Saturday, July 28, 2012

Aleanca Kuq e Zi bën koalicion vetëm me shqiptarët

Alban Daci

Aleanca Kuq e Zi ka qenë vazhdimisht e qartë në mesazhet e saj politike, që ka dhënë për publikun e qytetarët. Megjithatë, disa gazetarë, të shtyrë nga interesa të caktuara politike, janë përpjekur të krijojnë një fasadë të rreme sipas interesave duke shpifur disa herë se AK mund të krijoi koalicion me PS dhe disa herë të tjera se AK mund të jetë në koalicion me PD. Sot, z. Kreshnik Spahiu deklaroi nga Korça se Aleanca Kuq e Zi, jo vetëm nuk do të bëj koalicion as me PS e as me PD, por nënvizoi se: “Deklarata e Edi Ramës është bërë në kushtet e drithërimave që kanë kapur socialistët dhe demokratët nga mbështetja popullore që po fiton çdo ditë Aleanca Kuq e Zi. Ne refuzojmë çdo lloj koalicioni të mundshëm dhe nuk pranojmë në gjirin tonë as PD dhe as PS”. Pse Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj koalicion as me PS e as me PD? Shqiptarët prej dekadash u ndanë në ngjyrat e flamurëve të partive politike, të kuq si huazim sllavo-rus deri në bardheblu si pasojë e ndikimit Helen. Shqiptarëve u kishte munguar një lëvizje e unifikuar qytetare që në thelbin e saj ka çështjen kombëtare, mbrojtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare, si dhe parimeve kushtetuese. Për të gjitha këto lindi krejt natyrshëm mes shqiptarëve, Aleanca Kuq e Zi, e cila mbështetet në simbolet tona kombëtare dhe është e vendosur për ta bërë realitet Bashkimin Kombëtar. 

Aleanca Kuq e Zi ka nënshkruar kontratën Kuq e Zi me të gjithë shqiptarët, duke u afruar atyre 10 prioritetet nën sloganit origjinal “Shqipëri Bëhet”. Ja disa nga prioritet kryesore: 

- Kufizim mandati. Aleanca Kuq e Zi mendon se për të vendosur standardet bazë të demokracisë, duhet të bëhet kufizimi i mandateve politik të kryetarëve të partive, presidentëve, kryeministrave, kryetarëve të bashkive e komunave, në jo më shumë se dy mandate pa të drejtë përsëritje. Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj koalicion me PD, e cila vetëm parti në kuptimin e vërtetë demokratik nuk mund të quhet. Ka më shumë se 22 vjet që nga themelimi i saj që ka vetëm një kryetar, i cili jo vetëm nuk e njeh kufizimin e mandatit, por nuk mbledh sipas statutit as forumet e kësaj partie. Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj koalicion me PD, ku janë vetëm një klan personash që kontrollojnë gjithçka brenda kësaj partie dhe gjithashtu edhe në qeverisje. Që në fillim të viteve ’90 kemi ministra po të njëjtët persona si: Ridvan Bode, Genc Pollo, Genc Ruli etj. Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj koalicion me PD, e cila si brenda partisë ashtu edhe jashtë saj është kundërshtare e ashpër e rotacionit politik. Gjithashtu, Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj koalicion as me PS, ku pozicionet politike janë me trashëgimi. Nëse babai nuk ka qenë anëtar i Byrosë Politike, anëtar i ish Komitetit Qendror të Partisë së Punëes, ose Sekretar i Parë i Partisë në rrethe, , ti nuk ke shansin më të vogël të bëhesh pjese drejtuese e kësaj partie. Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj koalicion me PS, ku kryetari i saj jo vetëm nuk e zbatoi, sipas statutit, kufizimin e mandatit, por e ndryshoi atë vetëm për të vazhduar karrierën e tij prej kryetari. Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj koalicion me PS e të Majtën, ku në të qarkullojnë prej më shumë se 22 vjet të njëjtët persona me testamentin e të vjetërve, baballarëve të tyre ish funksionarë të lartë të Partisë së Punës, kanë trashëguar postin drejtues në strukturat e kësaj partie. Aleanca Kuq e Zi është për ta bërë politikën art të mundshëm për çdo shqiptarë që ka arsimin, idealin, vullnetin dhe dëshirën për të punuar për një Shqipëri Kuq e Zi. Për Aleancën Kuq e Zi, pushteti është i përkohshëm dhe kauzat janë të përhershme. Pushteti nuk trashëgohet, por ai krijohet mbi bazat e moralitetit, atdhetarisë, humanizmit dhe të principeve të demokracisë. 

