Tuesday, March 17, 2009

Realitete në udhëkryq

Dr. Alban Daci
Botuar me 18 mars 2009
Gazeta NDRYSHE

Ka situata që dikush jo veten i din, sepse janë të pranishme dhe të prekshme në jetën e tij të përditshme, por që i vëzhgon në formë pasive dhe me keqardhje pa qenë në gjendje që t’i ndryshoj. Në këtë rast kemi të bëjmë me gjëra reale, por të pa pranueshme që ndërtojnë jetën e një personi, ose të paktë e rrethon jetën e tij duke e orientuar në qorrsokakë të ngushtë, të errët dhe të pa sigurt.
Nëse do të kishte arritur shkenca që me teknologjinë e saj të na paraqiste realitetet njerëzore të një vendi ashtu siç na jep në mënyrë të skematizuar me pamje satelitore rrugët, natyrën dhe relievin e një vendi. Atëherë realitetet njerëzore të shqiptarëve do të fotografoheshin nga lart si rrugica qorre që kryqëzohen dhe ndahen nga njëra tjetra në mënyrë të ç’rregullt.
Mendjet e shqiptarëve janë aq shumë të trazuara, të provokuara dhe konfuze saqë është shumë e vështirë për të ndërtuar realitetin e secilit në veçanti dhe të të gjithëve në përgjithësi, sepse këtu veprojnë shumë rryma, ide dhe mendime që kundërshtojnë, ndajnë dhe bashkojnë në të njëjtën kohë mendjen e çdo shqiptari si aktor i veçantë në shoqëri dhe të gjithë shqiptarëve si aktorë të përbashkët të realitetit të përgjithshëm njerëzor shqiptar.
Çdo shqiptar në kompleksin e përgjithshëm të realitetit njerëzor nuk është aktor apo kalimtar i një sokaku të vetëm, por gjatë udhëtimit të tij jetësor, pse jo dhe ditor mund të udhëtoj në disa sokakë, të cilët për nga struktura e të menduarit, të vepruarit, për mënyrën se si janë ndërtuar, për stilin dhe gurët që janë përdorur për t’i shtruar, për ngjyrat që janë përdorur për të lyer muret anësore, janë të ndryshëm, deri sa herë-herë arrijnë në një pikë të përbashkët, ku kryqëzohen dhe bëhen të njëjtë.
Këtu, në realitetin shqiptar, nuk është e habitshme që një person pasdite të zgjedh rrugën e një politikani që e ka ftuar të marr pjesë në një pjesëmarrje politike të natyrës protestuese, në darkë të shkojnë në rrugën e një politikani tjetër që e fton ta ndjekin në sokakun e politikës së tij për të protestuar dhe kundërshtuar atë të pasdites si dhe nesër në mëngjes, të zgjedh një sokak tjetër që është krejtësisht i ndryshëm në interesa dhe në formë me dy të parët.
Personat që kanë zgjedhur të udhëtojnë në këto sokakë kanë disa veçori dhe të përbashkëta të cilat janë:
1. Statusi i udhëtarit që duhet të ec nëpër sokakë që nuk i ka shkelur asnjëherë më parë.
2. Të gjithë sokakët janë të ngushtë, errët dhe herë pas here kryqëzohen me njëri-tjetrin duke formuar sheshe të vogla, ku mund të gjesh udhëtar të ndryshëm, por që kanë të njëjtin synim, të dalin sa më shpejt në ndriçimin e plotë, ku syri i tyre mund të mbushet me kurajë/gëzim për të përjetuar çastin e lirisë dhe të arritjes së objektivit personal politik dhe njerëzor.
3. Të gjithë këto sokakë janë pjesë e të njëjtit realitet, atij shqiptarë.

Për shembull është paksa i ngatërrueshëm dhe i vështirë për tu shpjeguar sipas moralit njerëzor se persë një ose disa persona të lindur/rritur në të njëjtin sokak me kalimin e kohës zgjedhin sokakë të rinj për të udhëtuar të pavarur në interesat personale për tu takuar më vonë në sheshe të përbashkëta. Aty, ku të gjithë takohen përsëri së bashku, për të rikujtuar nostalgjitë që kanë përjetuar bashkërisht, kur ishin në sokakun e parë të jetës së tyre reale të përbashkët.
Në këtë labirint të mbushur me sokakë të ndryshëm dhe të ngjashëm në të njëjtën kohë, duhet të jetë shumë e vështirë për udhëtarin shqiptar që ketë të zgjedhur për të realizuar realitetin e tij njerëzorë, sepse sado të jetë i bindur se ka zgjedhur një rrugë të pavarur dhe të ndryshme nga të tjerët, ai do të zhgënjehet, kur të shikoj se trajektorja e tij pa kaluar shumë kohë takohet me një, dy apo me më shumë sokakë të tjerë.
Po përse realiteti njerëzor shqiptar ka një labirint kaq shumë të ngjeshur dhe të paqartë, kaq shumë të ngjashëm dhe të ndryshëm në të njëjtën kohë? Sepse realiteti shqiptar, para rënies së perdes së hekurt formonte vetëm një sokak të vetëm, ku të gjithë udhëtarët ishin të detyruar të udhëtonin vetëm përmes atij, duke ecur e ecur, por pa arritur kurrë që t’i dilnin në krye.
Nuk i dilnin dot asnjëherë në krye, sepse sokaku ishte tamam si trupi i një gjarpri, ku udhëtarët e thjeshtë dhe të lodhur ndodheshin në pjesën e trupin, kurse kokën e përbënin vetëm një ose dy udhërrëfyes dhe drejtues në të njëjtën kohë.
Shqiptarët, të bezdisur për faktin se kishin më shumë se pesëdhjetë vjet që kishin qenë të detyruar të udhëtonin në të njëjtin sokak, sapo ju jepet liria për të zgjedhur, ato menjëherë fillojnë të shkelin dhe të krijojnë sokakë të rinj.
Ato filluan të ecnin ditë e natë, saqë ishte i pashmangshëm kryqëzimi i tyre, duke formuar sheshe të përbashkëta për të treguar historitë e udhëtimeve personale, për të sharë/mohuar të kaluarën e përbashkët si dhe për të harruar se kanë të njëjtën origjinë, duke u hequr si udhëtar krejtësisht të rinj për të realizuar një eksperiencë të re.
Përderisa këto janë sokakë, për nga natyra dhe stili urbanistik, janë të ngushtë. Atëherë si pasojë do të krijojnë realitete të ngushta, jo gjithë përfshirëse, ku mund ta gjejnë vetën pak udhëtarë, të cilët të pavendosur dhe të lodhur për të arritur në finish, ndryshojnë disa sokakë me shpresën për ti rënë shkurt dhe për të përfituar sa më shumë dhe sa më shpejt.
Të gjithë këto sokakë formojnë së bashku realitetin e kryqëzuar shqiptarë, sepse nuk ofrojnë alternativa të reja dhe të ndryshme, por një bashkësi sorollatjes jo frytë dhënëse që e vendosin jetën e çdo shqiptari në një pozicion shumë të vështirë vendimmarrje se çfarë duhet të zgjedh, pse duhet ta zgjedh dhe kur duhet ta zgjedh për të ndërtuar sokakun e realitetin të tij duke shpresuar se shumë shpejt do të arrij të kaloj labirintin për të gjetur horizontin e shpresës dhe ndryshimin e shpirtit dhe kthjellimin e mendjes.