Friday, October 30, 2009

Shoqëri jo reale me njerëz real


Dr. Alban Daci
Botuar tek Gazeta Tema
03.11.2009

Ndodhesha për darkë tek një mik i imi diku në një qytetet të Italisë, i cili në fillim të viteve 90-të, për shkak të vështirësive të shumta që po kalonte familja e tij ashtu si shumë familje të tjera shqiptare, vendos të marrë rrugën për një jetë më të mirë, për të ndërtuar një të ardhme më të qetë, të sigurt dhe më normale. Familja e mikut tim, është një familje e nderuar, me një trashëgimi të mirë intelektuale dhe me formim edukues për tu marrë shembull nga shumë familje të tjera. Ai bashkë me anëtarët e familjes së tij, pas një periudhe me sakrifica dhe sfida të mëdha, tashmë është plotësisht i integruar në shoqërinë italiane. Ai vetë punon në një firmë serioze ndërtimi, ku të gjithë koleget kanë një respekt të veçantë për të. Ai është një person shumë i sjellshëm, sepse përshëndet këdo; është human, sepse ndihmon këdo që gjendet në vështirësi. Nusja e tij, është një njeri i mrekullueshëm, edhe ajo është plotësisht e integruar në shoqërinë italiane, punon me ndershmëri si dhe tashmë ka filluar një shkollë dy vjeçare për tu bërë estetiste. Ndërsa dy vajzat studiojnë në shkollë dhe dallohen për sjellje shembullore dhe për rezultate të larta në mësime.
Pse bëra këtë parantezë duke marr si shembull këtë familje të mrekullueshme, që ka ardhur në Itali nga një zonë e Shqipërisë me probleme serioze ekonomik të trashguara ndër vite, ku breza të ndryshëm politikanësh nga të dyja anët e spektrit politik kanë ardhur dhe kanë ikur pa bërë asgjë? Sepse, në darkë, duke ndjekur misionet e lajmeve në televizionet shqiptare, dëgjojmë një histori që jo vetëm na shokoj, por na futi në një reflektim të thellë njerëzore. Skandali, kishte të bënte, me një rast të zbuluar diku në një fshat të Dibrës, ku për një periudhe prej 20 vjetësh, babai me justifikimin se vajzat e tija kanë probleme të rënda mendore i ka mbajtur të lidhura me zinxhir, sikur të ishin qenë të dënuar nga padroni i tyre.
Shumë herë kam shkruar, ku vëmendjen time e kam përqendruar në realitete njerëzore që ne i kemi të pranishme çdo ditë, por për faktin, se ato janë larg portës dhe oborri tonë, nuk na intereson t’i tregojmë, t’i bëjmë publike si dhe të përpiqemi t’i ndryshojmë nga të papranueshëm dhe të mjerueshëm, në normal dhe të pranueshëm.
Në fillim, me të drejtë trajtova si shembull familjen e mikut tim, e cila për koincidencë edhe ajo është nga Dibra, por që nuk ka asnjë gjë të përbashkët me rastin e skandalit televiziv, ku babai trajton në mënyrë çnjerëzore për 20 vjet vajzat e tija, për faktin se ata kanë probleme mendore.
Nëse njohim mirë realitetin e këtyre zonave të thella të Shqipërisë, mund të themi se deri diku, këto dy familje që i kemi marrë si shembuj të dy ekstremeve të një realiteti human, mund të themi se: ato në origjinë kanë të përbashkët mjerimin dhe braktisjen e institucioneve që i ka shoqëruar për dekada e dekada me radhë. Për ta kuptuar më mirë, se për çfarë mjerimi e kam fjalën, do ju jap shembuj që i kam inspektuar drejtpërdrejt në terren. Në shumë fshatra, ka familje që jetojnë jo vetëm nën mesataren e pranuar, por në një mjerim të thellë. Shumë prej këtyre familjeve, nuk kanë asnjë lloj të ardhurash mujore, sepse nuk posedojnë prona (Nëse i posedojnë, nuk mund të garantojnë prodhime bujqësore, sepse nuk kanë ujë për t’i vaditur, nuk kanë mjete për t’i punuar etj) dhe nuk kanë asnjë lloj profesioni apo zanati për të siguruar punë.
Gjithashtu, nuk kanë të garantuar edhe mbështetjen e institucioneve lokale dhe qendrore. Ekziston, përkrahja sociale për familjet nën nevojë, e cila administrohet dhe shpërndahet nga Komunat. Por, për shkak të korrupsionit të thellë që i ka kapur për fyti Komunat, marrin asistencë sociale familjet që nuk kanë nevojë, por që janë ndoshta të afërt me përfaqësuesit e Komunave, dhe nuk marrin ose marrin shuma qesharake, familjet që me të vërtetë kanë nevojë, por që nuk kanë asnjë të njohur apo familjarë që punon në Komunë. Po ju tregoj një histori të vërtetë: në një fshat të një komune të Dibrës, shkon kryefamiljari i një familje të varfër për të tërhequr asistencën e tij sociale dhe punonjësi i Komunës i thotë, se për këtë muaj të takojnë vetëm 2000 mijë lekë të vjetra. Fshatari, i thotë, se kjo shumë nuk kryen asnjë hall. Prandaj, po t’i jap prap ty që të pish një kafe, sepse ndoshta nuk ke!
Rastet e abuzimit të kësaj natyre, në këto fshatra kanë ndodhur gjatë dy dekadave të fundit dhe vazhdojnë të ndodhin edhe sot, në qetësin absolute, duke mos e çarë kokën as për përgjithësinë morale dhe ligjore, përderisa sa janë persona që punojnë në hapësirën publike me qellim për të ndjekur dhe mbrojtur të drejtën e përbashkët të gjithë banorëve. Politikanët e nivelit lokal dhe qendrore, kujtohen se në këto zona ka njerëz që jetojnë në kushtet e një braktisje të madhe dhe të një mjerimi migjenian, vetëm kur kanë për të bërë fushata dhe për siguruar votat. Sapo mbyllet tregu i votave, mbyllet edhe mundësia për të realizuar premtimet false që politikanët kanë bërë. Është për të ardhur keq, se si këto bashkëqytetarët tonë, këto njerëz si ne, nuk kanë kushtet më minimale të jetesës, sepse Shteti i ka harruar plotësisht, duke i braktisur në një realitet absurd të pa imagjinueshëm dhe të pa krahasueshëm me asnjë realitet tjetër normal jetësor.
Realiteti i këtyre zonave ka edhe shumë elementë të tjerë, të cilat ndoshta do t’i zbulojmë çdo e ditë e nga pak përmes skandaleve ditore. Përse do të ndodh kjo? Sepse, në këto 20 vitet e fundit, politika shqiptare nuk ka bërë asgjë për këto zona. Në këto 20 vitet e fundi, fshatrat e zonave të thella malore, për shkak të migrimit të brendshëm (Personat me formimin më të mirë akademik, profesional dhe intelektual, për një jetë më të mirë janë larguar o në drejtim të Shqipërisë së mesme ose kanë vendosur të emigrojnë jashtë vendit) dhe për shkak të vështirësive ekonomike, kanë prodhuar le të themi breza të tërë rinjsh pa formim elementarë shkollorë.
Pjesa më e madhe e të rinjve, të gjinisë mashkullore, sapo mbarojnë klasën e nëntë, duke mos pasur asnjë bazë ekonomike për të vazhduar më tej si dhe duke mos parë asnjë të ardhme në vendin e tyre, marrin rrugën e emigrimit, kurse vajzat, sapo mbaroj klasën e nëntë, për shkak të fanatizmit të prindërve të tyre, të arsyeve ekonomike, braktisin shkollën dhe mbyllen në shtëpi, derisa “fati” në një moshë shumë të re, do ju jap mundësinë të gjejnë një burrë, të martohen dhe shpejt e shpejt të bëjnë edhe fëmijë.