 - E drejta e votës për emigrantët dhe numërimi elektronik. Të gjithë emigrantëve kudo që jetojnë t’u garantohet e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur si dhe të garantohen zgjedhje të lira e të drejta përmes numërimit elektronik. Kryetari i Aleancës Kuq e Zi z. Kreshnik Spahiu deklaroi nga Korça se: “Rama dhe Berisha në panik kanë formalizuar modelin politik grek si PASOK dhe Demokracia e Re, duke i hapur dyert njeri-tjetrit për një koalicion në zgjedhjet e ardhshme. Aleanca Kuq e Zi do të jetë lokomotiva nacionaliste e koalicionit të lëvizjeve patriotike në zgjedhjet e ardhshme”. Aleanca Kuq e Zi, nuk mund të bëj koalicion as me PD e as me PD, të cilat në 22 vjet padrejtësisht kanë përjashtuar nga e drejta votës mijëra emigrantë, cilët kanë kontribuar me kapitalet e tyre drejtpërdrejt në këto vite tranzicioni në ekonominë shqiptare. Aleanca Kuq e Zi ka propozuar se pas 2013 nën qeverisjen Kuq e Zi do të caktohen kuota në administratën publike për Diasporën dhe gjithashtu do të bëj të mundur që të gjithë emigrantët atje, ku ndodhen të votojnë dhe të votohen. Gjithashtu Aleanca Kuq e Zi, nuk mund të bëj koalicion as me PD e as me PS, të cilat me paturpësinë më të madhe pranuan të bëhen bashkë dhe të mos ndryshojnë kodin elektoral, i cili bie ndesh me principet demokratike dhe gjithashtu e lanë të hapur lojën e vjedhjes së votës ashtu siç kanë bërë në këto 22 vite, duke mos e futur standardin e numrit elektronik në gjithë territorin. 

 - Hapja e dosjeve. Shqipëria behët: nëse shqiptarët njohin dhe dinë për kë votojnë, duke hapur dosjet e të gjithë bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit apo të agjenturave të huaja antishqiptare, nëpërmjet një procedure kushtetuese dhe nëse ligjërisht përjashtohen nga e drejta për të mbajtur funksione publike. Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj koalicion as me PS e as më PD, të cilat jo vetëm nuk i hapën kurrë për 22 vjet dosjet, por ato i zhdukën për të mos u bërë kurrë publike. Pse vallë? Sepse shumë drejtues të këtyre partive ishin vetë me dosje dhe vinin nga të kaluara të errëta dhe jo transparente. Nëse dosjet nuk do të hapen, shqiptarët do të vazhdojnë të qeverisen me persona që kanë punuar dhe punojnë kundër interesave kombëtare. 

 - Ngritja e një morali të ri politik. Aleanca Kuq e Zi do të ngrejë një moral të ri politik, larg konfliktit të urrejtjes midis partive politike në të gjithë territorin shqiptarë. Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj koalicion as me PD e as me PS, të cilat krijuan modelin e armikut të përjetshëm politik, ku politikën nuk e konsideruan si një model idesh, vizionesh e alternativash, por një amfiteatër gladiatorësh, ku palët përplasen deri në fund për jetë a vdekje. Aleanca Kuq e Zi, do të krijoi modelin politik Kuq e Zi, ku të gjithë aktorët të vendosin flamurin dhe Kombin mbi çdo gjë dhe para çdo gjëje. 

