Trofta italiane dhe përdhosja e dijes shqiptare
Universitetet shqiptare, printera sandalozë të diplomave të
pamerituara
Renzo Bossi,
ose siç njihet ndryshe Trofta, doli se ishte diplomuar në një universitet
shqiptar. Për të kuptuar se sa serioz është titulli i studimeve, që Trofta ka
mbrojtur, mjaftojnë të përmendim disa fakte: pasi disa provash, më në fund
arriti, të mbaroi shkollën e mesme; titullin universitar nuk e ka mbrojtur në
Itali; prova se titullin universitar e ka mbrojtur në një universitet privat në
Shqipëri, në të cilët nuk zhvillohen kurse në gjuhët europiane.
Shumica e madhe e të rinjve shqiptarë e kanë ëndërr dhe
privilegj të studiojnë në një universitet perëndimor, qoftë edhe italian. Kjo për
faktin, se tradita universitare e vendeve europiane është e lashtë dhe shumë e
pasur me literaturë. Gjithashtu, stafet pedagogjike janë të gjithë disa herë të
kualifikuar. Gjithashtu, është i njohur fakti se në se nuk studion dhe nëse nuk
e meriton, asnjëherë nuk arrin të diplomohesh. Shumë studentë shqiptarë e kanë
provuar drejtpërsëdrejti se pa meritë sholla në Perëndim nuk mbarohet. Ka plot
studentë shqiptarë, të cilët mbi 10 vite frekuentojnë kurset universitare dhe
nuk arrijnë ti mbarojnë ato. Kjo nuk do të thotë se vendet europiane janë
perfekt.
Megjithatë, edhe pse vendet europiane kanë problemet e
veta, ata kanë disa shtylla, të cilat i konsiderojnë të shenjta dhe nuk guxon
askush t’i cenojë. Në perëndim dija është e shenjtë, jeta është e shenjtë,
liritë e të drejtat e njeriut janë të shenjta. Ndërsa, Shqipëria është vendi i
absurditeteve. Është katastrofë dhe krejtësisht i pa pranueshëm fakti se në
Shqipëri dija jo vetëm nuk respektohet më, por është drejt përdhosjes dhe
degradimi total.
Vetëm në Shqipëri mbarimi i viteve të studimet
korrespondon automatikisht me diplomim. Shumë europianë, duke përfshirë edhe
italianët e kanë ëndërr që të arrijnë të diplomohen brenda kohës së rregullt të
studimeve. Në Shqipëri ekziston edhe proverba: Kam mbaruar universitetin, po më
ka mbetur pa u marrë diploma e pjekurisë të shkollës së mesme.
Kam shkruar disa herë, edhe para se të dilte skandali i
djalit të Bossit, se në Shqipëri po prodhohen “injorantë”. Sistemi universitar
shqiptar është në ditët me të këqija. Universitet shqiptare, qoftë publike ose
private, e kanë humbur misionin e tyre për të edukuar dhe përgatitur brezat e ri
që t’u bëjnë ballë sfidave të kohës. Sot
nuk është aspak absurde të marrësh veshtë e të kuptosh, që pronar i një
universiteti privat të jetë një person që nuk ka kryer asnjëherë studime
universitare. E çfarë mund të presësh nga një person i tillë? Si mund të bëjë
dituri e ta përhap atë një person që është vetë i paditur? Universitet
shqiptare janë kthyer në forma biznesesh që printojnë e shpërndajnë letra, që
nuk kanë asnjë vlerë dije.
Një pjesë e mirë e disa universiteteve private ngjajnë me
sekte të fshehura, ku nuk dihet se çfarë bëhet aty brenda dhe se kush janë
drejtuesit e vërtetë. Ndalohen kamerat, ndalohen gazetarët, brenda ka kamera
kudo, çdo hapësirë është e mbushur me mikrofona, janë krijuar rrjete
informatorësh e spiunësh brenda stafeve akademike.
