Friday, February 24, 2012

Rinia shqiptare dhe Aleanca Kuq e ZI


Alban Daci
 
Ne nuk kemi nevojë që t’i nënshtrohemi politikës shqiptare, por ka ardhur momenti që ajo të na dëgjojë dhe të ndjek vizionet tona për ndryshim. Aleanca Kuq Zi simbolizon uraganin e demokracisë, forcën e ndryshimit dhe dashurinë e madhe për vendin. Ajo simbolizon ngjyrat tona kombëtare dhe krenarinë e të qenit shqiptar

Në njëzet vitet e fundit të rinjtë shqiptarë i kanë përjetuar, pothuajse, të gjitha momentet e mira dhe të vështira, ku herë kanë qenë protagonist dhe herë kanë qenë viktima të proceseve të “baballarëve” të tyre.
Të rinjtë shqiptarë në fillim të viteve 90-të, morën guximin dhe u ngritën kundër regjimit mizor komunist, duke e përmbysur atë. Ata punuan me përkushtim dhe me zell për ndërtimin e institucioneve demokratike në vend, morën rrugën e mërgimit për një jetë më të mirë, vendosën të shkollohen jashtë për të qenë të zotë dhe të aftë për një të ardhme më të mirë personale dhe kolektive.
Të rinj shqiptarë qenë viktima të pafajshme të ngjarjeve të 97-ës. Të rinjtë shqiptarët ishin ata që ngritën flamurin shqiptar në Irak dhe Afganistan me mision paqeje përkrah gjigantëve të botës. Të rinjtë shqiptarë me guximin dhe besimin e tyre ndihmuan fort që Shqipëria të integrohej në NATO, të rinjtë shqiptarë bënë luftën për liri në Kosovë, duke dhënë kontributin e tyre për një shtet të pavarur sovran, demokratik dhe multietnik.
Të rinj shqiptarë u bënë promotorë të kulturës, të historisë, traditës dhe të virtyteve shqiptare nëpër botë. Ata u bënë ambasadorë të vetes, të familjeve të tyre dhe të vendit të tyre, Shqipërisë. Të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër shtypjes dhe skllavërimit të shqiptarëve në Maqedoni.
Pra, rinia shqiptare ishte aty, ku s’kishte të drejta për t’i përfituar ato, ishte e pranishme aty, ku mizoria mbretëronte për ta rrëzuar atë, ishte në radhët e para për të fituar dinjitet, besim, guxim, integrim dhe forcë për modernizim.
Po sot kush është rinia shqiptare? Rinia shqiptare sot është shumëngjyrëshe dhe me dimensione të gjera, që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ajo është në një moment të vështirë për të identifikuar me veten dhe me proceset që ndodhen përreth saj.
Mendoj, se rininë shqiptare duhet ta ndajmë në dy realitete të ndryshme, duke i përshkruar me kujdes ato:

1. Të rinjtë shqiptarë, herë të detyruar dhe herë me dëshirën e tyre, kanë zgjedhur të studiojnë, të punojnë dhe të jetojnë jashtë vendit.

a) Ata të viteve 90- të, të uritur për liri, demokraci, për një ëndërr më të mirë morën rrugën e largimit drejt vendeve perëndimore. Një pjesë e mirë e tyre, pas shumë vështirësive dhe mundimeve, arritën t’i bënin ëndrrat e tyre realitet, duke siguruar një standard jetese të kënaqshëm në vendet që emigruan.
b) Disa të rinj, edhe pse ishin të vendosur dhe të guximshëm për një jetë më të mirë, për fatin e keq të tyre, nuk arritën ta gëzonin lirinë e tyre, sepse ranë heronj të saj në kufijtë tokësorë, dhe detarë të Shqipërisë.
c) Shumë të rinj, duke e kuptuar emigracionin si një proces të përkohshëm, u përpoqën me të gjitha mënyrat, duke siguruar dhe mbështetjet e familjeve të tyre që të shkonin jashtë vendit jo më si emigrant, por si studentë për të përfituar sa më fort botën e dijes perëndimore, e cila nuk do tu mësonte më si më parë Marksin dhe Engelsin, por tregun e lirë, globalizimin, integrimin, bashkëpunimin mes kombeve, diplomacinë e hapur, demokracinë e votës së lirë, lirinë e individit, të shoqërisë dhe shtypit etj. Në këtë grup, kemi studentë që kanë arritur t’i mbarojnë studimet me sukses, duke u bërë edhe akademik të vërtetë në universitet, që kanë kryer studimet. Një pjesë e mirë e tyre, kanë zgjedhur si argumente shkencorë në temat e diplomave çështje që kanë lidhje të drejtpërdrejtë më shqiptarët dhe me Shqipërinë, duke i trajtuar ato me një nivel të lartë akademik dhe shkencorë. Atmosfera e brendshme e këtij grupi është e qetë, e mbushur me ide, të cilat i diskutojnë së bashku sa herë që takohen mes veti dhe finalja e këtyre ideve është Shqipëria sot dhe e ardhmja e saj nesër. Pjesa më e madhe e tyre nuk e shikojnë të përjetshëm qëndrimin e tyre në vendet, ku kanë kryer studimet dhe po vazhdojnë eksperienca jetësore, ose akademike të vazhdueshme. Ata, po përgatiten për një formim shembullor akademik dhe intelektual që më vonë në një fazë të dytë do të kthehen në Shqipëri për t’i kultivuar sipas vizioneve bashkëkohore dhe atdhetare. Për ta Shqipëria, është e ngulitur thellë në zemër dhe në mendje, sepse falë teknologjisë së lartë të komunikacionit, si interneti, çdo ditë, çdo moment dhe në çdo kohë ushqehen me informacione të freska mbi atë që ndodh në Shqipëri.

