Friday, July 10, 2009

Zgjedhjet e kësaj radhe janë një risi

Dr. Alban Daci
Botuar me date 13.07.2009
Gazeta "STANDARD"

Zgjedhjet e kësaj radhe janë një risi
në politikën shqiptare



Zgjedhjet e fundit parlamentare që sapo u zhvilluan në Shqipëri, sollën disa risi përsa i përket mënyrës të menduar dhe të vepruarit në politikën shqiptare. Kjo risi u konstatua në disa elementë që dëshiroj t’i rreshtoj si më poshtë:
1. Duke përjashtuar ndonjë rast sporadik dhe të izoluar, fushata elektorale duke përfshirë edhe ditën e votimit nuk u karakterizua me raste dhune. Kjo mendoj se ka ndodhur për tre arsye:
a) Elita politike ka kuptuar më në fund se ndryshimi ose konfirmimi nuk mund të vij më përmes dhunës, por përmes konkurrimit politik të bazuar mbi rregullat e lojës në respekt të plotë me kriteret e demokracisë. Tashmë ballafaqimi ose rivaliteti politik (që arrin pikën më të nxehtë në rastet, kur qytetarët paraqiten për të dhënë virdiktin e ushtruar përmes votës së lirë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim), nuk konsiderohet si një betejë lufte, ku ka armiq dhe tradhtar apo miq dhe patriot, por konsiderohet si një betejë e hapur demokratike, ku armët e saj janë strategjitë, programet politike, burimet njerëzore dhe gjuha politike e përdorur përpara qytetarëve. Këtë betejë e fiton ajo forcë politike që arrin të realizoj performancën më të mirë duke i koordinuar të gjithë këto element për të pasur si qëllim kryesor fitoren e merituar. Në këto zgjedhje parlamentare, nuk ndodhi ajo që kishte ndodhur rëndomtë më parë, kur politikanët merreshin me gjërat personale të kundërshtarëve të tyre duke mos u kushtuar aspak rëndësi programeve politike, burimeve njerëzore, strategjive politike. Pothuajse e gjithë fushata elektorale e viteve të tjera ishte e përqendruar vetëm në tre protagonist kryesorë, të cilët nga mëngjesi deri në dark nuk linin gjë pa u thënë kundërshtarëve të tyre, por që nuk kishin asnjë vizion konkret se çfarë do të bënin realisht në planin e ndërmarrjes së reformave nëse do të fitonin zgjedhjet. Boshti kryesor i këtyre zgjedhjeve ishte se: të gjitha forcat politike në vend pavarësisht nga niveli përfaqësues, u munduan të paraqesin një program politik sa më real dhe aktual për të qenë sa më pranë qytetarëve, të cilët duhet të ndjeheshin të përfshirë në proces. Të fitosh zgjedhjet në një vend demokratik nuk mjafton të shkruash bukur një program politik, por të kesh kapacitete dhe gjuhën e qartë politike që ta paraqesësh sa më të besueshëm dhe real tek çdo qytetarë. Programi politik, duhet të jetë i thjeshtë, i qartë dhe i kuptueshëm nga të gjithë qytetarët, pavarësisht nga niveli arsimor. Këtë gjë e arriti më mirë nga të gjitha subjektet e tjera PD, falë favorizimit që kishte, sepse në katër vitet e fundit kishte qeverisur duke mbajtur një pjesë të mirë të premtimeve politike si dhe kapacitet, fleksibilitetin, dhe aftësinë që ka kjo parti ka për tu rinovuar dhe qenë gjithmonë koherente me proceset e kohës. Partia demokratike, këtë radhë arriti pothuajse të prezantoj një burim njerëzor krejtësisht të rinovuar me figura të reja, të cilët jo vetëm ishin plotësisht në sintoni më programin politik të kësaj partie, por ishin plotësisht në sintoni me problemet dhe nevojat e qytetarëve. Kurse, Partia Socialiste edhe përse u mundua të paraqitet si një subjekt politik i rinovuar vetëm për faktin se u ndryshua kryetari i saj, realisht brenda gjirit të saj kishte pothuajse të njëjtin burim njerëzor të konsumuar gjatë tetë viteve që ishin në qeverisje, periudhë e cila njihet si më papërgjegjshmja përsa i përket mënyrës se si u qeveris. Si brenda kësaj partie apo edhe në koalicionin që ajo kishte paraqitur, kishte persona që në të kaluarën janë akuzuar disa herë për korrupsion. Nëse kishte ndonjë element të ri tek kjo parti, ai nuk përbënte një alternativë të re, sepse kishte mangësi komunikuese, distancë të madhe mes jetës së tij dhe realitetit tonë shoqëror si dhe variacion të theksuar të identitetit të tij politik, i cili kishte ulje dhe ngritje sipas egove dhe dëshirave personale për pushtet.
