Tuesday, September 27, 2011

“EUROPA DHE SHQIPTARËT”, një libër politiko-filozofik


Dott.Magistral, ka botuar librin “EUROPA DHE SHQIPTARËT”, një libër politiko-filozofik, që shpalos dije të reja për Europën në tërësi dhe Europën e Bashkuar në veçanti, raportete saj me Shqipërinë dhe shqiptarët, një libër shkencor, me vlera të jashtëzakonshme për studentë, që studiojnë për marrëdhenie ndërkombëtare e diplomatike, për diplomatë e politikanë.

"Europa dhe shqiptarët" është i ndarë në katër kapituj, të cilët kanë një lidhje historike dhe simbiotike mes tyre:

Kapitulli i parë "Europa e Bashkuar", trajton në linja të përgjithshme Bashkimin Europian. Në këtë kapitull janë trajtuar çështje të rëndësishme të Bashkimit Europian si: Historiku, dobishmëria, zgjerimi, e tashmja dhe ardhmja.
Në kapitullin e dytë "Europa dhe shqiptarët", i cili është edhe titull kryesor i librit, jam përpjekur të shpjegoj: Çfarë është Europa për shqiptarët? Bashkimi Europian për shqiptarët nënkupton më shumë siguri, më shumë prosperitet dhe stabilitet ekonomik, më shumë demokraci dhe liri, zgjedhje të lira, dinjitet të merituar për shqiptarët, kudo që ndodhen. Gjithashtu, në këtë kapitull kam trajtuar çështjen e Bashkimit Kombëtar. Mendoj, se ky bashkim, duhet të bëhet përmes formës federative, por jo nga një federate e krijuar me në krye shtetin aktual shqiptar, por në perspektivën e Bashkimit Europian ("Federatës Europiane"). Pa trajtuar në këtë kapitull nuk kam lënë edhe emigracionin shqiptarë në Itali. Zgjodha emigracionin shqiptar në Itali, sepse ketë eksperiencë e kam përjetuar vetë, në formën e një studenti emigrant, kur për rreth pesë vjet kam jetuar në qytetin e Gjenovës në Itali, ku kam kryer studimet universitari dhe pasuniversitare. Futa çështjen e emigracioni shqiptar në kapitullin "Europa dhe shqiptarët", sepse ishin pikërisht emigrantët ata të cilët që në fillim të viteve ’90 e kanë jetuar realisht dhe jo virtualisht Europën e Bashkuar. Në këtë kapitull në një hapësirë të veçantë kam trajtuar "Çështjen e Maqedonisë", e cila mendoj se është një çështje mjaft komplekse dhe nëse nuk gjen një zgjidhje imediate në nivel ndërkombëtar mund të ketë pasoja destabilizuese për rajonin e Ballkanit dhe ndoshta edhe më gjerë. Kapitulli i tretë titullohet "Europa Federaliste". Gjatë kohës së studimeve universitare dhe pas universitare në Genova të Italisë, u njoha me literaturën federaliste dhe me lëvizjet federaliste europiane. Nga kjo literaturë, për shkak të ngjarjeve të kaluara si: luftërat etnike dhe fetare në Ballkan dhe dy luftërat botërore të fillim shekullit të XX-të, kuptova dhe u binda se e keqja me e madhe e Kontinentit Europian është shteti nacional. Falë ideve dhe Lëvizjes Europiane Federaliste, Europa e Bashkuar nga një utopi që ishte u kthye në një projekt konkret politik i cili gjatë gjithë kohës është në lëvizje dhe zhvillim. Pra, në këtë kapitull kam trajtuar pikërisht ideologjinë federaliste të përfaqësuar në Europë nga Lëvizja Federaliste Europiane.
Kapitulli i katërt dhe i fundit titullohet "Demokracia dhe Shqipëria". Një vend nuk bëhet demokratik brenda limiteve të caktuara kohore, nëse ka pasur një të kaluar totalitare, vetëm se ka aplikuar institucione, teori dhe rregulla demokratike. Një vend është demokratik nëse ka krijuar edhe një kulturë demokratike. Shqiptarët kanë pasur një të kaluar totalitare, në këto njëzet vite tranzicion janë përpjekur të krijojnë norma dhe institucione demokratike, por akoma nuk kanë krijuar një kulturë politike (e kam fjalën sidomos për elitën politike). Prandaj, lindja pyetja nëse Shqipëria është demokratike apo jo? Përgjigja gjendet në brendësi të këtij kapitulli...

