Friday, July 10, 2009

Zgjedhjet e kësaj radhe janë një risi

Dr. Alban Daci
Botuar me date 13.07.2009
Gazeta "STANDARD"

Zgjedhjet e kësaj radhe janë një risi
në politikën shqiptare



Zgjedhjet e fundit parlamentare që sapo u zhvilluan në Shqipëri, sollën disa risi përsa i përket mënyrës të menduar dhe të vepruarit në politikën shqiptare. Kjo risi u konstatua në disa elementë që dëshiroj t’i rreshtoj si më poshtë:
1. Duke përjashtuar ndonjë rast sporadik dhe të izoluar, fushata elektorale duke përfshirë edhe ditën e votimit nuk u karakterizua me raste dhune. Kjo mendoj se ka ndodhur për tre arsye:
a) Elita politike ka kuptuar më në fund se ndryshimi ose konfirmimi nuk mund të vij më përmes dhunës, por përmes konkurrimit politik të bazuar mbi rregullat e lojës në respekt të plotë me kriteret e demokracisë. Tashmë ballafaqimi ose rivaliteti politik (që arrin pikën më të nxehtë në rastet, kur qytetarët paraqiten për të dhënë virdiktin e ushtruar përmes votës së lirë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim), nuk konsiderohet si një betejë lufte, ku ka armiq dhe tradhtar apo miq dhe patriot, por konsiderohet si një betejë e hapur demokratike, ku armët e saj janë strategjitë, programet politike, burimet njerëzore dhe gjuha politike e përdorur përpara qytetarëve. Këtë betejë e fiton ajo forcë politike që arrin të realizoj performancën më të mirë duke i koordinuar të gjithë këto element për të pasur si qëllim kryesor fitoren e merituar. Në këto zgjedhje parlamentare, nuk ndodhi ajo që kishte ndodhur rëndomtë më parë, kur politikanët merreshin me gjërat personale të kundërshtarëve të tyre duke mos u kushtuar aspak rëndësi programeve politike, burimeve njerëzore, strategjive politike. Pothuajse e gjithë fushata elektorale e viteve të tjera ishte e përqendruar vetëm në tre protagonist kryesorë, të cilët nga mëngjesi deri në dark nuk linin gjë pa u thënë kundërshtarëve të tyre, por që nuk kishin asnjë vizion konkret se çfarë do të bënin realisht në planin e ndërmarrjes së reformave nëse do të fitonin zgjedhjet. Boshti kryesor i këtyre zgjedhjeve ishte se: të gjitha forcat politike në vend pavarësisht nga niveli përfaqësues, u munduan të paraqesin një program politik sa më real dhe aktual për të qenë sa më pranë qytetarëve, të cilët duhet të ndjeheshin të përfshirë në proces. Të fitosh zgjedhjet në një vend demokratik nuk mjafton të shkruash bukur një program politik, por të kesh kapacitete dhe gjuhën e qartë politike që ta paraqesësh sa më të besueshëm dhe real tek çdo qytetarë. Programi politik, duhet të jetë i thjeshtë, i qartë dhe i kuptueshëm nga të gjithë qytetarët, pavarësisht nga niveli arsimor. Këtë gjë e arriti më mirë nga të gjitha subjektet e tjera PD, falë favorizimit që kishte, sepse në katër vitet e fundit kishte qeverisur duke mbajtur një pjesë të mirë të premtimeve politike si dhe kapacitet, fleksibilitetin, dhe aftësinë që ka kjo parti ka për tu rinovuar dhe qenë gjithmonë koherente me proceset e kohës. Partia demokratike, këtë radhë arriti pothuajse të prezantoj një burim njerëzor krejtësisht të rinovuar me figura të reja, të cilët jo vetëm ishin plotësisht në sintoni më programin politik të kësaj partie, por ishin plotësisht në sintoni me problemet dhe nevojat e qytetarëve. Kurse, Partia Socialiste edhe përse u mundua të paraqitet si një subjekt politik i rinovuar vetëm për faktin se u ndryshua kryetari i saj, realisht brenda gjirit të saj kishte pothuajse të njëjtin burim njerëzor të konsumuar gjatë tetë viteve që ishin në qeverisje, periudhë e cila njihet si më papërgjegjshmja përsa i përket mënyrës se si u qeveris. Si brenda kësaj partie apo edhe në koalicionin që ajo kishte paraqitur, kishte persona që në të kaluarën janë akuzuar disa herë për korrupsion. Nëse kishte ndonjë element të ri tek kjo parti, ai nuk përbënte një alternativë të re, sepse kishte mangësi komunikuese, distancë të madhe mes jetës së tij dhe realitetit tonë shoqëror si dhe variacion të theksuar të identitetit të tij politik, i cili kishte ulje dhe ngritje sipas egove dhe dëshirave personale për pushtet.
