Alban Daci
Po çmenden shqiptarët pas fenomenit TEG. Të gjithë o burra atje, sikur atje të ketë thesare të fshehura. Është absurde, që dyqani NEPTUN, i cili ndodhet edhe tek QTU ose në vendet e tjera, dhe gjasma paska oferta vetëm tek TEG. I torturojë njerëzit duke i mbajtur në radhw. Sipas kësaj teorie i bie që dy dyqane të Mecdonald, ku njëri që ndodhet në Rr. Kavajës hamburgun e ka 200L dhe tjetri që ndodhet në Kinostudio e ka 100L. Në gjithë Europën qendrat tregtare po dalin nga moda, kurse këtu sapo ka ardhur kjo mode. Sipas studimeve që janë bërë qendrat tregtare nuk sjellin asnjë zhvillim për zonën dhe qytetarët, sepse nuk prodhojnë gjë, por janë vetëm distributor. Ato frekuentohen vetëm nga qytetarë të varfër, të cilët me anë të kësaj mënyre mund të përjetojnë për pak kohë, le të themi, luks. Këto qendra të mëdha në Shqipëri po kthehen në vende, ku mund të kalohet koha e lirë dhe mund të pihet një kafe, se lekë për të ble nuk kanë.
Për qendrat tregtare, për dyqanet e shumta, kazinotë, ka shkruar sociologu amerikan George Ritzer dhe ka gjetur një shprehje origjinale duke i quajtur këto vende si “katedralet e konsumit”. Sipas tij këto janë forma që inkurajojnë e “shtrëngojnë” konsumatorin të konsumojë të mira dhe mallra. Sipas tij, konsumi bëhet si një lloj riti fetar me pelegrinazhet dhe ritet e tij. Ky konfirmim është më se i vërtetë. Mjaftojnë të shikojmë se brenda dy ditëve që kur është hapur qendra TEG, të gjithë shqiptarët janë turrur atje. Madje, shumë prej tyre kanë qëndruar në radhë qoftë edhe për të hyrë në një dyqan edhe pa pasur asnjë interes konkret për të blerë.
Qendrat tregtare kudo që janë kanë të njëjtën fizionomi dhe stil: shumë drita, ngjyra, instalime të ndryshme moderne, animime në pikat e shitjeve. Të gjitha këto kanë për qëllim që konsumatorit t’i krijojnë një botë që nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë. Disa nga qytetarët të cilët, kishin vizituar qendrën TEG përshtypja e parë që kishin ishte: ndërtesë e madhe, luksoze, shkallë lëvizëse etj, etj. Pra, shumë pak prej tyre flisnin për çmimet apo për faktin nëse kishin mundur apo jo të blinin gjë. Thuajse të gjithë ishin të hipnotizuar dhe vetëm kaq.
Në teori në këto qendra tregtare nuk mungon asgjë, që nga veshjet, ushqimoret, kinematë, kafiteritë...teorikisht një person mund të jetoj aty brenda përgjithmonë pa pasur nevojë për të dal jashtë. Sa shumë përhapen këto qendra të mëdha tregtare aq më shumë boshatisen sheshet, rrugët, qendrat e qyteteve. Qytetet shqiptare karakterizohen me efekte të larta sociale, ku njerëzit takohen, shkëmbejnë dhe flasin. Me hapjen e këtyre qendrave tregtare, qytetarët do të humbin sensin e asocimit lokal. Pse do të ndodh kjo? Sepse, tashmë për të pirë një kafe, nuk do të mjaftohemi vetëm me kafen e lagjes, por do e braktisim atë dhe do të shkojmë në një qendër tregtare, aty ku në shumicën e rasteve nuk njohim asnjë. Pra, jo vetëm që do të krijohet një formë e përbashkët konsumimi, por do të krijohet edhe një formë po e përbashkët asocimi. Dalëngadalë do të braktisen vendet tradicionale. Për këtë arsye lagjet do të fillojnë të humbasin identitetin e tyre, për shkak se do të fillojnë të mbyllen aktivitet e vogla tregtare. Pra, për ne shqiptarët, do të fillojnë të mbyllen ato pazaret tipike. Pra, ne nuk do të dalim për të bërë pazar me qëllim për tu njohur me njerëz, për të diskutuar, për të marrë ndonjë informacion, por do të dalim vetëm me qëllim për të blerë një mallra. Në këto qendra, njerëzit do të jenë si në një “Big Brother”, një jetë virtuale dhe false e diktuar sipas një modeli fiks, që ka për qëllim jo jetën sociale të komunitetit, por vetëm fitimin ekonomik.
Le të themi se këto qendra tregtare janë krijuar për të favorizuar izolimin e individit, në mënyrë që shkarkojë gjithë nervozizmin dhe jetën e tij të vështirë për të konsumuar sa më shumë. Shpesh herë kur sipërmarrësit duan të justifikojnë hapjen e një qendre të re tregtare thonë se: ajo do të sjellë zhvillim për zonën duke hapur vende të reja pune. Kështu edhe një gazetar i njohur shqiptar tha kur e intervistuan për inaugurimin e qendrës TEG: ky është një zhvillim i madh, është qendra me e madhe në rajon. Ndërsa një qytetar, kur e intervistuan tha: kjo është një gjë madhështore që e kam ëndërruar prej kohësh. Thuajse ajo do të kishte efekt të drejtpërdrejtë për jetën e tij personale dhe familjare. Në realitet mbrapa të vendeve të reja të punës, fshihen shumë falsitete të tjera...vetëm pak vende punë të paguara keq. Edhe këto pak vende të reja pune, janë me kontrata të përkohshme...të cilat janë të papërfillshme duke pasur parasysh vendet e tjera të punës që humben për shkak se mbyllen qendrat e vogla, ose dyqanet tradicionale. Në shumicën e rasteve, fillimisht qendrat tregtare mbajnë çmime shumë të ulëta, për të konkurruar dyqanet tradicionale, të cilët për shkak së nuk janë në gjendje t’i konkurrojnë i mbyllin ato. Pasi, të mbyllen dyqanet, atëherë qendra tragtare ka monopol dhe mund të bëj ç’të dojë me çmimet. E njëjta gjë po ndodh edhe tek TEG. Ditët e para doli nami, se atje ishin mallrat fare lirë, sa mund të konsideroheshin thuajse falas. Për këtë arsye pati flukse të mëdha qytetarësh. Prandaj, qytetarë ku po shkoni? Mos humbni lagjen tuaj tradicionale, mos humbi lidhjet sociale qe keni në lagjen tuaj, në rrugën tuaj. Mos e braktisni atë për të hyrë në një lloj “Big Brother”, ku ka vetëm një stil virtual dhe jo real të jetës. Mos u hipnotizoni nga dritat, nga luksi, nga madhështia, sepse ato nuk prodhojnë vende punë, nuk prodhojnë zhvillim për ju, por vetëm për një grup të vogël personash.