 - Pasuritë kombëtare. Duke çliruar pasuritë kombëtare nënujore, nën tokësore bregdetare, malore, nga të gjitha koncesionet apo prokurimet korruptive, skllavëruese, të pabarabarta dhe rinuese për ekonominë e vendit. Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj koalicion as me PS e as me PD, të cilat nuk lanë pasuri kombëtare pa e shitur dhe pa e shkatërruar në këto 22 vjet. Shiten dhe vidhen minierat, pronat, naftën, hidrocentralet dhe pasuri e tjera kombëtare. Aleanca Kuq e Zi, përmes qeverisë Kuq e Zi, të mbështetur në baza e iniciativa ligjore do t’i kthej të gjitha pasuritë kombëtare në shërbim të shqiptarëve. 

 - Bashkimi Kombëtar. Aleanca Kuq e Zi është e para forcë politike shqiptare që Çështjen e Bashkimit Kombëtar e trajton jo vetëm si prioritet, por e ka përfshirë në programin e saj politik. Për Aleancën Kuq e Zi, shqiptarët fillimisht duhet të bashkohet mes veti e pastaj të bashkohen me të tjerët në BE. Bashkimi i shqiptarëve është e drejtë hyjnore dhe ligjore dhe nuk mund të mohohet nga askush. Sot, në Europë, i vetmi popull që është viktimë e kolonializmit, dhe që nuk gëzon të drejtat e tij themelore, është populli shqiptar. Ky popull i lashtë sa vetë Europa, sot është i shtypur e i shfrytëzuar padrejtësisht nga kolonizatorët sllavë e grekë. Nuk mund të durohet kjo situatë, e cila, tashmë u bënë shekuj që na ther në zemër. Shqiptarët duhet të gëzojnë të drejtat dhe liritë themelore si popujt e tjerë të rajonit dhe për këtë arsye ato duhet të zbatojnë Vetëvendosjen. 

- Reforma në drejtësi. Aleanca Kuq e Zi do të ndërtojë një model drejtësie ndryshe, i cili do të shkëpus nga kontrolli politik Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë gjykatat e nivelit të tjera, të cilat deri më sot marrin vendime gjyqësore sipas urdhrave të qeverisë dhe të mazhorancës politike. si dhe të rris standardet profesionale apo llogaridhënëse. Përzgjedhja e gjyqtarëve të lartë të realizohet ose brenda sistemit ose nga vetë populli por jo nga parlamenti (politika). Populli duhet të jetë pjesë e dhënies së drejtësisë ose nëpërmjet zgjedhjes së gjyqtarëve ose nëpërmjet sistemit të jurisë. Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj koalicion as me PS e as me PD, të cilat kanë qeverisur me idenë që t’i kontrollojnë sa më shumë të jetë e mundur institucionet e pavarura duke i bërë plotësisht të varura në shërbimin e tyre politik e personal. Kontrolli dhe ndara e pushteteve për Aleancën Kuq e Zi janë baza e demokracisë funksionale. Nëse nuk respektohet ky principi, nuk mund të ketë shtet të së drejtës. 

Aleanca Kuq e Zi, nuk mund të bëj koalicion as me PD e as me PS, sepse do të humbiste kuptimin dhe arsyen pse u krijua. Aleanca Kuq e Zi u krijua për të bërë ndryshimin e madh social-politik dhe jo për të qenë pjesë e shëmtuar e spektaklit të vjetër. Nëse Aleanca Kuq e Zi bën koalicion me këto dy forca, atëherë ajo do të ishte një zhgënjim i madh për mijëra qytetarë që Aleancën Kuq e Zi e shikojnë si mundësinë e vetme për të bërë ndryshimet e mëdha, për të cilat vendi ka nevojë. Aleanca Kuq e Zi është Lëvizje Mbarëkombëtare, e cila qëndron mbi partitë klasike dhe që përfaqëson e duhet të përfaqësoi interesat e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhën. Për këtë arsye Aleanca Kuq e Zi e ka bërë koalicionin e saj. Ai është koalicioni që kjo forcë ka bërë me çdo shqiptarë përmes Kontratës Kuq e Zi.

