Thursday, December 29, 2011

Te padukshimit e shoqërisë

Alban Daci

Nuk e di nëse keni kaluar ndonjëherë rastësisht tek ushtari i panjohur apo tek dogana në Tiranë dhe të shikoni persona me fytyra të lodhura, të zymta dhe të dëshpëruara, me rroba të grisura dhe tepër të vjetra që presim me dëshpërim të gjejnë ndonjë mundësi për të punuar, për të marrë ca të holla sa të ushqej veten dhe fëmijët që e presin në shtëpi?
Nuk e di nëse ju ka ndodhur të udhëtoni rastësisht në disa zona rurale, ku skamja mbretëron në qetësinë e heshtjes dhe izolimit nga bota e mirëqenies dhe jetës normale?
Nuk e di nëse ju ka rastisur të ndodheni jashtë vendit dhe rastësisht të dëgjoni bisedën e dy rinjve shqiptarë që bisedojnë së bashku të irrituar për situatën që ndodhen, sepse punëdhënësi nuk i ka paguar, sepse nuk kanë para për t’iu dërguar familjarëve të tyre në Shqipëri, se nuk kanë dokumente të shkojnë në Shqipëri për të përjetuar festat bashkë me të afërmit e tyre si e gjithë bota?
Nuk e di nëse keni vizituar ndonjë familje të varfër, por të ndershme që nuk ka mundësi të ushqej fëmijët edhe me bukë të thatë?
Nuk e di nëse e dini se ka akoma shumë shqiptarë që kanë dëshira si: fëmija i vogël i kërkon Babagjyshit të Vitit të Ri ti sjell babin në shtëpi për të rregulluar dhe zbukuruar së bashku pemën e Vitit të Ri, sepse ka vite që ndodhet në emigrim, nëna që kalon kohën duke parë nga dritarja me shpresën se mos i vjen djali për tu çmallur dhe përjetuar së bashku festat, që nusja pret bashkëshortin e tij me shumë dashuri dhe mall që të kthehet nga mërgimi, ku ishte i detyruar të largohej në ditën e tretë pas martesës për shkak të kushteve të vështira ekonomike që ndodhej?
Nuk e di nëse ju ka rastisur duke ecur në rrugë të shikoni një person të shtrirë në trotuar dhe që ka zgjatuar dorën për të kërkuar mëshirë dhe ju të largoheni me indiferentizëm pa kërkuar të dini të vërtetën e atij personi, të kaluarën e tij?
Nuk e di nëse keni takuar ndonjë të ri që ka mbaruar me rezultate shumë të mira universitetin, por që Vitin e Ri është i detyruar ta pres me statusin e të papunësuar, për faktin se nuk bën pjesë në asnjë lloj forme politike?
Të gjithë këto janë persona që për “ne” janë të “padukshëm”, sepse jeta jonë është shumë larg rutinës së jetës që bëjnë ata, sepse “ne” në shoqërinë e sotme po e humbasim ndjenjën e përgjithësisë kolektive, por gjithmonë e më shumë jemi të interesuar vetëm për spektrin tonë individual.
Prandaj, unë do të uroja që Vitit i Ri të sjell ndryshime edhe për këto realitete që i kemi të pranishme dua apo s’duam duam “ne” ti pranojmë.
Babagjyshit të Vitit të Ri do ti kërkoja që emigrantët shqiptarë të mos presin më me radhë të gjata nëpër pika kufitare në shi, borë dhe në të ftohtë për tu kthyer pranë familjeve të tyre, të mos ketë familje të varfra që jo vetëm nuk mund të festojnë si gjithë të tjerët, por të mos diskutojnë bukën siç ndodh fatkeqësisht akoma në shoqërinë tonë, do ti kërkoja që atyre dy të rinjve shqiptarë ti paguaj punëdhënësi i tyre, që të sigurojnë dokumentet për të shkuar pranë të afërmve të tyre sa herë që e ndjejnë të nevojshme, që djalit të ri të sapo diplomuar me rezultate të mira të gjej një punë të mirë dhe të merituar, djalit të vogël ti sjell babin e dashur jo vetëm për të rregulluar pemën e Vitit të Ri, por edhe me hapur së bashku dhuratat që simbolizojnë gëzimin dhe traditën se çdo gjë në këtë jetë do e ndajmë dhe përjetojmë se bashku.
Do i kërkoja Babagjyshit të Viti të Ri të ndalojë tek Ushtari i Panjohur, dogana dhe në shumë vende të tjera si ato, ku për fat të keq Shqipëria ka shumë për t’iu dhuruar shpresën dhe dëshirën për jetuar si mundësinë për të pasur një vend fiks pune dhe të mos vazhdojnë të frekuentojnë në dëshpërim dhe zhgënjim vende të tilla që nuk japin asnjë kënaqësi aktuale për jetuar dhe asnjë shpresë për të ardhmen se edhe jeta e tyre mund të ketë momente të këndshme dhe të gëzueshme si të tjerët.
Do i kërkoja Babagjyshit të Vitit të Ri që këto persona të padukshëm ti bëj më të dukshëm dhe më aktiv në shoqërinë tonë, t’iu rikthej edhe atyre buzëqeshjen e munguar, gëzimin e harruar, të ushqyerën e bollshme që kurrë nuk e kanë pasur, ndarjen e emocioneve me familjarët e tyre duke përjetuar pak çaste të lumtura në detin vuajtjeve që kanë deri tani.
Shpresoj të paktën që Babagjyshi i Vitit të Ri do i dëgjoj fjalët e mia dhe dëshirat e këtyre personave që janë të “padukshëm” në sytë tonë, sepse askush tjetër nuk është i interesuar për hallet, problemet, për kërkesat, dëshirat apo edhe për ëndrrat e tyre.

Tuesday, December 20, 2011

Islami dhe Partia

Alban Daci 

 Partia vendosi të përjashtojë Kastriot Islami, i cili vepronte e mendonte ndryshe nga ajo dhe lideri i saj shpirtëror. Partia u mundua dhe u përpoq ta edukonte dhe t'ia mbushte mendjen të mendonte si Partia dhe gjithashtu të gjente se car mendimesh kishte lideri i saj shpirtëror. Pas shumë përpjekjesh me keqardhje Partia dështoi me individin Islami, të cilin tashmë vendosi ta përjashtojë dhe ta shpall armik të saj dhe të kombit. Madje edhe armik të integrimit europian. Islami ishte aq shume i pandreqshëm sa nuk ju tha e drejta të bënte as autokritike. Për tradhti ndaj liderit dhe Partisë, ati i hiqet e drejta të kalojë qoftë edhe afër vendit, ku është selia e Partisë. Ndoshta Partia do të vendoste ta dërgonte në Qafen e Barit, por tashmë ajo nuk ekziston. Për këtë arsye i ka dhënë të drejtë të kërkojë dhe te marr azil në ndonjë parti tjetër, të majtë e pse jo edhe të djathtë. Vija dhe ideologjia e të pavdekshmit sh. Enver Hoxha që mbetet në zemrën e Partisë, ndihmojë të zgjidhte problemin Islami. Enver Hoxha: "Dënimi më i rëndë për një anëtar partie është përjashtimi nga Partia. Por edhe ata që janë përjashtuar ose që përjashtohen nga Partia nuk janë tradhtarë, apo armiq të Partisë dhe të popullit. Bëjnë përjashtim ata që në bazë të fakteve, provave e gjykimeve të drejta të Partisë janë cilësuar elementë antiparti, tradhtarë të Partisë dhe të popullit. Kategoria e parë e të përjashtuarve kanë qenë njerëz që vazhdimisht kanë pasë përsëritur gabime të ndryshme, për të cilët janë bërë përpjekje të ndreqen, të edukohen, po ka qenë e pamundur, prandaj edhe nuk e meritonin të militonin në radhët e Partisë. Por, prapë e deri në fund Partia kujdeset dhe e ka për detyrë të kujdeset për ta dhe, ashtu si me gjithë njerëzit, edhe me këta ajo ka korru sukses rezultate të mira". Kohët ndryshuan dhe mendohej se proceset do të ecnin vetëm përpara. Rralle ndokush në fillim të viteve ’90 do të besonte se ne vitin 2011 mund të përjashtoheshin njerëz nga Partia vetëm pse mendonin ndryshe nga Kryetari. Megjithatë, ja ndodhi! Vitet kanë kaluar, por hija e së kaluarës qëndron shumë e pranishme me hapat e kohë, sa shumë herë na duket sikur jetojnë të njëjtat kohëra. Veprimi i Islamit për pak çaste na bëri të besojmë se Byroja e Partisë ekziston akoma dhe në mesin e saj ka edhe armiq që duhen të ndëshkohen.