b) Periudha relativisht e gjatë, ku Shqipëria është përpjekur të ndërtoj një demokraci të shëndosh, ka bërë që të rritet niveli formues/informues i qytetarëve për proceset politike në përgjithësi dhe për demokracinë në veçanti. Kjo ka ndodhur edhe për faktin se ka një numër të konsiderueshëm të familjeve shqiptare që kanë një anëtarë që ka mbaruar/vazhdon të ndjek studimet e larta në një nga vendet perëndimor ose prej vitesh është emigrant në Perëndim. Kjo ka ndikuar pozitivisht për të rritur nivelin politik dhe të proceseve demokratike në vend. Gjithashtu, një hap i dytë, që ka ndikuar në rritjen e informacionit/formacionit politik, ka ndikuar edhe fakti se Shqipëria në këto vite ka qenë një vend i hapur duke garantuar një pluralitet shkëmbimesh me vendet e tjera, si dhe për faktin që tashmë shumë shqiptarë mund t’i kuptojnë proceset demokratike duke ndjekur mediet prestigjioze të botës demokratike. Rritja e informacionit/formacionit politik tek qytetarët, bëri që qytetarët të mos ishin si më parë një turmë militantësh që ndjekin qoftë edhe me sy të mbyllur idhullin e tyre politik, por të analizojnë, vëzhgojnë me sy kritik çdo propozim politik, ku bëjnë pjesë drejtpërdrejt edhe interesat e tyre. Ky fenomen i qytetarit të edukuar u vu re në këto zgjedhje, ku për fat të mirë nuk pati kontestime dhe manifestimet të stilit barbar nëpër rrugët e qyteteve siç ndodhte me parë.
c) Një rol po aq të rëndësishëm, ka luajtur edhe fakti se tashmë Shqipëria gjendet plotësisht në kanalet e Integrimit Evropian. Për rrjedhojë ajo është gjithmonë nën vëzhgimin e organeve të Bashkimit Evropian për plotësimin e standardeve, ku më kryesori është procesi i demokratizimit i garantuar përmes votës së lirë dhe të sigurt. Për këtë arsye elita e politikës shqiptare, diku e kushtëzuar dhe diku me dëshirën dhe vullnetin e saj është e detyruar të respektoj rregullat e lojës për të garantuar një proces politik sa më demokratik në vend. Çdo politikan shqiptar është i bindur se nëse nuk zbaton rregullat themelore të demokracisë nuk është i pritur mirë nga Evropa dhe për rrjedhojë rrezikon të humb kredibilitetin e tij politik tek qytetarët. Ky rol i fortë i ndërkombëtarëve dhe sidomos ai Evropian, ku Shqipëria së shpejti shpreson të jetë anëtare me drejta të plota, janë një garanci për respektimin e rregullave demokratike në vend.
2. Këto zgjedhje, për herë të parë mund të themi se arritën të konfirmonin vetëm pak subjekte politike, duke eliminuar shumë parti që deri tani nuk kanë qenë përfaqësuese të qytetarëve, por delegat të pazareve politike. E kam fjalën por ato parti që për vite me radhë kanë pasur vetëm një anëtar dhe kryetar në të njëjtën kohë, por që falë pazareve politike të bazuara në interesa të ndryshme jo vetëm siguruan vende në Parlament, por shumë herë ishin edhe në nivel ministrash. Mendoj se ka ardhur momenti duke marr si shembull rezultatin e zgjedhjeve të fundit, që sistemi politik në vend të riformohet, ku të jenë ( sigurisht me konsensusin e zgjedhësve) dy parti kryesore të ekstremit të majtë dhe ta djathtë si dhe një ose dy parti të tjera të qendrës. Mendoj se nuk ka më vend për parti fantazma që nuk sjellin asnjë një rezultat pozitiv si në nivel përfaqësimi në Parlament ashtu edhe në nivel qeverisës, sepse nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve, por interesat e politikës së fshehur, jo demokratike me rregulla loje që ngjajnë më një pazar devesh të zhvilluar në oazën e një shkretëtire të thatë.
