Monday, March 11, 2013

Të shpëtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë


Alban Daci

Arsimi vlera më e lartë e Kombit tonë, duket se jo vetëm është shuar, por sikur po fiket si një qiri i tretur nga korrupsioni e keqmenaxhimi.  Çdo gjë në këtë vend po merr fund dhe kjo gjëmë e madh që po ndodh nuk përbën asnjë shqetësim për pushtetin dhe politikën e vjetër. Me paturpësinë më të madhe del Ministri i Jashtëm dhe thotë të mos shqetësohemi për mbylljen e ambasadës tonë në SHBA, sepse  për shkak të krizës kështu po ndodh me çdo vend të Botës. Nuk e di kush qenka ato vende që po mbyllen dhe izolohen, sepse i ka kapur kriza? Për veç Shqipërisë, asnjë vend tjetër.
E shkruaj këtë, për të treguar se ndjenja e fajësisë, e dështimit dhe skandalit po shuhet tek pushteti aktual. Këtu në Shqipëri po ndodhin gjëra të tmerrshme, që nuk ndodhin në asnjë vend tjetër dhe politika vjetër thotë se nuk ka gjë, është krejt normale. 
Sot arsimi shqiptar është në gjendje të mjerueshme. Te mjerueshme? Është pak biles. Në Shqipërinë që Berisha mendon se e ka mbushur me HITECH dhe me internet, kemi shkolla që nuk kanë çati, nuk kanë banjë, nuk kanë sistem ngrohje, nuk kanë uji për të pi. Kjo është gjendja kastrofale e arsimit shqiptar.
Sot të shkosh në shkollë duket një mision i pamundur. Arsimi shqiptar nga një vlerë dhe një e drejtë për të gjithë, po kthehen në një ëndërr dhe privilegj.
Qeveria më politikat saj të stimulimit të arsimit private, i cili lidhet me interesat e tyre të ngushta,  ka bërë që arsimi publik të falimentojë. Kështu siç është sot situata, mund të shkollohen vetëm të pasurit, kurse ata që janë të varfër janë të destinuar të mbesin analfabet.
Arsimi nga një vlerë dhe një garanci për brezat dhe vetë të ardhmen  e vendit është kthyer në një pazar, ku politikanët mbushin xhepat e tyre të pangopur. Arsimi shqiptar ka nevojë për një strategji kombëtare zhvillimi, ku figura e mësuesit të rifitojë identitetin që ka pasur gjithmonë, si njeri që me misionin e tij përçon dijen tek brezat e ri.
Figura mësuesit do të respektohet si më parë, nëse ai paguhet ashtu siç e meriton dhe nëse ai nuk keqpërdoret nga politika.  Arsimi shqiptar do të rikthehet ne nivelet e tij, vetëm nëse rrëzojmë  këtë Regjim dhe duke ardhur një elitë e re politikanësh, të cilët mendojnë dhe besojnë se pa arsimim dhe shkollim nuk ka të ardhme.  
Është antikombëtare dhe jo ligjore, që njerëz që janë në politikë të pasurohen duke vjedhur fonde për ndërtimin dhe rikonstruktimin e shkollave, duke bërë si pas qejfit tender për libra pa standard.  
Arsimi shqiptar është në kushte të tmerrshme dhe duket sikur jemi kthyer shekuj mbrapa, kur mësonin me llambë dhe shkruan me penë. Nuk mund ta tolerojmë më këtë gjë, sepse po shkatërrojmë njëherë e përgjithmonë të ardhmen e fëmijëve tanë e për rrjedhojë të vetë Shqipërisë. Të jesh analfabet në kohën e globalizimit, jo për fajin tënd, por për faji të politikës, është sikur të ecësh mbi një territor të minuar. Shqipëria është një vend që ka pushtetarë analfabet, por nuk mund të ketë qytetarë analfabet. Politikanët e vjetër me analfabetizmin e tyre origjinal, po duan t’i bëjnë edhe shqiptarët analfabet. Këtë nuk do e lejojmë kurrë. Arsimi për shqiptarët është një sentiment i lashtë dhe origjinal. Gjithmonë shqiptarët e kanë kërkuar dijen dhe kanë sakrifikuar për të.  