Friday, December 16, 2011

Shqipëria dhe të huajt


Alban Daci

Kohët e fundi është dëgjuar të flitet se në vendin tonë ka forca të errëta që nuk e duan këtë vend dhe madje në shumicën e rasteve luftojnë kundër tij. Ajo që është për tu shqetësuar është fakti, se në lidhje me këtë argument flasin edhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Jo më larg se mbrëmë tek emisioni “Opinioni”, Kryeministri foli, se grupe antishqiptare tentuan ta pengonin ndërtimin e Rrugës së Kombit.
Në lidhje me këtë çështje dalin në dritë disa problematika serioze. Se pari nëse ka grupe të tilla, a janë ato jashtë sferës së vendimmarrjes së Shtetit, apo tashmë janë pjesë integrale dhe ndoshta shumë herë vendimet e marra prej tyre vendosin edhe fatin e Shqipërisë? Nëse do të flisnin intelektualët, apo shoqëria civile për ekzistencën e grupeve antishqiptare nuk do të ishte shumë shqetësuese, por fakti se vetë Kryeministri flet, do të thotë se edhe një figurë shtetërore si ai është ndjerë ndofta edhe i “kërcënuar” ose nën “presion” për të ndjekur linjat e tyre antishqiptare. Pra, në një far mënyrë këto grupe antishqiptare janë aq të pranishme dhe të fuqishme sa nuk e kanë problem të tentojnë të diktojnë edhe politikat e një Kryeministri.
Edhe pse Kryeministri flet hapur për ekzistencën e tyre dhe për faktin se kanë tentuar ose provuar që Rruga e Kombit të mos ndërtohet, nuk e dimë nëse me të vërtetë nga situatat ose faktorët e ndryshim, Kryeministri të ketë ndjekur edhe nga pavetëdija interesat e tyre që janë hapur kundër interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Së dyti, nëse ekzistojnë këto grupe për të cilat flitet, pse nuk ka një transparencë për të treguar se kush janë dhe çfarë qëllimesh kanë. Pra, përderisa Kryeministri flet për ekzistencën e tyre, do të thotë se ai i ka të gjitha informacionet e nevojshme rreth tyre. Vendet demokratike, në dallim nga vendet totalitare, shquhen për transparencë. Nëse Shqipëria pretendon se është e tillë, atëherë Shteti duhet të jetë më shumë transparent për të informuar qytetarët për rreziqet (nëse ka) që duhet të "luftojnë". Nëse ka grupe antishqiptare, ne si qytetarë kemi të drejtë t’i dimë dhe të marrim masat tona ndoshta edhe modeste për tu mbrojtur.
Së treti, kjo është një çështje edhe me e komplikuar, që ka të bëjë me sovranitetin. A është në gjendje Shqipëria ta ketë nën kontroll sovranitetin e saj? A ka sot Shqipëria një sovranitet të paprekshëm? Në pamje të parë gjithçka duket në rregull. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare mes shteteve ka ndryshuar shumë. Tashmë, sot për shumë faktorë nuk mund të ketë, duke bërë ndonjë përjashtim të vogël, luftëra të nxehta ose thyerje të sovranitetit të një shteti nga një shtet/shtete me anë të një konflikti të nxehtë. Mënyrat më të mira për të nënshtruar një shtet dhe për të cenuar sovranitetin e tij, është ajo që njihet ndryshe “metoda e heshtur”.
Kjo metodë që në pamje të parë është krejt e heshtur, është mjaft efikase dhe korrë suksese pas disa vitesh. E kam fjalën për monopolet ekonomike, të cilat duke qenë jo transparente për nga natyra, janë në të njëjtën kohë edhe jo transparente për interesat që ato përfaqësojnë. Sot pothuajse për të gjithë është thuajse e qartë se në Shqipëri në shumë sektorë ekonomik ekzistojnë monopole, të cilat në ekonominë e tregut janë të papranueshme dhe nëse rregullat e lojës i bën tregu dhe jo pushteti i njeriut nuk mund të ekzistojnë. Megjithatë, kjo është një çështje tjetër që lidhet me faktin nëse në Shqipëri ka me të vërtetë ekonomi tregu të bazuar në rregullat e konkurrencës së ndershme.
Tashmë flitet se në Shqipëri ka monopole ekonomike greke, serbe, të cilat e kanë kapur ekonominë shqiptare për fyti. Duke kapur ekonominë që është motori i shoqërisë dhe shtetit, në të njëjtën kohë kanë kapur edhe vetë vendin tonë Shqipërinë. A ekzistojnë me të vërtetë këto monopole sot në Shqipëri? Unë, konkretisht nuk kam ndonjë provë konkrete dhe kjo ndoshta lidhet me faktin se nuk jam biznesmen dhe për rrjedhojë nuk kam asnjë kontakt apo përplasje me to. Megjithatë, jo shumë kohë më parë një mik që është biznesmen i rëndësishëm në vend dhe që përfaqëson interesa plotësisht kombëtar përmes aktivitetit të tij më tha: “Jam shumë i stresuar, po falimentoj. Këtu është bërë thuajse e pamundur të bësh biznes, sepse ekonominë shqiptare e kontrollojnë monopolet serbe dhe greke”.
Nuk dua ta besoj se kjo është e vërtetë. Megjithatë, duke njohur mirë mikun që është biznesmen, e kuptoj se ai ka të drejtë dhe po më thoshte të vërtetën.
Një fakt tjetër që po më mbush idenë komplotiste të ekzistencës së këtyre monopoleve ishte rasti, kur vizitova panairin tek Pallati i Kongreseve. Ajo që vura re ishte fakti, se aty kishte thuajse vetëm firma greke dhe shumë pak ose fare firma të tjera, për shembull italiane. Gjatë kohës së vizitës po bisedoja me një sipërmarrës italian të cilin e pyeta: çfarë mendon për faktin se këtu në këtë panair ka shumë firma greke dhe shumë pak italiane? Ai më tha: para se të vija në Shqipëri kisha dëgjuar se shqiptarët dhe greket kanë shumë probleme mes tyre, por kur erdha këtu vura re se greket janë shumë të pranishëm në Shqipëri. Gjithashtu ai tha, se greket sjellin këtu në Shqipëri produkte, të cilat kanë kryesisht teknologji italiane. Sipërmarrësit italian po i thosha se si ka mundësi që Greqia, e cila po shkon drejt falimentimit ekonomik, sjellë këtu në Shqipëri, le të themi, prodhime që do të zhvillonin dhe shpëtonin ekonominë tonë. Ai qeshi dhe tha: nuk e di, thjeshtë më duket absurde!
Shqipëria gjithmonë edhe në të kaluarën e saj ka pasur marrëdhënie jo të qarta dhe transparente me aktivitetet e të huajve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Ndoshta ka ardhur momenti që Shqipëria të jetë më e kujdesshme me investitorët që vijnë këtu. Të jesh i kujdesshëm nuk do të thotë të jesh kundër hapjes me botën dhe kjo tashmë është e padiskutueshme, por të mbrosh interesat tuaja kombëtarë. Kjo është një e drejtë legjitime e çdo shteti nacional që garantohet edhe në të Drejtën Ndërkombëtare. Ndoshta këtë gjë më mirë se sa Kryeministri dhe Presidenti i Republikës nuk mund ta bëj askush. Shpresoj dhe uroj se këta po e bëjnë një gjë të tillë.

Monday, November 28, 2011

O njerëz, ku po shkoni...?


Alban Daci

Po çmenden shqiptarët pas fenomenit TEG. Të gjithë o burra atje, sikur atje të ketë thesare të fshehura. Është absurde, që dyqani NEPTUN, i cili ndodhet edhe tek QTU ose në vendet e tjera, dhe gjasma paska oferta vetëm tek TEG. I torturojë njerëzit duke i mbajtur në radhw. Sipas kësaj teorie i bie që dy dyqane të Mecdonald, ku njëri që ndodhet në Rr. Kavajës hamburgun e ka 200L dhe tjetri që ndodhet në Kinostudio e ka 100L. Në gjithë Europën qendrat tregtare po dalin nga moda, kurse këtu sapo ka ardhur kjo mode. Sipas studimeve që janë bërë qendrat tregtare nuk sjellin asnjë zhvillim për zonën dhe qytetarët, sepse nuk prodhojnë gjë, por janë vetëm distributor. Ato frekuentohen vetëm nga qytetarë të varfër, të cilët me anë të kësaj mënyre mund të përjetojnë për pak kohë, le të themi, luks. Këto qendra të mëdha në Shqipëri po kthehen në vende, ku mund të kalohet koha e lirë dhe mund të pihet një kafe, se lekë për të ble nuk kanë.
Për qendrat tregtare, për dyqanet e shumta, kazinotë, ka shkruar sociologu amerikan George Ritzer dhe ka gjetur një shprehje origjinale duke i quajtur këto vende si “katedralet e konsumit”. Sipas tij këto janë forma që inkurajojnë e “shtrëngojnë” konsumatorin të konsumojë të mira dhe mallra. Sipas tij, konsumi bëhet si një lloj riti fetar me pelegrinazhet dhe ritet e tij. Ky konfirmim është më se i vërtetë. Mjaftojnë të shikojmë se brenda dy ditëve që kur është hapur qendra TEG, të gjithë shqiptarët janë turrur atje. Madje, shumë prej tyre kanë qëndruar në radhë qoftë edhe për të hyrë në një dyqan edhe pa pasur asnjë interes konkret për të blerë.
Qendrat tregtare kudo që janë kanë të njëjtën fizionomi dhe stil: shumë drita, ngjyra, instalime të ndryshme moderne, animime në pikat e shitjeve. Të gjitha këto kanë për qëllim që konsumatorit t’i krijojnë një botë që nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë. Disa nga qytetarët të cilët, kishin vizituar qendrën TEG përshtypja e parë që kishin ishte: ndërtesë e madhe, luksoze, shkallë lëvizëse etj, etj. Pra, shumë pak prej tyre flisnin për çmimet apo për faktin nëse kishin mundur apo jo të blinin gjë. Thuajse të gjithë ishin të hipnotizuar dhe vetëm kaq.
Në teori në këto qendra tregtare nuk mungon asgjë, që nga veshjet, ushqimoret, kinematë, kafiteritë...teorikisht një person mund të jetoj aty brenda përgjithmonë pa pasur nevojë për të dal jashtë. Sa shumë përhapen këto qendra të mëdha tregtare aq më shumë boshatisen sheshet, rrugët, qendrat e qyteteve. Qytetet shqiptare karakterizohen me efekte të larta sociale, ku njerëzit takohen, shkëmbejnë dhe flasin. Me hapjen e këtyre qendrave tregtare, qytetarët do të humbin sensin e asocimit lokal. Pse do të ndodh kjo? Sepse, tashmë për të pirë një kafe, nuk do të mjaftohemi vetëm me kafen e lagjes, por do e braktisim atë dhe do të shkojmë në një qendër tregtare, aty ku në shumicën e rasteve nuk njohim asnjë. Pra, jo vetëm që do të krijohet një formë e përbashkët konsumimi, por do të krijohet edhe një formë po e përbashkët asocimi. Dalëngadalë do të braktisen vendet tradicionale. Për këtë arsye lagjet do të fillojnë të humbasin identitetin e tyre, për shkak se do të fillojnë të mbyllen aktivitet e vogla tregtare. Pra, për ne shqiptarët, do të fillojnë të mbyllen ato pazaret tipike. Pra, ne nuk do të dalim për të bërë pazar me qëllim për tu njohur me njerëz, për të diskutuar, për të marrë ndonjë informacion, por do të dalim vetëm me qëllim për të blerë një mallra. Në këto qendra, njerëzit do të jenë si në një “Big Brother”, një jetë virtuale dhe false e diktuar sipas një modeli fiks, që ka për qëllim jo jetën sociale të komunitetit, por vetëm fitimin ekonomik.
Le të themi se këto qendra tregtare janë krijuar për të favorizuar izolimin e individit, në mënyrë që shkarkojë gjithë nervozizmin dhe jetën e tij të vështirë për të konsumuar sa më shumë. Shpesh herë kur sipërmarrësit duan të justifikojnë hapjen e një qendre të re tregtare thonë se: ajo do të sjellë zhvillim për zonën duke hapur vende të reja pune. Kështu edhe një gazetar i njohur shqiptar tha kur e intervistuan për inaugurimin e qendrës TEG: ky është një zhvillim i madh, është qendra me e madhe në rajon. Ndërsa një qytetar, kur e intervistuan tha: kjo është një gjë madhështore që e kam ëndërruar prej kohësh. Thuajse ajo do të kishte efekt të drejtpërdrejtë për jetën e tij personale dhe familjare. Në realitet mbrapa të vendeve të reja të punës, fshihen shumë falsitete të tjera...vetëm pak vende punë të paguara keq. Edhe këto pak vende të reja pune, janë me kontrata të përkohshme...të cilat janë të papërfillshme duke pasur parasysh vendet e tjera të punës që humben për shkak se mbyllen qendrat e vogla, ose dyqanet tradicionale. Në shumicën e rasteve, fillimisht qendrat tregtare mbajnë çmime shumë të ulëta, për të konkurruar dyqanet tradicionale, të cilët për shkak së nuk janë në gjendje t’i konkurrojnë i mbyllin ato. Pasi, të mbyllen dyqanet, atëherë qendra tragtare ka monopol dhe mund të bëj ç’të dojë me çmimet. E njëjta gjë po ndodh edhe tek TEG. Ditët e para doli nami, se atje ishin mallrat fare lirë, sa mund të konsideroheshin thuajse falas. Për këtë arsye pati flukse të mëdha qytetarësh. Prandaj, qytetarë ku po shkoni? Mos humbni lagjen tuaj tradicionale, mos humbi lidhjet sociale qe keni në lagjen tuaj, në rrugën tuaj. Mos e braktisni atë për të hyrë në një lloj “Big Brother”, ku ka vetëm një stil virtual dhe jo real të jetës. Mos u hipnotizoni nga dritat, nga luksi, nga madhështia, sepse ato nuk prodhojnë vende punë, nuk prodhojnë zhvillim për ju, por vetëm për një grup të vogël personash.

