Sunday, September 19, 2010

Gomari është demokrat


Dr. Alban Daci
Botuar, më 22 shtator 2010
T. Observer

Rastësisht diku një faqe interneti pashë një foto, e cila tregonte, se një gomar në Afganistan ishte i ngarkuar me kutitë e votimit që po i çonte nga një qendër periferie drejt Komisionit Qendror të zgjedhjeve për numërim. Kjo foto është sa madhështore edhe reale. Zgjedhjet e fundit në Afganistan edhe përse u zhvilluan në një situatë të vështirë tensioni, të shoqëruara me akte terroriste, me bomba, vrasje treguan se: populli e don demokracinë dhe është i gatshëm të bëj gjithçka për ta realizuar atë.
Demokracia, tashmë, mund të themi me bindje të plotë, se nuk është vetëm një simbol vlerash, qeverisje, por është edhe simbol i globalizimit. Ajo, tashmë po përhapet në katër anët e botës dhe po sfidon çdo lloj pengese, qofshin të natyrave politike ashtu edhe të infrastrukturës, telekomunikacionit etj.
Fotografia, tregon se jo vetëm njerëzit e duan dhe duhet të luftojnë për demokracinë, por edhe kafshët si gomari mund të japin një kontribut të çmuar për zhvillimit dhe përhapjen e saj. Sikur Afganistani të kishte më shumë “gomarë”, do të ishte një vend shumë më demokratik sesa është sot. Por për fat të keq ajo ka shumë njerëz, të cilët jo vetëm nuk e duan demokracinë, por e luftojnë atë.
Le të imagjinojmë për një çast, sikur në zgjedhjet e fundit të zhvilluar në Shqipërinë, të kishin qenë gomarët dhe jo njerëzit që do t’i kishin shoqëruar kutitë e votimit nga periferia drejt Komisionit Qendror. Jam i sigurt, se demokracia jonë do të ishte më reale dhe më e shëndosh, sepse gomarët nuk dinë të bëjnë marifete apo ku ta di unë. Ata, janë besnik për detyrat që u japim.
Në realitetin e sotëm, demokracia për shumë vende nuk është më një aspiratë për të ecur përpara dhe për tu zhvilluar, sepse ajo bëhet nga njerëzit, të cilët për nga natyra nuk kanë qenë dhe nuk janë demokrat. Atëherë na mbetet të themi: Kemi nevojë për më shumë gomarë që të jemi një vend më demokratik. Prandaj, tek ne dhe në Lindje/Azi duhet të themi sloganin: Më shumë gomarë për më shumë demokraci.