Sunday, October 30, 2011

Demokracia, pushtet i popullit


Alban Daci

Një sondazh i bërë në 2005 nga Gallup International mbi 50. 000 persona në 60 vende të botës, ka zbuluar se 63% e qytetarëve mendojnë se liderët politikë janë të pandershëm, 60% mendojnë se ato kanë në dorë shumë pushtet, 52% mendojnë se liderët politikë sillen në mënyrë jo etike dhe rreth 39% mendojnë se ato nuk kanë vizione dhe nuk janë konkurrues në aktivitetin e tyre si përfaqësues të qytetarëve.
Demokracia përfaqësuese, ose forma me të cilën qeveriset në pjesën më të madhe të Botës, po shfaqet gjithnjë e më shumë me limitet e saja. Mbështetësit e kësaj formë jo të drejtpërdrejtë të demokracisë, nënvizojnë se problemi është i përkohshëm, i shkaktuar nga disa rryma politike që u krijuan pas rënies së Marksizmit në vitin 1989.
Ndoshta, edhe kjo mund të jetë një ndër arsyet. Megjithatë, arsyeja kryesore ndoshta qëndron në ndryshimet e mëdha që kanë pësuar kushtet ekonomike e sociale gjatë gjysmë të shekullit që lamë mbrapa. Edhe në demokracinë e drejtpërdrejt qytetarët votojnë herë pas herë për të zgjedhur parlamentarët dhe Presidentin, të cilët pastaj i lënë t’i përfaqësojnë deri në zhvillimin e zgjedhjeve të radhës. Ekzaktësisht si tek demokracia përfaqësuese.
Duhet theksuar se në Shqipëri, Presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt me votën e qytetarit. Pra, ai nuk zgjidhet nga populli. Gjithashtu, me ligjin elektoral që ka sot Shqipëria, ku nuk garojnë kandidatët, por subjektet politike. Mund të themi pa frikë se Presidentin nuk e zgjedh Parlamenti, si institucioni më i lartë përfaqësues, por partitë politike. Pra, edhe këtë të drejtë themelore nuk e kanë në dorë qytetarët, por elitat politike, të cilat ndoshta jo vetëm nuk përfaqësojnë interesin qytetar, por mund të shfaqen edhe kundër tij.
Në demokracinë e drejtpërdrejtë ashtu si në demokracinë përfaqësuese qytetarët votojnë për të pasur përfaqësuesit e tyre. Por, në demokracinë e drejtpërdrejt, një grup zgjedhësish, nëse e shikojnë të arsyeshme një ligj të aprovuar nga Parlamenti ose që mund të pengohet për aprovim po nga Parlamenti e vendosin përmes referendumit popullor para gjykimit të qytetarëve.
Duhet të bëjmë dallimin mes referendumit dhe plebishitit. Plebishitet janë instrumente që përdoren nga diktatorët (Hitler, Pinochet…) dhe nga njerëz që janë të dashuruar pas pushtetit të fortë (Napoleoni, de Gaulle) të cilët e përdorin plebishitin për të legjitimuar pikërisht pushtetin. Referendumi i vitit 1978 në Kili, pas protestës së OKB ndaj regjimit të Pinochet. Në atë kohë klika, ushtarake në qeverisje gjoja pyeti popullin në se e mbështet këtë lloj qeverisjeje dhe rezultati doli 94-95% pro saj. Një plebishit kushtetues, që preku kushtetutën e vitit 1925, u organizua po aty, në vitin 1980 dhe përsëri me një votë pro prej 68.5% iu zgjat mandati Pinochet-it deri në vitin 1989. Tentativë për të forcuar një formë absolute të pushtetit në Shqipëri ishte edhe referendumi i vitit 1994 për ndryshimin e Kushtetutës, por që u hodh poshtë pasivisht nga qytetarët.
Referendumet dhe iniciativat popullore (ose qytetare) janë të shkruara dhe të iniciuara pikërisht nga qytetarët pas pasur nevojë për mbështetjen e qeverisë ose të politikanëve. Është një instrument që qëndron fort dhe i palëkundur në dorën e qytetarëve për të kontrolluar aktivitetin e qeveritarëve në veçanti dhe të vetë sistemit politik në përgjithësi.
Kampion në lidhje me referendumet është Zvicera, e cila që nga kushtetuta e 1848 deri në vitin 2006 ka organizuar 540 referendume federale dhe në nivel kantonal ka një shifër prej 10 referendume të organizuara për çdo vit. Duhet të theksuar, se jo vetëm Zvicera që me të drejtë mund të konsiderohet piedestali i referendumit, por të gjitha demokracitë perëndimorë, duke përfshirë në dekadat e fundit edhe vendet e Amerikës Latine, e kanë përdorur referendumin si një instrument popullor, për të zgjidhur çështje të rëndësishme në nivel lokal e kombëtar.
Edhe pse në këto vende referendumi po bëhet gjithnjë e më shumë një instrument çelës për demokracinë e drejtpërdrejt. Në Shqipëri, referendumi jo vetëm që nuk praktikohet, por është edhe i panjohur. Kjo na bën të mësojmë, se demokracia e drejtpërdrejt në Shqipëri nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston.
Koncepti bazë i demokracisë është: Të gjithë njerëzit, duhet të kenë pjesë të barabartë për të vendosur se si duhet të qeveriset vendi. Disa janë të pasur, disa të tjerë janë të varfër, disa janë të zgjuar, disa të tjetër me pak, disa e duan Zotin, disa të tjerë mund të duan një njeri të veçantë po sa Zoti. Nuk kanë rëndësi diferencat mes tyre, që të gjithë gëzojnë të drejta.
Po ta ballafaqojmë këtë koncept teorik me realitetet e vendeve demokratike të botës, ku të gjithë, përveç disa qindrave, nuk kanë funksione demokratike. Sistemi i demokracisë përfaqësuese është një sistem i lindur në shekullin e XIX dhe ishte i përshtatur për shoqërinë e saj kohe.
Në atë kohë shoqëria ishte e ndarë në mënyrë të qartë mes të pasurve dhe të fuqishme dhe një mase të madhe të varfërish që e kalonin kohën e tyre në fshatra e fabrika, ku fitonin sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Kishin pak mundësi të dinin se çfarë ndodhte në Botë. Edukimi ishte i rezervuar vetëm për të pasurit dhe gazetat ishin shumë të kushtueshme dhe kishin qarkullim të limituar për të informuar opinionin publik.
Sot britanikët janë sipas termave real 5 herë më të pasur se sa një shekull me parë. Amerikanët janë 6 herë më të pasur. Italianët 13 herë më të pasur. Kjo rritje reale e pasurisë bën të mundur që qytetarët të keni më shumë para për të kursyer. Kështu, shumë njerëz kanë më shumë mundësi të investojnë në aksione, të kenë një shtëpi, një makinë e kështu me radhë. Persona, që kanë pasuri të mëdha ndjehen më të pavarur, të cilët janë të prirur të kenë edhe ide fikse për politikat e tyre personale.
Edhe për sa i përket edukimit, gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Në shumë vende të Botës studimi i detyruar ka arritur deri në moshën 16 vjeç. Në Francë ka 60 herë më shumë studentë në shkollat e mesme se sa një shekull më parë. Në linja të përgjithshme numri i studentëve është rritur 50 herë më shumë se sa një shekull më parë. Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 33 herë më shumë studentë nëpër shkollat e mesme se sa një shekull më parë.
Një ndër ndryshimet më të jashtëzakonshme kanë ndodhur falë zhvillimit të teknologjisë digjitale. Me kompjuterin, internetin, celularin, aparatet fotografike dhe kamerat digjitale, pjesa me e madhe e popullsisë mund të njoh e të dijë sekondë pas sekondi atë që ndodh në Botë. Të gjithë këtë informacion jo vetëm mund ta kenë të disponueshëm në formë pasive, por edhe mund të jenë vetë krijues të tij, mund ta ndajnë si dhe ta komentojnë me një masë sa më të gjerë personash.
Këto tre faktor, pasuria, edukimi, informacioni bëjnë të mundur që qytetarët të japin një gjykim të arsyeshëm për çdo argument të caktuar. Nuk ka më asnjë lloj diference mes cilësi të një vlerësimi të bërë nga qytetarët dhe të një vlerësimi të bërë nga përfaqësuesit e tyre për një çështje të caktuar. Përkundrazi, nëse mendojmë në një botë reale, qytetarët zgjedhin më mirë se sa përfaqësuesit, sepse vendimet e tyre nuk mbështeten mbi korrupsionin, forcën e lobeve, në dëshirën për të bërë karrierë politike, në faktin se mund t’i përkasin një kaste të privilegjuar, që jo rrallë herë kanë shumë influencë për ato pak përfaqësues të zgjedhur.
Një faktor tjetër ka ndryshuar qartësisht gjatë epokës tonë. Për më shumë se një shekull, pjesa më e madhe e demokracive kanë pasur përplasje mes një partie marksiste dhe një liberale. Diferenca ideologjike ishte e dukshme: nga socializmi tek individualizmi, nga ekonomia e tregut tek ajo e përqendruara.
Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e të indologjisë komuniste, edhe partitë kanë ndryshuar emër e kanë modifikuar, le të themi, programet e tyre. Ideologjitë janë bërë më pak radikale, dhe diferencat janë më pak të qarta. Zbehja e ideologjisë ka pasur dy pasoja:
- Partitë po bëhen organizata gjithmonë e më të fuqishme;
- Personat kalojnë më shpesh sa në një parti tek një tjetër;
Partitë me kalimin e kohës, jo vetëm që nuk e mbështesin formën e demokraci së drejtpërdrejt, por e luftojnë atë, sepse ajo u kufizon pushtetin. Shembull tipik i kësaj sjellje është Shqipëria gjatë 20 viteve tranzicion. Nuk kemi qoftë edhe një rast të vetëm, ku një parti politike të ketë marrë qoftë edhe një iniciativë të vetme referendumi për një çështje të rëndësishme që prek interesat e qytetarëve. Ky është një argument më shumë për të vërtetuar, se partitë shqiptare dhe sistemi politik shqiptar nuk është demokratik.
Demokracia e drejtpërdrejt i bën zgjedhësit të jenë më efikas. U jep qytetarëve më shumë përgjegjësi komunitare dhe i ndihmon të sillen edhe në mënyrë më të përgjegjshme. Demokracia e drejtpërdrejt i bën më të mirë qytetarët, duke i shndërruar në të njëjtën kohë edhe në zgjedhës më të mirë.
Një ndër referendumet e para është ai konfederal i zhvilluar në vitin 1866, që u kërkonte qytetarëve nëse hebrenjtë duhet të kishin të drejta të barabarta për rezidencë. Qytetarët i përgjigjen pozitivisht kësaj pyetje. Ka shumë analistë, që mendojmë se demokracia për gjatë shekullit të kaluar është zhvilluar në një gjendje të bllokuar. Ka ardhur momenti që i gjithë procesit të riformohet duke përmbushur principin bazë të demokracisë: Demokracia është qeveria e popullit.