Në disa fshatra, gruaja akoma konsiderohet si një qenie që duhet të qëndrojë me “macen te vatra”, duhet të zbatoj urdhra, duhet vetëm të punoj për fëmijët, burrin, familjen, duhet të punoj dhe nuk duhet të bëj zë, ka të drejtë të zbatoj urdhra dhe nuk duhet të guxoj të kërkoj të drejta. Në këto fshatra, historikisht është zbatuar ligji kanunor, se gruaja duhet të përdoret si kafshë shtëpiake, duhet të ngarkohet me ngarkesë sikur të ishte kalë, me pretekstin se burri e ka blerë, kur ka shkuar t’i marr dorën në shtëpinë e prindërve. Për të vërtetuar këto, mjafton që të kalosh qoftë edhe njëherë përmes këtyre fshatrave, dhe menjëherë do të jepet rasti të shikosh një grua të re apo të moshuar, që është e ngarkuar me jonxhë në shpinë dhe se duhet të bëj një orë udhë në këmbë e ngarkuar ashtu nga ara deri tek shtëpia.
Duke qenë se në këto 20 vitet e fundit nuk është investuar aspak në formim arsimorë të brezave të rinj, të cilët të pa shkolluar dhe të pa integruar, marrin si të vërtetë dhe si shembull për tu vënë në zbatim, rregullat e baballarëve të tyre, të cilët jetojnë me vizionet dhe mendimet e periudhës mesjetare. Të rinj e këtyre zonave, në këto rrethana, nuk munden të shkëputen nga realiteti i vjetruar që i rrethon, sepse ato nuk janë në kontakt me botën reale as përmes diturisë dhe as përmes kontaktit të drejtpërdrejt, ngaqë nuk kanë pasur mundësinë të lëvizin as edhe për pak për kohë për të shkuar në botën e qytetëruar, ku gruaja dhe burri janë të barabartë dhe së bashku bashkëpunojnë për një të ardhme të përbashkët. Shumë femra, të këtyre zonave, vuajnë dhunën e prindërve kur janë vajza dhe vuajnë ndoshta edhe dhunën çnjerëzore fizike të burrit, kur martohen. Në këto zona, të keqtrajtosh një grua bën pjesë në normalitet, në rregullin e shkruar, se burri mund t’i bëjë gjithçka gruas së tij dhe ajo nuk mund të gëzoj asnjë lloj të drejte mbi vetën e saj.
Aktualisht, nuk ka asnjë lloj organizmi qoftë qeveritar apo dhe jo qeveritar, që mund të marr në mbrojtje të drejtat e këtyre femrave, të cilat punojnë pa pushim, durojnë dhunën psikologjike dhe fizike të burrave të tyre, nuk gëzojnë asnjë të drejtë. Gjithashtu, vajzat nuk sigurojnë as mbrojtjen e prindërve, sepse ato për shkak të kodit të mbajtjes së fjalës dhe të respektimit të miqësisë, nuk mund ti mbrojnë vajzat e tyre edhe kur ato kanë plotësisht të drejtë.
Vajzat e këtyre fshatrave, në një moshë fare të re, kur ndoshta nuk janë as të vetëdijshme për hapat që po bëjnë, fejohen dhe martohen nga prindërit e tyre, pa pasur të drejtë të shfaqin asnjë lloj gjykimi qoftë pozitiv apo edhe negativ. Ato, duhet të pranojnë të martohen me persona që nuk i njohin, që nuk i kanë takuar asnjëherë me parë. Pra, edhe një ndër të drejtat themelore, siç është ajo që çdo person duhet ta ndërtoj jetën ashtu siç mendon dhe dëshiron vetë, i mohohet. Ka pasur raste, që maskarenj që kanë emigruar jashtë dhe që kanë bërë para në mënyra jo legjitime, paraqiten në familje të varfra për t’iu kërkuar dorën e vajzës, duke ju treguar shuma parash dhe makina luksoze. Prindërit e këtyre vajzave, duke qenë të paformuar dhe në varfëri, mashtrohen dhe ua besojnë vajzën. Maskarenjtë, për ta bërë sa më të besueshëm qëllimin e tyre, bëjnë dhe ceremoni martesore, dhe pastaj i marrin në Itali, me pretekstin se tashmë ajo është nusja e tyre dhe duhet të jetojnë bashkë, por në të vërtetë sapo i sjellin në Itali, i nxjerrin në rrugë për t’i shfrytëzuar si prostituta.
Rasti, i skandali të fundit, i cili për nga natyra është monstruoz, çnjerëzor, i papranueshëm, nuk është i rastësishëm dhe i izoluar, që mund të personifikohet vetëm me një vend apo zonë të Shqipërisë. Ky është një rast, i cili ve para përgjithësisë të gjithë sistemin tonë shoqëror që kemi ndërtuar gjatë kësaj periudhe. Ne kemi në Tiranë, njerëz pa profesion të mirëfilltë dhe pa të ardhura fikse dhe të deklaruar që lëvizin me makina të tipit Humer, BMV X6, Mercedez, ne kemi kryetar Komunash, që para se të zgjidheshin ishin njerëz normal, por pasi mbarojnë mandatin janë njerëz shumë të pasur, me makina luksoze, me shtëpi moderne. Nga ana tjetër, kemi intelektual të vërtetë që kanë mbaruar universitete, ushtrojnë profesionin e tyre prej vitesh, por që nuk kanë arritur të sigurojnë edhe një shtëpi. Kjo është shoqëria jo reale, por me njerëz real që ne kemi ndërtuar në këto dekada. Kjo është e vërtetë, sepse po të qëndrosh pranë një rruge në Shqipëri, shikon aq shumë makina luksoze sa të krijohet bindja, se e gjithë Shqipëria qenka kështu, dhe se të gjithë shqiptarët jetojnë si në parajsë. Kjo është shoqëria jo reale, sepse mjafton të largohesh vetëm pak orë më larg dhe para syve të shfaqen realitete që të ngrejnë përpjetë qimet e kokës.
Në këto realitete që shfaqen në horizontin tonë, shikon njerëz që jetojnë pa të ardhura minimale, shikon që femrat trajtohen akoma sikur të ishte kulmi i periudhës mesjetare, shikon njerëz që nuk kanë asnjë lloj forme integrimi në botën moderne, shikon njerëz që nuk kanë asnjë profesion dhe nuk besojnë tek e ardhmja që i pret. Këto janë njerëz real, që jetojnë në shoqërinë tonë, por që ne nuk i shikojmë ato, sepse ato janë jashtë oborrit tonë, jashtë jetës tonë. Këto njerëz janë real, sepse janë të prekshëm; janë real sepse ekzistojnë; janë real sepse përpiqen të jetojnë edhe pse larg një jete normale dhe të pranueshme. Ne duhet, të shkojmë t’i ndihmojmë, duhet të jemi të sinqertë dhe të ndershëm me ta, duhet t’i trajtojmë si qytetarë me drejta të plota, duhet ta përqendrojmë vëmendjen dhe forcën tonë që edhe ata të kenë mundësinë për të njohur progresin, lirinë individuale pa dallim seksi.
Ato kanë nevojë, për politikanë të përgjegjshëm, për një shoqëri aktive që ka për objektiv qenien njerëzore, të drejtat dhe dinjitetin e saj. Mendoj, se ka ardhur momenti t’i jap fund ndjenjës individualiste, e cila në këto dekada na fundosur në një realitet të vështirë njerëzor. Në rast se mendojmë vetëm për vetën tonë, atëherë shoqëria jonë në kompleks do të jetë shumë e vështirë dhe e egër në të njëjtën kohë, duke na krijuar vizione jo reale para syve tanë.

