Friday, September 16, 2011

Vlerat dhe antivlerat


Alban Daci


Shumë të rinj vazhdojnë të zgjedhin Perëndimin për të bërë studimet e larta universitare, në kërkim të vlerave të vërteta të demokracisë, lirisë, barazisë dhe meritës. Në dekadën e fundit numri i të rinjve që zgjedhin shkollimin jashtë është gjithmonë e në rritje. Kjo mendoj se ka ndodhur dhe po ndodh për disa arsye:
Së pari, të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të humbin gjithmonë e më shumë besimin tek universitetet shqiptare, sepse mendojnë se kriteret kryesore informate, si: merita, cilësia e mësimdhënies dhe mundësia për një formim të mirë akademik po bëhen gjithnjë e më të paralizuara.
Së dyti, të rinjtë shqiptarë e shikojnë kryerjen e studimeve jashtë vendit jo vetëm në marrjen e një informacioni të nivelit të lartë akademik, por edhe si mundësi për të eksploruar kultura të tjera dhe për të pasur mundësi punësimi me standarde perëndimore si në kushte dhe në pagesa.
Zëri i këtyre të rinjve që kanë zgjedhur universitetet e huaja ka filluar të dëgjohet në Shqipëri, falë artikujve që na paraqesin në bashkëpunim me shtypin e shkruar shqiptar. Megjithatë, zëri i tyre dëgjohet vetëm nga intelektualët dhe populli i thjeshtë, por që bie në vesh të shurdhër, kur bëhet fjalë për mjediset e politikës shqiptare dhe për sallonet e shtetit shqiptar.
Shteti shqiptar, me organizmat e tij institucional, për të bërë pakës publicitet se ne po ndryshojmë dhe se këto ndryshime vinë nga forcat e reja në energji dhe njohuri, ka paraqitur disa projekte apo ide për kthimin dhe punësimin e të rinjve që kanë kryer studimet të cilat thjeshtë kanë mbetur si të tilla.
Mendoj se disa realitete pushteti këtu në Shqipëri kanë frikë nga forca dhe energjia e të rinjve që kanë studiuar jashtë, sepse ato janë formuar dhe shkolluar në vende me demokraci të vërtetë dhe jo në vende, ku injoranca mund të mbizotëroj mbi diturinë, ku korrupsioni është më i fortë se merita, ku hipokrizia është me e fortë se ndershmëria dhe korrektësia.
Kam dëgjuar se edhe disa të rinj që morën guximin për t’u kthyer për gjithmonë në Shqipëri pasi kishin kryer studimet, akoma pa sistemuar mirë valixhet e tyre, u larguan përsëri, sepse nuk kishin miq të fortë që të zinin një vend pune, edhe pse përsa u përket kritereve informale e meritonin plotësisht. Një pjesë e mirë e tyre, edhe përse nuk kishin pasur asnjë lloj lidhje personale dhe familjare me regjimin e kaluar, u larguar nga vendet e punës me pretekstin se na qenkan komunistë. Këto largime u fshehën në maskën e reformës në administratën publike, e cila, në të vërtetë, ishte një kthim mbrapa, sepse u larguan specialistët e vërtetë, njerëzit e kualifikuar në universitetet më të mira të Perëndimit dhe u rikthyen komunistët e regjimit enverist, militantët e rrugës, halabakët e bareve dhe njerëzit e pakualifikuar.
Shqipëria, është ndër vendet më të pakta të demokracive perëndimore, ku rinia nuk ka asnjë lloj roli në vendimmarrje, si dhe nuk përbën forcën rinovuese të vendit, po përkundrazi i jepet mandati i largimit njëherë e përgjithmonë. Këta studentë, që kanë marrë vetëm vlerësime pozitive, ku kanë studiuar dhe janë vlerësuar si njerëz me vlera të larta intelektuale, me nivel të lartë në fushën e formimit akademik, si dhe me aftësi të jashtëzakonshme integruese në jetën e shoqërisë së vendit që kanë zgjedhur të studiojnë, nuk vlerësohen dhe përkrahen aspak nga shteti amë. Përkundrazi, herë-herë, ekzistenca e tyre fshihet, mohohet ose vihet në dukje vetëm për interesa të caktuara në shërbim të politikës që dëshiron t’i përdor si numra për llogaritje të rezultateve fituese në zgjedhje politike.
