Monday, March 30, 2009

Një bisedë e ngrohtë me të nderuarën prof. Maria Antonietta Falchi, Presidente e Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Xhenovës.

Një bisedë e ngrohtë me të nderuarën prof. Maria Antonietta Falchi, Presidente e Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Xhenovës.


Alban Daci: Përshëndetje znj. Presidente, jam shumë i lumtur që ma dhatë mundësinë që t’iu bëj këtë intervistë të sinqertë dhe të ngrohtë, sepse edhe unë, jam pjesë e historisë së këtij fakulteti, përderisa i kam mbaruar studimet pikërisht këtu.

Presidentja: Kënaqësia është e imja, sepse për herë të parë më ndodh të jap në cilësinë e Presidentes së Fakultetit, një intervistë për një gazetar shqiptar, për më tepër që ky gazetar ka mbaruar studimet në fakultetin tonë.

Alban Daci: nëse më lejoni atëherë po filloj menjëherë me pyetjet që kam menduar t’iu drejtoj dhe shpresoj se do t’iu përgjigjeni natyrshëm.

Pyetja e parë: Në Universitetin e Xhenovës ashtu siç jeni edhe ju në dijeni studiojnë shumë shqiptarë, të cilët përbëjnë numrin më të madh, pas italianëve. Gjatë kohës që jeni në detyrën e Presidentes, a keni pasur rastin të njihni më nga afër studentët shqiptarë, nëse po kush ka qenë impresioni juaj?

Kam njohur disa studentet që jo vetëm kanë studiuar, por edhe kanë punuar si Tutor në sektor të ndryshëm të Fakultetit të Shkencave Politike, që pasi kanë mbaruar fakultetin kanë kryer edhe gradën e Doktorit të Kërkimeve Shkencore. Mendoj se studentët shqiptarë kanë një edukim të mirë që para se të fillojnë studimet në Fakultetin tonë, që punojnë me këmbëngulje dhe një pjesë e mirë e tyre mendojnë të rikthehen në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në bërjen e reformave që Shqipëria të ec përpara në proceset e integrimit. Studentët shqiptarë, janë më aktiv se sa studentët e tjerë që kemi në Universitetin tonë, nuk ndalohen përballë vështirësive, dhe pjesa më e madhe e tyre punojnë për të kryer studimet. Keni shumë vullnet dhe për këtë do të bëni shumë rrugë suksesi. Vështirësitë janë formuese.

Përse mendoni se kanë zgjedhur Universitetin e Xhenovës për të kryer studimet?

Sepse në Universitetin tonë janë gjendur mirë, sepse ne kemi ndërtuar një raport të mirë me ta. Pastaj janë bazuar edhe në karakteristikat që ka qyteti i Xhenovës, si një qytet që ka qenë gjithmonë i hapur për të ndërtuar raporte reciproke me të huajt.

Kush është roli dhe pozicioni i Universitetit të Xhenovës në krahasim me universitet e tjera që Italia ka?

Universiteti i Xhenovës është në dhjetë universitet më prestigjioze të Italisë, sidomos Fakulteti i Shkencave Politike për degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomatike është për nga rëndësia i dyti në Itali.

Kush është imazhi i Shqipërisë që ju njihni?

Shqipëria, ka një shoqëri që ka nisur me plotë vështirësi, por që tashme po ec në rrugën e proceseve të integrimit dhe të zhvillimit. Përderisa, shoqëria shqiptare ka të rinj shumë të zot, si ju, shikoj se ajo do të ketë një evolucion pozitiv.

Keni menduar të vizitoni ndonjëherë Shqipërinë?

Tani për tani për shkak të impenjimeve të mia si Presidente e Fakultet nuk kam kohë në dispozicion. Në të ardhmen ka menduar të bëj disa udhëtime njohje jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e Evropës Jug-Lindore . Të gjitha vendet e këtij rajoni, janë pak të njohur dhe po pësojnë ndryshime të mëdha nga të cilat mund të mësojmë shumë gjëra.

Keni pasur raporte të drejtpërdrejta me studentët shqiptarë, nëse po si ka qenë ai?

Më pëlqen të flas në përgjithësi me njerëzit. Kam pasur raporte miqësie me disa studentë që kanë punuar si Tutor dhe ndonjëherë edhe i kam mbështetur. Studentët shqiptarë janë shumë korrekte në punët që bëjnë dhe kjo është arsye, sepse kam dashur gjithmonë edhe ti mbështes.
Universiteti i Xhenovës i ka ndihmuar shumë, por ata e kanë rikthyer këtë ndihmë me punë, korrektësi dhe inteligjencë.

Alban Daci: E nderuar Presidente, ishte një kënaqësi e madhe për mua që më dhatë këtë mundësi për të biseduar së bashku, për studentët shqiptarë që studiojnë në Xhenova, sepse në mesin e tyre gjej dhe vetën time. Ju uroj shëndet si dhe sukses në punë.

Presidentja: Kënaqësia ishte e gjitha e imja, dhe ne si Universitet jemi shumë të kënaqur, kur shikojmë persona si ju që kanë studiuar tek ne dhe se kanë një rrugë të gjatë suksesi për të bërë.

