Wednesday, April 11, 2012

Aleanca Kuq e Zi është Rilindja e Dytë Kombëtare



 Alban Daci

Historia e shqiptarëve ashtu si historitë e tjera është e mbushur me momente suksesi, disfate, me rryma që kanë bërë epokë, por dhe me kundërryma që kanë lënë gjurmë të thella negative në mendjet e shqiptarëve.
Rilindja Kombëtare padyshim është një ndër momentet më të bukura të historisë shqiptare, e cila ishte e mbushur me ide brilante që hapën një faqe të re në historinë shqiptare si dhe me burra të mençur që këto ide arritën t’i konkretizonin në fusha të ndryshme duke thyer shumë tabutë e asaj kohe.
Rilindja ishte një rrymë fantastike, e cila bëri të mundur rilindjen e mendjes dhe shpirtit të shqiptarëve. Rilindja bëri të mundur krijimin e hapave të  parë përmes programeve konkrete për të krijuar shtetin modern shqiptar, shkëputjen nga lindja otomane dhe orientimin e shqiptarëve dhe Shqipërisë drejt perëndimit ashtu siç kishte qenë gjeneza e popullit shqiptar që nga fillimet e historisë.
Për fat të keq Shqipëria edhe pse pati momente të magjishme të dhuruara nga Rilindja, më vonë pati shumë sfida e probleme të mëdha, të cilat e shoqërojnë edhe sot. Pra, për shqiptarët ndodhën aq shumë ngjarje e padrejtësi, sa të vetmin kujtim të bukur kishin shkrimet dhe idetë e Rilindësve. Për këtë arsye, Rilindja mbeti si një moment i lartë historik dhe një formë krenari për shqiptarët.
Aq shumë e madhe ishte nostalgjia për periudhën e Rilindjes si model suksesi, sa sot PS po për përpiqetnë mënyrë të rëndomtë  ta përdor  për interesa politik, duke e cilësuar programin e saj politik si Rilindja Shqiptare. A ka krahasim programi politik i PS me programin e rilindjes? A ka ngjashmëri PS me Rilindjen? Rilindja ishte rrymë filozofike, e cila kërkonte të ndërtonte shtetin modern shqiptar mbi baza patriotike. Pra, dëshironte t’i bashkonte të gjithë shqiptarët e viset shqiptare në një shtet të vetëm. Flamuri i Skënderbeut ishte flamuri kombëtar, identitetit kombëtar dhe frymëzonte të gjithë shqiptarët për një kauzë të përbashkët, atë të Bashkimit Kombëtar. 
Rilindja Kombëtare nuk përulej para asnjë flamuri të huaj dhe nuk pranonte të nënshtrohej përpara asnjë faktori të huaj.  
PS nuk mund të jetë Rilindja Kombëtare, sepse kjo parti herë pas herë përulet dhe falet para flamurit grek dhe interesave greke. Në kongresin e saj të fundit mori pjesë edhe një përfaqësuese e PASOK, partisë greke. Pra, në Kongresin e PS nuk u këndua vetëm në gjuhën tonë të bukur shqipe, por edhe greqisht.
PS nuk mund të jetë Rilindja Kombëtare, sepse shkojë dhe u përul para Dules, i cili thotë se nuk ekziston territor me emrin Çamëri.  
PS nuk mund të jetë Rilindja Kombëtare, sepse ajo nuk thotë asgjë për kauzën madhore të Bashkimit Kombëtar.
Rilindja e Dytë e vërtetë Kombëtare është Aleanca Kuq e Zi, sepse është rrymë politiko-iluministe, që ngre fort flamurin kombëtar si simbolin më të lartë kombëtar.  
Aleanca Kuq e Zi është Rilindja e vërtetë Kombëtare, sepse përmes ideve dhe ngjyrave kombëtare Kuq e Zi do t’i bashkojë të gjithë shqiptarët në një shtet të vetëm. Ashtu si Rilindja Kombëtare edhe Aleanca Kuq e Zi ka shkruar në programin e saj Çështjen e Bashkimit Kombëtar.