Friday, April 24, 2009

Liria dhe Demokracia

Dr. Alban Daci

Është e vërtetë që tek demokracitë duket se populli bën atë që dëshiron: por liria politike nuk konsiston të bësh atë që dëshiron. Në një Shtet, apo në një shoqëri, ose në një organizatë duke u nisur tek një shembulli që kam marrë, studiuar dhe analizuar në një artikull të botuar pak ditë më parë, pra në ato forma organizative ku ka ligje dhe rregulla, liria mund të konsistojë vetëm në pushtetin për të bërë atë që duhet bërë, dhe jo në të qenin i detyruar për të bërë atë që nuk duhet bërë.
Liria është e drejta për të bërë atë që ligjet të lejojnë (normalisht ligjet duhet të jetë bërë me miratimin e qytetarëve, të cilët duhet të kenë dhënë alternativën e tyre, ndryshe këto ligje nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe për rrjedhoje as nuk mund të respektohen. Mjaftojmë të analizojmë rrugën që ndjekin ligjet derisa bëhen të detyrueshëm për të gjithë, në sistemet jo demokratike).

Ka tre forma lirie:

1.liria fizike që konsiston në mungesën e pengesave materiale të çdo specie. Prandaj, mund të themi: qiell i lirë, horizont i lirë, ajër i lirë, fushë e lirë, një vend i lirë, elektricitet i lirë, vendbanim i lirë, shtyp i lirë. Koncepti i lirisë është kallëzues i të qenit “kafshë”, ku pronësia konsiston në faktin që lëvizjet e tyre, rrjedhin nga vullneti dhe janë të vullnetshme. Ky koncept lirie, në këtë kuptim origjinal, të menjëhershëm dhe popullor, thjeshtë implikon fuqinë për të reaguar, mungesën e pengesave fizike në aksion. Për këtë arsye thuhet se zogu është i lirë në ajër, kafsha e egër është në pyll, njeriu është i lirë për nga natyra. Vetëm njeriu i lirë është i lumtur. Thuhet se një popull është i lirë, kur qeveriset nga ligjet që ai vetë ka dhënë. Pra liria politike duhet shoqëruar me lirinë fizike;

2.liria intelektuale konsiston pikërisht në kapacitetin për të ushtruar lirisht vendimin, në ushtrimin e kapacitet për të arsyetuar në mënyrë diskutuese dhe me argumentuar me mjete logjike;

3.liria morale, që sipas konceptit empirik të lirisë, do të thotë: “Unë jam i lirë, nëse mund të bëj atë që dua”; e me këto fjalë, “atë që dua”, liria është tashmë e përcaktuar. Ndërsa Kanti e përcakton Lirinë në këtë mënyrë: “ Liria është aftësia për të filluar vetë një seri ndryshimesh. Faktikisht, me fjalën “vetë” në kuptimin e vërtetë të saj, do të thotë “ pa shkaqe paraprijëse;

Çfarë kanë të përbashkët qielli i lirë, fusha e lirë, liria e shtypit? Qielli është i lirë nëse nuk ka re, fusha është e lirë nëse nuk ka ndërtime, persona ose makina që mund të pengojnë, shtypi është i lirë nëse asnjë organ politik ose juridik nuk ndalon shprehjen e opinioneve të lira. Pra, të përbashkët kanë faktin se nuk kanë pengesa materiale për të vepruar dhe reaguar.
Jashtë shpjegimit terminologjik të demokracisë se “pushtet i takon popullit” ose “qeverisja e popullit”, në rrokullisjen e ngjarjeve historike janë të pranishme dy modele shumë të ndryshme: demokracia e “antikëve” dhe ajo e “modernëve”.
Modeli i parë ka karakteristikë qytet-shtetet (siç citon me të drejtë Sartori komunitete-qytete) e Greqisë klasike, dhe në veçanti siç kemi analizuar, eksperienca e Athinës në shekullin e V-IV para lindjes së Krishtit, aty ku vendimet merreshin nga qytetarët e mbledhur në asamble (Ecclèsia) dhe ekzekutoheshin nga Boulè, ose Këshilli i pesëqindëve, ku anëtarët ishin zgjedhur ose seleksionoheshin me short duke zbatuar rregullin e rotacionit mes gjithë qytetarëve.
Pra, kishim të bënim me një demokraci direkte të bazuar mbi pjesëmarrjen e menjëhershme të qytetarëve pa pasur asnjë lloj ndërmjetësimi, politik ose burokratik. Kjo formë ishte edhe një demokraci monistike, sepse e mira e përbashkët ishte fruti i harmonisë, që nuk pranonte pozicione të ndryshme për interesat e përbashkëta dhe ndarjen në pjesë (grupe) dhe kërkonte dedikimin të plotë në gjënë publike të çdo qytetari, që nuk kishte një sferë private të ndarë me atë publiken. Kjo lloj demokracie ishte e realizuar vetëm në territore me hapësira të vogla.
Demokracia pasi u aplikua fillimisht në këto komunitete-qytete, për një periudhë të gjatë, me formimin e kombit dhe themelimin e shteti, ajo humbet, sepse, distancat u rritën, territoret u shumëfishuan, popullsia u shtua, komunikimi mes persona u zvogëlua. Për rrjedhojë qytetarët hasën më shumë pengesa për të krijuar në nivel Shteti-kombëtar strategji të përbashkëta për të realizuar në bazën e principit të oportuniteteve të barabarta, të mirën e përbashkët.
Në epokën moderne nuk mungon teorizimi i demokracisë direkte si forma më e rëndësishme në shpjegimin dhe aplikimin e konceptit të demokracisë. Në veçanti Rousseau tek Kontrata Sociale (1762) ka konfirmuar pamundësinë për të përfaqësuar “vullnetin e përgjithshëm” të popullit, që duhet të shprehet direkt mbi të gjitha ligjet.
Vetë Rousseau, më vonë do të nënvizonte se: “vetëqeverisja e popullit e ka të pamundur ushtrimin e funksionit ekzekutiv, por është krejtësisht i realizueshëm për legjislativin” (vetëm në një Shtet me dimensione të vogla dhe ku njerëzit janë faktikisht të barabartë dhe që nuk kanë shumë pasuri).
Demokracia e modernëve prezanton karakteristika që për disa arsye janë të kundërta me atë të antikëve duke qenë një demokraci përfaqësuese, pluraliste dhe e themeluar mundësisht mbi shtrirjen e gjerë të konceptit të shtetësisë. Vendimet politike ndërmerren nga organet përfaqësuese dhe vetëm në disa raste të parashikuara merren drejtpërdrejt nga trupi elektoral. Arsyet e natyrës përfaqësuese të demokracisë moderne janë të ndryshme:

1. historik, i dhënë nga roli themelor i realizuar nga përfaqësia parlamentare për të garantuar shembjen e Shtetit absolut dhe afirmimin e principeve liberal-demokratike;

2. praktik, si pasojë e zgjerimit territorial dhe demografik të Shtetit-komb dhe të karakterit gjithmonë e më kompleks të natyrës së vendimmarrjeve;

3. teorike, të rrjedhura nga natyra pluraliste dhe heterogjene e demokracisë, nga njohja e gjerë e të drejtave politike të personave, nga afirmimi i rolit të partive politike dhe të organizmave të ndërmjetëm, nga strukturat artikuluese dhe poliarkike të sistemit të qeverisjes.