Kjo intervistë u realizua nga dr, Alban Daci, kryetari i organizatës “Gjenerata Re Shqiptare” dhe Anëtarë i Shoqatës së Gazetarëve Profesionist të Shqipërisë. Kjo intervistë është pjesë e një serie iniciativash që organizata “Gjenerata Re Shqiptare” po ndërmerr për të promovuar imazhin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Botë, për ti thënë Botës, se Shqipëria po ndryshon, që nuk prodhon vetëm emigrantë por edhe vlera njerëzore, siç janë studentët që kanë zgjedhur universitet më prestigjioze perëndimore për të kryer studimet e larta.

*Në foto nga e majta: dr. Alban Daci, kryetar i “Gjeneratës Re Shqiptare” dhe prof. Maria Antonietta Falchi, Presidente e Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Xhenovës.


Sunday, March 29, 2009

Partitë politike, Shteti dhe zgjedhësit

Dr. Alban Daci
Botuar me 31 mars 2009
Gazeta NDRYSHE

Përse zgjedhësi, të mos e harrojmë këtë pikë themelore, jo vetëm ka vështirësi të zgjedh mes kandidatëve ( Sot, faktikisht kandidatët e zgjedhjeve politike dizenjohen jo nga grupe të lira zgjedhësish, që asocohen rastësisht në atë moment, për zgjedhjen e kandidatëve që preferojnë, por bëhet përmes veprave të organizatave preekzistuese, që janë gjithmonë e më shumë autoritare në brendësinë e tyre, të cilat, mund ta themi, që shumë herë i detyrojnë zgjedhësit të zgjedhin ato kandidat që ato kanë zgjedhur për disa kritere dhe për disa arsye, të cilët për masën e zgjedhësve janë krejtësisht misterioz) të propozuar nga partitë, por ka edhe vështirësinë që të mos zgjedh asnjë.
Realisht, zgjedhësi nuk ka asnjë detyrim që të prononcohet për njërin ose tjetrin person që partitë kanë dizenjuar, por mund të shfaq pakënaqësinë e tij kundrejt të gjithëve, duke refuzuar që të jap votën e tij për këdo që është në listë si dhe për vetë listën.
Thuhet se: zgjedhësi duhet të ndjej detyrën e tij për të marr pjesë në zgjedhje dhe, nëse nuk e bën, mungon në detyrën e tij morale. Por, gjithkush është gjykatës i detyrimeve të tija morale. Nëse, kërkohen mjetet për të shtyrë zgjedhësit që të shkojnë të votojnë, duhet të intensifikohet dhe të jetohet më me intensitet jeta politike.
Gjithashtu, duhet të respektohet koncepti se zgjedhësi duhet drejtuar, përderisa vetëm, nuk është në gjendje të parashikoj në interesat e tij, për shembull duke mos qenë në gjendje të kuptoj për mundësinë e pasojat nga mungesa e tij në votim, ose për atë që mund të ndodh në hipotezën e epërsisë së partisë që ka votuar me lehtësi, por pa përgjegjësi.
Dikush mund të pyes ç’është partia e politikës moderne? Ajo është, pa dyshim, një institucion tipik i fazës së zhvillimit të atij tipi urdhri që jemi mësuar ta quajmë "Shteti modern", dhe pra i Shtetit "përfaqësues-zgjedhës".
Faza përfaqësuese-zgjedhëse e Shtetit modern, fillon, siç është e shënuar, nga revolucioni "borgjez" dhe shënon fitoren e Shoqërisë organizative mbi vetë "Shtetin modern".
Instalimi i regjimit përfaqësues-zgjedhës ndërton faktikisht momentin final të konfliktit të gjatë mes Shoqërisë dhe Shtetit, konflikt që kulmon në mënyrë precize me përvetësimin e aparatit shtetëror nga ana e shoqërisë së organizuar, dhe konsekuenca e anulimit dhe pavarësisë së Shtetit.
Eksperienca ditore, faktikisht na mëson se të gjithë interesat, në globalitetin e tyre, shprehen pikërisht përmes partive politike: që partitë politike vlejnë pikërisht përderisa janë shprehje e interesave (pa dallim) të atyre që i ndjekin dhe i formojnë.
Ndarja mes momentit "politik" e momentit ose interesit ekonomik, është e imagjinueshme, nuk përket në realitetin e vërtetë: sepse përmbajta e detyrimit politik është, për natyrën e tij, një përmbajtje "totale": sepse në detyrimin politik kërkohet kënaqësia e gjithë interesave.
Në origjinën e kushtetutës përfaqësuese-zgjedhëse Edmondo Burke- i mendonte partitë si clubs të destinuar për të organizuar dhe artikuluar klasën politike si një minorancë homogjene, e cila gjente në parlamente shprehësinë e tij konkrete dhe ndjehej e legjitimuar në komandën e ekzistencës si raport i përfaqësisë "virtuale" përballë vendit.
Partia politike faktikisht paraqitet- sot ose kurrë- një instrument organizimi të ndjekjes politike si finalitet për luftuar për pushtet mes klasave të ndryshme politike.
Ngritja e përgjithshme e shtresave shoqërore inferiore ka nënshkruar struktura politike në një presion të dyfishtë të hatashëm-nga një anë është rritur shumë numri i atyre që presin në zgjedhjen e tyre politike (dhe pra nga detyrimi politik, nga raporti i besnikërisë dhe në "vazhdim"), kënaqësinë e gjithë atyre kënaqësive themelore; nga ana tjetër është rritur në mënyrë korrespondente numri i atyre që aspirojnë në pozicion pushteti, të bëhen pjesë e klasës politike.
Historikisht, një individ mund të gjendet i lidhur në një pluralitet të "detyrimeve politike". Por, ka të bëj me një pluralitet të rremë, sepse duke qenë detyrim politik- në ndryshim me atë "privat"-një detyrim total, ai është gjithmonë unikal.
Tani, nuk mund të mohohet që- prej shumë kohësh, dhe në mënyrë speciale në eksperiencën politike më të hershme- besnikëria në parti mbizotëron mbi besnikërinë tek Shteti që tashmë është plotësisht formale. Kjo do të thotë se: "detyrimi politik" është vetëm lidhje përmes të cilës i "vetmi" është i lidhur me partinë, që komuniteti "politika"- në kuptimin më të ngushtë- është vetëm partia dhe jo më Shteti.
Por, nëse gjërat qëndrojnë kështu duhet të kërkojmë të kuptojmë se për mes kujt kanaleve partia politike zëvendësohet në Shtet.
Fenomeni që mund të aludojmë në këtë spektër është ai i "Fraksionit administrativ" . Fenomen që ndoshta deri tani nuk është studiuar ashtu siç e meriton as në profilin historik e as në profilin tipologjik.
Sigurisht historianët e administratës publike tashmë janë takuar me këtë eksperiencë: ne dimë, faktikisht, që, në përgjithësi, dukja e personaliteteve dominuese në fushën e administratës publike dhe të qeverisë, është gjithmonë e shoqëruar nga prezenca, përreth personaliteteve të tillë, me instrumente njerëzore të qeverisë dhe të aksionit, të cilët ndërtojnë element të domosdoshëm për suksesin e liderëve të tyre.
Kështu, kush studion veprën, për shembull, e njerëzve të mëdhenj të qeverisë dhe administratës, duhet të marrë parasysh se aksioni i këtyre të mëdhenjve është bërë konkret dhe i dobishëm nga prania në vendet e komandimit, në levat e ekzekutivit- të ndihmësve të besueshëm, ku fati personal varej nga fati dhe suksesi i liderit të tyre dhe sipas nivelit të besnikërisë reciproke që ishte ndërtuar, për të bërë të mundur bashkëpunimin me synim final për të kryer efikasitet teknik.
Nëse fitorja e një partie politike, ndiqet menjëherë nga një vendosje, në vendet vendimtare, me persona që i përkasin ose janë të lidhur po me atë parti, pra ndodh për të premiuar besnikët me avantazhe dhe të ardhura politike (pra për të vënë në jetë finalitetin natyral të detyrimit politik) dhe për të garantuar aksionin pasues të qeverisë nga ana e të njëjtës parti fituese.
Megjithatë, shprehja "Shtet modern" është sinonim dhe ka të njëjtin funksion me Shtetin "sovran" dhe me Shtetin e "së drejtës", sepse ajo që ne thërrasim "Shtet" është vetëm një formë historike, i pajisur me rregulla të pushtetit publik, dhe historianët e kanë përdoru termin "Shtet" për të treguar një rregull që nuk shkon, ose që vetëm në mënyrë të hapur korrespondon (me republikat urbane-kështjellarë të Antikitetit klasik).
Shteti i vërtetë modern, është ai që bën lidhje bazë mes politikës dhe shoqërisë, praktikisht në të gjithë sistemet politike të botës moderne.
Gjithashtu, funksioni i "Shtetit" nuk limitohet vetëm në faktin për të ofruar një kuadër institucional: roli i tij është më i gjerë, sepse pushteti ushtrohet vetëm nëpërmjet Shtetit dhe vetë shteti është finalitet i pushtetit.