Pra, me pak fjalë, shumicën e rasteve këto universitete,
nëse mund t’i quajmë kështu, të japin përshtypjen sikur po hyn në sektorët e
ndaluar të CIA apo të shërbimeve të tjera inteligjente, dhe jo në mjediset ku
duhet të mbizotërojë dija, të mbizotërojnë vlerat njerëzore, transparenca etj. Është
qesharake të analizosh faktin se si rekrutohen pedagogët e rinj. Në të gjitha
rastet nuk ka provime meritokratike rekrutimi, por pjesa më e madhe e tyre,
pavarësisht kritereve punësohen për faktin se janë farefis me drejtuesit, ose në
rastet e tjera, sidomos tek universitet publike bëhen emërime të qarta
politike.
Po të analizojmë stafet akademike të universiteteve
private ose publike, duke bërë ndonjë përjashtim të vogël, dalim në konkluzion,
se: dija bëhet nga të paditurit dhe viktima të paditurisë të diturit dhe të
rinjtë, që janë nevojë dhe interes për shumë dije.
Megjithatë, nuk mjafton fakti se universitet shqiptare
janë kthyer në fabrika që prodhojnë e pritojnë letra, që nuk përfaqësojnë dije,
por se shumica e personave që marrin këto tituj pa merita akademike punësohen në
administratën publike. Me të vërtetë është qesharake dhe absurde fakti se djali
i Bossit ka marrë diplomën tek një universitet privat shqiptar. Megjithatë, më
interesante është të bëhen kontrolle e të hetohen rastet, ku sozi të djalit të
Bossit për nga dituria janë të punësuar në pozicionet kyçe të shtetit shqiptar.
Ministria e Arsimit disa herë na ka folur duke na bërë
pallavra e lojëra fjalësh në lidhje me fondin e ekselencës, në lidhje me
kthimin e trurit, në lidhje me përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje. Të
gjitha janë demagogji. Sa të rinj që janë kthyer nga jashtë vendit janë
punësuar në Shqipëri? Pak, vetëm fëmijët e politikanëve të vjetër, si dhe ata
që kanë dhënë para për vendin e punës.
Në Shqipëri ka kohë që nuk bëhen konkurse për vendet e
punës. Në shumicën e rasteve ato janë të gjitha fiktive. Puna shkon aq larg në këtë
aspekt, sa shefët dhe inspektorët e kuadrit përpilojnë tre –katër dosje fiktive,
gjoja aplikantësh, për t’u shfajësuar para eprorëve, dhe në fund marrin njeriun
e tyre, në thelb pa asnjë konkurrent. Shpalljet bëhen thjeshtë sa për sy e
faqe, sepse vendet e punës janë zënë në të vërtetë vërtetë prej kohësh. Në të
gjitha rastet fiton, i punësuari pa konkurrim, i marrë në punë me miqësi dhe i
mbajtur në po me miqësi dhe nepotizëm. Njoh shumë të rinj, të cilët kanë bërë
studimet universitare në universitet perëndimore, sillen të pa shpresë rrugëve
të Tiranës. Në të njëjtën kohë kam dëgjuar raste, ku njerëz pa shkollë ose me
diploma si ato të Bossit punojnë në nivele të ndryshme drejtuese në
administratën shtetërore.
Në Shqipëri dituria, tashmë, është përdhosur. Në ato pak
raste, ku ajo nuk është e përdhosur, ndjehet e pa respektuar dhe braktisur. Një
popull, që nuk investon për të krijuar një nivel diturie të standardit të
ekselencës vë ne rrezik të ardhmen e tij. Shqiptarët nuk është se nuk e duan
diturinë dhe nuk janë të ditur, por dituria e tyre është marrë peng nga
politika e vjetër, e cila po krijon antivlerat dhe antisistemet e diturisë. E vetmja mënyrë të mbrojtur dijen dhe vlera
është të dërgojmë në shpi antivlerat. Antivlerat sot personifikohen me klasën e
vjetër politike. Shqiptarët do të rigjejnë diturinë e tyre natyrale dhe do të
forcojnë diturinë e tyre akademike vetëm po të bëhen të gjithë se bashku dhe të
shporrin nga skena sharlatanët e politikës së vjetër.