Monday, August 9, 2010

Diplomaci profesionale për një Shqipëri Evropiane


Dr. Alban Daci
Botuar me date 8 gusht 2010
Tirana Observer

Jam ndër të parët dhe ndoshta i vetmi që kam shkruar shumë herë për të rinjtë që studiojnë jashtë Shqipërisë, për kthimin e tyre në Atdhe, si dhe për vlerat që mbartin këta të rinj që janë pajisur me dijet dhe kulturën perëndimore. Kam qenë ndër parët që kam hartuar edhe një projekt të titulluar “Mirë se Erdhët në Atdhe”, i cili është i pari dhe i vetmi në llojin tij. Projekti i hartuar nga unë në mënyrë të detajuar, ka ide konkrete, se si mund të bëhet kthimi i studentëve shqiptarë, që mbarojnë jashtë vendit, kush mund të jetë roli i tyre në realitetin institucional dhe shoqëror të Shqipërisë etj. Megjithatë, pa i vënë fajin askujt, ndoshta edhe për faktin se unë nuk kisha miq të fuqishëm në pushtet, ai projekti mbeti i harruar dhe nuk pati mundësi për t’u vënë në zbatim. Flitet se në lidhje me këtë çështje është krijuar dhe një fond i posaçëm në dispozicion të atyre, që vendosin për t’u kthyer në vendin e tyre, Shqipëri. Unë, nuk kam dëgjuar që të ketë ndonjë të ri që ka përfituar nga ky fond.
Kthimi i studentëve shqiptarë nuk është vetëm një çështje, por është edhe një domosdoshmëri. Përderisa kemi qindra dhe mijëra të rinj që janë larguar dhe që vazhdojnë të largohen për të kryer studimet universitare jashtë vendit, duhet të mendojmë, si dhe të jemi të gatshëm t’ presim, se një ditë ato mund të kthehen përsëri në vendin e tyre.
Mora guxim për të ngritur zërin dhe për të folur jo vetëm për veten, por për të gjithë të rinjtë që kanë kryer studimet e larta universitare jashtë vendit dhe që duan të rikthehen përsëri pranë familjeve të tyre me qëllim që dijet e fituara në universitetet më prestigjioze jashtë t’i vënë në zbatimin në administratën shtetërore të vendit të tyre, të Shqipërisë.
Le të flasë konkretisht. Jam, Alban Daci, dhe sapo kam mbaruar studimet universitare e pasuniversitare në Universitetin e Genovës, Fakulteti i Shkencave politike, dega Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomatike. Mbrojtjen e temës së diplomës e kam kryer me rezultatin maksimal 110/110 dhe ajo titullohej “Doha Round dhe WTO-ja (World Trade Organization)”. Gjatë viteve që kam qëndruar në Itali për të kryer studimet universitare, kam dhënë një kontribut të çmuar për emigrantët shqiptarë dhe për çështjet e tyre. Për të realizuar programet që kishin për objektiv këto emigrantë kam bashkëpunuar ngushtë me shoqërinë civile italiane, me institucionet dhe organizatat jo-qeveritare, si dhe me botën e diplomacisë shqiptare të stabilizuar në Itali. Këtë gjë e vërteton edhe çmimi “Kolombo” i dhënë nga Komiteti Kombëtar “Kolombo”, Itali, me rastin e përfundimit të studimeve universitare.
Gjithçka e kam bërë për humanizëm dhe për krenari shqiptare, pa pasur asnjë interes personal. Tani që mbarova studimet universitare dhe pas universitare vendosa të kthehem në Shqipërinë tonë të dashur, në vendin ku kam familjen, të afërmit dhe gjithçka që jep identitetin e të qenit shqiptarë.
U ktheva dhe më erdhi mirë që Shqipërinë e gjeta të ndryshuar. E rëndishme është se Shqipëria dhe shqiptarët janë gjithmonë në lëvizje dhe zhvillim.
Megjithatë, unë mendoj dhe besoj se akoma ka shumë punë për të bërë, që Shqipëria të jetë një vend model jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.
Shqipëria është një vend që ka shumë optimizëm dhe që beson shumë tek zhvillimi dhe tek integrimi. Këtë e vura re, kur hyra në territorin shqiptar nga territori i Malit të Zi. Rruga që shkon nga Shkodra për tek dogana me Malin e Zi po rikonstruktohej, ndërsa segmenti nga ana e shtetit të Malit të Zi, ishte një rrugë e humbur, ku makina nuk mund të ecte më shumë se 20 K/H.
Z. Kryeministër, po ju drejtohem, se kam besim tek ju, sepse gjithmonë keni qenë pro rinisë; pro forcave dhe mendjeve të reja për të çuar më tej procesin e zhvillimit dhe të integrimit të Shqipërisë. Unë, kam mbaruar studimet universitare dhe pas universitare në Genova të Italisë dhe jam kthyer në Shqipëri, për të punuar për vendin tim, për të vënë në praktikë përvojat e mia jetësore dhe akademike në shërbim të diplomacisë dhe të vendit tim. Jo vetëm unë, por shumë të rinj si unë, që duan të kthehen, ose që janë kthyer në Shqipëri dhe që nuk kanë mbështetje dhe angazhime politike e kanë shumë të vështirë që të angazhohen në institucionet e shtetit shqiptar. Për aq sa jam i informuar, mund të them se nuk ka asnjë zyrë, institucion, departament apo publikim zyrtar ku mund të drejtohesh për punë. Pra, ne nuk dimë se ku do t’i paraqesim dosjet tona, nuk dimë ku të paraqitemi për të paraqitur idetë dhe projektet tona në shërbim të shtetit shqiptar.