Saturday, March 28, 2009

Gjenerata Re Shqiptare

Sot, me datë 27 mars 2009, lidhur me një seri iniciativash të fundit që organizata shqiptare “Gjenerata Re Shqiptare” po ndërmerr për të promovuar imazhin e Shqipërisë në Botë, kryetari i saj dr. Alban Daci i shoqëruar nga z. Hairi Kaci, një biznesmen shqiptar që ka bërë sukses në qytetin e Torinës duke ndihmuar dhe përkrahur shumë bashkëkombës në nevojë, patën mundësinë dhe rastin të takonin z. Deodato Scanderbech, i cili është Kryetari i Grupit të Bashkimit të Demokratëve të Krishterë dhe të Qendrës si dhe Kandidat për deputet në Parlamentin Evropian i prezantuar në listën e partisë UDC.
Dr. Alban Daci i tha z. Scanderbech se: Shqipëria po ndryshon, duke ecur në rrugën e reformave për të realizuar integrimin e plotë në zonën Euro-Atlantike.
Gjithashtu, dr. Daci e sqaroj z. Scanderbech se Shqipëria, më në fund realizon ëndrrën e saj shekullore, sepse me datë katër prill ajo do të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO.
Ky akt shënon një moment mjaft të rëndësishëm, jo vetëm për popullin shqiptar, por për gjithë rajonin e Ballkanit duke e bërë atë më të sigurt.
Ndërsa, z. Kaci tha se: Shqipëria tashmë është një vend demokratik, që ofron mundësi të shumta investimesh në të gjitha fushat.
Biseda, ishte e ngrohtë dhe e përzemërt duke konkluduar se: Shqipëria ka hyrë në rrugën e pakthyeshme të integrimit Euro-Atlantik, prandaj dhe duhet të mbështet dhe përkrahet që ky integrim të ndodh sa më shpejt dhe me standardet e kërkuara.


