Wednesday, January 21, 2009

Barack Obama, Presidenti i legjitimuar nga populli amerikan për të sjellë ndryshimin në Botë

Dr. Alban Daci
Botuar me 24 janar 2009
Gazeta NDRYSHE

Shpresa Obama, është bija e dëshpërimit Bush. Nën presidentin e dalë- superfuqia krenare dhe e vetme, ka paguar llogarinë e iluzioneve të pjekura gjatë erës Klinton. Amerikanët kishin menduar të jetonin përgjithmonë mbi të tjetër me kontributin e të gjithëve, por me vizionet koherente dhe aktuale të Presidentit, Obama, Amerika e ka kuptuar që bota ka ndryshuar dhe bashkë me të duhet të ndryshoj edhe ajo duke mos kuptuar dhunën si armën e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për mbrojtjen e interesave amerikane në nivel Global.
Vetë Obama, në fjalimin e tij gjatë betimit deklaroj se: “nga historia e gjatë dhe vështirë, në të cilën ka kaluar jo vetëm Amerika, por e gjithë Bota, kemi vëzhguar dhe mësuar se: armët dhe represioni i dhunës nuk garantojnë një zgjidhje të mirë, por marrëveshjet dhe aleancat janë e vetmja armë për të fituar nga e keqja edhe armiqtë”.
Në një moment tjetër, gjatë kohës së fushatës ai do të deklaronte përmes një fjalimi në lidhje me politikën e jashtme se: “duhet të bindim botën se jemi të interesuar për të bashkëpunuar, dhe jo vetëm për të dhënë urdhra”. Gjithashtu, duhet të tërheqim plotësisht trupat nga Iraku si dhe duhet t’i japim fund luftës në Afganistan. Pra Amerika e Obamës duhet para së gjithash të demonstroj që është e disponueshme që të jap dhe jo vetëm të marr.
Pra, duhet të krijoj një klimë bashkëpunimi në botë, ku në themel të qëndrojnë mekanizmat e diplomacisë të forcuar nga kanalet e bisedimeve, marrëveshjeve, përpjekjeve ndërmjetësuese duke pasur si qëllim deri në momentin e fundin shpresën për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe shmangien e konfliktit të armatosur që nuk garanton një paqe dhe një siguri afatgjate duke parë se rendi i ri botëror ka ndryshuar, sepse tashmë nuk kemi bipolarizëm, por multilateralizëm të përfaqësuar nga interesa të ndryshme individuale apo kolektive të bazuar kryesisht në organizma dhe organizata të formuar kryesisht me persona me etni dhe nacionalitete të ndryshme që kanë vetëm një objektiv të përbashkët të luftojnë Amerikën dhe bashkë me të, demokracinë dhe civilizimin perëndimor që ajo më së miri dhe me krenari historike përfaqëson.
Henry Kissinger, ish Sekretari i Shtetit i ftuar në linjë direkte nga Amerika tek emisioni Porta-Porta i kanalit televiziv shtetëror italian Raiuno në lidhje me pyetjen që i bëri drejtuesi i këtij emisioni Bruno Vespa: se nëse bisedimet nuk do të gjenin një zgjidhje përfundimtare në zgjidhjen e krizës iraniane, Presidenti Obama a do të përdor dorën e fortë? U përgjigj se: Amerika dhe aleatët e saj evropian si dhe arabët e moderuar duhet t’iu lënë akoma kohë bisedimeve të karakterit diplomatik me shpresën e gjetjes të një zgjidhje paqësore, por siç ka treguar historia, Shtet e Bashkuara të Amerikës nëse e kërkon situata janë gjithmonë të gatshme të përdorin edhe forcën.
Për sa i përket rendit të ri botëror, me 8 gushtin e kaluar, Rusia nëpërmjet përdorimit të forcës, vendosi të rishkruaj rregullat e sigurisë evropian që kishin qenë të pa ndryshme që pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo ka hedhur poshtë Paktin e Helsinkit të 1975, që njihte mos thyerjen dhe shenjtërinë e kufijve evropian, dhe ka thyer sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë, që është spirante për tu anëtarësuar në NATO, ku trupat, një ditë më parë, kishin sulmuar Osencian e Jugut.
