Saturday, December 27, 2008

Për ju të “padukshmit”...

Dr. Alban Daci

Nuk e di nëse keni kaluar ndonjëherë rastësisht tek ushtari i panjohur apo tek dogana në Tiranë dhe të shikoni persona me fytyra të lodhura, të zymta dhe të dëshpëruara, me rroba të grisura dhe tepër të vjetra që presim me dëshpërim të gjejnë ndonjë mundësi për të punuar, për të marrë ca të holla sa të ushqej veten dhe fëmijët që e presin në shtëpi?
Nuk e di nëse ju ka ndodhur të udhëtoni rastësisht në disa zona rurale, ku skamja mbretëron në qetësinë e heshtjes dhe izolimit nga bota e mirëqenies dhe jetës normale?
Nuk e di nëse ju ka rastisur të ndodheni jashtë vendit dhe rastësisht të dëgjoni bisedën e dy rinjve shqiptarë që bisedojnë së bashku të irrituar për situatën që ndodhen, sepse punëdhënësi nuk i ka paguar, sepse nuk kanë para për t’iu dërguar familjarëve të tyre në Shqipëri, se nuk kanë dokumente të shkojnë në Shqipëri për të përjetuar festat bashkë me të afërmit e tyre si e gjithë bota?
Nuk e di nëse keni vizituar ndonjë familje të varfër, por të ndershme që nuk ka mundësi të ushqej fëmijët edhe me bukë të thatë?
Nuk e di nëse e dini se ka akoma shumë shqiptarë që kanë dëshira si: fëmija i vogël i kërkon Babagjyshit të Vitit të Ri ti sjell babin në shtëpi për të rregulluar dhe zbukuruar së bashku pemën e Vitit të Ri, sepse ka vite që ndodhet në emigrim, nëna që kalon kohën duke parë nga dritarja me shpresën se mos i vjen djali për tu çmallur dhe përjetuar së bashku festat, që nusja pret bashkëshortin e tij me shumë dashuri dhe mall që të kthehet nga mërgimi, ku ishte i detyruar të largohej në ditën e tretë pas martesës për shkak të kushteve të vështira ekonomike që ndodhej?
Nuk e di nëse ju ka rastisur duke ecur në rrugë të shikoni një person të shtrirë në trotuar dhe që ka zgjatuar dorën për të kërkuar mëshirë dhe ju të largoheni me indiferentizëm pa kërkuar të dini të vërtetën e atij personi, të kaluarën e tij?
Nuk e di nëse keni takuar ndonjë të ri që ka mbaruar me rezultate shumë të mira universitetin, por që Vitin e Ri është i detyruar ta pres me statusin e të papunësuar, për faktin se nuk bën pjesë në asnjë lloj forme politike?
Të gjithë këto janë persona që për “ne” janë të “padukshëm”, sepse jeta jonë është shumë larg rutinës së jetës që bëjnë ata, sepse “ne” në shoqërinë e sotme po e humbasim ndjenjën e përgjithësisë kolektive, por gjithmonë e më shumë jemi të interesuar vetëm për spektrin tonë individual.
Prandaj, unë do të uroja që Vitit i Ri të sjell ndryshime edhe për këto realitete që i kemi të pranishme dua apo s’duam duam “ne” ti pranojmë.
Babagjyshit të Vitit të Ri do ti kërkoja që emigrantët shqiptarë të mos presin më me radhë të gjata nëpër pika kufitare në shi, borë dhe në të ftohtë për tu kthyer pranë familjeve të tyre, të mos ketë familje të varfra që jo vetëm nuk mund të festojnë si gjithë të tjerët, por të mos diskutojnë bukën siç ndodh fatkeqësisht akoma në shoqërinë tonë, do ti kërkoja që atyre dy të rinjve shqiptarë ti paguaj punëdhënësi i tyre, që të sigurojnë dokumentet për të shkuar pranë të afërmve të tyre sa herë që e ndjejnë të nevojshme, që djalit të ri të sapo diplomuar me rezultate të mira të gjej një punë të mirë dhe të merituar, djalit të vogël ti sjell babin e dashur jo vetëm për të rregulluar pemën e Vitit të Ri, por edhe me hapur së bashku dhuratat që simbolizojnë gëzimin dhe traditën se çdo gjë në këtë jetë do e ndajmë dhe përjetojmë se bashku.
Do i kërkoja Babagjyshit të Viti të Ri të ndalojë tek Ushtari i Panjohur, dogana dhe në shumë vende të tjera si ato, ku për fat të keq Shqipëria ka shumë për t’iu dhuruar shpresën dhe dëshirën për jetuar si mundësinë për të pasur një vend fiks pune dhe të mos vazhdojnë të frekuentojnë në dëshpërim dhe zhgënjim vende të tilla që nuk japin asnjë kënaqësi aktuale për jetuar dhe asnjë shpresë për të ardhmen se edhe jeta e tyre mund të ketë momente të këndshme dhe të gëzueshme si të tjerët.
Do i kërkoja Babagjyshit të Vitit të Ri që këto persona të padukshëm ti bëj më të dukshëm dhe më aktiv në shoqërinë tonë, t’iu rikthej edhe atyre buzëqeshjen e munguar, gëzimin e harruar, të ushqyerën e bollshme që kurrë nuk e kanë pasur, ndarjen e emocioneve me familjarët e tyre duke përjetuar pak çaste të lumtura në detin vuajtjeve që kanë deri tani.
Shpresoj të paktën që Babagjyshi i Vitit të Ri do i dëgjoj fjalët e mia dhe dëshirat e këtyre personave që janë të “padukshëm” në sytë tonë, sepse askush tjetër nuk është i interesuar për hallet, problemet, për kërkesat, dëshirat apo edhe për ëndrrat e tyre.