Friday, March 8, 2013

Problemet e partive shqiptare


Alban Daci 

Qe kur lindi njeriu, bashkë me të lindi e mira po ashtu edhe e keqja. Politika lindi si një mënyrë për të rregulluar dhe për të administruar jetën e përbashkët. Normalisht përderisa politika përbëhet nga njerëzit, do të thotë se ka edhe politika të mira, por edhe politika të liga. Nga ky arsyetim del se partitë dhe sistemet nuk janë perfektë për sa kohë janë njerëzit aktorët kryesor.  Në botë janë njohur sisteme negative të karakterizuar si jo demokratike dhe sisteme politike pozitive që janë drejtuar drejt demokracisë ose përsosmërisë demokratike. Mendoj se sistemi politik shqiptar, është në një fazë të ndërmjetme, i theksuar nga mungesa e identitetit dhe paqartësia e linjës ideologjike.  Problemet e sistemit politik shqiptar lidhen me partitë politike dhe këto të fundit me historikun e njerëzve që i kanë themeluar. 
Mendoj se ndër problemet e para është fakti se sistemi aktual politik nuk ka pësuar shkëputje nga sistemi i kaluar. Kjo për faktin se të njëjtët personazhe që i përkisnin sistemit të kaluarën u bënë pjesë edhe në sistemin e ri. Kjo solli që linja e mendimit mbeti po e njëjti. Pra, mënyra e të menduarit dhe e të bërit politikë nuk ndryshojë.
Problem i dytë dhe ndoshta më i madhi është servilizmi. Kjo për mendimin tim ka mbetur si një virus nga e kaluara. Megjithatë, një arsye tjetër është se shumë lider politikë të sistemit aktual politikë dolën rastësisht nga ngjarjet historike, por pa pasur cilësi të vërteta prej lideri. Pra, liderët e politikës aktuale duke pasur cilës normale ose më pak se normalja ndjehen të pasigurt nga çdo qenie tjetër që mund të jetë me racionale dhe më e prehtë. Faktor tjetër i servilizmi brenda partive ose kryesisht kundrejt kryetarëve vjen edhe nga fakti se njerëzit që i rrethojnë kanë mungesë të theksuar të cilëve individuale. Për këtë arsye nuk ndjehen të sigurt dhe zgjedhin mënyrë e të bërit urë për të mbijetuar.
Problemi i tretë është injoranca. Nëse ka ndonjë sektor apo aktivitet njerëzorë, ku injoranca është tepër e pranishme kjo është politika. Pra, tashmë është krijuar bindja se të bëhesh politikanë i zoti në Shqipëri nuk ka nevojë të kesh shumë kualifikime apo të jesh i dalluar në fushën profesionale. Kusht i vetëm është të luash lojën, të shtiresh si lojtar i mirë dhe ta pasosh gjithmonë topin tek kryetari ose tek interesat e tij.
Problem i katërt është trashëgimia politike. Pra, për fat të keq partitë politike shqiptare janë të orientuara drejt modelit despotik, pra ku babai i trashëgon të birin ose të bijës. Problemi dinastik sjellë një ndër pasojat më të rrezikshme atë të mungesës së rotacionin. Mungesa e rotacionin sjellë pasoja negative mbi demokracinë duke rritur keqqeverisjen dhe korrupsionin.
Problemi i pestë është se politika shqiptare po kalon nga faza tradicionale tribale në fazën e re dhe moderne, atë klanore. Kjo do të thotë se politikën nuk e bëjnë figurat që drejtojnë partitë politike, por klanet ose grupet e interesit. Shqipëria është vend i vogël, pak i zhvilluar dhe kjo sjellë se ka vetëm një grup ose një klan i cili dikton tek të gjitha partitë një strategji të vetme. Pra, në politikën shqiptare nuk kemi shumëllojshmëri interesash dhe larmi vendimesh. Kjo e varfëron politikën shqiptare dhe e bën të brishtë demokracinë.
Këto janë vetëm disa probleme thelbësore të politikës shqiptare që pengojnë kristalizimin e demokracisë. Këto probleme mund të ndryshojnë vetëm duke u ndryshuar rendi shoqëror. Për sa kohë do të kemi një rend shoqëror me problematikat e mësipërme, politika shqiptare do të vazhdojë të jetë klienteliste, jo funksionale, jo komunitare, negative (despotike) dhe jo pozitive (demokratike).

Sunday, March 3, 2013

A do të bëhet ky vend?


