Friday, April 10, 2009

Mirë se erdhët në Atdhe

Organizata shqiptare

“Gjenerata Re Shqiptare”

www.studenti.forum-2007.com

gjeneratareshqiptare@gmail.com


Projekti: Mirë se erdhët në Atdhe


Projekti " Mirë se erdhët në Atdhe" ka për qëllim kthimin në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve dhe integrimin e tyre në vendet e punës sipas shkallës së kualifikimit, jo vetëm të studentëve, por të gjithë intelektualëve që për arsye ekonomike dhe ato të tranzicionit ndodhen aktualisht jashtë Shqipërisë.

Të gjithë këta shqiptarë që për arsye të ndryshme sot janë jashtë vendit, kanë mall dhe dashuri të madhe atdhetare që të kthehen, të investojnë dhe të punojnë në atdheun mëmë, Shqipërinë.

“Gjenerata Re Shqiptare” do të jetë ura lidhëse mes qeverisë shqiptare dhe studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë vendit. Në punën e gjatë e të palodhur për implementimin e këtij projekti ne e konsiderojmë veten partner të Qeverisë dhe partner të studentëve.

Organizata mbarë shqiptare "Gjenerata Re Shqiptare", duke pasur në gjirin e saj një numër të madh të studentëve që studiojnë në universitet më të mira në Botë, si dhe e vetëdijshme për nevojën që ka vendi ynë, dhe dëshirën e madhe që kanë këta studentë për t'u kthyer në Atdhe, ideoi këtë projekt si proces të domosdoshëm dhe të pa shmangshëm, nëse vendi ynë ka dëshirën e mirë për të ecur në rrugën e prosperitetit dhe zhvillimit ekonomiko-social, politiko-organizativ dhe intelektual-kulturor .

Aktualisht, mendohet se jashtë vendit studiojnë rreth 25000 studentë, të cilët me eksperiencat jetësore dhe profesionale-intelektuale mund të sjellin një frymë dhe koncept të ri kryesisht perëndimor për sa u përket reformave të domosdoshme në proceset e zhvillimit nëpër të cila po kalon vendi.

Ky projekt duhet të mbështet në dy kolona:

1) Kolona e parë janë studentët që studiojnë jashtë

2) Kolona e dytë është Qeveria Shqiptare

Ndërmjetësuese, ose urë lidhëse do të jetë organizata "Gjenerata Re Shqiptare", sepse pikërisht "Gjenerata Re Shqiptare", është organizata e parë që e ka ideuar këtë projekt.

Gjithashtu, është e para dhe e vetmja organizatë që ka një shtrirje të madhe (konkretisht në disa kontinente, aty ku bota shqiptare është e pranishme dhe zëri i saj duhet të dëgjohet mbi bazën e vlerave universale të drejtave të njeriut, demokracisë, paqes dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet kombeve).

Është e para dhe e vetmja organizatë që ka dhe një faqe web-site me më shumë se 1440 anëtarë, ku pothuajse të gjithë janë shqiptarë që punojnë ose studiojnë jashtë Shqipërisë dhe mesatarisht 700 vizita ditore nga vende të ndryshme të botës.

"Gjenerata Re Shqiptare", ka punuar me përkushtim të madh dhe kjo vërtetohet nga rruga që kemi ndjekur që nga akti i themelimit deri sot.

Ne kemi qenë të parët në Diasporë që kemi ngritur zërin kundër diskriminimit racor dhe fizik që është ushtruar, me dashje apo pa dashje, kundër shtetasve shqiptarë.

Ne, si organizatë kemi realizuar një numër të madh tubimesh para Selisë së Kombeve të Bashkuara në New York. Kemi qenë të parët që kemi organizuar protesta masive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera kundër keqqeverisjes, korrupsionit që bëhej në Shqipëri para se të ndodhte ndryshimi i madh me zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, etj.