Saturday, November 19, 2011

Ku po shkon Bota Perëndimore


Alban Daci

Ku po shkon Bota Perëndimore, e cila po kalon një krizë të thellë me identitetin e saj? Demokracia e përfaqësuar nuk mjafton në një botë gjithnjë e më globale, ajo nuk mund të jetë e eksportuar në një botë, e cila akoma nuk ka vlera universale dhe modele uniforme. Ku po shkon Bota Perëndimore, e cila model bazë ka pikërisht shtetin nacional, i cili tashmë për shkak të faktorëve kohë ndodhet në një krizë të thellë. Ku po shkon Bota Perëndimore, e cila po kalon një krizë të thellë ekonomike, e cila lidhet me vizionet dhe modelet që duhet të aplikohen. Bota Perëndimore, po ec përpara, por nuk e dimë nëse drejt një të ardhme të njohur dhe të mirë, apo drejt një të ardhme të panjohur dhe të rrezikshme.


Krizë e shtetit nacional

Shtetit nacional po përballet me një krizë reale, sepse po mbaron “civilizimi” i punëtorëve dhe shteti keynesian. Shoqërimi i këtyre dy elementeve po prodhon fenomene perverse. Nga njëra anë ato prodhojnë hijen e tyre në luftërat e ndryshme që po zhvillohen nëpër botë dhe nga ana tjetër po ndihmojnë rilindjen e nacionalizmave (siç janë rasti i Francës, Gjermanisë, Ballkanit e në plot vende të tjera të botës) dhe të tribalizmave etnikë.

Demokracia në krizë

- Në krizë demokracia përfaqësuese. Zhvillimi i teknologjisë moderne të komunikimit ka bërë të mundur që demokracia përfaqësuese të jetë gjithnjë e më shumë në krizë. Deri tani, le të themi, është krijuar një “demokraci virtuale”, kryesisht në socialnetëork, ku qytetarët jo vetëm shkëmbejnë mendime e kritika, mendime, por duan sa më shumë të marrin pjesën në jetën aktive politike. Ky kozmos i vogël virtual, është i mjaftueshëm për të joshur kërkesat modeste të shumë qytetarëve, por në një të ardhme jo shumë të largët qytetarët do të kërkojnë që ata jo vetëm të konsultohen, por edhe të marrin pjesë në vendimmarrjet politike.
- Në krizë eksportimi i demokracisë. Formula e Virilio-s ‘fundi i gjeografisë’. Fundi i gjeografisë nuk prek vetëm fushën ekonomike, por edhe fusha të tjera më të gjera. Ky fund i gjeografisë prek idetë, mënyrat e të menduarit, traditat kulturore, politike dhe fetare. Për shkak të globalizimit njeriut po ndjehet gjithnjë e më shumë ‘qytetar i botës’. Demokracia historikisht është paraqitur si një nevojë, para se të bëhej një e drejtë. Duhet të pyesim nëse demokracia perëndimore – e cila insistoj, nuk ka akoma konture unike- përbën me të vërtetë një vlerë universale, e për këtë arsye mund të eksportohet edhe drejt popujve që i mbështetin rrënjët e tyre kulturore e fetare në kontekste të ndryshme. Mjafton të mendojmë se demokracitë perëndimore janë fryt i një eksperience shekullarizimi, ku ka pasur një rëndësi të veçantë kontrasti kundrejt feve. Siç dimë, demokracitë janë ndërtuar duke kundërshtuar Kishën. Pra, si formë lirie kundër pushtetit të Kishës. Prandaj, kjo lloj forme është e konsideruar e papranueshme në ato shoqëri si ato islamike, ku feja zë një valore komplesive dhe domosdosmërisht të përzier me zgjedhjet temporale.

Kriza ekonomike

Duke u nisur që nga viti 2007 sistemi financiar ndërkombëtar u përfshi në një krizë sistemi që në mënyrë progresive u rrit derisa arriti në ditët e sotme duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë. Kjo lloj krize ekonomike, bëri që shtetet t’i riktheheshin rritjes së pranisë të sektorit publik në sferën ekonomike, pas një periudhe të gjatë kohe ku ka mbizotëruar- përtej diferencave të dukshme mes SHBA dhe Europës- një kulturë e bazuar mbi besimin në treg dhe në mekanizmat e auto-rregullimit. Është kthyer kështu shikimi tek Shteti si një disiplinues kundrejt tregjeve. Megjithatë, qeveritë dhe studiuesit ekonomisë të nivelit ndërkombëtar, akoma nuk kanë gjetur formulën e duhur, jo vetëm për të dalë nga kriza aktuale, por për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë.

Demokracia, politika dhe qytetari i sotem

Alban Daci

Fjala politik rrjedh nga POLIS, qytet-shteti i Greqisë antike. Në çdo qyte-shtet kishte ligjet dhe gjykatat e vet, monedhën, ushtrinë dhe pikërisht politikën e jashtme.

Ekzistonin Polise të ndryshme, ku secili prej tyre kishte një sistemin e tij administrativ, bënte ligjet e tij, politikat e tij dhe mbante një ushtri. Disa nga këto Polise e morën emrin nga themeluesit e tyre: perandori Konstantin themeloi Konstandinopolin, Adrianopolis e merr emrin nga Adriano. Akropolosi ishte “qyteti i lartë” i vendosur mbi kodrën e Athinës antike.

Aktiviteti më i rëndësishëm që zhvillohej në Polis quhej “Politikë, që ishte aktiviteti më anë të cilit vendoseshin politikat kolektive (policies).

Personat që vendosnin për politikat quheshin “Politikanë”

Personat e ngarkuar për të respektuar ligjin e Polisit quheshin “Policia”

Sot, termi “Polis” mund të zëvendësohet me termin “shoqëri”.

Në disa qytet-shtete të gjitha politikat vendoseshin nga një diktator, në disa të tjera nga më të urtët dhe të mëshuarit ose nga pronarët e tokave. Në qytetin e Athinës të gjithë qytetarët vendosnin për politikat e tyre të përbashkëta. Ky sistem ishte njohur si ‘Demo-kratia’, sepse ‘Demos’ ishte i gjithë komuniteti që vendoste për të gjitha politikat. Ajo që quhet sot “Demokraci” është një sistem ku të gjitha politikat vendosen nga përfaqësuesit e qytetarëve- jo nga të gjithë qytetarët. Ky sistem i njohur ndryshe si ‘Qeveri e Përfaqësuesve’ (Rule by Rapresentatives), jo një demokraci. Të quash ‘demokraci’ një sistem të tillë në këndvështrimin e baballarëve të demokracisë origjinale antike greke është sa absurde po aq edhe çmenduri.

Sipas antikëve në Demokraci të gjithë qytetarët vendosnin për politikat, asnjë nuk vendoste në vend të një tjetri. Pra secili vendoste për vetën e tij sipas dëshirës dhe vullnetit të tij të lirë.

Të bësh politik do të thotë të vendosësh për atë që e gjithë shoqëria ka nevojë. Sot këto vendime merren vetëm nga pak politikanë. Kudo, sot vetëm pak përfaqësues të qytetarëve- jo vetë qytetarët- vendosin për të gjitha politikat.

Qytetarët pranojnë politikat që merren e vendosen nga përfaqësuesit e tyre, sepse nuk janë në gjendje të dinë se si mund të vendosin vetë ata për fatin e tyre. Për ta duket e pamundur. Deri pak kohë më parë dukej e pamundur të bashkoje opinionin e miliona qytetarëve. Por, sot mund të bëhet e mundur falë zhvillimit të teknologjisë moderne.

Në demokracinë direkte çdo qytetar mund të propozojë, diskutojë e të votojë çdo politik

Sot është teknikisht e mundur? Po.

Qytetarët duan ta bëjnë? Disa jo. Por, shumica Po.

Të bësh politik do të thotë të vendosësh mbi politikat. Çfarë do të thotë të ‘vendosësh’?

Në politikë kemi dy lloj vendimesh për të ndërmarr. Ato u përgjigjen dy pyetjeve:

Çfarë duam që të bëj shoqëria? (vendimet e politikës që duhet të çohen përpara);

Në çfarë mënyre shoqëritë duhet të çojnë përpara këto aktivitete? (vendimet si me realizuar politikat e ndryshme)

Euro, në interesin tonë? Çfarë sjell adoptimi i saj në tregun shqiptar?

Euro, në interesin tonë? Çfarë sjell adoptimi i saj në tregun shqiptar?


Flet për Hermesnews, politologu Alban Daci, Bashkimi Europian ka nevojë për vende që aderojnë brenda tij dhe ja pse


TIRANE - Monedha euro më parë dukej ishte një pengesë e madhe për t'u kapërcyer për vendet që aspironin për t'u bërë anëtarë të Bashkimit Europian; Kohët e fundit, Presidenti i komisionit europian, portugezi Josè Manuel Barroso tha se monedha euro duhet të shtrihet në sa më shumë vende Europiane; duke patur parasysh dhe kohën kur u bënë këto deklarata flas për krizën që ka prekur zonën euro, ju si mendoni pse e tha këtë ?


Alban Daci: Presidenti aktual i Bashkimi Europian, Herman van Rompuy, e ka komentuar si më poshtë krizën ekonomike që po kalon BE: “Jemi përballë një krize për mbijetesën tonë. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të mundur mbijetesën e zonës Euro. Në, fakt, nëse Euro nuk do të mbijetoj, as edhe vetë Bashkimi Europian nuk do të mbijetojë”. Mjafton të analizojmë përshkrimin e Presidentit BE, për të kuptuar atë që ka thënë Hose Barroso. Sot, më shumë se kurrë Europa ka nevojë për më shumë zgjerim dhe bashkim për të sfiduar krizën botërore dhe për t’iu përgjigjur me efikasitet globalizimit. Euro-ja është vetë simboli i BE, dhe sa më shumë e fortë dhe sa më fushmë vende aderojnë në të, aq më i shëndosh është vetë Bashkimi.

Mbetemi tek ky argument. Monedha euro: Çfarë sjell për Shqipërinë integrimi në Bashkimin Europian ? Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet ?

Alban Daci: Bashkimi Europian për shqiptarët do të thotë më shumë siguri, më shumë prosperitet dhe stabilitet ekonomik. Rreth 95 % e shqiptarëve duan që Shqipëria të hyjë në Europë. Megjithatë, po të analizojmë edhe të kaluarën historike mund të themi se shqiptarët kanë qenë ndër të parët që kanë menduar se zgjidhja më e mirë për rajonin e Ballkanit e më gjerë është bashkimi i popujve. Pikërisht në vitin 1929, Beqir Valteri ideoi dhe publikoi idenë e konfederatës ballkanike me 10 shtete anëtare.

Megjithatë, duhet të nënvizojmë faktin se Shqipëri ka dhe interesa të mëdha ekonomike të cilat lidhen drejtpërdrejt me BE. Nga viti 2000 Shqipëria ka përfituar masat ekonomike tregtare autonome të BE. Tregtia e Shqipërisë me BE është zgjeruar me preferencat shtesë si pasojë e hyrjes në fuqi në muajin dhjetor të vitit 2006 të marrëveshjes së përkohshme. BE është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe në vitin 2009 shkëmbimet me BE kanë arritur 79,6% të shkëmbimeve totale të Shqipërisë.

Në vitin 2009 eksportimet e Shqipërisë drejt BE-së llogariteshin në 0,6 miliard euro dhe eksportimet e BE drejt Shqipërisë llogariteshin në 2,1 miliard euro. Si eksportet ashtu edhe importet në vitin 2009 janë zvogëluar për shkak të krizës ekonomike. Defiçiti tregtar i Shqipërisë me BE është -1,5 miliard euro. Prodhimet tekstile dhe të veshmbathjes përbëjnë pjesën më të madhe të eksporteve shqiptare drejt BE. Pra BE, mbetet partneri kryesor ekonomiko-tregtar i Shqipërisë.