Sunday, September 18, 2011

Fushata politike e parë ndryshe


Alban Daci

Pasi mbarova studimet në Perëndim me rezultate të shkëlqyera, me plot zell dhe dëshirë vendosa të kthehem në Shqipëri. Edhe pse kisha qëndruar në Perëndim për të kryer studimet, asnjëherë nuk isha ndarë nga Shqipëria. Gjithmonë, kisha shkruar në të përditshmet shqiptare për çështje të ndryshme sociale. Gjithashtu, në Itali në rolin e kryetarit të organizatës shqiptare “Gjenerata e Re Shqiptare” kisha organizuar takime, konferenca, programe e projekte që kishin për qëllim mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Itali si dhe isha përpjekur të prezantoja imazhin e Shqipërisë në optikën pozitive edhe kur nuk ishte ashtu.
Pra, Shqipëria deri në momentin që vendosa të kthehesha, qëndronte në zemrën time si një gurë i rëndë që më bënte të ndjehesha krenar dhe plot energji. U ktheva në Shqipëri, si një djalosh që kishte investuar shumë për të ardhmen e tij intelektuale e akademike dhe mezi priste të jepte kontributin e tij në jetën e përditshme shqiptare. Para, se të kthehesha, mendoja, se e njihja mirë shoqërinë shqiptare. Sapo zbrita në Shqipëri dhe kalova javën e parë, e kuptova se nuk e njihja ashtu sic duhej.
Shqipëria, më shfaqej jashtë çdo lloj optike normale perëndimore. Më dukej si një vend që nuk mund ta krahasosh edhe me një vend të lodhur të Afrikës apo të Azisë. Shqipëria, të shfaqet si një vend që ka vështirë të shkëputet nga e kaluara dhe të projektojë të ardhmen. Si një vend që përfaqësohet me njerëz të kaluarës dhe njerëzit e të tashmes sulmohen me çdo mjet që të mos pjesë e asnjë iniciative politike, shoqërore etj.
Për fatin tim të mirë, pas shumë vitesh studimesh në Itali, kthimi im në Shqipëri koncidojë edhe me zhvillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e pushtetit vendor. Për mua ishte një rast i mirë për të studiuar nga afër politikën shqiptare; për ta krahasuar atë me vendet e tjera të Perëndimit. Kështu, fillova të vihesha në kontakt me disa forca politike shqiptare. Mendoja, se politikën edhe në Shqipëri ashtu si në Perëndim e bënin njerëzit me klas, persona që kishin arritur suksese në jetën profesionale.
Për fat të keq, ajo që vëzhgova ishte krejt ndryshe nga jeta politike Perëndimore. Mes personave që merreshin me politikë, njoha shumicën prej tyre që se kishin idenë: ç’është politika, kush është misioni i saj, pse njerëzit duhet të angazhoheshin me politikë, sa rëndësi ka përfaqësimi qytetar në jetën politike etj. Shumica e bisedave që bëheshin mes tyre ishin: me duhet të bëj 70 vota me çdo kusht se më kanë premtuar një vend pune, duhet të konfirmojë 70 vota se ndryshe më heqin nga puna.
Shumë herë i pyesja: po çfarë i thoni qytetarit kur i kërkoni votën? Po ja nuk do të paguash dritat nëse na voton neve, do të kesh uji pa ndërprerje nëse na voton neve, do të fusim ndonjë pjesëtar të familjes në punë etj. Pra, në asnjë rast nuk prezantohej ndonjë program konkret qeverisës i forcës politike që përfaqësonin. Pra, zhvillohej një fushatë krejt pa vizione, por e mbushur me shantazh. Na bëj këtë, të japim atë! Na vota, të ndihmojmë! Na bëjë votat, të fusim në punë! Na bëjë votat, të mbajmë në punë!
Pra, qytetari i "shkretë" ishte i shantazhuar nga politika. Sot, në Shqipëri, pseudopolitikanët kanë krijuar një sistem të tërë politik, i cili bazohet mbi shantazhin, ku qytetari gjendet i marrë peng për çdo hap të jetës. Sot, është krijuar me qëllim një sistem i tillë, që nëse nuk bëhesh pjesë e tij, jo vetëm që nuk mund të jetosh një jetë normale, por mund të kesh shumë vështirësi e probleme. Pra, politika shqiptare, ndryshe nga çdo vend i Perëndimit, nuk përfaqëson një mundësi më shumë për të përmisuar jetën e çdo kujt, por një formë ku jeta e çdo kujt është peng i politikës.
Gjatë fushatës elektorale, kam pasur mundësinë të shikoj CV-të e personave që merreshin me politik dhe pretendonin gjithçka prej saj. Ajo që kam vënë re, ishte fakti, se ishin njerëz pa asnjë lloj forme kualifikimi. Njerëz që kishin në CV, emër/mbiemër, vendlindje si dhe të me të zeza “militant i besueshëm”. Nuk mungonin edhe rastet, ku mes tyre mbrapa shpinës shpreheshin: ai është hajdut lagje; ai tjetër është pa shkollë; ai tjetër është shitës duhani, etj.
Ajo që më bëri të ndjehem keq ishte fakti, se djem të tjerë si, unë, nuk gjeta në politikën shqiptare. Edhe mua, për shkak të arsimit të lartë sa herë që më takonin, lexoja tek sytë e tyre panikun dhe merakun që kishin për përfshirjen time. Aty, e kuptova se sa respekt ka politika shqiptare për të rinjtë e shkolluar me plot sakrifica në Perëndim. Një ditë në një mbledhje analize, erdhi nën kryetari i një partie për degën e Tiranës. Pasi e dëgjova dhe e dëgjova, më në fund vendosa të reagoj! E pyeta- duke qenë se jeni në qeverisje dhe përfaqësoni Shtetin, çfarë keni bërë për ata që kanë kryer studimet jashtë dhe janë kthyer në Shqipëri? Ne si fillim duhet të punësojmë militantët tonë që punojnë shumë për partinë, pastaj të shikojmë se ç’mund të bëjmë edhe për ata janë shkolluar jashtë- tha ai.
Gjithashtu, ato pak të rinj që i shikoja të aktivizuar në politikë dhe që shfaqen me krejt potencë, ishin njerëz të afërt të liderëve. Nuk mungonin edhe rastet, ku injorantë të mirëfilltë, vetëm pse ishin farefis me elitën drejtuese shfaqeshin me krejt potencë si Kaponët e kohëve moderne. Ata, edhe pse nuk ishin askushi përfaqësonin gjithçka. Pra, politika shqiptare është politika klanore, fisnore dhe jo transparente. Edhe mënyra se si zhvillohet fushata elektorale e tregon qartë këtë gjë. Shumica janë të detyruar ta votojnë një forcë politikë, sepse janë farefis me kryetarin, të tjerët janë të detyruar, sepse janë të shantazhuar nga sistemi politik.
Prandaj, për mendimin tim, rezultat politike që dalin nga këto lloj fushatash nuk kanë asnjë lloj rëndësie demokratike, sepse sistemi politik nuk është i tillë që në origjinën e tij. Për këtë arsye asnjëherë në këto 20 vite tranzicioni nuk mund të flasim për zgjedhje të mirëfillta demokratike. Si mund të flasim për zgjedhje demokratike, ku politikani e shantazhon qytetarin mbi kushtet e mjerueshme të jetës së tij? Si mund të quhet demokratike, kur fshatari i mbytur në varfëri për shkak të politikave të qëllimshme e shet votën dhe personalitetin e tij për një thes me mill? Si mund të quhen zgjedhje politike të lira, kur një familje e tërë e shet votën e lirë vetëm për faktin të mos i pushojnë nga puna ndonjë anëtarë të familjes?
Faktor tjetër shumë i diskutueshëm që ve shumë në dyshim demokracinë shqiptare, është fakti se si personat që duhet të përfaqësojnë qytetarët, nuk zgjidhen, por delegohen nga farefiset politike dhe nga klanet e ndryshme. Qytetari thuajse gjithmonë është para provës së kryer duke votuar persona që nuk kanë asnjë vlerë personale njerëzore dhe jo më përfaqësuese politike. Të gjitha këto që i pashë nga afër, vendosën në dyshimi dashurinë e madhe që kisha për vendin tim, impenjimet e mia modeste që kisha bërë në të mirë të vendit tim dhe të qytetarëve të mi. Megjithatë, asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim faktin, se Shqipëria ka qytetarë të mrekullueshëm që nuk meritojnë të përfaqësohen nga politikanët aktual. Gjithmonë kam besuar dhe besoj, se nëse bëhemi më të vetëdijshëm për të ardhmen tonë të përbashkët, do të gjejmë forcën për të çuar në shpi këtë klasë të vjetër politike si dhe sistemin politik 20 vjeçar që kanë pjellë.