Madje ne kemi qenë ata që kemi dhënë kontribut të çmuar për të sjellë ndryshimet e shumëpritura pozitive duke e menduar Shtetin në shërbim të qytetarëve dhe jo qytetarët në shërbim të shtetit dhe shtetarëve.

Jemi e para dhe e vetmja organizatë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, që kemi marrë letër falënderimi nga Presidenti Bush, për rolin që kemi luajtur në marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kemi organizuar një numër të madh aktivitetesh, ku përfshihen edhe aktivitetet ndërkulturore të organizuara nga "Gjenerata Re Shqiptare" në Itali, për shembull: për herë të parë në qytetin Genova kremtuam festën e 28 Nëntorit, pikërisht në ambientet universitare.

Në këtë kremtim kanë marrë pjesë jo vetëm studentë dhe emigrantë shqiptar, por edhe mjaft studentë nga vende të ndryshme të botës, si dhe dashamirës, të cilët së bashku me ne kanë kënduar himnin kombëtarë dhe kanë kërcyer vallen e vjetër tironse, napolonin.

Qëllimi i kësaj feste kremtuese ishte ngritja lart e vlerave kulturore dhe parimeve të shoqërisë shqiptare si një shoqëri me prejardhje nga qytetërimi i moçëm Ilir.

Unë, Dr. Alban Daci, në rolin e kryetarit të "Gjeneratës Re Shqiptare" në Itali dhe më gjerë kam marrë pjesë dhe kam përfaqësuar të gjithë të rinjtë shqiptarë, në Kongresin e Parë të Diasporës Shqiptare organizuar në Rimini të Italisë në muajin maj të vitit 2005 .

Jemi e para organizatë shqiptare në Itali që kemi bashkëpunuar me qendrën Mesdhetare të Emigracionit, si dhe me Fakultetin e Informacionit në Genova, për kryerjen e një studimi statistiko-akademik mbi familjet emigrante shqiptare. Unë, Dr. Alban Daci pas një eksperience të gjatë dhe intensive intelektuale studiuese si dhe pas një eksperience të drejtpërdrejtë duke jetuar për rreth gjashtë vjet rresht në qytetin e Xhenovës krah për krah me emigrantët shqiptarë, kam bërë një studim të vërtet jetësor dhe akademik mbi Komunitetin shqiptar që është vendosur në këtë qytet dhe më gjerë prej rreth 10 faqesh (format A4), i cili është botuar në vijueshmëri në disa numra në një gazetë ditore të shtypit shqiptarë në Shqipëri si dhe në një gazetë të rëndësishme shqiptare në Itali. Ky punim shkencorë është i pari në llojin e tij jo vetëm këtu në Itali, por edhe më gjerë, sepse shkruhet nga një intelektual shqiptarë dhe përjetues i drejtpërdrejtë në të njëjtën kohë dhe që ka për objekt studimi po shqiptarët.

Gjithashtu jemi po të parët dhe të vetmit që kemi ngritur zërin kundër procedurave burokratike të lejeve të qëndrimit, të cilat mbanin peng ardhjen e studentëve shqiptarë për festat e fundvitit pranë familjeve dhe të dashurve të tyre.

Madje për këtë kemi përpiluar edhe një letër të hapur drejtuar Presidentit z. Alfred Moisu, gjatë kohës që ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë . Kjo letër është botuar tek gazeta ditore shqiptare "Koha Jonë". "Gjenerata Re Shqiptare", ka mbrojtur jo vetëm interesat e studentëve në veçanti, por edhe të emigrantëve në përgjithësi.