Tuesday, October 13, 2009

Sllavët e Maqedonisë


Dr. Alban Daci

Sllavët e Maqedonisë, mes frikës dhe
shpresës

Në vitin 1974, u bënë disa reforma të rëndësishme në nivel kushtetues federal në Jugosllavi, të cilat kishin si objekt edhe minoritetet kombëtare. Përderisa këto reforma u realizuan në nivel kushtetues federal, atëherë prekën edhe Republikën e Maqedonisë, e cila ndryshoj preambulën e kushtetutës së saj, duke nënvizuar se shteti maqedonas ishte i popullit maqedonas dhe i minoriteteve shqiptare e turke.
Në 1989, republika maqedonase ishte seriozisht e shqetësuar për fatet e federatës Jugosllave, përderisa shpërbërja e saj do të rivendoste në qendër të vëmendjes “çështjen e Maqedonisë”, duke rindezur ambiciet ekspansive të Serbisë, Greqisë dhe Bulgarisë mbi territorin maqedonas. Kjo frikë i shtyu sllavët e Maqedonisë të ndryshonin përsëri preambulën e Kushtetutës në mënyrë të tillë që Maqedonia të transformohej në një shtet-nacional-etnik i popullit maqedonas.
Ndërsa, kushtetuta 1991-shit, vetëm në mënyrë të dukshme përcaktonte të ndërtonte një shtet civil, duke u siguruar minoriteteve barazi të plotë në cilësinë e qytetarit. Në fakt, preambula, vazhdonte të bënte referim tek shteti maqedonas si shtet i popullit maqedonas dhe ky afirmim jep efekte negative për shqiptarët, të cilën edhe njëherë pësojnë diskriminime themelore dhe të shumta.
Le të themi, se ky cikël reformash me natyrë kushtetuese e ka karakterizuar procesin e transformimit të shtetit të Maqedonisë në mënyrë jo të njëtrajtshme, ku herë ka pasur karakter reformues me tendenca demokratike, përfshirëse, bashkuese dhe herë ka bërë hapa pas, me natyrë regresive, diskriminuese dhe përjashtuese.
Nga shembujt që ndërmorëm më sipër, del se ecuria ciklike e Maqedonisë është e karakterizuar me ulje, ngritje, tendenca për të ecur përpara, nostalgjia për tu rikthyer mbrapa dhe kushtëzime për të qëndruar në vend numëro. Do të ishte e drejtë të analizonim se përse procesi transformues i Maqedonisë ka pasur këtë lloj cikli të paqëndrueshëm, jo të njëtrajtshëm dhe jo të sigurt?
Sipas analizës time për dy arsye: Së pari, sepse sllavët e Maqedonisë, duke pasur probleme me identitetin e tyre, sepse nuk e gjejnë vetën tek e kaluara historike (Nuk e kanë të qartë se nëse duhet të identifikohen në mënyrë virtuale me popullin antik maqedonas për të shpëtuar nga pretendimet e bullgarëve dhe serbëve, apo të identifikohen ashtu siç janë në të vërtetë, si vazhdimësi e sllavëve të Jugut, të cilët erdhën në Ballkan pas dyndjeve të tyre barbare. Pra, ata janë para dilemës: të paraqitemi siç jemi me të vërtetë me identitetin tonë, apo të shtiremi me çdo kusht sikur jemi të tjerë me identitetin e rremë.) dhe në të njëjtën kohë nuk kanë kurajën të ndërtojnë një të ardhme të re të ndryshme nga e kaluara e tyre.
Në këto rrethana, është rritur pasiguria dhe frika tek ndjenja tradicionale e sllavëve të Maqedonisë. Ato, duke mos pasur qartësi mbi identitetin e tyre, i kanë kultivuar vetës frikë për të vendosur se nëse jenë të hapur me popujt e tjerë që de fakto bashkëjetojnë - si për shembull shqiptarët (Kanë pasur në të kaluarën historike dhe në të njëjtën kohë kanë me projeksion për të ardhmen, identitetin e tyre të sigurt dhe mjaft të ndryshëm me të tjerët, sepse ai ka qëndruar i konservuar në kushtet natyrore edhe ka mbijetuar në momente të vështira të proceseve historike)- për të krijuar kushtet e një bashkëjetese reciproke dhe demokratike.
Pra, në një far mënyrë, sllavët e Maqedonisë, kanë pasur një frikë të madhe që të mësonin të vërtetën për botën që i rrethon, si dhe në të njëjtën kohë kanë pasur frikë se bota që i rrethon, do të mësonte të vërtetën e identitetit të tyre të brendshëm. Kështu, ata nuk patën guximin e mjaftueshëm për të pranuar realitetin e tyre dhe të popujve të tjerë si dhe të mposhtin frikën duke e zëvendësuar atë më bashkëjetesën e bazuar tek barazia, transparenca, dëshira për t’u integruar me çdo realitet tjetër kombëtar të bashkë-pranishëm në territorin e përbashkët.