Wednesday, December 24, 2008

Nga Studimi mbi Sovranitetin

Përkthyer nga Dr. Alban Daci

Joseph de Maistre

Joseph de Maistre lindur në Chambery në 1753, është një ndër protagonistët e parë dhe më të rëndësishëm të rizgjimit të mendimit katolik në fillim të viteve 800. I përshtatur me një përgatitje si juridike dhe filozofike, njohës i letërsisë dhe mendimit neo-platonik, por edhe të problematikave më qendrore të filozofisë moderne si antropologjisë dhe ndjenjës, J. De Maistre zhvillon si teme dominuese kritikën në mentalitetin e iluminizmit dhe efektet e saj në sferën politike dhe sociale.
Sovraniteti i popullit
Populli është sovran, thuhet; i kujt? I Vetës.
Populli është pra nënshtetas. Ka me siguri ndonjë ekuivok nëse jo një gabim, sepse populli që komandon nuk është populli që bindet. Mjafton pra të parashtrojmë se : «populli është sovran», për të pasur sensacionin që ajo ka nevojë për një koment.
Ky koment nuk do të bëhet të paktën në sistemin francez. Populli, do te thuhet, ushtron sovranitetin e tij përmes Përfaqësuesve të tij. Kështu fillohet të kuptohet.
Populli është një sovran që nuk mund të ushtroj sovranitetin e ti. Vetëm ndonjë individ mashkull i këtij populli ka të drejtën e komandimit në turn për një periudhë të caktuar:
Për shembull, nëse supozohen 25 milion njerëz në Francë e 700 si deputet të zgjedhur në çdo dy vjet, kuptohet që nëse këto 25 milion njerëz do të ishin të pavdekshëm, dhe nëse deputetët do të ishin të emëruar në turne, atëherë çdo francez do të gjendej mbret periodikisht pothuajse për çdo 3500 vjet.
Por, nga momenti që, në këtë hapësirë kohe, nuk ndalohet së vdekur herë pas here dhe që nga ana tjetër zgjedhësit janë pronar për të zgjedhur si duan, imagjinata është e frikshme nga numri i mrekullueshëm i mbretërve të dënuar me vdekur pa mbretëruar.
Por, përderisa duhet formuluar seriozisht ky problem, vëzhgojmë para së gjithash gjithçka që, mbi këtë pikë si shumë të tjera, mund të mendohet që nuk është i mirëkuptuar.
Është diskutuar me nxehtësi për të ditur nëse sovraniteti vjen nga Zoti apo nga njerëzit; po nuk di nëse është vëzhguar që të dy parashtrimet janë të vërteta. Është shumë e vërtetë, në një kuptim inferior që sovraniteti është themeluar mbi konsensusin njerëzor, sepse, nëse një popull kushdo qoftë, papritur do të pajtohej për tu mos bindur, sovraniteti do të zhdukej, dhe është e pamundur të imagjinosh vendosjen e një sovraniteti pa imagjinuar një popull që pranon të bindet.
Pra, nëse kundërshtarët e origjinës hyjnore të sovranitetit duan të thonë vetëm këtë, ato kanë të drejtë, e do të ishte e panevojshme të diskutohej.
Duke mos pasur Zoti instrument mbinatyror për të vendosur perandoritë, është e sigurt që gjithçka do të bëhej përmes njerëzve.
Por të thuash se sovraniteti nuk vjen nga Zoti, sepse ai ju duhet njerëzve për ta vendosur, është sikur të themi që ai nuk është krijuesi i njeriut, sepse ne të gjithë kemi një nënë dhe një baba.
Të gjithë deistët e universit do të theksonin padyshim mbi faktin që ai që thyen ligjet i kundërvihet vullnetit hyjnor dhe kthehet fajtor përpara Zotit, sepse është Zoti që ka krijuar njeriun social; dhe meqë ai ka dashur shoqërinë, ai ka dashur edhe sovranitetin dhe ligjet pa të cilat nuk ka aspak shoqëri.