b) Periudha relativisht e gjatë, ku Shqipëria është përpjekur të ndërtoj një demokraci të shëndosh, ka bërë që të rritet niveli formues/informues i qytetarëve për proceset politike në përgjithësi dhe për demokracinë në veçanti. Kjo ka ndodhur edhe për faktin se ka një numër të konsiderueshëm të familjeve shqiptare që kanë një anëtarë që ka mbaruar/vazhdon të ndjek studimet e larta në një nga vendet perëndimor ose prej vitesh është emigrant në Perëndim. Kjo ka ndikuar pozitivisht për të rritur nivelin politik dhe të proceseve demokratike në vend. Gjithashtu, një hap i dytë, që ka ndikuar në rritjen e informacionit/formacionit politik, ka ndikuar edhe fakti se Shqipëria në këto vite ka qenë një vend i hapur duke garantuar një pluralitet shkëmbimesh me vendet e tjera, si dhe për faktin që tashmë shumë shqiptarë mund t’i kuptojnë proceset demokratike duke ndjekur mediet prestigjioze të botës demokratike. Rritja e informacionit/formacionit politik tek qytetarët, bëri që qytetarët të mos ishin si më parë një turmë militantësh që ndjekin qoftë edhe me sy të mbyllur idhullin e tyre politik, por të analizojnë, vëzhgojnë me sy kritik çdo propozim politik, ku bëjnë pjesë drejtpërdrejt edhe interesat e tyre. Ky fenomen i qytetarit të edukuar u vu re në këto zgjedhje, ku për fat të mirë nuk pati kontestime dhe manifestimet të stilit barbar nëpër rrugët e qyteteve siç ndodhte me parë.
c) Një rol po aq të rëndësishëm, ka luajtur edhe fakti se tashmë Shqipëria gjendet plotësisht në kanalet e Integrimit Evropian. Për rrjedhojë ajo është gjithmonë nën vëzhgimin e organeve të Bashkimit Evropian për plotësimin e standardeve, ku më kryesori është procesi i demokratizimit i garantuar përmes votës së lirë dhe të sigurt. Për këtë arsye elita e politikës shqiptare, diku e kushtëzuar dhe diku me dëshirën dhe vullnetin e saj është e detyruar të respektoj rregullat e lojës për të garantuar një proces politik sa më demokratik në vend. Çdo politikan shqiptar është i bindur se nëse nuk zbaton rregullat themelore të demokracisë nuk është i pritur mirë nga Evropa dhe për rrjedhojë rrezikon të humb kredibilitetin e tij politik tek qytetarët. Ky rol i fortë i ndërkombëtarëve dhe sidomos ai Evropian, ku Shqipëria së shpejti shpreson të jetë anëtare me drejta të plota, janë një garanci për respektimin e rregullave demokratike në vend.