Le të marrim një shembull dhe të bëjmë në të njëjtën kohë krahasime. Në faqes e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Italisë, përveç shumë rubrikave të tjera, që kanë të bëjnë me informacionet teknike dhe institucionale, ka dhe një rubrikë që ju dedikohet oportuniteteve për punë, stage, që mund të bëhen pranë kësaj ministrie dhe strukturave që ajo ka. Ndërsa, në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme të Republikës Shqipërisë, nuk ka asnjë rubrikë për mundësi punësimi, bashkëpunimi etj.
z. Kryeministër, shteti shqiptar është përfshirë në një seri procesesh, marrëveshjesh, të cilat për nga pesha kombëtare, si dhe ndërkombëtare janë të një rëndësisë vitale. Prandaj, mendoj dhe jam i sigurt që sot më shumë se kurrë, Shqipëria në përgjithësi dhe diplomacia shqiptare në veçanti ka nevojë për njerëz të ri, me energji të reja intelektuale dhe fizike që do të jepnin kontribute të jashtëzakonshme për të mbajtur një pozicion strategjik dhe diplomatik të lartë jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s dhe shumë shpejt kam besimin e plotë që do të bëhet edhe evropiane. Si NATO ashtu dhe Evropa e Bashkuar, janë bërë nga njerëz që kishin vizione, ide dhe energji të reja. Prandaj, edhe Shqipëria që të jetë Evropiane, duhet mbi të gjitha të jetë një vend me një shoqëri demokratike dhe perëndimore, që është në gjendje të jetë konkurrente dhe partnere në mjediset e ndërvarësisë ekonomike dhe të procesit të globalizimit, ku ajo është përfshirë.
Për shkak të përvojës së gjatë në politikën shqiptare, mendoj se jeni i vetëdijshëm, se diplomacia shqiptare nuk mund të bëhet më nga ish funksionarë të lartë të Partisë së Punës, të Rinisë së Punës, gazetarë të diktaturës, militantë dhe mitingashë. Të tillë në diplomacinë shqiptare në njëzet vitet e fundit ka pasur plot dhe kushdo mund të japë një listë të gjatë të tyre, që nuk kanë njohuri të përgjithshme të nivelit mesatar e jo më diplomatike, ku shumë prej nuk dinë asnjë gjuhë të huaj. Si është e mundur që Shqipëria e “moshës së internetit” të vazhdojë të përfaqësohet me këto modele të komunizmit (që deri dje luftuan seriozisht Perëndimin, dhe tani presim të na lidhin miqësi me Perëndimin!)?! Si mund të presin ende shqiptarët, që këta njerëz të vënë ura bashkëpunimi e miqësie me botën perëndimore moderne?! Unë besoj se në diplomacinë shqiptare duhet një revolucion i vërtetë, ku gjithçka të bazohet mbi principin e meritokracisë dhe jo mbi parimet e pamoralshme të klaneve shoqërore e miqësore, të nepotizmit dhe militantizmit, si deri më sot. Diplomacia shqiptare duhet çliruar nga të tilla fenomene. Në çdo diplomaci të vendeve të tjera, përveç profesionalizmit vihet re dhe ndjenja e lartë kombëtare dhe përgjegjësia për t’i shërbyer vendit të tyre. Për fatin e keq, në diplomacinë shqiptare kjo gjë nuk vihet re, me ndonjë përjashtim të vogël.
Unë, dhe shumë të rinj si unë, jemi kthyer, ose dëshirojmë të kthehemi në Shqipëri për të punuar për shoqërinë, shtetin dhe vendin tonë. Por, ne duhet të na krijohen kushtet optimale. Ne duhet të respektohemi për kapacitet që kemi, si dhe për rolin që mund të japim në zhvillimin dhe integrimin e mëtejshëm të vendi tonë.
Zoti kryeministër, gjithmonë keni premtuar për kthimin jo vetëm të studentëve shqiptarë që kanë kryer studimet jashtë vendit, por të gjithë qytetarëve shqiptarë, që pas shumë vitesh emigracioni kanë vendosur të kthehen përgjithmonë pranë familjeve të tyre. Prandaj, mbani premtimin, që na keni dhënë! Për ndryshe, në të rinjtë që jemi e ardhmja e këtij vendi, që kemi zellin dhe kapacitetin intelektual për të punuar për Shqipërinë do të detyrohemi të largohemi dhe ndoshta përgjithmonë nga vendi ynë, ose do të detyrohemi të jemi oponenca e vërtetë e politikës shqiptare në vend. Ne kemi besim tek Shqipëria dhe e kemi obligim personal dhe kombëtar të punojmë për vendin tonë, që ai të ndriçoi dhe të jetë i standardeve evropiane, ashtu siç e kërkon koha.
Gjithçka, varet nga vullneti që ka politika shqiptare dhe shteti shqiptar, që dëshirat tona për të qëndruar dhe punuar në Shqipëri, të bëhen kërkesa konkrete, sepse ne jemi të gatshëm dhe të zellshëm për të punuar për Shqipërinë.