Alban Daci
I nderuar profesor z. Ymeri, së pari të falënderoj që ke bërë një shkrim të
tillë ku me zell e me shumë pasion e ke shkruar për mua dhe Frontin Demokristian
Shqiptar. Dua të japin versionin e vërtetë të fakteve dhe jo iluzione apo
pasioni të orientuar nga të tjerët. I nderuar profesor z. Ymeri ju thoni në
shkrimin tuaj se: “Në këtë material, zotëria Alban Daci, prezantohej si Këshilltar
politik i këtij formacioni të ri politik. Kjo na qenka një parti e re që qenka
themeluar në Diasporë”. I nderuar profesor, unë nuk prezantohem si Këshilltar
Politik i FDSH, pasi unë jam i emëruar si i tillë nga Kryesia. Ndërsa, Fronti
Demokratik Shqiptar që ju përpiqeni ta ironizoni me një ironi të trash aspak
gjentile, nuk është Parti, por është lëvizje politike dhe kështu është përmendur
edhe në shkrimin tim që ju e keni quajtur “Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje”.
Gjithashtu, i nderuar profesor meqë siç duket keni shumë kohë të lirë, mund
të hysh në faqen zyrtare të facebook të Frontit Demokristian Shqiptar, ose në web-site
www.fdsh.info e do e kuptoni duke e
verifikuar vetë se Fronti Demokristian Shqiptar (FDSH) është themeluar në
Diasporë. Jo vetëm kaq, por si asnjë lëvizje tjetër politike, ose parti
politike shqiptare do të shikoni se FDSH, ka mbi 50 degë, të cilat kanë një
shtrirje gjeografike nga Kanada, SHBA, vendet europiane dhe thuajse të gjitha
qytetet e Italisë. Madje, në Amerikë deri tani ka dy degë.
I nderuar profesor është e vërtetë që unë kam qenë figurë e rëndësishme e
Aleancës Kuq e Zi dhe ndjehem krenar për çdo aksion apo mendim që kam dhënë
gjatë kohës që kam qenë i angazhuar tek AK. Gjithashtu, meqë siç duket, ju nuk
qenkeni në dijeni, unë, menjëherë pas zgjedhjeve kam dhënë dorëheqjen time nga çdo
forum drejtues i AK duke dhënë edhe shpjegimet e mia.
Ju falënderoj se ju më keni ndjekur në shkrimet, intervistat e mia dhe në
opinionet që kam shprehur. Unë, për çdo gjë që kam thënë, kam bërë e kam
shkruar jam plotësisht i vetëdijshëm, ndjehem krenar dhe nuk heq asnjë presje,
pasi ato janë mendimet e mia origjinale që vijnë nga formimi im familjarë, një
ndër familjet më patriotike e fisnike në Shqipëri si dhe nga formim intelektual
perëndimor.
Në shkrimin tim kam bërë edhe pyetje
në se është Fronti Demokristian lëvizje politike lokaliste? Dhe përgjigja ime është:
“Fronti Demokristian Shqiptar duke qenë se në
gjirinë e tij ka shumë shqiptarë nga Diaspora e duke poseduar një shtrirje që
cek tre kontinente, është lëvizje politike kombëtare. Megjithatë, ajo është në
koherencë me proceset e globalizimit. Kështu, misioni i Frontit Demokristian
Shqiptar është të mbrojë e të nxjerrë në pah vlera lokale, të cilat për shkak
të anarkisë sociale që po kalon vendi, shumë herë janë harruar e ndonjëherë
janë edhe asimiluar”.
Ju keni shkruar si
më poshtë: “Hajde ta kuptosh përgjigjen e zotërisë Alban Daci se
Fronti Demokristian Shqiptar na qenka një lëvizje politike kombëtare, por na
qenka edhe në koherencë me proceset e globalizimit! Çdo të thotë kjo përgjigje?