Kjo mund të konfirmohet në shumë raste dhe çështje të ndryshme, por më domethënëse ishte pjesëmarrja e gjithë stafit drejtues, si edhe mjaftë studentëve në përvjetorin e vdekjes të një punëtori shqiptar, i cili humbi jetën gjatë punës për ndërtimin e muzeut të Marinës Detare, tek Porti Antik në Genova. Dr. Alban Daci, kryetari i “Gjeneratës Re Shqiptare”, ka bërë edhe një artikull të veçantë për jetën e këtij djaloshi që u sakrifikua për një jetë më të mirë, për një ëndërr më të bukur, për një të ardhme më të mirë. Artikulli është botuar në sitin e organizatës, në mjaft mail-lista shqiptare si dhe në një gazetë të përditshme shqiptare. I kemi dedikuar një rëndësi të veçantë këtij rasti, sepse bëhej fjalë për jetën e një djaloshi shqiptar që kishte shumë ëndrra për të ardhmen, por që u shuan në një ditë shiu. Ai simbolizon jo vetëm sakrificën e tij personale, por sakrificën e shumë shqiptare, që kanë lënë gjithçka mbrapa me shpresën për të ndërtuar diçka më të bukur dhe më të mirë në të ardhmen.

Në përkujtim të tij "Gjenerata Re Shqiptare" si përfaqësuesja e studentëve shqiptarë dhe e emigrantëve, ka mbajtur një rol mjaft kritikues mbi kushtet e punës, si dhe shfrytëzimin që bëhet jo vetëm kundrejt emigrantëve shqiptarë, por dhe kundrejt çdo qenie njerëzore që shfrytëzohet dhe ndjehet e pa përkrahur .

Politika të rëndësishme të programit për zgjerim të aktivitetit tonë sublim dhe njerëzorë kanë qenë artikujt e shumtë, intervistat e ndryshme të realizuar si në media ashtu dhe në të përditshmet shqiptare, konferencat e realizuar, takimet zyrtare të bëra, bashkëpunimet me institucionet italiane, me trupin diplomatik shqiptar të akredituar në Itali, me mjaftë organizata jo qeveritare dhe jo fitimprurëse .

Pra, jemi krenar për të gjitha këto, si dhe për në hartimin dhe realizimin e këtij projekti që është i pari lloj tij dhe që mban firmën e Dr. Alban Daci, kryetari i organizatës "Gjenerata Re Shqiptare" në Itali.

Jemi të vetëdijshëm se një strategji e tillë nuk rezulton të jetë strukturuar deri më sot as nga strukturat administrative të Shtetit shqiptar.

Prandaj, i bëjmë thirrje qeverisë që të na jap të gjithë përkrahjen e duhur, si dhe të vejë në lëvizje të gjithë mekanizmat shtetëror për integrim real në punë dhe në shoqëri të gjithë atyre studentëve shqiptarë që kryejnë me sukses studimet jashtë vendit.

E shohim të arsyeshme që kthimin dhe integrimin e studentëve ta konsiderojmë si strategji kombëtare për realizimin e kthimit të trurit të emigruar.

Të jesh shqiptar është nder, ta ruajmë këtë nder e kemi për detyrë.

Ne, "Gjenerata Re Shqiptare" jemi krenar që jemi shqiptarë dhe ketë krenari do ta mbajmë dhe do ta mbrojmë me të gjitha metodat demokratike.

Do të punojmë pa reshtur për të përmisuar imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në botë, për të treguar vlerat e larta kulturore dhe njerëzore që zotërojmë ne në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në këtë drejtim kemi planifikuar dhe do të ndërmarrim një seri fushatash sensibilizuese nëpër qytetet evropiane.

Elementët përbërëse të kësaj fushate do të jenë:

1) Bashkëpunimet që do të bëhen me organizatat ndërkombëtare në aktivitete ndërkulturore, historike, integruese si dhe binjakëzime.

2) Pjesë e pandarë e këtij procesi do të jenë edhe seminaret dhe konferencat që kemi ndërmend të organizojmë në bashkëpunim me universitet perëndimorë për të pasqyruar dhe informuar qytetarët e botës mbi çështjet dhe proceset nëpër të cilat po zhvillohet Shqipëria.