Pra, ligjet vijnë nga Zoti në kuptim se ai don që të jenë ligjet dhe që t’iu binden, dhe prapëseprapë këto ligjin vijnë edhe nga njerëzit, sepse ato janë bërë nga njerëzit.
Kështu sovraniteti vjen nga Zoti, sepse ai është autor i gjithçkaje dhe në veçanti i shoqërisë që nuk mund të ekzistoj.
Megjithatë, në një far kuptimi, vetë ky sovranitet vjen nga njerëzit, përderisa në një mënyrë apo tjetër qeveria është vendosur dhe shpallur nga konsensusi njerëzor.
Pra, partizanët e autoritetit hyjnor nuk mund të mohojnë që vullneti njerëzor luan një rol jo indiferent në vendosjen e qeverive, dhe partizanët e sistemit të kundërt nuk mund të mohojnë që Zoti është për ekselencë në mënyrë të ngritur, autor i qeverive të njëjta.
Duket se këto dy parashtrime: sovraniteti vjen nga Zoti dhe sovraniteti vjen nga njerëzit, nuk kundërshtohen absolutisht, jo më as këto dy të tjerat: ligjet vijnë nga Zoti, dhe ligjet vijnë nga njerëzit. « Unë nuk vij aspak t’iu them se sovraniteti vjen nga Zoti ose nga njerëzit: le të ekzaminojmë solemnisht bashkërisht atë që është hyjnore dhe atë që është njerëzore në sovranitet».

Monday, December 22, 2008

GJRSH Ju uron Gëzuar Festat e fundvitit!



Gjenerata Re Shqiptare
Ju uron të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen
Gëzuar Festat e fundvitit!


Viti që po lëmë mbrapa, me të mirat dhe të këqijat e tij, le të themi që ka qenë në linja të përgjithshme pozitiv për sa i përket kauzës shqiptare në Rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Kjo ka ndodhur fal mbështetjes ndërkombëtare që ka gjetur kauza e jonë e drejtë në nivelet më të larta ndërkombëtare si dhe për faktin se interesat tona kombëtare vitale kanë qenë të përputhura mjaft mirë me interesat e të mëdhenjve që na kanë ndihmuar për të përfituar deri diku të drejtat tona të mohuara ndër shekuj.
Rol mjaft të rëndësishëm në arritjen e këtij suksesi të madh, ka pasur vetë populli jonë shqiptarë me komponentët e tij duke qenë mjaft koherent në kohë dhe vigjilent në hapësirë.
Viti i Ri për Botën në përgjithësi dhe për shqiptarët në veçanti do të jetë viti i sfidave të mëdha, i shpresave të merituara, i ëndrrave të realizuara dhe të paralizuara.
Le të shpresojmë se këtë radhë Babagjyshi i Vitit të Ri do të trokas në portat e shtëpive të politikanëve tanë për t’iu dhuruar më shumë demokraci, më shumë tolerancë politike si dhe më shumë dëshirë për të punuar së bashku për të realizuar Shtetin e së drejtës dhe të mirëqenies për të gjithë qytetarët.
Le të shpresojmë së Babagjyshi do të kalojnë edhe në familjet e varfra aty ku skamja dhe dëshpërimi mbretërojnë në shpirtrat e këtyre banorëve të harruar nga realiteti për t’iu dhuruar ndonjë shkëndijë shprese dhe lumturie.
Gjithashtu shpresojmë se do të shkoj edhe në shtëpitë e familjeve që të dashurit e tyre i kanë larg në mërgim për t’iu sjellë përqafimet virtuale e të dashurve të tyre që janë larg të emigruar në ndonjë cep të botës që për arsye pune, dokumentesh, studimesh apo ekonomike nuk mund të përjetojnë emocionet festive të lumtur në shtëpitë e tyre.

