Vizita e Ramës në Preshevë ka dy anë të së njëjtës medalje. E para padyshim është pozitive, për faktin se kryetari i Opozitës shqiptare viziton për herë të parë një zonë krejtësisht shqiptare, e cila me dashje ose pa dashje, le të themi, se kohët e fundit është harruar nga bota tjetër shqiptare. Kjo vizitë bëhet në një moment të vështirë si për Kosovën ashtu edhe për banorët e Preshevës. Vetëm pak kohë më parë u ndalua një ministër i Republikës së Kosovës që të bënte një vizitë në këtë zonë. Ministrit ndër pengesat e tjera burokratike ju kërkuar nga autoritet kufitare serbe që të hiqte targën e makinës me logon e Republikës të Kosovës dhe të vendoste atë serbe.
Banorët e Preshevës i kam parë gjithmonë me keqardhje dhe i kam konsideruar të tradhtuarit e fillimit të shekullit të XXI. Them kështu, sepse Kosova dhe shqiptarët e kësaj zone fituan pavarësinë pas një beteje shumë shekullore. Ndërsa Presheva dhe krahinat përreth u tradhtuan si nga bota shqiptare ashtu edhe nga autoritet ndërkombëtare duke i lënë përsëri padrejtësisht nën sovranitetin e Serbisë. Pra, Nëse për botën shqiptare pati një tradhti të madhe të ndodhur në 1913, për Preshevën dhe krahinat përreth pati një tradhti të dytë të ndodhur në fillim të këtij shekulli të sapo nisur.
Aktualisht, duke parë rendin e ri të vendosur në Rajon pas pavarësisë së Kosovës dhe shpërbërjes së ish Jugosllavisë, duket se është shuar padrejtësisht ëndrra për pavarësi nga Serbia e shqiptarëve të Preshevës, e cila është po aq legjitime sa ajo e shqiptarëve të Kosovës, ose të republikave të tjera të ish Jugosllavisë. Ka pak gjasa që banorët e Preshevës, ose të krahinave përreth të marrin pavarësinë nga Serbia. Në këtë momente, as autoritetet e Kosovës e as ato të Shqipërisë nuk e dua një gjë të tillë dhe nuk duan t’u hynë telasheve me autoritet ndërkombëtare.
Megjithatë, vizita e Ramës nuk është krejt aq e rastësisht sa mund të duket. Rama, gjithmonë është kritikuar si një lider që nuk ka politikë të jashtme dhe për këtë arsye nuk mund të qeveris. Ai është konsideruar një lider i mirë lokalist dhe vetëm kaq. Për ta vërtetuar këtë mjaftojnë të analizojmë fjalorin politik të përdorur në të kaluarën nga Edi Rama. Në fjalorin tij është e vështirë të gjesh shprehje si: Bashkim Kombëtar, Çështja e Kosovës, Çështja e shqiptarëve në Maqedoni, të drejtat e shqiptarëve në Rajon. Rama, falë edhe këshilltarëve të tij të rinj, me sa duket e ka kuptuar këtë mangësi të tij dhe po përpiqet ta korrigjojë. Pra, ai bëri vizitën në Kosovë dhe tani në Preshevë e ndoshta jo shumë larg do e bëj edhe në Maqedoni për të përmisuar imazhin e tij politik si një lider me vizione jo vetëm për politikën e brendshme, por edhe për politikën e jashtme.
Rama vizitën e tij në Preshevë e justifikoi me prezantimin e librit të tij “Kurban”. Jam shumë kureshtar të di se sa hapësirë i ka kushtuar në këtë libër ai çështjes së shqiptarëve në rajon? Librin ai e ka shkruar tani vonë duke qenë lider i Opozitës shqiptare. Kjo do të thotë, se zakonisht librat e liderëve të mëdhenj politik duhet të jenë manifeste të mirëfillta, ku shkruhen vizionet e të ardhmes të një kombi. Banorët e Preshevës janë shqiptar e për pasojë janë edhe ato pjesë natyrale e kombit shqiptar. Pra, Edi Rama si një lider i Opozitës i projektuar ndoshta për të qenë një ditë Kryeministër i Shqipëri, nuk duhet të linte në librin e tij pa trajtuar dhe ndoshta edhe pa hedhë alternative për kauzën shekullore të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit. Pra, nëse libri i tij rrotullohet kryesisht tek skemat dhe problematikat e politikës së brendshme, prezantimi i këtij libri tek banorët e Preshevës nuk ka asnjë lloj vlerë.
