Fjalimi i mbajtur në tryezën e rrumbullakët të organizuar
nga Aleanca Kuq e Zi me temë: "Drejtë një
tregu të përbashkët gjithëshqiptar"
Shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë kohë që bashkëpunojnë në fushën e kulturës, pak a shumë në arsim, dhe në disa fusha tjera. Mirëpo sikur mungon bashkëpunimi në dimensioni ekonomik si domosdoshmëri e kohës, e cila do të rriste peshën e shqiptarëve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndër-fqinjësore. Kjo ka ndodhur për faktin se ekonomia shqiptare është kapur peng nga interesa antikombëtare e mafioze. Mjafton të përmendim skandalin e publikuar vetëm pak ditë më parë në lidhje me ndërtimin e linjës të interkonesionit mes Shqipërisë e Kosovës.
Politika dhe ekonomia, janë dy gjëra komplementuese dhe të pazëvendësueshme në të njëjtën kohë. Në të kaluarën si dhe në tashmen idetë politike lindin nga idetë ekonomike si dhe aksionet ekonomike merret nga vendimet politike. Ekonomia është qeverisja e shtëpisë, procesi i prokurimit të mirave për të bërë të funksionoi mirë shtëpia. Dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes një forme demokratike qeverisje. Pra, që shtëpia e madhe e shqiptarëve të administrohet mirë dhe që prokurimi i të mirave të bëhen në të mirë të shqiptarëve duhet që shqiptarët të qeverisen nga një sistem i shëndosh demokratik dhe jo nga një sistem politik antishqiptar që përfaqëson interesa mafioze.
Vetëm një politikë krejtësisht kombëtar Kuq e Zi është në gjendje të krijoi një treg të përbashkët ndërshqiptar, sepse ajo ka lindur nga interesat e përbashkëta të shqiptarëve dhe mbron në të njëjtën kohë vetëm interesa e tyre ekonomike e politike. Për Aleancën Kuq e Zi, politika dhe ekonomike kanë vetëm një frymëzim kombin shqiptar. Aleanca Kuq e Zi përsa i përket politikës si formë mendimi dhe vendimmarrje mbështet vetëm tek demokracia si forma më e mirë e qeverisjes dhe për sa i përket sistemit ekonomik, mbështet vetëm në ekonominë e një tregu të përbashkët ndërshqiptar. Pra, për Aleancën Kuq e Zi Kombi, Demokracia dhe Tregu i Përbashkët ndërshqiptar janë tre shtyllat kryesore për realizmin e Bashkimit të Shqiptarëve.
Krijimi i një tregu të përbashkët mbarë shqiptarë jo vetëm do rriste nivelin ekonomik, por edhe do të forconte demokracinë duke promovuar e përkrahur realizimin e katër lirive të cilat kanë të bëjnë më lëvizjen e lirë të personave, mallrave dhe shërbimeve.
Krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike, apo i një tregu të përbashkët me heqjen e të gjitha barrierave fizike, teknike dhe fiskale do të mundësonte që mallrat, shërbimet, kapitali si e personat të mund të lëvizin lirishtë ashtu si brenda një shteti të vetëm.
Pra heqja e barrierave do të zgjeronte mundësitë, eksperiencat dhe horizontet e njerëzve. Do t’i bënte ato më të lirë dhe shëndosh në aspektin e përjetimit të drejtpërdrejt të demokracisë. Gjithashtu tregu i përbashkët do të ishte një mundësi e mirë për konsumatorin shqiptar në të dyja anët e kufirit, për të zgjedhur mallra me kualitet më të lart në një treg më të madh prej 6 apo 7 milionë banorëve.
Nga ana tjetër me përafrimin e legjislacioneve, gjithnjë duke respektuar standardet e Bashkimit Evropian, një numër i madh i mjekëve, juristëve, ekonomistëve, etj, do të mund të ushtronin profesionet si në Shqipërisë ashtu edhe në Kosovë e anasjelltas.
Studentët do të mund të lëviznin më lirë për të studiuar, atje ku mendojnë se është më mirë, pasi do të zgjerohej horizonti i tregut të punës dhe konkurrenca. Ky bashkëpunim do të zgjerohej edhe në shumë sfera tjera, duke pasur si synim mediat, që tashmë po lëvizin në këtë drejtim, sidomos ato nga Tirana. Dhe krejt kjo mund të realizohet pas asnjë një pengesë, për faktin se qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë i përkasin një kombi, atij shqiptar.