Friday, July 20, 2012

Për diktatorët nuk ka të ardhme


Alban Daci

Pranvera Arabe është një risi që duhet të studiohet me shumë kujdes nga sociologët, nga studiuesit e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, nga politologët. Edhe pse rreth Pranverës Arabe ka komente dhe analiza të ndryshme, ku disa e mbështesin dhe disa të tjerë e kundërshtojnë. Duhet të theksojmë faktin se kemi dy rryma, të cilat e shikojnë në optika të ndryshme Pranverën Arabe. Bota Perëndimore e shikon si një rinovim të shoqërive tradicionale autoritare drejt shoqërive moderne e demokratike-liberale.
Nuk është vetëm Bota Perëndimore që e mbështet Pranverën Arabe, por janë edhe qytetarët  e thjeshtë të vendeve të përfshira në këtë lëvizje të madhe social-politike. Janë ato qytetarë, cilët për vite me radhë kanë jetuar në shoqëritë e tyre të shtypura nga udhëheqjet autoritare politike. Mjafton të përmendim faktin se pas 40 vjetësh të regjimit autoritar të Gedafit më në fund edhe Libia zhvilloi zgjedhjet e para të lira e demokratike. Edhe pse këto zgjedhje nuk premtojnë kristalizimin e menjëhershëm të demokracisë, janë një hap i madh i rëndësishëm përpara që edhe qytetarët e Libisë të jetojnë në një shoqëri të lirë, ku liritë themelore të njeriut do të përbëjnë bazën e funksionimi shoqëror. 
Pra, janë pikërisht qytetarët e thjeshtë të Libisë, Egjiptit të cilët të shtypur padrejtësisht dhe në formë autoritare, vendosën të merrnin fatin e tyre në dorë dhe të rrëzonin regjimet autoritare që për vite me radhë i kishin bërë qytetarët të ndjeheshin si trup i vetëm me pa të drejta, dinjitet dhe që komandohej sipas dëshirave dhe nevojave të klasës politike autoritare sa herë që kjo e fundit ta shikonte të nevojshme.
Megjithatë, fatin e Pranverës Arabe nuk e kanë caktuar vetëm qytetarët apo Bota Perëndimore, por një rol të fuqishëm janë përpjekur të luajnë edhe ekuilibrat botëror e sidomos ato rajonal. Siç ka ndodhur e ndodh gjithmonë, lëvizjet qytetare që kanë për qëllim përmisimin e shoqërisë, përdoren edhe nga grupe të tjera për interesa të caktuara. Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore për shkak të kaluarës së saj koloniale, pozicionit gjeografik mbeten zona me interesa dhe influenca të miksuara dhe shumë herë jo të qarta. 
Kjo ka bërë që jo gjithmonë qëllimet e fenomeneve social-politike në këto vende të kenë një kah standard vazhdimësie të orientuar drejt pozitivizmit. Kështu, liderët autor të këtyre vendeve, të marr peng edhe nga interesat e jashtme e të brendshme si për edhe për shkak të egoizmave etnocentrik  nuk mundën të bënin në mënyrë paqësore tranzicionin e shoqërive të tyre.  E dimë shumë mirë Luftën Civile që u zhvillua në Libi, e cila në pamje të parë dukej sikur bëhej vetëm kundër një personi mizor siç ishte Gedafi, por në të vërtetë ajo ishte një betejë brenda të cilës luftonin shumë interesa e qëllime.  Shumë qenie të pafajshme u vranë dhe u bënë dëshmor pa dëshmitar, të cilët kërkonin të ishin të lirë dhe të jetonin në një vend demokratik.