Sunday, December 7, 2008

Revolucioni i Tulipanëve

Dr. Alban Daci
Botuar me 23 shkurt 2009
Gazeta NDRYSHE

Një tjetër republikë ish sovjetike ka vendosur të përfitoj nga era e ndryshimeve që po kalon Azia Qendrore. Pas Taxhikistanit, me 199.900 kilometri katror sipërfaqe, Kirgistani është një ndër vendet më të vogla të ish perandorisë ruse. Një tokë e fshehur mes luginës së Ferganës, Lumit Os dhe shkretëtirës Kineze Takliman e pasur më naftë, gaz natyror, karbon, prodhues i energjisë elektrike etj.
Pas ngjarjeve të 11 shtatorit, kur me shpresën për të zgjeruar bazat e konsensusit të regjimit, presidenti Akayev, hidhet në krahët e Uashingtonit, duke i lejuar hapjen brenda aeroportit civil në Bishkek të një baze ushtarake amerikane.
Amerikanët do të ndiqen më pas nga rusët, kështu duke e vërë Kirgistanin në një situatë gjeopolitike të vetme në botë: dy bazë ushtarake të huaja, ruse dhe amerikane, që rrethojnë kryeqytetin duke u përballur me njëra tjetrën prej një distance që nuk është më shumë se 30 kilometra.
Pas revolucionit të “trëndafilave” në Gjeorgji dhe ai “portokall” në Ukrainë, duket se ka ardhur momenti i Kirgistanit, ku ka shpërthyer revolucioni i “tulipanëve”
Kriza politike kishte nisur me rastin e zgjedhjeve presidenciale të 2000-shit, kur krahu i djathtë i presidentit Akayev, Felix Kulov, shpalli qëllimin e kandidimit. Akayev prish imazhin e “demokracisë” dhe gjen pretekst juridik për ta arrestuar. Nga ai moment, regjimi duhet të braktis mitin e “oazit të demokracisë[1]” në Azinë Qendrore që ishte propaganduar për tu legjitimuar në skenën ndërkombëtare.
Pika e vërtetë e thyerjes, vjen tre vjet më parë me rastin e fakteve të Aksy. Motivi shpërthyes ishte i lidhur atëherë me politikën e jashtme që ndiqte regjimi: një marrëveshje për ti dhënë Pekinit disa territore strategjike për gjatë kufirit kinez, e cila ishte mbajtur sekret, dhe një herë që bëhet publike nga një deputet i opozitës – menjëherë arrestuar, Azimbek Beknazarov- shkakton protesta nëpër sheshe në jug të vendit.
Forcat e rendit ju përgjigjet protestave popullore me zjarr mbi turmat duke shkaktuar pesë të vdekur, diçka që nuk ishte pa më parë në Azinë Qendrore. Pas kësaj ngjarje jep dorëheqjen kryeministri i atëhershëm, Kurmanbek Bakiev, sot një ndër figurat më të rëndësishme në ambientin e politikës së Kirgistanit pas periudhës Akayev.
Rikthehemi përsëri tek zgjedhjet ( me datë 27 shkurt dhe 13 mars zgjedhjet parlamentare), të cilat këtë herë kishin një peshë më të madhe, sepse presidenti Akayev duhet të linte testamentit e pushtetit (kishte bërë dy mandatet) de fakto ishte në pushte për tre mandate rresht.
Akayev, i vetëdijshëm që nuk mund të rikandidonte për një mandat të ri sipas ligjit të Kushtetutës, kërkonte kontrollin e vendit përmes një kandidature të një shumë besuari që siguronte mbajtjen e linjës së politikës së tij.
Problemet e politikës së brendshme shfaqen që para turnit të parë të zgjedhjeve, kur shfaqet format e para demonstruese kundër përjashtimit të Roza Otunbaeva- leader e partisë Arta Jurt (atdheu)- dhe të diplomatëve të tjerë që nuk mund të kandidonin për zgjedhjet e legjislativit: në fakt, një ligj i aprovuar në 2004 nga Komisioni Elektoral Qendror ndalonte kandidimin e personave që nuk kishin jetuar pesë vitet[2] e fundit në Kirgistan.