Thursday, October 27, 2011

Demokracia e munguar te partitë



Fjalim i mbajtur nga dot. mag Alban Daci gjatë prezantimit të platformës së Partisë Socialiste nga z. Arben Malaj.

Sot, sistemi politik shqiptar ndodhet në një krizë identiteti dhe funksionimi. Gjithmonë e më shumë po thellohet distanca mes politikës dhe qytetarit, ku ky i fundit jo vetëm ndjehet i braktisur, por edhe i marr peng nga njerëz që politikën e bëjnë për interesa të ngushta personale dhe jo për të mirën e përgjithshme.
Kush beson se kështu mund të demokratizohemi, do të thotë, se nuk ka kuptuar aspak se si funksion një shoqëri demokratike, ku protagonistët e saj nuk janë të përjetshëm, sepse vetë shoqëria është gjithmonë në ndryshim të vazhdueshëm dhe ka nevojë për ide të reja që i përshtaten kohës.
Në fillim të viteve ’90 shqiptarët kërkuan që Shqipërinë ta bëjnë demokratike dhe si Europa. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vjet tranzicion, ne duhet të bërtasim fort njëzëri Shqipërinë e duam demokratike dhe në Europë, sepse ajo nuk është e tillë.
Demokracia nuk ofrohet vetëm nga një pakicë dhe vetëm nga një formë mendimi. Alternativat e mendimit dhe pluraliteti i personave vetëm e shëndoshin më shumë demokracinë duke e bërë funksionale dhe të pranueshme nga të gjithë.
Nuk mund të ketë demokraci të njëanshme dhe për disa ose pak persona. Demokracia është e të gjithëve dhe duhet të ndërtohet me kontributin e çdo kujt duke formuar atë që quhet kontenitori qytetar i demokracisë.
Nuk mund të ketë demokraci pa respektimin e principit të meritokracisë. Sot, për shkak të politikës, meritokracia është një term i huaj.
Sot, për të bërë karrierë mjafton të kesh një mik, të kesh para, por jo vlera njerëzore, vizione për të ardhmen dhe dëshirën për të mbrojtur të mirën e përbashkët.
Shumë të rinjtë të talentuar sillen rrugëve nëpër Tiranë, ose edhe me keq largohen fare nga vendi, vetëm për faktin se nuk janë bërë pjesë e pazareve të rëndomta politike.
Ka ardhur momenti të bërtasim të gjithë njëzëri. Stop injorancës politike dhe po talenteve dhe njerëzve me vizione!
Të talentuarit kanë nevojë për Shqipërinë, por edhe Shqipëria ka nevojë për ta që të behet demokratike dhe Europiane.
Realiteti, shqiptar ka ndryshuar nga momenti, kur qytetarët dëgjuan për herë të parë parullën "rroftë demokracia", që pa e ditur dhe pa e studiuar asnjëherë më parë e morën të gatshme si diçka themelore që përfaqësonte lirinë e të vepruarit, të menduarit dhe të organizimit të jetës vetjake në raport me komunitetin ku jeton.
Format e komunikimit të shpejtë dhe modernë, si interneti e ka ndërgjegjësuar brezin e ri për t’i kuptuar, diskutuar dhe kritikuar shumë fenomene që ndodhin në shoqëri që kanë të bëjnë me jetën e secilit nga ne.
Kohët e fundit janë krijuar shumë site dhe mail-lista individuale apo kolektive, ku diskutojnë se si mund të qeveriset drejt prosperitetit një vend dhe si mund të drejtohet me ndershmëri dhe me efikasitet shoqëria për të qenë e denjë dhe kompetitive.
Një lëvizje e tillë për demokratizimin e Shqipërinë, do ta quaj unë, është kjo për të cilën ne jemi mbledhur këtë.
Është forca e kësaj lëvizje të udhëhequr nga z. Arben Malaj, që na rrit besim, se Shqipëria meriton dhe do të bëhet demokratike.
Forca e kësaj lëvizje është guximi ynë për të ndërtuar të ardhmen që meritojmë.
Vlera e kësaj lëvizje, është demokracia, forma më e lartë e mirëqeverisjes në botë.
Prandaj, duke marr guxim edhe nga prania jonë sot këtu, duhet të zgjohemi nga gjumi dhe të marrin fatin në duart tona.
Vetëm kështu do të jemi në gjendje të plotësojnë aspiratat tona demokratike dhe të plotësojnë obligimet që kemi kundrejt qytetarëve duke i përfaqësuar sa më drejt dhe mirë siç e kërkon edhe vetë demokracia.
Ka vite që flitet për reformim në institucionet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes politike, por në të vërtetë nuk ka ndodhur asgjë.
Gjithçka ka mbetur si më parë dhe e pa ndryshueshme, sepse ky reformizëm është përfaqësuar dhe ndërmarrë nga ato që risinë dhe reformën nuk e duan.
Si mund të ndodh reformimi, kur ai kontrollohet, drejtohet ose mund të orientohet nga lart për poshtë.
Si mund të presësh reformim të orientuar për nga risia, kur protagonistët janë me ide të vjetra dhe vizione të pa reforumuara.
Ne të rinjtë do të jemi zot të vetës dhe të vendit, vetëm kur të përfaqësojnë aksionet dhe idetë tona.
Të rinjtë do të jenë të vlefshëm jo vetëm për vetën e tyre, por për gjithë qytetarët dhe vendin, vetëm në momentin, kur të arrijnë të përfaqësojnë vetveten, kur të prezantohen vetë me formimin e tyre intelektual dhe jo të prezantuar vetëm për imazh nga të vjetrit nëpër mbrëmjet gala.
Vendi dhe shoqëria shqiptare ka nevojë për të renë, për ndryshimin, për prosperitetin, sepse këta janë elementët që garantojnë koherencën dhe të ardhmen e merituar, ndryshe nga ajo që kemi përjetuar deri tani.
Ne, përfaqësojmë rininë, jemi rritur duke studiuar demokracinë, kemi dashuri dhe përgjegjësi për vendin tonë.
Prandaj, duhet të jemi zot të aksioneve tona për të realizuar reformimin e duhur që ka për objekt realizimin e shoqërisë demokratike.

Sunday, October 23, 2011

Politikës shqiptare i mungonte edhe modeli “velina”


Alban Daci

Është bërë tashmë e modës, që politika shqiptare të imitojë dhe të përvetësojë nga modelet politike perëndimore anët negative. Pak ditë më parë, në një atmosferë totale të ngërçit politik në vend, diku në Durrës, na u prezantua nënkryetarja e re e Forumit Rinor Demokratik.
Ajo që vihej re, ishte fakti, se ajo u prezantua sikur të ishte një “mall stimulues” dhe jo ashtu siç duhet të ndodh në raste të tilla. Pra, të zgjidhej demokratikisht dhe pastaj të prezantohej si kandidati më mirë që mbart vlera intelektuale, sociale dhe që ka vizione për të bërë diçka konkrete në të mirë të shoqërisë dhe të vendit ku jeton. Një ditë më pas edhe në mediat e shkruara u komentua kështu ky event i radhës në politikë shqiptare: u prezantua si nënkryetare e FRD, “velina” e mirënjohur e ekranit shqiptar.
Për të gjithë ato, që nuk janë të informuar, “velina” është në Itali një fenomen që ka prekur shumë hapësira të jetës duke përfshirë edhe atë politike. “Velina”, në Itali është simbol i shfrytëzimit të imazhit të gruas vetëm për bukurinë që ka dhe seksualitetin që përfaqëson. Pra, simbolizon përdorimin e gruas, si objekt bukurie dhe jo për vlerat e rëndësishme që ka pasur që nga hapat e para të civilizimit njerëzor.
Gjithashtu, ajo që ra në sy, ishte fakti se “velina’, në fjalë thjeshtë u prezantua nga “shefat” dhe nuk u fol fare as për faktin, se nëse u mblodh ndonjë organ përfaqësues për ta zgjedhur, apo nëse u vendos të emërohej për ndonjë meritë të veçantë.
Intelektualët dhe qytetarët, të mërzitur nga ngërçi politik, flasin dhe diskutojnë, se si mund të dilet nga kjo situatë. Ndërsa, politika aktuale, mbledhë ca persona dhe në formë banale dhe jo demokratike, del në një konferencë duke na prezantuar një “velin”. Atëherë, nga ky akt lindin disa pyetje legjitime? A duhet të zgjidhen në mënyrë demokratike personat që duan të bëjnë politikë? E dyta, a nuk kishte persona të tjerë që me të vërtetë kanë dhënë kontribute të rëndësishme në shoqëri dhe kanë eksperienca shumë të mira profesionale? A duhet të përdoret gruaja si objekt seksual?
Sistemi aktual politik është jo demokratik, si në nivel forumesh rinore ashtu edhe në nivelin e zgjedhjeve të liderëve të "rritur”. Për të këtë mjaftojnë të citojmë dy raste më të freskëta: zgjedhjen e kryetarit të FRESH (më saktë do të ishte emërim i urdhëruar nga lart) dhe emërimi ose prezantimi i nënkryetares së FRD sikur të ishte një objekt seksual dhe asgjë me shumë. Ne duam ta bëjmë vendin tonë demokratik, kur vetë sistemi jonë politikë është autokratik dhe shumë herë edhe despotik, sepse nuk ka zgjedhje, por emërime.
Gruaja shqiptare në shoqërinë tonë dhe në formimin e shtetit ka një rol shumë të rëndësishëm. Gruaja shqiptare në të kaluarën ka qenë simboli i sakrificës, i dinjitetit, diturisë dhe dëshirës për të bërë progres në shoqëri. Prandaj, gruaja shqiptare nuk duhet të pranoj të përdoret politikisht nga meshkuj. Gratë shqiptare ashtu si edhe burrat shqiptarë, duhet të luftojnë përmes dinjitetit dhe diturisë për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian, drejt demokracisë së vërtetë perëndimore.
Gjithashtu, pa vënë në dyshim vlerat dhe aftësitë politike të kësaj “veline”, Shqipëria ka potenciale shumë të mira dhe të rëndësishme nga rinia, që jo vetëm meritojnë të jenë pjesë e politikës shqiptare, por energjitë e tyre dhe eksperiencat e tyre do të ishin të rëndësishme për realizimin e reformave dhe për integrimin e vendit në BE. Aty, ku nuk ka demokraci, nuk mund të ketë edhe vlera. Aty, ku ka emërime që kënaqin dëshirat e pak personave, ka vetëm devijim vlerash, abuzim me dinjitetin njerëzor.