2. Të rinjtë shqiptarë që nuk kanë pasur mundësi dhe dëshirë të largohen asnjëherë jashtë vendit dhe të rinj që në fillim të viteve 90-të kanë pasur eksperienca të shkurta jashtë vendit, por që janë kthyer, tashmë, në Atdhe për jetuar përgjithmonë.

a) Një kategori e të rinjve që është, pothuajse, plotësisht e çoroditur dhe e lodhur krejtësisht nga cikli i gjatë i tranzicionit, të pa shpresë dhe të braktisur janë kthyer në parazit kafenesh të kohërave moderne. Për fatin tonë të keq, në këto vite, shoqëria shqiptare vazhdon të prodhojë rini kafenesh, e cila përfaqëson një pjesë të mirë të të rinjve shqiptarë, që nuk prodhojnë ide, nuk prodhojnë botë akademike, nuk kuptojnë proceset e kohës, nuk kanë kurajë dhe guxim për të rifilluar jetën e tyre nga e para. Baret e mbushura plotë me të rinj, që rrinë me orë të tëra për të konsumuar një kafe, tregon thellë krizën e të rinjve shqiptarë, e cila në të njëjtën kohë është pjesë e përgjithshme e krizës shoqërore shqiptare.

b) Një grup të rinjsh shqiptarë, të cilët nuk kanë asnjë trashëgimi elitare të trashëguar të tipit komunist, falë këmbënguljes, guximit, dashurisë për dituri dhe sakrificës së familjeve të tyre, kanë arritur të kryejnë studimet e larta në vend, por që të pa mbështetur, të pa implikuar me partitë politike dhe të braktisur gjenden të çoroditur dhe të varfër në rrugët e Shqipërisë me pa shpresë për punë dhe për karrierë.

c) Gjithashtu, një numër i vogël, i atyre që kanë pasur eksperienca jetësore dhe akademike jashtë vendit, janë kthyer në Shqipëri me shpresën për gjetur vendin e merituar në shoqëri. Ky numër i vogël është përballur me vështirësi të shumta, nuk ka arritur të gjejë vende pune dhe mundësi për të bërë karriere në bazë të meritës, por është përballur më një realitet krejtësisht të ndryshëm nga vendet që erdhën. Duke qenë një minorancë në vizione dhe ide, dalëngadalë po gllabërohet nga realiteti i vjetëri duke e transformuar atë në një mekanizëm të kontrolluar dhe të izoluar.
Duke konkluduar, mund të themi, se rinisë shqiptare nuk i mungon guximi, përgatitja akademike, forca dhe energjia për të qenë vetvetja. Problemi kryesorë i rinisë shqiptarë është se: ajo, në këto momente, ka mungesë bashkëpunimi, ose me terma më të saktë ajo është plotësisht e çoroditur. Gjithashtu rinisë shqiptare deri me sot i ka munguar një frymëzim social, një lëvizje politike, apo një lider politik që t’i udhëheq ata në proceset e bërjes së politikes dhe ne vendimmarrjet e politikës. Sot, rinia shqiptare një botë e rëndësishme energjetike, intelektuale dhe sociale është përjashtuar me qëllim nga sfera e politikës. Rinia kjo shpresë e të ardhmes dhe kjo forcë e së tashmes duhet të lërë mënjanë pasivitetin dhe humbjen e besimit. Rinia duhet të marrin rolin që i takon, atë të motorit social që mundëson ndryshimin e domosdoshëm. Sot rinia shqiptare ka një arsye më shumë për të besuar në një të ardhme të meritua dhe kjo është padyshim Aleanca Kuq e Zi. Simboli dhe forca e kësaj Aleance janë pikërisht të rinj e shkolluar, e edukuar të cilët janë të motivuar të punojnë për vendin dhe qytetarët. Aleanca Kuq e Zi është e hapur për do qytetar të këtij vendi, të cilët ndjehen të dëshpëruar, të mënjanuar, të përbuzur, të shtypur, të lodhur dhe të përjashtuar nga klasa politike 2 vjeçare. Nëse ka ndonjë arsye se pse akoma duhet të ndjehemi krenar, kjo padyshim është të qenit shqiptarë. Ne e duam vendin tonë Shqipërinë, sepse këtu na kanë lindur të parët dhe do të sjellim edhe trashëgimtarët e të ardhmes. Shqipëria, vendi ynë i dashur ka më shumë se kurrë nevojë për çdo bij të tij që të avancojnë ashtu siç e meriton drejt suksesit, progresit dhe demokracisë. Ju bëj thirrje të gjithë të rinjve kudo që ndodhen të vijnë në Shqipëri dhe të punojmë fort së bashku për ta bërë vendin tonë një Zonjë të rënd e të nderuar. Sot Shqipëria më fort se kurrë ka nevojë për ndihmën e bijve të saj. Ajo po pret me padurim erën e ndryshimeve të mëdha politike e sociale. Simboli i kësaj ere padyshim mbetet rinia e cila duhet më në fund të marr në duar fatet e vendit.
Ne, rinia shqiptare sot, jemi një forcë reale që mund t’i diktojmë politikës shqiptare hapat dhe reformat, që duhet të ndërmarr për të gjithë shqiptarët. Ne nuk kemi nevojë që t’i nënshtrohemi politikës shqiptare, por ka ardhur momenti që ajo të na dëgjojë dhe të ndjek vizionet tona për ndryshim. Aleanca Kuq Zi simbolizon uraganin e demokracisë, forcën e ndryshimit dhe dashurinë e madhe për vendin. Ajo simbolizon ngjyrat tona kombëtare dhe krenarinë e të qenit shqiptar.
Rinia shqiptare, sot, ka në dorë fatet e veta dhe të vendit, sepse ka një pasuri të madhe akademike dhe intelektuale, një forcë reale, të gjallë dhe freskët, një dëshirë për bërë ndryshimin, për të gjetur veten në vendin e vlerave dhe të proceseve reale njerëzore. Ajo thjeshtë duhet të ketë një nivel më të lartë bashkëpunimi, si dhe një nivel të lartë besimi për të konkretizuar të gjitha vizionet dhe idetë e saj. Vendi ku ky bashkëpunim dhe ky besim do të bëhen realitet është vetëm Aleanca Kuq  e Zi.