Turni i parë i zgjedhjeve ( 27 shkurt 2005 ) paraqet në të gjitha nivelet degradimin që ishte arritur nga sistemi politik dhe nga vetë vendi në përgjithësi.
Në shumë qendra votimi, një pjesë e mirë e votave blihen[3] sikur të ishin të mira që shkëmbehen në një treg të lirë.
Zgjedhjet legjislative të 27 shkurtit, nuk i garantojnë Akayevit, mazhorancën në 75 zona elektorale, për këtë arsye është i domosdoshëm një turn i dytë i parashikuar me datë 3 mars.
OSBE, edhe përse evidentonte se Kirgistani kishte bërë progres të vogël në ndjekjen e rregullave ndërkombëtar të transparencës, konfirmonte ekzistencën e hapur të pa rregullsive në zhvillimin e zgjedhjeve: mungesë pluralizmi, monopol presidencial të mjeteve të informimit, vota të blera etj.
Mungesa e suksesit për kandidatët filo-qeveritarë, shumë shpejt interpretohet si një shenjë mos dashurie popullore dhe një dobësi për admistratën e Akayevit: faktor që rigjallërojnë ambiciet e forcave të opozitës.
Në ditët parapritëse të balotazhit elektoral, jugu i Kirgistanit ishte në protesta dhe manifestime: në qytetet e Jalal Abad[4] Osh[5], Uzgen dhe ne provincën lindore di Naryn protestuesit pushtojnë ndërtesat e administratave shtetërore, përleshje në sheshe, bllokim rrugësh nga ana e demonstruesve që kërkonin anulimin e zgjedhjeve, përderisa ishin të pa rregullta si dhe dorëheqjen e Akayevit dhe përfaqësuesve të tij nëpër rrethe.
Kryengritësit merrnin kontrollin e komunikimit[6] me rrethet e tjera të vendit duke sanksionuar ndarjen e vendit mes veriut, nën kontrollin e forcave presidenciale dhe zonave në gjendje rebelimi që ndodheshit kryesisht në jug që me kalimin e ditëve po zgjeroheshin drejt veriut.
Akayev, jep atëherë provën e fundit të pa kapacitetit të tij politik në mungesë të leadership duke provokuar protestuesit, sepse nuk pranon të bie në marrëveshje me ta.
Pas nëntë ditësh pushtimesh paqësore, në natën e 19 dhe 20 vendos të dërgoj forcat e rendit për të rimarr kontrollin e pallatit të qeverisë në Dshalabad. Reagimi i policisë provokon natën tjetër një kundërsulm akoma më të dhunshëm nga ana e mijërave fshatarëve të pandalshëm. Fillonte kështu numërimi i parë i viktimave të “revolucionit” në Kirgistan.
Ishte evidente që opozita në kërkim të pushtetit, kërkonte ti zgjeronte protestat deri në një pikë, ku dhe vetë ajo nuk do të ishte në gjendje ti kontrollonte.
Gjithashtu për shkak të përshkallëzimit të dhunës si dhe zgjerimit të protestave që në ditët në vazhdim kontrollin gjithmonë e më shumë zona të reja nga jugu drejt veriut, presidenti Akayev, po humbiste kontrollin e situatës. Përballë kësaj situate, Akayev udhëton drejt Moskës në kërkim të mbështetje politike nga strukturat e KSHP[7] (Komunitetit të Shteteve të Pavarur), por marrë asnjë impenjim konkret nga ana e Kremlinit[8].
Pra, edhe përse dy ditë para fundit, Presidenti ishte akoma i bindur se mund të kontrollonte situatën. Thërret deputetët e zgjedhur për të inauguruar përpara në kohë Asamblenë parlamentare- për të treguar ekzistencën e një legjitimiteti të vetëm në vend, atë qendrorin.
Me datë 23 protesta prezantohej në sheshet e kryeqytetit, ku një ditë më vonë e posedon atë. Në kursin e disa orëve, të revoltuarit merrnin kontrollin e shesheve, dhe pasi kanë kaluar kordonët e forcave të rendi, pushtonin pallatet e pushtetit një pas një derisa detyrojnë Akayevit të arratiset.