Fakti që euro (monedha) është e fortë në një moment të tillë a mendoni se krijon probleme në prodhimin industrial të vendit ? Shqipëria është një vend me treg të brendshëm të vogël, qe hedh sytë me tepër nga tregu i jashtëm ?

Alban Daci: Forcimi i valutave rrezikon të shtretojë produktet e importit, të cilat në më të shumtën e rasteve blihen në Euro. Biznesi vendas e konsideron këtë situatë një kosto shtesë në punën e tyre. Sipas drejtorit të Konfindustrisë, Stefan Pinguli shitjet në tregun vendas kanë rënë me afro 20%. Ky fakt ka bërë që biznesi të ulët çmimet. Nga ana tjetër, kësaj situata i shtohet edhe forcimi i Euros, çka e detyron biznesin të blejë lëndën e parë me kosto më të shtrenjtë. “Situatë paradoksale”- shprehet Pinguli. Efekti tjetër negativ i forcimit të Euros është për ata kredimarrës që paguajnë kredinë në Euro, ndërsa të ardhurat i kanë në lekë. Ky shtrenjton këstin mujorë të kredisë.

Sipas jush deklaratat që thashë me sipër të Barrosos për zgjerimin e BE-së i drejtoheshin Rusisë dhe Turqisë? Kohët e fundit këto të dyja mbajnë qëndrime hezituese për integrim në BE

Alban Daci: Një ndër sfidat e BE, janë se ku vazhdojnë e ku mbarojnë kufijtë e saj. Disa mendojnë se Maroku duhet të integrohet, të tjerët thonë jo se nuk ka kulturë Europiane. Është për t’u theksuar se ka marrë përfundimisht përgjigje negative. Disa thonë se edhe Izraeli duhet të vend anëtarë për shkak të kulturës dhe besimit fetar. Disa të tjerë thonë jo. Mendohet se në vitin 2025 vend anëtar do të jetë edhe Ukraina. Në bazë të parashikimeve dhe analizave të nivelit ndërkombëtar, Rusia nuk ka hapësirë për të qenë pjesë integrale e Bashkimit, por pjesë e marrëveshjeve të tjera indirekte. Ndërsa, për sa i përket Turqisë: Aderimi i Turqisë në Bashkimin Europian do të jepte një provë të pamohueshme, se Europa nuk është një “Grup i Krishterë” i mbyllur. Ai do të konfirmonte natyrën e Bashkimit Europian si një shoqëri e hapur dhe tolerante, që tërheq forcë diversiteti dhe është e mbajtur bashkë nga vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, shtetit të së Drejtës dhe respektimit të Drejtave të Njeriut. Megjithatë, sot drejtuesit e lartë të shtetit turk, janë të shqetësuar nga fakti, se “sa më shumë Turqia i afrohet aderimit tek BE-ja, aq më shumë rritet rezistenca në Europë”.


* Dott. mag Alban Daci është politolog dhe ekspert i marëdhënieve ndërkombëtare: autor i librave Europa dhe shqiptarët dhe Europa në marrëdhëniet ndërkombëtare


Nga Doriana Metollari

Saturday, November 12, 2011

Mario Monti- Kryeministri i ardhshëm i Italisë


nga Alban Daci

U lind më 19 mars të vitit 1943 në Varese, nga 1995 deri në 1999 ka qenë Anëtar i Komisionit Europian, përgjegjës për tregun e brendshëm, shërbimet financiare, integrimin financiar, doganat dhe çështjet fiskale.
Në vitin 1965 është Diplomuar në Ekonomi pranë Universitetit të Bokonit në Milano, ku menjëherë për katër vjet rresht ka bërë bërë asistentin, derisa sa merr katedrën e profesorit pranë Universitetit të Trentos.
Në vitin 1970 transferohet në Universitetin e Torinos, të cilin e lë për t’u bërë profesor dhe drejtor i Institutit të Ekonomisë Politike pranë Universitetit të Bokonit. Gjithmonë në Bokoni merr Presidencën në vitin 1994, pas vdekjes të Giovanni Spadolini.
Përtej emërimeve të shumta që ka marrë në drejtimin e ndërmarrjeve private ( Fiat, Generali, Comit), Monti ka mbuluar shumë role të rëndësishme në drejtimin e komisioneve të ndryshme qeveritare dhe parlamentare. Në veçanti, ka qenë relator i Komisionit mbi Mbrojtjen e Kursimit Financiar të Inflacionit (1981), President i Komisionit mbi Sistemin e Kreditimit Financiar (1981-1982), anëtar i Komisionit Sarcinelli (1986-1987).
Në 1995 bëhet anëtar i Komisionit Europian të Santer, duke marrë detyrën e përgjegjësit për tregun e brendshëm, shërbimet financiare, integrimin financiar, doganat dhe çështjet fiskale.
Editorialist i të përditshmesh Corriere della Sera. Ai është edhe autor i shumë publikimeve, sidomos për temat që kanë të bëjnë me ekonominë monetare dhe financiare, mes të cilave mund të citojmë: “Problemet e ekonomisë monetare” të publikuar në vitin 1969, “Sistemi i financave dhe i kredive italiane” publikuar në 1991.
Edhe në planin ndërkombëtar Monti ka marr pjesë në aktivitetet e konsulencës dhe të autoriteteve të politikës ekonomike, mes të cilëvë Macroeconomic Policy Group, Istitutit të Komisionit të KE (Centre for European Policy Studies).
Në nëntor të 2011 Presidenti Napolitano e emëron senator jete.

Thursday, November 10, 2011

Pranvera arabe një histori e shkruar çdo ditë


Alban Daci

Çfarë leksioni duhet të nxjerrë Europa nga ngjarjet e ndodhura në brigjet e Mesdheut? Nga njëra anë influenca e saj rajon mund të jetë e destinuar të s’vogëlohet edhe më tej, nga ana tjetër është një kusht i dobishëm për një raport të ekuilibruar.
Edhe pse mund të themi se një fazë e rëndësishme e revolucioneve arabe (ose siç i kanë quajtur ndryshe “Pranvera Arabe”) është konkluduar me ngjarjet e ndodhura në Egjipt, Tunizi, Algjeri dhe së fundmi në mënyrë tragjike në Libi. Pranvera arabe duket se nuk ka mbaruar me kaq.
Të gjithë vendet arabe kanë lindur nga disintegrimi i asaj perandorie. Disa kanë mbi shpatulla një histori nacionale, për shembull Irani, Turqia e për disa aspekte edhe Arabia Saudite, por periudha koloniale ka pasur një impakt të madh mbi politikën e brendshme të secilit prej tyre. Për pasojë janë zhvilluar shtete diktatoriale, përderisa shtetet e reja kanë tentuar të krijojnë një identitet të ri nacional si ai: sirian, irakian, jordan e kështu me radhë.
Zgjimet e sotme popullore duke marrë jetë nga vetë shoqëritë e orientohen drejt një arti të ri qeverisës. Televizionet e ndryshme nëpër botë kanë transmetuar imazhe dhe informacione në mënyrë të pavarur, edhe ky është një faktor krejt i ri për rajonin. Falë këtyre transmetimeve mund të lindin koshenca të reja politike, një kuptim i ri për dinamikat politike. Gjithashtu falë bumit mediatik janë vënë në dukje nevoja të reja të panjohura më parë si për më shumë liri, demokraci dhe dinjitet njerëzor.
Mos kjo do të thotë se shoqëritë arabe kapërcejnë të kaluarën despotike? Çfarë ka ndodhur me të vërtetë? Për të kuptuar fenomenin e diktaturave në këtë rajon, duhet të kemi parasysh se këto vende kanë përjetuar një periudhë të dhunshme koloniale dhe për këtë arsye gjithmonë kanë qenë në një betejë për një periudhë post-koloniale.
Në disa raste janë instaluar në pushtet krerët më të lartë ushtarak dhe jo struktura shtetërore shumë të zhvilluar organikisht. Në Europë strukturat e këtij tipi kanë evoluar për gjatë shekujve. Kanë qenë Revolucioni francez, dy luftërat botërore, luftërat e Hitlerit, Musolini dhe Francos. Shoqëria civile në Europë është zhvilluar gradualisht, shumë ngadalë, dhe nga i gjithë ky proçes ka lindur një formë e demokracisë e kolauduar dhe e gjallë. Ndërsa bota arabe, nuk e ka pasur kurrë luksin e kësaj trashëgimie historike. Tashmë strukturat e lindura nga poshtë janë rebeluar kundër autoriteteve dhe sovranitetit të shtetit. Tashmë ka filluar një proçes i gjër social reformimi, i cili nuk mund të bëj më hapa mbrapa.
Çfarë do të thotë për Europën revolucioni arab ose Pranvera Arabe? Revolucionet siç dihet edhe nga historia vënë në ballafaqim shumë sfida që kanë të bëjnë me strategjinë dhe sigurinë, përderisa panorama politike është në evoluim.
Qeveritë që dalin u japin e dëgjojnë më shumë shoqërinë, e afirmohen shoqëritë që bonifikojnë një politik të jashtme të pavarur nga perëndimi. Nuk është një koincidencë fakti, se Egjipti dhe Tunizia nuk e kanë mbështetur ndërhyrjen në Libi.
Egjipti pritet se do të rinovojë marrëdhëniet me Iranin, që deri pak kohë më parë ishin jo vetëm që nuk ekzistonin, por ishin kthyer në një utopi. BE dhe SHBA duhet të përgatitet për të përballuar situatat që mund të prezantohen në një të afërme të shpejt në rajon, përderisa do të jenë shumë më pak në kushte që ta kontrollojnë.
Pranvera arabe që tashmë është në një dimër të plotë, duket se nuk ka asgjë ngjashmëri me revolucionet e ndodhura më parë. Mund të mendojmë të bëjmë një krahasim me revolucionin e Portugalisë (nëntor 1974), por ka shumë dallime. Popujt arab kanë pësuar shumë shtypje të natyrës koloniale në të kaluarën. Në botën arabe, nuk qeveris shoqëria përmes përfaqësuesve të saj të zgjedhur demokratikisht, por qeverisin klanet, tributë e familjet e njohura.
Presidentët në vendet arabe sillen sikur të ishin monark absolut, të cilët qëndrojnë në pushtet duke përdorur forcën, korrupsionin, shantazhin dhe turpin. Bashar al Assad ka zëvendësuar babain etij Hafez al Assad; Seif al Islam ishte projektuar si zëvendësuesi natyror i Gedafit; Mubarak gjithashtu kishte menduar të dizenjonte zëvendësues djalin e tij. Të gjithë këto plane tipike despotike dhe aspak demokratike u prishën nga ngjarjet e Pranverës Arabe.
Këto despot kishin një princip të thjeshtë qeverisës: kur të jemi në pushtet do të qëndrojmë për jetë aty, pavarësisht nëse populli na do ose jo. Për të pasur një imazh të mirë ndërkombëtar, bëjnë sikur vendosin një lloj “demokracie formale”.
Kjo është në të vërtetë vetëm një maskë. Çdo gjë është në dorën e tyre dhe nuk tolerojnë asnjë kontestim, asnjë lloj forme opozite. Ato e konsiderojnë vendin si një pronë private, posedojnë të ardhurat e veta, bëjnë pazare, pasurohen dhe vënë të mirat e tyre në bankat e Zvicrës. Ajo që ka ndodhur në Tunizi dhe në Egjipt, është një protestë morale dhe etike.
Është një refuzim pa mëdyshje kundrejt autoritarizmit, të korrupsionit, të vjedhjes së të mirave të vendit, të nepotizmit, të favorizimit. Një protestë për të vendosur një higjienë morale në një shoqëri që ka qenë shfrytëzuar dhe poshtëruar për dekada me radhë.
Për këtë arsye nuk është një revolucion ideologjik. Nuk ka një lider, një shef, nuk ka një parti që organizon dhe çon përpara revoltat. Miliona persona kanë zbritur nëpër rrugë. Një revolucion i një lloji të ri: spontan e i paparashikuar. Është një faqe historie e shkruar ditë për ditë, pa një planifikim, pa ndërmjetësim, pa truke.

