Friday, January 13, 2012

Bllokim dhe reagim apo tolerancë dhe diskriminim


Alban Daci


Bllokimi apo jo i rrugëve në Kosovë për të mos lënë hyrjen e mallrave serbe, sepse nuk respektohet reciprociteti është një e drejtë e çdo qytetari kosovar, që mbështetet tek e Drejta Ndërkombëtare dhe tek e Drejta Komunitare që sanksionojnë barazinë e shteteve dhe barazinë e qenieve njerëzore, pavarësisht nëse i përkasin një shteti të madhe dhe të fuqishëm, apo një shteti te vogël dhe të varfër.
Megjithatë, nëse sot, kemi arritur në këto aksione, ky është një dështim i autoriteteve ndërkombëtare që e lejojnë akoma sot Serbinë të pretendojë dhe të tallet me Kosovën si dhe me politikën kosovare, e cila me vallëzimet e veta nuk po mban një linjë të duhur dhe të palëkundur.
Përsa kohë Serbia do të vazhdojë të influencojë dhe të cenojë popullin shqiptaret (autokton) në Kosovë, kjo lojë here me paqe të rreme dhe herë me kërcime serioze do të jetë e vazhdueshme dhe e bezdisshme.
Tolerimi i Hitlerit çojë në nisjen e  Luftës II Botërore, tolerimi i Milleshevicit çojë në përfshirjen e Rajonit në luftë dhe në masakrimin e qindra civilëve, me tolerimin e një Serbie të sotme, si ne Shqiptaret ashtu edhe Evropianët mund ta paguajmë shtrenjtë nesër.
Politika shqiptare dhe sidomos ajo kosovare ka tentuar të bëj një krahasim me 21 janarin e zi shqiptar të vitit të kaluar dhe me mundësinë e përsëritjes së tij në Kosovë. Mendoj, se nuk ka asnjë vend për një krahasim të tillë. 21 janari i zi i ndodhur në Tiranë në vitin e kaluar ishte si pasojë e një politike të papërgjegjshme dhe egoiste shqiptare. Ndërsa, mos respektimi i reciprocitetit nga ana e Serbisë, jo vetëm që cenon barazinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës, por edhe ekonominë e saj, e cila si çdo ekonomi tjetër botërore funksionon duke u bazuar mbi eksportet dhe importet.
Në rastin e 21 janarit shqiptar kemi të bëjmë me një politikë të brendshme të papërgjegjshme, e cila në saj të pushtetit vetjak është e gatshme të bëjë gjithçka edhe kundër interesave të përgjithshme të qytetarëve të saj.  Po të krahasojmë ngjarjet e 21 me diçka konkrete, kjo do të ishte: një ujk i uritur që kërkon të hajë gjithçka që del përpara dhe një qen i shëndosh dhe i ngopur, që kërkon të mbroj vathin nga ujku i uritur. Ujku duke qenë i pangrëne dhe i uritur, humbi dhe u mund nga qeni i shëndosh dhe i ngopur.
Rasti i Kosovës, është një rast i natyrën ndërkombëtare, sepse ka të bëj me marrëdhëniet bilaterale të dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë. Është më se e qartë, se kur marrëdhëniet mes dy shteteve ashtu si edhe mes dy personave, nëse nuk janë reciproke dhe të sinqerta, ato nuk funksionojë mirë dhe shfaqin probleme.
Marrëdhëniet duhet të jenë të barabarta dhe nëse nuk janë të barabarta, do të thotë se njëra palë shfaqet superiore dhe dikton rregulla dhe tjetra në pozicionin inferior vetëm i zbaton rregullat. Si nga e Drejta Ndërkombëtare ashtu edhe nga Drejta Komunitare në fuqi është i ndaluar diskriminimi mes shteteve dhe personave. Shtetet dhe personat janë të barabartë dhe gëzojnë të drejta të plota, pavarësisht madhësisë, forcës dhe pasurisë. Për këtë arsye, as Kosova dhe as kosovarët nuk mund të diskriminohen as nga Serbia e as nga çdo shtet tjetër që respekton të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën Komunitare.
Në këto rrethana pozicioni, ku ndodhen serbët e kosovarët është si: kosovarët dele të urta dhe të pambrojtura dhe serbët, ujqër të uritur dhe të padisiplinuar që hyjnë në vathë e zhvatin delet pa u trazuar nga askush. Delet kosovare janë të pambrojtura, se nuk kanë as të zotë e as qen që t’i mbrojë. Kurse ndërkombëtar që janë në rolin e luanëve, hyjnë e dalin në lojë dhe në situata sipas preferencave dhe faktorëve të kohës.
Mes dy popujve dhe dy shteteve nuk mund të ecet me dy standarde. Çdo do të thotë kjo? Që Tadic të vijë e të livadhis nëpër manastire, sikur ai me të vërtetë është një ortodoks i devotshëm dhe ministri kosovarë të mos hyjë në territorin e Preshevës, cila është e banuar nga shqiptarët. Si serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Preshevës, janë njerëz dhe si të tillë gëzojnë të drejta të barabarta të garantuar nga ligjet njerëzore ndërkombëtare dhe Zoti. Nuk besoj se Zoti don më shumë serbët dhe me pak shqiptarët!
Nëse këto proteste do të bëhen në kufi me Serbinë për të respektuar reciprocitetin, për të ndalur deskriminimin dhe poshtërimin e një populli kundrejt një populli tjetër, jam për reagim dhe bllokim se sa për heshtje dhe poshtërim. Për shkak të një paqeje, nuk mund të ketë mohim të të drejtave. Pa liri nuk ka paqe, dhe paqja bëhet duke respektuar njëri-tjetrin.