Njohja e pluralizmit implikon se: qytetarët janë normalisht të interesave konfliktuale dhe organizohen për t’i bërë të vlefshëm, duke bërë ndarjen e sferën private nga ajo publike dhe në veçanti nga ajo politike.

Demokracia sigurisht është një sistem me rregulla procedurale, por është edhe një sistem me principe dhe me vlera të korporuara, që zakonisht janë të përcaktuara me kushtetutë.
Demokracia është edhe një sistem që garanton të drejta. Të drejtat janë elementët më themelor dhe ndërtues të qeverisjes demokratike. Përshembull çdo qytetarë, duhet të gëzoj të drejtën themelore për të votuar dhe për të parë që votat e tij shkojnë në konsideratën e duhur. Në Shqipëri kjo e drejtë edhe nëse nuk është mohuar në një mënyrë apo në një tjetër, duke pasur parasysh dhe mungesën e një infrastrukture rrugore moderne, ka hasur pengesa për tu ushtruar krejtësisht në mënyrë të vullnetshme.
Opinioni im është se: qytetarët do ta gëzojnë plotësisht këtë drejtë vetëm, kur Shqipëria do të ketë një infrastrukturë moderne, në mënyrë që distancat dhe koha e udhëtimit të mos jenë pengesa për të marrë pjesë në aksione politike direkte siç janë votimet, por edhe indirekte në forma të ndryshme edhe përfaqësuese.
Të sanksionosh të drejtat vetëm në bazë të ligjit, ose në kushtetutë nuk mjafton. Të drejtat duhet të aplikohen në praktikë nga qytetarët. Nëse këto të drejta nuk aplikohen në praktikë, sistemi politik nuk është demokratik, edhe pse qeveritarët mund ta konfirmojnë atë.
Në Shqipëri, mendoj se shumë të drejta themelore, duke u nisur nga mungesa e formimit shkollor, mungesa e informacionit, mungesës së infrastrukturës, vetëm mbeten thjeshtë të sanksionuar në ligje dhe nuk gjejnë hapësirë për tu aplikuar. Në këto rast jo vetëm që nuk kemi demokraci të mirëfilltë moderne, por mund të gjejmë forma primitive demokracie, ku tributë, ose grupet e personave të mbyllur dhe të izoluar me botën nga kufijtë natyror, thjeshtë aplikojnë akoma asambletë si në Athinën e lashtë (ose pleqërinë që nuk ka asnjë bazë juridike) për të zgjidhur çështjet e përbashkëta si dhe për të pasur të mira të përbashkëta mbi principin e barazisë në grup.
Kjo që thamë lidhet edhe me një argument tjetër mjaft themelor mes asaj që quhet demokraci ideale dhe demokraci reale.
Pothuajse të gjithë jemi dakord se demokracia është alternativa më e mirë e qeverisjes, sepse krijon kushte, oportunitete, të drejta të barabarta për të gjithë, por nuk duhet të jemi dakord se në Shqipëri kemi një demokraci shumë të mirë. Më e drejtë dhe krejtësisht e saktë do të ishte se demokracia shqiptare po përmisohet dhe se aspiron për t’u perfeksionuar. Një vend nuk bëhet demokratik brenda limiteve të caktuara kohore, nëse ka pasur një të kaluar totalitare, vetëm se ka aplikuar institucione, teori dhe rregulla demokratike.
Një vend është demokratik nëse ka krijuar edhe një kulturë demokratike. Të gjithë ne, jemi të vetëdijshëm se kur flasim për kulturë, kuptojmë një seri sjelljesh, kostumesh, traditash, dhe rregullash që vijmë krejt natyrshëm për vite me radhë në një shoqëri derisa sa bëhen pjesë integrale dhe reale e imazhit të saj.
Kultura demokratike shqiptare, ishte pothuajse inekzistente dhe komplet e panjohur më parë për qytetarët e saj, mjafton të përmendim se shumë persona nuk dinin se kush ishin të drejtat e tyre personale dhe jo më të kërkonin të drejtat e përbashkëta të komunitetit.
Megjithatë, vitet e tranzicionit kanë ndërtuar bazat e shëndosha për të krijuar një kulturë origjinale demokratike shqiptare duke hedhur premisat për të realizuar një qeverisje të vërtetë demokratike gjithëpërfshirëse, ku aksioni i çdo qytetari jo vetëm është i domosdoshëm për të hartuar strategjitë e përbashkëta për të ardhmen, por është edhe i detyrueshme për krijuan kushtin e të mirës së përbashkët.
Le të jemi dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtij imazhi të ri demokratik shqiptarë, ku personi të vlerësohet si një qenie që ka lindur me të drejta të pamohueshme si jeta, liria dhe lumturia dhe që aspiron me oportunitete të barabarta bashkë me anëtarët e tjerë të komunitetit për bërë që demokracia të jetë e shëndoshë, suficiente dhe reale në të gjitha mjediset e shoqërisë.

Tuesday, April 21, 2009

Demokracia, historia dhe evoluimi

Dr. Alban Daci
Botuat me 22 prill 2009
Gezeta NDRYSHE

Për të kuptuar se çfarë pretendojmë dhe presim nga demokracia, si fillim është e rëndësishme të përcaktojmë fjalën “Demokraci”,- të kuptojmë kuptimin e kësaj fjale. Fjala greke demokratia është e përbërë nga demos, që do të thotë “popull” dhe nga kratos, që do të thotë “pushtet”. Prandaj, e përkthyer në fjalorin politik modern do të thotë “pushteti i popullit”.
Nëse është kështu, , demokracitë “duhet të jenë” sisteme dhe regjime politike në të cilët është populli ai që komandon.
Pra së gjithash kush është populli? Që nga shekulli i pestë – katërt para lindjes së Krishtit. Fjala demos ka pasur interpretime të ndryshme.
Për grekët kjo fjalë kishte katër kuptime:
1. plethos, që ishte plenumi, i gjithë trupi i qytetarëve. Në këtë rast populli janë të “gjithë”.
2. Hoi polloi, “të shumtët”. Sa të shumtë janë suficient për të bërë një demos?
3. Hoi pleiones, më të shumtët. Ky është një përjashtim themelore, sepse demokracia, themelohet mbi rregullin mazhoritar nga i cili rrjedh.
4. Ochlos, “turma”. Në Athinë turma ishte e rëndësishme, sepse ishte një demokraci direkte.