2. Këto zgjedhje, për herë të parë mund të themi se arritën të konfirmonin vetëm pak subjekte politike, duke eliminuar shumë parti që deri tani nuk kanë qenë përfaqësuese të qytetarëve, por delegat të pazareve politike. E kam fjalën por ato parti që për vite me radhë kanë pasur vetëm një anëtar dhe kryetar në të njëjtën kohë, por që falë pazareve politike të bazuara në interesa të ndryshme jo vetëm siguruan vende në Parlament, por shumë herë ishin edhe në nivel ministrash. Mendoj se ka ardhur momenti duke marr si shembull rezultatin e zgjedhjeve të fundit, që sistemi politik në vend të riformohet, ku të jenë ( sigurisht me konsensusin e zgjedhësve) dy parti kryesore të ekstremit të majtë dhe ta djathtë si dhe një ose dy parti të tjera të qendrës. Mendoj se nuk ka më vend për parti fantazma që nuk sjellin asnjë një rezultat pozitiv si në nivel përfaqësimi në Parlament ashtu edhe në nivel qeverisës, sepse nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve, por interesat e politikës së fshehur, jo demokratike me rregulla loje që ngjajnë më një pazar devesh të zhvilluar në oazën e një shkretëtire të thatë.
3. Këto zgjedhje na dhuruan për të herë të parë në historinë e pluralizmit politik shqiptar, një risi krejt të re dhe mjaft domethënëse për demokracinë shqiptare. Kjo risi e ka emrin koalicioni “PD-LSI”, sepse për herë të parë dy parti shqiptare, që kanë qenë gjithmonë në raport pozite/opozite, vendosën të qeverisin së bashku vendin. Ky koalicion nuk do të kishte ndodhur më parë për arsye që nënvizuam sipër. Atëherë lind pyetja se përse ndodhi pikërisht tani? Sepse, kryetari aktual i PS erdhi në krye të kësaj partie në një moment të vështirë për lidershipin e saj. Me pak fjalë, nuk ishte e qartë në këtë parti se kush ishte kryetari, ky i riu që erdhi apo hija e atij tjetrit që u largua për shkak të humbjes që pësoj në zgjedhjet e 2005. Kjo situatë, kultivoj tek kryetari aktual frikën Hobbes-ane, duke parë me dyshim çdo lëvizje si brenda dhe jashtë partisë, duke konsideruar këdo si një potencial rivaliteti që mendon nga momenti në moment ta sulmoj dhe ta eliminoj politikisht. Kjo bëri që të rris tej mase mosbesimin dhe rivalitetin e heshtur si brenda kësaj partie dhe jashtë saj tek aleatët e mundshëm, ku mund të bënte pjesë edhe LSI. Për rrjedhojë, lideri i LSI-së në këtë situatë të re të krijuar, e pa të pamundur mundësinë për të bashkëpunuar ose për të bërë koalicion me PS-në. U pa qartë edhe pas disa tentativave të bëra nga lideri i LSI-së se qeverisja ose fitorja e zgjedhjeve me PS-në ishte thjeshtë një realitet i pa mundur për tu konkretizuar. Pastaj, LSI është parti e qendrës dhe si e tillë duke u nisur edhe nga programi politik që ka mund të qeveris fare mirë me të dyja partitë e ekstremeve. Prandaj, LSI jo vetëm që nuk ka bërë mëkat që do të qeveris me PD-në, por ka bërë një zgjedhje shumë të mirë për të mos çuar vendin në krizë politike, institucionale. Ndërsa, PD për faktin se në këto zgjedhje siguroj të rikonfirmohet si subjekti më i përfaqësuar përmes votave të popullit e kishte detyrim moral dhe demokratik që të qeveriste vendin edhe për mandatin e ri. Për këtë arsye si dhe për faktin se ajo tashmë ka realizuar një seri reformash, të cilat së bashku me LSI, pretendon t’i kurorëzoj me fundin e mandatit të ri. Një ndër proceset më të rëndësishme që PD do të