Në foto nga e majta: Hairi Kaci, Deodato Scanderbech dhe Alban Daci

Wednesday, March 25, 2009

Politika dhe të rinjtë

lDr. Alban Daci, kryetar Gjenerata Re Shqiptare
Botuar me 26 mars 2009
Gazeta NDRYSHE

Desha ta filloj analizën time duke ju përgjigjur pyetjes- A ka të rinj Shqipëria? (kjo pyetje ka qenë titulli i një artikulli të shkruar në 1937 nga i madhi Faik Konica). Kjo është një pyetje retorike, sepse dihet botërisht që popullsia shqiptare është më e reja në moshë. Unë, për këtë arsye do të drejtoja një pyetje tjetër retorike se: a ka “Shqipëria” politika për të rinjtë?
Të rinjtë e sotëm shqiptarë e shikojnë politikën si diçka që nuk ju përket dhe nuk duhet jetuar aktivisht, sepse kanë krijuar bindjen se të gjithë politikanët janë “hajdut” dhe të “Korruptuar”.
Mendoj se janë tri argumentet që prekin të rinjtë e sotëm në lidhje me pjesëmarrjen e tyre aktive në jetën politike.
1. Të rinjve shqiptarë duhet t’iu rikujtojmë sensin e kolektivitetit.
Kolektiviteti, duket aktualisht si një fjalë që nuk ekziston ose që është zhdukur nga fjalori i të rinjve. Një pjesë e konsiderueshme e të rinjve i analizojnë shkaqet dhe pasojat në planin personal dhe individual.
Sot, të rinjtë, sapo dalin nga oborri i shtëpisë, nuk pyesin se çfarë ka ndodhur, çfarë ndodh dhe çfarë mund të ndodh? Mjafton që për momentin dhe çastin e kohës të mos prek oborrin e tyre, pa harruar se në një të ardhme të afërt edhe oborri i tyre do të jetë i prekshëm, përderisa është pjesë integrale me oborret e tjera në lagjen, qytetin dhe shtetin ku jetojnë.
2. Shumë i rëndësishëm për të rinjtë shqiptarë është shenjtërimi profesional i punës.
Çfarë është politika? Ka një mal me analiza akademike dhe historike që mund t’i japin përgjigje kësaj pyetje, por politika realisht s’është gjë tjetër veç se një punë që duhet bërë mirë, si ajo e gazetarisë, infermierisë, mjekësisë, avokatisë etj.
Duhet t’iu rikujtojmë të rinjve se çdo profesion duhet të bëhet në mënyrë korrekte. Prandaj edhe politika duhet bërë në mënyrë korrekte dhe jo të bjerë pre e joshjeve të korrupsionit.
Të bësh mirë një profesion ose një punë do të thotë të japësh një shembull të mirë, të përcjellësh vlera dhe të kundërshtosh/mos pranosh dhe luftosh antivlerat.
Prandaj, të rinjtë shqiptarë si fillim duhet të bëjnë shumë mirë detyrat e tyre fillestare: të studiojnë shumë, të respektojnë dhe të mbrojnë me çdo kusht diturinë dhe mjediset, ku kultivohet ajo. Pra, të luftojnë dhe të mbrojnë të drejtat personale dhe kolektive si në aspektin juridik dhe në atë sociologjik dhe njerëzorë, të mbrojnë me fanatizëm dhe me vendosmëri të palëkundur “Lirinë”, e cila përfaqëson emblemën e shoqërisë demokratike dhe pluraliste. Pasi të kenë, krijuar në formë natyrore dhe akademike shenjtërimin dhe respektin për punën dhe profesionin, le të pretendojnë për një stafetë më absolute dhe më të domosdoshme, e cila quhet Politikë.
3. Argumenti i tretë është lufta mes të mirës dhe të keqes.
Në këtë argument duhet të shpjegojmë se termi “luftë” nënkupton një luftë që zhvillohet jo me armë, por me ide dhe vizione.
Arsyetimi, në terma pesimist, duke thënë se: politika është vetëm përvese, nuk shërben për asgjë.
Prodhimi i këtij arsyetimi është i thjeshtë, sepse nëse vendet e politikës lihen në duart e personave të pandershëm, do të thotë se nuk mund të ndryshoj dot asgjë dhe asnjëherë.
Kohë më parë, kam bërë një sondazh që respekton të gjitha parametrat e doktrinës bashkëkohore politike, i cili vazhdon të jetë i pasqyruar në disa web-site, ku vizitorëve ju kërkohet sipas alternativave të identifikohen se ku bëjnë pjesë: në pjesëmarrje aktive politike, që nuk merren me politike apo që merren vetëm kur cenohen vetë ata.
Rezultati i deritanishëm është se janë krejtësisht indiferent nga politika, sepse e kanë humbur besimin tek ajo.