Kjo, me sa duket, do të thotë: do të hyjmë në Evropë të globalizuar dhe s’është
nevoja të mendohet për problemin më jetik që qëndron para kombit shqiptar:
ribashkimin e trojeve etnike që Evropa na i copëtoi padrejtësisht në vitin
1913. Kur ishte në strukturat drejtuese të “Aleancës Kuq e Zi”, zotëria Alban
Daci kishte përqafuar platformën kryesore të saj: ribashkimin e trojeve tona
etnike, duke nisur nga ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Tani ky zotëri e
paska kthyer pllakën dhe, si këshilltar politik i Frontit Demokristian
Shqiptar, fillon të propagandojë globalizimin, ashtu siç deklaron Tirana
zyrtare, sipas së cilës ribashkimi i trojeve tona etnike do të bëhet në
Bruksel! Idenë e globalizimit, zotëria Alban Daci e përforcon edhe më shumë në
përgjigjen e pyetjes së mëposhtme”.
Prof. Ymeri tani në lidhje me këtë përgjigje që
keni dhënë ju ka dy mundësi. Së pari, ndoshta ju shtireni e ju pëlqejnë të bëni
sikur nuk kuptoni. Së dyti, ndoshta u ka mbetur aq mbrapa ora sa nuk jeni më të
vërtetë në gjendje ta kuptoni. Megjithatë, profesor, mos u mërzisni, sepse ne
jemi njerëz dhe nuk mund t’i kuptojmë dhe ti dimë të gjitha. Të gjitha i dinë
vetëm Perëndia. Profesor në këtë botë jo çdo gjë, çdo proces apo fakt jetësor
lidhet me dilemën nëse shqiptarët duhet
të bashkohen së pari e pastaj të hynë në Europë, ose të hynë në Europë e kështu
janë të bashkuar sipas modelit të BE. I nderuar profesor ajo që më çudit është
tek disa shqiptarë që kanë vite që jetojnë jashtë, ku ndoshta bëni pjesë edhe
ju, është fakti se nga larg japin leksione, shkruajnë mendime të bukura, por
kurrë nuk preferojnë të trazojnë jetën e tyre për çështje të përbashkëta kombëtare.
Meqë, ju me keni ndjekur e më keni lexuar ju i dini qëndrimet e mia në lidhje
me këto tema. Jo vetëm kaq, por ndryshe nga ju e tjerë të ngjashëm si ju, unë në
shi, në baltë, në këmbë, nën presione, kam punuar ditë e natë në terren si në
Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Diasporë për çështjen e bashkimit kombëtar dhe për
çështjen kombëtare. Ajo që duhet të nënvizohet është se gjithçka që kam bërë e kam për bërë shqiptarizëm, për idealizëm dhe
pa marrë as edhe një kacidhe. Përkundrazi, kam harxhuar lekët nga xhepi im. Lekët
të ndershme të nxjerra nga ushtrimi i profesionit dhe lekë të familjes time të
ndershme intelektuale. Kështu, do ju
lutesha të mos jepni më leksione për çështje kombëtar, sepse persona si ju as
nuk i kam marrë për bazë e as nuk kam për ti marrë për bazë. Unë, vlerësoj e
bashkëbisedoj me të gjithë ata që për çështjen kombëtare kanë dal në “mejdan”
duke luftuar edhe me politikën antikombëtare shqiptare që ju ndoshta ndonjëherë
e kur ju leverdis e lavdëroni, duke luftuar edhe kundër forcave të policisë që
përdoren nga politika antikombëtare shqiptare.
Në shkrim kam drejtuar pyetjen: “Kush është pozicioni i Frontit Demokristian Shqiptar
në raport me BE?”. Kësaj pyetje i jam përgjigjur si më poshtë: “Fronti
Demokristian Shqiptar ka të njëjtin qëndrim me atë që ka familja e madhe
demokristiane europiane. Për Frontin Demokristian Shqiptar edhe nëse nuk do të
ekzistonte BE, do ta kishim krijuar një të ngjashëm për të jetuar të bashkuar,
në harmoni dhe për të menaxhuar më mirë e së bashku kontinentin tonë, ku ne si
popull shqiptar kemi lënë ndoshta gjurmët e para si banorë të tij”.
Ju në lidhje më këtë
keni bërë këtë koment: “Vajmedet ç’na gjeti! Edhe sikur të mos ekzistonte
Bashkimi Evropian, këtë do ta shpikte Fronti Demokristian Shqiptar, për hir të
të ashtuquajturit globalizim! Domethënë, t’i largohemi sa më shumë ëndrrës
shekullore të kombit shqiptar për ribashkimin e trojeve tona etnike dhe të
shkrihemi në globalizimin evropian! Nga nëntë pyetjet dhe nga nëntë përgjigjet
e zotërisë Alban Daci, nuk preket absolutisht Çështja Kombëtare Shqiptare:
ëndrra e ribashkimit të trojeve tona etnike.
