Monday, July 25, 2011

Duhet të mendojmë ndryshe


Dr. Alba Daci

Shumë gjëra në Shqipëri nuk shkojnë ashtu si duhet, duke u nisur që nga mënyra e të menduarit dhe të bërit politik deri tek mënyra e të jetuarit. Megjithatë, ajo që më shumë më shqetëson dhe që ndoshta është më e vështirë të ndryshojë është mënyra se si mendojnë shqiptarët dhe si i shohin ata gjërat. Në Shqipëri është krejt normale nëse jep para për të zënë një vend punë; nëse merr një diplomë universitare pa frekuentuar qoftë edhe një ditë leksionet, pa mësuar edhe një faqe; në Shqipëri është normale nëse jep para në dorë mjekut për t’u kuruar; në Shqipëri është krejt normale nëse politikanët çdo ditë e më shumë vetëm pasurohen dhe qytetarët e thjeshtë diskutojnë bukën e gojës; në Shqipëri është krejt normale nëse faturat e energjisë elektrike janë të çmendura për nga shuma që duhet të paguhet në raport me atë që është konsumuar; në Shqipëri është krejt normale që politika të bëj ç’të dojë me jetën e qytetarëve dhe këta të fundit të mos reagojnë; në Shqipëri është krejt normale nëse të drejtat të shkelen dhe nuk ke mundësi të mbrohesh; në Shqipëri është krejt normale nëse je militant politik dhe në të njëjtën kohë injorant në profesion, të bësh një karrierë të mrekullueshme; në Shqipëri është krejt normale që politika të merret me çdo gjë, por jo me hallet dhe problemet e njerëzve të thjeshtë; në Shqipëri është krejt normale që edhe pse je i shkolluar me rezultate të shkëlqyera të Perëndim, të mbetesh pa punë, vetëm për faktin se nuk je pjese e sistemit.
Disa ditë më parë Pandeli Majko dha një intervistë të gjatë për një të përditshme shqiptare brenda të cilës ishte përpjekur me shpjeguar situatën politike në vend. Ndër të tjera ai thoshte, se njerëzit e kanë humbur besimin tek politika. Kjo është e vërtetë dhe është për të ardhur keq në të njëjtën kohë. Në 20 vitet e fundit politika shqiptare, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse se i ka trajtuar qytetarët si numër votash. Gjithashtu, Majko nënvizonte edhe për fenomenin e blerjes së votës nëpër fshatra. Ajo që viret re është fakti, se politika shqiptare jo vetëm nuk bën asgjë konkrete për të përmisuar jetën e qytetarëve, i cili duhet të jetë dhe misioni kryesor i saj, por përdor situatën e tyre të vështirë në formën e shantazhit për të përfituar një votë më shumë. Politika shfrytëzon “injorancën politike” të qytetarëve dhe mbi të gjitha situatën e vështirë ekonomike. Shume herë politika bën presion mbi qytetarin e thjeshtë për t’i marr votën pa i afruar asnjë alternativë konkrete për të ardhmen.
Jo rrallë herë vota i blihet qytetarit, për faktin e thjeshtë, se politika i premton atij një vend punë. Në të vërtetë vendi i punës atij duhet t’i sigurohet pavarësisht votës ose bindjeve politike që ai ka që duhet t’i shpreh lirshëm pa u ndëshkuar, sepse pretendojmë se jemi vend demokratik, ku secili mund të mendojë lirshëm dhe në të njëjtën kohë mund të shprehet lirshëm. Sot, për ta mbajtur vendin e punës, është çështje jo eksperience ose profesionalizmi, por është çështje e mirëfilltë politike.
Vendi i punës varet nga numri i votave që ke arritur të sigurosh në zgjedhjet e fundit dhe nga fakti nëse vota që ti ke siguruar janë për subjektin politik që merr statusin e Pozitës. Nëse ti me angazhimin tënd nuk ke arritur të sigurosh aq vota sa i ke premtuar “shefit”, e humb automatikisht atë dhe në të njëjtën kohë ndjehesh edhe i poshtëruar nga klasa politike që të rrethon, sepse sipas mendimit të përgjithshëm ti nuk di të bësh politikë.
Të bësh politikë, do të thotë të paraqesësh vizione dhe të kesh një ndjesë të madhe kolektiviteti. Votat duhet t’i fitosh nëse arrin me artin tënd korrekt politik t’i bindësh qytetarët se je një alternativë e besueshme dhe se në qendër të aksioneve do të kesh pikërisht jetën dhe të ardhmen e tyre.
