Dr. Alban Daci
****
Benjamin Constant[1], mbështet idenë se njeriu është jo i përsosur, por, ai mund të përsoset; ai është protagonist i një procesi të vazhdueshëm, që akumulohet në kohë. Fakti, se njeriu është jo i përsosur, sjell besimin e lirë se edhe institucionet politike dhe sociale janë jo të përsosura. Ato mund të përmirësohen dhe të përshtaten në një masë më të gjerë të prirjeve njerëzore, por çdo hap përpara duhet të jetë vazhdimisht i mbrojtur nga rreziku i shkatërrimit regresiv, të hapave të bëra mbrapa dhe nga katastrofat e historisë.
Gjejmë rastin të analizojmë rastin e Shqipërisë së pas viteve ’90 deri në ditët e sotme. Le të themi se, ashtu siç u pretendua nga ngjarjet ndërkombëtare dhe ato të brendshme, ashtu si në shumë vende të Europës Lindore edhe në Shqipëri, u shemb diktatura komuniste dhe u rivendos sistemi liberal (ose demokracia, e njohur ndryshe). Ky sistem i vendosur në fillim të viteve ’90 në Shqipëri është njohur dhe propaganduar kryesisht si një demokraci liberale, e cili vazhdon të cilësohet i tillë edhe sot. A u vendos me të vërtetë në Shqipëri në këtë hark kohor doktrina liberale? Duke u nisur nga hyrja, që bëmë, del se jo. Është e vërtetë se institucionet e reja të formës demokratike që u vendosën në fillim të viteve ’90 ishin jo të përsosura, por, gjithashtu, është po e vërtetë se ato nuk u përmirësuan në kohë. Madje, në shumë raste dhe momente të ndryshme kohore ato kanë bërë hapa të mëdha mbrapa. Ecuria e tyre në kohë ka qenë e formulës “një hapa para dhe dy mbrapa”. Si mund të vërtetohet kjo? Fare thjeshtë! Mjaftojmë të citojmë ngjarjet e vitit ’97, ’98, 2011. Në këto data të cituara ato jo vetëm që nuk u përsosën, siç pretendon Benjamin Constant, por ato ecën me hapa mbrapa, sa u kthyen tek minus infiniti, d.m.th drejt shkatërrimit dhe mos funksionimit të total të tyre.
***
Mendimi liberal tenton të refuzoi dogmat dhe vlerat absolute. Vlerat absolute, duke u nisur nga ato fetare mund të përfshihen në sferën private, por jo në atë publike. Të vetmet vlera që liberalizmi i njeh si absolute, jo si dogma, por si postulate, janë principet e “lirisë” dhe të “dialogut”. Gjithçka tjetër për liberalizmin duhet të jetë e diskutueshme, modifikuar, përshtatur, përmirësuar dhe e dialogueshme. Nuk ekziston një vlerë etike, ose politike, fetare e privilegjuar dhe absolute, që mund të jetë për të gjithë e detyrueshme edhe me forcë. Në Shqipëri, në këto njëzet vitet e fundit, është zbatuar një liri e stilit të veçantë, liri e njëanshme, e cila nuk është pjesë autonome e shoqërisë dhe e dalë po nga vetë shoqëria, por ajo buron dhe varet krejtësisht nga politika. Për shembull, në Shqipëri nuk është e garantuar liria dhe e drejta për të studiuar. Këtë të drejtë dhe liri e përfitojnë jo të gjithë anëtarët e shoqërisë, por vetëm ato që kanë lidhje interesi dhe servilizmi me politikën, nga e cila përfitojnë pushtet politik dhe ekonomik. Sot është shumë e vështirë, ose thuajse e pamundur, të marrësh një provim në universitet vetëm me zotësinë tënde, nëse nuk i falesh në mënyrë materiale, ose servilizmi, pedagogut. Sot, edhe pse ke rezultate maksimale dhe plotëson të gjitha kushtet për ndjekur studimet e doktoraturës, nuk mundesh, sepse kuotat janë vendosur në dispozicion të politikës dhe servilëve të saj, që para se të afishohen dhe publikohen. Kuotat, në