Nga ky sondazh që kam krijuar, kam studiuar dhe kuptuar që duhet t’iu ri japim besim brezave të rinj që kanë vështirësi ose pamundësi për të gjetur vetën në këtë shoqëri.
Pra, për të realizuar këtë besim, duhet t’iu eliminojmë nga mendjet e tyre pesimizmin duke ju dëgjuar arsyet dhe duke ju dhuruar qartësinë/forcën që të fillojnë të besojnë tek politika.
Interesante dhe e rëndësishme që kërkon një përgjigje korrekte është edhe pyetja se: kush duhet të jetë modeli i të rinjve në politik?
Mendoj, se në Shqipëri, për interesa qorre dhe dritëshkurtra të përfaqësuar nga klane të ndryshme po krijon paragjykime, diskriminime dhe steriotipe të padrejta se: unë, jam i ri dhe përfaqësoj të renë dhe ju andej matanë lumit jeni të vjetër dhe përfaqësoni te vjetrën.
Nuk është aspak e drejtë në planin e etikës që dikë ta identifikosh të vjetër, sepse ka ca vite më shumë mbi supe dhe vetë të konsiderohesh i ri, sepse sapo ke filluar të kuptosh se si është jeta.
Unë, dhe organizata “Gjenerata Re Shqiptare” që drejtoj prej vitesh, kemi pasur si gurë themelorë se: Shqipëria, ka nevojë për njerëz që kanë vizione të reja për të ardhmen e përbashkët, që mendojnë dhe janë të bindur se integrimi në zonën euro-atlantike është shumë i rëndësishëm dhe i pa zëvendësueshëm për të garantuar prosperitetin, zhvillim dhe sigurinë tonë kombëtare.
Pra, për ne si organizatë, idetë përbëjnë shtyllën kryesore për të vepruar dhe qenë një aktor i rëndësishëm, suksesshëm dhe frutdhënës në jetën politike.
Xhuzepe Maxini, theksonte se “jam një aktor jo i drejtpërdrejt në politikën italiane, por jo i pa rëndësishëm, sepse unë ndërhyj përmes ideve”.
Ne, organizata “Gjenerata Re Shqiptare”, kemi punuar, krijuar duke hedhur drejtpërdrejt në terrenin e politikës aktive, modelin e të riut të sotëm politikan. Këtë model e kemi krijuar të ri, që nuk ka asgjë të përbashkët me të kaluarën e dhimbshme dhe të trishtueshme që ka kaluar vendi ynë, por ka në dorë forcën e audiencave, bibliotekave, auditorëve, librave, diturisë dhe që aspiron fuqishëm dhe me çdo kusht për integrimin e plotë në zonën euro-atlantike.
Ky është modeli që kemi krijuar dhe që do të vazhdojmë ta krijojmë në të ardhmen, sepse është koherentë dhe i përgatitur për të sfiduar të ardhmen.
Të bësh krahasime mes brezave, dhe mes ngjarjeve historike ashtu siç kanë bërë këto ditë disa të ashtuquajtur analistë, mendoj se është krejtësisht e padrejtë dhe jo e saktë.
As historia, dhe as doktrina politika sipas standardit akademik nuk pranon të thuash se: ju të rinjtë e sotëm nuk jeni si ato të 68-tës dhe se ju të rinjtë e sotëm jeni të paaftë dhe pa ideale.
Është absurde të krahasosh dy momente historike në periudha të ndryshme, sepse momenti kohë, faktorët njerëzorë janë krejtësisht të ndryshëm. Pra, janë dy periudha që secila përfaqëson veten dhe vetëm veten.
Ndërsa, të përgjithësosh të gjithë të rinjtë e sotëm se janë të paftë dhe pa ideale, do të thotë të kesh informacion të cunguar dhe horizont krejtësisht të mbyllur.
Të rinjtë e sotëm, janë ato që vijnë me të vërtetë nga shoqëria civile dhe punojnë fort pa bërë reklama televizive, pikërisht për shoqërinë civile shqiptare.
Këto janë të rinjtë e vërtetë që kanë ideal, punën, lirinë, demokracinë dhe shpresën për të jetuar, të cilët janë të shumë në numër, por që punojnë nën heshtje ditë e natë.
Nuk do të jetë e largët ajo ditë, kur këto të rinj bashkë me punën e tyre reale dhe fisnike që bëjnë, do të dalin në pah të drejtpërdrejtë për të treguar se kanë shumë ideale dhe se për këto ideale ka nevojë e gjithë shoqëria politike dhe civile shqiptare.
Ne, organizata “Gjenerata Re Shqiptare”, kemi krijuar modelin e të riut që duhet të ndryshoj politikën dhe që jo politika të ndryshoj atë.
Ky, është vizioni për të cilin kanë shumë nevojë qytetarët e thjeshtë, për të qenë në gjendje që të bëjnë politikën aktive dhe pozitive.

