Thursday, October 28, 2010

Duhet të ketë bisedime Serbi-Kosovë?


Dr. ALBAN DACI
Botuar, date 28.10.2010
Gazeta SHEKULLI

Në arenën ndërkombëtare, sidomos nga Bashkimi Evropian, flitet së shpejti mund të nisin bisedimet Kosovë-Serbi. Deri tani është folur se Serbia dhe Kosova duhet dhe do të hyjnë në bisedime, por asgjë më tepër nuk është në lidhje me këtë argument të rëndësishëm të nivelit ndërkombëtar.
Që nga fillimi i shekullit që lamë mbrapa, le të themi se me nisiativën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (nga vetë presidenti Willson) u bë kalimi nga diplomacia sekrete (fshehur) përfaqësuar nga pazaret politike në diplomacinë e hapur (publike) të përfaqësuar nga takimet e hapura, nga konferencat ndërkombëtare me dyer të hapura, si dhe për herë të parë filloi të ishte e pranishme edhe media, e cila pasqyronte gjithçka e çdo vendim që merrej.
Pra, sot në fillimin e shekulli të ri, në bazë të së Drejtës Ndërkombëtare, që është në fuqi, të hysh në bisedime me një vend fqinj nuk përbën ndonjë krim, përkundrazi, është një shenjë pozitive që mund të ndikoj në përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale, ose multilaterale (kjo varet nga numri i shteteve që përfshihen në bisedime dhe lloj i temave që mund të trajtohen).
Në linja të përgjithshme, çdo lloj forme bisedimi, ose takimi diplomatik, në vetvete mund të ketë një qëllim të mirë, atë të zgjidhjes së një situate të krijuar më parë. Megjithatë, rasti i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, është krejtësisht i ndryshëm nga normalja dhe e përgjithshme.
Këto bisedime, duke pasur parasysh edhe se të dyja palët janë shumë të rezervuara dhe se nuk japin asnjë informacion, mund të kenë disa veçanti. E para, këta bisedime mund të bëjnë pjesë tek diplomacia e vjetër e llojit sekret dhe do të jenë të mbyllura për qytetarët e të dyja vendeve. E dyta, të dyja vendet nuk flasin për këtë argument, sepse nuk kanë realizuar atë që quhet A-ja diplomacisë, që do të thotë se nuk kanë një agjendë fillestare me të cilën do të hyhet në bisedime. E treta, pala e Prishtinës është e papërgatitur për nga ana profesionale për të hyrë në këto bisedime dhe për këtë arsye nuk din ç’të thotë.
Për sa i përket pikës së parë, kemi të bëjmë me një rast, ndoshta, unik në llojin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Them kështu, duke pasur parasysh faktin se jemi në 2010, dhe ne këtë moment kohor, duke u nisur edhe nga fakti se Kosova pretendon të jetë vend demokratik. Kështu, çdo aksion i diplomacisë së shtetit të Kosovës që ka të bëjë me interesat e përgjithshme kombëtare, duhet të jetë transparent dhe i hapur për publikun. Shtetet demokratike, të paktën sipas “Teorisë së Paqes Demokratike”, duhet të bëjë bëjnë publik tek qytetarët çdo vendim dhe aksion të ndërmarr në nivel ndërkombëtar, si dhe duhet të marrin konsensusin e tyre në lidhje me vazhdimin e më tejshëm të tilla aksioneve ose vendimeve.
Unë, jam i sigurt se politikanët dhe liderët e shtetit të Kosovës janë në dijeni të asaj se çfarë të do të bisedohet me serbët. Gjithashtu, besoj se në dijeni janë dhe liderët e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve te Bashkuara. Ata, që duhet të jenë të parët në dijeni, por që nuk janë në të vërtetë, sepse vendos në tavolinë fati i tyre dhe duhet të jenë qytetarët e Kosovës, të cilët luftuan për vendin e tyre. Nuk ka ndodhur, të paktën kohët e fundit, në asnjë vend demokratik, që qeveria të jetë në prag bisedimesh të nivelit ndërkombëtar dhe që qytetarët të mos dinë asgjë se për çfarë do të bëhet fjalë.