fillim, u rezervohen njerëzve të pushtetit, pastaj servilëve të tyre dhe në fund, nëse mbetet, edhe për qytetarin e thjeshtë dhe të përgjithshëm, që nuk ka pushtetin e politikës, por ka talentin dhe meritokracinë e studimeve që ka kryer me sukses. Ngjarjet e njëzet viteve të fundit na dëshmojnë se aspak nuk kemi pasur dhe nuk kemi një doktrinë liberale të zbatuar në vend. Këtë e vërteton fakti, se klasa politike në vend nuk është as përshtatur, modifikuar dhe nuk karakterizohet aspak me karakterin e marrëdhënieve dialoguese ndër veti. Këtë e vërteton fakti, se që nga fillimi ’90 deri në ditët e sotme, kemi të njëjtët personazh politikë, si në krahun e majtë, ashtu edhe në atë djathtë. Për rrjedhojë, duke mos u zbatuar kriteret e rëndësishëm të liberalizmit, siç janë ai i modifikimit, zëvendësimit dhe alternimit ka bërë që edhe institucionet dhe ngjarjet rreth tyre të përsëriten duke zbatuar të njëjtin formulë “një hap përpara dhe dy mbrapa”. Për pasojë të mungesës të këtyre kritereve, kanë ndodhur ngjarjet e viteve ’97, ’98, 2011 dhe nëse ato të vazhdojnë të mungojnë me siguri do të ndodhin të tjera ngjarje me të njëjtën fizionomi.
***
Mendimtarët liberal kanë zhvilluar, në forma të ndryshme, një përjashtim që e kupton shoqërinë jo si një organizëm të gjallë, super individuale, por si një shumë të jetesës së individëve, ku secili përfaqëson një vlerë në vetvete, si person, dhe jo një vlerë të nën varur të kolektivit shoqëror. Vlerat parësore të jetuarit social, janë gjithmonë të fokusuara mbi jetën dhe mbi lirinë e individit, dhe personat e veçantë nuk duhet të jenë kurrë mjete për t’u përdorur dhe sakrifikuar për qëllime sociale, ose për qëllime shtetërore, por, në të kundërt, janë organizime sociale. Edhe ky parim, në njëzet e vitet e fundit, nuk gjen aplikim në Shqipëri. Për të mos shkuar shumë kohë më larg, ngjarja e 21 janarit të vitit 2011, po ta analizojmë me qetësi, dëshmon, se personat (qytetarët) janë përdorur dhe janë sakrifikuar për qëllime sociale ose shtetërore.
***
Individët, të ndryshëm mes tyre, të shtyrë nga egoizmat e tyre, ose më mirë, nga nevoja për t’u mbrojtur dhe për të mbrojtur interesat shpirtërore dhe materiale, jetojnë në një gjendje tensioni, konkurrence, ose rivaliteti të vazhdueshme. Diversiteti dhe konfliktualiteti, për liberalizmin dhe doktrinën e tij, nuk duhet të eliminohen- ato nuk janë të eliminueshëm- sepse përbëjnë vlera. Diversiteti është një pasuri, një stimul për progres, ndërsa konflikti favorizon më të zotët dhe i shtyn të gjithë të japin më të mirën e mundshme. Për disa aspekte konflikti është edhe një e keqe, por një e keqe e nevojshme dhe papërmbajtshme që, e futur në rendin natyror të reagimit njerëzor, prodhon në tërësi më shumë pasoja pozitive sesa negative. Megjithatë, sipas mendimi liberal, konflikti duhet të zvogëlohet në fushën e një dialektike konkurruese, ballafaqimi dhe dialogu, ku format e tij ekstreme, si lufta dhe dhuna, racionalizohen, konvertohen dhe mbahen brenda kufijve të rendit politik dhe juridik. Ky është një argument tjetër që vërteton hapur faktin se në njëzet vitet e fundit në Shqipëri nuk ka pasur doktrinë liberale të zbatuar në institucione dhe në shoqëri. Në Shqipëri diversiteti (kryesisht ai politik) konsiderohet një e keqe e madhe, mbi të cilën aplikohen forma të egra ndëshkuese. Për