Megjithatë fundi i Luftës Civile në Libi nuk dëshmoj vetëm faktin se qytetarët fituan të drejtat e tyre legjitime, por edhe faktin tjetër se çdo tiran që del mbi popullin duke e mos dëgjuar atë përfundon me eliminimin e tij fizikë.
Për fat të keq edhe pse demokracia është e lashtë sa vetë njerëzimi, po aq të lashta janë edhe regjimet autoritare e diktatoriale. Edhe pse demokracia ka bërë hapa gjigant duke qenë në shumë vende të Botës promotore e evoluimit shoqëror, kemi për fat të keq akoma shumë vende e shtete që drejtohen e qeverisen në mënyrë diktatoriale, ku qytetarët shtypen e përdoren sikur të mos ishin qenie njerëzore, por milingona.
Tashmë është krejt e qartë se edhe Siria është përfshirë në një Luftë Civile,  e cila është krejt e ngjashme me atë të Libisë. Asad një tiran mizor po bombardon dhe po vret qytetarët e tij ashtu siç bëri Gedafi. Duke kujtuar fundin që pati Gedafi del qartë në pah kush do të jetë edhe fundi i Asad. Populli i Sirisë do të arrijë të fitoi të drejtat legjitime të mohuara prej dekadash padrejtësisht në fillim nga i ati i Asad e tani edhe nga vetë Asad.
Gjithashtu, edhe në Korën e Veriut kalimi i pushteti nga i ati tek i biri nuk po bëhet krejt natyrshëm dhe pa probleme. Sipas burime të inteligjencës së Koresë së Jugut, marrja e kompetencave të plota të ushtarake nga i riu Kim Joung-un është shoqëruar me një përplasje të armatosur, ku kanë mbetur të vdekur të paktën 30 ushtarë.
Pranvera Arabe edhe pse mund të ketë mangësi dhe mund të ketë kritika të ndryshme, ajo sensibilizoi jo vetëm qytetarët e vendeve arabe, por edhe qytetarët e vendeve të tjera, që nëse janë të vendosur dhe të guximshëm mund të fitojnë përballë çdo diktatori. Pranvera Arabe rrëzoi mitin se diktatorët janë të paprekshëm dhe të përjetshëm. Jam i sigurt që shumë shpejt edhe regjimi autoritar i Koresë së Veriut do të ketë të njëjtin fund me atë Gedafit e me atë që do të ketë ndoshta shpejt edhe ai i Asad-it.
Disa vende kryesisht të Ballkanit Perëndimor janë të përfshira nga regjime, të cilat të bazuara tek teoritë mafioze dhe të antishtetit po përpiqen të themelojnë regjimet e tyre autoritare, duke abuzuar ose duke mos respektuar verdiktin e popullit.  Ato po gabojnë rëndë, sepse siç thamë, qytetarët falë edhe teknologjisë moderne të telekomunikacionit janë të informuar dhe të frymëzuar nga Pranvera Arabe dhe janë të gatshëm të ndërhyjnë për të marrë në dorë fatin e tyre të nëpërkëmbur nga lider autoritar, që përfaqësojnë interesa të errëta dhe antidemokratike.
Diktatorët e rinj e Ballkanit Perëndimor duhet të veprojnë sa janë në kohë duke dëgjuar kërkesat e qytetarëve. Përndryshe edhe ata do i pres i njëjti fund që pati Gedafi, që do të ketë Asad dhe të tjerët pas tyre. Ne po jetojmë në shoqëri globale shumë koherente dhe evolutive, ku për çdo ngjarje arrijmë të njoftohemi në kohë reale falë zhvillimit të madh që ka marrë fusha e telekomunikacionit në nivel botëror. Për këtë arsye Diktatorët nuk kanë të ardhme, sepse ato nuk mund t’i mbajnë më  qytetarët të izoluar sikur të gjithë të ishin shurdh, memecë dhe qorra. 