Duke lënë greket, diskutimi bëhet akoma më kompleks sapo demos konvertohet në latinisht populus, sepse romakët- dhe akoma më shumë me kulturën mesjetare- me populus kuptojmë një koncept juridik, një entitet organik.
Faktikisht duhet të rikujtojmë një kuptim që pjesërisht është aristotelian (demos janë të “varfrit”) dhe pjesërisht është marksist (populli është “proletariati”).
Në këtë optikë populli është pjesë e demosit, ajo më e varfra, ose ajo më numërore. Kështu fjala “demokraci” siç duket, përdorej nga aristokratët në një përjashtim kritikues, si një lloj epiteti, për të shprehur mosmarrëveshjen kundrejt popullit të përbashkët që i kishin hequr të drejtën për të qeverisur.
Për një periudhë të gjatë qeniet njerëzore janë mbledhur në grupe që jetonin nga gjuetia, mbledhja e frutave dhe të prodhimeve të tjera spontane, të cilët duhet patjetër të kenë zhvilluar , ndonjëherë ose shpesh herë, një sistem, ku një sasi e mirë e anëtarëve të grupit, të dashuruar nga logjika e barazisë- të vjetrit ose më ekspertët- merrnin pjesë në çdo vendim të domosdoshëm për grupin. Pra, mijëra vjet me parë, patjetër ka ekzistuar ndonjë lloj forme demokracie primitive që shumë mirë mund të ketë qenë sistemi politik më natyral.
Në çdo rast, fjala “demokraci” përdorej nga athinasit dhe nga grekët e të tjerë për të përcaktuar qeverinë e Athinës dhe të shumë qyteteve të tjera të Greqisë.
Demokracia e Athinës, ka qenë për një periudhë të gjatë më e rëndësishmja dhe më e dëgjuara atëherë edhe sot: ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm mbi filozofinë politike dhe shpesh herë ka qenë cituar si shembulli i parë i pjesëmarrjes së qytetarëve ose siç do ta cilësonte dikush si demokracia e pjesëmarrjes.
Demokracinë, mund ta konsiderojmë si një formë qeverisje që ka evoluar që nga antikiteti grek, 25 shekuj më parë, duke u pjekur dhe kristalizuar, si një farë e vogël që ishte, deri në momentet aktuale, që ka arritur të përhapet në të gjitha kontinentet duke përshirë një pjesë të konsiderueshme të humanizmit.
Historia e demokracisë shfaqet si trajektorja e një udhëtari që kalon një shkretëtirë të pafundme, e ndërprerë vetëm nga ndonjë kodër e zhveshur, para se të arrijë në pikën ku fillon dysheza e gjatë e kulmit aktual.
Çfarë është sot Demokracia? Të gjithë ne kemi qëllime që nuk mund t’i realizojmë vetëm. Duhet të bashkëpunojmë me individ të tjerë më të cilët ne i ndajmë.
Supozojmë, pra, se për të arritur disa përfundime të përbashkëta, ne dhe shumë persona të tjerë biem dakord për të formuar një organizatë.
Shkojmë akoma më tej me hipotezën tonë. Në mbledhjen e parë anëtarë të ndryshëm sugjerojnë që organizata ka nevojë për një Rregullament, Statut, Kushtetutë. Opinioni juaj është në favor për këtë sugjerim, sepse mendoni se zotëroni një far kompetence për një çështje të ngjashme. Dikush të propozon që të jesh ti për të hartuar Kushtetutën, që do ta prezantosh në një mbledhje të radhës, për të qenë e ekzaminuar nga anëtarët e tjerë.
Propozimi është i aprovuar unanimisht.
Duke pranuar detyrën që të kanë besuar, mund të shprehesh pak a shumë në këtë mënyrë: “Besoj të njoh qëllimet tona të përbashkëta, por nuk jam i sigurt se si duhet të marrim vendimet”. Përshembull, duam një kushtetutë që beson tek më të aftët dhe të informuarit, autoritetin për të marrë të gjithë vendimet më të rëndësishme? Ky sistem nuk mund të garantoj zgjedhjet më të urta.
Për të kënaqur të gjithë anëtarët, kushtetuta që të kanë besuar ty për ta hartuar duhet konfirmohet në një princip elementar: të gjithë anëtarët duhet të konsiderohen (në basë të saj) të barabartë në gjendje që të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes përsa u përket strategjive që organizata do të ndërmarr.
Është e mundur që në hapësirën e pafundme të ideve mbi demokracinë, të identifikojmë disa kritere që qeveria e një organizate duhet të nderoj për të kënaqur nevojën e një të drejte të barabartë për të gjithë anëtarët që marrin pjesë në vendimmarrje mbi strategjitë. Ekzistojnë të paktën disa kritere të kësaj natyre.
Pjesëmarrje efektive. Para se një strategji të zbatohet nga një organizatë, të gjithë anëtarët duhet të kenë oportunitete efektive dhe të barabarta për të komunikuar opinionet e tyre për një lidhje të tillë.
Barazi të votës. Në momentin kur të ndërmarr më në fund vendimin, çdo anëtarë duhet të ketë oportunitetin e votës efektive dhe të barabartë me të tjerët, të gjitha votat duhet të konsiderohen të barabarta.
Të drejtën në informim. Brenda limiteve të arsyeshme të kohës, çdo anëtarë, duhet të ketë barazi dhe efektivitetin e oportunitetit për të njohur alternativat kryesore të strategjive dhe konsekuencat e mundshme.
Kontrollin e rendit të ditës. Të gjithë anëtarët duhet të kenë oportunitetin për vendosur prioritet dhe nëse duan, argumentet që duhet të vendosen në rendin e ditës.
Universalizëm të sufraxhit. Totalisht, ose të paktën pjesa më e madhe, e të rriturve që qëndrojnë pandërprerë në një territor duhet të gëzojmë plotësisht të drejtat e treguar nga katër kriteret e para. Deri në shekullin e XX kjo pikë ishte e papranueshme për pjesën me të madhe të mbështetësve të demokracisë.
Fare mirë mund të lind pyetje se përse këto kritere? Përgjigja është e thjeshtë: secili është i domosdoshëm nëse duhet që anëtarët të jenë politikisht të barabartë për të përcaktuar strategjitë e organizatës.
Përshembull, nëse disave ju jepen më shumë oportunitete për të shprehur opinionin e tyre, strategjitë e tyre, do të kenë më shumë mundësi për t’i mbizotëruar. Në limit, duke eliminuar mundësinë për të diskutuar propozimet e rendit të ditës, një minorancë e vogël, mund, në fakt, të përcaktoj strategjitë e organizatës. Kriteri i pjesëmarrjes efektive shërben për mënjanuar këtë efekt.
Gjithashtu, edhe principi i barazisë politike përcakton se të gjithë anëtarët janë të gjithë të barabartë në konkurrencën e pjesëmarrjes në vendimmarrje në paktin, që të kenë oportunitetin, para se të asocohen, të njohin çështjet duke i analizuar dhe diskutuar.
Në vitin 431 para lindjes së Krishtit, lideri athinas Perikliu, në një nderim për të ngushëlluar të rënit në betejë thotë këto fjalë: “ Përkujdesja e interesave private vazhdon për ne me të njëjtin hap me aktivitetin politik, edhe nëse secili merret me aktivitete të ndryshme, arrijmë, para së gjithash me pasur një koshencë të çështjeve publike”...
Për derisa i analizuam deri tani këto kritere duke marrë si shembull një organizatës, që edhe pse është e ndërtuar me persona, të cilët duhet të ndërtojnë strategjitë të përbashkëta, duke respektuar kriteret e mësipërme për të realizuar një formë demokratike qeverisje mes tyre. A mund t’i aplikojmë këto kritere në një shtet? Përgjigja është po, sepse teoritë demokratike për një periudhë të gjatë kanë pasur si objekt analizues shtetin. Për të realizuar dhe aplikuar këto teori, duhet të thellohemi mirë në realitetin politik, ku duam bëjmë një numër të konsiderueshëm gjykimesh teorike dhe praktike.
Një kriter tjetër po aq i rëndësishëm si ato që rreshtuam më sipër që jo vetëm është i domosdoshëm, por tashmë është plotësisht i aplikuar në shumë organizata, dhe shtete që konsiderohen demokratik, është edhe e drejta e të shprehurit.
Kjo e drejtë mund të themi se ka plotësuar dhe kristalizuar funksionin modern të termit demokratik, sepse qytetarët mund të marrin pjesë në mënyrë efektive në jetën politike. Anëtarët e një organizate, qytetarët e një shteti duhet të dëgjojnë se çfarë të tjerët kanë për të thënë. E drejta e të shprehurit nuk sjell vetëm të drejtën për të qenë i dëgjuar, por edhe për të dëgjuar të tjerët atë çfarë ato kanë për të thënë.
Për të formuar një kompetencë politike, qytetarët kanë nevojë të shprehin opinionet e tyre; të kuptojnë njëri-tjetrin, të diskutojnë dhe të reflektojnë së bashku; të lexojnë dhe të dëgjojnë këshilla dhe t’iu bëjnë pyetjeve ekspertëve, kandidatëve, opinionistëve të njohur; të kuptojnë përmes mjeteve të tjera të lidhura me lirinë e të shprehurit.
Në fund, pa liri të shprehuri, qytetarët do të kumbisnin shpejt kapacitet për të influencuar mbi prioritet e qeverisë. Me qytetar të heshtur, janë nënshtetasit e një qeverie perfekte autoritare; ndërsa për demokracinë kjo do të ishte një katastrofë me pasoja të rënda sociale.
Edhe pse ndoshta me ndonjë të metë, duhet të theksojmë arsyet se përse aktualisht pothuajse në gjithë Botën, demokracia është bërë më e dëshirueshme se çdo alternativë tjetër:
1. demokracia ndihmon qeveritë që të ndalojnë autokratët e egër dhe të pamëshirshëm;
2. demokracia ju garanton qytetarëve të saj një numër të konsiderueshëm të drejtash themelore që sistemet jo demokratike nuk garantojnë dhe nuk mund ta garantojnë;
3. demokracia ju siguron qytetarëve të saj një gamë më të gjerë të drejtave personale respektivisht se çdo alternativë tjetër;
4. demokracia i ndihmon individët që të mbrojnë interesat e tyre themelore;
5. vetëm një qeveri demokratike mund t’i furnizojë individët me oportunitetin maksimal për të ushtruar vetëvendosjen, ose të jetojnë sipas ligjeve të zgjedhur po nga vetë ata;
6. demokracia favorizon zhvillimin njerëzor më shumë se çdo alternativë tjetër;
7. vetëm një qeveri demokratike mund të favorizoj një gradë relativisht të lartë të barazisë politike;