shembull, nëse je një specialist shumë i mirë, punon në administratën shtetërore gjatë kohës që qeveris PS-ja (ndoshta ke edhe bindje të majta personale, por që nuk influencojnë për ushtrimin e profesionit si profesionist), sapo të humb në zgjedhje PS-ja dhe të vij në pushtet PD-ja, je automatikisht i pushuar nga puna, me të vetmin motivim se ke bindje të majta. Diversiteti nuk konsiderohet një pasuri as në shoqëri. Akoma, sot, në shoqëri shqiptare, nëse shpreh dhe ke bindje politike të ndryshme nga të tjerët, t’i konsiderohesh si një rrezik potencial dhe nuk janë të pakta rastet kur opinioni i tjerëve, që kanë bindje të ndryshme nga ti, të shkojë deri në urrejtje njerëzore ndaj teje dhe ndonjëherë dhe në kërcënim të drejtpërdrejt fizik. Edhe pse në Shqipëri pretendohet se ka demokraci, qytetarët kanë frikë të tregojnë bindjet e tyre politike. Gjithashtu, situata aktuale politike në vend, e cila është kopje e njëjtë për të gjitha situatat politike në njëzet vitet e fundit, tregon se konflikti mes forcave të ndryshme politike nuk është zvogëluar në fushën e një dialektike konkurruese, ballafaqimi apo dhe dialogu, po është në pozicionin e një lufte, ku herë pas herë përdoret edhe dhuna. Marcel Gauchet[2] shkruan: konflikti “me të vërtetë është një faktor thelbësor i shoqërizimit dhe sipas mënyrës së tij prodhues i veçantë dhe i integrimit të kohezionit”. Por në këtë rast, sipas historive të demokracive perëndimore, ky mbetet i lokalizuar vetëm në dialektin e ballafaqimit dhe të debatit përmes ideve dhe projekteve konkrete politike, ku si kusht kryesorë është fakti se ato përmbajnë dhe parashikojnë interesat e përbashkëta të qytetarëve. Në këtë kuptim, konflikti bëhet ai që shpëton demokracinë nga rreziku i homogjenizimit social, të tiranisë së shumicës, ose në mënyrë të thjeshtë nga ajo rrjedhje totalitare, që jo rrallë herë gdhendet në gjenezën e vetë demokracisë.
***
Liberalizmi, nuk predikon barazinë e kushteve sociale, ku shikohet aspekti më negativ i rrafshit ofendues, sesa ai pozitiv të një drejtësie më të madhe. Në të vërtetë, liberalizmi afirmon barazinë politike dhe juridike, pra, barazinë e mundësive, ku futet jeta e individëve dhe jo ajo e efikasitetit të kushteve materiale. Pabarazia mes individëve, në këtë mënyrë, duket se lind nga rasti dhe nga fati. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por, sipas teoricienëve liberal, ajo lind akoma nga merita e individëve të veçantë, pra, bashkësia e kualiteteve të tyre shpirtërore dhe fizike, që i bëjnë të përshtatshëm për të luftuar dhe për të fituar duke kaluar me sukses vështirësitë e jetës. Edhe nga ky këndvështrim, del se në Shqipëri nuk ka liberalizëm, sepse nuk zbatohen kriteret e doktrinës së tij. Për ta vërtetuar këtë mjafton të marrin si shembull videon e fundit të skandalit politik (pa e paragjykuar nëse është origjinale, ose jo). Në këtë video “urdhërohet” punësimi i një individi, edhe pse ai nuk ka një titull akademik, apo universitar, për ta justifikuar. Nga kjo video, del qartë se shqiptarët nuk janë të barabartë përpara mundësive. Këtu, në Shqipëri, në njëzet vitet e fundit nuk respektohet aspak meritokracia, në asnjë fushë publike. Njerëz me inferioritet profesional kanë një start më të fortë në mundësi, vetëm pse janë të implikuar në formë servilizmi, apo interesi me klasën politike në vend.
