Wednesday, March 25, 2009

Politika dhe të rinjtë

lDr. Alban Daci, kryetar Gjenerata Re Shqiptare
Botuar me 26 mars 2009
Gazeta NDRYSHE

Desha ta filloj analizën time duke ju përgjigjur pyetjes- A ka të rinj Shqipëria? (kjo pyetje ka qenë titulli i një artikulli të shkruar në 1937 nga i madhi Faik Konica). Kjo është një pyetje retorike, sepse dihet botërisht që popullsia shqiptare është më e reja në moshë. Unë, për këtë arsye do të drejtoja një pyetje tjetër retorike se: a ka “Shqipëria” politika për të rinjtë?
Të rinjtë e sotëm shqiptarë e shikojnë politikën si diçka që nuk ju përket dhe nuk duhet jetuar aktivisht, sepse kanë krijuar bindjen se të gjithë politikanët janë “hajdut” dhe të “Korruptuar”.
Mendoj se janë tri argumentet që prekin të rinjtë e sotëm në lidhje me pjesëmarrjen e tyre aktive në jetën politike.
1. Të rinjve shqiptarë duhet t’iu rikujtojmë sensin e kolektivitetit.
Kolektiviteti, duket aktualisht si një fjalë që nuk ekziston ose që është zhdukur nga fjalori i të rinjve. Një pjesë e konsiderueshme e të rinjve i analizojnë shkaqet dhe pasojat në planin personal dhe individual.
Sot, të rinjtë, sapo dalin nga oborri i shtëpisë, nuk pyesin se çfarë ka ndodhur, çfarë ndodh dhe çfarë mund të ndodh? Mjafton që për momentin dhe çastin e kohës të mos prek oborrin e tyre, pa harruar se në një të ardhme të afërt edhe oborri i tyre do të jetë i prekshëm, përderisa është pjesë integrale me oborret e tjera në lagjen, qytetin dhe shtetin ku jetojnë.
2. Shumë i rëndësishëm për të rinjtë shqiptarë është shenjtërimi profesional i punës.
Çfarë është politika? Ka një mal me analiza akademike dhe historike që mund t’i japin përgjigje kësaj pyetje, por politika realisht s’është gjë tjetër veç se një punë që duhet bërë mirë, si ajo e gazetarisë, infermierisë, mjekësisë, avokatisë etj.
Duhet t’iu rikujtojmë të rinjve se çdo profesion duhet të bëhet në mënyrë korrekte. Prandaj edhe politika duhet bërë në mënyrë korrekte dhe jo të bjerë pre e joshjeve të korrupsionit.
Të bësh mirë një profesion ose një punë do të thotë të japësh një shembull të mirë, të përcjellësh vlera dhe të kundërshtosh/mos pranosh dhe luftosh antivlerat.
Prandaj, të rinjtë shqiptarë si fillim duhet të bëjnë shumë mirë detyrat e tyre fillestare: të studiojnë shumë, të respektojnë dhe të mbrojnë me çdo kusht diturinë dhe mjediset, ku kultivohet ajo. Pra, të luftojnë dhe të mbrojnë të drejtat personale dhe kolektive si në aspektin juridik dhe në atë sociologjik dhe njerëzorë, të mbrojnë me fanatizëm dhe me vendosmëri të palëkundur “Lirinë”, e cila përfaqëson emblemën e shoqërisë demokratike dhe pluraliste. Pasi të kenë, krijuar në formë natyrore dhe akademike shenjtërimin dhe respektin për punën dhe profesionin, le të pretendojnë për një stafetë më absolute dhe më të domosdoshme, e cila quhet Politikë.
3. Argumenti i tretë është lufta mes të mirës dhe të keqes.
Në këtë argument duhet të shpjegojmë se termi “luftë” nënkupton një luftë që zhvillohet jo me armë, por me ide dhe vizione.
Arsyetimi, në terma pesimist, duke thënë se: politika është vetëm përvese, nuk shërben për asgjë.
Prodhimi i këtij arsyetimi është i thjeshtë, sepse nëse vendet e politikës lihen në duart e personave të pandershëm, do të thotë se nuk mund të ndryshoj dot asgjë dhe asnjëherë.
Kohë më parë, kam bërë një sondazh që respekton të gjitha parametrat e doktrinës bashkëkohore politike, i cili vazhdon të jetë i pasqyruar në disa web-site, ku vizitorëve ju kërkohet sipas alternativave të identifikohen se ku bëjnë pjesë: në pjesëmarrje aktive politike, që nuk merren me politike apo që merren vetëm kur cenohen vetë ata.
Rezultati i deritanishëm është se janë krejtësisht indiferent nga politika, sepse e kanë humbur besimin tek ajo.
