Monday, January 27, 2014

Duhet një koncept i ri opozitar


Alban DACI

Situata aktuale në Shqipëri kërkon një model të ri opozitarizmi. Deri më sot koncepti klasik opozitar në Shqipëri ka qenë mbi baza vetëm ideologjike. Kjo do të thotë se opozitarizmi shqiptar lidhej vetëm me partitë politike, me interesat e tyre. 
Opozitarizmi deri më sot varej e kontrollohej drejtpërdrejtë vetëm nga forcat politike. Qytetarë të lidhur shpirtërisht me partinë e tyre protestonin vetëm nëse kjo e fundit i thërriste ta bënin një gjë të tillë. 
Me rastin e armëve kimike lindi një formë e re e opozitarizmit, ajo qytetare. Në demokracitë e stabilizuara opozitarizmi qytetarë ka qenë pikërisht forma më klasike që ka sjellë ndryshimet dhe reformimet më të mëdha që lidheshin më çështje si barazia burrë/grua, e drejta për abort e shumë çështje të tjera. 
Më në fund sic duket 20 vitet tranzicion kanë dhënë efektin e tyre edhe në shoqërinë shqiptare duke e zgjuar atë nga gjumi letargjik. Megjithatë, shoqëria shqiptar për shkak të monopolit politik dhe presionit që politika ka ushtruar mbi të vazhdon të vuaj nga individualizmi. 
Ka shumë diskutime që pohojnë se individualizmi është pjesë e rëndësishme e demokracisë. Jam dakord me këtë, por kjo vlen për shoqëri të cila kanë një model demokratik të stabilizuar në vite. Pra, individualizmi është forma e fundit dhe e përkryer e shoqërisë, pasi ajo të ketë arritur të gjitha të drejtat. 
Shoqëria shqiptare nuk ka privilegjin të aplikojë individualizmin si formë të përkryer të demokracisë, sepse ajo nuk ka fituar shumicën e betejave të cilat kërkojnë angazhimin e të gjithëve. 
Pra, shoqëria shqiptar nuk ka arritur akoma në formulën të “gjithë për një” dhe “njëshi vetëm për vete”. Shoqëria shqiptare sot për përjeton një moment shumë delikat, ajo po përjeton hijet e një të kaluare të errët, ku pushteti e kontrollonte,censuronte dhe e përdorte vetëm për interesat e saj. 
Sot, kemi një qeveri e cila po tenton ta gllabërojë shoqërinë në hijen e saj duke ushtruar diktat e presion. Qeveria, me dëshirën e saj për të kontrolluar e manipuluar shoqërinë po kontrollon përmes ofertave joshëse e presioneve klasike mediat shqiptare. Shqiptarëve po ju hiqet një ndër të drejtat themelore të demokracisë, të drejtën për tu informuar dhe për të mësuar versionin e vërtetë. 
Gjithashtu, qeveria me modelin e saj akoma të papërcaktuar mirë po tenton përmes aksioneve anarkike të mirëjustifikuara të ushtrojë frikë e presion kundër shoqërisë. Rritja e taksave, arrestimet, pa siguria për jetën nuk janë të rastësishme. 
Qeveria, me një nostalgji të sëmurë të frymëzuar nga historia, po tenton të krijoi një model të ri social-politik i cili duhet të filloi nga zeroja. Pra, me një mënyrë ose tjetër kjo qeveri po tenton të bëj një revolucion regresor të shoqërisë.
Çështjet që po cenon qeveria aktuale janë çështje territoriale, kombëtare e që lidhen me interesin e çdo qytetari. Tani çështje të nxehta janë devijimi i Radikës e Vjosës. Ndoshta shumë qytetarë për shkak të faktit se qeveria ka monopolizuar median, nuk janë në gjendje të dinë versionin e vërtetë e për këtë arsye nuk kanë reaguar deri më sot. 
Devijimi i Radikës dhe Vjosës janë çështje reale që bazohen në projekte konkrete që kanë Republika sllave e Maqedonisë dhe Greqia. Përderisa çështje të kësaj natyre janë të interesit kombëtar, ato duhet të trajtohen jo vetëm nga opozitarizmi politik, por nga opozitarizmi qytetar. Cdo qytetarë duhet të ndjehet i motivuar të protestojë e të reagojë që interesat vitale të mos cenohen. 
Mënyra se si po e keqpërdor kjo qeveri pushtetin e deleguar nga sovrani, ka vetëm dy mënyra që qytetarët të rigjejnë përfaqësimin dhe lirë e cenuar: të bëhen palë me këtë pushtet e të pranojnë shtypjen; të bëjnë opozitën me këtë pushtet e të rigjejnë lirë sociale e të mbrojnë interesin e përbashkët, atë kombëtar.