Tuesday, February 21, 2012

E ardhmja është vetëm Aleanca Kuq e Zi


Alban Daci

Në fillim të viteve ’90, pas një periudhe të errët autoritare, le të themi, lindi një shpresë e re për ndryshim. Ajo ishte shpresa e lirisë politike, lirisë ekonomike, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
            Në teori kjo ëndërr e re duhet të lindte nga njerëz të rinj, me vizione të reja, me moral të ri, shpresa të reja dhe guxim të fortë. Pra, me pak fjalë ndryshimi i regjimit nga totalitar në demokratik duhej patjetër të shoqërohej edhe me ndryshim elitash politike, nga elita e vjetër totalitare dhe shtypëse që kishte qenë, në një elitë të re, me vizione të reja të bazuar në idetë liberale.
             Në fillim të viteve ’90 qytetarëve u krijua bindja se më në fund në Shqipëri po lindte një krijese e re, me ide të reja dhe me njerëz të rinj. Ky imazh pozitiv ndoshta erdhi për shkak të vrullit të madh që kishin ngjarjet si dhe për faktin se shqiptarët po përballeshin me fenomene krejt të reja dhe të pa përjetuara më parë.
           Politikanët e asaj periudhe që u prezantuan si të rinj, jo vetëm nuk ishin të tillë, por ishin pjesë e asaj periudhe të vjetër totalitare që kishte ndëshkuar për vite me radhë çdo shqiptar. Premtimet e tyre fillestare ishin për një Shqipëri të lirë, të zhvilluar, transparente, dhe të integruar në organizmat e Europës Perëndimore.
          Premtimet e tyre dështuan shumë shpejt dhe ata me kalimin e kohës dëshmuan se i përkisnin të kaluarës dhe nuk mund të jepnin asnjë besim apo kontribut për të renë. Shqipëria ashtu si edhe disa vende të tjera të Europës Lindore, nuk u shkëput dot nga e kaluara e saj. Kjo ndodhi për faktin, se ura që lidhte të kaluarën me të tashmen, pa bërë shumë dallime ishte e ndërtuar nga të njëjtët aktorë politikë që kishin ndryshuar vetëm fytyrën, por jo mendjen. Kjo mendësi e vjetër, por me një fytyrë të re ka vazhduar me vite me radhë duke mos ndryshuar as edhe sot.

Problemet kryesore që ka politika shqiptare janë:

·              Nuk arrin të shkëputet nga e kaluara. Kjo ndodh për faktin se janë të njëjtat elita  që mendojnë po njëlloj duke mos ofruar asgjë të re.
·              Largimi dhe dinstancimi i saj nga qytetarët dhe nga jeta e tyre. Politika shqiptare është si një alien në planetin tokë. Mjafton të analizojmë faktin se si Kryeministri na gënjen me sy hapur duke mbuluar diellin me shoshë, kur pohon se Shqipëria ka një rritje prej 18%. Kjo shifër nuk është aspak e vërtetë. Mjafton të krahasojnë të dhënat e FMN-së dhe ato të qeverisë për të kuptuar se është një farsë. Gjithashtu, edhe sikur të jetë e vërtetë, kur terreni i jetës reale nuk e konfirmon, nuk është një shifër e kënaqshme duke pasur parasysh resurset humane dhe pasuritë që posedon ky vend. 
·              Demokracia mbetet një trup i huaj tek mendjet e politikanëve shqiptarë. Kjo ndodh për faktin se një pjesë nuk e kanë jetuar drejtpërdrejt këtë fenomen. Pra, kjo lidhet me problemin e parë. Shumë politikanë shqiptarë nuk kanë pasur asnjë eksperiencë jetësore në Botën Perëndimore. 
·          Politikanët shqiptarë e kanë të vështirë gjetjen e konsensusit. Kjo ndodh për faktin se ato e kuptojnë politikën jo si betejë mendimi dhe alternativash, por si një betejë gladiatorësh, ku luftohet për jetë a vdekje. Politikanët shqiptarë nuk e kuptojnë politikën si arti i të mundshëm për të mirën e të gjithëve, por si aktin e të mundshmesh vetëm për interesat e tyre personale. Politika duhet të kuptohet si marrëveshje që ka për qëllim ruajtjen e shtetit, pa kompatesën, soliditetin, paqen e brendshme, bashkëpunimin mes qytetarëve dhe institucioneve, ruajtjen dhe zbatimin e ligjeve, besimin tek institucionet, stabilitetin e Shtetit në kompleksitetin e tij dhe në veçanti të qytetarëve. Pra, atë që Makiaveli e quan “E mira e Shtetit”. Përmes kujt arrihet kjo? Vetëm përmes konsensusit. Në Shqipëri në 20 vite kemi pasur gjithmonë mungesë konsensusi mes forcave politike.  
·         Lidhjet klanore, tribale dhe mafioze janë aq shumë të forta, sa diktojnë çdo aksion politik. Çdo do të thotë kjo? Aleancat politike shoqërohen nga marrëveshje dhe betime vëllazërie duke i shndërruar ato të shenjta dhe funksionale pa pasur parasysh faktin nëse janë në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. Shumë koalicione në vend nuk bëhen, sepse kanë platformat më të mira dhe numrat e nevojshëm për të qeverisur mirë vendin, por sepse përmes tyre mund të arrijnë pushtetin politik, ekonomik dhe prestigjin e karrierës. Nuk mungojnë rastet, kur koalicione fillestare politike shoqëron me kalimin e kohës në martesa, në afera ekonomike dhe në miqësia farefisnore. 
·          Politikanët nuk arrin të shkëputen nga militanca dhe dhuna. Politika shqiptare akoma është në fazën revolucionare e stilit partizan. Në politikën shqiptare duke u nisur që nga masa deri tek elita drejtuese është shumë i pranishëm fenomeni i injorancës, të qytetarit që vetëm bindet dhe nuk analizon kurrë me mendjen e tij. Pra, qytetarët në shumicën e kohës janë thjeshtë ushtarë të mirë të politikës shqiptare. Kjo lidhje e politikës me injorancën dhe militantizmin, bën që fenomeni i dhunës jo vetëm të jetë i pranishëm, por edhe stili i vetëm organizues për të arritur tek pushteti. 
·         Problem tjetër i madh lidhet me moralitetin. Edhe pse etika dhe moraliteti  janë çështje shumë të diskutueshme që nga themeli i shtetit modern ato janë shumë të rëndësishme për realizimin e një politike të shëndosh. Politika shqiptare sidomos në këto 20 vite ka dëshmuar që nuk ka asgjë morale. 
·         Lidhja e përjetshme me pushtetin. Politikanët shqiptarë e kanë kuptuar lidhjen me politikën si diçka të përjetshme. Elitat aktuale politike kanë filluar të besojnë se ato janë faraonët e kohëve moderne. Mendojnë dhe besojnë se janë të zgjedhur nga hyjnitë për të qeverisur dhe drejtuar deri në vdekje. Kjo lidhje e trishtueshme dhe autoritare, ka bërë që të mos ketë alternim figurash dhe për rrjedhojë të mos funksionoi edhe demokracia. Teoria e liberalizmit ka si bazë alternonim dhe evolucionit për të realizuar demokracinë liberale. Në 20 vite tranzicion asnjëra nga ato të dyja nuk kanë ndodhur. 
·         Problemi tjetër lidhet me faktin se politika e brendshme në momente të caktuara dhe të rëndësishme nuk i jep precedencë politikë së jashtme. Shembull konkret dhe tipik i kësaj është ngërçi i vazhdueshëm i politikës shqiptare që ka bllokuar procesin e integrimit të vendit në BE.  