Në Shqipëri, është ndryshe, sepse vota e qytetarit fitohet mbi bazën e shantazhit, sepse atij i jepet vetëm një alternative: o me ne, ose në kundërt je kundër nesh dhe merr statusin e armikut. Politika shqiptare është shumë larg qytetarit dhe botës së tij. Politika dhe qytetari janë dy botë krejt të ndryshme që rrinë larg njëra-tjetrës. Në Shqipëri ka qytetarë të varfër, por kurrë nuk ka politikanë të varfër; ka qytetarë të ndershëm, ndërsa është e vështirë të gjesh politikanë të thjeshtë; ka qytetarë të pa mbrojtur, por është e vështirë të gjesh politikan të tillë. Politikanët vetëm pasurohen dhe sistemojnë farefisin në të gjitha instancat shtetërore, ndërsa qytetarët e ndershëm dhe të talentuar, por pa mbështetje, sillen rrugëve në kërkim të të ardhmes të pasigurt.
Shqipëria është një vend, ku ulëritët shumë, bërtitet shumë, por asnjëherë një gjë e tillë nuk ndodh për të mbrojtur interesat e qytetarit, por thjeshtë për beteja të mirëfillta politike, për pushtet politik. Në 20 vitet e fundit kam vënë re thuajse gjithmonë që janë qytetarët që bërtas in në “tym” për politikanët dhe pushtetin e tyre. Nuk kam gjetur qoftë edhe një rast të vetëm, ku politika shqiptare të ketë ngritur zërin për qytetarin. Në Parlamentin shqiptar, i cili në të vërtetë duhet të jetë tempulli i demokracisë, ku duhet të jehoj zëri i qytetarëve, ka deputet që nuk u është dëgjuar zëri asnjëherë. Aty, ka persona të cilët statusin e deputetit e kanë jo për faktin, se me të vërtetë kanë pasion bërjen e politikës ose kanë dëshirën e madhe për të bërë vepra të mëdha humanitare, por thjeshtë për të mbrojtur interesat e tyre. Pra, jo rrallë herë ndodh në Shqipëri, që dikush edhe pse ka një injorancë të mirëfilltë, të bëhet deputetet, thjeshtë për të pasur edhe një çik “tangërllik politik”. Pra, të bëhesh deputetin tashmë është një lloj mode: “I kam të gjitha përse të mos jem edhe deputet”!
Regjimet totalitare kishin ushtritë e tyre personale, të cilat ishin të doktrinuara aq shumë sa ishin të gatshme të flijoheshin. Për shembull në Italinë fashiste ishin “kamishat e zeza” dhe në Gjermani ishin “SS”. Ndërsa në Shqipëri, secila forcë politike ka ushtrinë e saj të militantëve, të cilët janë të gatshëm edhe të flijohen edhe pa e ditur përse, nëse Partia ua kërkon një gjë të tillë. Pas, hijes së politikanëve, pronarët e vendit tonë , janë militantët partiak, të cilët janë në gjendje të bëjnë gjithçka dhe të kenë në dorë çdo gjë. Një militant i zotë, i besueshëm dhe i vendosur vlen në Shqipëri sa 100 qytetarë, sepse ai në çdo fushatë elektorale arrin të siguroi mbi bazën e shantazhin të paktën 100 vota. Një militant në Shqipëri, vlen sa shumë diploma, master dhe doktoratura, sepse ai për shkak të militancë së tij qorre arrin në pak kohë të kap majat e karrierës, të jetë zot i gjithçka dhe të mos ketë përgjegjësi për asgjë. 300 militantë në Shqipëri janë si 300 spartanët, sepse janë në gjendje të përmbysin një regjim ose ta mbajnë atë. Janë në gjendje ta bëjnë Shqipërinë nëse politika ua kërkon, ose ta shkatërrojnë nëse përsëri politika ua kërkon një gjë të tillë.
Është pikërisht kjo ushtri militantësh, të paaftësh që më në krye klasën politike po e pengojnë Shqipërinë të shkoi përpara. Ata, janë kundër çdo lloj reforme që bëhet në vend duke përmbushur standardet europiane. Ata, janë kundër çdo reformimi administrativ mbi bazën e meritokracisë, se atëherë automakisht ato do të ndjeheshin të përjashtuar. Prandaj, pavarësisht nëse është e Majta ose e Djathta në pushtet, për sa kohë do të ketë një lidhje trekëndore politikan-militant-votë, që përkthehet në politikan-paaftësi-pushtet, zor se do bëhet jo vetëm kjo reformë, por edhe reforma të tjera që janë të rëndësishme për modernizimin e vendit. Përsa kohë do të jetë kjo lidhje trekëndore, zor se Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Të këqijat e Shqipërisë vijnë pikërisht nga kjo lidhje trekëndore dhe nga forma e të menduarit me të cilën saldohet kjo lidhje.