Kriza e shtetit nacional dhe rendi botëror


Alban Daci

Shteti nacional po përballet me një krizë reale, sepse po mbaron “civilizimi” i punëtorëve dhe shteti keynesian. Shoqërimi i këtyre dy elementeve po prodhon fenomene perverse. Nga njëra anë ato prodhojnë hijen e tyre në luftërat e ndryshme që po zhvillohen nëpër botë dhe nga ana tjetër po ndihmojnë rilindjen e nacionalizmave (siç janë rasti i Francës, Gjermanisë, Ballkanit e në plot vende të tjera të botës) dhe të tribalizmave etnikë.
Ka gjithnjë e më shumë thirrje etnike, kur flitet për identitetet kulturor, e cila është e lidhur me një territor të caktuar e shpesh herë me karakter rajonal. Ky koncepti i “etnisë” duket të jetë çelësi i mirëkuptimit për proceset në vazhdim, atje ku “identiteti” nuk është vetëm një mirënjohje historike-kulturore, por edhe përkatësi e një “fati” të përbashkët ekonomik, që ka forcën për të kapërcyer kufijtë tradicional të shtetit nacional.
Përballë krizës së shtetit nacional, loja konsiston në formimin e një “nacionaliteti” të ri, që u referohet interesave ekonomike, të prodhimit, interesave financiare, interesave kulturore. Sot, shteti nacional nuk është më kontenitori ekskluziv i strukturave të prodhimit; nuk ka më funksionin e ndërmjetësuesit, siç e kishte më parë shteti fordist keynesian...ai shtet që duhet të ndërmjetësonte mes dy funksioneve të prodhimit, mes forcës së punës dhe kapitalit, dhe për këtë duhet të harxhonte shuma të mëdha me burime sociale, që të bënte të mundur ndërmjetësimin.
Pra, po flasim për një “nacionalitet të ri” të lidhur me “fatin” e përbashkët ekonomik. Prandaj, kemi të bëjmë me një rajonalizëm të ri dhe për këtë do të citojmë Revellin: “Hapet konkurrenca, jo më një konkurrencë mes kapitaleve, por një konkurrencë mes shteteve, për të luftuar për mbijetesë njëlloj si grupet e mëdha industriale”.
Kjo po ndodh edhe në nivele rajonale. Rajoni i Lyon-it, por ju ofron tashmë sipërmarrësve torinez kushtet e privilegjuara nga këndvështrimi fiskal, të infrastrukturës e kështu me radhë, që të shkojnë të lokalizohen në zonën e tyre. Nga kjo lëvizje e rajonit të Lyon-it shumë sipërmarrës piemontez po kalojnë të investojnë dhe të bëjnë biznes atje.
Situata ndërkombëtare jo vetëm për arsyet që thamë më sipër, është shumë më serioze se sa duket në pamje të parë. Sistemi ndërkombëtar po përballet me një krizë të jashtëzakonshme. Ai ndodhet përballë dilemës bipolare dhe multipolare. Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare jo vetëm për shkak të vështirësive që paraqet vetë studimi i sistemit, por edhe për faktin se përfaqësojnë interesa të ndryshme, nuk janë në gjendje të përgjigjen në mënyrë korrekte nëse sistemi aktual ndërkombëtar është bipolar apo multipolar.
Disa studiues jo amerikanë, dhe që janë kundër interesave të kësaj të fundit, që nga vitet ’70 kanë thënë se Shtetet e Bashkuara po pësojnë një rënie pikiatë. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, sipas kësaj rryme rënia e Shteteve të Bashkuara është bërë me e qartë. Sipas tyre, këtë fakt e konfirmuan edhe ngjarjet e 11 shtatori të 2001.
Gjithashtu, sipas këtyre studiuesve, mbarimi i Luftë së Ftohtë shënoi edhe mbarimin e bipolarizmit, sepse Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, në pah kanë dalë fuqi të reja të natyrës rajonale, të cilat po pësojnë rritje të madhe. Disa nga këto fuqi rajonale janë: Brazili, India, Kina, Turqia, Afrika e Jugut. Këto fuqi të reja, edhe pse janë rajonale, po përpiqen të fitojnë forcë dhe terren në ato vende ku forca e Shteteve të Bashkuara ka pësuar rënia, ose është vënë në dyshim. Pra, në një mënyrë apo, tjetër, këto fuqi nuk duan të jenë në këto momente kundërshtare në nivel global me Shtetet e Bashkuara, por thjeshtë të mbrojnë shtëpinë e tyre dhe të fqinjëve që i rrethojnë, duke luajtur rolin e kryetarit të shtëpisë në rajon.
Gjithashtu, ajo që mund të vihet re aktualisht në sistemin ndërkombëtar, është fakti se ka tendenca për autonomi nga rajone të ndryshme të botës. Çdo do të thotë kjo? Më parë çdo çështje rajonale, ose jo, në momentin final varej nga pozicion global i sistemit bipolar. Nëse më parë kishte probleme mes palëve në Lindje e Mesme, fati i tyre në fund do të varej nga politikat dhe pozicionet që do të mbanin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik. Pra, çdo lloj çështje rajonale, ose jo, më parë trajtohej dhe zgjidhej në mënyrë definitive vetëm në nivel global. Ndërsa, sot kemi tendenca autonomiste, ku fuqitë rajonale tentojnë t’i zgjidhin çështjet vetëm, pa pasur nevojë të referohen tek Shtetet e Bashkuara apo tek ish Bashkimi Sovjetik.
Aktualisht kemi një inversion mes dinamikave rajonale dhe globale. Në çdo kontekst rajonal, në fakt, është shkalla gjeografike e marrëdhënieve mes aktorëve që cakton kufijtë e shpërndarjes së fuqive të tyre: dhe vetëm një herë që dihet se çfarë dimensionesh posedojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, atëherë mund të përcaktohet, se cila do të jetë edhe zonë e influencës. Dobësimi i penetrimit të sistemit global mbi sistemet e ndryshme rajonale ka një efekt të dyfishtë paralel mbi marrëdhëniet e aktorëve. Nga njëra anë, pa paragjykuar shpërndarjen e fuqisë në nivel global, ajo bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme në nivel rajonal.
Në kontekstin e Luftës së Ftohtë, siguria e çdo aktori varej në instancën e fundit nga ballafaqimi mes burimeve dhe qëllimeve të pikërisht nënsistemeve globale të aleancave dhe atyre të nënsistemeve të armikut: siguria e Turqisë, Koresë së Jugut, Afrikës së Jugut dhe Izraelit, për shembull, vareshin në instancën e fundit nga qëndrimi dhe superioriteti i bllokut perëndimor në respekt me atë sovjetik. Në kontekstin ndërkombëtar aktual, liderët dhe qytetarët e vendeve të ndryshme i perceptojnë perspektivat e paqes, ose të luftës, si gjithmonë e më të pavarura me qëllimet e antagonistëve dhe partnerëve të lidhur në rajonin e tyre, e gjithmonë më pak të lidhur me burimet dhe qëllimet e tjerëve jashtë rajonit.
Mekanizmat e garancive të jashtme të së kaluarës – protektoratet, aleancat bilaterale dhe multilaterale, premtimet informate- humbin besueshmëri ose, të paktën, kanë vështirë të jenë të projektuara në mënyrë definitive për të ardhmen, me rezultat për të inkurajuar aktorët, ose për të garantuar sigurinë në mënyrë autonome, ose në konkurs me partnerët lokalë.
Po t’i rikthehemi edhe një herë çështjes nëse sistemi aktual ndërkombëtar është akoma bipolar, multipolar. Siç thash, kemi arsyetime/qëndrime të ndryshme, që ndryshojnë sipas interesave që përfaqësojnë.
Për shembull, Kissinger thotë, se:
“Në botën e pas Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara janë e vetmja superfuqi që ka mbetur me kapacitetin për të ndërhyrë në cilëndo pjesë të globit. Ai shkon më tej, duke thënë, se mungesa e një ideologjie sunduese, si dhe rreziku strategjik u jep liri kombeve të ndjekin politikën e jashtme, të bazuar gjithnjë e më shumë në interesin e tyre kombëtar imediat. Në një sistem ndërkombëtar të karakterizuar, ndoshta, nga pesë ose gjashtë fuqi të mëdha dhe nga një shumicë shtetesh të vegjël, rendi do të duhet të lind pak a shumë siç ka lindur në shekujt e kaluar, nga një pajtim dhe balancim i interesave kombëtar konkurrues.
Fareed Zakaria shkruan në librin e tij “Bota pas-amerikane”:
“Në planin politiko-ushtarak vazhdojmë të jetojmë në një botë me një superfuqi. Por, në çdo dimension tjetër- industrial, financiar, arsimor, kulturor- shpërndarja e fuqisë po zhvendoset duke iu larguar dominimit amerikan. Kjo nuk do të thotë se tani më po futemi në një epokë anti-amerikane. Por do të thotë që po shkojmë drejt një bote post-amerikane, drejt një bote të përcaktuar dhe të drejtuar nga shumë vende e shumë popuj”.
Ndërsa Dominique Moisi në pjesën ‘Bota në vitin 2025’ të librit “Gjeopolitika e emocioneve’, ja si shkruan: “Parashikimi i Pol Kenedit (Paul Kennedy) mbi rënien e perandorisë amerikane, kur ai e publikoi atë në vitin 1987, ishte i parakohshëm. Ai u bë realitet në vitin 2025. Si rezultat, një Amerikë e dobësuar nuk ka më as forcën ushtarake dhe as mjetet diplomatike për të qenë kombi i domosdoshëm, siç ka qenë që nga viti 1941”. Kjo e fundit edhe pse mbetet thjeshtë një parashikim duke analizuar faktet historike, i mbetet po historisë për të na dëshmuar të vërtetën dhe atë që do të ndodh në të ardhmen e afërt dhe të largët.