Frika, vazhdon të jetë aq shumë e fortë tek sllavët e Maqedonisë, sa ata i konsiderojnë të gjithë qeniet e tjera njerëzore, por sidomos ato të Ballkanit, si armiq potencial, si njerëz të rrezikshëm që duan t’i sulmojnë nga momenti në moment për t’i eliminuar fizikisht. Për këtë arsye - ata - preferojnë izolimin, duke provokuar për shkak të frikës së brendshme, situata që mund të provokojnë një konflikt kundër të gjithëve, sepse të “gjithë” janë kundër tyre.
Së dyti, po të analizojmë më vëmendje del se: cikli i transformimit të shtetit maqedonas është realizuar kryesisht mbi bazën e reformave kushtetuese. Çdo do të thotë kjo? Maqedonia, ashtu si shumë vende të tjera të Ballkanit ka qenë në fillim një diktaturë komuniste, më pas socialiste dhe në hapat e para të pavarësisë, një vend në tranzicion, me probleme demokratike dhe me interesa politike që përfaqësohen nga grupe të ndryshme presioni në këtë vend.
Në këto rrethana, ndryshimet kushtetuese në këtë vend nuk janë bërë nga një konsensus i gjerë demokratik qytetarë, por nga vendimet e formës vertikale nga lartë poshtë, të bazuara në interesat e elitës politike, e cila ka në përbërjen e saja lobe dhe grupe presioni që përfaqësojnë interesat e një pakice që jo gjithmonë, për të mos thënë asnjëherë konçidojnë me interesat e gjera të qytetarëve të thjeshtë.
Prandaj, po të jemi më të kujdesshëm, mund të themi se: nuk ka ndonjë ngjashmëri mes sllavëve te Maqedonisë dhe elitës politike që i përfaqëson. Përderisa Maqedonia ka pasur një të kaluar aspak demokratike, elita politike e saj e ka justifikuar mos demokratizimin e vendit, mos garantimin e standardeve minimale të jetës së qytetarëve të saj, mos realizimin e reformave me politikë agresive nacionaliste, duke ju ushqyer qytetarëve frikën e ekzistencës së tyre. Ata, u kanë mbushur mendjen qytetarëve, se janë të rrethuar vetëm me armiq dhe për këtë fakt nuk mund të pranojnë bashkëjetesën me asnjë popull tjetër legjitim që bashkëjeton në një territor me ata.
Megjithatë, mendoj, se sllavët e Maqedonisë mund ta mposhtin frikën e tyre dhe mund të bashkëjetojnë në paqe duke respektuar edhe popujt e tjerë, vetëm nëse do të luftojnë për demokratizimin e vendit. Duhet të krijohet një brez i ri udhëheqësish që besojnë thellësisht tek respekti i popujve të tjerë, respektimi i çdo qytetari si qytetar i botës moderne, pa dallim feje, kombësie, race, seksi, bindje politike, orientimi kulturor.
Prania e asaj që për ata konsiderohet si diçka ndryshe, duhet të pranohet si një pasuri me shumë vlera integruese, prosperiteti dhe paqeje. Martin Luther King në një fjalim të tijin ndër të tjera thotë se: “Njeriu ka mësuar të notoj si peshqit, të fluturoj si zogjtë, por nuk ka mësuar të jetë i lirë”. Sllavët e Maqedonisë, duhet të jenë të bindur, se njerëzit kanë lindur për nga natyra të barabartë dhe për këtë arsye të drejtat e tyre themelore nuk mund të mohohen për asnjë lloj arsye. Prandaj, ata duhet të respektojnë çdo qytetarë pavarësish nga identiteti duke i garantuar të drejtat legjitime. Po arritën të bëjnë realitet një gjë të tillë, atëherë do ta kenë mposhtur frikën dhe do të keni ushqyer unin e tyre me shpresën për të ndërtuar të ardhmen mbi bazën e tolerancës dhe bashkëpunimit reciprokë.
Këtë punim nisur dhe nga titulli, dua ta mbyll me një citim që ka bërë Barack Obama (Çmimin Nobel për Paqen) në librin e tij “Guximi i shpresës” tek kapitulli “Raca”: “Natyrisht racizmi dhe ndjenjat e ksenofobisë kanë minuar disa herët idealin e Kushtetutës amerikane, se të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara ligjit. Të fuqishmit dhe të privilegjuarit shpesh kanë shfrytëzuar ose kanë nxitur paragjykimin për interesat e tyre, por në duart e reformatorëve si: Harriet Tubman, Frederick Douglas, César Chavez, Martin Luther King, idealet e barazisë kanë gradualisht modeluar mënyrën tonë për të kuptuar vetveten, duke lejuar me i dhënë jetë një kombi multikulturor, që nuk gjen krahasim në asnjë vend tjetër të Botës”.

