Saturday, November 19, 2011

Euro, në interesin tonë? Çfarë sjell adoptimi i saj në tregun shqiptar?

Euro, në interesin tonë? Çfarë sjell adoptimi i saj në tregun shqiptar?


Flet për Hermesnews, politologu Alban Daci, Bashkimi Europian ka nevojë për vende që aderojnë brenda tij dhe ja pse


TIRANE - Monedha euro më parë dukej ishte një pengesë e madhe për t'u kapërcyer për vendet që aspironin për t'u bërë anëtarë të Bashkimit Europian; Kohët e fundit, Presidenti i komisionit europian, portugezi Josè Manuel Barroso tha se monedha euro duhet të shtrihet në sa më shumë vende Europiane; duke patur parasysh dhe kohën kur u bënë këto deklarata flas për krizën që ka prekur zonën euro, ju si mendoni pse e tha këtë ?


Alban Daci: Presidenti aktual i Bashkimi Europian, Herman van Rompuy, e ka komentuar si më poshtë krizën ekonomike që po kalon BE: “Jemi përballë një krize për mbijetesën tonë. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të mundur mbijetesën e zonës Euro. Në, fakt, nëse Euro nuk do të mbijetoj, as edhe vetë Bashkimi Europian nuk do të mbijetojë”. Mjafton të analizojmë përshkrimin e Presidentit BE, për të kuptuar atë që ka thënë Hose Barroso. Sot, më shumë se kurrë Europa ka nevojë për më shumë zgjerim dhe bashkim për të sfiduar krizën botërore dhe për t’iu përgjigjur me efikasitet globalizimit. Euro-ja është vetë simboli i BE, dhe sa më shumë e fortë dhe sa më fushmë vende aderojnë në të, aq më i shëndosh është vetë Bashkimi.

Mbetemi tek ky argument. Monedha euro: Çfarë sjell për Shqipërinë integrimi në Bashkimin Europian ? Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet ?

Alban Daci: Bashkimi Europian për shqiptarët do të thotë më shumë siguri, më shumë prosperitet dhe stabilitet ekonomik. Rreth 95 % e shqiptarëve duan që Shqipëria të hyjë në Europë. Megjithatë, po të analizojmë edhe të kaluarën historike mund të themi se shqiptarët kanë qenë ndër të parët që kanë menduar se zgjidhja më e mirë për rajonin e Ballkanit e më gjerë është bashkimi i popujve. Pikërisht në vitin 1929, Beqir Valteri ideoi dhe publikoi idenë e konfederatës ballkanike me 10 shtete anëtare.

Megjithatë, duhet të nënvizojmë faktin se Shqipëri ka dhe interesa të mëdha ekonomike të cilat lidhen drejtpërdrejt me BE. Nga viti 2000 Shqipëria ka përfituar masat ekonomike tregtare autonome të BE. Tregtia e Shqipërisë me BE është zgjeruar me preferencat shtesë si pasojë e hyrjes në fuqi në muajin dhjetor të vitit 2006 të marrëveshjes së përkohshme. BE është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe në vitin 2009 shkëmbimet me BE kanë arritur 79,6% të shkëmbimeve totale të Shqipërisë.

Në vitin 2009 eksportimet e Shqipërisë drejt BE-së llogariteshin në 0,6 miliard euro dhe eksportimet e BE drejt Shqipërisë llogariteshin në 2,1 miliard euro. Si eksportet ashtu edhe importet në vitin 2009 janë zvogëluar për shkak të krizës ekonomike. Defiçiti tregtar i Shqipërisë me BE është -1,5 miliard euro. Prodhimet tekstile dhe të veshmbathjes përbëjnë pjesën më të madhe të eksporteve shqiptare drejt BE. Pra BE, mbetet partneri kryesor ekonomiko-tregtar i Shqipërisë.

Fakti që euro (monedha) është e fortë në një moment të tillë a mendoni se krijon probleme në prodhimin industrial të vendit ? Shqipëria është një vend me treg të brendshëm të vogël, qe hedh sytë me tepër nga tregu i jashtëm ?

Alban Daci: Forcimi i valutave rrezikon të shtretojë produktet e importit, të cilat në më të shumtën e rasteve blihen në Euro. Biznesi vendas e konsideron këtë situatë një kosto shtesë në punën e tyre. Sipas drejtorit të Konfindustrisë, Stefan Pinguli shitjet në tregun vendas kanë rënë me afro 20%. Ky fakt ka bërë që biznesi të ulët çmimet. Nga ana tjetër, kësaj situata i shtohet edhe forcimi i Euros, çka e detyron biznesin të blejë lëndën e parë me kosto më të shtrenjtë. “Situatë paradoksale”- shprehet Pinguli. Efekti tjetër negativ i forcimit të Euros është për ata kredimarrës që paguajnë kredinë në Euro, ndërsa të ardhurat i kanë në lekë. Ky shtrenjton këstin mujorë të kredisë.

Sipas jush deklaratat që thashë me sipër të Barrosos për zgjerimin e BE-së i drejtoheshin Rusisë dhe Turqisë? Kohët e fundit këto të dyja mbajnë qëndrime hezituese për integrim në BE

Alban Daci: Një ndër sfidat e BE, janë se ku vazhdojnë e ku mbarojnë kufijtë e saj. Disa mendojnë se Maroku duhet të integrohet, të tjerët thonë jo se nuk ka kulturë Europiane. Është për t’u theksuar se ka marrë përfundimisht përgjigje negative. Disa thonë se edhe Izraeli duhet të vend anëtarë për shkak të kulturës dhe besimit fetar. Disa të tjerë thonë jo. Mendohet se në vitin 2025 vend anëtar do të jetë edhe Ukraina. Në bazë të parashikimeve dhe analizave të nivelit ndërkombëtar, Rusia nuk ka hapësirë për të qenë pjesë integrale e Bashkimit, por pjesë e marrëveshjeve të tjera indirekte. Ndërsa, për sa i përket Turqisë: Aderimi i Turqisë në Bashkimin Europian do të jepte një provë të pamohueshme, se Europa nuk është një “Grup i Krishterë” i mbyllur. Ai do të konfirmonte natyrën e Bashkimit Europian si një shoqëri e hapur dhe tolerante, që tërheq forcë diversiteti dhe është e mbajtur bashkë nga vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, shtetit të së Drejtës dhe respektimit të Drejtave të Njeriut. Megjithatë, sot drejtuesit e lartë të shtetit turk, janë të shqetësuar nga fakti, se “sa më shumë Turqia i afrohet aderimit tek BE-ja, aq më shumë rritet rezistenca në Europë”.


* Dott. mag Alban Daci është politolog dhe ekspert i marëdhënieve ndërkombëtare: autor i librave Europa dhe shqiptarët dhe Europa në marrëdhëniet ndërkombëtare


Nga Doriana Metollari