Monday, May 23, 2011

Kadare, ky humbës i madh


Dr. Alban Daci


Kadare i shkroi z. Basha një letër të hapur ku i kërkonte të jepte dorëheqjen. Kadare, pa dyshim, mbetet një shkrimtar i madh jo vetëm për letërsinë shqiptare, por edhe për atë botërore. Ky fakt nuk do të thotë aspak se Kadare mund të flas për çdo ngjarje dhe për çdo fenomen që ndodh në shoqërinë shqiptare.

Kadare, para se të jetë një shkrimtar i madh, ashtu siç është vlerësuar deri më sot, është një qytetar i thjeshtë, është njeri dhe për rrjedhojë edhe ai mund të jetë i ngarkuar me emocione, mund të gaboi, nuk mund të di çdo gjë dhe nuk mund të njoh çdo fenomen, qoftë edhe jashtë fushës së tij.

Kadare i shkruan Bashës se duhet të jap dorëheqjen. Nuk e kuptoj se si ky i fundit mund të bëj një gjë të tillë, kur ai nuk e mban një postë të tillë, por është një kandidat potencial për ta fituar atë. Z. Basha nuk është kryetar bashkie në detyrë, që të jap dorëheqjen. Ai është një kandidat potencial, i cili, përmes votës së qytetarëve beson se do të jetë fitues, jo vetëm moral, por edhe politik.

Me të drejtë Basha është shprehur me letrën e tij të hapur, ku i ka dhënë përgjigje shkrimtarit, se nuk mund të jap dorëheqje në këtë moment, sepse do të tradhtonte të gjithë ato mijëra qytetarë, që i kanë besuar votën, vullnetin e tyre të lirë e demokratik. Ai nuk mund të thyej shpresat e qytetarëve, që e kanë votuar, të cilët duan dhe kërkojnë një qytetet modern, që të jetë i tyre dhe në funksion të jetës së tyre.

Kadare, me të drejtë është i shqetësuar për situatën politike në vend, por, ai, dhe shumë intelektual të tjerë, kur shikojnë fenomene të tilla në arën sociale shqiptare, duhet të ndjehen sa fajtorë aq edhe të dështuar. Nëse shoqëria e një vend nuk ec përpara, por bën hapa mbrapa duke mbetur pothuajse në konflikt të përjetshëm, do të thotë se fajtorë janë edhe intelektualët që janë pjesë natyrore e saj.

Në njëzet vitet e fundi në Shqipëri kanë ndodhur të gjitha: prosperiteti, regresi, gëzimi, hidhërimi, paqja, lufta, por në asnjë rast klasa intelektuale e këtij vendi nuk e ka ngritur zërin e saj në formën e një arsye humane për të mbrojtur interesin e përgjithshëm qytetar, por gjithmonë ka reaguar mbi bazën e emocioneve, euforive dhe interesave të njëanshme politike.

Kadare, edhe pse pa dyshim mbetet një shkrimtar i madh dhe një simbol i letrave shqipe, ai nuk është një protagonist i politikës shqiptare, ai nuk është një qytetar aktiv i realitet shoqëror shqiptar. Ai nuk qëndroi në Shqipëri për të luftuar bashkë me qytetarët e këtij vendi që të ishte më evropian, se sa ka qenë deri tani, më i begatë se sa ka qenë deri tani, më demokrat se sa ka qenë deri. Ai, zgjodhi të jetoi në mesin e Europës, ku herë pas here na dërgon rekomandime se si duhet të jetë jeta jonë, kur në të njëjtën kohë jeta e tij është krejt e ndryshme nga e jona.

Ai zgjodhi të jetonte në Paris, ku kultura jo vetëm respektohet, por është çelësi dhe zemra e shoqërisë, nga ku lindin dhe zhvillohen demokracia e politika. Të jetosh në Paris, për një njeri si Kadareja, është fare e thjeshtë dhe komode, të jetosh në Shqipëri, si një qytetar i thjeshtë dhe demokrat, jo vetëm është shumë e vështirë, por shumë herë e pamundur.

Shkrimtari Kadare, duhet të vijë më shpesh në Shqipëri, dhe pse jo, të jetoi përgjithmonë këtu me qytetarët e tij, për ta kuptuar mirë këtë vend. Ai duhet të jetoi këtu mes qytetarëve, që ëndrrat e tyre të mos i duken absurde, përkundrazi legjitime dhe të bukura. I dashur shkrimtar i madh Kadare, ti je njeriu që na ke frymëzuar për një jetë më të mirë, por kurrë nuk na ke mësuar se si mund të realizohet konkretisht ajo, sepse ti nuk ke jetuar mes nesh realisht, por thjeshtë virtualisht, përmes letrave të tua.

Unë, i dashur Kadare, jam intelektual i ri, kam studiuar për rreth gjashtë vjet studimet universitare dhe pasuniversitare me rezultate të shkëlqyera në Itali. Unë, ndryshe nga ju, pasi kreva këto studime vendosa të kthehem në vendin tim. Këtë nuk e bëra për modesti, apo për ambicie të mia personale. U ktheva në Shqipëri, se ky është vendi im, ku unë u linda dhe u rrita. Këtu kam familjen time, miqtë e mi.