Thursday, October 8, 2009

Shqiptarët dhe sllavët në «shtetin artificial»


Dr. Alban Daci

Shqiptarët dhe sllavët në «shtetin artificial» të Maqedonisë

Principi që gjithmonë ka luajtur një rol vendimtarë në ndërtimin e shtetit është nacionalizmi. Në të vërtetë pak shtete janë me të vërtetë «shtete kombëtare», sepse popullsia e pjesës më të madhe të shteteve jo vetëm që është heterogjene, (përderisa kanë minoritete etnike domethënëse dhe shumë prej tyre janë qartësisht të ndara) por edhe për faktin se shpesh kufijtë e këtyre shteteve nuk konçidojnë me popullatat e posaçme etnike.
Gjithashtu brenda këtyre shteteve, ka qoftë etni ashtu edhe kombe. Disa nga këto etni kërkojnë të bëhen kombe të plotësuara me shtetin ose pa shtetin përbërës. Në disa raste të tjera, komunitetet etnike nuk janë të kënaqur të mbeten si të tillë, por kërkojnë të maksimizojnë influencën dhe privilegjet e tyre brenda një komuniteti më të gjerë politik ose shteti-nacional.
Maqedonia është «shtet artificial», sepse me të vërtetë ka një territor të përcaktuar, një popullsi dhe sovranitetin, të cilat janë elementët kryesor për të formuar një shtet modern, por realisht ajo është shtet multietnik i formuar mbi baza artificiale që mund të krahasohet fare mire me Jugosllavinë, me të vetmin ndryshim se Maqedoninë e krijuan dhe e njohën fuqitë e mëdha, ndërsa Jugosllavia në Paqen e Parisit 1919 u paraqit si fakt i kryer para fuqive të mëdha.
Maqedonia, aktualisht ka një popullsi, e cila përbëhet nga dy etni kryesore, shqiptarët dhe sllavët, të cilën kanë dhe përqindjet më të larta në përbërjen e popullsisë së këtij shteti. Në të vërtetë sllavët qenë më të privilegjuar që në periudhën e Jugosllavisë. Për rrjedhojë patën më shumë potenciale politike për krijimin e shtetit të ri maqedonas dhe në të njëjtën kohë, trashëguan me fanatizëm modelin e vjetër të Jugosllavisë, sepse vazhduan të mbanin të njëjtin qëndrim diskriminues dhe shtypës mbi shqiptarët, për t’i pasur gjithmonë nën kontroll dhe në izolim institucional, kulturor, ushtarak, politik, arsimor etj.
Sllavët e Maqedonisë, duke shfrytëzuar privilegjet që gëzonin si dhe situatën kaotike që po kalonte ish Jugosllavia, ku aksionet etnike dhe politike po krijonin precedentë të rrezikshëm në Ballkan dhe më gjerë, duke siguruar edhe garancinë autoriteteve ndërkombëtare, të cilët nuk dëshironin burime të reja konfliktesh në këtë rajon, arritën të krijonin Maqedoninë si «shtet artificial». Ato e reklamuat këtë hap në arenën ndërkombëtare duke deklaruar se kishin krijuar shtetin e vërtetë kombëtarë maqedonas.
Kjo nuk ishte e vërtetë, sepse kombi është një komunitet me ligje dhe institucione legale. Anëtarët e saj janë të lidhur nga një kod i përbashkët dhe kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime. Pra, në linjë princip, ku nuk ka përjashtime në bazë të racës, të ngjyrës, gjuhës, besimit, moshës, seksit.
Shteti maqedonas, nuk mund ishte dhe as nuk mund të pretendohet se është shtet kombëtar. Ai ka qenë që në fillim «shtet artificial» dhe vazhdon të mbetet i tillë, sepse qytetarët e këtij shteti, kanë një kod të përbashkët që është bërë vetëm nga një etni përbërëse që është ajo sllave, e cila jo vetëm nuk ka bashkëpunuar me etnitë përbërëse të këtij shteti, por as nuk e ka zbatuar atë në mënyrë uniforme dhe të barabartë duke bërë dallime mbi kriterin e kombësisë.
Kjo do të thotë, se qytetarët e shtetit maqedonas nuk gëzonin të njëjtat të drejta dhe detyrime. Sllavët gëzonin të gjitha të drejtat e qytetarit modern, bile edhe më shumë, duke gëzuar edhe të drejtën për të shtypur, shfrytëzuar dhe diskriminuar shqiptarët, të cilët në kushtet e një robërimi mesjetar nuk mund të gëzonin as të drejtën themelore të natyrës, atë të qenit shqiptarë.
Kjo situatë krijoj një nënshtetësi të dyfishtë në këtë shtet, sepse sllavët jo vetëm ishin/janë qytetarë të dorës së parë në këtë shtet, por në të njëjtën kohë ishin/janë ata që duhet ta mbanin/mbajnë dhe ta riorganizonin ekonomikisht, politikisht, ushtarakisht shtetin maqedonas. Ndërsa shqiptarët ishin/janë nënshtetas të dorës së dytë, thjeshtë një numër qytetarësh që për fatin e keq të sllavëve përbënin/përbëjnë de fakto popullsinë e saj, por që nuk mund të kishin/kenë asnjë lloj roli shteti-formues dhe për rrjedhojë nuk mund të gëzonin/gëzojnë të drejtat e tyre legjitime.
Pra, në Maqedoni, nënshtetësia nuk shprehte/shpreh vëllazëri dhe solidaritet përmes një pjesëmarrje të përgjithshme sociale dhe politike, sepse vetëm ata që kishin/kanë të drejta të plota mund të merrnin pjesë dhe të vetmit që i gëzonin/gëzojnë plotësisht këto të drejta ishin/janë vetëm sllavët.
Gjithashtu një karakteristikë tjetër mjaft e rëndësishme për plotësuar kushtin e një shteti-kombëtar është bashkë-ndarja e një kulture të përbashkët. Kjo ripërcakton edhe njëherë faktin, se Maqedonia nuk është një shtet kombëtar, por një «shtet artificial», sepse nuk ka një kulturë unanime që funksionon mbi ndarjen e vlerave, miteve dhe simboleve të përbashkëta.
Maqedonia nuk është shtetet kombëtar me një komunitet kulturor të përbashkët, sepse qytetarët e saj nuk socializohen me një sistem besimesh uniform dhe të ndara bashkërisht, për shembull gjuha shqipe nuk gëzon të drejtën legjitime që të përdoret në institucionet publike të këtij shteti, bile ajo ndjehet fort e kërcënuar dhe censuruar nga sllavët, të cilët duan të krijojnë një imazh krejt të rremë, se në Maqedoni ka vetëm sllavë dhe prandaj duhet të flitet vetëm sllavisht.
Maqedonia, harron se Evropa, ku ajo dëshiron kaq shumë të anëtarësohet, vlerëson dhe respekton çdo lloj gjuhe të folur apo të shkruar. Prandaj ajo e ka detyrim ndërkombëtarë respektimin e gjuhës shqipe si gjuhë shtet-formuese. Në të kundërt vetë shqiptarët kanë të drejtë të rebelohen për respektimin e gjuhës së tyre, sepse kjo është një e drejtë themelore ndërkombëtare.
