Friday, May 7, 2010

Kurajë për ndryshim


Dr. Alban Daci

Kam studiuar historinë e sistemeve politike perëndimore dhe kam vite që vazhdoj të jetoj në Perëndim, por me thënë të drejtën nuk gjej asnjë krahasim apo ngjashmëri me sistemin politik shqiptar si dhe me ngjarjet që ndodhin në Shqipëri. Shqipëria është vendi i çudirave, i absurdeve, i tragjedive, i dëshpërimeve.
Është absurde dhe turpshme në të njëjtën kohë, kur dëgjoj, se deputet e «Opozitës Shqiptare» kanë hyrë në grevë urie, sepse kërkojnë të hapen kutitë e votimit. Po të vëzhgojmë me vëmendje, pjesa më e madhe e deputeteve të Partisë Socialiste, janë po të njëjtat figura që “triumfonin” me «Komitetet e Shpëtimit» për të “shpëtuar” “Shqipërinë e Jugut” nga “Shqipëria e Veriut”, për të Shpëtuar Vlorën nga Berisha, etj. Nuk jam prokuror, as gjykatës dhe Ministër Drejtësie për të hetuar figurat që përbëjnë sot politikën shqiptare si Majtas ashtu edhe Djathtas. Pastaj, nuk është e nevojshme të ngrihen komisione hetime të natyrës institucionale për të hetuar politikanët shqiptarë, sepse është vetë historia që dëshmon ngjarjet. Janë vetë qytetarët që dëshmojnë të vërtetën për aksion që kanë kryer politikanët shqiptarët në emër të luftës për pushtet politik personal.
Megjithatë, ajo që mua më bën të shkruaj dhe të reagoj përmes fjalëve të mia, është fakti, se në asnjë vend demokratik nuk kam parë, studiuar dhe dëgjuar, që persona me një të kaluar misterioze, të paqartë dhe jo transparente, arrijnë të bëhen dhe të ribëhen sa herë duan deputetë, duke premtuar, ashtu siç e parashikon Kushtetuta dhe morali politik, se do të përfaqësojnë zërin, të drejtat dhe aksionet e votuesve (qytetarëve të thjeshtë që i votojnë).
Nuk kam parë dhe dëgjuar ndonjëherë që deputetët shqiptarë, të dalin në protesta për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve. Nuk mund të gjesh një rast të tranzicionit politik shqiptar, ku një deputet ose disa deputetë/politikanë të kenë hyrë në grevë urie për të përkrahur qytetarët, sepse nuk kanë drita, punë, të ardhura, mirëqenie, etj. Nuk pashë një deputet të hynte në grevë urie, sepse ndodhi Gërdeci, sepse u vranë njerëz të pafajshëm, sepse mbetën pa shtëpi, etj. Nuk kam parë ndonjë politikan apo deputetet të hyjë në grevë urie, sepse të rinjtë e familjeve të thjeshta nuk kanë të ardhme, janë papunë, se nuk mund të shkollohen, sepse nuk kanë mundësi financiare. Anëtarët e familjeve të thjeshta, nëse duhet të mbijetojnë dhe të shpëtojnë nga mjerimi, abuzimi, marrja nëpërkëmbë, neglizhenca, kanë vetëm rrugën e arratisjes nga Shqipëria dhe të degdisjes nëpër vendet perëndimore me shpresën, se do të gjejnë punë, siguri, të ardhura, etj.
Para se të analizojmë faktin, se nëse deputetët e Opozitës kanë të drejtë të bëjnë grevë urie? Le të analizojmë pak se kush janë deputetët shqiptarë sot? Sesi mund të bëhesh deputet në Shqipëri? Në vitet e tranzicionit, Parlamenti shqiptar ka pasur si deputet dy kategori personash: Kategoria e parë, janë “Intelektualët Komunist” të konvertuar në “Demokrat”. Le të shpjegohemi më mirë. Në këtë kategori bëjnë pjesë të gjithë “komunistët servil” të Regjimit, gjatë të cilit nuk kanë qenë në linjë të parë, por kanë qëndruar nën hije të shefave dhe në shërbim të Partisë e të strukturave të saja, nga ku kanë mësuar me mjeshtëri mekanizmat politik të stilit komunist.
