Thursday, January 28, 2010

Shoah, një ditë për të harruar urrejtjen


Dr. Alban Daci
Botuar me, 29.01.2010
Tirana Observer

Në të gjitha vendet demokratike, sidomos tek ato perëndimore është kujtuar këto ditë Shoah, e cila përfaqëson memorien e një ndër gjenocideve më të egra dhe më çnjerëzore që ka njohur shekulli i kaluar, atë të shfarosjesh së Hebrenjve, të bërë kryesisht nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste.
Hebrenjtë, vetëm për faktin se: kishin një besim të ndryshëm nga ai i vendeve evropiane, për faktin se ruanin me zell të madh traditat e tyre, gjuhën e tyre të veçantë, pra vetëm pse ishin ndryshe nga të tjerët, u sulmuan, keqtrajtuan, eliminuan, internuan dhe u dënuan me vdekje padrejtësisht.
Pak para fillimit të luftës së II botërore dhe kryesisht gjatë këtij konflikti të madh njerëzore, mjaft qytetarë dhe civil të pafajshëm, mes tyre edhe hebrenj që nuk kuptonin asgjë nga lufta dhe nga politikat që bëheshin mes popujve (politikat ndërkombëtare) u bënë viktima.
Këto qytetarë u ndodhen në një situatë krejtësisht të paimagjinueshme, por që më vonë u bë e përshkueshme përmes dëshmive, në situatën e ferrit të vërtetë, të luftës së madhe, ku të gjithë ishin në luftë kundër të gjithëve, ku të gjithë ishin viktima të vetë vizioneve dhe të politikave që kishin menduar dhe prodhuar përmes urrejtjes dhe rivalitet çnjerëzorë.
Presidenti Wilson, gjatë periudhës që vendosi bashkë me qytetarët e tij për të hyrë në luftë, duke u frymëzuar me idealizmin e tij universal theksoj: se kjo do të jetë një luftë për t’iu dhënë fund të gjithave luftërave të tjera. Gjithmonë kemi të bëjmë me periudhën e fillimit të luftës së I botërore.
Nga studiuesit e më vonshëm deri diku, Wilson-i është klasifikuar si një statist i madh, por që falë vizioneve të tija intelektuale bën pjesë në grupin e të ashtuquajturve idealistët. Unë, mendoj, se Wilson si statist ishte idealist, që besonte shumë tek vlerat universale si demokracia, paqja dhe siguria kolektive, por si intelektual mendoj, se ishte realist, mjafton të përmendim analizat e tija, mbi presidentin Roosvelt, gjatë kohës kur ishte rektor në Princeton.
Megjithatë, përsa u përket vizioneve të tija si statist, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në lidhje me gjeopolitikën botërore, duke pasur parasysh edhe citimin e mësipërme, vërtetohet, se ai mbetet një idealist i madh, sepse luftëra që ai bëri (ose më mirë që qe i detyruar ta bëjë) nuk ishte lufta që do t’iu jepte fund të gjithë luftërave të tjera, por fillimi i një serie luftërash të përgjakshme, të cilat do të ndodhnin aq shpejt dhe ashpër sa edhe vetë shekulli që i përjetoj dhe i arkivoj do të quhej shekulli i shkurtër.
Masakrat kundër hebrenjve ishin dhe me siguri mbeten një ndër njollat më të zeza që historia njerëzore është e detyruar ta mbaj si një damkë të zezë, e cila do ta shoqëroj përgjithmonë. Megjithatë, ne që jemi brezi i tretë, nuk e kemi përjetuar drejtpërdrejt si dëshmitarë apo si viktima të pafajshme, ne jemi spektator që e kemi parë përmes imazheve, ne jemi dëgjues që e kemi dëgjuar përmes dëshmive, përmes historianëve, përmes botës së qytetëruar, por vetë ne nuk e kemi përjetuar dhe kjo për ne me siguri është një fat i madh.
