Alban Daci
Është bërë tashmë e modës, që politika shqiptare të imitojë dhe të përvetësojë nga modelet politike perëndimore anët negative. Pak ditë më parë, në një atmosferë totale të ngërçit politik në vend, diku në Durrës, na u prezantua nënkryetarja e re e Forumit Rinor Demokratik.
Ajo që vihej re, ishte fakti, se ajo u prezantua sikur të ishte një “mall stimulues” dhe jo ashtu siç duhet të ndodh në raste të tilla. Pra, të zgjidhej demokratikisht dhe pastaj të prezantohej si kandidati më mirë që mbart vlera intelektuale, sociale dhe që ka vizione për të bërë diçka konkrete në të mirë të shoqërisë dhe të vendit ku jeton. Një ditë më pas edhe në mediat e shkruara u komentua kështu ky event i radhës në politikë shqiptare: u prezantua si nënkryetare e FRD, “velina” e mirënjohur e ekranit shqiptar.
Për të gjithë ato, që nuk janë të informuar, “velina” është në Itali një fenomen që ka prekur shumë hapësira të jetës duke përfshirë edhe atë politike. “Velina”, në Itali është simbol i shfrytëzimit të imazhit të gruas vetëm për bukurinë që ka dhe seksualitetin që përfaqëson. Pra, simbolizon përdorimin e gruas, si objekt bukurie dhe jo për vlerat e rëndësishme që ka pasur që nga hapat e para të civilizimit njerëzor.
Gjithashtu, ajo që ra në sy, ishte fakti se “velina’, në fjalë thjeshtë u prezantua nga “shefat” dhe nuk u fol fare as për faktin, se nëse u mblodh ndonjë organ përfaqësues për ta zgjedhur, apo nëse u vendos të emërohej për ndonjë meritë të veçantë.
Intelektualët dhe qytetarët, të mërzitur nga ngërçi politik, flasin dhe diskutojnë, se si mund të dilet nga kjo situatë. Ndërsa, politika aktuale, mbledhë ca persona dhe në formë banale dhe jo demokratike, del në një konferencë duke na prezantuar një “velin”. Atëherë, nga ky akt lindin disa pyetje legjitime? A duhet të zgjidhen në mënyrë demokratike personat që duan të bëjnë politikë? E dyta, a nuk kishte persona të tjerë që me të vërtetë kanë dhënë kontribute të rëndësishme në shoqëri dhe kanë eksperienca shumë të mira profesionale? A duhet të përdoret gruaja si objekt seksual?
Sistemi aktual politik është jo demokratik, si në nivel forumesh rinore ashtu edhe në nivelin e zgjedhjeve të liderëve të "rritur”. Për të këtë mjaftojnë të citojmë dy raste më të freskëta: zgjedhjen e kryetarit të FRESH (më saktë do të ishte emërim i urdhëruar nga lart) dhe emërimi ose prezantimi i nënkryetares së FRD sikur të ishte një objekt seksual dhe asgjë me shumë. Ne duam ta bëjmë vendin tonë demokratik, kur vetë sistemi jonë politikë është autokratik dhe shumë herë edhe despotik, sepse nuk ka zgjedhje, por emërime.
Gruaja shqiptare në shoqërinë tonë dhe në formimin e shtetit ka një rol shumë të rëndësishëm. Gruaja shqiptare në të kaluarën ka qenë simboli i sakrificës, i dinjitetit, diturisë dhe dëshirës për të bërë progres në shoqëri. Prandaj, gruaja shqiptare nuk duhet të pranoj të përdoret politikisht nga meshkuj. Gratë shqiptare ashtu si edhe burrat shqiptarë, duhet të luftojnë përmes dinjitetit dhe diturisë për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian, drejt demokracisë së vërtetë perëndimore.
Gjithashtu, pa vënë në dyshim vlerat dhe aftësitë politike të kësaj “veline”, Shqipëria ka potenciale shumë të mira dhe të rëndësishme nga rinia, që jo vetëm meritojnë të jenë pjesë e politikës shqiptare, por energjitë e tyre dhe eksperiencat e tyre do të ishin të rëndësishme për realizimin e reformave dhe për integrimin e vendit në BE. Aty, ku nuk ka demokraci, nuk mund të ketë edhe vlera. Aty, ku ka emërime që kënaqin dëshirat e pak personave, ka vetëm devijim vlerash, abuzim me dinjitetin njerëzor.