Në natën e 24 marsit të 2005 bëhet operuese qeveria e përkohshme me Kurmanbek Bakiev kryetar shteti dhe kryeministër interim. Kulov ministër i brendshëm dhe Roza Otunbaeva ministre e jashtme.
Po përse një “revolucion”?
Ajo pikë ujë që zgjoj ndjenjën e revoltës popullore ishte manipulimi i zgjedhjeve si dhe kushtet e tmerrshme të varfërisë (sidomos në jug) të popullsisë, autoritarizmi i Akayevit, korrupsioni dhe oligopolet e krijuar nga Akayev për të përfituar familjarët e tij dhe personat[9] që përbënin “rrethin e ngushtë” besnik të presidentit.
Në fillim të viteve 90, Akayev paraqitej si një reformist, tolerant kundrejt opozitës në krahasim me represionet e tmerrshme që karakterizonin republikat e tjera në Azinë Qendrore.
Megjithatë, në mesin e viteve 90, Akayev bindet që vendi i tij nuk ishte në mënyrë efikase gati për një modernizim dhe evoluim të tipit perëndimor: politika e tij bëhet autoritar, arrin fuqi të rritura kushtetuese, lufton opozitën dhe medien e pavarur, orienton ekonominë dhe privatizimin ekskluzivisht për të përfituar të afërmit[10] dhe mbështetësit e tij.
Tani, shtysa më e madhe që ka nxjerrë në sheshe popullsinë e Kirgistanit është dhënë nga nevoja për të ri ekuilibruar diferencën ekonomike dhe politike në vend: Në termat e përfaqësimit politik, jugu është jo ekzistues në institucione.
Një rol jo pak të rëndësishëm ka pasur edhe forcat e jashtme. Akayev ishte bërë jo komod për vetë Shtet e Bashkuara të Amerikës. Nëse në të kaluarën këta të fundit kishin marrë nga ai gjithçka që kishin dashur, tani ishin të shqetësua, sepse dobësia e tij mund të shfrytëzohej nga Rusi dhe Kina.
Kjo vërtetohet, sepse në javët e fundit të pushtetit të presidentit Akayev, ku, dukej qartë që nuk kishte shpresa për të rikontrolluar situatën, ambasadori amerikan Stephen Young shtonte deklaratat e tij që direkt favorizonin një tërheqje nga jeta politike për presidentin Akayev. Gjithashtu, në të njëjtën kohë strukturat e lidhur drejtpërdrejtë me Ambasadën amerikane mbështesnin hapur opozitën politike.
Ndërsa rusët fillojnë të marrin shembull nga amerikanët, duke kërkuar të punojnë së bashku me forcat e brendshme politike, në mënyrë që të influencojnë elitën emergjente.
Rusia edhe përse i kishte ofruar mikpritje të arratisurit Akayev. Rithekson vullnetin e saj për të bashkëpunuar me klasën e re drejtuese në Kirgistan, por shpreh edhe shqetësime për rritjen e influencës amerikane në zonë.
Revolucioni i “tulipanëve” në Kirgistan përfaqëson vetëm fillimin e një “loje të madhe”, ku shumë shpejt mund të jetë skenari i gjithë Azia Qendrore. Shkaku kryesor duhet të kërkohet në ashpërsimin e kontradiktave kineze-amerikane.
Kohët e fundit Kina ka adresuar politikën e saj drejt Veriut. E dëshmon pjesëmarrja e saj në shpronësimin e “lugankneftgaz”, sigurimi i konsensusit për hyrjen e Rusisë në WTO, riformimi i i kontingjentit të krahut të punës kineze të emigruar në Lindjen e Largët. Gjithashtu Kina, faktikisht i ka dhënë letër të bardhë Republikës Popullore e Demokratike të Koresë në ngjitjen e saj antiamerikane në sferën nukleare, ka forcuar mbështetjen e saj politike tek Irani, ka aprovuar një ligj[11] që legalizon një pushtim të mundshëm ushtarak të Tajvanit. Të gjitha këta iniciativa kanë qenë të dhimbshme për Uashingtonin që duke siguruar mbështetjen e aleatit të tij, Britanisë së Madhe, ka marrë masa për t’iu përgjigjur në Azinë Qendrore.