Nga intervista e lartpërmendur, paçka se deklarohet
që Fronti Demokristian Shqiptar qenka themeluar në Diasporë, nuk thuhet asgjë
se kush janë nismëtarët e krijimit të tij, cila është qendra e këtij Fronti.
Sepse vetvetiu lind pyetja: si qenka e mundur që këtyre nismëtarëve të themelimit
të Frontit në fjalë në Diasporë, nuk iu interesuaka absolutisht Çështja e
Ribashkimit Kombëtar, ndërkohë që Diaspora Shqiptare, sidomos Diaspora
Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe vazhdon të mbetet
vatër e pashuar e Çështjes së Ribashkimit Kombëtar? Sipas këndvështrimit tim,
Federata “Vatra” është ylli i karvanit i Diasporës Shqiptare, e cila
ribashkimin e trojeve tona etnike e ka në themelin e veprimtarisë së vet
patriotike. Prandaj e quaj të arsyeshme t’u përmend lexuesve të nderuar një
fakt konkret për qëndrimin e Federatës “Vatra” ndaj Çështjes Kombëtare
Shqiptare: “Në intervistën për gazetën “Shqiptare” në mars 2012, kryetari i
Vatrës Dr. Gjon Buçaj, interpreton mendimin: “Fjala nacionalizëm tek ne nuk ka
kuptimin e ekstremizmit, por është sinonimi i shqiptarizmit të kulluar…Zgjidhja
e çështjes çame dhe bashkimi kombëtar, janë dy fillime ende të paarritura!..”
(Citohet sipas: Neki Babamusta. “Çamëria, problem ndërkombëtar që kërkon
zgjidhje”. Gazeta “Dielli”. 14 shkurt 2014).
I nderuar profesor, unë jam pjesë e Lëvizjes Federaliste Europiane, e cila
kërkonte e kërkon të krijoi një federatë europiane që do të kishte për qëllim të
krijonte Shtetet e Bashkuara të Europës. Ajo që kam shkruar unë se edhe nëse
nuk do të ekzistonte Bashkimi Europian, do të kishim krijuar një të ngjashëm.
Kjo është një ndër filozofit e Lëvizjes Fedarliste Europiane dhe nuk e kam
shpikur unë. Përkundrazi, ju në mënyrë të pa skrupull keni shpikë diçka që nuk
e kam thënë unë. Nuk ka asnjë frazë apo fjalë të shkruar nga unë në atë tekst
ku shprehem se Fronti Demokristian Shqiptar do të shpikte BE dhe këtë për hir të
globalizimit. Kësaj i thonë me të vërtetë profesor vajmedet për atë që ju thoni
e shkruani. BE nuk është globalizim, por është një përgjigje europiane e
globalizimit. Ndërsa për sa i përket faktit se nuk prek çështjen kombëtar, këtë
nuk e kam bërë, sepse ashtu e kam munduar dhe nuk u jap juve llogari si dhe nga
fakti se tashmë mendimet e mia janë të publikuara në lidhje me atë çështje.
Gjithashtu, ju hidhni aludime për faktin se Fronti Demokristian Shqiptar është
themeluar në Diasporë. Së pari, ju si profesor përderisa jeni pjesë e rëndësishme
e Diasporës, duhet të jeni të lumtur që Diaspora shqiptarë më në fund po tenton
të riorganizohet. Madje, në emër të Kryesisë të FDSH dhe të forumeve ju bëj
thirrje të bëheni pjesë e jona dhe të jepni kontributin tuaj. Gjithashtu, meqë
ju keni dyshime, e shpresoj të jenë tuaja, që dalin nga logjika juaj racionale,
ju ftoj përsëri të hyni në faqen zyrtare Frontit Demokristian Shqiptar në
facebook dhe do të gjeni emrat dhe mbiemrat e personave që përfaqësojnë FDSH
nga Kanadaja, SHBA, Europa dhe Shqipëria. Për shembull z. Eduart Ndocaj,
Kryetari i FDSH rrjedh nga një familje që
ka 400 vjet shpi plaku e bajraku në njëjtën kohë. Stërgjyshi i tij, Gjok Deda
ka vdekur në Tuz duke luftuar heroikisht kundër serbo-malazezëve. Nga këto djem
e vajza është i formuar Fronti Demokristian Shqiptar.