Tuesday, July 10, 2012

Të larguarit, apo të pushuarit e PD


 Alban Daci

Partia Demokratike njihet si një parti, e cila vetëm emrin mbart demokratike, por në thelb është krejt autoritare dhe aspak liberale. Kjo parti u krijua në fillim si shpresë dhe simbol për lirinë e demokracinë, të cilat tek shqiptarët kishin munguar.
Shoqëria shqiptare, në fillim të viteve ’90, është e vërtetë se nuk kishte eksperiencë për demokracinë, lirinë e të Drejtat e Njeriut dhe për ekonominë e lirë të tregut, por ajo kishte një dëshirë të madhe dhe të pakontrolluar për t’i pasur të gjitha këto menjëherë dhe në mënyrë të sinqertë e funksionale.
E vetmja mënyrë për të fituar lirën e mohuar, demokracinë e shtypur dhe ekonominë e tregut të lirë ishte të përmbysej regjimi i vjetër i Hoxhës, i cili, edhe pse kishte origjinën dhe stilin e komunizmit të Lindjes, ishte krejt sui generis në lloj e tij. Diktatori Hoxha imitoi në fillimet e tij Stalinizmin dhe e pasuroi (degjeneroi) duke e pasuruar me eksperienca dhe forma të stilit personal. Për egon dhe pushtetin e tij, për vite me radhë, një popull e përdori sikur t’i donte qejfi, duke e doktrinuar deri në palcë dhe duke e frikësuar deri në vdekje.
Në fillim të viteve ’90, pushtetit po i vinte fundi si për zgjedhjet e gabuara të brendshme që kishte bërë, ashtu edhe për shkak të dështimit dhe të humbjes së Bllokut të Lindjes përballë “Imperializmit Amerikan”, siç e konsideronte ky i fundit.  Është e njohur teoria, se regjimet diktatoriale lindin nën udhëheqjen e një diktatori dhe vdesin edhe me vdekjen e tij. Pra, pas vdekjes së Hoxhës ishte e qartë se regjimi i krijuar dhe i simbolizuar prej tij i kishte ditë e numëruara.
Duhet theksuar fakti se edhe pse regjimi i Hoxhës ishte ndër më mizorët e primitivët, ai kurrë nuk kishte arritur ta shuante plotësisht shpirtin opozitar dhe demokratik të popullit shqiptar. Është e vërtetë se Hoxha e bëri Shqipërinë një “Holokaust masiv”, por shqiptarët dhe populli i thjeshtë asnjëherë nuk e dashtën dhe nuk e përkrahen me zemër dhe me bindje politike. Hoxha sulmojë egërsisht familjet më fisnike dhe të shquara në vend, duke i internuar dhe duke i zhdukur pa nam e nishan dhe rreth vetës mbajti njerëz servil e spiun të nivelit të rëndomtë që i kishin shitur regjimit familjen dhe shpirtin.
Fillimi i viteve ’90 ishte fillimi i ngjarjeve të mëdha në Europë dhe në Bllokun e Lindjes. Në Bllokun e Lindjes kishin filluar lëvizjet e punëtorëve dhe qytetarëve për të rrëzuar regjimet mizore komuniste. Ndërsa, në mesin e Europës ra Perdja e Hekurt që e kishte ndarë Gjermaninë dhe Europën padrejtësisht në dy kampe dhe në dy ideologji.
Rënia simbolike dhe fizike e Perdes së Hekurt, kriza e thellë dhe varfëria e tejskajshme favorizuan kushtet edhe në Shqipëri për protesta të iniciuara në fillim nga vetë punëtorët dhe pastaj edhe nga studentët për të bërë ndryshimet e mëdha.
Rinia ishte në ballin e ndryshimeve të mëdha, të cilët të frymëzuar kryesisht nga kanalet radio-televizive italiane dhe nga literatura, ishin të lodhur nga regjimi dhe kërkonin të fitonin liritë, të drejtat civile-politike, si dhe shijonin forcën dhe vrullonin e ekonomisë të tregut. Shumë të rinj të asaj kohe bënin të pamundurën të gjenin dhe të vishnin një palë pantallona xhins amerikan dhe të hidhnin tutje pantallonat e dokut, që për shumë vite me radhë ishin bërë simbol i një regjimi mizor e primitiv.
Megjithatë, edhe pse forca e rinisë ishte e madhe, monoklatura e partisë-shtet ishte akoma e fortë dhe e fuqishme. Për këtë arsye ndryshimet e mëdha nuk ndodhën krejtësisht në mënyrën dhe stilin rinor me frymëzime perëndimore, por u kanalizuan dhe u drejtuan nga lartë-poshtë, sipas direktivave të partisë-shtet.