Sunday, October 16, 2011

Europa, shqiptarët dhe nacionalizmi provincialë

Alban Daci*

Situata aktuale e Europës për shkak të krizës ekonomike është jo kritike, por e lëkundur. Nuk them kritike, sepse duke pasur parasysh të kaluarën e saj, ajo ka treguar se është në gjendje të kapërcejë momente edhe më të vështira, se sa kriza ekonomike. Për të vërtetuar këtë mjafton të citojmë dy konfliktet e mëdha botërore. Nga këto konflikte Europa doli e shkatërruar materialisht, e rrënuar ekonomikisht dhe humbi shumë jetë njerëzish, por shpresa e saj për të siguruar një të ardhme më të mirë jo vetëm nuk u shua, por u forcua edhe më me shumë bindje përballë realiteteve të reja të shfaqura nga koha dhe të përfaqësuar nga hapësira.
Gjithashtu, nga ekstremet e majta dhe të djathta europiane po shfaqen rrezikshëm nacionalizmat rajonal, ose të themi më mirë “patriotizmat provincial”, të cilat edhe pse tani nuk janë në nivele shqetësuese ndërkombëtare, nëse do të tolerohen, ashtu siç ndodhi edhe me aventurën e Hitlerit, do të jenë një kërcënim real për të ardhmen e gjithë Europës. Nacionalizmat provincialë janë shumë të pranishme në gjithë Europën dhe për shkak të krizës ekonomike që po përjeton ajo, mund të përfitojnë terren gjithnjë e më shumë.
Për shembull, një formë e ekstremizmit provincial është partia dhe lëvizja “Lega Nord” (në shqip “Lidhja e Veriut”) në Itali. Kjo, lloj lëvizje mbi burime të deformuar historike, beson në ekzistencën e një populli padan. Lideri historik i kësaj force, Umberto Bossi- një model modern i Hitlerit- ka shfaqur ide të ndryshme, duke ofenduar herë pas here elementet përbërëse të shtetit nacional italian. Vetëm pak kohë më parë, duke shfrytëzuar krizën e aktuale ekonomike të Italisë dhe të vetë Europës, ka kërkuar se ka ardhur momenti që populli padan të vetëvendos për vetën dhe nuk mund të mbajë më në shpinë italianët e Jugut.
Pra, mjaftojmë të analizojmë radikalizmin e deklaratave të Bossi-t, për të kuptuar se lëvizja e tij dhe të tjera si ajo, po përfitojnë shumë terren në Europës, për shkak të situatës të lëkundur ekonomike. Nacionalizmat provincialë po shfaqen fuqishëm edhe në Ballkan, të cilët, në ndryshim nga vendet e tjera të Europës Perëndimore, nuk përfaqësohen nga lëvizje të vogla të disa pakicave qytetare që mendojnë ndryshe, por nga vetë shtetet nacionale.
Në Ballkan, ndryshe nga Europa, nacionalizmin provincial e bëjnë shtetet nacionale përmes politikave të tyre të brendshme dhe të jashtme. Në Ballkan, përfaqësuesit më të mirë të kësaj politike provinciale, janë serbët dhe shteti i tyre nacional, të cilët përmes politikës së tyre të jashtme agresive po përpiqen të rifitojnë kohën e humbur në Kosovë. Ata, mendojnë akoma sot që përmes barrikadave dhe bojkotit të bëjnë invazione ekonomike dhe politike agresive mbi Kosovën.
Nuk mungojnë edhe raste të tjera, ku shtete nacionale të Rajonit, përmes konjukturave dhe grupeve të interesit, të besojnë mbi nacionalizmin provincial dhe ta përdorin atë me shpresën se mund të gllabërojnë përsëri territore të huaja. Kjo është një mendësi jo vetëm e vjetër, por edhe shumë e rrezikshme. Pra, çdo lëvizje politike, apo edhe shtet nacional që pretendon, se mund të përfitojë territore apo influenca në Ballkan duke përdorur në formë të deformuar kartën nacionaliste, është jashtë kohe dhe rrezikon të zhytet në reaksione zinxhirë që ofron vetë historia.
Duke pasur parasysh këtë lloj panorame, që shfaqet në Europë, duhet t’i rikthehemi dhe t’i referohemi Federalizmit Europian. Më të famshmit dhe më të rëndësishmit e Federalizmit Europian, janë padyshim intelektualët italian, si: Spinelli, Rossi, Albertini. Është e rëndësishme të theksojmë, se qëllimi dhe impenjimi i federalistëve italian ishte dimensioni mbinacional i federalizmit. Ato luftuan për një Europë ndryshe, jo të mbyllur në kafazet e shteteve nacionale, por të hapur duke krijuar një sentiment të ri që do t’u përkiste të gjithëve, i cili do të emërtohej “Europianizëm”. Europianizmi i Spinelli-t, nënkuptonte krijimin e Shteteve të Bashkuara të Europës përmes një asambleje kushtetuese europiane. Në terma më të thjeshtë, përkthehej, se për shkak të kaluarës së përgjakshme, vendet europiane duhet të bashkoheshin në një shtet të vetëm dhe të përbashkët europian nën formën federaliste.
De Gasperi, në kohën e tij, shkruante: “Nuk është e vërtetë që limitimi i mjeteve që ne disponojmë na shtyn neve të jemi në favor të krijimit të Europës së Bashkuar”. Të integrohesh në Europë, para së gjithash do të thotë krijimi i një projekti të mirëfilltë politik, që duhet të ketë një valencë të rëndësishme, si të brendshme ashtu edhe të jashtme. Vendosja e lidhjeve më të ngushta mes vendeve të Europës, do të thotë se Europa do të jetë më e bashkuar nga brenda dhe më e fortë nga jashtë. Ne, shqiptarët, duhet të bëhemi pjesë e këtij projekti të madh politik nëse nuk duhet të margjinalizohemi brenda një strofulle të ngushtë dhe të pasigurt, siç është shteti nacional, ose forma e deformuar e tij “nacionalizmi provincial”.
Ballkani dhe Shqipëria kanë shumë nevojë për federalizmin europian dhe doktrinën e tij. Federalizmi, që në formën e tij të parë të realizuar konkretisht me krijimin e shteteve të Bashkuara të Amerikës, u krijua si një kundërreaksion ndaj despotizmit, si një liri kundër nacionalizmit agresiv; formë bashkëpunimi mes shteteve kundër formës konfliktuale dhe të përgjakshme, që kishte prodhuar shteti nacional me format e tij; pushteti të ishte sa më pranë qytetarëve dhe jo në dorën e burokratëve, siç ndodhte tek shteti nacional.
Amerika është karakterizuar tradicionalisht, mbi të gjitha, nga shpresa. Historia e saj mbështetet në një shpresë pothuajse mesianike; një besim te Amerika si toka e shpëtimit, çlirimit dhe fillimeve të reja. Ndërsa Europa e shek. XX u ndërtua mbi idenë e kapërcimit të historisë. Ne, shqiptarët, duke mbështetur fort europianizmin modern, duhet të ringjallim shpresën tonë, e cila është anëtarësimi me të drejta të plota në Europë. Ndërsa, vetë Europa duhet të punojë dhe të shpresojë jo vetëm për të harruar të kaluarën, sepse kjo tashmë është arritur, por për të formuar të ardhmen, që janë Shtetet e Bashkuara të Europës.

* Autori është anëtar i "Lëvizjes Federaliste Europiane"

Friday, October 14, 2011

Idetë europiane

Alban Daci

Jean- Jacques Rousseau ishte për një “paqe të përsëritur” përmes arsyes dhe kontratës sociale: ishte një shoqëri, që ishte Europa, në të cilën ishte uniformiteti që anulonte në një far mënyre, karakteret e vërteta nacionale.
Saint Simon në 1814 në Paris do të shkruante: “ Do të vij një moment, ku të gjithë popujt e Europës, do të binden që më parë të rregullojnë problemet e përgjithshme se sa të mbrojnë interesat nacionale: atëherë dhimbjet do të bëhen më të vogla, paqartësitë do të qartësohen, luftërat do të shuhen; dhe drejt këtij objektivi ne kërkojmë të shkojmë”. Bobbio do e cilësojë veprën e Simon si: “guximin e parë për një shoqëri mbinacionale, e cila edhe pse nuk ka akoma karakteret e një shteti federal në kuptimin rigoroz të fjalës, shkon shumë më përtej se sa sistemi konfederal i shteteve”.
Frederico Chabod: “Atje ku më parë njerëzit e kulturës dhe të nderit ishin ndjerë europian para se të ndjeheshin italian, francez apo gjerman, sot ndjehen në mënyrë ekskluzive vetëm italian, francez apo gjerman”. Hyjnia e re është shteti nacional, i cili bëhet armik i çdo iniciative për homogjenizim, bashkëpunim dhe paqe mes popujve.
Poeti gjerman Heinrich Heine, rrëshqet mes idesë të integrimit të popujve të Europës dhe inspirimit të një vëllazërie universale. Megjithatë, ai nuk arrin të largohet nga primati gjerman për realizmin e këtyre ideve.
Viktor Hugo: “ Do të vij dita ku Franca, Rusia, Anglia dhe më vonë Gjermania, të gjitha nacionet e kontinentit, pa humbur cilësitë e veçanta dhe krenarinë personale, do të bashkohen ngushtësisht në një bashkim më superior, i cili do të ndërtoi vëllazërinë europiane. Do të vij dita ku Shtet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtetet e Bashkuara të Europës, do të zgjasin duart mbi dete për të shkëmbyer prodhimet e tyre, tregtinë, industrinë, artet, gjenitë për të përmisuar krijimin nën vëzhgimin e Krijuesit”.
Megjithatë ideja e integrimit europian nuk bëri progres të madh në periudhën e të fundit të Tetëqindtës dhe në vitet e para të Nëntëqindtës, sepse skena politike europiane ishte e dominuar nga një tendencë rritëse për të marrë sa më shumë territore në cepat e Botës. Kjo ishte periudha që Europa e kishte vëmendjen më të madhe drejt jashtë kufijve të saj, se sa për çështjet e brendshme siç ishin konfliktet, interesat ekonomike, apo format reale të bashkimit në një formë të vetme shtetërore.
Ideja europiane që duhet të predikojmë sot, nuk duhet të jenë për një Europë të mbyllur kundrejt askujt, por për një Europë të hapur për të gjithë, një Europë ku njerëzit mund lirisht të vlerësojnë kontrastet dhe idealet. Europa duhet të jetë shpresa dhe guximi real, ku forca e bashkimit do të jetë një garanci për të kaluar momentet e vështira dhe guximi për të ardhmen do të jetë një fitorja mbi të tashmen e vështirë. Idetë e personaliteteve dhe individëve të shquar ëndërruar Europën e Bashkuar, politikanët dhe statistët ,hap pas hapi, e shndërruan këtë ëndërr në një realitet.