Megjithatë, brezi ynë është dëshmitarë i gjenocideve të tjera, të cila kishin po të njëjtin objektiv, shfarosjen e qenieve nga qeniet, të popujve nga popujt, vetëm pse ishin të ndryshëm dhe kërkonin të mbronin identitetin e tyre, dinjitetin e tyre të respektuar dhe të barabartë mes të barabartëve. Askush nga ne nuk ka kurajë, guxim, forcë dhe vullnet të harroj dekadën e viteve nëntëdhjetë, kur serbët ndezën Ballkanin duke e mbuluar me gjak, duke masakruar gra, fëmijë, pleq dhe çdo qenie që ishte e gjallë dhe merrte frymë duke përfshirë edhe kafshët shtëpiake.
Kushdo që ka qoftë edhe pak vlera humanizmi në shpirtin e tij, nuk mund të harroj shfarosjen dhe gjenocidin që çetnikët serbë kanë bërë mbi shqiptarët e Kosovë. Shqiptarët e Kosovës, ashtu si edhe hebrenjtë, u sulmuan barbarisht, vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse kishin një të folur shqip, vetëm pse kishin traditat e tyre autoktone, vetëm pse nuk u asimiluan ashtu siç shpreson serbët. Pra, vetëm pse shqiptarët ruanin identitetin e tyre origjinal dhe pse kërkuan të respektoheshin, të gëzonin dinjitet dhe të kishin drejta të barabarta ashtu si edhe popuj e tjerë, përshij këtu edhe popullin serb.
Unë, nuk mund ta harroj historinë e një djali të vogël kosovarë, që si shumë të tjerë ishte përzënë nga Kosova dhe kishte ardhur në Shqipëri vetëm me nënën e tij, sepse vllahun dhe babain i kishin ndaluar në kufi forcat ushtarake serbe, të cilët me siguri i kishin vrarë dhe i kishin hedhur diku gjetkë, sikur të ishin dordolecë, por pa harruar faktin se ata ishin qenie njerëzore të pafajshme, njëri babë familje dhe tjetri fare i ri që ndoshta kishte shumë ëndrra dhe dëshira për t’i realizuar në jetë, por që paf, sa hap e mbyll sytë, u shujtën sikur të mos kishin ekzistuar asnjëherë.
Nuk mund të harroj faktin se ky djalosh i vogël, edhe pse kishte kaluar një traumë shumë të madhe, të cilën thellë nuk e kuptonte edhe për shkak të moshës, ishte plotë gjallëri dhe forcë, saqë shumë herë thoshte: “Më jepni një alltie të vrasë «shkjaun» që më ka marr babin, vllahun, më ka djegur shpinë dhe me ka përzënë nga vendi im”.
Sigurisht, këtë argument, nuk po e theksoj për t’iu kujtuar shqiptarëve, se duhet të marrin pushkët për të marr hakun e vuajtjeve që të tjerët ju kanë shkaktuar me pa të drejtë, por për t’i kujtuar botës së qytetëruar, se edhe shqiptarët e Kosovës ashtu si edhe hebrenjtë, ishin viktima të një regjimi mizor, që tentoj t’i shfaros nga faqja e dheut, por siç ka ndodhur gjithmonë, krimet mund të jetë shumë makabre, mund të ketë dimensione shumë të mëdha, por kurrë sa të arrijnë të zhdukin një komb të tërë.
Shqiptarët e Kosovës, ndoshta në këtë histori mund të kishin të vetmin “faj”: përse zoti i kishte bërë të ishin autokton në tokën e tyre, në vendin e tyre pluri-shekullor, pse ata ishin shqiptarë, pse flisnin një gjuhë që ishte shqipja, përse kishin të drejta dhe kërkonin t’i gëzonin njëlloj si gjith popujt e tjerë.