Shqiptarët, nuk duhet të reshtin duke e kërkuar këtë të drejtë derisa të gjej zbatim, sepse gjuha është ajo që identifikon një komb dhe e dallon atë nga të tjerët. Ju shqiptarë në Maqedoni, duhet të insistoni që gjuha juaj (shqipe) të bëhet me çdo kusht mbi baza ligjore (e garantuara në Kushtetutën e shtetit të Maqedonisë) bashkë me atë sllaven, gjuhë shtet-formuese.
Në këto kushte, shqiptarët, kanë dy mundësi për të rigjetur vetën e tyre me të drejta të plota në Maqedoni. Së pari, mund të pranojnë të qëndrojnë si komb shtet-formues bashkë me sllavët, por duke gëzuar të gjitha të drejtat që karakterizon një komb, duke u nisur që nga gjuha, kultura, tradita, politika (Pjesëmarrje të barabartë dhe të fuqishme në nivelet e larta të institucioneve drejtuese të shtetit), të kenë të drejtë pjesëmarrje duke zënë nivele të rëndësishme drejtuese edhe në elitën ushtarake të këtij shteti (Nëse Maqedonia, si shtet multietnik, pretendon të anëtarësohet në NATO, duke paraqitur një ushtri vetëm me sllavë, atëherë integrimi i saj, për fatin e keq edhe të shqiptarëve nuk ka për të ndodhur asnjëherë), të ketë të drejta të plota për promovimin dhe zhvillimin e ekonomisë së këtij shteti.
Si mund të realizohet kjo, përderisa deri tani nuk është bërë realitet? Kjo mund të realizohet me politizimin e shqiptarëve. Dikush mund të thotë, se nuk po paraqitni një risi, pasi shqiptarët e Maqedonisë janë të politizuar, sepse kanë partitë e tyre. Mendoj, se klasa politike shqiptare në Maqedoni, ka vepruar që nga fillimet e saj në mënyrë krejtësisht të gabuar, sepse ajo e ka bazuar veprimtarinë e saj duke bërë opozitë brenda llojit.
Realiteti politik i shqiptarëve të Maqedonisë- deri sa të realizoj të drejtat e plota të shqiptarëve që pretendon se i përfaqëson- duhet të jetë i bashkuar si një i vetëm dhe solid duke besuar se opozita vetme e tyre është realiteti politik i përfaqësuar nga sllavët, sepse këto të fundit kanë qenë/janë penguesit kryesor të aspiratave të tyre për liri. Nuk arrij ta kuptoj, se si njëra nga partitë shqiptare, vazhdon akoma të jetë në koalicion qeverisës pikërisht me ata që publikuan enciklopedinë duke ofenduar dhe diskriminuar në mënyrë zyrtare pikërisht shqiptarët.
Duke u nisur nga fakti se kjo parti shqiptare- e cila ka gëzuar pikërisht besimin e përfaqësimit nga qytetarët shqiptarë- vazhdon të qeverisë edhe pas skandalit të fundit që ka lidhje me botimin e enciklopedisë. Atëherë lind natyrshëm pyetja: interesat e kujt përfaqëson kjo parti dhe cili është qëllimi i saj në bashkëqeverisje, kur ajo në herë të parë mohon të drejtat e zgjedhësve të saj dhe në një farë mënyrë pranon t’i cenohet dhe t’i diskriminohet edhe identiteti i saj, përderisa edhe ajo është e përbërë me shqiptarë.
Gjëja e parë që duhet të kishte bërë kjo parti pas skandalit të enciklopedisë është se: ajo duhet të kishte dalë menjëherë nga ai koalicion qeverisës dhe duhet të kishte thirrur të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët janë në të njëjtën kohë votuesit e tyre për të dalë në tubime legjitime në mbrojtje të drejtave të tyre legjitime. Hapi i dytë, të gjitha subjektet politike shqiptare, duhet të lënë mënjanë egoizmat e vjetra për tu bashkuar të gjithë së bashku në mbrojtjet të identitetit të tyre shqiptarë.
Megjithatë, nëse realiteti aktual i politikës shqiptare në Maqedoni nuk është në gjendje apo nuk ka interesa të përbashkëta për të mbrojtur të drejtat legjitime të qytetarëve të tyre, nuk përbën fundin e botës, sepse vetë shqiptarët e Maqedonisë janë në gjendje të mbrojnë të drejtat e tyre.
Ato mund dhe duhet t’i mbrojnë të drejtat e tyre, duke bërë çdo ditë e çdo natë tubime masive dhe paqësore, derisa zëri i tyre të dëgjohet në gjithë botën. Aktualisht, shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për një figurë model si Luterking, që mund t’i drejtoj dhe t’i orientoj drejt lirë së merituar.
Së dyti, duke analizuar faktin se: sllavët e Maqedonisë edhe përse në fillim krijuan një «shtet territorial artificial» dhe jo «kombëtar», me kalimin e kohës nëse do të kishin dashur, duke përdorur politika përfshirëse, mund të kishin arritur në fazën e dytë që është shndrimi i shtetit të Maqedonisë në një shtet të vërtetë kombëtar dhe unitar. Gjatë gjithë periudhës së shtetit të pavarur të Maqedonisë, sllavët kanë treguar që jo vetëm nuk duan të bëjnë një shtet unitar që i trajton të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, por mbi të gjitha ata e kanë luftuar dhe po e luftojnë me çdo kusht që kjo të ndodh.
Prandaj, në këto rrethana, shqiptarët duke u trajtuar si qytetarë të dorës së dytë e shikojnë të pamundur të vazhdojnë të bashkëjetojnë dhe të qëndrojnë në një shtet të përbashkët me sllavët. Zgjidhja e përkryer do të ishte që shqiptarët duke qenë se janë komb, sepse i kanë të gjithë element për tu karakterizuar si të tillë, duhet të krijojnë shtetin e tyre, ku më vonë të vendosin vetë për fatin e tyre.
Gjithmonë duhet të kemi parasysh që edhe ky proces duhet të ndodh vetëm dhe vetëm duke shfrytëzuar mekanizmat demokratik dhe paqësor. Kjo do të thotë se: shqiptarët e Maqedonisë duhet të transformohen nga qytetarë të dorës së dytë dhe të diskriminuar në qytetarë me drejta të plota. Natyrisht këto të drejta nuk mund t’i fitojnë vetëm duke realizuar një shtet të ri, ato mund t’i gëzojnë edhe me forma të tjera, për shembull duke realizuar një formë të plotë federalizmi.
Megjithatë, mendoj se çarja mes sllavëve dhe shqiptarëve në Maqedoni është kaq shumë e qartë dhe e thellë, sa forma e federalizmit nuk do të ishte një zgjidhje afatgjate. Prandaj, zgjidhja më e mirë dhe e pranueshme do të ishte që shqiptarët të kishin shtetin e tyre të pavarur dhe me vullnetin e tyre të lirë të vendosin se çdo të bëjnë në të ardhmen.