ketë si objektiv kryesor në katër vitet e ardhshme do të jetë modernizimi i vendit dhe anëtarësimi i plotë i tij në Bashkimin Evropian. Jam i sigurt se këto dy procese falë burimeve njerëzore që kjo parti ka, falë bashkëpunimit që do të ndërtohet me LSI-në si dhe falë mbështetjes ndërkombëtare që ka, do t’i realizoj me sukses. Përsa i përket stabiliteti të mazhorancës qeverisëse që do të krijohet, nuk do të ketë ndonjë faktor që mund ta shpërbëj atë. Qeveria e re do të jetë stabël deri në fund të mandatit të fituar pa krijuar kriza institucionale. Kjo do të ndodh, sepse PS për shkak të humbjes së zgjedhjeve, mungesës së identitetit, kohezionit dhe fleksibilitet në lidershipin e saj rrezikon të shpërbëhet dhe të përçahet si subjekt politik. Mendoj, se gjatë këtyre katër viteve PS nuk do të jetë në gjendje të jetë një subjekt i fortë politik për të ardhur në pushtet. Gjithashtu, për shkak të karakteristikave që ka LSI, ajo nuk do të bëj të bjer qeveria, sepse një situatë e tillë nuk do të sillte asnjë avantazh politik për këtë parti, por thjeshtë humbje politike duke u ri gjetur në pozicionin e opozitarit. LSI, nuk është në gjendje të fitoj zgjedhjet e vetme dhe të siguroj mazhorancën më të madhe për të qeverisur vendin. Për shkak të këtij pozicioni politik që kjo parti ka dhe për faktin se është parti e qendrës, duhet të bashkohet me njërin nga dy ekstremet për të qeverisur vendin. Në këto momente, ajo këtë gjë mund ta bëj vetëm me PD. Ky koalicion, që me të drejtë mund ta quajmë “koalicioni i integrimit” ka dy valenca:
a) Në planin kombëtar, sepse siguron vazhdimësinë e reformave në vend, garanton vazhdimin e më tejshëm të procesit të Integrimit Evropian si dhe forcimin e demokracisë etj.
b) Në planin ndërkombëtar, sepse koalicion rrit besimin tek Evropa, se politika shqiptare ka ndryshuar, sepse brenda këtij sistemi nuk ka vetëm luftëra të vërteta siç ka ndodhur deri tani, por edhe konsensus politik për të mirën e qytetarëve. Deri tani ka qenë krijuar ideja se: politikanët shqiptarë për hir të pushtetit janë në gjendje të bëjnë gjithçka përfshi edhe luftën e vërtetë, kurse këto zgjedhjet e fundit treguan se Shqipëria ka ndryshuar dhe bashkë me të ka ndryshuar edhe mënyra e të bërit politik.
Këto zgjedhje treguan se: Shqipëria ka arritur një maturi të mirë demokratike dhe që demokratizimi i vendit është një proces që sigurisht mund të ketë akoma shumë gjëra për t’i korrigjuar ose për t’i aplikuar që të funksionoj sa më mirë të jetë e mundur. Ashtu siç ka thënë Rousseau: “Nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ekzistoj një demokraci perfekte, përsa kohë bota do të jetë e populluar me njerëz dhe jo me hyjni”. Pra, edhe në vendet më histori të gjatë demokratike nuk kemi akoma sot një demokraci perfekte, sepse ajo nuk mund të realizohet. Prandaj, ne shqiptarët, duhet të përpiqemi që të krijojmë një demokraci sa më të mirë dhe reale, ku shtylla e saj të jetë konsensusi i qytetarëve i shprehur përmes votës së lirë dhe transparenca e aksioneve që ndërmarrin përfaqësuesit për të përfaqësuar sa më mirë interesat e qytetarëve.
Këto zgjedhje janë një risi që rrisin shpresën reale tek ne qytetarët, sepse vendi ynë përjeton aktualitetin, dëshiron/meriton një të ardhme të mirë dhe nuk kthehet më mbrapa për të rikujtuar të kaluarën, që shpresoj të mbetet gjithmonë e tillë.