Thursday, October 13, 2011

Demokratizimi i sistemit politik është çelësi i Integrimit


Alban Daci

Shqipërisë iu refuzua statusi për në Europë. Progres-raporti i Komisionit Europian vlerëson, se Shqipëria, ka bërë progres të kufizuar në mbushjen e kritereve politike për anëtarësimin në Be. ‘Numërimi i diskutueshëm i votave në zgjedhjet e 8 Majit shtoi polarizimin politik mes mazhorancës dhe opozitës. Ka pasur shqetësime për pengim të hetimit për 21 Janarin.”
Shkaku kryesor i mospranimit të statusit nga ana e BE-së mbetet, padyshim situata politike në vend, e cila është kapur për gryke nga ngërçi, konflikti. Politika shqiptare në 20 vitet e fundit ka qenë gjithmonë konfliktuale. Jemi të gjithë dëshmitarë në këto 20 vite, se për shkak të politikës konfliktuale, jo vetëm, që nuk kemi ecur përpara, por kemi kaluar momente tragjike. Ky konflikt partiak 20 vjeçar është i simbolizuar nga binomi PD-PS, të cilat kanë qeverisur duke alternuar njëra-tjetër, por pa sjellë asgjë të re në formën e përfaqësimi dhe të qeverisjes.
Gjithashtu, Progres-raporti nënvizon faktin, se Shqipëria nuk ka bërë hapa të rëndësishme në mirëfunksionimin e Parlamentit, reformën zgjedhore, në funksionimin e Ekzekutivit, administratën publike, sistemin Gjygjësorë etj. Me pak fjalë i gjithë sistemi qeverisës dhe përfaqësues shqiptar nuk plotëson kushtet për anëtarësim në BE.
Ashtu si Pozita dhe Opozita janë përpjekur të fajësojnë njëra-tjetrën për mosmarrjen e statusit. Në të vërtetë faji është i të dyjave. Politika ka ekzistuar që kur u shfaqen komunitetet e para njerëzore dhe ajo realizohet nëpërmjet njerëzve për rregullimin e marrëdhënieve të tyre. Njerëzit në shoqëri të caktuara kanë mendime të kundërta, dëshira dhe interesa të ndryshme, dhe nevoja konkurruese, të cilat natyrshëm çojnë në “mosmarrëveshje për rregullat sipas të cilave njerëzit duhet të jetojnë”. Nga ana tjetër, që të ndikojnë mbi këto rregulla ose të sigurohen që këto rregulla zbatohen, njerëzit duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, ata duhet të ‘veprojnë në marrëveshje” midis tyre. Pra, domosdoshmëria e politikës lind nga karakteri kolektiv i jetës njerëzore.
Gjithashtu, sipas Aristotelit, politika nënkupton administrimin e qytetit për të mirën e qytetarëve, përcaktimin e një hapësire publike në të cilën të gjithë qytetarët marrin pjesë. Politika shqiptare në njëzet vjeçarin e fundi që nga hapat e para të saj, nuk ka vepruar në formën e një marrëveshje, për një të mirë më të madhe, siç është ajo e qytetarëve dhe e vetë vendit. Kjo nënkupton faktin, se politika shqiptare ka jetuar dhe ka vepruar sikur të ishte një trup i huaj brenda jetës kolektive qytetare të vendit. Këtë e vërteton fare mirë fakti, se politika duke ndjekur vetëm interesat e saja të ngushta për pushtet ka lënë gjithmonë pas dore dhe në shpërfillje jetën qytetare dhe përfaqësimin e interesave të tyre.
Politika Integrimit Europian, duke u nisur nga e kaluara jonë izoluese si dhe nga aktualiteti i proceseve ndërkombëtare, është dhe duhet të konsiderohet politikë kombëtare. Pra, përtej interesit të ngushtë për pushtet të politikës shqiptare, ka diçka më të madhe dhe më të rëndësishme për të mirën e përgjithshme. Kjo padyshim është integrimi i Shqipëri në Europë. Fakti, se ne përsëri morëm një “JO” të madhe për hyrjen në Europë, vërteton edhe njëherë faktin se Politika shqiptare jo vetëm që nuk mbron interesin e përgjithshëm, por është hapur kundër tij për hir të interesit të saj të ngushtë për pushtet.
Për shembull raporti nënvizon ndër të tjera faktin, se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në reformën e administratës publike, ku një ndër problemet me serioze mbetet padyshim rekrutimi pa meritë në shërbimin civili. Mjafton të analizojmë këtë fakt për të kuptuar se sistemi aktual politik shqiptar nuk është në gjendje ta integrojë vendin në BE.
Në njëzet vitet e fundit rekrutimi në administratën politike është krejtësisht mbi baza politike dhe jo në respektim të principit të meritokracisë. Politika shqiptare ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë jo mbi bazën e reformave, vizione dhe programeve, por mbi militantizmin alla shqiptar, të tipit agresiv dhe injorantë.
Për sa kohë politika shqiptare do të jetë në funksionon të parimit të militantizmit injorant dhe jo mbi bazën e profesionalizmit dhe meritokracisë, ne nuk do të kemi kurrë një reformë serioze në administratën shtetërore ashtu siç na e kërkojnë organet e BE-së,
Prandaj, që Shqipëria të hyjë në Europë, duhet të reformojë më parë sistemin politik, duke e bërë atë demokratik dhe transparent. Nuk mund të vazhdohet më me binomin e vjetër dhe të shterur PD-PS, sepse ato kanë vërtetuar në kohë, se nuk mund të reformohen nga brenda dhe nuk mund të realizojnë një politikë në shërbim të mirës së përbashkët të qytetarëve. Ne, tashmë kemi nevojë për vizione të reja politike, me protagonist të rinj, të cilët politikën e bëjnë për të përfaqësuar dhe mirë qeverisur të mirën e kolektive të qytetarëve.
Nuk mund të kemi një demokraci të shëndosh, nuk mund të shkojmë në Europë, nëse kemi një sistem politik, i cili jo vetëm që nuk është demokratik, por është edhe qartazi kundër interesave të vendit dhe të qytetarëve.
Ngërçi politik, i cili pa kuptim që po zgjat prej shumë kohësh, jo vetëm ndalon ashtu siç bëri Integrimin e Shqipërisë në BE, por e paralizon të gjithë vendin në realizimin e reformave dhe në progresin e vazhdueshëm ekonomik. Ngërçi, politik ka rritur shumë tek qytetarët urrejtjen kundrejt politikës, duke i larguar ato gjithmonë e më shumë prej saj. Kjo pakënaqësi e akumuluar, për një kohë të gjatë, pa gjetur rrugë shprese për shpejtim, mund të bëj të mundur rritjen e tensionit qytetarë, që në mënyrë krejt të natyrshme mund të reagojnë edhe me forma të dhunshme dhe jo të pranueshme kundër politikës, pa dallime ideologjike.
Prandaj, sa më shpejt që të jetë e mundur, gjërat duhet të ndryshojnë në politikën shqiptare që gjerat të mos bëhen problematike dhe me pasoja dramatike për të gjithë. Nuk dua ta pranojë, edhe pse pak a shumë situata e ngërçit të politikës shqiptare e shikoj të ngjashme me atë që njihet si periudha e “Plumbit” në Itali. Diku në një të përditshme, lexova se një OJQ kishte bërë thirrje për rekrutim ushtarak kundër “diktaturës’. Nuk e di pse, por kjo më ngjason shumë me Brigadat e Kuqe në Itali, të cilat në emër të proletariatit bënë terror duke marr peng dhe vrarë edhe Aldo Morën, Kryeministrin italian të asaj kohe.
Shpresoj dhe uroj, që gjërat në vendin tonë të mos shkojnë në këtë kah të papranueshëm dhe krejtësisht jo demokratik. Megjithatë, nëse ngërçi do të fillojë të jetë pengesë për të mirën e të përgjithshme të qytetarëve, gjithçka mund të ndodh, sepse është instinkti natyror i mbrojtjes kundër asaj që njihet si e keqe.
Nevojën për reformim e politikës shqiptare e nënvizoj edhe Ambasadori i BE-se Sequi, i cili tha se: Shqipëria ka edhe një shans të fundit në dhjetor për marrjen e statusit. Kjo nënkupton faktin, se para muajit dhjetor parashikohen se në politikën shqiptare do të ndodhim ndryshime të cilat automatikisht do të ndryshojnë edhe ekuilibrat aktual të pushtetit. Le të themi, se thirrja e Ambasadori, nënkupton një “PO” për vazhdimësinë e ndryshimeve në politikën shqiptare. Pra, nëse në politikën shqiptare do të jenë të njëjtët subjekte dhe protagonist edhe në dhjetor e kemi të garantuar “JO-në” për statusin.

Tuesday, October 11, 2011

Shqiptarët, ideatorë të konfederatës së parë Evropiane


Nga Alban DACI*

Beqir Valteri ideoi dhe publikoi, që më 1929, idenë e Konfederatës Ballkanike me 10 shtete


Në kujtesën popullore dhe në literaturën historike matjani Beqir Valteri identifikohet si atentatori ndaj Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve. Por, ai s’ishte vetëm kaq....

Kush ishte Beqir Valteri?