Pas rënies së Regjimit me ngjarjet e viteve 90-të, kjo kategori që i kuptonte mirë mekanizmat e politikës, kupton edhe faktin, se Regjimi - të cilit i kishin shërbyer me servilizëm- ishte konsumuar në formë natyrale nga proceset e kohës dhe kështu vendosin me oportunitet për t’u konvertuar në demokrat. Jo vetëm u konvertuar, por ashtu siç kuptohet edhe vetë fjala konvertim, fillojnë të shprehen, duke i thirrur koshencës së “pastër”, se: “Nuk kanë qenë asnjëherë komunistë të vërtetë, që nuk kanë bërë asgjë të keqe në emër të Partisë dhe të gjitha fajet dhe mëkatet për atë periudhe kohe i kishte vetëm një person, ky ishte Enver Hoxha”.
Këto lloj servilësh, me servilizmin e tyre, jo vetëm që kanë qenë më komunist se vet Hoxha, por duke i shërbyer me devotshmëri dhe besnikëri Partisë, kanë siguruar shkollimet më të mira, si brenda vendit ashtu dhe jashtë. Kjo kategori deputetësh, tashmë janë në kthyer në një klasë të vërtetë drejtuese, ku të gjithë të tjerët për të hyrë në jetën politike, duhet të marrin aprovimin, mbështetjen dhe lejen tyre.
Kategoria e dytë e deputetëve shqiptarë është e re përsa i përket kohës që është formuar, por është shumë e fuqishme, sepse ka në dorë pushtetin ekonomik. Gjatë viteve të tranzicionit (ashtu siç ndodh në çdo tranzicion), u krijuan përçarje të thella dhe të dukshme në shoqërinë shqiptare, sepse një kategori e vogël qytetarësh arritën të fusnin në kthetra të gjitha pasuritë dhe aktivitet ekonomike të vendit. Ndërsa pjesa tjetër që përbën shumicën mbeti me të një njëjtat standarde ekonomike dhe jetësore që kishin pasur në periudhën e Regjimit (praktikisht asgjë). Kjo kategori pasi gllabëroj pushtetin ekonomik në vend (me çfarë mënyrash dhe në ç’kushte arriti të zotëroj ekonominë e vendit, nuk e po e komentoj, sepse të gjithë qytetarët e dinë), tashmë po tenton me çdo kusht të hyjnë edhe në jetën politik të vendit për të mbrojtur statusin e tyre të privilegjuar shoqëror. Ky lloj fenomeni mund të themi, se është bërë i dukshëm në tre legjislaturat e fundit. Është për të qeshur, kur shikoj disa deputetë (që vijnë nga bota ekonomike shqiptare), që janë injorant të mirëfilltë, që nuk dinë të flasin, që nuk flasin asnjëherë në Parlament për të përfaqësuar votuesit që i kanë zgjedhur. Kohët e fundit për t’u plotësuar edhe në aspektin kulturor, nuk kanë lënë diploma pa fut në xhep (copa letrash që nuk kanë asnjë vlerë). Kur i pyet se çfarë studimesh kanë kryer? Fillojnë duke treguar, se janë bërë “Doktorë Ligjesh” në Angli, se janë regjistruar dhe diplomuar në universitetet private shqiptare, se kanë mbaruar në 2001 Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Bolonjës, etj. Kur i pyet sesi e kanë mbrojtur titullin “Doktor Ligjesh” në Angli, kur nuk dinë Anglisht? Ata të përgjigjen me “seriozitet”, duke dëshmuar se : “ju kanë thënë kurse të veçanta në gjuhën shqipe”. Kur i pyet sesi mund të jenë diplomuar në Bolonja, kur ishin me aktivitet të plotë politik në Shqipëri dhe pothuajse çdo ditë bënin deklarata shtypi nga Shqipëria? Ata përgjigjen duke thënë se: “Zgjuarsia jonë është paranormale”!