Mendoj, se krimet që kanë ndodhur në luftërat ballkanike gjatë dekadës 90-të, kanë të njëjtën dimension me ato që kanë ndodhur kundër hebrenjve. Prandaj, për të gjitha këto viktima, të shkaktuar dhe të realizuara kryesisht nga regjimi serb, duke përfshirë edhe masakrat e luftës së fundit në Kosovë, duhet të krijohet një ditë ndërkombëtare, që simbolizon të gjitha këto viktima të pafajshme, që humbën jetën e tyre, humben të afërmit e tyre, humbët shtëpitë dhe ndoshta humbën përgjithmonë dhe vendin e tyre, sepse nuk kanë më kurajë të kthehen më në vendin që simbolizoj ferrin e jetës së tyre. Disa nga ata kanë frikë të kthehen, sepse ankthet dhe ngjarjet makabre nuk i lenë të flenë gjumë.
Serbët, para se të fillojnë të integrohen në botën e qytetëruar, në familjen evropiane, apo në organizma të tjerë ndërkombëtarë, duhet të pranojnë krimet që kanë bërë në Ballkanin perëndimor, duhet t’iu kërkojnë falje publike - ashtu siç ka bërë edhe gjermania- të gjithë popujve që ju kanë shkaktuar dhimbje të thella dhe të pashërueshme.
Serbët, po ashtu edhe popuj të tjerë që në të kaluar kanë qenë luftë-nxitës dhe bërës, nuk duhet t’iu thonë fëmijëve të tyre të sapolindur, se ata janë serbë, se serbët janë populli më “superior” në Ballkan, se të gjithë popujt e tjerë janë të “predestinuar” për të punuar për ta (ashtu siç mendonte Gjermania naziste për sllavët).
Popujt e Ballkanit, duhet t’iu mësojnë fëmijëve të tyre si pjesë themelore të edukimit, faktin se në betejën për jetën, lehtësisht mund të sfidojnë urrejtjen me dashuri, gënjeshtrën me vërtetësi, dhunën me lumturi.
Meqë në fillim folëm për Shoah, par harruar faktin se kanë ndodhur edhe mjaft “Shoah” të tjera, dua të theksoj ca rreshta që Gandi i ka shkruar më 26 nëntor 1938 dedikuar hebrenjve në Gjermani: “Nëse do të isha një hebre i lindur në Gjermani dhe nëse do të jetoja aty, do të kisha të drejtën ta konsideroja Gjermaninë si atdhe timin njëlloj si të gjithë gjermanët e tjerë jo hebrenj, dhe do të sfidoja këdo që do të tentonte të më vriste ose të më hidhte në burg: do të refuzoja espulsin dhe diskriminim”
Ne brezin i tretë, duhet ta mposhtim urrejtjen, dhunën, luftën, duhet ta pastrojmë shpirtin tonë nga kujtimet e të së kaluarës, sepse e kaluara shumë herë na ka hedhur në qorrsokakë, ku ka qenë shumë e vështirë ose më mirë pothuajse e pamundur për të gjetur rrugën e shpresës, paqes, dhe dëshirës për të bashkëpunuar dhe jetuar së bashku mbi bazën e dinjitetit dhe respektit reciprok.
Ne, të rinjtë e Ballkanit, duhet t’i pastrojmë mendjet tona nga idetë e superioritet dhe inferioritetit mes popujve. Duhet të pranojmë faktin se: pavarësisht nga faktet historike, tashmë prej shumë shekujsh jetojmë së bashku duam apo s’duam. Prandaj, fatet tona nuk mund të jenë të ndara, në këtë mënyrë duhet të fillojmë ta përfytyrojmë vetën si një komunitet i madh që brenda ka dhe përfshin shumë komunitete të tjera më vogla.
Nëse arrijmë t’i themi jo urrejtjes brenda këtij komuniteti të madh, atëherë të gjithë do të arrijmë të jetojmë në paqe dhe do të ndërtojmë rrugë dhe mënyra të rëndësishme bashkëpunimi që do të përsosnin jetën e përbashkët. Për të realizuar këtë, duhet ta trajtojmë dhe ta respektojmë njëri-tjetrin, një lloj, pa marrë parasysh, faktin se t’i je ndryshe nga unë, që ju jeni ndryshe nga ne, por që të gjithë jemi popuj dhe si të tillë meritojmë të jetojmë në paqe, lumturi dhe me dinjitet.