U lind në Mat, në një familje shumë të njohur. Qe deputet në parlamentin e regjimit të Zogut. Ishte anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, që drejtohej nga Avni Rustemi. Udhëtonte shpesh jashtë vendit, veçanërisht në Francë dhe në Austri. Ai, për shkathtësinë dhe zhdërvjelltësinë e tij, në rrethet politike njihej si “djaloshi ekstravangt” dhe “djaloshi i gjesteve heroike”. Për mos pajtim me politikat zogiste ai, megjithëse të dy qenë matjanë, e qëlloi Mbretin e Shqiptarëve me revolver brenda në Parlament. Kjo ndodhi më 23 shkurt 1924. Pas plagosjes në krah, Zogu dha dorëheqjen si kryeministër dhe këtë detyrë e mori Shefqet Vërlaci. Beqir Valteri u arrestua, por si kushëri i Zogut , që ishte, me ndërhyrjen e Nënës Mbretëreshë, ai u dënua, por u dëbua në Itali. Atë kohë e sot, analistët thonë e shkruajnë se ai këtë akt e kreu me porosi të Avnit Rustemit, që u vra jo shumë kohë më pas, por vetëm dy muaj më pas, më 23 prill 1924. U dënua dhe u pushkatua nga komunistët më 1945, si eksponent i Ballit Kombëtar dhe kushëri i Ahmet Zogut. Në atë kohë, nga analistët stili i tij i të formuluarit konsiderohej si revolucionar.

Shqiptarët i përkasin një kombi vital, me një histori të lavdishme, që nga pellazgët e deri më sot. Ky popull ka nxjerr shumë figura të shquara në fusha të ndryshme jo vetëm në vendin e vet, por edhe jashtë tij, nëpër botë.
Askujt nuk mund t’i shkonte ndërmend, se edhe ideatorët e parë për federatën e parë evropiane janë shqiptarët, por ja që kjo është e vërteta. Dhe këtë ide e hodhi publikisht Beqir VALTERI. Kjo gjë ndodhi në vitin e hershëm të 1929-ës.
Në atë kohë Beqir Valteri ndodhej në Francë. Kishte kontakte me rrethe politike shqiptare e jo shqiptare, përparimtare për kohën. Në këtë periudhë ai shfaqet jo vetëm si gazetar, por edhe një ideator e predikator.
Ai dëshiroi dhe kërkoi bashkimin e të gjithë ballkanasve në një organizim të përbashkët, që ai e mendoi si konfederatë.
Ideja e një federate për ballkanasit ishte hedhur më parë nga Rusia Sovjetike, e cila botonte në Vjenë edhe një gazetë të titulluar “Federacioni Ballkanik”. Ndërsa Beqir Valteri formën e organizmit të përbashkët, të një “çatie të madhe” ballkanike nuk e konceptoi si federatë, por si një konfederatë, brenda së cilës kompetencat e çdo shteti do të ishin më të madha dhe gjithashtu edhe sovraniteti i tyre do të ishte më pak i kufizuar, pikërisht ashtu si është sot për çdo shtet anëtar brenda Bashkimit Europian.
Kur ishte në Paris, më 1929, ai i drejtoi një memorandum të gjatë presidentit të SHBA, Hooëer, ku i përshkruan idenë e tij për këtë konfederatë dhe kërkon haptazi ndihmën dhe mbështetjen e SHBA për realizimin në praktikë të kësaj ideje të një bashkimi ballkanik.
Një vit më vonë, më 1930, një memorandum të tillë i dërgoi edhe Konferencës Ballkanike, të mbledhur në Athinë. Edhe kësaj konference ai i shpjegoi idenë e tij dhe mënyrën se si mund të realizohej kjo ide.
Si presidentit Hooëer, dhe Konferencës Ballkanike, ai u paraqiti edhe një flamur të dizenjuar posaçërisht në bashkëngjitje me idenë e tij të Konfederatës Ballkanike. Këtë flamur ai e ideoi dhe e realizoi në Paris, në vitin 1929. Në atë vit, dhe më pas, ky flamur që mbante autorësinë e Beqir Valterit është botuar në të gjithë gazetat ballkanike të kohës. Flamuri, në atë kohë u cilësua si një sajim i bukur, i qartë dhe i motivuar. Vetë fusha e flamurit u realizua me ngjyrë të kuqe, ndofta duke pasur parasysh se realizimi i kësaj konfederate ishte shumë i vështirë, ashtu si ishte shumë e vështirë edhe mbrojtja e saj, në rast realizimi praktik, i bindur se kjo gjë mund të realizohej me gjak dhe sakrifica të përbashkëta.
Mbi fushën e kuqe të flamurit, 10 shtetet pjesëmarrëse në këtë konfederatë i paraqet secilin me një rreth me ngjyrë të kaltër, brenda të cilëve ishte vendosur një yll i bardhë me 5 cepa. Të gjithë këta rrathë të kaltër, ngjyra botërore e shpresës, me yjet brenda janë vendos në formën rrethore mbi fushën e kuqe të flamurit, pikërisht ashtu si janë vendosur sot yjet në flamurin aktual të Bashkimit Europian, me të vetmin ndryshim se tani këto yje janë vendosur mbi fushën blu të flamurit.
Dhjetë shtetet e mundshme pjesëmarrëse në këtë konfederatë ishin :Turqia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria, të cilat së bashkua, në atë kohë llogariteshin me rreth 60 milion banorë.
Kjo ide e guximshme e Beqir Valterit, në atë kohë e sot, nderon shqiptarët dhe Shqipërinë. Ai ishte i pari ballkanas, që ideoi bashkimin e ballkanasve në një konfederatë dhe i pari që dizenjoi edhe flamurin e kësaj konfederate, pikërisht si ky i sotmi i Bashkimit Europian.

Ç’ndodhi pa publikimit të idesë së Beqir Valterit për konfederatën ballkanike?
Një vit më pas, në tetor 1930 u mbajt në Athinë Konferenca e parë Ballkanike, punimet e së cilës përfunduan me krijimin e Lidhjes së Turizmit Ballkanik.
Një vit tjetër më vonë, në tetor 1931, u mbajt dhe Konferenca e Dytë Ballkanike, në Stamboll. Në këtë konferencë Lidhja e Turizmit Ballkanik mori formë definitive. Gjithashtu, në këtë konferencë u vunë themelet edhe për të tjera marrëveshje ndërballkanike. U krijua Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Ndërballkanike, e cila përmblidhte komunikacionin detar dhe kultivimin e duhanit. U fol edhe për komunikacion tokësor dhe u vu në udhë edhe kjo çeshtje.

Pse Beqir Valteri e shihte si zgjidhje Konfederatën Ballkanike dhe si e mendonte atë?

Në një artikull të botuar në një të përditshme të atyre viteve, Beqir Valteri shkruan: “Gjer kur ballkanasit do të jetojnë në grindje e gjakderdhje? Kjo do të marrë fund vetëm kur të bashkohemi me njëri-tjetrin, nën hijen e një flamuri të përbashkët. Duhet të pranojmë: o të gjithë të lirë e të respektuar, ose të gjithë të vdekur me nder. Jo vetëm të respektojmë të drejtat e njëri-tjetrit, por edhe të ndihmojmë njëri-tjetrin në çdo rast që lypet.
Kemi ballkanas, që të dalun nga mentaliteti i një shovinizmi, duen të bahen të mëdhenj në dam të fqinjve.
...Popujt e vegjël, në duen indipendencë, mund të quhen indipendentë vetëm tue i bashkue forcat e tyne në një organizim të përbashkët, dhe, në duen me u dallue mbi të tjerët, superioritetin tyne duhet ta shohin vetëm më sjellje të mira dhe në vepra kulturore të tyne.
Bashkimi duhet të bahet në formën e një Konfederacioni, ku të gjithë popujt mundin me u rregullue në frymën e ligjet e tyne.”



* Autori i këtij shkrimi është dhe autori i librave “Europa dhe shqiptarët” dhe “Europa në marrëdhëniet ndërkombëtare” .