Modeli i tregut të brendshëm të BE-së duhet të jetë si model që duhet të merret parasysh në modelin e tregut ndërshqiptar për shkuar drejt qëllimit final,atij të Bashkimi Ekonomik.
Mendimtari dhe vizionari i shquar evropian, ish- ministri i jashtëm francez , Robert Shuman, qe i pari që e hodhi idenë bashkimit ekonomik dhe integrimit të Evropës.
Më 9 Maj 1950, ai krijoi bazat mbi të cilat shtetet themeluese ndërtuan Bashkësinë Evropiane të Qymyrit dhe Çelikut, e cila më vonë u shndërrua në Bashkim, dhe tani vazhdon të paraqesë projektin më unik dhe më të suksesshëm të integrimit rajonal në botë. Zgjedhja pikërisht e kësaj industrie nuk ishte e rastësishme. Bëhej fjalë për industrinë e cila më parë kishte qenë boshti kryesor i gjithë makinerisë së luftës – çelikut, i cili tashmë do të shndërrohej në një fushë, e cila do t’i lidhte edhe më tepër këto vendet evropiane dhe ekonomitë e tyre.
Pse mos të kenë shqiptarët diçka të tillë si pikënisje për të hapur rrugën e bashkimit në një treg ekonomik, nga ku do të përfitonin edhe fqinjët e tjerë. Sot tregu i BE-së përbëhet prej 500 milion konsumatorëve dhe një numri të madh të ndërmarrjeve të cilat shesin mallrat brenda këtij tregu, por edhe janë eksportuesit më të mëdhenj në botë.
Kosova dhe Shqipëria, pikërisht duke marrë si model tregun e brendshëm të BE-së dhe ky model të promovohet duke përfshirë edhe vendet e tjera të Evropës Juglindore. Është momenti historik që shqiptarët të jenë bartës të një projekti të tillë prosperues në rajon dhe që do t`ia kenë zili edhe vendet e tjera. Projekti i një tregut të përbashkët ndërshqiptar mund të konstatoj duke operuar dhe bashkëpunuar në disa fusha e sektorë konkretë:
a) Të krijohet një zonë e përbashkët ekonomike, ku të ketë një tarifë të përbashkët doganore, e cila duhet të aplikohet sipas modelit europian, ku të mirat e dy vendeve mund të qarkullojnë pa pengesa dhe që qeveritë e dy vendeve zotohen se do të eliminojnë çdo lloj pengese.
b) Të fillojnë tentativat për realizmin e një politike të përbashkët në agrikulturë, e cila duhet të jetë sipas parametrave evropian, ku të vendosen çmime të përbashkëta për prodhimet elementare. Politika e përbashkët në agrikulturë mund të zbatohet në krijimin e një arke të përbashkët, e cila duhet të financohet nga të ardhurat e përbashkëta, të mbledhurat kryesisht nga tarifat e përbashkëta doganore me shtetet e tjera të rajonit.
c) Të sanksionohet lëvizja e lirë e shërbimeve, njerëzve dhe e mallrave, duke krijuar një zonë të lirë tregtie. Nisma e krijimit të kësaj zone duhet të jenë Shqipëria dhe Kosova, por që të ketë klauzola që lënë të hapur pjesëmarrjen dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përsa i përket lëvizjes së lirë duhet të bëhet një marrëveshje e shkruar për heqjen e pengesave të kontrollove kufitare. Kjo mund të vlejë si një provë për të anëtarësuar në ardhmen me drejtat të plota në Traktatin Schengen.
d) Të krijohet një strategji e përbashkët kombëtare për modernizimin e infrastrukturës së telekomunikacionit, ku të vihen në zbatim interesat të përbashkëta. Rol parësor duhet të kenë veprat e mëdha si për shembull zonat portale si dhe rrjetet rrugore që do të bënin më të lehtë dhe të shpejtë komunikimin mes këtyre dy vendeve.
e) Krijimi i një strategjie të përbashkët në fushën e energjetikës si në investime të përbashkëta për vepra të reja dhe për administrimin me efikasitet të veprave dhe sistemit të trashëguar.
f) Krijimi i një Banke mbarëshqiptare me kapital krejtësisht shqiptar.
Përfaqësues i Aleancës Kuq e Zi