Alban Daci
Për secilin nga ne, padyshim fëmijëria është periudha më interesante e jetës.
Fëmijëria është si starti i një gare. Nëse je i përgatitur, i shëndetshëm dhe
entuziast ke probabilitet të jesh fitues. Fëmijëria është periudhë e rëndësishme
ose decisive do të thosha për pjesën tjetër të jetës. Nëse një fëmijë rritet në
një familje të shëndosh, me përkujdesje maksimale prindërore e shtetërore, ai
ka probabilitet të madh të sigurojë një formim të mirë universitar, kulturor
dhe profesional.
Në vendet perëndimore është e njohur dhe e zbatuar Konventa e të Drejtave të
Fëmijëve. Po në Shqipëri sa është e implementuar kjo Konventë? Do të thosha pak
ose fare. Një ndër të drejtat kryesore për fëmijës është e drejta për arsim.
Në Shqipëri është i njohur tashmë fenomeni i punësimit të fëmijëve. Në qytetet
e Shqipërisë qindra fëmijë në vend që të shkollohen janë të punësuar si shitës
ambulant. Ato shesin rrugëve ose nëpër bare e restorante cigare, çakmak,
stilolapsa etj.
Gjithashtu në Bulqizë shumë fëmijë punojnë si skllevërit e ndërtimit të
piramidave të Egjiptit duke gërmuar, mbledhur e mbajtur në shpin krom për vetëm
3 lekë/Kg. Nuk duhet të harrojmë
gjithashtu situatën e fëmijëve nëpër fshatra, të cilët janë të punësuar me kohë
plotë në kullotjen e bagëtive.
Sikur të mos mungonin këto, fëmijët shqiptar duhet të durojnë ushtrimin e
dhunës në familje e në komunitet. Ka plot raste, kur fëmijët dhunohen e kjo
konsiderohet thuajse normale si nga ana e prindërve ashtu edhe nga komuniteti. Madje
disa prindër janë të mendimit se: fëmijët duhet të rrihen që të bëhen të
sjellshëm e të edukuar.
Problem tjetër i madh është fenomeni i braktisjeve. Në qytete kemi qindra
raste, ku fëmijët braktisen dhe jetojnë rrugëve. Kujdestar dhe rregullues i rëndësishëm
i fenomeneve sociale është padyshim Shteti bashkë me institucionet e tij. Pa frikë
e me keqardhje mund të themi se Shteti ka dështuar në të gjitha politikat
sociale që kanë për objekt fëmijët. Më të vërtetë fëmijët janë qenie të
pafajshme, por një tjetër e vërtetë e madhe është fakti se ato janë viktima të
një Shteti që nuk mbron e garanton të drejtat e tyre.