Saturday, September 17, 2011

Besimi dhe Politika


Alban Daci

Antonio Gramshi ka cituar se: me rënien e besimit fetar (në kuptimin tradicional të fjalës), njerëzit me ankth kërkonin një sistem të ri kredencash me principe të përgjithshme rreth së cilës mund të grupoheshin dhe të gjenin arsyet intime për të jetuar me dinjitet. U ndërtuan kështu një pafundësi me “kisha” të reja , sipas shtresave të ndryshme shoqërore: disa gjejnë fat në sallone mondane, të tjera mes intelektualëve dhe të tjera tek populli.

Ndërsa Jean-Jacque Rousseau në 1756 arsyeton se: sapo njerëzit jetojnë në shoqëri kanë nevojë për një besim që ti mbaj. Nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ekzistoj asnjëherë një popull pa besim fetar.
Sipas tij kush nuk beson në një jetë të ardhme është frikacak ose një i çmendur, po është shumë për tu theksuar se në çfarë mase shpresa e jetës së ardhme mund të shtyj një fanatik që të abuzoj me jetën tokësore.
Lirojeni fanatikun nga vizionet e tija dhe jepni atij të njëjtën shpresë si çmim të virtytit dhe keni bërë një qytetar të vërtet.
Me këtë hyrje Rousseau zhvillon në Kontratën sociale (1762) konceptin e një besimi civil, në të cilën forca shpirtërore është e domosdoshme për bashkimin politik të shtetit të ri kombëtar të mbështetur në sovranitetin e popullit.
Në bazë të këtij koncepti ishte nevoja për të kaluar frakturat e provokuara nga besimi i krishterë, që me institucionet e kishës kishte vendosur mbi tokë “një mbretëri, duke ndarë sistemin teologjik dhe politik”, kishte thyer bashkimin e trupit politik, duke shkaktuar ndarje të brendshme që nuk kanë pushuar së ekzistuari me popujve të krishterë.
I vetmi ilaç i kësaj të keqeje, konfirmonte Rousseau, ishte formula e propozuar nga Thomas Hobbes për të ribashkuar pushtetin shpirtëror dhe pushtetin politik, “ me bashkuar dy kokat e shqiponjës”.
Gjithashtu është e nevojshme, për demokracinë për të formuluar një “ profesion besimi plotësisht civil, ku i përket sovranit të vendos artikujt, jo pikërisht si dogma fetare, por me sentimenta.
Rousseau flet për dogmën pozitive te besimit civil, ku jep lumturi për të mirët dhe ndëshkim për kafshërorët si dhe dogmën negative, që sipas tij është mos toleranca.
Liberali Givani Amendola, antifashist dhe viktimë e dhunës, që ndoshta ishte ndër të parët që bëri lidhjen mes totalitarizmit dhe besimit politik, ku ndër të tjera citon:
Një parti mund të lakmoj dominimin e jetës publike, por jo të tej kaloj kufijtë e ndërgjegjes private, në të cilën kushdo është i lirë të kërkoj strehë. Fashizmit nuk i mjaftonte vetëm pushteti, por kërkonte dhe ndërgjegjen private të gjithë qytetarëve, donë “bisedën” e gjithë italianëve.
Sipas Amendolës karakteristika me e dukshme e motos fashiste do të mbetet, për ato që do e studiojnë në ardhmen, shpirti “totalitar”, i cili nuk do të lejoj në të ardhmen që të ketë agime që nuk do jenë të përshëndetura me gjestin roman.
Për besimin fashist fliste W. Shneider, një studiues amerikan që jeton në Itali mes 1926 dhe 1927. Fashizmi në konkluzionin e tij ishte një “besim i natyrshëm që përdor teknikat e një kulti fetar. Si pasoj Schneider parashikonte tensione dhe konflikte mes Kishës dhe besimit fashist.
Besimi politik është një formë shenjtërimi e politikës që ka karaktere ekskluzive dhe integraliste; nuk pranon ekzistencën me ideologjitë dhe lëvizjet e tjera, mohon autonominë e njeriut në kolektivitet, shenjtëron dhunën si armë legjitime lufte kundër armiqve, merr kundrejt besimeve tradicional një qëndrim pengues, duke admiruar eliminim, ose kërkon të vendos me ato një raport të bashkëjetesës simbiotike, në kuptim që besimi politik admiron të përziej besimin tradicional pikërisht në sistemin e besimeve e miteve, duke i rezervuar një funksion nënshtrimi ndihmës.
Besimet e politikës janë fenomene moderne. Lindja e tyre presupozon shekullarizimin, modernizimin, afirmimin e autonomisë e dimensionit politik nga besimet tradicionale dhe ndarjen e Shtetit nga Kisha.
Pra, nuk do të thotë se besimi politik nuk ka asnjë lloj lidhje me besimet tradicionale dhe domosdoshmërish nuk sjell situatë antagonizmi dhe konflikti.

