PËRVEÇMËRIA DHE TRADITA ATDHETARE E PATRIOTIKE
E FISIT CANI TË DIBRËS
NËPËR FAQET E NJË LIBRI TË HISTORIANIT DHE PUBLICISTIT FATOS DACI
Nga Dr. ALBAN DACI
Më datën 17 tetor 2010, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë, të mbushur plot me intelektualë, krijues, politikanë e miq të librit nga Dibra, Luma, Mirdita, Lezha, Kurveleshi e Tepelena, u përurua libri më i fundit i autorit shumë të njohur dibranë, z.Fatos Daci- kryetar i Unionit të Krijuesve Dibranë, i titulluar “Burrat e kullës së Canit”.
Rreth vlerave historike e letrare të librit “Burrat e kullës së Canit” folën Mehmet Hasani- nënkryetar i Unionit të Krijuesve Dibranë dhe korrektor i librit, Isa Halilaj-studiues e historian me emër nga Kukësi, poeti Rustem Braha etj. Vlerësime e konsiderata të larta dhanë në diskutimet e tyre edhe publicisti e politikani Namik Dokle, përfaqësuesi i Shoqatës Mbarëkombëtare “Ali Pashë Tepelena”- z. Servet Tartari, Dr. Islam Cani-kryetar i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar, Mehdi Dervishi, Zef Rrozhani-gazetar e publicist i vjetër, Mevlud Buci-poet e studiues etj.
Historiani, shkrimtari e publicisti Fatos Daci, me një përvojë të gjatë 40-vjeçare në fushën e publicistikës, krijimit letrar dhe të botimeve, autor i 18 librave me peshë kryesore në historianë e Dibrës, ndër të cilat mund të përmendim: “Enciklopedia e Dibrës”, “Një shekull poezi dibrane”-Antologji e plotë e poezisë dibrane, “Skënderbeu i vërtetë”, “Historia e Arsimit Shqip në Dibër” etj., ka shkruar e botuar deri më tani gjithsej rreth 4000 faqe librash historikë që përfshijnë historinë 8000 - vjeçare të jetës njerëzore në Dibër, ka bashkëpunuar në mënyrë të suksesshme me pothuajse të gjithë gazetat ditore shqiptare me artikuj studimorë e problemorë; duke qenë njëkohësisht edhe botues e kryeredaktor i Gazetës “Dibra”.
Ndërkohë, vetëm në këtë vit, ka organizuar 6 takime publike me një pjesëmarrje të gjerë qytetare, tre nga të cilët janë mbajtur në sallën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ku kam qenë edhe unë i pranishëm, një në Qendrën për Kulturë të qytetit të Dibrës së Madhe, një në Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli” të qytetit të Peshkopisë dhe një në Sinë të Dibrës, te Muzeu i Kastriotëve, me rastin e ditëlindjes së Skënderbeut.
Këto aktivitete publike me interes mbarëqytetar, krahas disa emisioneve në radio e televizione të ndryshme, kanë qenë, në vijim e pandërprerje ashtu si dhe vitet e tjera, spektakle të vërteta dhe manifestime të mirëfillta të vlerave atdhetare e patriotike, kulturore e artistike të Dibrës dhe të dibranëve.
Ky autor, këto ditë botoi me sukses edhe librin e tij më të fundit në radhë të titulluar “Burrat e Kullës së Canit”-monografi historiko-letrare kushtuar fisit me shumë emër të Canit, në Zall-Dardhë të Dibrës, që fillesën e ka në fshatin Merskanë dhe pastaj degëzimet e tij i gjen edhe sot në Zall—Dardhë, Shënllesh, Soricë dhe Çidhën, si dhe në Tiranë e rrethinat e saj, Durrës, Krujë etj. ku kanë ngritur vendbanime të reja pas viteve ‘90.
Libri hapet me kapitullin që bën fjalë për vlerat patriotike e atdhetare të Dardhës, kësaj krahine me emër në Dibër e jashtë saj, për burrat dhe trimat dernjanë, të cilët përgjatë 100 viteve (1840 - 1944) janë përleshur me të gjithë pushtuesit e vendit tonë, si: turq, serb, austro-hungarez, malazez, bullgar, italian e gjerman, kudo që ata janë shfaqur, në të katër cepat e trojeve shqiptare. Ndaj, edhe varret e të rënëve nga kjo krahinë, në këto luftëra heroike, i gjen gjithandej dhe në të gjitha kohërat.
Trimat e Dadhës së Dibrës kanë luftuar me pushtuesit huaj në Qafë-Prush, Zhur, Carralevë, Kolesjan, Hot e Grudë, Ulqin e Tivar, Shkodër e Lezhë, Vlorë, Janinë, Dibër të Madhe e Shkup për të mbrojtur tërësinë tokësore të vendit tonë. Këta trima atdhetarë kanë luftuar jo vetëm në një territor shumë të gjerë, por dhe në një hapësirë kohore shekullore, si më 1844 në luftën kundër gjeneralit famëkeq Hajredin Pasha në Gjoricë të Dibrës, më 1879-1881 në deri në Ulqin e Tivar, më 1905-1912 kundër turqve në Dibër e në Lumë, më 1912-1921 kundër serbëve në Dibër, Lumë, Shkodër e Lezhë, më 1914-1918 kundër bullgarëve e austro-hungarezëve, me 1939-1944 kundër italianëve e gjermanëve në formacione të ndryshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Në ballë të kësaj lufte janë formatuar si prijës popullorë edhe burrat e Kullës së Canit, të këtij fisi që shkëlqen si një yll i ndritur në këtë krahinë atdhetare, duke filluar nga Rushit Cani, i cili mobilizoi Reç e Dardhë në luftën kundër Hajredin Pashës, duke vazhduar me Selim Canin-dëshmor i Atdheut, që luftoi kundër austro-hungarezëve dhe u vra prej tyre më 1916 në Lurë, kur ai, edhe pse ishte vetë i arrestuar luftoi të shpëtonte prej duarve të ushtarëve austriakë trimen Havë Kaca e duke ardhur deri tek Ramadan Maliq Cani, një burrë trim e me shumë autoritet në Dardhë e jashtë saj, që luftoi kundër italianëve e gjermanëve.