Obama, ka reaguar duke ju kërkuar palëve të ndalojnë aksionet ushtarake.
Tani që Obama është Presidenti i Amerikës dhe në të njëjtën kohë Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë më të madhe dhe më të fortë në botë, duhet ti marrë më me seriozitet dhe t’iu përgjigjet me efikasitet aspiratave të rizgjuara të Rusisë që shkojnë shumë më larg se sa thjesht dy republikat autonome të Gjeorgjisë.
Rusia tashmë është rizgjuar dhe dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes, duke u rikthyer si superfuqi e stilit të ish Unionit Sovjetik për të kontrolluar pothuajse të gjithë Azinë Qendrore, që është shumë e pasur me naftë dhe gaz si dhe në qendër të vëmendjes për sa i përket strategjisë gjeopolitike dhe ushtarake si një arenë, ku ndërthuren interesat e mëdha të nivelit ndërkombëtar.
Presidenti Medvedev, i sapo kurorëzuar, ka bërë menjëherë publike pesë principet kryesore të politikës së tij, që përfshijnë refuzimin e “unipolaritetit”, sepse një zgjedhje e tillë sjell konflikte dhe instabilitet. Gjithashtu, ka deklaruar se “Rusia nuk dëshiron të izolohet, do të mbroj jetën dhe dinjitetin e qytetarëve të saj kudo që ndodhen”.
Në këtë situatë të re, Amerika e Obamës bashkë me aleatët e saj nuk duhet të vendosin theksin mbi potencën ushtarake për të përballuar afrimin dhe zgjerimin rus.
Obama, duhet të zër rolin e leaderit në krijimin e një koalicioni global që kundërshton politika revizioniste ruse, duke zgjeruar dialogun strategjik me kryeqytete evropiane, me New Delhi dhe Pekinin. Gjithashtu ai duhet vazhdoj dialogun me evropianët për hyrjen Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Mjaftë aktuale dhe që kërkon edhe një zgjedhje të menjëhershme është edhe kriza e Lindje së Mesme, e cila është përshkallëzuar duke u degjeneruar në dhunë dhe e shoqëruar me vrasje fëmijësh dhe civilësh. Nuk dua që të tregoj se kush ka të drejtë Hamasi apo Izraeli, por thjeshtë dua të theksoj se lufta simbolizon dështimin e diplomacisë, si dhe fakti që viktima të një konflikti të armatosur janë fëmijët. Atëherë, mendoj se menjëherë duhet të bëhet diçka për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që shmang derdhjen e gjakut.
Jam i sigurt se Presidenti, Obama, fjalë karizmës, inteligjencës, energjive dhe stafit me eksperiencë që ka zgjedhur rreth tij, do të jetë në gjendje të gjej zgjidhjet më të mira jo vetëm për Amerikën, por për gjithë rendin botëror duke krijuar në praktikë realisht shpresën e paqes.
Po të analizojmë me vëmendje deklaratat duke përfshirë edhe fjalimin e djeshëm gjatë betimit, vizionet e Obamës janë pothuajse të njëjta me vizionet që kishte John. F. Kennedy për politikën e jashtme amerikane.
Kennedy gjatë një fjalimi do të theksonte se: “gjëja vendimtare për një vend është një politikë e re e jashtme që thyen kufijtë e luftës së ftohtë. Në atë pikë mund të ndërtojmë raporte dinjitoze me vendet nën zhvillim dhe të fillojmë t’iu përgjigjemi nevojave të tyre. Do të jemi në gjendje të ndalojmë ciklin vicioz të armatimit dhe të promovojmë pluralizmin dhe ndryshimin paqësor brenda Unionit Sovjetik”.
Ashtu siç pritej edhe Obama gjatë fjalimit të tij të djeshëm e ritheksoj se ne duhet të jemi të gatshëm të ndihmojmë të gjithë vendet e varfra që të përdorin dhe të punojnë tokat e tyre për siguruar mirëqenien si dhe duhet ti ndihmojmë që të arrijnë demokracinë.