Friday, September 16, 2011

Vlerat dhe antivlerat


Alban Daci


Shumë të rinj vazhdojnë të zgjedhin Perëndimin për të bërë studimet e larta universitare, në kërkim të vlerave të vërteta të demokracisë, lirisë, barazisë dhe meritës. Në dekadën e fundit numri i të rinjve që zgjedhin shkollimin jashtë është gjithmonë e në rritje. Kjo mendoj se ka ndodhur dhe po ndodh për disa arsye:
Së pari, të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të humbin gjithmonë e më shumë besimin tek universitetet shqiptare, sepse mendojnë se kriteret kryesore informate, si: merita, cilësia e mësimdhënies dhe mundësia për një formim të mirë akademik po bëhen gjithnjë e më të paralizuara.
Së dyti, të rinjtë shqiptarë e shikojnë kryerjen e studimeve jashtë vendit jo vetëm në marrjen e një informacioni të nivelit të lartë akademik, por edhe si mundësi për të eksploruar kultura të tjera dhe për të pasur mundësi punësimi me standarde perëndimore si në kushte dhe në pagesa.
Zëri i këtyre të rinjve që kanë zgjedhur universitetet e huaja ka filluar të dëgjohet në Shqipëri, falë artikujve që na paraqesin në bashkëpunim me shtypin e shkruar shqiptar. Megjithatë, zëri i tyre dëgjohet vetëm nga intelektualët dhe populli i thjeshtë, por që bie në vesh të shurdhër, kur bëhet fjalë për mjediset e politikës shqiptare dhe për sallonet e shtetit shqiptar.
Shteti shqiptar, me organizmat e tij institucional, për të bërë pakës publicitet se ne po ndryshojmë dhe se këto ndryshime vinë nga forcat e reja në energji dhe njohuri, ka paraqitur disa projekte apo ide për kthimin dhe punësimin e të rinjve që kanë kryer studimet të cilat thjeshtë kanë mbetur si të tilla.
Mendoj se disa realitete pushteti këtu në Shqipëri kanë frikë nga forca dhe energjia e të rinjve që kanë studiuar jashtë, sepse ato janë formuar dhe shkolluar në vende me demokraci të vërtetë dhe jo në vende, ku injoranca mund të mbizotëroj mbi diturinë, ku korrupsioni është më i fortë se merita, ku hipokrizia është me e fortë se ndershmëria dhe korrektësia.
Kam dëgjuar se edhe disa të rinj që morën guximin për t’u kthyer për gjithmonë në Shqipëri pasi kishin kryer studimet, akoma pa sistemuar mirë valixhet e tyre, u larguan përsëri, sepse nuk kishin miq të fortë që të zinin një vend pune, edhe pse përsa u përket kritereve informale e meritonin plotësisht. Një pjesë e mirë e tyre, edhe përse nuk kishin pasur asnjë lloj lidhje personale dhe familjare me regjimin e kaluar, u larguar nga vendet e punës me pretekstin se na qenkan komunistë. Këto largime u fshehën në maskën e reformës në administratën publike, e cila, në të vërtetë, ishte një kthim mbrapa, sepse u larguan specialistët e vërtetë, njerëzit e kualifikuar në universitetet më të mira të Perëndimit dhe u rikthyen komunistët e regjimit enverist, militantët e rrugës, halabakët e bareve dhe njerëzit e pakualifikuar.
Shqipëria, është ndër vendet më të pakta të demokracive perëndimore, ku rinia nuk ka asnjë lloj roli në vendimmarrje, si dhe nuk përbën forcën rinovuese të vendit, po përkundrazi i jepet mandati i largimit njëherë e përgjithmonë. Këta studentë, që kanë marrë vetëm vlerësime pozitive, ku kanë studiuar dhe janë vlerësuar si njerëz me vlera të larta intelektuale, me nivel të lartë në fushën e formimit akademik, si dhe me aftësi të jashtëzakonshme integruese në jetën e shoqërisë së vendit që kanë zgjedhur të studiojnë, nuk vlerësohen dhe përkrahen aspak nga shteti amë. Përkundrazi, herë-herë, ekzistenca e tyre fshihet, mohohet ose vihet në dukje vetëm për interesa të caktuara në shërbim të politikës që dëshiron t’i përdor si numra për llogaritje të rezultateve fituese në zgjedhje politike.
Vendi ynë, që pas rrëzimit të regjimit komunist, ka shprehur vullnetin e tij me dëshirën dhe këmbënguljen e qytetarëve tanë të bëhet vend demokratik ashtu si vendet simotra në Perëndim por, akoma, në ditët tona, kjo dëshirë dhe nevojë nuk është realizuar duke na lënë në një faze ndërmjetësuese që, tashmë, jemi mësuar ta quajmë tranzicion.
Gjithkush nga ne mund të pyesë se përse ne nuk u integruam dhe u zhvilluam ashtu si vendet e tjera të Evropës Juglindore, si dhe përse akoma sot në vendin tonë nuk ka një demokraci të mirëfillte moderne?
Në Shqipëri, me të vërtet u rrëzua rrëgjimi komunist si dhe u ndërrua fasada e formës qeverisëse por, nuk u ndërrua shkelja e kësaj fasade, që mbeti po ajo e vjetra në formën e të vepruarit dhe të qeverisurit.
Prandaj, krahas impenjimit më me përkushtim në thellimin e reformave në vend, si: lufta me seriozitet dhe pa tolerancë e krimit të organizuar, të korrupsionit, për të dalë nga tranzicion vendi ynë ka nevojë për një frymë të re, për një mentalitet të ri qeverisës të personifikuar me demokracinë moderne perëndimore. Frymën e re dhe mentalitetin e ri askush nuk e përfaqëson më mirë se rinia që po shkollohet duke marrë eksperienca të drejtpërdrejta akademike dhe jetësore në demokracitë perëndimore. Prandaj, kjo rini që mbart vlera përparuese, zhvillimi dhe demokratizuese, duhet jo vetëm të vlerësohet, ashtu siç e meriton nga politika dhe shteti shqiptar, por edhe të përkrahet dhe të mbështetet për t’i dhënë hapësirat e domosdoshme, ku mund të jap ndihmën e saj për të bërë të mundur daljen e vendit tonë njëherë e mirë nga tranzicioni i stërzgjatur.
Nëse të rinjtë e shkolluar jashtë do të vazhdojnë të zhvlerësohen dhe të trajtohen nga shteti sikur të ishin të njerkës, vendi rrezikohet të mos integrohet në Evropë në 2015, sipas sondazhit të fundit por, ndoshta, ecuria integruese e tij do të vihej me të vërtetë përballë pikëpyetjes së madhe, sepse do të vazhdoj të përfaqësohet nga klasa e vjetër e politikës shqiptare, e cila, në dy dekadat e fundit ka bërë një hap para dhe dy mbrapa.
Ne të rinjtë shqiptarë, që ndjehemi me të drejtë të vlerësuar dhe të përgatitur për të ndihmuar vendin tonë në rrugën e drejtë të reformave dhe progresit, nuk duhet ta lëmë fatin e vendit tonë në dorën e klasës drejtuese aktuale, që nuk mbart asnjë vizion modern në mënyrën qeverisëse dhe në thellimin e reformave integruese.
Prandaj, ne, nuk duhet të presim që të “vjetrit” të na thonë hajdeni se ne e mbaruam radhën tonë, tani e keni ju që të merrni në dorë fatin e vendit, duke u betuar se do të punoni me ndershmëri dhe përkushtim për ta bërë atë të bukur dhe pasur dhe jo ashtu siç e lamë ne të varfër dhe në tranzicion.
Ne duhet të jemi të vendosur dhe të bindur se vendi ynë meriton të jetë si vendet e tjera në Evropë, sepse natyra e ka bërë të pasur me ujëra, male, fusha, dete dhe minerale.
Nëse, ne, përpiqemi me mjete legjitime për ta bërë vendin tonë të demokratizuar dhe të lulëzuar, ashtu siç e meriton me të vërtet, jo vetëm që nuk kemi bërë ndonjë mëkat, por kemi bërë vetëm detyrën si qytetar legjitim të këtij vendi.
Të presësh akoma që klasa aktuale të ndryshoj duke na bërë çudira të pa parishikuar në të mirë të vendit dhe të qytetarëve është thjeshtë humbje kohe, sepse historia u dha gjithë kohën e mjaftueshme për ta bërë dhe nuk e bënë.
Të besosh se të pa emancipuarit, të pa shkolluarit, të pa aftët dhe militantët mund ta zhvillojnë vendin tonë paralelisht me vendet e tjera të zhvilluar është një lloj sikur të presësh të ziejë fasulja që Nastradini e kishte hequr nga furnela dhe e kishte vendosur në dritare për ta zier dielli.
Koha nuk na pret, vendi ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për atë, ne nuk mund të jemi askushi nëse nuk i tregojmë vlerat tona të vërteta në të mirë të mirëqenies dhe zhvillimit, si dhe vendi ynë nuk mund të jetë i integruar dhe krenar nëse ne nuk jemi pjesë e kohezionit ndryshues drejt kahut pozitiv.