Për të gjithë këto përfitime, pjesa më e madhe e jona zgjedh dhe duhet të zgjedh demokraci se sa ndonjë alternativ tjetër të mundshme.
Demokracia, u lind si domosdoshmëri në formë natyrale nga gjiri i shoqërisë, ajo filloj të rritej në komunitete-shtete duke filluar të nxjerr gjethet si një bimë e re që po rritej dal nga dalë, por më vonë për një periudhë relativisht të gjatë jo vetëm që nuk u rrit më, por i filluan ti binin dhe ato gjethe të shëndosha që kishte duke shkuar drejt tharjes së plotë, u dashtën që të ndodhnin fenomene si Kushtetuta amerikane, revolucioni francez, luftërat e ndryshme civile, që të vij një pranverë e begatë që kjo bimë jo vetëm të ringjallet, por të rritet dhe të na jap fruta të pjekura, duke garantuar mirëqenie, prosperitet, vazhdimësi dhe garanci që jeta njerëzore të vazhdoj të jetoj në qetësi dhe zhvillim të kënaqshëm social.

Wednesday, April 15, 2009

Intervista e Dr. Alban Daci



Intervista e Dr. Alban Daci, kryetar i organizatës shqiptare “Gjenerata Re Shqiptare”, pas përfundimit të Konferencës që kjo organizatë kishte organizuar në Universitetin e Genovës, me rastin e anëtarësimit të Shqipëri në NATO.
Kete intervist mund ta shikoni edhe ne youtube duke klikuar ne: http://www.youtube.com/watch?v=Bd7g5awWRFc&feature=channel_page

Monday, April 13, 2009

Demokracia, liberalizmi dhe qytetari

Dr. Alban Daci
Botuar me 13 prill 2009
Gazeta NDRYSHE dhe me 16 tek
Gazeta REPUBLIKA