Këto probleme të rreshtuara me lartë që çdo qytetar i ka përjetuar drejtpërdrejt në këto 20 vite dëshmon më së mirë faktin se politika aktuale është e dështuar dhe se vazhdimësia e saj është humbje kohe për vendin dhe qytetarët. Ka ardhur koha të ndryshojmë mendësitë tona, mënyrën e të bërit politikë si dhe të kthejmë vëmendjen tonë kundrejt qytetarëve. Që kjo të ndodh duhet të ndodh ndryshimi i elitës politike. Ky ndryshim mund të realizohet përmes besimit të përbashkët se meritojmë të qeverisemi ndryshe në mënyrë të moralshme, të ndershme e transparente si dhe përmes përdorimit të demokracisë për të dërguar në shpi të papërgjegjshmit që në këto 20 vite na kanë qeverisur, por që  nuk na kanë përfaqësuar dhe për të frymëzuar një elitë të re me plot energji, pasion dhe obligim për të përfaqësuar të mirën e përbashkët. 20 vitet e tranzicionit të stërzgjatur janë dëshmia e gjallë dhe reale se kjo elitë politike nuk meriton më të na qeveris apo të na udhëheq në sfidat dhe aspiratat e të ardhmes. Kohën e patën në dorën e tyre për ta shfrytëzuar në shërbim të mirës së përbashkët të qytetarëve dhe të vendit. Ato nuk e bënë një gjë të tillë, sepse nuk erdhën me një frymëzim dhe obligim për ta bërë, por erdhën me mendësinë se qytetarët janë ‘turmë’ dhe mund të bëjmë ç’të duam me ta.  Sot Shqipëria dhe shqiptarët kanë përballë sfida shumë të rëndësishme,  ku padyshim më e rëndësishmja mbetet ajo e Integrimit Europian. Elita aktuale politike e vjetruar në mendime dhe e dalë boje në aksione ka dëshmuar dhe po dëshmon çdo ditë që kalon se nuk është në gjendje ta Integrojë vendin në BE. Elita aktuale është e dështuar, sepse përfaqëson një politikë të dështuar. Një politikë e dështuar simbolizon një qeverisje të dështuar. Qeverisja e dyshuar është simbol i regresit dhe jo i Integrimit. Ndoshta duhet të reflektojmë?! Ndoshta duhet t’i them ndal?! Ndoshta duhet të reflektojmë më mirë dhe të veprojmë ndryshe?! Ndoshta duhet të rilindim ne qytetarët bashkë me një politikë të re që nuk duhet të jetë një vazhdimësi e aktuales?! Ndoshta! Ndoshta! Ndoshta! E ardhmja është e jona dhe ajo po na pre. E ardhmja është vetëm Aleanca Kuq e Zi, e cila lind nga gjiri i çdo qytetari si e vetmja shpresë për të fituar dinjitetin e merituar, për  të përfituar identitetin kombëtar si një ndër popujt më të lashtë të Europës (një arsye më shumë se pse duhet të bëhemi edhe pjesë e BE), për të rifituar demokracinë. Aleanca Kuq e Zi nuk është e kaluara e hidhur politike, por ajo është e tashmja dhe ardhmja e çdo qytetari dhe e vet kombit. Në shqiptarët meritojmë të jemi të integruar dhe të barabartë me vendet e tjera të BE, meritojmë të jemi të zhvilluar dhe modern, meritojmë te jemi të lumtur, meritojmë të qeverisemi mirë e përgjegjshmëri qytetare.  Ne duam dhe meritojmë të jem Kuq e Zi, sepse këto janë ngjyrat që kanë simbolizuar historinë tonë kombëtar dhe faktin e të qenit shqiptar. Ne nuk meritojmë të kemi këtë elitë politike aktuale të pamoralshme dhe të papërgjeshme. E ardhmja jonë është Kuq e Zi në familjen e madhe europian, me dinjitet, demokraci e progres.

Sunday, February 19, 2012

Aleanca Kuq e Zi mbështetet në vlerat demokratike të SHBA

  Aleanca Kuq e Zi ka pretendime politike dhe sociale të cilat janë të gjitha të pranishme dhe shumë të suksesshme edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë bërë të mundur funksionimin e demokracisë të mbështetur jo vetëm në Liri, por edhe në Barazi. 

