Krejt rastësisht
pashë disa foto të publikuara në facebook që dëshmonin situatën e turpshme të
mjediseve të Kryeministrisë. Në një foto
ishin të pranishme akoma kolltukët që nga koha e Regjimit. Siç duket edhe pse
duam të shkëputemi nga e kaluara, ajo mbetet në çdo formë apo qelizë e
pranishme mes nesh. Nuk është e domosdoshme që institucionet të pasqyrojnë luks.
Ato duhet të jetë në përputhje me realitetin e përgjithshëm të zhvillimit
social dhe ekonomik të vendit.
Megjithatë,
realiteti që tregonin fotot e publikuara në facebook, tregojnë dekadencën e përgjithshme
të kulturës institucionale dhe të respektit ndaj Shtetit. Ato foto dëshmojnë kulmin
e një kulture antishtetërore që është mbjell në këto vite të vështira
tranzicioni.
Institucione
ishin kthyer në çerdhe nepotizmi, militantizmi, të njerëzve të papërgjegjshëm që
kishin krijuar një siguri absurde në mendjet e tyre se ato mjedise janë pronë e
tyre e do të jenë gjithmonë nën sundimin e tyre.
Në këto vite
tranzicioni dhe sidomos në katër vitet e fundit ishte krijuar një antikulturë
shtetërore dhe një mungese përgjegjësie përballë institucioneve. Ishte thuajse
e pamundur që gjithë paraditen të gjeje një punonjës në një zyrë, që mund të
ofronte një shërbim të parashikuar në ligj. Të gjithë punonjësit nga niveli më
ulët e deri në nivelet më të larta i gjeje nëpër kafe dhe thuajse kurrë në punë.
Ishte thuajse e pamundur të merrje një shërbim që të takonte me ligj, nëse nuk
kishe një mik ose nuk jepje një ryshfet. Madje, edhe për certifikatat ishte bërë
e rrugës që të lije një bakshish të vogël prej 50 lekësh.
Me sa duket kjo
kulturë e madhe dhe e rrezikshme antishtetërore nuk paska qenë vetëm në nivelet
u ulëta, por paska qenë deri në kulmin e pushtetit ekzekutiv.
Mjediset e rrënuara
të godinës së Kryeministrisë tregojnë dhe dëshmojnë rrënimin e funksionimit të
institucioneve dhe degradimin e Shtetit.
Vendi ka nevojë për
shumë gjëra të rëndësishme, por nëse në fillim nuk krijohet kultura e
institucioneve, asgjë tjetër nuk mund të ketë sukses. Duhet të krijohet
koshienca e respektimit të institucioneve, funksionimit të Shtetit dhe ofrimi
cilësor i shërbimeve të qytetarëve. Që të ndodh kjo duhet respektimi i ligjit,
duke u rikthyer të gjithë të barabartë para tij.