Sipas Anthony Arblaster- demokracia është term që jashtë kuptimit preciz, përfaqëson gjithmonë një princip politik, një ideal, një pasion dhe është motivi për të cilin do të jetë gjithmonë e vështirë që të akordohet mbi një kuptim të pajtueshëm nga të gjithë. Studiuesi anglosakson shton edhe më tej duke theksuar se : "në bazë të gjithë definicioneve të demokracisë, megjithatë më rafinuese dhe komplekse, qëndron ideja e një pushteti popullor, të një shteti ku pushteti, dhe ndoshta i njëjti autoritet, gjendet tek populli".
Sot, mund të thuhet që nuk ka më pothuajse asnjë regjim politik mbi Tokë, që nuk spirohet- të paktën me fjalë, në shpalljen solemne zyrtare dhe në kushtetuta- në legjitimitetin demokratik.
I vetmi autoritet që sot mund të jap në një qeveri, një asamble, një leaderi karizmatik pushtetin e komandimit, disponim të burimeve njerëzore dhe materiale të pranishme në një kolektivitet dhe aftësinë për ti rregulluar, organizuar, për t’i vënë në përfundime të mira është pikërisht populli.
Demokracia është një stil mendimi- akoma para se të jetë një doktrinë dhe një ideologji-që:
si liberalizmi, ekzalton të drejtat e pa parashikuara të individit kundër çdo tentimi totalitar, por në diferencë me liberalizmin, nuk beson në dorën e padukshme të tregut, nuk jep rendësi të tepruar në rregullat kushtetuese (për shembull në ndarjen e pushteteve) dhe mbi të gjitha nuk jep dorëheqje në "etikën e projektit", pra në primatin e politikës, e bindur që shoqëria civile ka shumë privilegje dhe ndotje dhe për këtë arsye duhet riformuar, duke u mbështetur në kontrollin e aparateve publike.
si socialdemokracia, është e impenjuar për të parandërtuar kushte konkrete të ekzistencës që bëjnë të ndjehen mirë të gjithë qytetarët, por në ndryshim të socialdemokratëve, refuzon materializmin e shoqërisë së konsumit.
Një shembull kuptimplotë të termit Demokraci, me një shifër të lartë teorike na e ofron përkthimi intelektual i Norberto Bobbio. Në zërin "Demokracia" të shkruar për Fjalorin politik të UTET, studiuesi nga Torino kupton, me terminin, atë demokraci liberale që sot duket sikur nuk do të ketë më armiq, mbi të gjitha në Perëndim. Për ta përcaktuar, faktikisht, janë rregullat e lojës- ose procedurat universale- që përcaktojnë mënyrat, format, me të cilat duhet të arrihet në vendimet kolektive, ndërsa asgjë nuk thuhet për sa u përket përmbajtjeve të saja të mundura.
Për sa i përket Demokracisë, Bobbio këshillon nëntë procedura universale që i duken më të rëndësishme:
Organi maksimal politik, që i është dorëzuar funksioni legjislativ, i cili duhet të jetë i përbërë me anëtarë të zgjedhur direkt ose jo direkt , me zgjedhje të gradës së parë ose të gradës së dytë, nga populli;
Përkrah organit suprem legjislativ duhet të jenë edhe institucione të tjera me drejtues të zgjedhur, si entet administrative lokale ose kryetari i Shtetit ( siç ndodh në Republika);
Zgjedhësit duhet të jenë të gjithë qytetarët që kanë moshën madhore pa dallim race, feje, dhe seksi.
Të gjithë zgjedhësit duhet të kenë votë të barabartë.
Të gjithë zgjedhësit duhet të jenë të lirë të votojnë sipas opinionit të formuar pak a shumë lirshëm, pra në një garë të lirë të grupeve politike që garojnë për të formuar përfaqësimin kombëtar.
Duhet të jenë të lirë edhe në kuptimin që duhet të vendosen në kushte për të pasur alternativa reale;
Si për zgjedhjet e përfaqësuesve si për vendimet e organit të tij suprem politik vlen principi i mazhorancës numerike, edhe pse mund të përcaktohen forma të ndryshme mazhorancash sipas kritereve të përcaktuara;
Asnjë vendim i marrë nga maxhoranca nuk duhet të limitoj të drejtat e minorancës, sidomos të drejtën për tu bërë në kushte të barabarta mazhorancë;
9. Organi i qeverisjes duhet të ketë besimin e parlamentit ose të kryetarit të pushtetit ekzekutiv që është i zgjedhur nga populli.
Mbi bazën e konsideratave të zhvilluara deri tani, pikat e nënvizuara nga Bobbio, nuk përcaktojnë Demokracinë në përjashtimin e fortë të saj, por liberalizmin e bashkëkohorëve.
Termi liberalizëm është i lidhur, të paktën historikisht me elitën politike, me një stil politik të limituar, si në anën objektive (ligji nuk mund të disiplinoj çdo fushë njerëzore) si dhe në anën subjektive (vota dhe qeveria janë funksione që u përkasin pak personave që kanë në dorë kapacitet e parashikuara me ligj).
Në qendër të teorisë që po analizojmë janë gjithmonë të drejtat e individëve- në traditën më të mirë liberale- por vlera e tyre dhe zona janë aq shumë të hapura derisa bëhen të panjohura për një jurist që do hartonte kushtetutat e tetëqindtës: brezat e të drejtave janë (deri më sot) tre- civile, politike dhe sociale- dhe këto të fundit nuk janë më pak të rëndësishme se të tjerat por përcaktojnë një kusht të rëndësishëm.
Pjesë e pandarë pa të cilën nuk do të kishte kuptim as demokracia e as liberalizmi janë qytetarët dhe kompetencat që ato kanë. Në një vend me tranzicion dhe në demokratizim e sipër, ku qytetarët sapo kanë filluar të mësojnë artin e të qeverisurit vetëm, problemi i kompetencës prezantohet me urgjencë dhe ka një rëndësi të veçantë teorike për tu vënë në praktikë. Por, edhe vendet që prej kohësh kanë institucionet demokratike të konsoliduara na paraqesin se kanë limite të rënda për sa u përket kompetencave të qytetarëve.
Sipas vizion klasik, qytetarët duhet të ndjekin të mirën kolektive, të kuptuar si një e mirë e përgjithshme, interes publik, mirëqenie e vendit, kombit etj.
Nga aplikimi i një koncepti në demokracitë moderne del në dritë portreti i "qytetarit të mirë": i interesuar për gjërat publike në jetën politike; i mirinformuar mbi problemet, mbi kandidatët dhe partitë, i impenjuar me qytetarët e tjerë për zgjidhjen e çështjeve të interesit kolektiv; që merr pjesë aktivisht përmes votës, asambleve dhe kanaleve të komunikimit në formimin e vendimeve qeverisëse; i motivuar në aktivitet e tij nga dëshira për të arritur qëllimin e mirëqenies kolektive.
Rezulton shumë qartë se: në praktikë pak qytetarë edhe ata të vendeve demokratike të afirmuar janë në gjendje të kënaqin këtë portret ideal.
Por ky ideal është akoma sot kaq i rëndësishëm? Koncepti klasik kur aplikohet në sistemet moderne demokratike, tregon një dobësi të rëndë: duke i trajtuar qytetarët sikur të ishin anëtarë të një entiteti politik. Sot, përkundrazi, ekzistojnë shumë entitete kolektive, ku qytetarët mund të bëhen pjesë, nga qyteti, kombi deri tek gjithë humanizmi. Në këtë kuptim vizioni klasik nuk i ndihmon qytetarët të kuptojnë të mirën se cilin publik duhet të ndjekin.
Një vizion shumë i ngushtë dhe koherent me individualizmin modern është ajo sipas së cilës çdo qytetar duhet të reagoj mbi bazën e interesit të tij, ku (të tijën) përfshin edhe interesin e atyre që ai ndjehet më afër: miq, familjarët, e kështu me radhë.
Sipas këtij koncepti, në versionin e tij më të përhapur, e mira publike përbëhet nga shuma e interesave individuale, të integruara mbi bazën e ndonjë principi të justifikuar, si rregulli i mazhorancës.
Vizioni modern e ndan shumë shpirtin dhe sostancën me vizionin klasik. Të përqafosh një koncept të tillë nuk do të thotë faktikisht të mohosh që individët kanë interesa për të avancuar të mirën kolektive ku bëjnë pjesë, përkundrazi vëzhgimi i përbashkët është se: ata ndonjëherë kërkojnë ta promovojnë atë të mirë.
Duke i dhënë rëndësi jetës politike, një vizion i tillë nuk përjashton të paktën një nivel të lartë të pjesëmarrjes aktive të qytetarëve.
Nëse interesi i disa qytetarëve është në kundërshtim me të mirën kolektive nuk do të thotë patjetër të reagosh për ndjekjen e saj.
Edhe ata që mbështesin se qytetarët ndonjëherë caktojnë si prioritare të mirën e përgjithshme në krahasim me interesin personal, konkordojnë mbi faktin se nxitësit për të vepruar si altruistë janë më të dobët se sa ata që reagojnë si egoistë.

Friday, April 10, 2009

Mirë se erdhët në Atdhe

Organizata shqiptare

“Gjenerata Re Shqiptare”

www.studenti.forum-2007.com

gjeneratareshqiptare@gmail.com


Projekti: Mirë se erdhët në Atdhe


Projekti " Mirë se erdhët në Atdhe" ka për qëllim kthimin në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve dhe integrimin e tyre në vendet e punës sipas shkallës së kualifikimit, jo vetëm të studentëve, por të gjithë intelektualëve që për arsye ekonomike dhe ato të tranzicionit ndodhen aktualisht jashtë Shqipërisë.

Të gjithë këta shqiptarë që për arsye të ndryshme sot janë jashtë vendit, kanë mall dhe dashuri të madhe atdhetare që të kthehen, të investojnë dhe të punojnë në atdheun mëmë, Shqipërinë.

“Gjenerata Re Shqiptare” do të jetë ura lidhëse mes qeverisë shqiptare dhe studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë vendit. Në punën e gjatë e të palodhur për implementimin e këtij projekti ne e konsiderojmë veten partner të Qeverisë dhe partner të studentëve.