Friday, October 7, 2011

Fatin e kemi në duart tona…

Alban Daci

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, një ditë më parë deklaroi, ndër të tjera, se 20 vjet pas rrëzimit të komunizmit Shqipëria ndodhet sërish në udhëkryq.
“Është në duart tuaja, të shqiptarëve. I përket Shqipërisë të përcaktojë të ardhmen dhe për këtë duhet të bëjmë zgjedhjet e drejta, në mënyrë që bashkërisht të shpiem përpara integrimin e Shqipërisë në BE”,- u shpreh Arvizu gjatë fjalës së tij të mbajtur gjatë konferencës të organizuar në nder të marrëdhënieve 20 vjeçare shqiptaro-amerikane.. Ai tha se rruga më e mirë dhe e drejtë për nderuar miqësinë tonë është vazhdojmë përpara gjatë rrugës që shtruam në vitin 1991-in.
“Ajo rrugë udhëheq drejt një demokracie të gjallë të patundshme, institucione të forta, dhe të pavarura, një shtet ligjor dhe begati ekonomike. Ajo rrugë udhëheq drejt integrimit të Shqipërisë për në BE” tha Ambasadori i SHBA-ve.
Po të analizojmë me qetësi fjalët e Ambasadorit të SHBA-ve dalin në pah shumë të vërteta. Ai nënvizon, se fati Shqipërisë është në dorën e shqiptarëve. Çfarë nënkupton kjo? Që ne, shqiptarët, ndoshta deri tani nuk e kemi pasur në dorë fatin tonë dhe perspektivën e vendit tonë. Prandaj, ka ardhur momenti, që të reflektojmë, duke u bërë zotë të vetës dhe të vendit tonë.
Gjithashtu, mund të kuptohet, se fati ynë në këto vite tranzicioni klasa politike jo vetëm nuk na ka përfaqësuar, por nuk na ka pasur as në konsideratë. Kjo, nënkupton se politika duhet të rinovohet përditë, duke respektuar proceset e jetës, të demokracisë dhe të rrotacionit politik dhe duke promovuar persona të rinj, që jo vetëm janë të denjë për të na përfaqësuar, por që kanë një dashuri të madhe për Shqipërinë, vendi i së cilës duhet të jetë vetëm BE.
Gjithashtu, ai nënvizon, se për të forcuar më tej miqësinë mes dy vendeve duhet të ndërtojmë shtetin ligjor, institucionet e forta, të pavarura, dhe begatinë ekonomike. Nga këto fjalë del në pah qartazi fakti, se ne, deri tani nuk kemi asnjërën nga këto kritere për të forcuar në një fazë akoma edhe më të avancuar marrëdhëniet me SHBA-të.
Shteti ligjor, demokracia dhe begatia ekonomike janë të gjithë elementë që, nëse do të ishin, tashmë të pranishëm, do të bënin që jeta e qytetarëve shqiptarë të ishte më e mirë, me më shumë dinjitet dhe në të njëjtën kohë më e lumtur. Gjithashtu, nëse ato do ekzistonin tashmë, Shqipëria do të kishte jo vetëm një pozicion fortë dhe të denjë me SHBA-të, por do të kishte bërë hapa shumë të rëndësishëm edhe drejt integrimit në BE.
Është e vërtetë se Shqipëria dhe shqiptarët e morën rrugën e demokracisë, të hapjes me SHBA-të dhe të integrimit në BE, në fillim të viteve ’90. Edhe pse starti i shqiptarëve për ndryshime të mëdha në vend ishte shumë entuziast, ai u venit rrugës, derisa arriti në një pikë ngërçi, siç është sot. Pas 20 vitesh tranzicioni, akoma ne dhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në vend flasin për shtetin ligjor, për begatinë ekonomike, për kryerjen e reformave që do të përshpejtonin procesin e integrimit në BE.
Kjo është jo vetëm absurde, por është edhe e papranueshme. Dihet gjithmonë, se kur ndodhin ndryshimet e mëdha sociale, edhe pse e reja e zëvendëson të vjetrën, nuk arrin ta përjashtojë menjëherë e plotësisht nga çdo aspekt social. Megjithatë, nga vitet ’90 kanë kaluar plot 20 vjet dhe ne, akoma e trajtojmë demokracinë sikur të ishte një foshnjë e sapolindur, pa harruar se ajo tashmë nuk mund të konsiderohet as në moshën e adoleshencës.
Nuk mund të pretendojmë, se Shqipëria sot duhet të jetë si Gjermania, SHBA-të apo vendet e tjera perëndimore, por nuk mund të pranojmë në të njëjtën kohë që vazhdojmë të mbetemi mbrapa edhe shumë vendeve të rajonit të Ballkanit. Pra, ne nuk mund të krahasohemi me atë që historikisht është quajtur Europa Perëndimore, që mbetet jo vetëm një ëndërr, por edhe një model për t’u imituar. Por, ne duhet të pretendojmë dhe të kërkojmë të krahasohemi me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit.
Nëse, ne radhitemi edhe pas këtyre vende, duhet të shqetësohemi dhe duhet të ndjehemi keq. Pra, ne nuk duhet t’ia lejojmë vetes, që të vazhdojmë të radhitemi gjithmonë në vendet e fundit, kur bëhet fjalë për rritjen ekonomike, për demokratizimin e vendit, për plotësimin e standardeve të vendosura nga BE-ja.
Sot, flitet se Shqipëria po humbet shanset e mëdha për integrimin në BE dhe kjo po ndodh vetëm për shkak të politikës në vend. Ëndrra europian ishte ajo që zgjoi në fillim të viteve ’90 ndjenjën tonë për demokraci dhe për të rrëzuar regjimin e vjetër totalitar. Edhe sot, pas 20 vitesh, procesi i integrimit në BE mbetet vetëm një ëndërr për qytetarët dhe një dështim total për politikanët. Disa herë është nënvizuar jo vetëm nga unë, por edhe nga intelektual të tjerë, se qytetarët shqiptarë janë hapa përpara në krahasim me klasën politike. Madje një gjë të tillë e deklarojë edhe presidenti Topi dje gjatë konferencës në nder të marrëdhënieve 20 vjeçare mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.
Gjithmonë historia ka treguar se është e vështirë të edukosh një popull të tërë drejt një të ardhme më të mirë. Çdo popull ka të kaluarën e vet dhe sistemet apo ndryshimet nuk mund të dalin jashtë kësaj panorama. Ndërsa, në rastin e Shqipërisë, populli është i edukuar me demokraci, me europianizmin dhe amerikanizmin, ndërsa klasa politike, për fatin e keq, nuk ka përvetësuar asnjërën nga këto. Në këtë rast, është më e lehtë për vendin tonë. Pasi, elitat politike ose klasat politike të çdo vendi nuk janë të përhershme. Ato mund dhe duhet të zëvendësohen nëse nuk janë në një linjë me qytetarët e tyre.
Aktualisht klasa politike shqiptare dhe ngërçi i prodhuar prej saj jo vetëm nuk janë në një linjë me qytetarët, por krejt kundër interesave të tyre, sepse në këto çaste shqiptarët dhe Shqipëria kanë interes parësor integrimin e plotë në BE dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me SHBA-të. Për këtë arsye, ashtu siç thotë edhe ambasadori Arvizu, fatin e kemi në duart tona. Ne thjeshtë duhet ta posedojmë atë për të përfaqësuar interesat tona dhe të vendit tonë. Ne duam një vend demokratik, duhet të luftojmë për ta ndërtuar atë. Ne duam të shkojmë në Europë, duhet të çojmë në shtëpi klasën politike kur ajo është e papërgjegjshme që të ndodh. Duam begatinë ekonomike, duhet të luftojmë për transparencë dhe për reformat të thella. Duam të kemi shtet ligjor, duhet të bëjmë më demokratik sistemin e përfaqësimit dhe të vendimmarrjes.

Wednesday, October 5, 2011

Libri "EUROPA NE MARREDHENIET NDERKOMBETARE"


PARATHËNIE NGA ARBEN MALAJ


Mirëpres çdo mundësi të veçantë për të nxitur dhe promovuar studiues të rinj të talentuar të vendit tim, që të jenë sa me aktivë në diskutimet, debatet publike dhe botimet shkencore për të sfidat e vendit të tyre, ku, pa dyshim, e ardhmja europiane e Shqipërisë është më shumë se kurrë jo thjesht një ëndërr.
Sot kam kënaqësinë të shkruaj parathënien për këtë botim të Alban Dacit, studiues i talentuar dhe i përkushtuar në shkencat politike.
“Europa në Marrëdhëniet Ndërkombëtare“ është një rrëfim i historisë së politikës ndërkombëtare europiane, i pasuruar në çdo moment me qëndrimin e autorit, i cili na përfshin në horizontin e tij të mendimit gjeopolitik për të analizuar disa nga etapat më të rëndësishme për formësimin e Europës së sotme.
Mbështetur në një larmi vlerash të burimeve e re-ferencave, ky botim e sjell Bashkimin Europian në dimensionet dhe hapësirat historike, që kanë ndikuar në mendimin social-politik për një solidaritet europian në shërbim të prosperitetit paneuropian.
Paktet dhe ekuilibrat historike sillen në vëmen-djen e lexuesit me një natyrshmëri fluide, duke analizuar dhe qëndrimet politike të liderëve europianë.

Stili publicistik me të cilin është përshkuar “Eu-ropa në marrëdhëniet ndërkombëtare“, e bën tërheqës dhe më interesant për lexuesin sistemin në të cilën ka lindur dhe është zhvilluar embrioni i Europës së Bashkuar për të evoluar në përshtatje me dinamikat e zhvillimit global, gjithnjë duke ruajtur e rritur rëndësinë e saj specifike, politike e ekonomike, në rendin e ri botëror.
Një analizë e kujdesshme politike i është bërë qëndrimit të Europës si union në marrëdhënie me Turqi-në, Sirinë dhe Izraelin, duke nxjerrë në pah rëndësinë e ndërsjelltë që ka korrelacioni mes konflikteve dhe progresit ekonomiko-politik për formacionin heterogjen europian.
Ky botim ka një vlerë të veçantë, sepse botohet në momentin më kritik të Bashkimit Europian, që prej themelimit të tij. Kriza globale financiare, kriza borxheve e disa prej vendeve anëtare të eurozonës, mungesa e vendimmarrjeve të rëndësishme rreth sfidave te BE-së, e kanë rritur entuziazmin cinik të euro-skeptikëve.
Historia e Europës së Bashkuar është një histori suksesi e inspiruar nga personalitete të kulturës euro-piane, e përqafuar nga liderë e vendimmarrës europianë të pas Luftës së Dytë Botërore, e çuar përpara në momente kritike të saj nga liderë vizionarë.
Filozofia e Europës së Bashkuar e shndërroi kontinentin e luftërave dhe konflikteve të përgjakura, në kontinentin e shpresës, paqes dhe prosperitetit. Sot lidershipi politik europian gjendet përballë përgjegjësisë që jo thjesht ta shpëtojë Europën e Bashkuar, por ta zhvilloi dhe “imponoi“, si modelin më të mirë të eliminimit të konflikteve dhe luftërave në zhvillimet e ardhshme gjeopolitike globale.
Ish Ministri i Jashtëm Francez Schuman, një prej ideatorëve dhe mbështetësve të Europës së Bashkuar, në prag të lindjes së këtij projekti na paralajmëroi, se BE nuk do të ishte një projekt, që do ndërtohej sipas një kalendari hapash dhe afatesh, por një projekt, që do të rritej duke u bazuar në sukseset e çdo hapi konkret.
Presidenti i BE-së, Romano Prodi, do të theksonte se BE nuk është një projekt i shkëlqyer, por është një projekt, që po inspiron liderë të shumë rajoneve të botës të ndjekin të njëjtën filozofi të zëvendësimit të luftërave dhe konflikteve me paqen dhe zhvillimin.
Pak ditë më parë, ish Ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, do të ishte i drejtpërdrejt në mesazhin e tij kritik për lidershipin aktual evropian, duke theksuar se përballë krizës aktuale të BE-së, ne na duhet më shumë dhe jo më pak Europë.
Mbështetja e madhe publike e gjithë shqiptarëve për të ardhmen e tyre europiane duhet plotësuar me njohjen më mirë të historisë dhe sfidave së BE-së, me njohjen më mirë të përfitimeve afatgjata, duke paguar edhe kosto jo të lehta në momente të caktuara të kësaj sfide historike.
Njohja e historisë së BE-së, qartësimi i sfidave të së ardhmes, është përfitimi më i madh publik i këtij botimi.
Autori ka mbajtur qëndrime individuale në analizën e fakteve historike dhe të kontributeve të persona-liteteve kryesore europiane. Ai ka këndvështrimin e tij për momente të veçanta në historinë e Bashkimit Europian dhe për tendencat historike të marrëdhënieve me vende të ndryshme.
Diversifikimi i analizave nga këndvështrime edhe të studiuesve të rinj, rritja e mundësive për të diskutuar dhe debatuar për momentet historike të së shkuarës dhe sidomos për sfidat e së ardhmes së BE-së, përfaqëson një kontribut cilësor të studiuesit Alban Daci për lexuesit dhe studiuesit shqiptarë.
Jo rastësisht e kam lënë të paprekur çdo analizë të autorit në këtë botim, sepse duhet t`ia besojmë lexuesit vlerësimin përfundimtar për këtë kontribut jo të fundit të Albanit.