Wednesday, November 9, 2011

Përfundoi aktiviteti “Një ditë për Europën”

Më datë 8 nëntor 2001u realizua me sukses aktiviteti “Një ditë për Europën”. Ky takim u realizuar tek Biblioteka e Universitetit Illyria në Tiranë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte prezantimi i dy librave “Europa dhe Shqiptarët” dhe “Europa në marrëdhëniet ndërkombëtare” të studiuesit dott. Mag Alban Daci. Ky aktivitet u bo i mundur falë bashkëpunimi të dott. Mag Alban Daci dhe prof. Kaliopi Naska Dekanes të Fakultetit të Shkencave Politike pranë Universiteti Illyria. Paneli i të ftuarve që mbajtën kumtesa në këtë aktivitet përbëhej nga: prof. ass Arben Malaj (Senior Fellow Harvard University) i cili ka shkruar Parathënien e librit “Europa në marrëdhëniet ndërkombëtare), dr. Jordan Daci dhe dott. Salvatore Albelice Koordinator i PDL për Ballkanin si dhe Gazetar prej shumë vitesh pranë institucioneve të BE-së në Bruksel). Në aktivitet morën pjesë edhe mjaft pedagog dhe student të Universiteti Illyria, të cilët vlerësuan punën kërkimore të studiuesit dott. Alban Daci. Nuk mungojë as prania e medieve vizive. Gjithashtu, duhet të theksohet fakti se me këtë rast autori dhuroj rreth 40 libra për të gjithë studentët e pranishëm në këtë aktivitet. Kjo tregon edhe një herë se studiuesi dot. mag Alban Daci, diturinë dhe kërkimin shkencor nuk e shikon si përfitim ekonomik, por si një mision social e human.

Monday, November 7, 2011

Politika dhe Shteti shqiptar duhet të kenë më shumë respekt për emigrantët

Alban Daci

Të gjithë partitë politike në vend kanë filluar të kthejnë sytë nga emigrantët. Jo se u dhimbsen shumë, sepse ato janë të huaj në të gjitha projektet e vendimmarrjes në Shqipëri, por, meqë rezultati i 2013 pritet të jetë shumë i ngushtë, atëherë kanë nevojë për votat e emigrantëve. Me vjen keq që emigrantët nëpërkëmben kështu. Mjafton të marrim në analizë dy raste për të kuptuar, se e votës së emigrantëve është vetëm një mashtrim elektoral, ku emigrantët konsiderohen vetëm si numër votash dhe jo si një bashkësi vlerash sociale, kulturore dhe ekonomike në vend. Ka vite që punëtori Albert Kolgjegja humbi jetën në punë në qytetin e Xhenovës. Edhe pse ka kaluar shumë kohë asgjë nuk është bërë për të nga shteti shqiptar e as nga politika shqiptar. Akoma edhe sot mbetet e pa zgjidhur çështja e tij, vetëm nga fakti se familja tij është e vetme përballë një klike të fortë të punëdhënësve të tij. Vëllai i tij disa herë ka kontaktuar përfaqësitë tona diplomatike, por nuk ka gjetur asnjë portë të haput. Gjithashtu, vetëm dy ditë më parë një nënë shqiptare humbi jetën bashkë me dy fëmijët po në qytetin e Xhenovës. Car do të bëjnë për të Shteti shqiptar dhe partitë politike shqiptare? Asgjë këtë ua garantojë, sepse emigracionin shqiptar e njoh mirë. Gjithashtu, njoh mirë edhe përfaqësitë tona diplomatike që operojnë në Itali. Prandaj, është e turpshme dhe e papranueshme që pas 20 vitesh emigracion, politika shqiptare nuk u jep emigrantëve rolin që meritojnë, por i trajton vetëm si vota. Emigrantët janë vlera njerëzore, imazhi, kulture, tradite e historie. Ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shtylla ekonomike e vendit tonë. Ata meritojnë më shumë si nga shteti ashtu edhe nga politika.

Alberti, emigranti që u flijua për një jetë më të mirë


Alban Daci

Një histori sa e dhimbshme aq edhe tragjike

Edhe pse kanë kaluar tashmë 8 vjet, familja e Albertit ndjehet e vetme dhe pambështetje për të gjetur drejtësinë e merituar!


Kush ishte Albert Kolgjegja?

Alberti u lind më 03.05.1973 në Lurë të Dibrës që në hapat e para të fëmijërisë së tij tregoi një zgjuarsi të veçantë natyrore duke marrë rezultate të shkëlqyera në shkollë. Mes mundimeve dhe varfërisë ekonomike që po kalonte jo vetëm familja e tij, por e gjithë zona, arriti të mbaronte po në Lurë me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme. Kishte shumë dëshirë që të fillonte studimet e larta, po për shkak të kushteve ekonomike u detyrua të merrte rrugën e mërgimit. Alberti emigroj drejt Greqisë, ku udhëtoi ditë e natë në këmbë, duke kaluar mes lumenjve dhe maleve të larta, me shpresën se do të gjente një jetë më të mirë në vendin fqinj, që do të kishte një punë të ndershme për të fituar ca lekë që do t’i dërgonte tek familja e tij në Shqipëri.
Alberti, falë vullnetit të tij si dhe këmbënguljes për një jetë më të mirë, të cilën gjithmonë e kishte kërkuar, jo vetëm arriti në vendin fqinj, por me zgjuarsinë e tij natyrore si dhe me sjelljen e tij shembullore u integrua shumë shpejt në jetën shoqërore të Greqisë, duke fituar respekt nga banorët dhe punëdhënësit. Ai filloi të punonte si elektricist, ku falë aftësive të larta profesionale që shprehu në ushtrimin e profesionit ju dha dhe titull "mjeshtër elektriku".

Alberti dhe familja e tij
Alberti kishte marrëdhënie shumë të mirë me gjashtë motrat, por një lidhje më të veçantë shpirtërore kishte më vëllaun Ilrianin, sepse nuk kishin as diferencë të madhe moshe. Babai i Albertit ka punuar si ndihmësmjek, ku ju ka shërbyer me përkushtim banorëve të zonës së tij, sepse ai e respektonte jetën dhe e shikonte atë si gjënë më të shtrenjtë dhe me të bukur që njeriu ka. Nëna e tij është një shtëpiake e përkushtuar.
Lidhja e fortë shpirtëror me Ilirianin bën që të bëj të pamundurën për ta pasur pranë edhe në Greqi, sepse gjithmonë kishin qenë bashkë dhe nuk mund të rrinin pa njëri-tjetrin. Kështu që edhe Iliriani për të dhënë kontributin e tij në familje si dhe dashuria e madhe për të qenë më vëllaun e tij, vendos që të emigroi duke udhëtuar drejt vendit fqinj Greqisë.
Iliriani edhe përse pati ndihmën e Albertit, për shkak të burokracive nuk arriti të siguronte dokumentet e qëndrimit. Prandaj vendosi të lërë Greqinë dhe të udhëtoi drejt Italisë, ku stabilizohet në qytetin e Xhenovës. Këtu fillon të punoi si të gjithë shqiptarët e tjerë në sektorin e ndërtimin, duke punuar me orë të gjata. Ndarja me Albertin nuk ishte e lehtë për të, sepse çdo moment të jetës e kishin përjetuar bashkë, duke i qëndruar pranë njëri-tjetrit jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht. Megjithatë, para se Iliriani të largohej, të dy, u zotuan që do të bënin gjithçka për të qenë përsëri dhe gjithmonë bashkë.

Alberti dhe qyteti i Xhenovës
Pasi stabilizohet Iliriani me punë me rregulla në Xhenova, vendos të tërheq dhe Albertin. Kështu Alberti në vitin 2000 vendos të lërë Greqinë dhe të transferohet në qytetin e Xhenovës në Itali.
Sapo vjen në Xhenova fillon menjëherë të punoi, sepse ishte njeri që gjithmonë e donte punën. Si shqiptarët e tjerë edhe Alberti fillon të punoi në ndërtim, pasi është sektori i vetëm, ku mund të gjendet punë kollaj dhe mund të fitohet mirë dhe me ndershmëri. Hapat e para në Xhenova, nuk ishin të lehta për të, sepse po përballej më një mentalitet të ri dhe të ndryshëm nga ai i Greqisë. Nuk arrin të gjej një punë fikse dhe kështu i duhet shumë herë që të kërkoi punë dhe të ndërroi shpesh sipërmarrësit e punës. Nuk reshti së kërkuari punë derisa pas kërkimeve të shumta dhe të lodhshme arriti të siguroi punë në një sipërmarrje ndërtimi, e cila po rikonstruktonte ndërtesën e muzeut të "Detit" në Xhenova.

8 nëntor 2003 shuhet ëndrra e Albertit
Në një ditë vjeshte me shi ashtu siç kishte bërë çdo ditë, Alberti zgjohet herët në mëngjes për të shkuar në punë, pa e ditur se ajo do të ishte dita e fundit që do të punonte. Pasi pi kafen e mëngjesit me shokët e punës, vesh rrobat e punës dhe ngjitet në skele për të filluar punën. Pa ditur, se pikërisht ato skele do t’i merrnin jetën dhe do i shkatërronin të gjitha ëndrrat që kishte projektuar për të ardhmen e tij dhe të familjes.
Papritur skelet, ku po punonte Alberti, rrëzohen duke e zënë poshtë. Kalon disa orë poshtë hekurishteve të skelës, duke rënkuar nga dhimbja që i kishte gllabëruar trupin dhe shpirtin. Alberti si një piedestal i rinisë shqiptarë që shpresoi dhe luftoi për jetën, në orët e vona të asaj nate te ftohtë, u nda kjo botë e mundimshme, për të cilën kishte dhënë dhe sakrifikuar gjithçka dhe nuk kishte marrë asgjë.
Vdekja e tij ishte lajm i hidhur jo vetëm për familjen dhe të afërmit e tij, por edhe për shokët, për ata që e kishin takuar qoftë edhe një herë, për të gjitha familjet shqiptare, ku bijtë e tyre emigrojnë jashtë në kushte që lenë për të dëshiruar duke sakrifikuar edhe jetën, sepse nuk durojnë dot mjerimin që përjetojnë në vendin e tyre.