Tuesday, March 17, 2009

Realitete në udhëkryq

Dr. Alban Daci
Botuar me 18 mars 2009
Gazeta NDRYSHE

Ka situata që dikush jo veten i din, sepse janë të pranishme dhe të prekshme në jetën e tij të përditshme, por që i vëzhgon në formë pasive dhe me keqardhje pa qenë në gjendje që t’i ndryshoj. Në këtë rast kemi të bëjmë me gjëra reale, por të pa pranueshme që ndërtojnë jetën e një personi, ose të paktë e rrethon jetën e tij duke e orientuar në qorrsokakë të ngushtë, të errët dhe të pa sigurt.
Nëse do të kishte arritur shkenca që me teknologjinë e saj të na paraqiste realitetet njerëzore të një vendi ashtu siç na jep në mënyrë të skematizuar me pamje satelitore rrugët, natyrën dhe relievin e një vendi. Atëherë realitetet njerëzore të shqiptarëve do të fotografoheshin nga lart si rrugica qorre që kryqëzohen dhe ndahen nga njëra tjetra në mënyrë të ç’rregullt.
Mendjet e shqiptarëve janë aq shumë të trazuara, të provokuara dhe konfuze saqë është shumë e vështirë për të ndërtuar realitetin e secilit në veçanti dhe të të gjithëve në përgjithësi, sepse këtu veprojnë shumë rryma, ide dhe mendime që kundërshtojnë, ndajnë dhe bashkojnë në të njëjtën kohë mendjen e çdo shqiptari si aktor i veçantë në shoqëri dhe të gjithë shqiptarëve si aktorë të përbashkët të realitetit të përgjithshëm njerëzor shqiptar.
Çdo shqiptar në kompleksin e përgjithshëm të realitetit njerëzor nuk është aktor apo kalimtar i një sokaku të vetëm, por gjatë udhëtimit të tij jetësor, pse jo dhe ditor mund të udhëtoj në disa sokakë, të cilët për nga struktura e të menduarit, të vepruarit, për mënyrën se si janë ndërtuar, për stilin dhe gurët që janë përdorur për t’i shtruar, për ngjyrat që janë përdorur për të lyer muret anësore, janë të ndryshëm, deri sa herë-herë arrijnë në një pikë të përbashkët, ku kryqëzohen dhe bëhen të njëjtë.
Këtu, në realitetin shqiptar, nuk është e habitshme që një person pasdite të zgjedh rrugën e një politikani që e ka ftuar të marr pjesë në një pjesëmarrje politike të natyrës protestuese, në darkë të shkojnë në rrugën e një politikani tjetër që e fton ta ndjekin në sokakun e politikës së tij për të protestuar dhe kundërshtuar atë të pasdites si dhe nesër në mëngjes, të zgjedh një sokak tjetër që është krejtësisht i ndryshëm në interesa dhe në formë me dy të parët.
Personat që kanë zgjedhur të udhëtojnë në këto sokakë kanë disa veçori dhe të përbashkëta të cilat janë:
1. Statusi i udhëtarit që duhet të ec nëpër sokakë që nuk i ka shkelur asnjëherë më parë.
2. Të gjithë sokakët janë të ngushtë, errët dhe herë pas here kryqëzohen me njëri-tjetrin duke formuar sheshe të vogla, ku mund të gjesh udhëtar të ndryshëm, por që kanë të njëjtin synim, të dalin sa më shpejt në ndriçimin e plotë, ku syri i tyre mund të mbushet me kurajë/gëzim për të përjetuar çastin e lirisë dhe të arritjes së objektivit personal politik dhe njerëzor.
3. Të gjithë këto sokakë janë pjesë e të njëjtit realitet, atij shqiptarë.

Për shembull është paksa i ngatërrueshëm dhe i vështirë për tu shpjeguar sipas moralit njerëzor se persë një ose disa persona të lindur/rritur në të njëjtin sokak me kalimin e kohës zgjedhin sokakë të rinj për të udhëtuar të pavarur në interesat personale për tu takuar më vonë në sheshe të përbashkëta. Aty, ku të gjithë takohen përsëri së bashku, për të rikujtuar nostalgjitë që kanë përjetuar bashkërisht, kur ishin në sokakun e parë të jetës së tyre reale të përbashkët.
Në këtë labirint të mbushur me sokakë të ndryshëm dhe të ngjashëm në të njëjtën kohë, duhet të jetë shumë e vështirë për udhëtarin shqiptar që ketë të zgjedhur për të realizuar realitetin e tij njerëzorë, sepse sado të jetë i bindur se ka zgjedhur një rrugë të pavarur dhe të ndryshme nga të tjerët, ai do të zhgënjehet, kur të shikoj se trajektorja e tij pa kaluar shumë kohë takohet me një, dy apo me më shumë sokakë të tjerë.
Po përse realiteti njerëzor shqiptar ka një labirint kaq shumë të ngjeshur dhe të paqartë, kaq shumë të ngjashëm dhe të ndryshëm në të njëjtën kohë? Sepse realiteti shqiptar, para rënies së perdes së hekurt formonte vetëm një sokak të vetëm, ku të gjithë udhëtarët ishin të detyruar të udhëtonin vetëm përmes atij, duke ecur e ecur, por pa arritur kurrë që t’i dilnin në krye.
Nuk i dilnin dot asnjëherë në krye, sepse sokaku ishte tamam si trupi i një gjarpri, ku udhëtarët e thjeshtë dhe të lodhur ndodheshin në pjesën e trupin, kurse kokën e përbënin vetëm një ose dy udhërrëfyes dhe drejtues në të njëjtën kohë.
Shqiptarët, të bezdisur për faktin se kishin më shumë se pesëdhjetë vjet që kishin qenë të detyruar të udhëtonin në të njëjtin sokak, sapo ju jepet liria për të zgjedhur, ato menjëherë fillojnë të shkelin dhe të krijojnë sokakë të rinj.
Ato filluan të ecnin ditë e natë, saqë ishte i pashmangshëm kryqëzimi i tyre, duke formuar sheshe të përbashkëta për të treguar historitë e udhëtimeve personale, për të sharë/mohuar të kaluarën e përbashkët si dhe për të harruar se kanë të njëjtën origjinë, duke u hequr si udhëtar krejtësisht të rinj për të realizuar një eksperiencë të re.
Përderisa këto janë sokakë, për nga natyra dhe stili urbanistik, janë të ngushtë. Atëherë si pasojë do të krijojnë realitete të ngushta, jo gjithë përfshirëse, ku mund ta gjejnë vetën pak udhëtarë, të cilët të pavendosur dhe të lodhur për të arritur në finish, ndryshojnë disa sokakë me shpresën për ti rënë shkurt dhe për të përfituar sa më shumë dhe sa më shpejt.
Të gjithë këto sokakë formojnë së bashku realitetin e kryqëzuar shqiptarë, sepse nuk ofrojnë alternativa të reja dhe të ndryshme, por një bashkësi sorollatjes jo frytë dhënëse që e vendosin jetën e çdo shqiptari në një pozicion shumë të vështirë vendimmarrje se çfarë duhet të zgjedh, pse duhet ta zgjedh dhe kur duhet ta zgjedh për të ndërtuar sokakun e realitetin të tij duke shpresuar se shumë shpejt do të arrij të kaloj labirintin për të gjetur horizontin e shpresës dhe ndryshimin e shpirtit dhe kthjellimin e mendjes.