Alban Daci 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në shumë pika me të njëjtën linjë me AK. Për shembull janë në të njëjtën linjë me principin e Vetëvendosjes. Nuk duhet ta harrojmë se ky princip është krijuar dhe mbrojtur nga Shtetet e Bashkuar. Fill pas mbarimit të Luftës i Botërore presidenti Willson bëri të njohur vizionin e tij për vetëvendosjen e popujve. Sipas këtij parimin Popujt kishin të drejtë të vendosnin për fatin e tyre dhe lirshëm të zgjedhin zhvillimin ekonomik, regjimin politik dhe kulturor. Në të njëjtën pikë me AK janë SHBA në lidhje me luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni është parë si një ndër këqijat më të mëdha. Lufta e tij bëhet përmes sistemit të kontrollit dhe ekuilibrave të pushtetit. Pikë tjetër e përbashkët e SHBA-ve me AK është limitimi i mandateve. AK me të drejtë i ka cilësuar politikanët shqiptar si Sulltanët e kohëve moderne. Nuk i ka quajtur thjeshtë diktator, sepse ato nuk kanë krijuar vetëm një model të përjetshëm të politikës me pushtetin, por edhe një model sulltanor qeverisje. Amerika u krijuar si simbol i lirisë. AK dëshiron ta bëj Shqipëri simbolin e Lirisë dhe të demokracisë në Rajon. Amerikanëve u ishte mohuar liria nga mbretërit despotik në vendet europiane nga ku ato ishin larguar. Pra, urrejtja më e madhe që kishin kolonët e Amerikës ishte kundrejt mbretërve të tyre mizor dhe abuzimit që ata bënin me pushtetin. Prandaj, motoja e tyre ishte nuk ka taksa pa përfaqësim. Në Shqipëri kemi pak a shumë të njëjtën situatë që kishte Europa në fazën, kur u krijuan Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Shqiptarët sot janë të qeverisur, por të përfaqësuar. Amerika është vendi, ku demokracia nuk u bë vetëm ideal, por edhe u vu në zbatim përmes përmes kushtetutës e cila është ligji themelor i atij vendi. Padyshim një ndër studiuesit më të mirë të shoqërisë amerikane dhe të demokracisë mbetet Tocqueville, cili ishte një ndër mendimtarët më të mëdhenj liberal-demokrat të Tetëqindtës. Ai si Sociolog, historian dhe politolog padyshim shkruan një ndër veprat më të mëdha të titulluar Demokracia në Amerikë. Ideja për të shkruar këtë vepër i lindi gjatë një udhëtimi që ai realizoi në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, veprat e tij lindi edhe nga eksperienca e madhe që ai kishte me impenjimin e tij personal e të drejtpërdrejt në politik. Tocqueville e përshkruar Amerikën si barazia e madhe dhe mobilizimi i rëndësishëm social, si vendi me progres të madh kulturor, si vendi ku besimi mbështetej tek “njeriu i përbashkët”. Të gjithë këto element sipas tij shoqëroheshin me barazi politike dhe me garanci të mëdha për qytetarët, me decentralizimin administrativ, me pavarësinë e pushteteve sidomos me pushtetin e drejtësisë (gjykatësit zgjidheshin nga populli me juri popullore), me liri të shtypit. Tocqueville evidenton se demokracia sociale (ku mbizotëron meritokracia, barazia e oportuniteteve dhe jo ajo e kushteve ekonomike,) duhet patjetër të gjejë mbështetje tek demokracia politike e cila duhet jo vetëm t’i njoh këto liri, por edhe duhet t’i mbrojë. Ai ekuilibri delikat mes barazisë, lirisë dhe demokracisë që në atë kohë konsiderohej thuajse i pamundur, për Tocqueville ekzistonte vetëm tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mjafton të analizojmë vetëm Tocqueville i cili e ka analizuar shoqërinë amerikane dhe demokracinë amerikane në hapat e para të Shteteve të Bashkuara për të kuptuar që edhe pse kanë kaluar dekada të tëra, ne sot nuk mund të krahasohemi as me Shtetet e Bashkuar të Amerikës gjatë periudhës së fundit të dytë të Tetëqindtës. Sot në Shqipëri nuk ka as demokraci sociale e as demokraci politike. Nuk respektohet aspak meritokracia (kusht i rëndësishëm edhe për Integrimin Europian), nuk respektohet barazia e oportuniteteve. Gjithashtu nuk ekziston as demokracia politike, sepse politika dhe pushteti në Shqipërinë kanë një lidhje thuajse hyjnore dhe të përjetshme. Nuk ka alternim figurash, nuk ka garanci për zgjedhje të lira, nuk ka garanci kufizim mandatesh, nuk ekziston kultura e dorëheqjes. Demokracia Amerikane është pasqyra përmes të cilës ne shqiptarët duhet të lexojmë të ardhmen tonë. Demokracia Amerikane dhe ajo e përshkruar nga Tocqueville nuk i referohet vetëm Lirisë, si diçka unike dhe të vetme për të garantuar një qeverisje të mirë mbi qytetarët dhe për qytetarët, por edhe barazisë. Në Shqipëri kemi publicitete për lirinë, por nuk kemi një barazi që është garantë për funksionimin e saj. Shqipëria e sotme është e ndarë në klasa dhe në kasta. Normalisht edhe demokracitë kanë ndarjen në klasa të shoqërisë, por kjo ndarje nuk është e përjetshme dhe trashëguar. Mjafton të marrin rastin e klasës politike shqiptare e cila është një klasë e përjetshme e bazuar në trashëgimi. Në këtë vend thuajse askush tjetër nuk ka të drejtë dhe mundësi të jetë pjesë e kësaj klase. Ajo është një rreth vizion i shoqëruar vetëm me kohezion të brendshëm i cili disa herë është realë dhe shumë herë është fals. Për Tocqueville demokracia nuk vjen nga hiçi. Ajo vjen nga evolucioni historik, social dhe kulturor. Në shumicën e rasteve evolucionet vijnë gradualisht dhe natyrshëm. Ndërsa në disa raste duhet të ketë një shkëndi (një rrymë diturie e intelektuale) që evolucioni demokratik të ndodh. E kam fjalën për Shqipërinë. Në 20 vite tranzicion ky evolucion demokratik nuk ndodhi. Tashmë ai ka shpresa të ndodh, sepse kemi shkëndijën e re, Aleancën Kuq e Zi, e cila është një aleancë intelektuale, një energji e re rinore dhe një vizion i përbashkët i gjithë qytetarëve. Aleanca Kuq e Zi ka pretendime politike dhe sociale të cilat janë të gjitha të pranishme dhe shumë të suksesshme edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë bërë të mundur funksionimin e demokracisë të mbështetur jo vetëm në Liri, por edhe në Barazi.

