Dott. Alban Daci
Botuar me 25 mars 2008
Gazeta Ndryshe
Jam Sokoli, në verë mbush shtatë vjeç, dhe pak muaj e mbaroj klasën e parë, ku mezi pres të marre pushimet veror. Jetoj në një zonë me terren malorë në veri-lindje të Shqipërisë, jo shumë larg qytetit të Peshkopisë. Ëndrra imë është të mbaroj shkollën e lartë dhe të bëhem inxhinier që të ndërtoj rrugët e zonës time, ku brezat e tjerë pas meje të mos ecin me orë të tëra në këmbë nëpër shkrepa për të shkuar në shkollë , por me makina në rrugën e asfaltuar ashtu siç shkojnë fëmijët e botës së përparuar.Shtëpia ime ndodhet poshtë afër një lumi malor, afër shtëpisë time ndodhen dhe shtëpitë e shokëve të mi që unë luaj gjatë ditës, kurse rreth dhjetë minuta më larg, matanë përroit ndodhet mëhalla e vjetër, por nuk është më e banuar. Babi më ka thënë se banorët e këtyre shtëpive kanë ikur në Tiranë për një jetë më të mirë. Unë, me kureshtje e pyes është larg Tirana nga këtu? Ai më thotë po është shumë larg. Po sa larg e pyes me kureshtjen time këmbëngulëse? Ai më shikon në sy dhe fillon të më tregoj.Po ja si fillim duhet zgjohemi shumë herët dhe të bëjmë në këmbë apo me kalë tatëpjetën që të arrijmë deri tek Komuna, ku duhet të presim nëse kalon ndonjë makinë. Po përse duhet të zgjohemi herët? Më buzëqesh dhe më thotë: biri im po makina mund të ketë nga ora gjashtë deri në orën tetë që shkojnë për qytetet. Nëse nuk arrijmë në këtë orar, nuk gjejmë asnjë makinë dhe për pasojë kemi mbetur përsëri në fshat. Po pasi të hipim në makinë? Pasi të hipim në makinë udhëtojmë në rrugën e shkatërruar që ngjan me garat e Kndaharit, mes përplasjeve nëpër gropa dhe tronditjeve të padurueshme nëpër gurë drejt qytetit të Peshkopisë.Ngaqë u bë vonë dhe mua po më flihej e ndërpreva bisedën me babin dhe shkova të shtrihem në divanin tim modest. U mundova të flija, por gjumi nuk më zë, sepse po mendoj për ato që bisedova me babin. Prandaj, po flas me yjet dhe po u tregoj copëza nga jeta ime e përditshme. Në fillimin e vjeshtës që sapo lamë mbrapa mbusha gjashtë vjeç dhe babi më tha që do të më regjistronte në shkollë për të filluar klasën e parë. Unë, isha shumë i gëzuar, sepse do të mësoja të shkruaja dhe të lexoja. Mezi prisja ditën e parë të shkollës. Nga momenti që babi më tha se do të më regjistronte në klasë të parë edhe pse mezi e prisja këtë ditë, si fëmijë që jam e kisha harruar fare. Në një natë paksa të ftohtë vjeshte, ku jashtë po binte shumë shi, dhe ndonjëherë tek porta e madhe dëgjohej e lehura e Murrit, qenit të shtëpisë, si dhe bubullimat, ne të gjithë ishin ulur në tavolinë për të ngrënë. Mami na kishte gatuar groshë me pastërma. Kisha më thënë të drejtën një çik uri dhe mezi prisja që mami të na e servirte për të ngrënë. Zakonisht në tavolinë ulem afër babit, të njëjtën gjë bëra dhe në këtë darkë.Pasi mbaruam së ngrëni, babi dhe mami më thanë se duhet të shkoja të flija, sepse nesër më duhej të zgjohesha herët për të shkuar në shkollë. Me pak fjalë nesër ishte dita e parë e shkollës për mua. Isha shumë i gëzuar dhe i emocionuar në të njëjtën kohë.Me vrap të lazmuar shkova dhe hyra në shtrat që të flejë. Pa e kuptuar më kishte zënë gjumi. Në mëngjes vjen babi me dashuri për të më zgjuar. Më puth me lehtësi në faqe dhe më thotë birë vishu shpejt, haj ndonjë gjë dhe do të dalim, pasi nuk kemi shumë kohë. Mirë i thashë! Si fillim me padurim mora dhe pashë me kureshtje çantën që më kishin blerë mami dhe babi. Më pëlqeu shumë dhe për pak çaste kujtova se tashmë