Me ceremoninë e djeshme të betimit të presidenti të 44 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Hysen Obama, mendoj se duhet të reflektojnë ajo pjesë e botës që akoma aspiron tek autoritarizmi, shtypja e qytetarëve, fshehjeve dhe mohimit të konsensusit popullor, respektimit të lirisë, demokracisë.
Madhështia e një kryetari shteti, për më tepër e një superfuqie duket tek forca që ai përcjell dashurinë për vendin tek qytetarët e tij- Obama theksoj se: “Amerika është më e madhe se sa madhështia e aspiratave tona individuale”- ndërsa Kennedy do të theksonte se: “nuk duhet të presim se çfarë bën vendi për ne, por se çfarë ne do të bëjmë për vendin”. Për këto figura energjike ka nevojë Bota, që ndezin tek qytetarët e tyre shpresën, kur shumë afër është dëshpërimin, që u ri zgjojnë ëndrrat kur i afër është zhgënjimi.
Për ne, shqiptarët, tek sa ndjekim me vëmendje ngjarje të tilla të personifikuar me njerëz të mëdhenj, thellë na duket një iluzion i largët që nuk mund të ngroh edhe zemrat tona me shpresë dhe me ëndrra. Sytë tanë nuk janë mësuar të shikojnë njerëz si Obama, Kennedy apo shumë të tjerë që të na drejtojnë në momentet më të vështira për të na larguar nga kriza dhe për ta na çuar drejt rrugës së zhvillimit.
Shpresa dhe krenaria e merituar duken se janë akoma të largëta nga horizonte tona, sepse akoma figura më e lartë e Shtetit, Presidenti i Republikës, nuk zgjidhet drejtpërdrejt me votat tona, por nga pazaret e politikës, që mjaftojnë të kenë të garantuar mazhorancën parlamentare dhe një ditë mund të bëjnë, President, ndonjë figurë që jo vetëm nuk ka cilësi të forta për të justifikuar një rol të tillë, por që ndoshta mund të jetë thjeshtë një kukull që nuk përfaqëson vetën dhe jo më interesin tonë kombëtar, ashtu siç ndoshta mund të ketë ndodhur më parë.
Disa vende të Evropës Juglindore që kanë pasur të njëjtën eksperiencë diktatoriale komuniste si e jona, kanë menduar dhe kanë vendosur si shprehje më të lartë të demokracisë në vend, që zgjedhja e figurës së shtetit të jetë në dorën e vetë qytetarëve.
Mendoj se nëse edhe neve shqiptarëve do të na ishte lënë një e drejtë e tillë e merituar, jam i bindur se disa presidentët që pazaret e politikës na i kanë bërë peshqesh nuk do të kishin arritur të garantonin konsensusin popullor, për të marr një detyrë kaq të lartë kushtetuese.
Mendoj, se edhe populli shqiptar ka të drejtën e tij të përjetoj të njëjtat emocione si ato popullit amerikan duke i dhënë besimin kandidatit që personifikon ëndrrat e të gjithëve dhe që punon për të gjithë.
Ne, kemi nevojë për një figurë si Barack Obama, që me forcën e fjalës dhe me inteligjencën e tij, arriti të ndërtoj një parti të tretë, konsensusin popullor dhe që dje në betimin e tij garantoj bindjen se do të ndërtojmë rrugë, ura të reja, do të zhvillojmë shkencën, do të rrisim edukimin arsimor për të bërë një Amerikë më të madhe se sa aspiratat tona individuale.
Obama, me vizionet e tij, ka rritur shpresën dhe bindjen se njeriu është i lirë dhe i barabartë për nga natyra, si dhe duhet të ketë të garantuar të drejtën për të kërkuar dhe gjetur lumturinë.
Ëndrrat që ai po na dhuron janë me të vërtetë shumë të mëdha dhe të rëndësishme jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë ne, dhe jam i sigurt se ai do të arrij të na i bëj realitet, sepse ka mbledhur dhe ka bërë për vete atë Amerikën e dëshpëruar dhe e ka mbushur me shpresë. Me krenarinë e ri gjetur të lulëzuar me ide dhe vizione dhe jo me arrogancë.