Wednesday, September 14, 2011

Veset dhe virtytet e politikës

Alban Daci

Kur flitet për politikën është me të vërtetë shumë e vështirë për të mos rënë në joshjen e tipit: këtej janë të mirët, andej të këqijtë, këtej tanët, andej kundërshtarët dhe armiqtë.
Ky rregull vlen, kur flitet për politikën në përgjithësi, si një aktivitet që tashmë pikturohet si turpi i njerëzimit, si gjëja më negative që vetë njeriu ka prodhuar për të qenë i nënshtruari i ideve të tija, por që nuk kanë për objekt atë, problemet e tija dhe vetë jetën e tij, sepse politika lind nga njeriu dhe idetë njerëzore, por në momentin që ajo është krijuar dhe merr formën e plotë, bëhet e pavarur nga ai dhe e kontrollon atë duke e pushtuar në të gjitha format e të menduarit dhe të vepruarit.
Në politikën e përditshme, veset duken sikur ndërthuren me virtytet e saja, në një përzierje, ku asgjë nuk është lehtësisht e ndarë nga pjesa tjetër e mbetur.
Le të rikujtojmë disa nga veset kryesore të politikës që janë pak a shumë të pranishëm dhe të ngjashëm në të gjitha sistemet politike.
Në vend të parë është korrupsioni: “ më shumë ligje do të jenë miratuar, më shumë hajdutë dhe bandit do të jenë” do të citonte Lao Tse, më i madhi dhe themeluesi i taoizmit kines, rreth treqind vjet para lindjes së Krishtit.
Sigurisht që në ditët e sotme një citim i tillë mund të tingulloj paksa i ekzagjeruar, por është gjithmonë jashtë dyshimit që pushteti është rezultat veçanërisht i ekspozuar në joshjet e korrupsionit: si në tentativat për ta shtir në dorë, si në ato për ta mbajtur duke paguar çdo çmim.
Ndoshta qytetari i thjeshtë dhe i ndershëm mund ta ketë të vështir të penetroj brenda salloneve të oborrit për të vëzhguar dhe kuptuar se çfarë ndodh dhe mund të ndodh fshehur thellë poshtë elegancës që oborrtarët na paraqesin në pamjen e parë, por ai do të jetë aq vigjilent dhe inteligjent sa të kuptoj që prona publike dhe floriri i të gjithëve po vidhet nga persona që profesionin për të qeverisur e kanë hasur rastësisht.
Ndoshta, për disa që janë të vetëdijshëm, sepse kanë qenë vetë dëshmitar të drejtpërdrejt e kanë kuptuar se çfarë përmasash galopante ka marrë fenomeni i korrupsionit në Shqipëri, saqë nuk i mjaftuam vetëm 28 mijë kilometra katror, por kaloj jashtë kësaj hapësire duke vepruar edhe në ishujt që ndodhen jashtë kësaj zonë, të cilët kanë të njëjtin juridiksion dhe të njëjtët aktor që e ushtrojnë atë pa pasur problemin më të vogël.
Të jesh sot politikan në Shqipëri, do të thotë se: më parë mund të kesh qenë një hajdut, një rrugaç, një maskara, një i pa shkollë, arrogant, një pseudo intelektual, një i ashtuquajtur profesor, një biznesmen që nuk dihet se si e ke nisur në fillimin aktivitetin tregtar apo prodhues dhe me çfarë burimesh e ke financuar dhe vazhdon ta financosh atë.
Të jesh sot politikan në Shqipëri do të thotë se: vlerat njerëzore nuk bëjnë pjese në mënyrën tënde të jetuarit, që njerëzorja ose nuk ka qenë asnjëherë e pranishme tek ti ose ajo sapo ti ke filluar të bësh politikanit dal nga dalë është zbehur duke humbur gjurmët e saja.
Në Shqipëri, mund të bësh politikanin, amoralistin, deputetin dhe ministrin, sepse qytetarët të kanë besuar besimin e tyre për t’i përfaqësuar, të kanë bërë të plotfuqishëm me vullnetin e tyre dhe për këtë arsye ti mund të abuzosh mbi ta, mund t’i përdorësh ata sikur të ishin qenie që nuk kanë asnjë vlerë për t’i respektuar, sepse vlerat e moralit dhe të njerëzimit që ty ti besuan mund t’i shtypësh dhe t’i poshtërosh sa herë të duash pa dhënë llogari para askujt, për faktin se ti tashmë je i plotfuqishëm.
Sa e vështirë është bërë për ne të rinjtë që po edukohemi me vlerat, sepse për t’i praktikuar ata duhet të marrim besimin dhe aprovimin e atyre që antivlerën e kanë virtyt dhe përdorimin e saj në jetë e kanë si diçka normale për të kënaqur dëshirat e tyre maniake duke përdorur nevojat dhe dëshirat tonë për të pasur një vend pune që na duhet si një burim material i domosdoshëm për të ndërtuar ëndrrat tona dhe për të jetuar në mirëqenie.