Ku ndryshon “revolucioni i tulipanëve” në Kirgistan me atë “trëndafilave” në Gjeorgji dhe me “revolucionin portokalli” në Ukrainë?
Mungesa e një Yushenko, përfaqëson faktikisht ndryshimin kryesor mes “revolucionit të tulipanëve” dhe dy revolucioneve të tjera. Mungesa e një leader i aftë për të përfituar konsensusin e popullsisë.
Në Gjeorgji dhe Ukrainë, manifestimet e protestave kishin një formë të mirë organizuar, të lidhura nga grupet dhe shoqatat studentore, të orkestruar nga një leadership i organizuar me një program politik mjaft të qartë: impaktin mediatik i manifestimeve të tyre paqësore, të ngjyrosur dhe jo të dhunshëm ka qenë i rëndësishëm.
Ndërsa në Bishkek, imazhet e një turme jashtë kontrolli dhe pa një guitë, sigurisht nuk kanë marrë të njëjtin impakt, duke shkaktuar kritika edhe nga OSBE mbi karakterin e dhunshëm të këtij ndryshimi.
Në Kirgistan revolta ka lindur në zonat rurale të jugut dhe pastaj është propaganduar në pjesën tjetër të vendit, ndërsa në dy rastet e tjera kemi të bëjmë vetëm me revolta urbane, të zhvilluar në kapitalet Tibilis dhe Kiev.
Sipas disa komentuesve këto lëvizje që kanë adoptuar një ngjyrë të veçantë (ose lule) si simbol të një marketingu modern politik, duke krijuar grupe edukimi në demokraci, janë pak a shumë me fizionomi të ngjashme, të spiruar nga grupe dhe organizata të ndryshme, të përshtatura me struktura të ngjashme, të bekuar nga Perëndimi dhe mediet dhe institucionet ndërkombëtare.
Të gjithë revolucionet e “ngjyrosur” përfshi edhe atë të “tulipanëve” kanë përdorur intrigat e zgjedhjeve të bëra nga qeveritë në fuqi për të provokuar zemërim si në nivel kombëtar dhe në atë ndërkombëtar. Një rol të rëndësishëm në këtë proces kanë luajtur sondazhet exit poll si dhe nga denoncimet e intrigave që kanë bindur mijëra persona për të protestuar kundër qeverive në fuqi.
Denoncimet për zgjedhje të manipuluara, të marra në përgjithësi nga mediet ndërkombëtare dhe të konfirmuara nga vëzhguesit e dërguar nga Unioni Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ( të lidhura në galaktikën e OJQ-ve që kanë financuar dhe mbështetur “revolucionet e ngjyrosura”), ka shtyrë gjithmonë mijëra persona për të dalë në sheshe.
Duke u nisur nga Serbia[12], diskutimet dhe teknikat e përdorura nga lëvizjet kanë qenë bazuar mbi jo dhunën dhe mbi mosbindjen civile, dhe në veçanti në studimet dhe në tekstet e intelektualit amerikan Gene Sharp[13], të disponueshme në sitin e tij të internetit.
Mendimi i Gene Sharp, trashëgon traditën e jo ushtrimit të dhunës, që parashikon disa forma rezistence dhe operacionesh për organizimin e lëvizjeve të masave paqësore përmes të cilave detyron qeverinë në fuqi të braktis pushtetin. Këto teknika që shkojnë nga bojkotimi, nga provokimet në adoptimin e parullave dhe simboleve thjeshtësisht të identifikuar për përfshirjen e popullsisë.
Sociolog dhe mendimtar të tjerë që kanë mbështetur me studimet e tyre revolucionet e ngjyrosura, kanë qenë Peter Ackerman të International Center on Non-violent Conflict, autor i librave “Strategic Nonviolent Conflict: The Dynamics of People Power in the Twentieth Century (1994), dhe “ A Force More Powerful: A Century of Nonviolent Conflict” (2001)[14] dhe mbi të gjitha produktor i dokumentit “Bringing Down a Dictator”, mbi eksperiencën e të rinjve serb të Otpor-it, përkthyer në arabisht, rusisht, spanjisht etj.