Vendi ynë, që pas rrëzimit të regjimit komunist, ka shprehur vullnetin e tij me dëshirën dhe këmbënguljen e qytetarëve tanë të bëhet vend demokratik ashtu si vendet simotra në Perëndim por, akoma, në ditët tona, kjo dëshirë dhe nevojë nuk është realizuar duke na lënë në një faze ndërmjetësuese që, tashmë, jemi mësuar ta quajmë tranzicion.
Gjithkush nga ne mund të pyesë se përse ne nuk u integruam dhe u zhvilluam ashtu si vendet e tjera të Evropës Juglindore, si dhe përse akoma sot në vendin tonë nuk ka një demokraci të mirëfillte moderne?
Në Shqipëri, me të vërtet u rrëzua rrëgjimi komunist si dhe u ndërrua fasada e formës qeverisëse por, nuk u ndërrua shkelja e kësaj fasade, që mbeti po ajo e vjetra në formën e të vepruarit dhe të qeverisurit.
Prandaj, krahas impenjimit më me përkushtim në thellimin e reformave në vend, si: lufta me seriozitet dhe pa tolerancë e krimit të organizuar, të korrupsionit, për të dalë nga tranzicion vendi ynë ka nevojë për një frymë të re, për një mentalitet të ri qeverisës të personifikuar me demokracinë moderne perëndimore. Frymën e re dhe mentalitetin e ri askush nuk e përfaqëson më mirë se rinia që po shkollohet duke marrë eksperienca të drejtpërdrejta akademike dhe jetësore në demokracitë perëndimore. Prandaj, kjo rini që mbart vlera përparuese, zhvillimi dhe demokratizuese, duhet jo vetëm të vlerësohet, ashtu siç e meriton nga politika dhe shteti shqiptar, por edhe të përkrahet dhe të mbështetet për t’i dhënë hapësirat e domosdoshme, ku mund të jap ndihmën e saj për të bërë të mundur daljen e vendit tonë njëherë e mirë nga tranzicioni i stërzgjatur.
Nëse të rinjtë e shkolluar jashtë do të vazhdojnë të zhvlerësohen dhe të trajtohen nga shteti sikur të ishin të njerkës, vendi rrezikohet të mos integrohet në Evropë në 2015, sipas sondazhit të fundit por, ndoshta, ecuria integruese e tij do të vihej me të vërtetë përballë pikëpyetjes së madhe, sepse do të vazhdoj të përfaqësohet nga klasa e vjetër e politikës shqiptare, e cila, në dy dekadat e fundit ka bërë një hap para dhe dy mbrapa.
Ne të rinjtë shqiptarë, që ndjehemi me të drejtë të vlerësuar dhe të përgatitur për të ndihmuar vendin tonë në rrugën e drejtë të reformave dhe progresit, nuk duhet ta lëmë fatin e vendit tonë në dorën e klasës drejtuese aktuale, që nuk mbart asnjë vizion modern në mënyrën qeverisëse dhe në thellimin e reformave integruese.
Prandaj, ne, nuk duhet të presim që të “vjetrit” të na thonë hajdeni se ne e mbaruam radhën tonë, tani e keni ju që të merrni në dorë fatin e vendit, duke u betuar se do të punoni me ndershmëri dhe përkushtim për ta bërë atë të bukur dhe pasur dhe jo ashtu siç e lamë ne të varfër dhe në tranzicion.
Ne duhet të jemi të vendosur dhe të bindur se vendi ynë meriton të jetë si vendet e tjera në Evropë, sepse natyra e ka bërë të pasur me ujëra, male, fusha, dete dhe minerale.
Nëse, ne, përpiqemi me mjete legjitime për ta bërë vendin tonë të demokratizuar dhe të lulëzuar, ashtu siç e meriton me të vërtet, jo vetëm që nuk kemi bërë ndonjë mëkat, por kemi bërë vetëm detyrën si qytetar legjitim të këtij vendi.
Të presësh akoma që klasa aktuale të ndryshoj duke na bërë çudira të pa parishikuar në të mirë të vendit dhe të qytetarëve është thjeshtë humbje kohe, sepse historia u dha gjithë kohën e mjaftueshme për ta bërë dhe nuk e bënë.
Të besosh se të pa emancipuarit, të pa shkolluarit, të pa aftët dhe militantët mund ta zhvillojnë vendin tonë paralelisht me vendet e tjera të zhvilluar është një lloj sikur të presësh të ziejë fasulja që Nastradini e kishte hequr nga furnela dhe e kishte vendosur në dritare për ta zier dielli.
Koha nuk na pret, vendi ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për atë, ne nuk mund të jemi askushi nëse nuk i tregojmë vlerat tona të vërteta në të mirë të mirëqenies dhe zhvillimit, si dhe vendi ynë nuk mund të jetë i integruar dhe krenar nëse ne nuk jemi pjesë e kohezionit ndryshues drejt kahut pozitiv.