Jam kthyer me bindjen dhe dëshirën që ky vend të bëhet i begatë, demokratik dhe evropian, ashtu siç e meriton dhe ka aspiruar në vite. Mos mendoni se është e lehtë të lësh Europën dhe stilin e saj të jetës dhe të kthehesh në Shqipëri. Vendi ynë, ashtu siç edhe ju e dini shumë mirë dhe e keni përshkruar në letrat tuaja, është një vend magjik, por që magjinë nuk e prekin qytetarët, të zotët, të aftët dhe më të mirët.

Shqipëria ka kaluar periudha të zeza në kaluarën, por në vitet e fundit, të paktën ne që kemi jetuar jashtë e shikojmë se ky vend, më në fund, po ndryshon për mirë. Ndoshta hapat e ndryshimit nuk janë me ritme të larta, por ato janë të dukshëm dhe të prekshëm. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të rrymave të reja, që po fryjnë në politikën shqiptare. Një shembull i tillë është, padyshim, edhe z. Basha, i cili me stilin e tij sa origjinal dhe perëndimor në të njëjtën kohë, u tregoi qytetarëve se politika nuk bëhet vetëm nga politikanët dhe për politikanët, por politikanët dhe qytetarët bashkëpunojnë së bashku në ide dhe projekte për ta bërë jetën e përbashkët me standarde të larta ekonomike, politike dhe demokratike.

Kur shkruajmë sidomos për politikën shqiptarët, pavarësisht vlerave dhe peshës që kemi si figura publike duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse politika shqiptare ende është një zonë e minuar, jo sigurisht me bomba, por me emocione dhe paragjykime. Ndoshta, nuk ishte momenti që ju të shkruanin një letër të hapur, ku i kërkonin dorëheqjen Bashës, i cili në ndryshim nga Rama nuk ka qenë jo për tri mandate rresht kryetar bashkie, por as edhe për një sekondë të vetëm. Nëse, në situatën aktuale politike dikush duhej të japte dorëheqjen, ky, pa dyshim, duhej të ishte z. Rama. Ai ka tri mandate si kryetar bashkie i kryeqytetit, dhe nuk mendoj se rikandidimi i tij do të sjellë diçka të re dhe të ndryshme nga ato që ka aplikuar deri tani.

Ju, shkrimtar i dashur për shumë lexues në të gjithë botën, gjithmonë keni shkruar për të rinjtë. Atëherë, një i ri, plot energji, me ide të qarta politike për qytetarin është pikërisht Basha. Ai nuk përfaqëson asnjë të kaluar të vjetër në politikën shqiptare. Ai është një model që qytetarët e kanë votuar masivisht dhe që kanë besim të madh tek idetë e tij, sepse ai përfaqëson të renë, përfaqëson ëndrrën europiane, përfaqëson vizionin perëndimor të të bërit politikë.

Z. Kadare, ti mbetesh një figurë frymëzuese për shumë shqiptarë, prandaj mendoj se duhet të jeni shumë të kujdesshëm, të njëanshëm dhe të sinqertë kur të shkruani. Një fjalë e juaj vlen shumë. Prandaj, ajo mund të jetë shumë e dobishme, kur është origjinale e jotja dhe e mbushur me arsye qytetare, por ajo mund të jetë edhe shumë e dëmshme, kur nuk është origjinale e juaja, por e mbushur me emocione dhe me hije paqartësie.

I dashur Kadare, ju besoi e dini shumë mirë, se demokracia nuk është një betejë që ju mund ta drejtoni dhe ta bëni nga larg. Demokracia është një betejë vlerash, aksionesh që mund të ndërmerren vetëm duke jetuar në komunitet dhe mes qytetarëve. Ju nuk mund të flisni për demokracinë shqiptare, për sa kohë ju keni vendosur ta abstenoni, duke zgjedhur të jetoni në një vend si Franca, që ka një demokraci teje të kristalizuar dhe funksionale.

Nëse doni që Shqipëria të jetë europiane, demokratike dhe e begatë, atëherë kthehuni në Shqipëri, që kontributin tuaj politik dhe idetë tuaja largpamëse me vlera perëndimore t’i zhvilloni dhe rrisni bashkë me qytetarët tuaj në realitetin social të shqiptar.


Mos mendoni, se ne që jemi kthyer, tashmë, në Shqipëri jemi të “çmendur”, apo që nuk na pëlqen jeta europiane. Ne, jemi kthyer, ashtu siç është kthyer edhe z. Basha, sepse kemi besimin e plotë se ky vend do të bëhet vetëm nga ne, shqiptarët. Nëse ne i kthejmë shpinën vendin tonë, atëherë ne do të mbetemi si “hardhuca” pa identik nëpër botë dhe ky vend do të rrezikoj të mbetet i shkretë dhe i thatë si një bimë e njomë, që ka ditë pa u vaditur me uji.

Ju, z. Kadare, pa dyshim mbeteni një njeri i madh i letrave, por ju mbeteni një humbës i madh i politikës shqiptare, sepse ju tashmë jo vetëm e keni humbur atë, por me kuptimin e mirë të fjalës keni humbur edhe vetë Shqipërinë që nga momenti kur vendosët t’i kthenit shpinën për ta ndërruar atë me Parisin magjeps dhe Francën demokratike.