Që kur kam filluar të rritem dhe të kem vetëdije në këtë vend, kam parë gjithmonë që nëse ka ndonjë gjë që përsëritet, ajo është “Spektakli i fatkeqësive”. Çdo të thotë kjo? Shqipëria për fat të keq njeh e prek në mënyrë të përsëritur një fenomen sa të turpshëm aq edhe të papranueshëm, i cili është përdorimi i fatkeqësisë një si spektakël për të ngjallur mëshirë, për të përhapur keqardhje, për të prezantuar zi. Në këtë vend edhe pse gjeografikisht mund të quhet i vogël, kanë ndodhur aq shumë gjëra (sigurisht negative) sa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që për nga popullsia dhe sipërfaqja janë shumëfishi ynë do të na kishin zili (për keq e kam fjalën). 21 janari dhe të tjerët e ngjashëm që kanë ndodhur në këtë vend janë një fatkeqësi për qytetarët dhe një faqe e zezë për politikën. Më 21 janar humbën jetën katër persona, të cilët kishin shumë halle e probleme ashtu si edhe pjesa tjetër e popullsisë që kanë të bëjnë me papunësinë, varfërinë, mungesën e drejtësisë, nëpërkëmbjen dhe shpërfilljen njerëzore. Këto katër persona, të cilët nuk do i cilësoja heronj të demokracisë, por viktima të një politike të papërgjegjshme, humbën jetën duke luftuar (thjeshtë luftuar) në një betejë, ku nuk dihej kush ishte armiku e kush ishte miku. Pra, ata humbën jetën në situatë kaosi të vërtetë, thjeshtë pse u ndodhën ne vendin dhe në kohën e gabuar. Këta katër vdekje të padrejta, u bënë objekt zhgënjimi për një palë dhe objekt akuzash për palën tjetër. Politika, i përdori vdekjet e katër qytetarëve të thjeshtë dhe hallexhi për të bërë politikë, e cila nënkupton konkurrencën për pushtet dhe luftë për prestigj. Tek sa po ndiqja përkujtimin e tyre sot, po mendoja sa hipokrizi ka në të këtë vend, kur bëhet fjalë për qytetar të varfër, të thjeshtë dhe të pambrojtur. Dita e sotme mu duk si një garë për t’i pronësuar këta katër viktima të pafajshme për të marrë sukses politik. Sot u bë përkujtimi i këtyre katër personave, të cilët padrejtësisht humbën jetën, në një betejë për pushtet të organizuar nga klasa politike. Opozita, thotë me krenari dhe përpiqet ta dëshmojë po me krenari se “katër të vdekurit” e 21 janarit ishin në radhët e mia, dhe ato u flijuan, sepse ishin të shtypur dhe të nëpërkëmbur nga forcat politike që përbëjnë mazhorancën dhe drejtojnë institucionet më të larta shtetërore. Pozita edhe pse nuk është shprehur, ndoshta nën heshtja mendon se këta katër qytetarë të gjerë, ishin një kërcënim për pushtetin e tyre. Ajo që më të vërtetë më bëri të krijoi keqardhje të madhe dhe në të njëjtën kohë një përbuzje të madhe për klasën politike shqiptare (pa bërë asnjë dallim) ishte momenti kur po ndiqja nga televizori këtë spektakël fatkeqësie dhe diku ne mesin e turmës pashë një nënë shqiptare, e cila qante dhe ulërinte se kishte humbur fëmijën e saj të dashur. Edhe pse ndoshta njëra forcë politike mund të mendoj se ka përfituar nga kjo ngjarje e dhimbshme dhe e turpshme dhe ndoshta forca tjetër politike është e bindur se ka humbur, ato që vërtetë kanë humbur me ngjarjet e 21 janarit janë qytetarët shqiptarët, të cilët në atë ditë jo vetëm u ndjenë të pambrojtur dhe të përdorur nga politika, por kuptuan se politika po të dojë u bën gjëmën, ashtu siç u ka bërë gjatë këtyre 20 viteve. Sot ishte një ditë zie, për qytetarët dhe një ditë turpi për politikën shqiptare, një ditë dhimbje për qytetarët dhe një ditë hipokrizie për politikanët. Sot ishte një ditë dëshpërimi për qytetarët dhe një ditë ‘spektakli’ për politikën. Sot ishte një ditë dhimbje për familjarët e viktimave dhe një ditë ndoshta reflektimi për të gjithë qytetarët e thjeshtë të këtij vendi që çdo ditë përballen me papërgjegjësi dhe nëpërkëmbje të klasës politike. Sot mes qytetarëve kishte komente të ndryshme, të cilët nuk largoheshin dot nga emocionet e militancës politike qorre. Ndoshta, njëherë në 20 vjet duhet të mendojmë për veten dhe të mos shqetësohemi më për klasën politike që me papërgjegjësinë e saj na ka bërë të humbim shanset dhe takimet me historinë si dhe të jemi në një mënyrë apo tjetër, spektakël dhimbje dhe fatkeqësie. Sot, edhe pse kanë kaluar plot 20 vjet që nga rënia e Murit të Berlinit, shqiptarët dhe Shqipëria në sytë e Botës vazhdojnë të jenë “spektakël” dhimbje, dëshpërimi dhe zije. Një ditë si kjo e sotmja, në vend që të gjithë të heshtim dhe të reflektojmë me fatin dhe të ardhmen tonë, ne preokupohemi për fjalimet dhe mendimet e shprehura nga forcat politike. Ajo që më shqetëson mua dhe më bën të reflektoj thellë është fakti se car do të bëhet me këtë vend, i cili në mënyrë të përsëritur dhe ndoshta të pashpjeguar nuk i shmanget dot vdekjes dhe fatalitetit qytetar.