Në këto rrethana lindi PD, e cila në gjirin e saj i pati të dyja kategoritë, monoklaturën e partisë-shtet të përfaqësuar nga servilët dhe spiunët e kësaj partie, si dhe nga studentët e rinj, të cilët ishin të frymëzuar me kulturë dhe frymëzim politik perëndimor. Mungesa e eksperiencës dhe kundërvënia e monoklaturës komuniste bëri që studentët, të cilët luftuan për demokraci dhe ishin themelues të PD, të dilnin shpejt nga karriera politike dhe të mos ishin në vazhdimësi pjesë e reformave të mëdha, që duhet të përballte vendi. Shumë prej tyre morën rrugën e emigracionit e disa të tjerë vazhduan profesionet e tyre për t’u mos marrë më kurrë me politikë.
Në këto rrethana të mirëorganizuara, tek PD mbetën dhe vazhduan rrugën e tyre politike ish komunistët, servilët dhe spiunët e regjimit. Kjo bëri që funksionimi i brendshëm i kësaj partie të mos kishte asnjë ndryshim me partinë-shtet, që shqiptarët me shumë mund e kishin hequr qafe. Ajo shpejt u mbyll në grackën e saj, duke mos u hapur më kurrë për prurjet e reja dhe për intelektualët e vërtetë të shoqërisë.
 Kristalizimi i lidershipit të brendshëm të kësaj partie, e cila simbolizohej dhe drejtohej vetëm nga një person, bëri që lufta brenda llojit të ishte gjithmonë e pranishme dhe e ashpër. Figura të rëndësishme të kësaj partie, si Eduart Selami, shpejt u sulmuan politikisht, u përjashtuan dhe u detyruan të largoheshin edhe jashtë vendit.  I vetmi studentë i dhjetorit, e ndoshta figura më qendrore e ngjarjeve të viteve ’90, z. Hajdari, i rezistoi kohës dhe vazhdoi  të ishte një protagonist i rëndësishëm i ngjarjeve politike në vend. Megjithatë, në rrethana krejt të paqarta, ai u shua pikërisht para Partisë, të cilën e kishte themeluar dhe e kishte dashur shumë.
Sot shumë figura të rëndësishme të kësaj partie nuk janë më pjesë e saj. Megjithatë,  në lidhje me  atë që quhet procesi i rrjedhjeve nga  PD ka një dilemë të madhe, nëse ato janë larguar vetë apo janë pushuar? Shumë prej tyre ishin themelues të kësaj partie, tek e cila besonin shumë dhe për këtë arsye ato nuk kishin arsye pse të largoheshin.
Një fakt i rëndësishëm, që dëshmon, se ata nuk janë larguar vetë, është se thuajse të gjithë, me përjashtim Eduart Selamit, nuk është se me largimin e tyre nga kjo parti nuk janë marrë më me aktivitet politik, por, përkundrazi e kanë vazhduar aktivitetin e tyre politik me partickat e tyre. Duke pasur parasysh edhe rrjedhjen e fundit të rëndësishme, e cila u konkludua me themelin e partisë se re FRD (ose siç u pëlqen ta quajnë  Partia e Topit), rikonfirmon faktin se ato të gjithë janë pushuar dhe janë detyruar të largohen nga lidershipi i vjetër i PD.
            Kjo parti vazhdon të jetë një parti tipike komuniste dhe autoritare, por që vesh padrejtësisht maskën e demokracisë liberale. Teoria që përmendëm më sipër nuk është vetëm për regjimet diktatoriale, por edhe për partitë politike me natyrë krejt autoritare e diktatoriale, që simbolizohen dhe mbahen gjallë nga uni i i ekzagjeruar. PD duke pasur të gjitha cilësitë e një partie autoritare, ajo s’do të ekzistojë më nga momenti që lideri i saj nuk do të jetë më në gjendje të ketë sukses politik. Lideri i kësaj parti ka më shumë se një 20, që nga krijimi i saj, që është i padiskutuar dhe absolut. Rënia e tij politike do të shënojë edhe shkatërrimin e kësaj partie, e cila vetëm emrin ka parti demokratike, por asgjë nuk e lidhi me demokracinë.