Ëndrrat që nuk u realizuan kurrë
Alberti fliste shumë mirë gjuhën angleze, të cilën e kishte studiuar vetë me libra dhe disa herë kishte biseduar me vëllaun e tij Ilirianin se: një ditë do të ktheheshin në Shqipëri për të investuar në ndonjë aktivitet privat ato pak para që i fitonin me lodhje dhe djersë të ndershme. Gjithashtu një ndër qëllimet kryesore të tija ishte që të fillonte dhe të kryente studimet e larta. Arsimin gjithmonë e kishte pasur për zemër, por për arsye ekonomike nuk kishte mundur të shkonte më larg se arsimi i mesëm.
Ai ëndërronte që një ditë të bënte familjen e tij dhe të ishte një baba i devotshëm. Jo shumë kohë para se të ndodhte aksidenti, ku humbi dhe jetën në moshën 30 vjeçare, ishte fejuar.
Të gjitha ëndrrat e tij mbeten të pa realizuara, sepse humbi jetën në lulen e rinisë, humbi jetën për shpresën, u sakrifikua për mirëqenien, ra dëshmorë për punën. Alberti, duhet kujtuar, sepse ai simbolizon realitetin e emigracionit shqiptar, dhimbjen e shumë familjeve shqiptare, të cilat kanë humbur njerëzit më të dashur në kulmin e rinisë. Simbolizon tranzicionin shqiptar, i cili me sa duket nuk ka ndërmend të mbaroj.

Alberti simboli i emigracionit shqiptar
Alberti, ishte njeri i mire që kishte marrëdhënie të mira me miqtë dhe shokët e punës, ishte shembull për tu ndjekur nga të gjithë emigrantet. Ai si çdo kush tjetër kishte ëndrra dhe projekte për të ardhmen: ëndërronte që një ditë të kthehej në Shqipëri, të krijonte familje, të kishte fëmijë…me pak fjalë të ishte i lumtur duke bërë një jetë normale. Fatkeqësisht ëndrrat u shuan pikërisht në një ditë me shi duke rindërtuar muzeun e "Detit" në qytetin e Xhenovës. Nga ai moment ky muze është simbol jo vetëm i punëtorëve shqiptare por i jetës njerëzore, ku themelet e tij janë të gjakosura me gjakun e një djaloshi shqiptarë që u sakrifikua për një jetë me të mirë.

Ngjarje tragjike që nuk po gjen drejtësinë e merituar
Vetëm pak ditë më parë, më kontaktojë vëllai i Albertit dhe më tha: “Alban akoma nuk është bërë asgjë për drejtësinë e Albertit. Janë një grup i fortë mafiozësh dhe unë jam i vetëm. Po më humbin shpresa, se drejtësia e Albertit do të shkojë në vend. Nuk di ç’të bëj. Prandaj, po ju them ju që të shkruani diçka për vëllaun tim, i cili tashmë është i harruar si nga institucionet italiane ashtu edhe autoritetet e shtetit shqiptar”. Ngjarja tragjike ku humbi jetën emigranti shqiptar, Alberti, duhet të zbardhët dhe të vihen para ligjit fajtorët dhe përgjegjësit e saj. Kemi të bëjmë me një rast tragjik, ku emigranti i ri humbi jetën në punë. Prandaj, ato që janë fajtor duhet të ndëshkohesh sipas ligjeve në fuqi. Autoritetet e shtetit shqiptar duhet ta ndihmojnë familjen e të ndjerit që humbi jetën në mënyrë tragjike dhe të parakohshme. Është absurde që shteti shqiptar nuk ka bërë asgjë si në planin institucional ashtu edhe për t’i ofruar familjes asistencë juridike. Kjo është situatë e rëndë që pret një zgjidhje të shpejt dhe të drejtë.

Sunday, October 30, 2011

Demokracia, pushtet i popullit


Alban Daci

Një sondazh i bërë në 2005 nga Gallup International mbi 50. 000 persona në 60 vende të botës, ka zbuluar se 63% e qytetarëve mendojnë se liderët politikë janë të pandershëm, 60% mendojnë se ato kanë në dorë shumë pushtet, 52% mendojnë se liderët politikë sillen në mënyrë jo etike dhe rreth 39% mendojnë se ato nuk kanë vizione dhe nuk janë konkurrues në aktivitetin e tyre si përfaqësues të qytetarëve.
Demokracia përfaqësuese, ose forma me të cilën qeveriset në pjesën më të madhe të Botës, po shfaqet gjithnjë e më shumë me limitet e saja. Mbështetësit e kësaj formë jo të drejtpërdrejtë të demokracisë, nënvizojnë se problemi është i përkohshëm, i shkaktuar nga disa rryma politike që u krijuan pas rënies së Marksizmit në vitin 1989.
Ndoshta, edhe kjo mund të jetë një ndër arsyet. Megjithatë, arsyeja kryesore ndoshta qëndron në ndryshimet e mëdha që kanë pësuar kushtet ekonomike e sociale gjatë gjysmë të shekullit që lamë mbrapa. Edhe në demokracinë e drejtpërdrejt qytetarët votojnë herë pas herë për të zgjedhur parlamentarët dhe Presidentin, të cilët pastaj i lënë t’i përfaqësojnë deri në zhvillimin e zgjedhjeve të radhës. Ekzaktësisht si tek demokracia përfaqësuese.
Duhet theksuar se në Shqipëri, Presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt me votën e qytetarit. Pra, ai nuk zgjidhet nga populli. Gjithashtu, me ligjin elektoral që ka sot Shqipëria, ku nuk garojnë kandidatët, por subjektet politike. Mund të themi pa frikë se Presidentin nuk e zgjedh Parlamenti, si institucioni më i lartë përfaqësues, por partitë politike. Pra, edhe këtë të drejtë themelore nuk e kanë në dorë qytetarët, por elitat politike, të cilat ndoshta jo vetëm nuk përfaqësojnë interesin qytetar, por mund të shfaqen edhe kundër tij.
Në demokracinë e drejtpërdrejtë ashtu si në demokracinë përfaqësuese qytetarët votojnë për të pasur përfaqësuesit e tyre. Por, në demokracinë e drejtpërdrejt, një grup zgjedhësish, nëse e shikojnë të arsyeshme një ligj të aprovuar nga Parlamenti ose që mund të pengohet për aprovim po nga Parlamenti e vendosin përmes referendumit popullor para gjykimit të qytetarëve.
Duhet të bëjmë dallimin mes referendumit dhe plebishitit. Plebishitet janë instrumente që përdoren nga diktatorët (Hitler, Pinochet…) dhe nga njerëz që janë të dashuruar pas pushtetit të fortë (Napoleoni, de Gaulle) të cilët e përdorin plebishitin për të legjitimuar pikërisht pushtetin. Referendumi i vitit 1978 në Kili, pas protestës së OKB ndaj regjimit të Pinochet. Në atë kohë klika, ushtarake në qeverisje gjoja pyeti popullin në se e mbështet këtë lloj qeverisjeje dhe rezultati doli 94-95% pro saj. Një plebishit kushtetues, që preku kushtetutën e vitit 1925, u organizua po aty, në vitin 1980 dhe përsëri me një votë pro prej 68.5% iu zgjat mandati Pinochet-it deri në vitin 1989. Tentativë për të forcuar një formë absolute të pushtetit në Shqipëri ishte edhe referendumi i vitit 1994 për ndryshimin e Kushtetutës, por që u hodh poshtë pasivisht nga qytetarët.
Referendumet dhe iniciativat popullore (ose qytetare) janë të shkruara dhe të iniciuara pikërisht nga qytetarët pas pasur nevojë për mbështetjen e qeverisë ose të politikanëve. Është një instrument që qëndron fort dhe i palëkundur në dorën e qytetarëve për të kontrolluar aktivitetin e qeveritarëve në veçanti dhe të vetë sistemit politik në përgjithësi.
Kampion në lidhje me referendumet është Zvicera, e cila që nga kushtetuta e 1848 deri në vitin 2006 ka organizuar 540 referendume federale dhe në nivel kantonal ka një shifër prej 10 referendume të organizuara për çdo vit. Duhet të theksuar, se jo vetëm Zvicera që me të drejtë mund të konsiderohet piedestali i referendumit, por të gjitha demokracitë perëndimorë, duke përfshirë në dekadat e fundit edhe vendet e Amerikës Latine, e kanë përdorur referendumin si një instrument popullor, për të zgjidhur çështje të rëndësishme në nivel lokal e kombëtar.
Edhe pse në këto vende referendumi po bëhet gjithnjë e më shumë një instrument çelës për demokracinë e drejtpërdrejt. Në Shqipëri, referendumi jo vetëm që nuk praktikohet, por është edhe i panjohur. Kjo na bën të mësojmë, se demokracia e drejtpërdrejt në Shqipëri nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston.
Koncepti bazë i demokracisë është: Të gjithë njerëzit, duhet të kenë pjesë të barabartë për të vendosur se si duhet të qeveriset vendi. Disa janë të pasur, disa të tjerë janë të varfër, disa janë të zgjuar, disa të tjetër me pak, disa e duan Zotin, disa të tjerë mund të duan një njeri të veçantë po sa Zoti. Nuk kanë rëndësi diferencat mes tyre, që të gjithë gëzojnë të drejta.
Po ta ballafaqojmë këtë koncept teorik me realitetet e vendeve demokratike të botës, ku të gjithë, përveç disa qindrave, nuk kanë funksione demokratike. Sistemi i demokracisë përfaqësuese është një sistem i lindur në shekullin e XIX dhe ishte i përshtatur për shoqërinë e saj kohe.
Në atë kohë shoqëria ishte e ndarë në mënyrë të qartë mes të pasurve dhe të fuqishme dhe një mase të madhe të varfërish që e kalonin kohën e tyre në fshatra e fabrika, ku fitonin sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Kishin pak mundësi të dinin se çfarë ndodhte në Botë. Edukimi ishte i rezervuar vetëm për të pasurit dhe gazetat ishin shumë të kushtueshme dhe kishin qarkullim të limituar për të informuar opinionin publik.
Sot britanikët janë sipas termave real 5 herë më të pasur se sa një shekull me parë. Amerikanët janë 6 herë më të pasur. Italianët 13 herë më të pasur. Kjo rritje reale e pasurisë bën të mundur që qytetarët të keni më shumë para për të kursyer. Kështu, shumë njerëz kanë më shumë mundësi të investojnë në aksione, të kenë një shtëpi, një makinë e kështu me radhë. Persona, që kanë pasuri të mëdha ndjehen më të pavarur, të cilët janë të prirur të kenë edhe ide fikse për politikat e tyre personale.
Edhe për sa i përket edukimit, gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Në shumë vende të Botës studimi i detyruar ka arritur deri në moshën 16 vjeç. Në Francë ka 60 herë më shumë studentë në shkollat e mesme se sa një shekull më parë. Në linja të përgjithshme numri i studentëve është rritur 50 herë më shumë se sa një shekull më parë. Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 33 herë më shumë studentë nëpër shkollat e mesme se sa një shekull më parë.
Një ndër ndryshimet më të jashtëzakonshme kanë ndodhur falë zhvillimit të teknologjisë digjitale. Me kompjuterin, internetin, celularin, aparatet fotografike dhe kamerat digjitale, pjesa me e madhe e popullsisë mund të njoh e të dijë sekondë pas sekondi atë që ndodh në Botë. Të gjithë këtë informacion jo vetëm mund ta kenë të disponueshëm në formë pasive, por edhe mund të jenë vetë krijues të tij, mund ta ndajnë si dhe ta komentojnë me një masë sa më të gjerë personash.
Këto tre faktor, pasuria, edukimi, informacioni bëjnë të mundur që qytetarët të japin një gjykim të arsyeshëm për çdo argument të caktuar. Nuk ka më asnjë lloj diference mes cilësi të një vlerësimi të bërë nga qytetarët dhe të një vlerësimi të bërë nga përfaqësuesit e tyre për një çështje të caktuar. Përkundrazi, nëse mendojmë në një botë reale, qytetarët zgjedhin më mirë se sa përfaqësuesit, sepse vendimet e tyre nuk mbështeten mbi korrupsionin, forcën e lobeve, në dëshirën për të bërë karrierë politike, në faktin se mund t’i përkasin një kaste të privilegjuar, që jo rrallë herë kanë shumë influencë për ato pak përfaqësues të zgjedhur.
Një faktor tjetër ka ndryshuar qartësisht gjatë epokës tonë. Për më shumë se një shekull, pjesa më e madhe e demokracive kanë pasur përplasje mes një partie marksiste dhe një liberale. Diferenca ideologjike ishte e dukshme: nga socializmi tek individualizmi, nga ekonomia e tregut tek ajo e përqendruara.
Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e të indologjisë komuniste, edhe partitë kanë ndryshuar emër e kanë modifikuar, le të themi, programet e tyre. Ideologjitë janë bërë më pak radikale, dhe diferencat janë më pak të qarta. Zbehja e ideologjisë ka pasur dy pasoja:
- Partitë po bëhen organizata gjithmonë e më të fuqishme;
- Personat kalojnë më shpesh sa në një parti tek një tjetër;
Partitë me kalimin e kohës, jo vetëm që nuk e mbështesin formën e demokraci së drejtpërdrejt, por e luftojnë atë, sepse ajo u kufizon pushtetin. Shembull tipik i kësaj sjellje është Shqipëria gjatë 20 viteve tranzicion. Nuk kemi qoftë edhe një rast të vetëm, ku një parti politike të ketë marrë qoftë edhe një iniciativë të vetme referendumi për një çështje të rëndësishme që prek interesat e qytetarëve. Ky është një argument më shumë për të vërtetuar, se partitë shqiptare dhe sistemi politik shqiptar nuk është demokratik.
Demokracia e drejtpërdrejt i bën zgjedhësit të jenë më efikas. U jep qytetarëve më shumë përgjegjësi komunitare dhe i ndihmon të sillen edhe në mënyrë më të përgjegjshme. Demokracia e drejtpërdrejt i bën më të mirë qytetarët, duke i shndërruar në të njëjtën kohë edhe në zgjedhës më të mirë.
Një ndër referendumet e para është ai konfederal i zhvilluar në vitin 1866, që u kërkonte qytetarëve nëse hebrenjtë duhet të kishin të drejta të barabarta për rezidencë. Qytetarët i përgjigjen pozitivisht kësaj pyetje. Ka shumë analistë, që mendojmë se demokracia për gjatë shekullit të kaluar është zhvilluar në një gjendje të bllokuar. Ka ardhur momenti që i gjithë procesit të riformohet duke përmbushur principin bazë të demokracisë: Demokracia është qeveria e popullit.