Tuesday, October 6, 2009

Siguria kolektive dhe «peace research studies»

Dr. Alban Daci

Është e rëndësishme të dallojmë paqartësinë me pasigurinë, sepse këto dy element ndërtojnë qëllimin elementarë të aksionit politik. Paqartësi do të thotë, se çdo aktor mund ti bëj të ndryshueshëm dhe të paparashikueshëm arsyet e shkëmbimit mes burimeve që posedon dhe ato të tjerëve. Ndërsa me pasiguri kuptojmë se çdo aktor mund të shkaktoj ose të rrezikoj të shkaktoj dëme tek mbijetesa fizike e aktorëve të tjerë ose të burimeve të tyre [Stoppino 2001]. Çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kanë domosdoshmërish natyrë politike, por jo të gjithë konfliktet e natyrës politike prekin domosdoshmërish çështjen e sigurisë. Siguria , në vështrimin e saj klasik, është e përfshirë vetëm kur, në një mosmarrëveshje politike, «aktorët kërcënojnë ose përdorin forcën për mbajtur atë që duan njëri nga tjetri» [Kolodziej 2005, 22], ku për «forcë» kuptohet përdorimi i dhunës ose kërcënimi për përdorimin e saj.
Në eksperiencën historike të Perëndimit, shteti është institucioni që ka realizuar më efikasitet më të madh garancinë përballë paqartësisë dhe pasigurisë dhe që ka lejuar të dal nga ai kusht i natyrës, ku jeta humane do të ishte «e vetmuar, mjerueshme, neveritshme dhe e shkurtër» sipas definicion të ofruar nga Thomas Hobbes tek Leviatano.
Në mënyrë më paradoksale rrjedh se instrumenti i adaptuar për të përballur (që kërkon të zgjidh) problemin e sigurisë në fushën e «zonës shtëpiake» duhet të jetë i mbajtur mes burimeve kryesore potenciale të pasigurisë në «arenën ndërkombëtare». E thënë shumë thjeshtë: nëse ekzistenca e shtetit përfaqëson garancinë kryesore për sigurinë e qytetarëve përballë çdo rreziku të brendshëm dhe të jashtëm, është pikërisht prania e shumë shteteve të pavarur që vendosin në rrezik mbijetesën e personave, përmes pjesëmarrjes së tyre në aktivitetin human nga rezultatet më të paqarta dhe të pasigurta: lufta. Siguria është një ndër qëllimet parësor ku arritja është në një far mase jo një kusht i kësaj asaj lloje të jetës sociale, por i vetë shoqërisë sociale si e tillë [përderisa] të gjitha shoqëritë kërkojnë të garantojnë brenda një far mase mbrojtjen nga dhuna që mund të sillte në vdekje ose tek fyerja trupore; (...) për të siguruar që premtimet, njëherë që bëhen , duhet të mbahen, ose që marrëveshjet, njëherë që bëhen, duhet të mbahen; (...) për të siguruar që posedimi i gjërave të mbetet stabile për një far grade, dhe që nuk ka objekte kundërshtimesh konstante dhe pa limite [Bull 1977].
Deri tani shpjeguam në terma të përgjithshëm sigurinë si nocion, por në këtë punim jemi të interesuar për sigurinë kolektive. Prandaj, është legjitime të bëjnë pyetjen se të thotë siguri kolektive? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje na leverdis të fillojmë nga ajo që shkruante juristi Hans Kelsen: Flasim për siguri kolektive, kur mbrojtja e drejtave të shteteve, reagimi kundër dhunimit të ligjit, merr karakterin e një aksioni të vendosur kolektivisht në praktikë (...) Në rastin e sigurisë kolektive, shtetet ku të drejtat e tyre nuk u janë dhunuar drejtpërdrejt, janë të detyruar që t’i asistojnë shtetit që ka pësuar dhunën; ndërsa në kushtin e self-help të parashikuar nga e drejta e përgjithshme ndërkombëtare, ato janë vetëm të autorizuar ta bëjnë [Kelsen 1948, 784].
Një definicion i qartë i sigurisë kolektive, në terma politologjike, ka qenë nga një kritik i këtij koncepti si Thompson: «Principi themelor mbi të cilin siguresa kolektive është themeluar parashikon se një sulm kundër çdo shteti do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithë shteteve» [1953, 754-755], pra pikërisht casus foederis i pakteve të aleancave (për shembull arti. 5 i Traktatit të Paktit Atlantik).
Mbështetësit e këtij argumenti, në argumentimin e tyre, propozonin një kombinim të principit të universalizmit dhe të logjikës së frikës (e kuptuar realisht ashtu siç e kuptojnë realistët). Paqja mund të jetë e mbrojtur nëse një agresor potencial kupton se nuk mund të fitoj asgjë nëse përdor forcën; rasti perfekt i funksionimit të kësaj logjike është pikërisht ai në të cilin rreziku i përdorimit të forcës takon formimin e menjëhershëm e një kundër koalicioni të gjerë që reagon në mbrojtje të sulmuarit, dhe që posedon një nivel potence të tillë sa ta dënoj agresorin në një humbje të sigurt. Shumë studiues «realist» në vazhdim kanë mbështetur se vlefshmëria e një sistemi të sigurisë kolektive nuk varet nga realizimi i plotë i principit të universalizmit, por tashmë ka vend duke u nisur nga një aplikim parcial.
Inis L. Claude, një nga eksponentët me të mëdhenj të ashtuquajturit argument idealist, ka theksuar në veçanti lidhjen mes organizatave ndërkombëtare dhe sigurisë kolektive. Sipas këtij autori, realizimi i një sistemi të vlefshëm të sigurisë kolektive përbën objektivin kryesor dhe forcën tërheqëse të sforcimi për ndërtimin e organizatave mbikombëtare: «Siguria përfaqëson synimin; kolektivi përcakton natyrën e mjeteve; sistemi dëshmon komponentin institucional të sforcimit për të bërë që mjetet t’i shërbejnë qëllimit» [Claude 1956, 223].
Një sistem i përgjithshëm i sigurisë kolektive mbahet mbi zvogëlimin e përgjithshëm të praktikës së kufijve, dhe pra mbi një far jo legjitimiteti të përdorimit të luftës si një instrument të policy: në këtë kuadër siguria kolektive duket si një e ndërmjetme mes pikave ekstreme të anarkisë ndërkombëtare dhe të qeverisë botërore. Por siguria kolektive është një instrument i politikës ndërkombëtare të specializuar, përderisa e limituar tek qëllimi për të përballuar dhe paralajmëruar përdorimin e forcës arbitrare dhe agresive, dhe nuk synon të furnizoj një mekanizëm të enforcement për gjithë trungun e të drejtës ndërkombëtare.
