Monday, October 3, 2011

Politika aktuale dhe alternativa e re


Nga Alban DACI

Aktualisht politika shqiptare, edhe pse në versionin e mbylljes në strofkën e saj, është përfshirë në një mekanizëm të pandalshëm tsunami. Tsunami në jetën e përditshme njihet si një tmerr, sepse gllabëron dhe shkatërron gjithçka që gjenë përpara. Ndërsa, në politikë tsunami ka vetëm kuptim pozitiv, sepse ndryshimi i herëpashershëm sjellë vetëm shëndoshje të demokracisë. Liberalizmi, si princip bazë të tij ka ndryshimin dhe lëvizjen e vazhdueshme.

Pra, një vend që pretendon të jetë demokratik, do të fillojë të shqetësohet, nëse gjerat shkojnë në rrjedhën konstante, pa ndryshuar asnjëherë as formë e as vizione. Megjithatë, duke pasur parasysh karakterin tranzicional të politikës shqiptare – as peshk e as mish- duhet të bëjmë kujdes me lëvizjet e bëra në formë vizionesh dhe tsunamesh.

Pak ditë më parë, ashtu siç pritej nga shumica e intelektualëve dhe qytetarëve, presidenti Topi deklaroi se do të kthehej në jetën aktive politike me një forcë të re të djathtë. Duke analizuar ngjarjet e pas 21 janarit, të cilat, padyshim mbeten një njollë e zezë dhe një turp për politikën shqiptare, ishte e kuptueshme se z. Topi nuk mund të rikthehej përsëri pranë ish partisë së tij. Deklarata e z. Topi ka dy anë të medaljes. Njëra, e cila nuk është pozitive, tregon faktin se partitë e “vjetra” shqiptare mbeten të vjetra në vizione dhe ideologji.

Fakti se z. Topi nuk mund/dëshiron të kthehet tek ish partia e tij, do të thotë se tek kjo parti ka mungesë të theksuar demokracie. Largimi i z. Topi vazhdon të forcojë edhe më tej idealin se në politikën shqiptare çdo alternativë ndryshe nga aktualja, edhe kur është pozitive nuk është e mirëpritur. Nga ana tjetër, largimi i z. Topi nga PD-ja dhe kthimi i tij me një forcë të re të djathtë, do të thotë se demokracia shqiptare po tenton të dal nga qorrsokaku që është, për t’u bërë më e gjerë, me më shumë vizione. Pra, me pak fjalë, dëshiron të thyej tabunë e tradicionales për t’u bërë bashkëkohore. Sistemi politik shqiptar ka nevojë për forca të reja politike, të cilat duhet të ndërtohet mbi baza absolutisht të reja dhe të shkëputen nga e kaluara.

Nuk ka më kuptim që fraksionet e një partie, për shkak të interesave të ndahen/largohen dhe të krijojnë parti të tjera të reja vetëm për interesa të ngushta, por pa sjellë asgjë të re në sistemin e tërë politik shqiptar. Për shembull, jemi mësuar që nga PD-ja e vjetër, të largohen grupe të vogla për shkak të interesave të ngushta dhe të krijojnë një parti të reja: siç ishte rasti i Partisë Demokratike të Re. Kjo parti, për veç faktit se ishin një grup të pakënaqurish nuk kishte asgjë të re. Këtë e tregoj fakti, se në momentit që interesat e humbura nga ky grup u rigjetën përsëri tek “PD-ja”, u rikthyen aty, pa bërë as autokritikë e as pa ngritur zërin për arsyen që ishin larguar.

I njëjti fenomen ka ndodhur edhe brenda të majtës, ku persona të ndryshëm brenda sistemit të vjetër, për shkak të pakënaqësive dhe interesave të humbura, janë larguar nga PS-ja, për të formuar më vonë parti të tjera si Socialistët e Vërtetë, Socialistët e ’91 e kështu me radhë, por pa sjellë asgjë të re në sistemin e përgjithshëm politik shqiptar.

Pra, në këto njëzet vite tranzicion politika shqiptare ka njohur vetëm tërmete të shkallëve të vogla, të cilët, të komanduar nga lart dhe të ngushtë në vizione nuk kanë sjellë asnjë ndryshim gjithëpërfshirës dhe të rëndësishëm për politikën shqiptare.

U bë kohë, tashmë, që z. Arben Malaj, është i pari dhe ndoshta ndër vetmit, i cili, edhe pse ka më shumë se 20 vjet në politikën shqiptare në rolin e protagonistit, ka kërkuar dhe ka ndërmarr fushatën për të demokratizuar sistemin partiak shqiptar. Është hera e parë, që një person me shumë peshë në politikën shqiptare dhe në mjedisin social shqiptar nuk kërkon një parti të re për ca interesa më shumë dhe për më shumë pushtet, por kërkon që sistemi aktual, edhe vetë partisa ku militon, të jetë më demokratik se sa ka qenë në këto 20 tranzicion.