3) Do të promovojmë artin shqiptar në botë, duke ndihmuar në realizimin e ekspozitave të talenteve të rinj shqiptarë që aktualisht kanë mbaruar ose janë në rrugë e sipër të studimeve universitare.

4) Do të mundohemi, me sa do të na jepet mundësia, për promovimin e turizmit shqiptar, për t'i treguar botës që Shqipëria është vend i mrekullueshëm, me bukuri të rralla natyrore që mund të eksplorohet nga turistët nga e gjithë bota. Shqipëria është një vend demokratik, me një rend të normalizuar që jo vetëm mund të vizitohet për turizëm, por fare mirë krijon mundësia të shkëlqyera investimesh në drejtime të ndryshme ekonomike.

5) Imazhi i shkëlqyer i Shqipërisë në botë mund të përfaqësohet dhe të promovohet nga studentët shqiptarë që studiojnë jashtë, të cilët kanë sjellje shembullore, si dhe rezultate shumë të mira, për sa i përket në drejtim të studimeve si para, gjatë dhe pasuniversitare. Pra, ne do t'i tregojmë botës se kush jemi dhe do t'i krijojmë përshtypjen Evropës që integrimi i saj nuk do të kishte kuptim pa përfshirjen dhe pjesëmarrjen tonë, sepse ne bashkë me kombet e tjera kemi dhënë kontribut të vyer në krijimit e civilizimit të sotëm Evropian.

Organizata "Gjenerata Re Shqiptare" ju bën thirrje gjithë organizatave shqiptare që kanë statute, qëllime dhe ide të ngjashme me tonat të bashkëpunojnë me ne, duke dhënë kontributin e tyre në dobi të ardhmes sonë të përbashkët me plotë lumturi, prosperitet, të drejta, liri dhe detyrime që kemi ndaj Shqipërisë.

Jo gjithmonë duhet të presim se çdo të bëj Shqipëria për Ne, por çdo të bëjmë Ne në të ardhmen për Shqipërinë tonë të dashur.

Ne, nuk pranojmë dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që qëllimet politike t'i vendosim mbi qëllime kombëtare.

Ju bëjmë thirrje të gjitha organizatave shqiptare të bashkëpunojnë me ne, pa dallime ngjyrimesh politike që mund të kenë, sepse Shqipëria është një dhe shtetasit e saj janë shqiptarët që sot, o kurrë, kanë nevojë për mbështetje dhe përkrahje.

Ne nuk jemi të pavdekshëm dhe nuk pretendojmë të jemi të tillë, e pa pavdekshme dhe e përjetshme është Shqipëria.

Ne jemi për bashkëpunim, sepse ai sjellë ide dhe idetë sjellim zhvillim dhe prosperitet.

Ne, "Gjenerata Re Shqiptare" mendojmë se ky bashkëpunim mund realizohet:

1) në emër të shqiptarizmit t'i bashkëngjitmi familjes së madhe "Gjenerata Re shqiptare". Të gjitha organizatat që do të pranojnë t'i bashkëngjiten organizatës "Gjenerata Re Shqiptare", aspak nuk do t'iu kufizohet imazhi i tyre.

Do të ruhet me rigorozitet autonomia e tyre. Për veprimtari të rëndësisë veçantë që kërkon një mbështetje masive dhe gjithëpërfshirëse, me seriozitet të lartë, në bazë të rregullave të lojës, do të përfaqësohemi bashkërisht nën drejtimin e përgjithshëm të "Gjeneratës Re Shqiptare".

Pra, do të punojmë dhe do të krijomë një konfederatë të madhe organizative të bazuar në të drejtat dhe liritë universale të njeriut, si dhe në respektimin marrëdhënieve miqësore ndërmjet kombeve.