Këto janë kategoritë e politikës shqiptare që bëhen deputet dhe që “përfaqësojnë” dhe qeverisin qytetarët. Jashtë këtyre dy kategorive është plotësisht e pamundur që dikush që i përket botës së vërtetë intelektuale, shoqërisë civile, të kandidoj dhe të arrij të bëhet deputet. Kështu, deputetët shqiptarë nuk zgjidhen nga vetë shoqëria civile (përmes formave demokratike të forumeve partiake), por emërohen nga dy kategoritë që përshkruam mësipërm. Prandaj, kur dikush emërohet nga dikush tjetër dhe nuk zgjidhet në mënyrë demokratike nga vetë votuesit (qytetarët), ai do të përfaqësojnë interesat e atyre që e kanë emëruar dhe jo zërin e qytetarëve të thjeshtë.
Si zgjidhen këta deputet? Unë, nuk dua të bëj asnjë shpjegim personal. Mjafton, të pyesësh qytetarët e thjeshtë dhe ata do ju japin përgjigjen që kërkoni. Për aq sa kam dëgjuar të flitet në ambientet e zakonshme të shoqërisë shqiptare, mund të them, se Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë zgjedhjeve të ndershme dhe plotësisht transparente. Manovrat jo transparente për të fituar me çdo kusht zgjedhjet janë bërë nga të gjitha forcat politike shqiptare. Megjithatë, mund të them, se zgjedhjet e fundit me të vërtetë janë më mirat të mundshme që janë realizuar në këto vite tranzicioni, sepse për herë të parë që nga rënia e Regjimit, pothuajse të gjithë qytetarët arritën të pajisen me dokumente identifikimi (Karta e Identitetit), që ishin të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme për procesin e votimit.
Në këtë këndvështrim, greva e urisë e Deputetëve Socialist për hapjen e kutive është hipokrite dhe absurde në të njëjtën kohë. Kjo grevë është hipokrite, sepse Partia Socialiste në historinë e saj, ashtu si edhe forcat e tjera politike shqiptare, nuk përfaqëson transparencën, respektimin e rregullave demokratike në jetën politike dhe shoqërore. Është absurde, sepse ajo është jashtë kohe, tani Shqipëria dhe shqiptarët po kalojnë hapa dhe momente shumë të rëndësishme përsa i përket fazës së Integrimit Evropian. Për këtë arsye, kjo grevë urie, nuk përfaqëson interesat e shqiptarëve, por interesat personale për pushtet të disa politikanëve.
Jam i sigurt, se shumë politikanë shqiptarë, nuk janë aspak të interesuar për Integrimin e Shqipërisë në Evropë. Ata nuk janë të interesuar për heqjen e vizave, sepse në xhep kanë pasaportat diplomatike (ose të shërbimit) që mund të shkojnë ku të duan pa qëndruar në radhe me muaj të tërë për marrë një vizë, nuk kanë nevojë të përdorin skafet (që ekzistonin dikur) për të kaluar detin, nuk duhet të ecin në këmbë me ditë dhe net të tëra nëpër male me dëborë për të shkuar në Greqi. Ata, nuk janë të interesuar për heqjen e vizave, sepse nuk kanë provuar të kapen dhe të keqtrajtohet nëpër burgjet e fqinjëve, vetëm për faktin se kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme për një jetë më të mirë. Nuk janë të interesuar për heqjen e vizave, sepse fëmijët e tyre nuk kanë vite pa ardhur nga mërgimi, por studiojnë në universitetet më prestigjioze të Botës.