Friday, February 17, 2012

Lumturia, Kombi dhe shqiptarët sot


Alban Daci

Çfarë na bën të lumtur?! Shumë do thoshin me të drejtë që nuk është e mundur t’i përgjigjen të gjithë së bashku me të njëjtin stil kësaj pyetje, sepse secili ka një vizion personal për lumturinë.
Disa të tjerët do të thoshin se lumturia nuk ekziston, që është një term pa përmbajtje identifikuese. Ndërsa disa të tjerë e pranojnë ekzistencën e saj duke e identifikuar atë me suksesin, kënaqësinë, pasurinë, me zbulimin dhe me mposhtjen e sfidave që duhet të përballim gjatë udhëtimit jetësor. Dikush tjetër që është i magjepsur fort pas moralit do e gjej atë tek një sjellje virtuoze.
Një person besimtar nuk do të përdorte mirëfilltë fjalën lumturi, por do të thoshte se: bëj një jetë në harmoni me vullnetin e Zotit. Një tjetër do të thoshte me shaka, se lumturinë e gjej kur në dimër pi një tas me çaj brenda një ambienti të ngrohtë dhe jashtë bën shumë ftohtë.
Të gjithë së bashku, kur përjetojnë një moment lumturie e kanë të vështirë ta përshkruajnë atë me fjalë: dikush do ta shprehte me një aktivitet lumturie, si për shembull duke kërcyer, kënduar, duke manifestuar sjelljet e tij për të treguar se është gjallë. Lumturia është mundur për këdo që ndodhet në gjendjen e një lirie të brendshme. Ajo është një përfitim dhe një çmim personal. Askush nuk mund të jetë i detyruar të jetë i lumtur, ajo varet nga zgjedhjet dhe nga dëshirat e çdo kujt për arritur një gjendje të tillë.
Gjithashtu, të gjithë janë dakord se: mjerimi, sëmundjet, luftërat dhe shumë të këqija që godasin njerëzimin nuk ndihmojnë të jetosh në alegori. Mendoj, se përderisa lumturia është një fenomen i brendshëm që përjetohet thellë nga koshenca jonë, vullneti ynë duhet dhe mund të kaloj/sfidoj faktorët e jashtëm që e pengojnë realizimin e saj.
Çdo të thotë «lumturi»? fjalorin italian e shpjegon si një gjendje me plotë vlerësim; në një kuptim të dytë, si oportunitet (për shembull lumturia e një ideje); ose si sinonim të kënaqësisë. Lumturia italiane rrjedh nga lumturia latine felicitas që është fjalë felix, që do të thotë «pjellor, pjellori», me të njëjtën rrënjë të fecundus, pra «pjellori».
Në çfarë konsiston lumturia? Disa deklarojnë të bindur se ajo nuk ekziston. Për një psikiatër amerikan ajo është një kusht imagjinar, që në të kaluarën të gjallët ua dedikonin të vdekurve dhe që tani të rriturit ua dedikojnë fëmijëve. Ndërsa eksperienca evropiane është e ndryshme nga ajo amerikane. Mund të takojmë persona që me të vërtetë e kanë përjetuar lumturinë dhe këto persona është e drejtë t’i thërrasim të lumtur, qofshin të rritur apo fëmijë.
Pas kësaj paranteze me karakter të përgjithshëm është interesante ta kërkojmë lumturinë tek shqiptarët, a ekziston ajo tek ata, nëse po kur dhe si mund të ketë evoluar? Patjetër që lumturia ekziston edhe tek shqiptarët, por me ndryshim me shoqëritë e tjera, shoqëria jonë është plotësisht homogjene dhe duke qenë e tillë mendoj se është ndër të paktat shoqëri në Botë, ku mund të identifikohet jo vetëm lumturia personale por edhe lumturia kolektive e përbashkët e përjetuar nga të gjithë së bashku me të njëjtin stil në një moment të caktuar.
Shoqëria shqiptare është shumë kompakte, sepse i ka rezistuar asimilimit dhe ka ruajtur origjinalitetin e saj. Kjo ka bërë që mënyra e të munduarit, të përjetuarit të jetë e njëjtë pa dallim në gjithë shoqërinë tonë. Kjo ka ndodhur edhe për faktin se shoqëria jonë është sulmuar barbarisht ndër shekuj nga shoqëritë e huaja që kanë dashur ta gllabërojnë dhe ta asimilojnë atë, për këtë arsye të gjithë anëtarët e shoqërisë tonë për të përballuar këto sulme kanë qenë të detyruara të qëndrojnë kompakt duke u sjellë si një trup i vetëm përballë së huajës.
Për këtë arsye është e vështirë të shënojmë në shoqërinë tonë kufirin mes lumturisë personale dhe asaj kolektive, sepse fati ose pjelloria e çdo kujt ishte/është në të njëjtën kohë fati dhe pjelloria e të gjithëve. Për shembull, kur në një familje shqiptare lindte një djalë, ky çast ishte një moment lumturie për këtë familje që e shprehte duke dalë në dritare dhe gjuajtur me pushkë si shenjë gëzimi dhe pjellorie duke garantuar se kjo familje do të vazhdoj të ekzistoj, sepse tashmë ajo e ka trashëgimtarin e saj.
Lindja e fëmijës ishte edhe një lumturi kolektive për gjithë shoqërinë tonë, sepse Shqipëria do të kishte një ushtar më shumë që do të luftonte kundër pushtuesve të huaj. Kjo lloj lumturie ka pësuar evoluim, sepse tashmë në ditë e sotme nuk mund të shtihet më me pushkë (mbajtja e armës pa leje dënohet me ligj), por ajo përsa i përket shprehjes së emocioneve mbetet e njëjtë, sepse shoqërohet me sjellje konkrete që shprehin një situatë të tillë si: për shembull organizimi i një darke, ku ftohen njerëzit më të dashur, nuk shtihet më me pushkë, por hidhen fishekzjarrë, ngritja e një dollie shampanje, e cila më parë nuk ekzistonte dhe vendin e saj e zinte rakia.
Lindja e një fëmije edhe në ditët e sotme, ku shoqëria është gjithmonë më globale përbën përsëri edhe një lumturi kolektive, sepse nëse shoqëria shqiptare shtohet qoftë edhe vetëm me një anëtar të ri do të thotë se: ajo ka një përqindje më të madhe njerëzore për të sfiduar proceset që lidhen me globalizimin.