Mes principeve të sigurisë kolektive është bindja, se qeveritë, ose personat që mund të gjenden në kushte për të influencuar, janë të ndjeshëm në një thirrje morale kundër abuzimit të forcës. Në këtë kuptim siç ka vëzhguar Hass [1955], sistemi i sigurisë kolektive tenton të afrohet me atë të ujdisë së fuqive, por arrin te ai aspekt themelor, një «network të jashtëzakonshëm kompleks kushtesh», subjektiv dhe objektiv. Ndër të parët, para së gjithash ka të bëj me kuptimin se rithirrja e qëndrimeve kundër luftës duhet të jetë e bashkëngjitur nga njohja, nga ana mazhorancës së madhe të shteteve, të vlerës së paqes botërore, përderisa e padukshme, dhe nga impenjimi i tyre pozitiv pasues i tendosur tek përndjekja ose mbajtja e tij. Kjo implikon në vend të parë spostimin e besnikërisë politike drejt komunitetit botëror [Claude 1956, 229], dhe pra nënrenditjen e objektivave të interesave kombëtare me ato të sigurisë kolektive.
Subjektivisht, në këto kushte është e domosdoshme që njerëzit politik dhe qytetarët e qeverive kolektive të marrin një gradë besimi dhe siguri të pa ngjarë më parë në gjykimin e besimit të mirë të shteteve të tjera të sistemit ndërkombëtar dhe që shtetet janë të gatshëm të luftojnë për të mbrojtur status quon-në. Pra, nga kjo rrjedh nevoja që sistemi të jetë i paanshëm, dhe i themeluar mbi një princip anonim: me fjalë të tjera, që çdo shtet të jetë i gatshëm të luftoj për të ruajtur integritetin e një viktime anonime nga sulmi i një agresori anonim. Në këtë princip bëhet e dukshme një diferencë themelore e sigurisë kolektive në respekt me «ujdinë» e fuqive: ky i fundit drejton aktivitetin e tij kundër një përdorimi të gabuar të fuqisë (undue power), ndërsa siguria kolektive ka si objekt çdo akt që mund të kualifikohet si agresiv (agressive policy).
Kushti i parë objektiv, në një optikë ideale, do të ishte ekzistenca e një bote e karakterizuar difuzioni i konsiderueshëm i fuqisë, në termat e efektivitetit të shpërndarjes së burimeve, i shoqëruar nga një pothuajse monopolizim i saj nga ana e komunitetit ndërkombëtar: prandaj bëhet thelbësor universalizmi i membershipit. Kushti i dytë objektiv (empirik) do të konsiderohej në realizimin e një çarmatim parcial, pra të një bote gjithmonë e më të çmilitarizuar. Në fund, kushti i fundit do të ishte prezenca e kushtit të cenueshmërisë ekonomike, që duhet të jetë edhe ai universal, dhe me një aparat legal dhe organizim të aftë që të jap shprehjen institucionale tek nënshtetasit kryesor.
Sipas kritereve të këtij argumenti, megjithatë ekziston një divergjencë e pastër mes idesë dhe ndershmërisë së sigurisë kolektive. Nëse ideja konfiguron një princip solid me reagime agresive në emër të mbrojtjes së lirisë dhe të pavarësisë së popuj në veçanti, ndershmëria e aplikimit të një principi të tij gjeneron një tendencë të rrezikshme në përfshirjen e gjithë shteteve të sistemit ndërkombëtar në të gjitha mosmarrëveshjet, duke hapur në çdo rast rrugën e një konflikti të përgjithshëm [Thompson 1953].
Tre kritika janë bërë kundrejt sistemeve të sigurisë. I pari ka të bëj me faktin se ato nuk japin një shpjegim mbi faktin, se si shtetet arrijnë të kalojnë një frike dhe një keqkuptim reciprok (teprim të vlerave normative të teorisë); në vend të dytë, sjellin respektin e kriterit shumë kompleks, mes të cilave kapaciteti i shteteve për të bërë një ndarje të qartë mes viktimës dhe agresorit, dhe refuzimi i një politike agresive; në fund, nuk është e sigurt në funksionimin e këtij sistemi institucional pikërisht kur do të ishte e nevojshme, dhe pra kur përleshja bëhet e pashmangshme (siç është konfirmuar nga një evidencë e gjerë historike).
Tek këto kundërshtime ka qenë replikuar që, në realitet, një ekuilibër i rregulluar dhe i institucionalizuar mbi idenë të «gjithë kundër njërit» ofron një stabilitet më të madh në respekt tek një pa rregulla dhe i bazuar mbi self-help dhe mbi kërkimin e vetmitar të sigurisë [Kupchan 1995].
Aspirimi «kosmopolitik» dhe «vetmitar», mbi të gjitha për sa i përket idesë së pandashmërisë së paqes, do të mbijetoj tek kriza e konceptit juridik ose sociologjik të sigurisë kolektive, duke gjetur shprehjen në breza të ndryshëm të studiuesve që duke nisur nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë, i japin jetë shkollës së «peace research», e cila dëshiron të realizoj paqen përmes influencës së institucioneve globale. Nocioni themelor i kësaj shkolle, siç është theksuar, nuk është ajo e «sigurisë», por ajo e «paqes», ku nënvizohet vlera normative, e munguar tek security studies, ndërsa të cilët akuzohen se janë të karakterizuar nga një shtrembërim teorik me implikimin e vetë zbatimit.
Paqja duhet kuptohet në kuptimin pozitiv, pra si realizimi i gjithë kapaciteteve humane. Karakteristika themelore e këtij formulimi të konceptimit konsiston në zgjerimin e dimensioneve sociale të përfshirë në aktin e dhunës (ushtarake, politike, kulturave, ekonomike, ambientale) dhe në tentativën për të kaluar limitet e vendosura nga një koncept i dhunës si akt direkt, që kufizon analizën tek ndërveprimi i thjeshtë mes dy subjekteve të ndara, duke fshehur kështu rrënjët sociale të konfliktit [Gatlung 1964, 98-99; 1969].