Faqe pas faqeje të librit shpaloset trimëria e pa shoqe edhe e luftëtarëve trima, si: Ramadan Mustaf Cani, Halim Lika (Cani), Xhafer Avdi Cani, Sulë Cani etj. Në libër janë rreshtuar edhe emrat e të gjithë djemëve të Canit, që luftuan kundër të gjithë pushtuesve të vendit, në Dibër e jashtë saj. Vend në veçantë në libër zë edhe Çeta e Vogël e Dardhës, e përbërë nga trimat Ramadan Maliq Cani, Man Çerpja, Hysen e Selim Sula, Mersim Gjoka e Tahir Ndreu, të cilët, më 1941 luftuan si heronj kundër 200 forcave të milicisë fashiste dhe mercenarëve të tyre dhe fituan mbi ta.
Edhe pushtuesit janë hakmarrë kundër këtij fisi luftarak e patriot. Këtë kullë burrash të Canit armiqtë e kanë djegur dy herë brenda 100 viteve. Herën e parë e dogjën hordhitë e turqve, rreth vitit 1850 dhe herën e dytë e dogjën milicët e mercenarët vendas më 1941. Por kulla, djemtë e burrat e saj rezistuan deri në vetëmohim,nuk u dorëzuan dhe as u mposhtën. Kulla, falë edhe ndihmës e mbështetjes së bashkëvendasve, u rindërtuar dhe u bë më e fortë. Ajo qëndroi me heroizëm përballë tallazeve e rrebesheve të kohës.
Gjithashtu, heroizmi i burrave të këtij fisi luftarak e patriot është e lodhur pa zgjidhmërisht edhe me luftën e trimave të Dardhës, që i mbështeti dhe i pati në krah gjithnjë. Prandaj, pothuajse të gjithë burrat e Dardhës që kanë luftuar e kanë marrë pjesë në të gjithë luftërat kundër pushtuesve emër për emër gjenden në faqet e këtij libri. Pra, libri është hartuar edhe si një kujtesë historike dhe si një homazh për gjithë atdhetarizmin dernjanë, për djemtë dhe bijtë e saj, që ranë si trimat në luftërat për çlirim kombëtar e shoqëror.
Kjo ka ndodhur për faktin se Dardha shquhet për unitetin vëllazëror midis të gjithë fiseve të Dardhës. Është fakt se në Zall-Dardhë për rreth 60 vjet nuk ka asnjë e vrasje e hakmarrje. Ky është një shembull unikal në Shqipëri, që duhet përgjithësuar. Për Zall-Dardhasit vlera e shoqit dhe e komshiut është e madhe dhe jeta e njeriut është e shenjtë. Tradita e Dardhës është një vlerë që duhet marrë si model dhe duhet studiuar.
Dardha, në të gjithë kohërat pa shtet, ose me shtet të lodhur e të dobët, është qeverisur nga të 15 –ët e Dheut, mbi bazën e ligjeve e normave zakonore krahinore të quajtura itifaqe ose besëlidhje. Në këtë 15 –she, në këtë këshill mbarëkrahinor, apo parlament popullor krahinor, bënin pjesë krerët e fiseve kryesore të Dardhës. Ndër to fisi Cani ka qenë anëtar i përhershëm në këtë 15-she, ndryshe nga fiset e tjera, ku njëri e ka marrë e tjetri e ka lënë këtë anëtarësi. Cani nuk e ka lëshuar asnjëherë vendin e tij, deri sa kjo formë vetadministrimi është shuar apo ka humbur vlerat. Edhe ky fakt tregon përveçmërinë e këtij fisi me burra jo vetëm trima, por dhe të mendjes, të kuvendit dhe të besës. Burrat të Canit kanë pasur dhe myhyrin e kryetarit.
Tjetër përveçmëri e këtij fisi është fakti se jo vetëm çdo periudhë historike ai ka pasur përfaqësuar e vet, por se edhe sot ky fis ka bijtë e tij të shquar në fusha të ndryshme. Prandaj, libri ka dhe një kapitull të ndërtuar me portrete individësh të shquar të këtij fisi sojli. Ndër ta mund të përmendim shkencëtarin e politikanin Shkëlqim Cani, Agim Canin- biznesmen e ish -kryetarin i Bashkisë së Kamzës, Njazi Canin-kryetarin e sotëm dhe të tri mandateve rresht të komunës së Zall--Dardhës, Besnik Canin- prokurorin e njohur, juristin Ramadan Selman Cani, biznesmenin Enver Cani etj.
Prandaj, libri faqe më faqe të tij përcjell mesazhe patriotike e atdhetare, mesazhe paqeje e solidariteti brenda fisit dhe ndërmjet fiseve e krahinave, mesazhe këto aq të rëndësishme edhe sot në periudhën e anëtarësive të Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Kjo gjë ia rrit dhe më shumë vlerat historike e letrare këtij libri të mirëpritur nga lexuesit jo vetëm dibranë.