Gjithashtu, dje një prindër shqiptar lumturohej, kur çonte djalin e tij ushtar, sepse ishte i bindur se djali i tij ishte burrëruar dhe mund të ishte një krah i fortë për të përballuar tashmë jetën bashkë dhe jo vetëm si më parë. Ndërsa, sot shumë prindër lumturohen kur djemtë/vajzat e tyre diplomohen duke përfunduar studimet universitare. Kjo lumturi është përsëri personale dhe kolektive, sepse nuk është i lumtur vetëm protagonisti që përjeton drejtpërdrejt atë moment, por edhe prindërit, të afërmit dhe Shqipëria, sepse kemi një përqindje më të madhe me kapacitete intelektual që mund forcoj pozicionin e Shqipërisë në nivelin ndërkombëtar.
Sot, një fëmijë shqiptar lumturohet, kur shijon një akullore dhe këtë çast e shpreh duke kërcyer, ndërsa një fëmijë i dy brezave më parë kishte të njëjtën lumturi, kur hante një misër të zier dhe këtë gëzim e shprehte po duke kërcyer në oborrin e pa shtruar të një shtëpie fshati. Megjithatë, pavarësisht për nga vlera materiale, nga ky shembull vihet re se në çdo kohë lumturia ka të njëjtin nivel kënaqësie dhe shprehet po me të njëjtën mënyrë. Kjo ndodh, sepse siç thamë më sipër ajo është pjesë e një situate të brendshme.
Gjithashtu, edhe lumturia kolektive e shqiptarëve është e njëjtë për çdo periudhë kohore, sepse ajo përfaqëson interesat vitale të secilit nga ne në shoqërinë tonë. Ne, jemi një shoqëri, ku ndër shekuj e kemi konsideruar Shqipërinë, si një vend, ku ne identifikohemi më të dhe ajo identifikohet me të gjithë ne. Pra çdo shqiptarë është Shqipëria dhe Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve. Skënderbeu me patriotët e tij dhe popullin shqiptar të asaj periudhe ishin të lumtur, kur shpartallonin në betejë turqit, Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë të periudhës së tij ishin shumë të lumtur, kur në Vlorë ngritën flamurin kombëtar dhe shpallën pavarësinë e Shqipërisë.
Gjithashtu edhe ne, në ditët e sotme u emocionuam dhe u lumturuam, kur pamë të ngrihej flamuri jonë historik në Selinë kryesore të NATO-s. Në këtë momente historike, lumturinë kolektive pavarësisht nga koha dhe momenti e kemi përjetuar me të njëjtën mënyrë, sepse në çdo moment ka pasur të njëjtën rëndësi, identifikimin e personales me kolektiven dhe kolektivja nuk mund të përfaqësohej pa interesat e se cilit, që në rastet tona konkrete ka qenë, krenaria e kombit, mbijetesa e tij, integrimit i tij, prosperiteti i tij. Përderisa, Kombi nuk është vetëm një person, por një populli i tërë që identifikohet me të, atëherë ai përmban brenda tij lumturinë dhe emocionet e secilit nga ne.
Siç thamë më sipër lumturia përfaqëson një ide si dhe suksesin e saj. Kjo është e vërtetë, sepse mjafton të rikujtojmë momentet, kur në vitet 90 në Shqipëri fitoi ideja demokratike e cila garantoi suksesin e shoqërisë pluraliste shqiptare. Po të pyesim protagonistët e kësaj ideje se ai shin të lumtur, kur përjetuan suksesin e saj? Unë, jam i sigurt se të gjithë me një zë do të përgjigjeshin me nostalgji se nuk kanë përjetuar momente më të lumtura në jetën e tyre se ai çast magjik. Besoj, se nuk ka pasur lumturi më të madhe për të ndjerin Pjetër Arbënori, se sa momenti që përjetoi demokracinë me sytë e tij duke fituar lirën që regjimi i kishte mohuar. Ai moment përbënte një lumturi të jashtëzakonshme për të gjithë “Arbënorët” e viteve 90-të, sepse gjithë jetën e tyre e kishin sakrifikuar për ëndrrën që gjithmonë kishin ëndërruar, të qenit i lirë dhe i respektuar për mënyrën e të jetuarit dhe të menduarit. Përsëri, lumturia e Arbënorit ishte një lumturi kolektive, sepse jo vetëm ai, por të gjithë shqiptarët fituan lirinë. Pra, kur idetë janë si demokracia që parashikon fatin dhe të drejtat e çdo kujt, suksese i saj nuk mund të jetë personal, por i përgjithshëm, sepse demokracia është një lëvizje që mbështet tek të gjithë dhe i trajton të drejtat e secilit në mënyrë të barabartë. Suksesi i një ideje të tillë personifikon suksesin e një Kombi të tërë, ku anëtarët e saj janë qytetarët.
Lumturia, është edhe një formë harmonie mes çdo anëtari të një shoqërie dhe vetës së tij. Kjo ndihmon që edhe ato anëtarë që janë në gjendje të kenë mundësinë për të ushtruar dhe përfituar pushtet në shoqërinë e tyre të jenë pozitiv edhe për lumturinë e të tjerëve. Kur një person falë lumturisë është në harmoni me vetën e tij, ai është në gjendje të krijoi dhe të garantoi lumturi edhe për personat e tjerë. Për shembull, në shekujt kur skllavëria ishte e legjitimuar nuk ka pasur pak pronar që i lironin spontanisht skllevërit e tyre. Ndërsa, sot ajo edhe pse është e ndalur me ligj, praktikohet në një shkallë të gjerë në shumë pjesë të botës që kanë si subjekt më të dobëtit, gratë, fëmijët.
Pra, nuk ka forcë më të madhe se lumturia që gëzon si individin dhe kolektivin, ku ai është anëtar. Lumturia nuk është një pjatë që mund të shërbehet, sepse atëherë mjafton të shkojmë në një restorant që ta porosisim dhe brenda pak minutash shefi i kuzhinës do e bënte gati për të na e servirur kamerieri. Lumturia, bën pjesë tek të drejtat e njeriut, dhe si e tillë çdo anëtarë apo edhe vetë shoqëria e ka të drejtë ta garantoj atë edhe nëse ekziston.