***
Ligji nuk është shprehje e “vullnetit të popullit” , që e shikon ngushtësisht funksionin e tij me atë të një organi të shtetit, por të “vullnetit popullor”, ku është vendosur burimi origjinal i fuqisë. Prandaj, është “sovraniteti popullor” formula e re që karakterizon Shtetin Kushtetues. Ky princip, me origjinë antike demokratike, është, në konceptin liberal klasik, pak më shumë se një referim, thuajse një metaforë, qoftë sepse “sovran” nuk është i gjithë populli, por vetëm ajo pakicë që gëzon të drejta politike, ashtu edhe për faktin se populli nuk qeveris drejtpërdrejt, si në rastin e demokracive moderne, por përmes delegimit të fuqive tek përfaqësuesit e zgjedhur periodikisht. “Principi i përfaqësimit”, përmes zgjedhjeve të përfaqësuesit të populli, realizohet në formimin e parlamentit, që mban pushtetin legjislativ. Parlamenti, duke bërë ligje, shpreh vullnetin e popullit, edhe nëse ligji është përshtatur me shumicë dhe jo me uninanimitet. Në fakt, ky është një princip tjetër themelor i Shtetit Kushtetues modern, pushteti sovran i popullit, konkretisht realizohet në “qeverinë e shumicës”, ku orientimi informon aktivitetin legjislativ të parlamentit. Principi i “qeverisë së shumicës” nuk është megjithatë absolut, siç tenton të jetë në konceptin demokratik, por është i përkohshëm – pra është një element tipik i liberalizmit – nga principi i “garancisë së të drejtave të pakicës dhe nga ajo e “pa dhunimit të drejtave natyrale, që, për liberalët klasikë, përfshihen thellësisht në të drejtën e jetës, tek liria dhe tek prona private. Qeveria e shumicës, nëse nuk do të ishte nevrike nga garancia e të drejtave politike të pakicës dhe të drejtave natyrale të individëve, mundet që lehtësisht të marr formën e një qeverie despotike, përderisa demokratikisht e zgjedhur, dhe si e tillë të justifikoi përdorimin e mbrojtës ekstra juridike të lirisë dhe të drejtave, tek rebelimi dhe tek rezistenca kundër shtypjes. E drejta e rezistencës kundër shtypjes, është cilësuar nga gjusnaturalistët e ‘700, si një e drejtë natyrale. Modeli i Shtetit Kushtetues dhe sistemi i garancisë së të drejtave plotësohet me doktrinës e “ndarjes së pushteteve” sipas të cilave tri pushtetet e Shtetit[3] (legjislativ, ekzekutiv, juridik) nuk duhet të jenë të bashkuar në një organ të vetëm, por të ndarë, në mënyrë që ndarja dhe shpërndarja e pushtetit të sjell një balancim të tyre dhe të një kontrolli reciprok, duke penguar gënjeshtrën dhe përqendrimin dhe transformimin e pushtetit kushtetues në pushtet despotik. Konkretisht pushteti legjislativ – parë si pushtet origjinal dhe më i rëndësishëm- i është besuar parlamentit të zgjedhur, pushteti ekzekutiv i qeverisë, pushteti juridik magjistraturës. Kushtetuta e parë, ku ndarja e pushteteve është zbatuar në formë të plotë, është ajo e vitit 1787 e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fund, mjet i domosdoshëm për të mbrojtur lirinë dhe produktet e vetë lirisë, është ekzistimi i një “opinioni publik“ të gjallë dhe të pjekur që ushqehet si lirinë mendimi, ashtu dhe shtypin e lirë, që artikulohet në organizim kulturore dhe politike, që jeton në diskutimin e problemeve publike dhe në kritikën e veprimit të klasës politike dhe të organeve të shtetit. Ku nuk ekziston një opinion i pjekur dhe kritik, por konformizmi dhe indiferenca, asnjë formë e organizimit liberal të shtetit mund të qëndroi gjatë në kohë. Sovraniteti popullor, parlamenti, qeveria e shumicës, mbrojtja e të drejtave të pakicës dhe të drejtave të individëve dhe ndarja e pushtetit, janë principet themelore të Shtetit Kushtetues Liberal. Origjina e Shtetit – në konceptin gjusnaturalist – bazohet mbi idenë, ose bindjen, se individët, me një marrëveshje mes tyre, me një “pakt social” , që ka formën e një kontrate, krijojnë shtetin si institucion që ka detyrën kryesore të administroi drejtësinë dhe forcën publike që zëvendëson forcën dhe drejtësinë private (hakmarrjen). E gjithë pjesa tjetër, që ka të bëj me jetën e individëve të veçantë, ose të grupeve të organizuara, është detyrë e vetë individëve në fushën e shoqërisë civile. Shteti, duke garantuar rregullin përmes administrimit të drejtësisë, duhet pikërisht të bëj të mundur ekzistencën e një shoqërie civile nga qartësia e të drejtës. Liberalizmi klasik konsideron, se shteti nuk ka detyra etike, kulturore dhe ekonomike, sepse këto, në ndryshimin e tyre sipas diversitetit me interesa dhe me koncepte, i përkasin sferës të organizimit të lirë të individëve. Shteti duhet të limitohet të bëj të mundur, të gjithë qytetarëve, kënaqësinë e lirisë. Përsëri, nga kjo analizë e fundit del se në Shqipëri nuk ka liberalizëm, sepse një ndër principet bazë të tij është ndarja e pushtetit. Nga deklarata e fundit të bëra publike në media, del qartë se ky princip i “shenjtë” po thyhet. Aktualisht, qytetarët nuk i binden ligjit për të qenë të lirë, dhe gjykata nuk është vetëm goja, nëpërmjet së cilës flet ligji. Aktualisht në Shqipëri ligji flitet nga goja e politikës dhe vetëm nëse del nga kjo e fundit është si e vërtetë absolute. Çdo e vërtetë, që nuk del nga goja e politikës nuk është e pranueshme, përkundrazi, mund të konsiderohet si puçiste. Pas një jave e gjysmë të ngjarjeve të 21 janarit, në një konferencë shtypi[4] të parën pas kësaj ngjarje, presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi se politika pengon hetimin nga prokuroria. “Por, fatkeqësisht, kur duhet të flasë vetëm drejtësia dhe të gjithë të heshtin, beteja e gjatë politike, e cila në fakt shkaktoi 21 janarin, vazhdon të prodhojë fajtorë dhe të fajësuar, duke anashkaluar thelbin dhe përgjegjësinë politike dhe duke penguar drejtësinë në të gjitha hallkat e saj, që të ndajë të vërtetën nga e pavërteta. Nënshtrimi dhe frikësimi ndaj pushteteve të politikës do të ishte fatale për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Shqipëri”, - deklaroi Topi.
______________________________________________
Bibliografia.
ALBERTONI, Ettore A., Dal costituzionalismo britannico ai liberalismi, in Ettore A. Albertoni e Franco Livorsi, Politica e istituzione, Lessico, Milano, Eured, 1996, pp. 247-261.
BASTIAT E MOLINARI, centro statalismo, Macerata, Liberilibri, 1996.
DEDESCHI, Giuseppe, Storia del pensiero liberale, Roma - Bari, Laterza, 1992.
GRAY, John, Liberalizmi, Tiranë, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit.
BOBBIO, Roberto, Liberalismo e democrazia, Milano, Franco Angeli, 1984.
ZANONE, Valerio, Il liberalismo moderno, in Storia delle idee politiche economiche e sociali, diretta da Luigi Firpo, vol. VI, Torino, UTET, 1979, pp. 191-248.
[1] Henri Benjamin Constant de Rebeque (1767-1830) ka qenë shkrimtar dhe politikan francez, i cili kundërshtoi Napoleonin dhe propozoi një monarki kushtetuese për Francën.
[2] Marcel Gauchet (1946) është historian dhe filozof francez dhe drejtor I Shkollës së studimeve të larta sociale pranë qendrës së studimeve politike.
[3] Në kryeveprën e tij L’Esprit des Lois (Shpirti i Ligjeve, 1748), Monteskjëja u mbështet në kuptueshmërinë e tij jo të plotë të kushtetutës angleze për ta paraqitur si një sistem të kontrollove dhe baraspeshave dhe një ndarje të pushteteve që siguron lirinë e individit.
[4] Marrë nga web-site i kanalit televiziv shqiptar “TOP-CHANNEL” të publikuar me datë 09/02/2011 ora 13:45.