Organizata mbarë shqiptare "Gjenerata Re Shqiptare", duke pasur në gjirin e saj një numër të madh të studentëve që studiojnë në universitet më të mira në Botë, si dhe e vetëdijshme për nevojën që ka vendi ynë, dhe dëshirën e madhe që kanë këta studentë për t'u kthyer në Atdhe, ideoi këtë projekt si proces të domosdoshëm dhe të pa shmangshëm, nëse vendi ynë ka dëshirën e mirë për të ecur në rrugën e prosperitetit dhe zhvillimit ekonomiko-social, politiko-organizativ dhe intelektual-kulturor .

Aktualisht, mendohet se jashtë vendit studiojnë rreth 25000 studentë, të cilët me eksperiencat jetësore dhe profesionale-intelektuale mund të sjellin një frymë dhe koncept të ri kryesisht perëndimor për sa u përket reformave të domosdoshme në proceset e zhvillimit nëpër të cila po kalon vendi.

Ky projekt duhet të mbështet në dy kolona:

1) Kolona e parë janë studentët që studiojnë jashtë

2) Kolona e dytë është Qeveria Shqiptare

Ndërmjetësuese, ose urë lidhëse do të jetë organizata "Gjenerata Re Shqiptare", sepse pikërisht "Gjenerata Re Shqiptare", është organizata e parë që e ka ideuar këtë projekt.

Gjithashtu, është e para dhe e vetmja organizatë që ka një shtrirje të madhe (konkretisht në disa kontinente, aty ku bota shqiptare është e pranishme dhe zëri i saj duhet të dëgjohet mbi bazën e vlerave universale të drejtave të njeriut, demokracisë, paqes dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet kombeve).

Është e para dhe e vetmja organizatë që ka dhe një faqe web-site me më shumë se 1440 anëtarë, ku pothuajse të gjithë janë shqiptarë që punojnë ose studiojnë jashtë Shqipërisë dhe mesatarisht 700 vizita ditore nga vende të ndryshme të botës.

"Gjenerata Re Shqiptare", ka punuar me përkushtim të madh dhe kjo vërtetohet nga rruga që kemi ndjekur që nga akti i themelimit deri sot.

Ne kemi qenë të parët në Diasporë që kemi ngritur zërin kundër diskriminimit racor dhe fizik që është ushtruar, me dashje apo pa dashje, kundër shtetasve shqiptarë.

Ne, si organizatë kemi realizuar një numër të madh tubimesh para Selisë së Kombeve të Bashkuara në New York. Kemi qenë të parët që kemi organizuar protesta masive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera kundër keqqeverisjes, korrupsionit që bëhej në Shqipëri para se të ndodhte ndryshimi i madh me zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, etj.

Madje ne kemi qenë ata që kemi dhënë kontribut të çmuar për të sjellë ndryshimet e shumëpritura pozitive duke e menduar Shtetin në shërbim të qytetarëve dhe jo qytetarët në shërbim të shtetit dhe shtetarëve.

Jemi e para dhe e vetmja organizatë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, që kemi marrë letër falënderimi nga Presidenti Bush, për rolin që kemi luajtur në marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kemi organizuar një numër të madh aktivitetesh, ku përfshihen edhe aktivitetet ndërkulturore të organizuara nga "Gjenerata Re Shqiptare" në Itali, për shembull: për herë të parë në qytetin Genova kremtuam festën e 28 Nëntorit, pikërisht në ambientet universitare.

Në këtë kremtim kanë marrë pjesë jo vetëm studentë dhe emigrantë shqiptar, por edhe mjaft studentë nga vende të ndryshme të botës, si dhe dashamirës, të cilët së bashku me ne kanë kënduar himnin kombëtarë dhe kanë kërcyer vallen e vjetër tironse, napolonin.

Qëllimi i kësaj feste kremtuese ishte ngritja lart e vlerave kulturore dhe parimeve të shoqërisë shqiptare si një shoqëri me prejardhje nga qytetërimi i moçëm Ilir.

Unë, Dr. Alban Daci, në rolin e kryetarit të "Gjeneratës Re Shqiptare" në Itali dhe më gjerë kam marrë pjesë dhe kam përfaqësuar të gjithë të rinjtë shqiptarë, në Kongresin e Parë të Diasporës Shqiptare organizuar në Rimini të Italisë në muajin maj të vitit 2005 .

Jemi e para organizatë shqiptare në Itali që kemi bashkëpunuar me qendrën Mesdhetare të Emigracionit, si dhe me Fakultetin e Informacionit në Genova, për kryerjen e një studimi statistiko-akademik mbi familjet emigrante shqiptare. Unë, Dr. Alban Daci pas një eksperience të gjatë dhe intensive intelektuale studiuese si dhe pas një eksperience të drejtpërdrejtë duke jetuar për rreth gjashtë vjet rresht në qytetin e Xhenovës krah për krah me emigrantët shqiptarë, kam bërë një studim të vërtet jetësor dhe akademik mbi Komunitetin shqiptar që është vendosur në këtë qytet dhe më gjerë prej rreth 10 faqesh (format A4), i cili është botuar në vijueshmëri në disa numra në një gazetë ditore të shtypit shqiptarë në Shqipëri si dhe në një gazetë të rëndësishme shqiptare në Itali. Ky punim shkencorë është i pari në llojin e tij jo vetëm këtu në Itali, por edhe më gjerë, sepse shkruhet nga një intelektual shqiptarë dhe përjetues i drejtpërdrejtë në të njëjtën kohë dhe që ka për objekt studimi po shqiptarët.

Gjithashtu jemi po të parët dhe të vetmit që kemi ngritur zërin kundër procedurave burokratike të lejeve të qëndrimit, të cilat mbanin peng ardhjen e studentëve shqiptarë për festat e fundvitit pranë familjeve dhe të dashurve të tyre.

Madje për këtë kemi përpiluar edhe një letër të hapur drejtuar Presidentit z. Alfred Moisu, gjatë kohës që ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë . Kjo letër është botuar tek gazeta ditore shqiptare "Koha Jonë". "Gjenerata Re Shqiptare", ka mbrojtur jo vetëm interesat e studentëve në veçanti, por edhe të emigrantëve në përgjithësi.

Kjo mund të konfirmohet në shumë raste dhe çështje të ndryshme, por më domethënëse ishte pjesëmarrja e gjithë stafit drejtues, si edhe mjaftë studentëve në përvjetorin e vdekjes të një punëtori shqiptar, i cili humbi jetën gjatë punës për ndërtimin e muzeut të Marinës Detare, tek Porti Antik në Genova. Dr. Alban Daci, kryetari i “Gjeneratës Re Shqiptare”, ka bërë edhe një artikull të veçantë për jetën e këtij djaloshi që u sakrifikua për një jetë më të mirë, për një ëndërr më të bukur, për një të ardhme më të mirë. Artikulli është botuar në sitin e organizatës, në mjaft mail-lista shqiptare si dhe në një gazetë të përditshme shqiptare. I kemi dedikuar një rëndësi të veçantë këtij rasti, sepse bëhej fjalë për jetën e një djaloshi shqiptar që kishte shumë ëndrra për të ardhmen, por që u shuan në një ditë shiu. Ai simbolizon jo vetëm sakrificën e tij personale, por sakrificën e shumë shqiptare, që kanë lënë gjithçka mbrapa me shpresën për të ndërtuar diçka më të bukur dhe më të mirë në të ardhmen.