Politikanët shqiptarët, nuk e duan Integrimin Evropian të Shqipërisë, sepse luftojnë vetëm për pushtetin politik kombëtar. Ata, e shikojnë qeverive kombëtare, të cilën përpiqet ta përfitojnë me çdo kusht, si diçka që ju përket vetëm atyre, si pronë private të tyren që mund ta blejnë dhe ta shesin sa herë duan. Prandaj, për të realizuar Integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin e Evropian, duhen politikanë që luftojnë për vizionet/idetë evropiane dhe jo për pushtetin politik nacional.
Nga këndvështrimi i «pastër» politik, armike e Shqipërisë Evropiane është klasa politike që përfaqëson pushtetin e qeverisjes dhe të opozitës në vend. Politikanët janë klasa e vetme që ka dicka themelore që mund ta humbas me Integrimin Evropian të Shqipërisë: pozicionet e pushtetit të përfituar përmes betejës politike nacionale.
Kush mund të jetë e ardhmja e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve? Unë, ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, pa dallim moshe, bindje politike, fetare, profesioni dhe pozicioni shoqëror, të bashkohemi të gjithë së bashku për të ndërtuar Shqipërinë Evropiane. Le të bashkohemi të gjithë së bashku, për të realizuar një kundër revolucion të vërtetë shoqëror, duke u mbledhur si një lum i vërtetë shoqëror për të kundër-dimostruar para vendit, ku deputet socialist po bëjnë grevën e urisë për pushtetin e tyre personal politik.
Ne duhet të luftojmë me mjete paqësore dhe demokratike për të krijuar me të vërtetë një shoqëri demokratike shqiptare. Duhet të luftojmë, jo vetëm për një shoqëri demokratike nacionale, por për të ndërtuar një Shqipëri Evropiane. Tashmë, shumë probleme që kanë të bëjnë me demokracinë, drejtësinë sociale, ekonominë, nuk mund të zgjidhen më vetëm brenda dimensionit të shtetit nacional. Mjafton të përmendin rastin e krizës shqiptare të 97-tës, krizën aktuale ekonomike të Greqisë si dhe përsa i përket procesit të demokratizimit që kanë kaluar kryesisht vendet e Evropës Jug-Lindore që trashëgonin një të kaluar autoritare. Mendoni për një çast sa hapa do të kishte bërë përpara demokracia në vendin tonë, sikur të mos kishte qenë objektivi i për t’u Integruar në Evropë? Prandaj, ne Shqiptarët, duhet të bashkohemi për të realizuar demokracinë e vërtetë me institucione të shëndosha demokratike. Le të punojmë për Integrimin e plotë të vendit tonë në Evropë, sepse shumë probleme tonat nuk gjejnë zgjidhje në hapësirën e brendshme të shtetit, por në nivel mbi-kombëtar, përmes institucioneve dhe bazave juridike të krijuara nga interesat e përbashkëta të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Boll kemi qëndruar në heshtje, le të zbulojmë tek karakteri ynë virtytin e kurajës për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta. Heshtja jonë simbolizonin dorëzimin tonë moral. Prandaj, ne duhet ta thyejmë një herë e përgjithmonë këtë heshtje përmes forcës së kurajës, për të ecur përpara si vend i zhvilluar dhe i modernizuar. Heshtja jonë i shërben një pakice që është kundër interesave tona, kurse kuraja për të reaguar simbolizonin interesin tonë të përbashkët për të jetuar në demokraci, për t’u Integruar në Evropë. Unë, në të ardhmen e afërt shikoj një Shqipëri ndryshe nga ajo që ka qenë deri sot dhe këtë do e realizojmë me të vertete, vetëm falë kurajës tonë të përbashkët për të sfiduar atë pakice anti-shqiptare që gjatë këtyre viteve ka livadhisur mbi kurrizin tonë duke shkelur çdo ditë dinjitetin dhe të drejtat tona themelore. Nëse do të jemi të gjithë së bashku, një dhe të pandarë, atëherë fatet tona do t’i kemi vetë ne dorë dhe askush nuk do të guxoj të tallet me jetën tonë dhe me të ardhmen e fëmijëve tanë.