëtare dhe shtetërore do të jenë elementë identifikues dhe dallues. Duhet të krijohen fonde të cilat do të kenë për qëllim hapjen shkollave shqipe në të gjitha vendet, ku jetojnë shqiptarët.
2.   Duhet të unifikohet sistemi universitar i Shqipërisë me atë të Kosovës. Ky unifikim duhet të ndodh në të gjitha nivelet. Formula më e mirë do të ishte zbatimi dhe plotësimi i Kartës së Bolonjës, i cili mundëson shkëmbime të eksperiencave akademike në fusha të ndryshme, njohjen e diplomave, shkëmbim të studentëve përmes sistemit europian Erasmus. Pra, sistemi universitar i unifikuar duhet të jetë i formulës 3+2+3 për Shkencat Sociale, Juridike, Ekonomike, të Edukimit dhe 6+5 duhet të jetë për Shkencat e Mjekësisë.
3.   Duhet të  stimulohet përmes fondeve të veçanta kërkimi shkencor dhe inovacioni teknologjik, që duhet të jetë në shërbim dhe në interes të shqiptarëve.
4.   Duhet të forcohet sistemi i shkollave profesionale, sidomos ato që kanë të bëjnë me hoteleri-turizmin, menaxhim- biznesin, teknologjitë ekonomike, me profilet e ndryshme të industrisë së rëndë dhe ushqimore

Harmonizimi i sistemit të drejtësi

Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë një sistem të njëjtë juridik, duke përafruar sa më shumë ligjet për t’i bërë ato uniformë për të dyja vendet. Pra, të aplikohet për të dyja vendet një sistem i vetëm juridik, më të njëjtën fizionomi hierarkike dhe funksionale. Ky proces duhet të realizohet përmes konsultimeve të realizuara nga ekspertët më të mirë të fushës nga të dyja palët. Garanci suksesi për sistemin e vetëm juridik duhet të jetë fakti se gjykatësit duhet të zgjidhen nga qytetarët. Kjo është forma më e mirë për të garantuar një sistem juridik të pavarur, të drejtë dhe jo të korruptuar.

Roli i Diasporës

Në këtë arenë të gjerë që po analizojmë, nuk duhet të harrojmë as Diasporën tonë, e cila është pjesë integrale shpirtërore dhe fizike e botës shqiptare. Diaspora shqiptare gjithmonë ka luajtur një rol të fortë dhe të rëndësishme në arenën ndërkombëtare për të përfaqësuar imazhin shqiptar denjësisht, për mbrojtur interesat politike kombëtare të faktorit shqiptar, si dhe pa harruar rolin më kryesor atë ekonomik, ku fal kontributeve të derdhura nga emigrantët, Shqipëria ka ecur përpara në reforma ekonomike, duke zbutur varfërinë dhe ndezur shpresën e mirëqenies në familjet shqiptare. Ka ardhur momenti që Diaspora, kjo pjesë e rëndësishme shpirtërore e kombëtare, të bëhet pjesë e rëndësishme e proceseve të rëndësishme me karakter vendimmarrës. Diaspora ka luajtur gjithmonë një rol shumë të rëndësishëm për çështjet kombëtare, sociale e politike në vend. Megjithatë, ajo sot ndjehet e diskriminuar dhe e përjashtuar nga klasa e vjetër politike. Diaspora duhet të gëzojë të drejtën legjitime të bazuar edhe Kushtetutë, që jo vetëm të zgjedh, por edhe të zgjidhet. Pra, të gëzojnë të drejtën e ushtrimit të votës. Ushtrimi i kësaj të drejte do të shëndosh edhe më tej demokracinë e brishtë të vendit tonë.