Në përkujtim të tij "Gjenerata Re Shqiptare" si përfaqësuesja e studentëve shqiptarë dhe e emigrantëve, ka mbajtur një rol mjaft kritikues mbi kushtet e punës, si dhe shfrytëzimin që bëhet jo vetëm kundrejt emigrantëve shqiptarë, por dhe kundrejt çdo qenie njerëzore që shfrytëzohet dhe ndjehet e pa përkrahur .

Politika të rëndësishme të programit për zgjerim të aktivitetit tonë sublim dhe njerëzorë kanë qenë artikujt e shumtë, intervistat e ndryshme të realizuar si në media ashtu dhe në të përditshmet shqiptare, konferencat e realizuar, takimet zyrtare të bëra, bashkëpunimet me institucionet italiane, me trupin diplomatik shqiptar të akredituar në Itali, me mjaftë organizata jo qeveritare dhe jo fitimprurëse .

Pra, jemi krenar për të gjitha këto, si dhe për në hartimin dhe realizimin e këtij projekti që është i pari lloj tij dhe që mban firmën e Dr. Alban Daci, kryetari i organizatës "Gjenerata Re Shqiptare" në Itali.

Jemi të vetëdijshëm se një strategji e tillë nuk rezulton të jetë strukturuar deri më sot as nga strukturat administrative të Shtetit shqiptar.

Prandaj, i bëjmë thirrje qeverisë që të na jap të gjithë përkrahjen e duhur, si dhe të vejë në lëvizje të gjithë mekanizmat shtetëror për integrim real në punë dhe në shoqëri të gjithë atyre studentëve shqiptarë që kryejnë me sukses studimet jashtë vendit.

E shohim të arsyeshme që kthimin dhe integrimin e studentëve ta konsiderojmë si strategji kombëtare për realizimin e kthimit të trurit të emigruar.

Të jesh shqiptar është nder, ta ruajmë këtë nder e kemi për detyrë.

Ne, "Gjenerata Re Shqiptare" jemi krenar që jemi shqiptarë dhe ketë krenari do ta mbajmë dhe do ta mbrojmë me të gjitha metodat demokratike.

Do të punojmë pa reshtur për të përmisuar imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në botë, për të treguar vlerat e larta kulturore dhe njerëzore që zotërojmë ne në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në këtë drejtim kemi planifikuar dhe do të ndërmarrim një seri fushatash sensibilizuese nëpër qytetet evropiane.

Elementët përbërëse të kësaj fushate do të jenë:

1) Bashkëpunimet që do të bëhen me organizatat ndërkombëtare në aktivitete ndërkulturore, historike, integruese si dhe binjakëzime.

2) Pjesë e pandarë e këtij procesi do të jenë edhe seminaret dhe konferencat që kemi ndërmend të organizojmë në bashkëpunim me universitet perëndimorë për të pasqyruar dhe informuar qytetarët e botës mbi çështjet dhe proceset nëpër të cilat po zhvillohet Shqipëria.

3) Do të promovojmë artin shqiptar në botë, duke ndihmuar në realizimin e ekspozitave të talenteve të rinj shqiptarë që aktualisht kanë mbaruar ose janë në rrugë e sipër të studimeve universitare.

4) Do të mundohemi, me sa do të na jepet mundësia, për promovimin e turizmit shqiptar, për t'i treguar botës që Shqipëria është vend i mrekullueshëm, me bukuri të rralla natyrore që mund të eksplorohet nga turistët nga e gjithë bota. Shqipëria është një vend demokratik, me një rend të normalizuar që jo vetëm mund të vizitohet për turizëm, por fare mirë krijon mundësia të shkëlqyera investimesh në drejtime të ndryshme ekonomike.

5) Imazhi i shkëlqyer i Shqipërisë në botë mund të përfaqësohet dhe të promovohet nga studentët shqiptarë që studiojnë jashtë, të cilët kanë sjellje shembullore, si dhe rezultate shumë të mira, për sa i përket në drejtim të studimeve si para, gjatë dhe pasuniversitare. Pra, ne do t'i tregojmë botës se kush jemi dhe do t'i krijojmë përshtypjen Evropës që integrimi i saj nuk do të kishte kuptim pa përfshirjen dhe pjesëmarrjen tonë, sepse ne bashkë me kombet e tjera kemi dhënë kontribut të vyer në krijimit e civilizimit të sotëm Evropian.

Organizata "Gjenerata Re Shqiptare" ju bën thirrje gjithë organizatave shqiptare që kanë statute, qëllime dhe ide të ngjashme me tonat të bashkëpunojnë me ne, duke dhënë kontributin e tyre në dobi të ardhmes sonë të përbashkët me plotë lumturi, prosperitet, të drejta, liri dhe detyrime që kemi ndaj Shqipërisë.

Jo gjithmonë duhet të presim se çdo të bëj Shqipëria për Ne, por çdo të bëjmë Ne në të ardhmen për Shqipërinë tonë të dashur.

Ne, nuk pranojmë dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që qëllimet politike t'i vendosim mbi qëllime kombëtare.

Ju bëjmë thirrje të gjitha organizatave shqiptare të bashkëpunojnë me ne, pa dallime ngjyrimesh politike që mund të kenë, sepse Shqipëria është një dhe shtetasit e saj janë shqiptarët që sot, o kurrë, kanë nevojë për mbështetje dhe përkrahje.

Ne nuk jemi të pavdekshëm dhe nuk pretendojmë të jemi të tillë, e pa pavdekshme dhe e përjetshme është Shqipëria.

Ne jemi për bashkëpunim, sepse ai sjellë ide dhe idetë sjellim zhvillim dhe prosperitet.

Ne, "Gjenerata Re Shqiptare" mendojmë se ky bashkëpunim mund realizohet:

1) në emër të shqiptarizmit t'i bashkëngjitmi familjes së madhe "Gjenerata Re shqiptare". Të gjitha organizatat që do të pranojnë t'i bashkëngjiten organizatës "Gjenerata Re Shqiptare", aspak nuk do t'iu kufizohet imazhi i tyre.

Do të ruhet me rigorozitet autonomia e tyre. Për veprimtari të rëndësisë veçantë që kërkon një mbështetje masive dhe gjithëpërfshirëse, me seriozitet të lartë, në bazë të rregullave të lojës, do të përfaqësohemi bashkërisht nën drejtimin e përgjithshëm të "Gjeneratës Re Shqiptare".

Pra, do të punojmë dhe do të krijomë një konfederatë të madhe organizative të bazuar në të drejtat dhe liritë universale të njeriut, si dhe në respektimin marrëdhënieve miqësore ndërmjet kombeve.

Këtë konfederatë kemi menduar ta quajmë Konfederata "Gjenerata Re Shqiptare"

2) Shkëmbim linkesh, letrash, falënderimesh, ndihmesash, idesh dhe mendimesh

3) Pranojmë edhe bashkëpunime në nivel individësh. Këtu kemi parasysh personazhe mjaft të spikatura të Diasporës shqiptare, që deri më sot nuk e kanë gjetur vetëm e tyre në asnjë formë organizative, por që kanë kapacitet e duhura dhe janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në ndihmë të zgjidhjeve më të mira për sa i përket çështjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ne, e konsiderojmë vendimtar rolin e "Qeverisë shqiptare", pa ndihmën dhe bashkëpunimin e saj projekti ynë nuk mund të realizohet.