Nga ky sondazh që kam krijuar, kam studiuar dhe kuptuar që duhet t’iu ri japim besim brezave të rinj që kanë vështirësi ose pamundësi për të gjetur vetën në këtë shoqëri.
Pra, për të realizuar këtë besim, duhet t’iu eliminojmë nga mendjet e tyre pesimizmin duke ju dëgjuar arsyet dhe duke ju dhuruar qartësinë/forcën që të fillojnë të besojnë tek politika.
Interesante dhe e rëndësishme që kërkon një përgjigje korrekte është edhe pyetja se: kush duhet të jetë modeli i të rinjve në politik?
Mendoj, se në Shqipëri, për interesa qorre dhe dritëshkurtra të përfaqësuar nga klane të ndryshme po krijon paragjykime, diskriminime dhe steriotipe të padrejta se: unë, jam i ri dhe përfaqësoj të renë dhe ju andej matanë lumit jeni të vjetër dhe përfaqësoni te vjetrën.
Nuk është aspak e drejtë në planin e etikës që dikë ta identifikosh të vjetër, sepse ka ca vite më shumë mbi supe dhe vetë të konsiderohesh i ri, sepse sapo ke filluar të kuptosh se si është jeta.
Unë, dhe organizata “Gjenerata Re Shqiptare” që drejtoj prej vitesh, kemi pasur si gurë themelorë se: Shqipëria, ka nevojë për njerëz që kanë vizione të reja për të ardhmen e përbashkët, që mendojnë dhe janë të bindur se integrimi në zonën euro-atlantike është shumë i rëndësishëm dhe i pa zëvendësueshëm për të garantuar prosperitetin, zhvillim dhe sigurinë tonë kombëtare.
Pra, për ne si organizatë, idetë përbëjnë shtyllën kryesore për të vepruar dhe qenë një aktor i rëndësishëm, suksesshëm dhe frutdhënës në jetën politike.
Xhuzepe Maxini, theksonte se “jam një aktor jo i drejtpërdrejt në politikën italiane, por jo i pa rëndësishëm, sepse unë ndërhyj përmes ideve”.
Ne, organizata “Gjenerata Re Shqiptare”, kemi punuar, krijuar duke hedhur drejtpërdrejt në terrenin e politikës aktive, modelin e të riut të sotëm politikan. Këtë model e kemi krijuar të ri, që nuk ka asgjë të përbashkët me të kaluarën e dhimbshme dhe të trishtueshme që ka kaluar vendi ynë, por ka në dorë forcën e audiencave, bibliotekave, auditorëve, librave, diturisë dhe që aspiron fuqishëm dhe me çdo kusht për integrimin e plotë në zonën euro-atlantike.
Ky është modeli që kemi krijuar dhe që do të vazhdojmë ta krijojmë në të ardhmen, sepse është koherentë dhe i përgatitur për të sfiduar të ardhmen.
Të bësh krahasime mes brezave, dhe mes ngjarjeve historike ashtu siç kanë bërë këto ditë disa të ashtuquajtur analistë, mendoj se është krejtësisht e padrejtë dhe jo e saktë.
As historia, dhe as doktrina politika sipas standardit akademik nuk pranon të thuash se: ju të rinjtë e sotëm nuk jeni si ato të 68-tës dhe se ju të rinjtë e sotëm jeni të paaftë dhe pa ideale.
Është absurde të krahasosh dy momente historike në periudha të ndryshme, sepse momenti kohë, faktorët njerëzorë janë krejtësisht të ndryshëm. Pra, janë dy periudha që secila përfaqëson veten dhe vetëm veten.
Ndërsa, të përgjithësosh të gjithë të rinjtë e sotëm se janë të paftë dhe pa ideale, do të thotë të kesh informacion të cunguar dhe horizont krejtësisht të mbyllur.
Të rinjtë e sotëm, janë ato që vijnë me të vërtetë nga shoqëria civile dhe punojnë fort pa bërë reklama televizive, pikërisht për shoqërinë civile shqiptare.
Këto janë të rinjtë e vërtetë që kanë ideal, punën, lirinë, demokracinë dhe shpresën për të jetuar, të cilët janë të shumë në numër, por që punojnë nën heshtje ditë e natë.
Nuk do të jetë e largët ajo ditë, kur këto të rinj bashkë me punën e tyre reale dhe fisnike që bëjnë, do të dalin në pah të drejtpërdrejtë për të treguar se kanë shumë ideale dhe se për këto ideale ka nevojë e gjithë shoqëria politike dhe civile shqiptare.
Ne, organizata “Gjenerata Re Shqiptare”, kemi krijuar modelin e të riut që duhet të ndryshoj politikën dhe që jo politika të ndryshoj atë.
Ky, është vizioni për të cilin kanë shumë nevojë qytetarët e thjeshtë, për të qenë në gjendje që të bëjnë politikën aktive dhe pozitive.