[1] Në mesin e viteve 90 Kirgistani përcaktohej si “ Svicera e Azisë Qendrore”, një “ishull demokracie në një det me autoritarizëm”, sepse në krahasim më republikat e tjera kufizuese dallohej për liberalizim relativ, hapje kundrejt reformave të privatizimit, pluralizëm politik, hapje kundrejt shoqërisë civile.
[2] Për të përforcuar bindjen se ishte thjeshtë një manovër jo e ndershme dhe korrekte politike për të përjashtuar personalitet e opozitës, konstatimi që Roza Otunbaeva ishte kandidate në zonën universitare në kryeqytetin Bishkek, kandidaturë e “bezdisshme”, sepse duhet të sfidonte Bermet Akayev, vajzën e Presidentit që ishte edhe themeluese partisë filo-presidenciale Alga Kirgistan ( përpara Kirgistan!).
[3] Një votë kushton 2 euro, në një vend, ku regresioni ekonomik i trashëguar që nga periudha sovjetike ishte i tillë, saqë pjesa më e madhe e popullsisë jeton me një mesatare të ardhurash mujore më me pak se 20 euro dhe presin ditën e zgjedhjeve si një mundësi për të përfituar diçka më shumë. Është për tu theksuar se shitja e votave kundrejt një kostoje të caktuar është i aplikuar edhe në ditët e sotme në të gjitha vendet që kanë pasur një të kaluar relativisht të gjatë komuniste ( autoritarizëm ), por se nga një vend në një tjetër, sipas situatave ekonomike, ndryshon çmimi i votës, ku në disa vende është e barabartë më një thes miell.
[4] Në Jalal Abad leaderat e opozitës mblidhen për të krijuar një lloj qeverie të përkohshme, një sistem paralel autoriteti.
[5] Në Osh, banda të rinjsh, shpesh në gjendje dëshpëruese, zotëronin mbi qytet duke shkatërruar dyqane dhe çfarë gjenin përpara.
[6] Aeroportet e Osh dhe Jalal Abad pushtohen ( për të izoluar jugun e vendit duke evituar ardhjen e përforcimeve nga kryeqyteti) dhe vazhdon pushtimi i ndërtesave shtetërore.
[7] Krijuar nga Rusia për të zëvendësuar ish Bashkimin Sovjetik
[8] A.Dubnov, Kirgizii propisan dialog, «Vremija Novostej», 22/3/2005.
[9] Në të gjitha republikat e Azisë Qendrore si dhe tek të tjerat me të kaluar të gjatë komuniste, që ndodhen në fazë tranzicioni, kushti themelorë për të bërë pjesë e elitës drejtuese nuk ishin aftësitë formale dhe profesionale, por duhet të plotësohen dy kritere: të mos kesh ambicie për karrierë dhe jesh besnik qorr i presidentit.
[10] Djali i presidentit, Aidar Akayev dhe motra e tij Bermet kontrollonin të gjitha aktivitet ekonomike të vendit; privatizimi bëhej ekskluzivisht për të përfituar ata, një shpronësim sistematik i çdo të mire publike që shkonte në rritjen e pasurisë së tyre personale. Kjo shpjegon edhe euforinë e protestuesve që më urrejtje të thellë kanë shkatërruar zinxhirin e dyqaneve dhe aktiviteteve ekonomike që ishin nën kontrollin dhe pronësinë e Aidarit.
[11] Ligji i mos shkëputjes i aprovuar me datë 4 mars 2005 nga Asamblesë në seksion plenar , i cili legjitimon një ndërhyrje ushtarake nga Kina në rast se verifikohet një deklaratë formale për pavarësi nga ana e qeverisë së Tajvanit
[12] Revolucioni i 5 tetorit në Serbi (2000) që konkludohet më rënien e regjimit të Millosheviçit
[13] A history of non-violence, Hio State Alumni (http://www.ohiostatealumni.org/newscenter/sharp.php)
[14] Non-violent Conflict Center (http://www.noviolent-conflict.org/whoWeAre_peter_ackerman.shtml)