Sa e vështirë është bërë për ne të rinj që nuk na mjaftojnë orët e tëra që kalojmë duke studiuar si dhe sakrificat e prindërve tanë që kanë bërë për të na garantuar të drejtën për studim, por që duhet të fillojmë të përgatitemi dhe të studiojmë pornografinë, seksin, kamasutrën dhe erosin pasi janë bërë pjesë e provimit që duhet të japim për të fituar një vend pune.
Sa e vështirë dhe e dhimbshme është për ne shqiptarët, kur dëgjojmë se një familje e ndershme dhe e thjeshtë shqiptare që ka sakrifikuar pothuajse gjithçka për të ndërtuar të ardhmen shuhet larg nga Atdheu, në mërgimin e dhimbshëm dhe të vuajtur.
Sa e turpshme dhe e padurueshme është për ne shqiptarët, kur dëgjojmë nga televizionet e vendeve që kemi zgjedhur për të emigruar skandalet e radhës të kryera nga politikanët tanë, që me bëmat e tyre krijojnë imazhin e gabuar për vendit tonë jashtë në Botë.
Sa normale dhe krejt e natyrshme është bërë për qytetarët tanë që kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar tek sa shikojnë dhe dëgjojnë skandalet e radhës të kryera nga politikanët që i kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar në nivelet më të larta drejtuese të qeverisjes.
Gjithçka mund të ndodh para syve tanë, mjafton mos të na prek neve menjëherë dhe drejtpërdrejt dhe nuk na intereson aspak nëse prek të tjerët dhe se një ditë pas tyre mund të jetë edhe radha jonë për të qenë jo vetëm të prekur por edhe të “përkëdhelur”, të “zhveshur” me qëllimin për të “kënaqur” dëshirat shpirtërore të atyre që na prekin dhe dëshirat tona për të siguruar burimet e jetesës.
Po ndonjë virtyt a mund të ketë politika aktuale shqiptare?
Sinqerisht nuk shikoj ndonjë virtyt pasi është aq shumë e mbushur me vese negative sa do të duhej një teleskop që përdoret për të vëzhguar yjet për të vënë re se në gjirin e saj ka mbetur ndonjë vlerë pozitive njerëzore, e cila mund të bëj pjesë tek virtytet e politikës pozitive që nuk është kundër qytetarëve të saj, por që bashkë me ta përjekton sigurinë, paqen, mirëqenien, prosperitetin, zhvillimin dhe dëshirën për të vënë në qendër të vëmendjes qytetarin.
Të vetmin virtyt që mund të kenë akoma politikanët tanë që janë në instanca qeverisëse/ keq qeverisëse është të largohen para se reagimi ynë për të mbrojtur moralin tanë, të drejtat tona, të jetë i ashpër dhe i pamëshirshëm ashtu siç ka qenë qëndrimi i tyre gjatë gjithë kësaj periudhe, ku të qetë dhe të pa shqetësuar ka bërë ç’kanë dashur me ne.
Të largohen jo vetëm nga ambientet e politikës që e kanë ndotur me imoralitet, korrupsion dhe pa përgjegjshmëri, por edhe nga jeta jonë e përditshme, sepse stili i tyre të menduarit dhe të jetuarit nuk bën pjesë në vlerat tona që kemi trashëguar si popull, sepse nuk bëjnë pjesë në kostumet dhe traditat tona, ku ndershmëria, besnikëria dhe dashuria për njëri-tjetrin si dhe shpirtin individual për tu sakrifikuar në emër të shumicës ka shoqëruar historinë tonë ndër shekuj.
Përderisa ata janë kaq të ndryshëm dhe larg vlerave tona, duhet të largohen nga ne, sepse nuk përfaqësojnë asgjë tonën dhe ne nuk mund të vazhdojmë të bashkëjetojmë me ta, sepse nuk kemi asgjë të përbashkët me ta.
Kjo politikë është e huaj tek ne, dhe ne nuk e gjejmë aspak vetën në mjedisin e tyre. Prandaj, o ata do të largohen vetë nga jeta jonë e thjeshtë që ka nevojë për shumë kujdes për të siguruar vazhdueshmërinë, ose do të jemi ne ata që duhet të lëvizim për ti detyruar të largohen, që të vazhdojmë në rrugën e vlerave njerëzore që na karakterizuar si popull për të punuar së bashku për të jetuar më së miri të tashmen dhe për tu impenjuar po së bashku për të projektuar të ardhmen e dëshiruar.