Organizata "Gjenerata Re Shqiptare" dëshiron të bashkëpunoj me qeverinë aktuale për të realizuar kthimin e një numri të konsiderueshëm studentësh në Atdhe dhe punësimin e tyre në të gjitha nivelet e administratës.

Ky kthim do të bëhet mbi baza vullnetare, sepse konsiderohet vendim personal. Ne mendojmë dhe propozojmë se :

1) Qeveria Shqiptare duhet te krijoi një grup pune për të shqyrtuar kërkesat për punësim nga studentët që studiojnë jashtë "Gjenerata e Re Shqiptare" do t'i jap asaj të gjithë informacionin e duhur dhe mbështetjen e nevojshme në lidhje me politikat që do të ndiqen në dobi të vendit dhe të 25. 000 studentëve ( numër gjithmonë në rritje) që studiojnë jashtë.

2) Kërkojmë që Ministria e Arsimit të bëj reformë të vërtetë lidhur me njësimin e diplomave, duke eliminuar plotësisht zvarritjet burokratike dhe vonesat e pa justifikuara. Për njësimin e diplomave procedurat duhet të jenë sa më të thjeshta dhe praktike, që nuk kërkojnë kohë dhe burokraci. Duke përfunduar shpreh bindjen, se më përkrahjen dhe mbështetjen e Qeverisë, “Gjenerata Re Shqiptare” do të realizoj me sukses projektin e saj ambicioz "Mirë se erdhët në Atdhe".

Jemi të bindur se Atdheu ynë ka nevojë për të gjithë ne. Të gjithë së bashku do të bëjmë një Shqipëri të zhvilluar demokratike, me shqiptarë të lumtur, të ditur dhe të kualifikuar.

Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë që kanë mbaruar studimet jashtë që të kthehen në Shqipëri, sepse ajo ka ndryshuar, por ne mund të japim kontributin tonë që ky ndryshim të vazhdoj akoma më tej me hapa të sigurt dhe të shpejt.

O vëllezër, motra, o Rinia shqiptare, Shqipëria është vendi ynë, ajo ka shumë nevojë për ne, dhe ne kemi shumë dashuri për të.

Prandaj, për hir të dashurisë tonë të madhe që kemi për këtë vend, ku kemi lindur ne dhe të parët tanë, ku është luftuar për të mbrojtur flamurin me shqiponjën dy krenare, ku është sakrifikuar për të ruajtur gjuhën tonë shqipe, le të kthehemi që ajo të jetë një zonjë e vërtetë dhe krenare për Rininë e saj që ka.

Ka ardhur momenti, që të shkundim pesimizmin, të shërojmë shpresën dhe të guxojmë për të ardhmen që na pret. Pasiviteti nuk është simboli i Rinisë dhe i shqiptarizmit, kuraja është ajo që duhet të ndez vullnetin dhe forcën që ne të gjithë të rinjtë që jemi larguar për të shkolluar, të rikthemi në Shqipëri, sepse nëse idetë tona nuk do të kultivohen në tokën shqiptare, ato nuk do të kenë asnjë vlerë kombëtare.

Ju, bëjmë thirrje vëllazërore të gjithë të rinjve shqiptare, t’i bashkëngjiten projektit “Mirë se erdhët në Atdhe”, sepse “Gjenerata Re Shqiptare”, ka përfaqësuar dhe do të vazhdoj të përfaqësoj idetë e reja, vizionin e ri.


Friday, April 3, 2009

Ngjarje e madhe: Shqipëria zyrtarisht anëtare e NATO-s

Me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO,
organizata shqiptare “Gjenerata Re Shqiptare” organizoj një Konferencë në Universitetin e Xhenovës, me titull “ Shqipëria po ndryshon, le ta zbulojmë së bashku”.
Kjo konferencë u ideua dhe u drejtua nga dr. Alban Daci, Kryetari i organizatës “Gjenerata Re Shqiptare”.
Konferenca ishte ideuar në dy pjesë:
1. Në pjesën e parë ishin foto të shoqëruar me komente, të cilat përfaqësonin imazhin e Shqipërisë së ndryshuar. Hapja e kësaj pjese fillonte me imazhin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, heroit tonë kombëtar, por me famë ndërkombëtare. Pastaj në vazhdimësi ishin imazhe dhe momente nga hapat që Shqipëria ka ndjekur për realizuar anëtarësimin në NATO, si dhe imazhe mbi organizatën “Gjenerata Re Shqiptare”, që tregonin për historikun e saj, aktivitetet që ka realizuar deri tani si dhe fushatën që po ndërmerr me titullin “Të guxojmë për të ardhmen” për të promovuar imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Botë.
Shqipëria, po ndryshon, sepse nuk prodhon më, vetëm emigrant, por edhe vlera njerëzore intelektuale, që përfaqësohen nga mijëra të rinj që kanë zgjedhur universitet më të mira perëndimore për të kryer studimet e larta.
Kryetari i “Gjeneratës Shqiptare”, dr. Alban Daci, deklaroj se ky është vetëm fillimi, ne kemi kurajë dhe guxim për të ecur përpara, për të ndërtuar të ardhmen tonë që meritojmë. Nuk mjafton vetëm të kritikojmë, por edhe duhet të reagojmë, kjo është ajo që bën diferencën sociale.
Gjithashtu, ai shpjegoj se anëtarësimi në NATO nuk është vetëm në rolin e konsumatorit, por që edhe duhet të japim. Në gjithë këto vite, Shqipëria ka ditur të jap, të jap siguri dhe stabilitet, të jetë një faktor i rëndësishëm dhe pozitiv në Rajonin e Ballkanit. Prandaj, Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë plotësisht këtë anëtarësim.
2. Në pjesën e dytë dhe të fundit u transmetua një filmim për rrugën Durrës-Kukës-Morinë.
Dr. Alban Daci, Kryetari i “Gjeneratës Re Shqiptare”, ju deklaroj të ftuarve se ky aks rrugorë do të jetë një ndër rrugët më moderne në Evropë. Ai theksoj se kjo rrugë ka një rëndësi të jashtë zakonshme kombëtare, se do të intensifikoj akoma më shumë raportet mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë duke fshirë çdo lloj kufiri natyror. Gjithashtu ka edhe një vlerë ekonomike pasi Shqipëria falë kësaj rruge, do të jetë më shumë e ekspozuar në fushën e turizmit.
Kjo rrugë ka dhe një vlerë shumë të madhe ndërkombëtare, sepse është një garanci për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, duke i afruar akoma më shumë popujt e Ballkanit Perëndimor, sa më shumë popujt do të kenë kontakte mes tyre, aq më pak konflikte do të ketë.
Për realizimin e kësaj rruge, duhet falënderuar edhe maxhoranca aktuale, e cila ka qenë e vendosur për ta përfunduar brenda afateve kohore.
Të pranishëm gjatë punimeve të Konferencës ishin edhe Giovani Firera, Konsull i Nderi i Shqipërisë për Piemonten, Giuseppe Maria Durazzo, Konsull Nderi i Shqipërisë për Liguri-an si dhe Hajri Kaci, biznesmen shqiptarë që ka arritur sukses në qytetin e Torinës dhe që ka përkrahur mjaft shqiptarë sidomos studentë.
Konferenca u mbyll duke deklaruar se rruga jonë është e gjatë dhe të gjithë jemi udhëtarë që “Guxojmë për të Ardhmen që meritojmë” .