u rrita dhe u bëra i madh.Vesha rrobat dhe po haja bukë me qumësht që ma kishte lenë mami mbi tavolinë. Nuk kaloj as gjysh ore, përafërsisht rreth orës shtatë e gjysmë më thirri babi, duke më thënë hajde se u bë vonë dhe duhet të dalim. Mirë, unë gati jam i thash. Më mori përdore dhe dolën nga shtëpia. Tek dera e madhe më priste mami, më puthi në faqe dhe më tha të keqën mami suksese dhe na ndero duke mësuar shumë. Unë, i thashë po mami do të mësoj shumë ashtu siç keni bërë dhe ju. Morën rrugën që fillon mbi shtëpinë time. Është një tatëpjetë shumë e fortë dhe mezi po ecja. Po duke më ndihmuar babi më në fund arritëm tek kanali, i cili ishte plot me prurje ngaqë kishte një javë rresht që binte shi. Kanali e kaluam pa problemi, sepse babi herë pas here e rindërtonte urën e vogël prej druri, dhe për fatin tonë të mirë edhe këtë herë nuk e kishte prishur njeri. Zakonisht e prishin, sepse i marrin drurët dhe i përdorin për të ndezur sobën. Pasi kaluam kanalin vazhduam përsëri filluam rrugën. Unë, fillova të lodhesha dhe po i them babit bëjmë një pushim. Babi më tha, ti nuk duhet të lodhesh, sepse je burrë i madh dhe këtë rrugë duhet ta bësh çdo ditë për të shkuar në shkollë ashtu siç e kam bërë dhe unë, kur isha në moshën tënde. Kaluam dhe nja dy fshatra dhe më në fund pas një orë duke ecur në këmbë arritëm në qendër të zonën dhe babi më tregon shkollën. Me thënë të drejtën isha aq shumë i lodhur sa nuk e kisha mendjen tek ato që më thoshte babi. Hymë në shkollë, dhe më dukej sikur po hyja në një ndërtesë të madhe që nuk kisha hyrë asnjëherë më parë. Hyra brenda dhe po shikoja sa këtej-andej. Brenda në shkollë kishte shumë zhurma që e bënit fëmijët e tjerë që ashtu si unë që kishin ardhur me prindërit e tyre për të vazhduar shkollën. Më në fund babi e gjeti klasën time dhe shkuam së bashku brenda. Sapo hymë brenda na priti me dashuri ajo që do të ishte mësuesja ime e parë. Kur, mësuesja më pa mua më tha: o po na vjen dhe një djalë tjetër shumë i bukur. U afrua afër meje dhe më pyeti si të quajnë të keqen mësuesja? Unë i thashë, Sokol! O sa emër i bukur e gëzofsh. Unë jam mësuesja jote dhe së bashku më nxënësit e tjerë në këtë klasë do të mësojnë si të shkruajnë dhe të lexojmë gjuhën e bukur shqipe që të parët na e kanë lënë.Para se babi të ikte seç bisedoj më mësuesen dhe pasi mbaroj bisedën erdhi tek banka, ku unë isha ulur. Më puthi në faqe dhe me tha mos u shqetëso të keqën babi se gjithçka do të shkoj mirë dhe kam besim se ti do të mësosh shumë. Të uroj suksese! Pasi të mbarosh mësimin kthehu në shtëpi me fëmijët e tjerë. Unë nuk kam mundësi të vij të marrë, sepse duhet punoj në arë për të mbledhur të korrat.Ditët e tjera në shkollë shkoja me fëmijët e fshatit, duke udhëtuar në këmbë me orë të tëra, duke carë borën me trup dhe duke u lagur në shi.As një ditë nuk mungova, as edhe kur isha sëmurë, sepse isha dashuruar me diturinë, doja shumë të mësoja të shkruaja dhe të lexoja. Tashmë dhe ca muaj më kanë mbetur dhe mbaroj klasën e parë. Pres me pa durim pushimet e verës. Pushime le ti quajmë, sepse unë nuk mund të bëj pushime ashtu siç bëjmë fëmijët e botës së përparuar. Në vërë duhet të nxjerrë të kullosin bagëtitë si dhe duhet të ndihmoj familjen në punët e bujqësisë.Kjo është jeta që bëj unë si dhe të gjithë bashkëmoshatarët e mi që jetojnë në zonën time dhe në zona të ngjashme me timen. Ndoshta nuk e besonin, por është realitet edhe pse jo i imagjinueshëm dhe i krahasueshëm me atë që bëni juve.