Friday, September 9, 2011

Mes të resë dhe të vjetrës



Dr. Alban Daci


Shoqëria shqiptare mendoj se ndodhet në një udhëkryq, sepse po përballet me një ndër dilemat më të mëdha që e ka shoqëruar që në hapat e para të saja, ku qytetarët kanë dy opsione ose të zgjedhin të vjetrën dhe vazhdimësinë apo të vendosin për risinë dhe ndryshimin.
Si në çdo vend të Botës edhe për Shqipërinë, mbyllja e procesit të gjatë të tranzicionit nuk duhet të ndodh pa një ndryshim rrënjësor në strukturën politike dhe shoqërore të vendit.
Fundi i tranzicionit nëse nuk shënohet me zëvendësimin e figurave që e shkaktuan dhe e shoqëruar gjatë gjithë periudhës së tij, atëherë cikli i tij do të ketë gjithmonë një derë të vogël, gjysmë të hapur për të rifilluar nga e para.
Dikush, mund të mendoj se: përderisa këta të tanishmit që na kanë drejtuar deri tani dhe në fillim të viteve 90 na dhuruan "lirinë", për këtë arsye duhet të vazhdojnë të na drejtojnë. Do të thotë se nuk kanë kuptuar asgjë se si funksion një shoqëri demokratike, ku protagonistët e saj nuk janë të përjetshëm, sepse vetë shoqëria është gjithmonë në ndryshim të vazhdueshëm dhe ka nevojë për figura të reja që i përshtaten kohës dhe momentit me ide, vizione dhe projekte.
Shqiptarët, duhet ta kuptojnë njëherë e mirë dhe ta ngulisin mirë në kokë se në vitet 90, asnjë figurë e veçantë shqiptare nuk mund të përcaktohet si hero që ju dhuroj shqiptarëve lirinë e munguar për më shumë se 50 vjet. Atë liri shumë të dëshiruar e kërkoj me shumë këmbëngulje dhe e vendosi vetë populli shqiptar si dhe fakti që ideologjia komuniste sapo kishte humbur Luftën e Ftohtë, dhe si pasoj nuk mund të vazhdonte të ishte funksionale.
Po të mos ishin pjekur faktorët ndërkombëtar dhe po të mos e dëshironte vetë populli shqiptarë ndryshimin e shoqëruar me lirinë e shumë pritur, asnjë figurë si forcë individuale do të kishte arritur të bënte mrekullia duke ju thënë shqiptarëve se demokracinë ua solla unë, që lirinë e simbolizoj unë dhe që integrimin do e bëj vetëm unë.
Sot, më duket absurde dhe e pa pranueshme që disa qytetarë, të vazhdojnë t’i besojnë akoma rolin e drejtuesit, të njëjtit personazh vetëm për faktin se ai mund të ketë ngritur dy gishtat, duke thënë "rroftë demokracia" para militantëve dhe qytetarëve të thjeshtë.
Tashmë, forma demokratike, për vetë historinë e gjatë që ka si ideologji dhe si vlerë universale që po bëhet për të gjitha vendet që aspirojnë në procese të ndryshme integruese dhe në progresin e vazhdueshëm shoqëror, është themelore dhe e padiskutueshme, ajo duhet të pranohet pa kushte, para se të detyrojnë faktorët e jashtëm dhe të brendshëm për ta ushtruar atë në një formë sa më funksionale, të thjeshtë dhe të kuptueshme për qytetarët.
Pra, tashmë ka ardhur momenti të reflektojmë se demokracia nuk ka heronj si dhe askush nuk mund të justifikoj aksionet e tija, qofshin edhe të gabuara dhe të dala nga koha, duke thënë se unë, thashë i pari "rroftë demokracia" dhe se pa mua, ju, nuk do të ishit as të lirë dhe nuk do të mundnit të gëzonin demokracinë.
Ndoshta deri tani disa drejtues kanë abuzuar mbi qytetarët, duke u krijuar bindjen se ato janë të përjetshëm dhe të pazëvendësueshëm, sepse ata simbolizojnë lirinë e çdo kujt.
Për këtë arsye ata edhe nëse gabojnë, janë të falur, sepse vepra e tyre është kaq e madhe dhe e rëndësishme saqë autoriteti i tyre nuk mund të diskutohet në raport me veprimet individuale që në të vërtetë kanë karakter të përgjithshëm, sepse bien në veprim mbi të gjithë qytetarët.
Kam përshtypje, "se ky lloj", është krejtësisht mbrapa në kohë, sepse i gjithë horizonti i tij politik dhe aksionet e tija, lindin dhe justifikohen nga parulla "rroftë demokracia", por që në vërtetë dhe thellë në shpirt nuk ka asgjë demokratike.
Idetë e tija nuk janë origjinale dhe të sinqerta, sepse aksionet e tija, të vëna në praktikë nuk kanë asgjë demokratike, por despotizëm, arrogancë, autoritarizëm. Ndoshta, kjo kategori, personash, po të kishin qenë drejtues të lartë para një gjysmë shekulli, kur sistemet diktatoriale dhe autoritare ishin në modë, do të kishin qenë diktatorët më të egër dhe më të pamëshirshëm që mund të kishte njohur njerëzimi.
Pra, kemi të bëjmë me personazhe që në të vërtetë jetojnë me idetë dhe vizionet e të kaluarës dhe mashtrojnë qytetarët duke u paraqitur me fenomenet e kohës, për t’iu krijuar bindjen se ecin me hapin e kohës dhe se koha është në të njëjtin hap me ta.
E vërteta është krejt e kundërt, sepse gjatë rrugës që kanë ndjekur deri tani, kanë treguar për ato që kanë sytë e hapur, se këta figura, të renë e kanë frikë, e urrejnë dhe se në momentin e parë që ju jepet mundësia e luftojnë egërsisht me të gjitha forcat që disponojnë.