Friday, March 6, 2009

Veset dhe virtytet e politikës

Dr. Alban Daci
Botuar me 7 mars 2009
Gazeta NDRYSHE

Kur flitet për politikën është me të vërtetë shumë e vështirë për të mos rënë në joshjen e tipit: këtej janë të mirët, andej të këqijtë, këtej tanët, andej kundërshtarët dhe armiqtë.
Ky rregull vlen, kur flitet për politikën në përgjithësi, si një aktivitet që tashmë pikturohet si turpi i njerëzimit, si gjëja më negative që vetë njeriu ka prodhuar për të qenë i nënshtruari i ideve të tija, por që nuk kanë për objekt atë, problemet e tija dhe vetë jetën e tij, sepse politika lind nga njeriu dhe idetë njerëzore, por në momentin që ajo është krijuar dhe merr formën e plotë, bëhet e pavarur nga ai dhe e kontrollon atë duke e pushtuar në të gjitha format e të menduarit dhe të vepruarit.
Në politikën e përditshme, veset duken sikur ndërthuren me virtytet e saja, në një përzierje, ku asgjë nuk është lehtësisht e ndarë nga pjesa tjetër e mbetur.
Le të rikujtojmë disa nga veset kryesore të politikës që janë pak a shumë të pranishëm dhe të ngjashëm në të gjitha sistemet politike.
Në vend të parë është korrupsioni: “ më shumë ligje do të jenë miratuar, më shumë hajdutë dhe bandit do të jenë” do të citonte Lao Tse, më i madhi dhe themeluesi i taoizmit kines, rreth treqind vjet para lindjes së Krishtit.
Sigurisht që në ditët e sotme një citim i tillë mund të tingulloj paksa i ekzagjeruar, por është gjithmonë jashtë dyshimit që pushteti është rezultat veçanërisht i ekspozuar në joshjet e korrupsionit: si në tentativat për ta shtir në dorë, si në ato për ta mbajtur duke paguar çdo çmim.
Ndoshta qytetari i thjeshtë dhe i ndershëm mund ta ketë të vështir të penetroj brenda salloneve të oborrit për të vëzhguar dhe kuptuar se çfarë ndodh dhe mund të ndodh fshehur thellë poshtë elegancës që oborrtarët na paraqesin në pamjen e parë, por ai do të jetë aq vigjilent dhe inteligjent sa të kuptoj që prona publike dhe floriri i të gjithëve po vidhet nga persona që profesionin për të qeverisur e kanë hasur rastësisht.
Ndoshta, për disa që janë të vetëdijshëm, sepse kanë qenë vetë dëshmitar të drejtpërdrejt e kanë kuptuar se çfarë përmasash galopante ka marrë fenomeni i korrupsionit në Shqipëri, saqë nuk i mjaftuam vetëm 28 mijë kilometra katror, por kaloj jashtë kësaj hapësire duke vepruar edhe në ishujt që ndodhen jashtë kësaj zonë, të cilët kanë të njëjtin juridiksion dhe të njëjtët aktor që e ushtrojnë atë pa pasur problemin më të vogël.
Të jesh sot politikan në Shqipëri, do të thotë se: më parë mund të kesh qenë një hajdut, një rrugaç, një maskara, një i pa shkollë, arrogant, një pseudo intelektual, një i ashtuquajtur profesor, një biznesmen që nuk dihet se si e ke nisur në fillimin aktivitetin tregtar apo prodhues dhe me çfarë burimesh e ke financuar dhe vazhdon ta financosh atë.
Të jesh sot politikan në Shqipëri do të thotë se: vlerat njerëzore nuk bëjnë pjese në mënyrën tënde të jetuarit, që njerëzorja ose nuk ka qenë asnjëherë e pranishme tek ti ose ajo sapo ti ke filluar të bësh politikanit dal nga dalë është zbehur duke humbur gjurmët e saja.
Në Shqipëri, mund të bësh politikanin, amoralistin, deputetin dhe ministrin, sepse qytetarët të kanë besuar besimin e tyre për t’i përfaqësuar, të kanë bërë të plotfuqishëm me vullnetin e tyre dhe për këtë arsye ti mund të abuzosh mbi ta, mund t’i përdorësh ata sikur të ishin qenie që nuk kanë asnjë vlerë për t’i respektuar, sepse vlerat e moralit dhe të njerëzimit që ty ti besuan mund t’i shtypësh dhe t’i poshtërosh sa herë të duash pa dhënë llogari para askujt, për faktin se ti tashmë je i plotfuqishëm.
Sa e vështirë është bërë për ne të rinjtë që po edukohemi me vlerat, sepse për t’i praktikuar ata duhet të marrim besimin dhe aprovimin e atyre që antivlerën e kanë virtyt dhe përdorimin e saj në jetë e kanë si diçka normale për të kënaqur dëshirat e tyre maniake duke përdorur nevojat dhe dëshirat tonë për të pasur një vend pune që na duhet si një burim material i domosdoshëm për të ndërtuar ëndrrat tona dhe për të jetuar në mirëqenie.