Thursday, October 27, 2011

Demokracia e munguar te partitë



Fjalim i mbajtur nga dot. mag Alban Daci gjatë prezantimit të platformës së Partisë Socialiste nga z. Arben Malaj.

Sot, sistemi politik shqiptar ndodhet në një krizë identiteti dhe funksionimi. Gjithmonë e më shumë po thellohet distanca mes politikës dhe qytetarit, ku ky i fundit jo vetëm ndjehet i braktisur, por edhe i marr peng nga njerëz që politikën e bëjnë për interesa të ngushta personale dhe jo për të mirën e përgjithshme.
Kush beson se kështu mund të demokratizohemi, do të thotë, se nuk ka kuptuar aspak se si funksion një shoqëri demokratike, ku protagonistët e saj nuk janë të përjetshëm, sepse vetë shoqëria është gjithmonë në ndryshim të vazhdueshëm dhe ka nevojë për ide të reja që i përshtaten kohës.
Në fillim të viteve ’90 shqiptarët kërkuan që Shqipërinë ta bëjnë demokratike dhe si Europa. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vjet tranzicion, ne duhet të bërtasim fort njëzëri Shqipërinë e duam demokratike dhe në Europë, sepse ajo nuk është e tillë.
Demokracia nuk ofrohet vetëm nga një pakicë dhe vetëm nga një formë mendimi. Alternativat e mendimit dhe pluraliteti i personave vetëm e shëndoshin më shumë demokracinë duke e bërë funksionale dhe të pranueshme nga të gjithë.
Nuk mund të ketë demokraci të njëanshme dhe për disa ose pak persona. Demokracia është e të gjithëve dhe duhet të ndërtohet me kontributin e çdo kujt duke formuar atë që quhet kontenitori qytetar i demokracisë.
Nuk mund të ketë demokraci pa respektimin e principit të meritokracisë. Sot, për shkak të politikës, meritokracia është një term i huaj.
Sot, për të bërë karrierë mjafton të kesh një mik, të kesh para, por jo vlera njerëzore, vizione për të ardhmen dhe dëshirën për të mbrojtur të mirën e përbashkët.
Shumë të rinjtë të talentuar sillen rrugëve nëpër Tiranë, ose edhe me keq largohen fare nga vendi, vetëm për faktin se nuk janë bërë pjesë e pazareve të rëndomta politike.
Ka ardhur momenti të bërtasim të gjithë njëzëri. Stop injorancës politike dhe po talenteve dhe njerëzve me vizione!
Të talentuarit kanë nevojë për Shqipërinë, por edhe Shqipëria ka nevojë për ta që të behet demokratike dhe Europiane.
Realiteti, shqiptar ka ndryshuar nga momenti, kur qytetarët dëgjuan për herë të parë parullën "rroftë demokracia", që pa e ditur dhe pa e studiuar asnjëherë më parë e morën të gatshme si diçka themelore që përfaqësonte lirinë e të vepruarit, të menduarit dhe të organizimit të jetës vetjake në raport me komunitetin ku jeton.
Format e komunikimit të shpejtë dhe modernë, si interneti e ka ndërgjegjësuar brezin e ri për t’i kuptuar, diskutuar dhe kritikuar shumë fenomene që ndodhin në shoqëri që kanë të bëjnë me jetën e secilit nga ne.
Kohët e fundit janë krijuar shumë site dhe mail-lista individuale apo kolektive, ku diskutojnë se si mund të qeveriset drejt prosperitetit një vend dhe si mund të drejtohet me ndershmëri dhe me efikasitet shoqëria për të qenë e denjë dhe kompetitive.
Një lëvizje e tillë për demokratizimin e Shqipërinë, do ta quaj unë, është kjo për të cilën ne jemi mbledhur këtë.
Është forca e kësaj lëvizje të udhëhequr nga z. Arben Malaj, që na rrit besim, se Shqipëria meriton dhe do të bëhet demokratike.
Forca e kësaj lëvizje është guximi ynë për të ndërtuar të ardhmen që meritojmë.
Vlera e kësaj lëvizje, është demokracia, forma më e lartë e mirëqeverisjes në botë.
Prandaj, duke marr guxim edhe nga prania jonë sot këtu, duhet të zgjohemi nga gjumi dhe të marrin fatin në duart tona.
Vetëm kështu do të jemi në gjendje të plotësojnë aspiratat tona demokratike dhe të plotësojnë obligimet që kemi kundrejt qytetarëve duke i përfaqësuar sa më drejt dhe mirë siç e kërkon edhe vetë demokracia.
Ka vite që flitet për reformim në institucionet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes politike, por në të vërtetë nuk ka ndodhur asgjë.
Gjithçka ka mbetur si më parë dhe e pa ndryshueshme, sepse ky reformizëm është përfaqësuar dhe ndërmarrë nga ato që risinë dhe reformën nuk e duan.
Si mund të ndodh reformimi, kur ai kontrollohet, drejtohet ose mund të orientohet nga lart për poshtë.
Si mund të presësh reformim të orientuar për nga risia, kur protagonistët janë me ide të vjetra dhe vizione të pa reforumuara.
Ne të rinjtë do të jemi zot të vetës dhe të vendit, vetëm kur të përfaqësojnë aksionet dhe idetë tona.
Të rinjtë do të jenë të vlefshëm jo vetëm për vetën e tyre, por për gjithë qytetarët dhe vendin, vetëm në momentin, kur të arrijnë të përfaqësojnë vetveten, kur të prezantohen vetë me formimin e tyre intelektual dhe jo të prezantuar vetëm për imazh nga të vjetrit nëpër mbrëmjet gala.
Vendi dhe shoqëria shqiptare ka nevojë për të renë, për ndryshimin, për prosperitetin, sepse këta janë elementët që garantojnë koherencën dhe të ardhmen e merituar, ndryshe nga ajo që kemi përjetuar deri tani.
Ne, përfaqësojmë rininë, jemi rritur duke studiuar demokracinë, kemi dashuri dhe përgjegjësi për vendin tonë.
Prandaj, duhet të jemi zot të aksioneve tona për të realizuar reformimin e duhur që ka për objekt realizimin e shoqërisë demokratike.

Sunday, October 23, 2011

Politikës shqiptare i mungonte edhe modeli “velina”


Alban Daci

Është bërë tashmë e modës, që politika shqiptare të imitojë dhe të përvetësojë nga modelet politike perëndimore anët negative. Pak ditë më parë, në një atmosferë totale të ngërçit politik në vend, diku në Durrës, na u prezantua nënkryetarja e re e Forumit Rinor Demokratik.
Ajo që vihej re, ishte fakti, se ajo u prezantua sikur të ishte një “mall stimulues” dhe jo ashtu siç duhet të ndodh në raste të tilla. Pra, të zgjidhej demokratikisht dhe pastaj të prezantohej si kandidati më mirë që mbart vlera intelektuale, sociale dhe që ka vizione për të bërë diçka konkrete në të mirë të shoqërisë dhe të vendit ku jeton. Një ditë më pas edhe në mediat e shkruara u komentua kështu ky event i radhës në politikë shqiptare: u prezantua si nënkryetare e FRD, “velina” e mirënjohur e ekranit shqiptar.
Për të gjithë ato, që nuk janë të informuar, “velina” është në Itali një fenomen që ka prekur shumë hapësira të jetës duke përfshirë edhe atë politike. “Velina”, në Itali është simbol i shfrytëzimit të imazhit të gruas vetëm për bukurinë që ka dhe seksualitetin që përfaqëson. Pra, simbolizon përdorimin e gruas, si objekt bukurie dhe jo për vlerat e rëndësishme që ka pasur që nga hapat e para të civilizimit njerëzor.
Gjithashtu, ajo që ra në sy, ishte fakti se “velina’, në fjalë thjeshtë u prezantua nga “shefat” dhe nuk u fol fare as për faktin, se nëse u mblodh ndonjë organ përfaqësues për ta zgjedhur, apo nëse u vendos të emërohej për ndonjë meritë të veçantë.
Intelektualët dhe qytetarët, të mërzitur nga ngërçi politik, flasin dhe diskutojnë, se si mund të dilet nga kjo situatë. Ndërsa, politika aktuale, mbledhë ca persona dhe në formë banale dhe jo demokratike, del në një konferencë duke na prezantuar një “velin”. Atëherë, nga ky akt lindin disa pyetje legjitime? A duhet të zgjidhen në mënyrë demokratike personat që duan të bëjnë politikë? E dyta, a nuk kishte persona të tjerë që me të vërtetë kanë dhënë kontribute të rëndësishme në shoqëri dhe kanë eksperienca shumë të mira profesionale? A duhet të përdoret gruaja si objekt seksual?
Sistemi aktual politik është jo demokratik, si në nivel forumesh rinore ashtu edhe në nivelin e zgjedhjeve të liderëve të "rritur”. Për të këtë mjaftojnë të citojmë dy raste më të freskëta: zgjedhjen e kryetarit të FRESH (më saktë do të ishte emërim i urdhëruar nga lart) dhe emërimi ose prezantimi i nënkryetares së FRD sikur të ishte një objekt seksual dhe asgjë me shumë. Ne duam ta bëjmë vendin tonë demokratik, kur vetë sistemi jonë politikë është autokratik dhe shumë herë edhe despotik, sepse nuk ka zgjedhje, por emërime.
Gruaja shqiptare në shoqërinë tonë dhe në formimin e shtetit ka një rol shumë të rëndësishëm. Gruaja shqiptare në të kaluarën ka qenë simboli i sakrificës, i dinjitetit, diturisë dhe dëshirës për të bërë progres në shoqëri. Prandaj, gruaja shqiptare nuk duhet të pranoj të përdoret politikisht nga meshkuj. Gratë shqiptare ashtu si edhe burrat shqiptarë, duhet të luftojnë përmes dinjitetit dhe diturisë për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian, drejt demokracisë së vërtetë perëndimore.
Gjithashtu, pa vënë në dyshim vlerat dhe aftësitë politike të kësaj “veline”, Shqipëria ka potenciale shumë të mira dhe të rëndësishme nga rinia, që jo vetëm meritojnë të jenë pjesë e politikës shqiptare, por energjitë e tyre dhe eksperiencat e tyre do të ishin të rëndësishme për realizimin e reformave dhe për integrimin e vendit në BE. Aty, ku nuk ka demokraci, nuk mund të ketë edhe vlera. Aty, ku ka emërime që kënaqin dëshirat e pak personave, ka vetëm devijim vlerash, abuzim me dinjitetin njerëzor.