Këta që urrejnë të renë dhe rininë, jo vetëm që nuk mund të konsiderohen demokrat dhe përfaqësues të demokracisë, por do t’i konsideroja diktator frikacak, sepse fshihen, mbrapa vlerave themelore dhe universale të humanizmit.
Realiteti, shqiptar ka ndryshuar nga momenti, kur qytetarët dëgjuan për herë të parë parullën "rroftë demokracia", që pa e ditur dhe pa e studiuar asnjëherë më parë e morën të gatshme si diçka themelore që përfaqësonte lirinë e të vepruarit, të menduarit dhe të organizimit të jetës vetjake në raport me komunitetin ku jeton.
Format e komunikimit të shpejtë dhe modernë, si interneti e ka ndërgjegjësuar brezin e ri për t’i kuptuar, diskutuar dhe kritikuar shumë fenomene që ndodhin në shoqëri që kanë të bëjnë me jetën e secilit nga ne. Kohët e fundit janë krijuar shumë site dhe mail-lista individuale apo kolektive, ku diskutojnë se si mund të qeveriset drejt prosperitetit një vend dhe si mund të drejtohet me ndershmëri dhe me efikasitet shoqëria për të qenë e denjë dhe kompetitive.
Megjithatë, këta intelektual që i përkasin brezit të ri që janë rritur dhe shkolluar me termin demokraci, thjeshtë mund të diskutojnë, por nuk mund të bëjnë asgjë mbi terren, sepse mbahen larg nga zonat e pushtetit dhe drejtimit të lartë të vendit, sepse përfaqësojnë të renë dhe e reja siç thamë më sipër është një alergji e vërtetë për të përjetshmit që vazhdojnë të na drejtojnë dhe të na qeverisin.
Të përjetshmit, në gjumë flenë si diktator të egër dhe në mëngjes zgjohen dhe vendosin maskën e liberalit dhe demokratit, herë pas herë na kanë organizuar mbrëmje gala, për të na prezantuar nja dy tre të rinj, për të na mbushur mendjen se edhe pse kemi vite, vazhdojmë të jemi të rinj, sepse rinia bën pjesë në projektet tona të përbashkëta.
E vërteta ka qenë krejt ndryshe, sepse këta të rinj akoma pa u mbyllur mbrëmja, janë ngopur duke ngrënë "falas" dhe janë infektuar me virusin e atyre që i prezantuan saqë para se të largohen ose të hidhen jashtë nga balloja, marrin e fusin në formë instiktive diçka në xhep, për të menduar edhe për ditët në vazhdim.
Ka vite që flitet për reformim në institucionet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes politike, por në të vërtetë nuk ka ndodhur asgjë. Gjithçka ka mbetur si më parë dhe e pa ndryshueshme, sepse ky reformizëm është përfaqësuar dhe ndërmarrë nga ato që risinë dhe reformën nuk e duan.
Si mund të ndodh reformimi, kur ai kontrollohet, drejtohet ose mund të orientohet nga lart për poshtë.
Si mund të presësh reformim të orientuar për nga risia, kur protagonistët janë të "vjetër" dhe të pa reformuar.
Vetëm një mundësi ka që të ndodh reformimi, që të rinjtë të mos infektohet me viruset e trashëguara, të largojmë të vjetrit përmes vullnetit tonë të lirë, të largojmë diktatorët e vërtetë dhe demokratët e rremë, t’i bindim se nuk ka asgjë të përjetshme në këtë botë dhe gjithçka është ciklike.
E reja do të fitoj mbi të vjetrën, në momentin, kur brezi ri do të jetë frymëzues për brezin e vjetër.
E reja do të fitoj mbi të vjetrën vetëm në momentin, kur të rinjtë që janë shkolluar dhe frymëzuar me demokracinë dhe vlerat e saja, do të arrijnë të bindin të vjetrit se nuk janë të përjetshëm, se tashmë cikli i tyre më ide dhe vlerat që përfaqësojnë është mbyllur. Të rinjtë do të jetë zot të vetës dhe të vendit, vetëm kur të përfaqësojnë aksionet dhe idetë e tyre.
Të rinjtë do të jenë të vlefshëm jo vetëm për vetën e tyre, por për gjithë qytetarët dhe vendin, vetëm në momentin, kur të arrijnë të përfaqësojnë vetveten, kur të prezantohen vetë me formimin e tyre intelektual dhe jo të prezantuar vetëm për imazh nga të vjetrit nëpër mbrëmjet gala.
Vendi dhe shoqëria shqiptare ka nevojë për të renë, për ndryshimin, për prosperitetin, sepse këta janë elementët që garantojnë koherencën dhe të ardhmen e merituar, ndryshe nga ajo që kemi përjetuar deri tani.
Ne, jemi të rinjtë e vendit tonë, përfaqësojmë rininë, jemi rritur dhe kemi studiuar demokracinë, kemi dashuri dhe përgjegjësi për vendin tonë.
Prandaj, duhet të jemi zot të aksioneve tona për të realizuar reformimin e duhur që ka për objekt realizimin e shoqërisë demokratike.
Për ta bërë këtë duhet të luftojmë me aksione, ide dhe energji të vjetrit dhe të gjithë ata që përfaqësojnë ide të vjetra.
Nëse do të besojmë tek vetja dhe tek dashuria për qytetarët dhe vendin, do të arrijmë të fitojmë dilemën e madhe duke zgjedhur ndryshimin dhe risinë dhe duke luftuar apo mohuar vazhdimësinë dhe të vjetrën.