Nga e ana e qeverisë së Kosovës, flitet se do të ketë vetëm bisedime të nivelit teknik. Fjala “teknike” është aq shumë e gjerë aq sa janë edhe vetë teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në diplomacinë e sotme, çdo lloj takimi diplomatik dy palësh, ose shumë palësh konsiderohet teknik. Çdo të thotë teknik? Teknik do të thotë që në një takim diplomatik, në një konferencë diplomatike ose në çdo lloj forme takimi ndërkombëtar mes shteteve, përfaqësues do të jenë teknikët e fushës për çfarë do të bisedohet. Për shembull, nëse do të diskutohet për bujqësinë do të marrin pjesë ministrat e bujqësisë e kështu me radhë.
Kam qenë dhe jam i mendimit se Kosova dhe Serbia duhet jo vetëm të hyjnë në bisedime, por edhe duhet të krijojnë marrëdhënie diplomatike dypalëshe. Kjo, sigurisht, duhet të ndodh me një kusht, që të dyja vendet të ulen në bisedime si dy shtete të pavarura, të barabarta,sepse diplomacia bashkëkohore pranon barazinë e shteteve si subjekte të së Drejtës Ndërkombëtare, pavarësisht madhësisë dhe fuqisë) për të krijuar brenda hapësirave të pranueshme marrëdhënie reciproke të fqinjësisë së mirë.
Gjithashtu, Kosova nuk duhet të ulet në bisedime pa praninë e Shteteve të Bashkuara, pa praninë e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian dhe pa praninë e ish UÇK (përfaqësues të së cilës sot janë liderë të rëndësishëm politikë në Kosovë). Autoritetet serbe po përpiqen me çdo kusht që të hyjnë në bisedime me palën kosovare, duke pasur si ndërmjetësues vetëm përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Këtë gjë nuk duhet ta lejoi pala kosovare. Jo se jam kundër përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, por duke u nisur nga fakte se Bashkimi Evropian akoma nuk ka një politikë të mirëfilltë të jashtme, sepse në këtë organizim shtetet anëtare kanë në dorë një sovranitet të fortë dhe për rrjedhojë politikat janë të ndryshme dhe jo koherente, mendoj se roli i SHBA-së do të ishte vendimtar.
Pavarësisht formatit të bisedimeve një rol mjaft të rëndësishëm dhe aktiv duhet të luaj edhe diplomacia e Tiranës. Kjo diplomaci mund ta luaj rolin e saj edhe në mënyrë të drejtpërdrejt, duke qenë e pranishme në tavolinën e bisedimeve. Shqipëria mund ta luaj rolin e saj edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejt, duke i dhënë palës kosovare këshilla teknike dhe diplomatike dhe duke bërë një fushatë aktive në mbështetje të palës kosovare në arenën ndërkombëtare.
Gjithashtu, në këto momente Kosova ndodhet në krizë politike, e cila mund të zgjidhet me realizimin e zgjedhjeve të menjëhershme. Për këtë arsye, mendoj se duhet të presim zgjidhjen e situatës së brendshme politike dhe pastaj fillimin e bisedimeve me Serbinë.
Pavarësisht se kush mund të dal fitues nga zgjedhjet e parakohshme kosovare (nëse do të ndodhin), ish përfaqësuesit e UÇK-së, që sot janë në politikë, duhet të jenë pjesë e delegacionit për bisedime.
Në lidhje me bisedimet, Kosova duhet të krijojë një delegacion kombëtar, në gjirin e tij duhet të jenë liderët më të rëndësishëm të politikës kosovare, pavarësisht faktit se kush është në pozitë dhe kush është në opozitë; duhet të ketë në gjirin e saj edhe përfaqësues të lartë të botës akademike (specialist të njohur të së Drejtës Ndërkombëtare), përfaqësues nga bota e kulturës, e shkencës etj.
Vetëm pasi të ketë realizuar një delegacion të tillë kombëtar, pasi të jetë konsultuar me SHBA-në dhe Bashkimin e Evropian për temat që do të hidhen ne tavolinë dhe pasi të hartuar një agjendë diplomatike, atëherë Kosova mund të hyjë në bisedime me Serbinë.
Pra, Kosova duhet të përgatitet dhe të jetë e gatshme të jap argumente dhe mendime për çdo do gjë do dhe do të thuhet. Gjithashtu, pala kosovare duhet të jetë e vendosur që të thotë jo dhe të mos hyjë në bisedime me Serbinë për çdo argument që cenon sovranitetin, Kushtetutën dhe territorin e saj.