Jam i sigurt se gëzimi i madhe i banorëve të Preshevës për vizitën e Ramës do të mbaroi sapo ta lexojnë librin dhe të kuptojnë se fati i tyre nuk ka zënë asnjë rresht apo paragraf. Ato ndoshta do të kuptojnë se nëse Rama do të bëhet Kryeministër, ky fakt nuk do t’i ndihmojë ata që të jenë të pavarur, sepse kjo e fundit nuk bën pjesë në formën e të menduarit dhe të vepruarit nga kryetari Opozitës në Shqipëri.
Arsyeja e vërtetë e vizitës së Ramës në Preshevë është thjeshtë arsye politike për të pasur avantazhe elektorale. Pra, edhe pse në pamje të parë vizita e tij të jep përshtypjen se po riorganizon vizionet e tij në lidhje me politiken e jashtme, ajo është krejtësisht brenda dhe në funksion të politikës së brendshme. Në Shqipëri, ekuilibrat politike po ndryshojnë dhe kjo po ndodh, sepse përtej subjekteve tradicionale politike të këtyre 20 viteve po dalin në horizont subjekte të reja që trajtojnë ndoshta me guxim çështje për të cilat më parë as nuk ishte guxuar të flitej. E kam fjalën për lëvizjen “Kuq e Zi”, e cila është forcë me natyrë politike, me fizionomi patriotike dhe me objektiv kryesor të shpallur atë të bashkimit të shqiptarëve.
Forcat klasike politike në vend si PS dhe PD, por tronditen nga shfaqja e kësaj lëvizje politike. Dihet se shqiptarët janë populli më i ndëshkuar nga padrejtësia dhe autoritetet ndërkombëtare për gjatë historisë. Nëse ka një plagë të hapur dhe të pashëruar tek çdo shqiptarë. Kjo është padyshim copëtimi i trojeve dhe i kombit. Për këtë arsye ndjenja e nacionalizmit e cila mbështet në të drejtën për vetëvendosje është shumë e madhe tek çdo shqiptarë. Për këtë arsye, PS dhe PD po mendojnë seriozisht se në zgjedhjet e 2013 do të ketë rrjedhje votash dhe elektorati. Se sa do të jetë kjo rrjedhje nuk është e sigurt. Megjithatë, ekuilibrat politikë mes minorancës dhe mazhorancës janë aq të ngushta sa edhe një rrjedhje e vogël votash mund t’iu prish shumë punë.
Edi Rama, e bëri këtë vizitë sikurse edhe atë të Kosovës, për të dëshmuar se edhe socialistët janë patriot, se mendojmë e punojmë për shqiptarët kudo që janë. Kjo dëshmon më së miri se Rama po përpiqet të përdor nacionalizmin për qëllime politike. Megjithatë, Rama ndoshta harron se nacionalizmi dhe patriotizmi nuk konsiderohen si vlera të së majtës. Marksi dhe Lenini e konsideronin nacionalizmin si armik të socializmit. Ato mendonin se luftërat bëhen nga borgjezët, të cilët duhet të përfshijnë edhe proletariatin për të realizuar interesat e tyre personale. Pra, këta të dy mendonin se pas nacionalizmit fshiheshin realisht interesat politike dhe ekonomike të borgjezisë. Për këtë arsye ato kërkonin që proletariatit e gjithë botës të bashkoheshin pa dallim racor e nacional kundër borgjezisë.