Këtë konfederatë kemi menduar ta quajmë Konfederata "Gjenerata Re Shqiptare"

2) Shkëmbim linkesh, letrash, falënderimesh, ndihmesash, idesh dhe mendimesh

3) Pranojmë edhe bashkëpunime në nivel individësh. Këtu kemi parasysh personazhe mjaft të spikatura të Diasporës shqiptare, që deri më sot nuk e kanë gjetur vetëm e tyre në asnjë formë organizative, por që kanë kapacitet e duhura dhe janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në ndihmë të zgjidhjeve më të mira për sa i përket çështjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ne, e konsiderojmë vendimtar rolin e "Qeverisë shqiptare", pa ndihmën dhe bashkëpunimin e saj projekti ynë nuk mund të realizohet.

Organizata "Gjenerata Re Shqiptare" dëshiron të bashkëpunoj me qeverinë aktuale për të realizuar kthimin e një numri të konsiderueshëm studentësh në Atdhe dhe punësimin e tyre në të gjitha nivelet e administratës.

Ky kthim do të bëhet mbi baza vullnetare, sepse konsiderohet vendim personal. Ne mendojmë dhe propozojmë se :

1) Qeveria Shqiptare duhet te krijoi një grup pune për të shqyrtuar kërkesat për punësim nga studentët që studiojnë jashtë "Gjenerata e Re Shqiptare" do t'i jap asaj të gjithë informacionin e duhur dhe mbështetjen e nevojshme në lidhje me politikat që do të ndiqen në dobi të vendit dhe të 25. 000 studentëve ( numër gjithmonë në rritje) që studiojnë jashtë.

2) Kërkojmë që Ministria e Arsimit të bëj reformë të vërtetë lidhur me njësimin e diplomave, duke eliminuar plotësisht zvarritjet burokratike dhe vonesat e pa justifikuara. Për njësimin e diplomave procedurat duhet të jenë sa më të thjeshta dhe praktike, që nuk kërkojnë kohë dhe burokraci. Duke përfunduar shpreh bindjen, se më përkrahjen dhe mbështetjen e Qeverisë, “Gjenerata Re Shqiptare” do të realizoj me sukses projektin e saj ambicioz "Mirë se erdhët në Atdhe".

Jemi të bindur se Atdheu ynë ka nevojë për të gjithë ne. Të gjithë së bashku do të bëjmë një Shqipëri të zhvilluar demokratike, me shqiptarë të lumtur, të ditur dhe të kualifikuar.

Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë që kanë mbaruar studimet jashtë që të kthehen në Shqipëri, sepse ajo ka ndryshuar, por ne mund të japim kontributin tonë që ky ndryshim të vazhdoj akoma më tej me hapa të sigurt dhe të shpejt.

O vëllezër, motra, o Rinia shqiptare, Shqipëria është vendi ynë, ajo ka shumë nevojë për ne, dhe ne kemi shumë dashuri për të.

Prandaj, për hir të dashurisë tonë të madhe që kemi për këtë vend, ku kemi lindur ne dhe të parët tanë, ku është luftuar për të mbrojtur flamurin me shqiponjën dy krenare, ku është sakrifikuar për të ruajtur gjuhën tonë shqipe, le të kthehemi që ajo të jetë një zonjë e vërtetë dhe krenare për Rininë e saj që ka.

Ka ardhur momenti, që të shkundim pesimizmin, të shërojmë shpresën dhe të guxojmë për të ardhmen që na pret. Pasiviteti nuk është simboli i Rinisë dhe i shqiptarizmit, kuraja është ajo që duhet të ndez vullnetin dhe forcën që ne të gjithë të rinjtë që jemi larguar për të shkolluar, të rikthemi në Shqipëri, sepse nëse idetë tona nuk do të kultivohen në tokën shqiptare, ato nuk do të kenë asnjë vlerë kombëtare.

Ju, bëjmë thirrje vëllazërore të gjithë të rinjve shqiptare, t’i bashkëngjiten projektit “Mirë se erdhët në Atdhe”, sepse “Gjenerata Re Shqiptare”, ka përfaqësuar dhe do të vazhdoj të përfaqësoj idetë e reja, vizionin e ri.