Alban Daci

Ka më shumë se një vit që zgjodha të hyj aktiv në politikë. E bera këtë gjë, sepse kështu ishte e vetmja mënyrë që të tentoja të mbroja identitetin tim, të familjes time dhe të qytetarëve të këtij vendi. Në dallim me shumë politikanë të “vjetër” zgjodha ta bëj politikën përmes ideve, diskutimeve dhe kontakteve direkte në terren me qytetarët. Kështu i dhashë mundësi vetës të njoh nga afër realitetin e vërtetë social shqiptar. Ndër takimet e para që pata si përfaqësues i Aleancës Kuq e Zi, ka qenë pikërisht në qytetin e Bulqizës. Në qendrën e qytetit për shkak të kohës, improvizova një takim me banorët e zonës, të cilët në atë kohë nuk kishin dëgjuar shumë për AK. U mblodhën menjëherë qindra njerëz, të cilët më rrethuan mua, sikur unë të isha shpëtimi i tyre. Para syve të mi, mu shfaqën fytyrat e lodhura e të vuajtura të banorëve të qytetit, që nuk ishin aspak të lumtura. Dukeshin sikur lumturinë nuk e kishin njohur asnjëherë, ose e kishin përjetuar shumë kohë më parë.  Ngrita kokën dhe pashë para meje njerëz të vuajtur. Ç’të shikoja? Njerëz që dëshpërimi i tyre ishte bërë aq i madh sa kishte dalë dhe transmetohej edhe në aspektin fizionomik. Thash me vetë çfarë t’u them këtyre për politikën. Këta nuk kanë bukë me ngrenë në shpi. Nga t’ia nisja? Dikush aty afër mua afrua dhe më tha mos ke 1000 lekë të vjetra, se nuk kam bukë në shpi. A thua se 1000 lekëshi im do i shpëtonte jetën. Po nesër, po pasnesër, po pas një muaj çdo të bënte ai? Ju thash, ju keni dy gjëra të çmuara, tokën nën këmbët e tua dhe zemrën tuaj bujare. Të parën ua ka marrë politikë dhe ju ka lënë në varfëri, të dytën e keni të plagosur nga jeta e vështira dhe për nga  pamundësia për të jetuar.
Takimi i radhës pas qytetit të Bulqizës ishte ai i Peshkopisë. Pas një udhëtimi skandaloz përmes një rruge plot gropa hyra në qytetin e Peshkopisë. Ç’të shikoje? Një qytet të braktisur, i cili ngjasonte më një qytet që  sapo kishte dalë nga lufta. Pash një realitet të zymtë social për shkak të papunësisë, varfërisë dhe braktisjes së vëmendjes së pushtetit ndaj qytetarëve. Aty ndoshta dëgjova ndër historitë më të dhimbshme që ja  kalonte edhe përshkrimit migjenian. Dikush më tregoi se kishte shkuar një qytetar në një dyqan dhe kishte kërkuar të blinte me 300 lekë të vjetra groshë. Nuk kishte më para. Pronari i dyqanit i kishte dhënë 1000 lekë të reja dhe i kishte thënë nuk i dua të mi japësh më. Në bulevardin kryesorë të qytetit silleshin lart e poshtë qytetarët sikur të ishin të burgosur dhe bulevardi të ngjante me një korridor ajrimi. Silleshin lart e poshtë se ishin të gjithë të papunë, por nuk kishin para të pinin as edhe për një kafe. Në orën gjashtë të mbrëmjes binte terri mbi qytet dhe ai sikur të ishte me komandë boshatisi i tëri.
Këto realitete më kanë shoqëruar kudo në të gjitha takimet e mia. Zhgënjimi ishte aq i madh tek njerëzit sa pyetja më e shpeshtë që më bënin ishte se: a do të bëhet ndonjëherë ky vend? Kështu siç janë gjërat zor se do të bëhet-thoshin ata. Problemi më i madh është se deri tani në mjedisin politik shqiptar qarkullojnë po të njëjtët maskarenjë, të cilët janë fajtorë për çdo gjë dhe duke ndërruar fytyrat duan akoma të vazhdojnë të bëjnë me qytetarë gjera sipas qejfi . Si mund të ndodh ndryshimi, kur tek partitë e reja vjen një person që ka pasur shtatë tesera dhe të tetën e bën vetëm për të përfituar?  Si mund të ndryshoi ky vend, kur një person që ka qenë ish shërbëtor i sigurimit, është shërbëtor i një X partie e kërkon përsëri të bëj karrierë tek një parti e re, sepse kjo e fundit mund të fitoi? Si mund të ndodh ndryshimi, kur dikush që ka qenë drejtues në kohën e Hoxhës, kërkon të bëhet anëtar i një partie të re, e cila kërkon të bëj ndryshimin? Si mund të ndodh ndryshimi i madh, kur edhe partitë e reja në listat e deputetëve do të fusin persona që thjeshtë kanë para, por nuk ua ndjen fare për vendin dhe për qytetarët? Si mund të ndodh ndryshimi i madh, kur tradhtari kërkon të shitet për patriot, sepse patriotizmi është në modë? Si mund të ndodh ndryshimi, kur intelektualët e vërtetë mbahen larg nga politika? Shqipëria është ndoshta i vetmi vend, ku intelektuali nuk ka asnjë vlerë dhe në disa raste shihet edhe si problem. Për sa kohë politika shihet thjeshtë si biznes dhe jo si mision për qytetarët, ky vend zor se do të ndryshojë. Për sa kohë politika trajtohet mjet përfitimi dhe jo mjet shërbimi, ky vend zor se do të ndryshojë. Për sa kohë, qindra, mijëra të rinj të shkolluar dhe energjetik keqpërdoren dhe nuk janë pjesë serioze e projekteve politike, ky vend zor se do të ndryshojë.