Kriza e shtetit nacional dhe rendi botëror


Alban Daci

Shteti nacional po përballet me një krizë reale, sepse po mbaron “civilizimi” i punëtorëve dhe shteti keynesian. Shoqërimi i këtyre dy elementeve po prodhon fenomene perverse. Nga njëra anë ato prodhojnë hijen e tyre në luftërat e ndryshme që po zhvillohen nëpër botë dhe nga ana tjetër po ndihmojnë rilindjen e nacionalizmave (siç janë rasti i Francës, Gjermanisë, Ballkanit e në plot vende të tjera të botës) dhe të tribalizmave etnikë.
Ka gjithnjë e më shumë thirrje etnike, kur flitet për identitetet kulturor, e cila është e lidhur me një territor të caktuar e shpesh herë me karakter rajonal. Ky koncepti i “etnisë” duket të jetë çelësi i mirëkuptimit për proceset në vazhdim, atje ku “identiteti” nuk është vetëm një mirënjohje historike-kulturore, por edhe përkatësi e një “fati” të përbashkët ekonomik, që ka forcën për të kapërcyer kufijtë tradicional të shtetit nacional.
Përballë krizës së shtetit nacional, loja konsiston në formimin e një “nacionaliteti” të ri, që u referohet interesave ekonomike, të prodhimit, interesave financiare, interesave kulturore. Sot, shteti nacional nuk është më kontenitori ekskluziv i strukturave të prodhimit; nuk ka më funksionin e ndërmjetësuesit, siç e kishte më parë shteti fordist keynesian...ai shtet që duhet të ndërmjetësonte mes dy funksioneve të prodhimit, mes forcës së punës dhe kapitalit, dhe për këtë duhet të harxhonte shuma të mëdha me burime sociale, që të bënte të mundur ndërmjetësimin.
Pra, po flasim për një “nacionalitet të ri” të lidhur me “fatin” e përbashkët ekonomik. Prandaj, kemi të bëjmë me një rajonalizëm të ri dhe për këtë do të citojmë Revellin: “Hapet konkurrenca, jo më një konkurrencë mes kapitaleve, por një konkurrencë mes shteteve, për të luftuar për mbijetesë njëlloj si grupet e mëdha industriale”.
Kjo po ndodh edhe në nivele rajonale. Rajoni i Lyon-it, por ju ofron tashmë sipërmarrësve torinez kushtet e privilegjuara nga këndvështrimi fiskal, të infrastrukturës e kështu me radhë, që të shkojnë të lokalizohen në zonën e tyre. Nga kjo lëvizje e rajonit të Lyon-it shumë sipërmarrës piemontez po kalojnë të investojnë dhe të bëjnë biznes atje.
Situata ndërkombëtare jo vetëm për arsyet që thamë më sipër, është shumë më serioze se sa duket në pamje të parë. Sistemi ndërkombëtar po përballet me një krizë të jashtëzakonshme. Ai ndodhet përballë dilemës bipolare dhe multipolare. Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare jo vetëm për shkak të vështirësive që paraqet vetë studimi i sistemit, por edhe për faktin se përfaqësojnë interesa të ndryshme, nuk janë në gjendje të përgjigjen në mënyrë korrekte nëse sistemi aktual ndërkombëtar është bipolar apo multipolar.
Disa studiues jo amerikanë, dhe që janë kundër interesave të kësaj të fundit, që nga vitet ’70 kanë thënë se Shtetet e Bashkuara po pësojnë një rënie pikiatë. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, sipas kësaj rryme rënia e Shteteve të Bashkuara është bërë me e qartë. Sipas tyre, këtë fakt e konfirmuan edhe ngjarjet e 11 shtatori të 2001.
Gjithashtu, sipas këtyre studiuesve, mbarimi i Luftë së Ftohtë shënoi edhe mbarimin e bipolarizmit, sepse Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, në pah kanë dalë fuqi të reja të natyrës rajonale, të cilat po pësojnë rritje të madhe. Disa nga këto fuqi rajonale janë: Brazili, India, Kina, Turqia, Afrika e Jugut. Këto fuqi të reja, edhe pse janë rajonale, po përpiqen të fitojnë forcë dhe terren në ato vende ku forca e Shteteve të Bashkuara ka pësuar rënia, ose është vënë në dyshim. Pra, në një mënyrë apo, tjetër, këto fuqi nuk duan të jenë në këto momente kundërshtare në nivel global me Shtetet e Bashkuara, por thjeshtë të mbrojnë shtëpinë e tyre dhe të fqinjëve që i rrethojnë, duke luajtur rolin e kryetarit të shtëpisë në rajon.
Gjithashtu, ajo që mund të vihet re aktualisht në sistemin ndërkombëtar, është fakti se ka tendenca për autonomi nga rajone të ndryshme të botës. Çdo do të thotë kjo? Më parë çdo çështje rajonale, ose jo, në momentin final varej nga pozicion global i sistemit bipolar. Nëse më parë kishte probleme mes palëve në Lindje e Mesme, fati i tyre në fund do të varej nga politikat dhe pozicionet që do të mbanin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik. Pra, çdo lloj çështje rajonale, ose jo, më parë trajtohej dhe zgjidhej në mënyrë definitive vetëm në nivel global. Ndërsa, sot kemi tendenca autonomiste, ku fuqitë rajonale tentojnë t’i zgjidhin çështjet vetëm, pa pasur nevojë të referohen tek Shtetet e Bashkuara apo tek ish Bashkimi Sovjetik.
Aktualisht kemi një inversion mes dinamikave rajonale dhe globale. Në çdo kontekst rajonal, në fakt, është shkalla gjeografike e marrëdhënieve mes aktorëve që cakton kufijtë e shpërndarjes së fuqive të tyre: dhe vetëm një herë që dihet se çfarë dimensionesh posedojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, atëherë mund të përcaktohet, se cila do të jetë edhe zonë e influencës. Dobësimi i penetrimit të sistemit global mbi sistemet e ndryshme rajonale ka një efekt të dyfishtë paralel mbi marrëdhëniet e aktorëve. Nga njëra anë, pa paragjykuar shpërndarjen e fuqisë në nivel global, ajo bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme në nivel rajonal.
Në kontekstin e Luftës së Ftohtë, siguria e çdo aktori varej në instancën e fundit nga ballafaqimi mes burimeve dhe qëllimeve të pikërisht nënsistemeve globale të aleancave dhe atyre të nënsistemeve të armikut: siguria e Turqisë, Koresë së Jugut, Afrikës së Jugut dhe Izraelit, për shembull, vareshin në instancën e fundit nga qëndrimi dhe superioriteti i bllokut perëndimor në respekt me atë sovjetik. Në kontekstin ndërkombëtar aktual, liderët dhe qytetarët e vendeve të ndryshme i perceptojnë perspektivat e paqes, ose të luftës, si gjithmonë e më të pavarura me qëllimet e antagonistëve dhe partnerëve të lidhur në rajonin e tyre, e gjithmonë më pak të lidhur me burimet dhe qëllimet e tjerëve jashtë rajonit.
Mekanizmat e garancive të jashtme të së kaluarës – protektoratet, aleancat bilaterale dhe multilaterale, premtimet informate- humbin besueshmëri ose, të paktën, kanë vështirë të jenë të projektuara në mënyrë definitive për të ardhmen, me rezultat për të inkurajuar aktorët, ose për të garantuar sigurinë në mënyrë autonome, ose në konkurs me partnerët lokalë.
Po t’i rikthehemi edhe një herë çështjes nëse sistemi aktual ndërkombëtar është akoma bipolar, multipolar. Siç thash, kemi arsyetime/qëndrime të ndryshme, që ndryshojnë sipas interesave që përfaqësojnë.
Për shembull, Kissinger thotë, se:
“Në botën e pas Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara janë e vetmja superfuqi që ka mbetur me kapacitetin për të ndërhyrë në cilëndo pjesë të globit. Ai shkon më tej, duke thënë, se mungesa e një ideologjie sunduese, si dhe rreziku strategjik u jep liri kombeve të ndjekin politikën e jashtme, të bazuar gjithnjë e më shumë në interesin e tyre kombëtar imediat. Në një sistem ndërkombëtar të karakterizuar, ndoshta, nga pesë ose gjashtë fuqi të mëdha dhe nga një shumicë shtetesh të vegjël, rendi do të duhet të lind pak a shumë siç ka lindur në shekujt e kaluar, nga një pajtim dhe balancim i interesave kombëtar konkurrues.
Fareed Zakaria shkruan në librin e tij “Bota pas-amerikane”:
“Në planin politiko-ushtarak vazhdojmë të jetojmë në një botë me një superfuqi. Por, në çdo dimension tjetër- industrial, financiar, arsimor, kulturor- shpërndarja e fuqisë po zhvendoset duke iu larguar dominimit amerikan. Kjo nuk do të thotë se tani më po futemi në një epokë anti-amerikane. Por do të thotë që po shkojmë drejt një bote post-amerikane, drejt një bote të përcaktuar dhe të drejtuar nga shumë vende e shumë popuj”.
Ndërsa Dominique Moisi në pjesën ‘Bota në vitin 2025’ të librit “Gjeopolitika e emocioneve’, ja si shkruan: “Parashikimi i Pol Kenedit (Paul Kennedy) mbi rënien e perandorisë amerikane, kur ai e publikoi atë në vitin 1987, ishte i parakohshëm. Ai u bë realitet në vitin 2025. Si rezultat, një Amerikë e dobësuar nuk ka më as forcën ushtarake dhe as mjetet diplomatike për të qenë kombi i domosdoshëm, siç ka qenë që nga viti 1941”. Kjo e fundit edhe pse mbetet thjeshtë një parashikim duke analizuar faktet historike, i mbetet po historisë për të na dëshmuar të vërtetën dhe atë që do të ndodh në të ardhmen e afërt dhe të largët.