Sa e vështirë është bërë për ne të rinj që nuk na mjaftojnë orët e tëra që kalojmë duke studiuar si dhe sakrificat e prindërve tanë që kanë bërë për të na garantuar të drejtën për studim, por që duhet të fillojmë të përgatitemi dhe të studiojmë pornografinë, seksin, kamasutrën dhe erosin pasi janë bërë pjesë e provimit që duhet të japim për të fituar një vend pune.
Sa e vështirë dhe e dhimbshme është për ne shqiptarët, kur dëgjojmë se një familje e ndershme dhe e thjeshtë shqiptare që ka sakrifikuar pothuajse gjithçka për të ndërtuar të ardhmen shuhet larg nga Atdheu, në mërgimin e dhimbshëm dhe të vuajtur.
Sa e turpshme dhe e padurueshme është për ne shqiptarët, kur dëgjojmë nga televizionet e vendeve që kemi zgjedhur për të emigruar skandalet e radhës të kryera nga politikanët tanë, që me bëmat e tyre krijojnë imazhin e gabuar për vendit tonë jashtë në Botë.
Sa normale dhe krejt e natyrshme është bërë për qytetarët tanë që kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar tek sa shikojnë dhe dëgjojnë skandalet e radhës të kryera nga politikanët që i kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar në nivelet më të larta drejtuese të qeverisjes.
Gjithçka mund të ndodh para syve tanë, mjafton mos të na prek neve menjëherë dhe drejtpërdrejt dhe nuk na intereson aspak nëse prek të tjerët dhe se një ditë pas tyre mund të jetë edhe radha jonë për të qenë jo vetëm të prekur por edhe të “përkëdhelur”, të “zhveshur” me qëllimin për të “kënaqur” dëshirat shpirtërore të atyre që na prekin dhe dëshirat tona për të siguruar burimet e jetesës.
Po ndonjë virtyt a mund të ketë politika aktuale shqiptare?
Sinqerisht nuk shikoj ndonjë virtyt pasi është aq shumë e mbushur me vese negative sa do të duhej një teleskop që përdoret për të vëzhguar yjet për të vënë re se në gjirin e saj ka mbetur ndonjë vlerë pozitive njerëzore, e cila mund të bëj pjesë tek virtytet e politikës pozitive që nuk është kundër qytetarëve të saj, por që bashkë me ta përjekton sigurinë, paqen, mirëqenien, prosperitetin, zhvillimin dhe dëshirën për të vënë në qendër të vëmendjes qytetarin.
Të vetmin virtyt që mund të kenë akoma politikanët tanë që janë në instanca qeverisëse/ keq qeverisëse është të largohen para se reagimi ynë për të mbrojtur moralin tanë, të drejtat tona, të jetë i ashpër dhe i pamëshirshëm ashtu siç ka qenë qëndrimi i tyre gjatë gjithë kësaj periudhe, ku të qetë dhe të pa shqetësuar ka bërë ç’kanë dashur me ne.
Të largohen jo vetëm nga ambientet e politikës që e kanë ndotur me imoralitet, korrupsion dhe pa përgjegjshmëri, por edhe nga jeta jonë e përditshme, sepse stili i tyre të menduarit dhe të jetuarit nuk bën pjesë në vlerat tona që kemi trashëguar si popull, sepse nuk bëjnë pjesë në kostumet dhe traditat tona, ku ndershmëria, besnikëria dhe dashuria për njëri-tjetrin si dhe shpirtin individual për tu sakrifikuar në emër të shumicës ka shoqëruar historinë tonë ndër shekuj.
Përderisa ata janë kaq të ndryshëm dhe larg vlerave tona, duhet të largohen nga ne, sepse nuk përfaqësojnë asgjë tonën dhe ne nuk mund të vazhdojmë të bashkëjetojmë me ta, sepse nuk kemi asgjë të përbashkët me ta.
Kjo politikë është e huaj tek ne, dhe ne nuk e gjejmë aspak vetën në mjedisin e tyre. Prandaj, o ata do të largohen vetë nga jeta jonë e thjeshtë që ka nevojë për shumë kujdes për të siguruar vazhdueshmërinë, ose do të jemi ne ata që duhet të lëvizim për ti detyruar të largohen, që të vazhdojmë në rrugën e vlerave njerëzore që na karakterizuar si popull për të punuar së bashku për të jetuar më së miri të tashmen dhe për tu impenjuar po së bashku për të projektuar të ardhmen e dëshiruar.