Pra, lumturia përfitohet dhe nuk mund të presësh të jetë e dhuruar. Megjithatë, duke marrë si shembull Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, mendoj se Lumturia duhet të integrohet si fjalë në kushtetutën tonë, sepse vetëm atëherë nuk do të guxonte askush ta mohonte atë. Një hap i tillë, nuk e krijon atë, sepse ajo krijohet nga çastet e jetës të çdo qytetari, por e promovon dhe e mbron atë në nivel të përgjithshëm shoqëror. Një qytetar i lumtur do të thotë se shton lumturinë në familje, një familje e lumtur ndihmon që Kombi të jetë i lumtur dhe një Komb i lumtur do të thotë se ai do të ndihmoj për një rend ndërkombëtar me më shumë lumturi dhe më me pak luftëra.
Nëse bëjmë pyetjen se ku mund ta gjejnë sot shqiptarët lumturinë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje do ju tregoj një histori të shkurtër tibetiane: një djalosh kishte marr një udhëtim për të gjetur sekretin e jetës. Nuk le vend pa shkelur dhe pa vizituar, por sekretin e jetës nuk po e gjente dot. Pas shumë kilometrash diku në një mal takon një të moshuar që jetonte vetëm. Djaloshi sapo takon të moshuarin i shkon ndërmend ta pyes se ku mund ta gjente sekretin e jetës? Plaku i thotë se: duhet të kalosh nga ana tjetër e kontinentit dhe do të arrish në një pyll, ku nuk depërton asnjëherë drita e diellit dhe aty do të takosh një korb të zi që do të jap përgjigjen që kërkon. Ai kalon lugina, shkretëtira, akullnaja, male dhe pas gjithë këtij mundimi dhe kohës që kishte kaluar tashmë nuk ishte djalosh si në fillim. Pasi i shteruan të gjitha energjitë i sfilitur përfundon në këmbët e një peme të një pylli të dendur, ku me shumë vështirësi disa rreze dielli arritën të depërtonin mbi kokën e tij. Nga rrezet e diellit ngre kokën sipër dhe në një degë shikon korbin e zi që me sqepin e tij po pastrohej. Menjëherë iu kujtua ajo që i kishte plaku. Nuk nguron dhe pyet korbin duke gërthitur: “Korb i vjetër! Korb i vjetër!. Zogu shikon poshtë. Më thuaj kush është sekreti i jetës? Kërkoje vetë i thotë Korbi dhe pastaj largohet duke fluturuar. Ky ishte sekreti i jetës. Historia mund të tregohet njëlloj edhe për sekretin e lumturisë. Është një sekret që secili duhet ta gjej tek forcat e tij. Kjo është bukuria dhe misteri i saj. Ajo është një eksperiencë e hapur për të gjithë shqiptarët. Lumturia prezanton për ne avantazhe të mëdha respektivisht me aktivitet e tjera njerëzore: nuk sjell mjete të veçanta ekonomike, nuk presupozon një gradë të caktuar arsimimi, nuk kërkon miqësi të fuqishme. Ajo gjendet tek forcat e secilit nga ne dhe forca jonë e përbashkët mund të ndërtoj Kombin e lumtur. Nëse në i bashkojmë forcat tona për lumturinë, atëherë lumturia do të jetë pjesë e suksesit tonë. Kombi ka nevojë për kontributin e secilit që të kalojë sfidat kohës. Nëse ne nuk mbrojmë identitetin tonë kombëtar atëherë nuk kemi mbrojtur as të drejtën tonë legjitime për të kërkuar dhe përjetuar lumturinë. Nuk mund të ketë lumturi kombëtare, kur ajo drejtohet nga njerëz që nuk vlerësojnë kombin as si identitet kombëtar e as si vlerë të shtuar sociale. Nuk mund të ketë lumturi nëse ka më shumë korrupsion. Korrupsioni është vrasës i lumturisë dhe i të ardhmes të vetë Kombit dhe të qytetarëve të tij që janë elementët kryesore që e ndërtojnë dhe e ushqejnë atë. Politika që nga Greqia e lashtë ka qenë simbol i të mirës kolektive dhe të lumturisë së përbashkët. Forma më e mirë e realizimit të lumturisë ka qenë padyshim demokracia. Pra, ka lumturi ose premisa për të nëse ka një demokraci të plotë dhe funksionale. Në një vend si ynë nuk ka lumturi, sepse politika aktuale nuk ka si qëllim as të mirën e përbashkët dhe në të njëjtën kohë as edhe lumturi. Lumturia është e shenjtë dhe bën pjesë tek të drejtat e cdo qytetari, ajo simbolizon gjendjen shpirtërore të një kombi  dhe statusin e tij social. Shqiptarët aktual nuk e kanë lumturinë, sepse ajo është mbushur me papunësi, nepotizëm, korrupsion. Megjithatë, shqiptarët nuk e kanë humbur guximin dhe shpresën për ta  rigjetur lumturinë. Shqiptarët e kanë përjetuar dëshpërimin deri aty ku nuk mban më dhe për këtë arsye ato po bëjnë dhe do të bëjnë gjithçka për të rigjetur lumturinë e humbur. Rruga e parë për ta rigjetur lumturinë është të dërgojnë në shpi këtë politika të papërgjegjshme. Shqiptarët duhet të besojnë tek alternativat e reja, të cilat nuk kanë lidhje me të kaluarën e tyre dëshpëruese. Sot po lindin alternativa të reja politike që kanë në plan të parë kombin, identitetin kombëtar, krenarin e të qenit shqiptar. Për këto arsye ato janë edhe shpresa për të rigjetur lumturinë e humbur me pa të drejtë tek çdo qytetarë shqiptar.  Nëse ne shqiptarët nuk besojmë tek kombi dhe tek vlerat e tij do të thotë se nuk besojmë as tek lumturia jonë individuale apo kolektive. Nuk ka qytetar të lumtur pa një komb krenar. Nuk mund të ketë krenari nëse nuk jemi të lumtur dhe kombëtar. Sot po lind  një forcë e re politike e cila simbolizon këto tre elementë që janë jetik për të ardhmen tonë. Duhet t’i besojmë asaj, sepse ajo do të jetë e ardhmja që kemi merituar por nuk e kemi pasur për shkak të një politike të papërgjegjshme dhe antikombëtare.