Monday, October 3, 2011

Politika aktuale dhe alternativa e re


Nga Alban DACI

Aktualisht politika shqiptare, edhe pse në versionin e mbylljes në strofkën e saj, është përfshirë në një mekanizëm të pandalshëm tsunami. Tsunami në jetën e përditshme njihet si një tmerr, sepse gllabëron dhe shkatërron gjithçka që gjenë përpara. Ndërsa, në politikë tsunami ka vetëm kuptim pozitiv, sepse ndryshimi i herëpashershëm sjellë vetëm shëndoshje të demokracisë. Liberalizmi, si princip bazë të tij ka ndryshimin dhe lëvizjen e vazhdueshme.

Pra, një vend që pretendon të jetë demokratik, do të fillojë të shqetësohet, nëse gjerat shkojnë në rrjedhën konstante, pa ndryshuar asnjëherë as formë e as vizione. Megjithatë, duke pasur parasysh karakterin tranzicional të politikës shqiptare – as peshk e as mish- duhet të bëjmë kujdes me lëvizjet e bëra në formë vizionesh dhe tsunamesh.

Pak ditë më parë, ashtu siç pritej nga shumica e intelektualëve dhe qytetarëve, presidenti Topi deklaroi se do të kthehej në jetën aktive politike me një forcë të re të djathtë. Duke analizuar ngjarjet e pas 21 janarit, të cilat, padyshim mbeten një njollë e zezë dhe një turp për politikën shqiptare, ishte e kuptueshme se z. Topi nuk mund të rikthehej përsëri pranë ish partisë së tij. Deklarata e z. Topi ka dy anë të medaljes. Njëra, e cila nuk është pozitive, tregon faktin se partitë e “vjetra” shqiptare mbeten të vjetra në vizione dhe ideologji.

Fakti se z. Topi nuk mund/dëshiron të kthehet tek ish partia e tij, do të thotë se tek kjo parti ka mungesë të theksuar demokracie. Largimi i z. Topi vazhdon të forcojë edhe më tej idealin se në politikën shqiptare çdo alternativë ndryshe nga aktualja, edhe kur është pozitive nuk është e mirëpritur. Nga ana tjetër, largimi i z. Topi nga PD-ja dhe kthimi i tij me një forcë të re të djathtë, do të thotë se demokracia shqiptare po tenton të dal nga qorrsokaku që është, për t’u bërë më e gjerë, me më shumë vizione. Pra, me pak fjalë, dëshiron të thyej tabunë e tradicionales për t’u bërë bashkëkohore. Sistemi politik shqiptar ka nevojë për forca të reja politike, të cilat duhet të ndërtohet mbi baza absolutisht të reja dhe të shkëputen nga e kaluara.

Nuk ka më kuptim që fraksionet e një partie, për shkak të interesave të ndahen/largohen dhe të krijojnë parti të tjera të reja vetëm për interesa të ngushta, por pa sjellë asgjë të re në sistemin e tërë politik shqiptar. Për shembull, jemi mësuar që nga PD-ja e vjetër, të largohen grupe të vogla për shkak të interesave të ngushta dhe të krijojnë një parti të reja: siç ishte rasti i Partisë Demokratike të Re. Kjo parti, për veç faktit se ishin një grup të pakënaqurish nuk kishte asgjë të re. Këtë e tregoj fakti, se në momentit që interesat e humbura nga ky grup u rigjetën përsëri tek “PD-ja”, u rikthyen aty, pa bërë as autokritikë e as pa ngritur zërin për arsyen që ishin larguar.

I njëjti fenomen ka ndodhur edhe brenda të majtës, ku persona të ndryshëm brenda sistemit të vjetër, për shkak të pakënaqësive dhe interesave të humbura, janë larguar nga PS-ja, për të formuar më vonë parti të tjera si Socialistët e Vërtetë, Socialistët e ’91 e kështu me radhë, por pa sjellë asgjë të re në sistemin e përgjithshëm politik shqiptar.

Pra, në këto njëzet vite tranzicion politika shqiptare ka njohur vetëm tërmete të shkallëve të vogla, të cilët, të komanduar nga lart dhe të ngushtë në vizione nuk kanë sjellë asnjë ndryshim gjithëpërfshirës dhe të rëndësishëm për politikën shqiptare.

U bë kohë, tashmë, që z. Arben Malaj, është i pari dhe ndoshta ndër vetmit, i cili, edhe pse ka më shumë se 20 vjet në politikën shqiptare në rolin e protagonistit, ka kërkuar dhe ka ndërmarr fushatën për të demokratizuar sistemin partiak shqiptar. Është hera e parë, që një person me shumë peshë në politikën shqiptare dhe në mjedisin social shqiptar nuk kërkon një parti të re për ca interesa më shumë dhe për më shumë pushtet, por kërkon që sistemi aktual, edhe vetë partisa ku militon, të jetë më demokratik se sa ka qenë në këto 20 tranzicion.

Para ca ditësh në një të përditshme shqiptare, lexova me keqardhje kërkesën e një grupi të rinjsh, përfaqësues të FRESH, të cilët u kishin dërguar letër zyrtare përfaqësive më të rëndësishme diplomatike të akredituara në vend për t’u kërkuar ndihmë, sepse ndjeheshin të “kërcënuar”. Në të gjitha vendet demokratike perëndimore forumet rinore politike jo vetëm që nuk “shtypen”, por mbështeten shumë, sepse ato janë akademi të mirëfillta që do të prodhojnë liderët e së ardhmes.

Është sa keqardhje aq edhe e padurueshme, kur lexon faktin se të rinjtë e një ndër forumeve rinore më të rëndësishme politike në vend, kërkojnë mbështetjen e ndërkombëtarëve për ekzistencën e tyre. Letra e tyre nxirrte ca konkluzione jo pak të rëndësishme në lidhje me sistemin partiak shqiptar. Së pari, faktin se të rinjtë gjithnjë e më shumë po sensibilizohen me demokracinë dhe po e kërkojnë atë me çdo kusht. Së dyti, tregon faktin se për të rinjtë shqiptarë politika mbetet një mollë e ndaluar. Së treti faktin, se edhe për çështje fare të vogla e kemi humbur besimin tek vetja dhe kërkojnë ndihmë nga jashtë. Pra, sa herë që demokracia jonë sëmuret, ajo nuk mund të shërohet vetë, por kërkojnë ndërhyrje nga faktorët e jashtëm.

Megjithatë, letra e të rinjve të FRESH, dëshmon edhe njëherë faktin se të rinjtë shqiptarë e duan demokracinë dhe për ta bërë atë janë të gatshëm të ndërmarrin beteja politike. Lëvizja e FRESH është në sinkron të plotë me lëvizjen e ndërmarr nga z. Arben Malaj, i cili kërkon dhe insiston për një reformim të përgjithshëm të sistemit aktual shqiptar. Pra, ajo që kërkon z. Malaj është një tsnunam pozitiv politik e demokratik që pasi të rrëzojë mendësinë e vjetër, kërkon të ndërtojë vizione të reja, pa të cilat Shqipëria nuk mund të ecë para.

z. Malaj, në një ndër pikat kryesore të lëvizjes së tij, kërkon të heq principin e bojkotit nga politika shqiptare. Një kancer shkatërrues i politikës shqiptare në njëzet vjet tranzicion ka qenë pikërisht aplikimi i principit të bojkotit. Partitë europiane jo vetëm që nuk e aplikojnë më, por me statut e kanë ndaluar zbatimin e tij. Ne, sapo morën notën negative për t’u integruar në Europë, dhe një ndër standardet që nuk kishim plotësuar ishte fusha politike, ngërçi politik. Është e papranueshme që Shqipëria, pas njëzet vitesh tranzicion, të jetë pengë e politikës, duke mos ecur përpara në zhvillim dhe reforma.

Shqipëria është pjesë si gjeografike, ashtu edhe kulturore dhe historike e Europës. Ne nuk mund të qëndrojmë indiferent kundrejt Familjes së Madhe europiane, sepse atëherë do të ishim të përjashtuarit e kohërave. Së dyti, ashtu siç ka thënë Romano Prodi, Bashkimi Europian është përgjigjja më pozitive e globalizimit. Shqipëria, rajoni i Ballkanit dhe vetë Europa janë përfshirë totalisht në procesin e globalizimit.

Bashkimi Europian, ka vërtetuar më mirë se çdo gjë tjetër thënien, se “Bashkimi bën fuqi”. Për shembull nëse Greqia nuk do të ishte në BE, tani do të kishte falimentuar. Aktualisht, sistemi ndërkombëtar ka hyrë në një ndërvarësisë të thellë politike dhe ekonomike, saqë shtetet nuk mund t’i zgjidhin më të vetëm problemet. Këto dhe shumë arsye të tjera dëshmojnë se sa shumë rëndësi kombëtare ka për ne anëtarësimi në BE.

Lëvizja e z. Malaj, jo vetëm që është një alternativë e re, serioze dhe e domosdoshme, por është më e besueshmja, e cila do të na çonte drejt integrimit të vendit në BE, si dhe drejt reformimit të demokracisë shqiptare.

Aktualisht, lëvizja e z. Malaj është mes politikës aktuale, e cila me mendësitë e saja të vjetra po na mban në vend numëro duke na mohuar edhe integrimin europian dhe mes alternativës së re, e cila është zgjidhja më e mirë që ne të bëhemi europian dhe të ecim përpara në procesin e reformave dhe në demokratizimin e vendit.