Gjithashtu, ju në shkrim tuaj shkruani: “Nuk
ishte e rastësishme fjala e Kryeministrit shqiptar, zotit Sali Berisha, i cili,
pikërisht në kohën e duhur, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Shkup
dhe në Vlorë, si edhe në disa qytete të tjera, deklaroi botërisht për
domosdoshmërinë e ribashkimit kombëtar, brenda kufijve natyralë të Shqipërisë
Etnike”.
I nderuar profesor, sinqerisht nuk arrij ta kuptoj
se çlidhje ka këtu Berisha dhe çfarë keni dashur të thoni. Nëse keni gjera me
Berishën apo kundër Berishës, adresojani atij dhe PD. Kur flasim për Frontin
Demokristian Shqiptar flasim për diçka tjetër dhe të re për nga forma dhe
sostanca.
Gjithashtu ju në shkrimin tuaj shkruani se:”Prandaj
më vjen keq që Çështjen Kombëtare Shqiptare, Fronti Demokristian Shqiptar nuk e
paska absolutisht në rendin e ditës. Ky fakt të bën të dyshosh se Fronti në
fjalë duhet të jetë krijuar me frymëzime jashtëshqiptare. Këtë dyshim ma
përforcon më shumë fakti që Vatikani, sipas faqes së internetit të zotit Feliks
Taho të datës 29 tetor 2013, ka deklaruar botërisht: “Kosova, djepi i Kishës
Ortodokse Serbe”.
Profesor në Shkenca nuk ka hamendësim, por çdo gjë që
shkruajmë duhet të kalojë nga ajo që quhet
harku i koshiencës, nga metoda empirike në atë inteligjibile. Prandaj, juve nuk
u tolerohet të nxirrni përfundime pa pasur asnjë fakt apo provë. Fronti
Demokristian Shqiptar deri më sot nuk ka dhënë opinione në lidhje me Bashkimin
Kombëtar, jo se është kundra, por thjeshtë akoma nuk ka ardhur momenti për
shkak se është në fazë organizimi.
Gjithashtu, për fat të mirë profesor, unë i përkas
një brezi tjetër e nuk shikoj ëndrra natën se armiku është majtas, është
djathtas, lart apo poshtë. Mos u bëni me fobi i nderuar profesor duke para kudo
vetëm armiq. Po e ritheksoj edhe njëherë se nuk ka një rresht apo deklaratë ku
FDSH shprehet kundër Bashkimit Kombëtar. Gjithashtu, ju shpifni në mënyrë të
turpshme, jo profesionale e nuk e di se për çfarë arsyesh dukë thënë se: “Tani
nuk është çudi që nesër, pasnesër, me frymëzime dhe nxitje jashtëshqiptare, të
na dalin në skenë formacione të tjera politike, me emrin Fronti Ortodoks Shqiptar,
Fronti Mysliman Shqiptar, Fronti Protestant Shqiptar, Fronti Bektiashian
Shqiptar e ku ta di unë se çfarë frontesh të tjera. S’ka asgjë për t’u çuditur.
Nuk është hera e parë që armiqtë tanë tradicionalë, interesat kombëtare
shqiptare janë munduar t’i varrosin me përçarjen ndërshqiptare edhe me duart e
vetë shqiptarëve antishqiptarë”. Kjo i nderuar profesor është e turpshme për
ju. Po ku e shikoni se FDSH qenke me frymëzim antishqiptar? FDSH ka brenda saj
djem e vajza që vijnë nga familjet më patriotike shqiptare që kanë dhënë edhe
jetën për Kombin. Gjithashtu, mos u përpiqni në mënyrë të dështuar të bëni
aludime mes Fronti Demokristian Shqiptar dhe shumë fronteve të tjera që ju
qenkeni në dijeni se ekzistojnë. Ndërsa, me faktin se ju e mbyllni shkrimin me
vargjet e një kënge labe, unë do e mbyll me një thënie dibrane: Mos fol me gojë
para mendjes i nderuar profesor.