Para ca ditësh në një të përditshme shqiptare, lexova me keqardhje kërkesën e një grupi të rinjsh, përfaqësues të FRESH, të cilët u kishin dërguar letër zyrtare përfaqësive më të rëndësishme diplomatike të akredituara në vend për t’u kërkuar ndihmë, sepse ndjeheshin të “kërcënuar”. Në të gjitha vendet demokratike perëndimore forumet rinore politike jo vetëm që nuk “shtypen”, por mbështeten shumë, sepse ato janë akademi të mirëfillta që do të prodhojnë liderët e së ardhmes.

Është sa keqardhje aq edhe e padurueshme, kur lexon faktin se të rinjtë e një ndër forumeve rinore më të rëndësishme politike në vend, kërkojnë mbështetjen e ndërkombëtarëve për ekzistencën e tyre. Letra e tyre nxirrte ca konkluzione jo pak të rëndësishme në lidhje me sistemin partiak shqiptar. Së pari, faktin se të rinjtë gjithnjë e më shumë po sensibilizohen me demokracinë dhe po e kërkojnë atë me çdo kusht. Së dyti, tregon faktin se për të rinjtë shqiptarë politika mbetet një mollë e ndaluar. Së treti faktin, se edhe për çështje fare të vogla e kemi humbur besimin tek vetja dhe kërkojnë ndihmë nga jashtë. Pra, sa herë që demokracia jonë sëmuret, ajo nuk mund të shërohet vetë, por kërkojnë ndërhyrje nga faktorët e jashtëm.

Megjithatë, letra e të rinjve të FRESH, dëshmon edhe njëherë faktin se të rinjtë shqiptarë e duan demokracinë dhe për ta bërë atë janë të gatshëm të ndërmarrin beteja politike. Lëvizja e FRESH është në sinkron të plotë me lëvizjen e ndërmarr nga z. Arben Malaj, i cili kërkon dhe insiston për një reformim të përgjithshëm të sistemit aktual shqiptar. Pra, ajo që kërkon z. Malaj është një tsnunam pozitiv politik e demokratik që pasi të rrëzojë mendësinë e vjetër, kërkon të ndërtojë vizione të reja, pa të cilat Shqipëria nuk mund të ecë para.

z. Malaj, në një ndër pikat kryesore të lëvizjes së tij, kërkon të heq principin e bojkotit nga politika shqiptare. Një kancer shkatërrues i politikës shqiptare në njëzet vjet tranzicion ka qenë pikërisht aplikimi i principit të bojkotit. Partitë europiane jo vetëm që nuk e aplikojnë më, por me statut e kanë ndaluar zbatimin e tij. Ne, sapo morën notën negative për t’u integruar në Europë, dhe një ndër standardet që nuk kishim plotësuar ishte fusha politike, ngërçi politik. Është e papranueshme që Shqipëria, pas njëzet vitesh tranzicion, të jetë pengë e politikës, duke mos ecur përpara në zhvillim dhe reforma.

Shqipëria është pjesë si gjeografike, ashtu edhe kulturore dhe historike e Europës. Ne nuk mund të qëndrojmë indiferent kundrejt Familjes së Madhe europiane, sepse atëherë do të ishim të përjashtuarit e kohërave. Së dyti, ashtu siç ka thënë Romano Prodi, Bashkimi Europian është përgjigjja më pozitive e globalizimit. Shqipëria, rajoni i Ballkanit dhe vetë Europa janë përfshirë totalisht në procesin e globalizimit.

Bashkimi Europian, ka vërtetuar më mirë se çdo gjë tjetër thënien, se “Bashkimi bën fuqi”. Për shembull nëse Greqia nuk do të ishte në BE, tani do të kishte falimentuar. Aktualisht, sistemi ndërkombëtar ka hyrë në një ndërvarësisë të thellë politike dhe ekonomike, saqë shtetet nuk mund t’i zgjidhin më të vetëm problemet. Këto dhe shumë arsye të tjera dëshmojnë se sa shumë rëndësi kombëtare ka për ne anëtarësimi në BE.

Lëvizja e z. Malaj, jo vetëm që është një alternativë e re, serioze dhe e domosdoshme, por është më e besueshmja, e cila do të na çonte drejt integrimit të vendit në BE, si dhe drejt reformimit të demokracisë shqiptare.

Aktualisht, lëvizja e z. Malaj është mes politikës aktuale, e cila me mendësitë e saja të vjetra po na mban në vend numëro duke na mohuar edhe integrimin europian dhe mes alternativës së re, e cila është zgjidhja më e mirë që ne të bëhemi europian dhe të ecim përpara në procesin e reformave dhe në demokratizimin e vendit.