3. Këto zgjedhje na dhuruan për të herë të parë në historinë e pluralizmit politik shqiptar, një risi krejt të re dhe mjaft domethënëse për demokracinë shqiptare. Kjo risi e ka emrin koalicioni “PD-LSI”, sepse për herë të parë dy parti shqiptare, që kanë qenë gjithmonë në raport pozite/opozite, vendosën të qeverisin së bashku vendin. Ky koalicion nuk do të kishte ndodhur më parë për arsye që nënvizuam sipër. Atëherë lind pyetja se përse ndodhi pikërisht tani? Sepse, kryetari aktual i PS erdhi në krye të kësaj partie në një moment të vështirë për lidershipin e saj. Me pak fjalë, nuk ishte e qartë në këtë parti se kush ishte kryetari, ky i riu që erdhi apo hija e atij tjetrit që u largua për shkak të humbjes që pësoj në zgjedhjet e 2005. Kjo situatë, kultivoj tek kryetari aktual frikën Hobbes-ane, duke parë me dyshim çdo lëvizje si brenda dhe jashtë partisë, duke konsideruar këdo si një potencial rivaliteti që mendon nga momenti në moment ta sulmoj dhe ta eliminoj politikisht. Kjo bëri që të rris tej mase mosbesimin dhe rivalitetin e heshtur si brenda kësaj partie dhe jashtë saj tek aleatët e mundshëm, ku mund të bënte pjesë edhe LSI. Për rrjedhojë, lideri i LSI-së në këtë situatë të re të krijuar, e pa të pamundur mundësinë për të bashkëpunuar ose për të bërë koalicion me PS-në. U pa qartë edhe pas disa tentativave të bëra nga lideri i LSI-së se qeverisja ose fitorja e zgjedhjeve me PS-në ishte thjeshtë një realitet i pa mundur për tu konkretizuar. Pastaj, LSI është parti e qendrës dhe si e tillë duke u nisur edhe nga programi politik që ka mund të qeveris fare mirë me të dyja partitë e ekstremeve. Prandaj, LSI jo vetëm që nuk ka bërë mëkat që do të qeveris me PD-në, por ka bërë një zgjedhje shumë të mirë për të mos çuar vendin në krizë politike, institucionale. Ndërsa, PD për faktin se në këto zgjedhje siguroj të rikonfirmohet si subjekti më i përfaqësuar përmes votave të popullit e kishte detyrim moral dhe demokratik që të qeveriste vendin edhe për mandatin e ri. Për këtë arsye si dhe për faktin se ajo tashmë ka realizuar një seri reformash, të cilat së bashku me LSI, pretendon t’i kurorëzoj me fundin e mandatit të ri. Një ndër proceset më të rëndësishme që PD do të ketë si objektiv kryesor në katër vitet e ardhshme do të jetë modernizimi i vendit dhe anëtarësimi i plotë i tij në Bashkimin Evropian. Jam i sigurt se këto dy procese falë burimeve njerëzore që kjo parti ka, falë bashkëpunimit që do të ndërtohet me LSI-në si dhe falë mbështetjes ndërkombëtare që ka, do t’i realizoj me sukses. Përsa i përket stabiliteti të mazhorancës qeverisëse që do të krijohet, nuk do të ketë ndonjë faktor që mund ta shpërbëj atë. Qeveria e re do të jetë stabël deri në fund të mandatit të fituar pa krijuar kriza institucionale. Kjo do të ndodh, sepse PS për shkak të humbjes së zgjedhjeve, mungesës së identitetit, kohezionit dhe fleksibilitet në lidershipin e saj rrezikon të shpërbëhet dhe të përçahet si subjekt politik. Mendoj, se gjatë këtyre katër viteve PS nuk do të jetë në gjendje të jetë një subjekt i fortë politik për të ardhur në pushtet. Gjithashtu, për shkak të karakteristikave që ka LSI, ajo nuk do të bëj të bjer qeveria, sepse një situatë e tillë nuk do të sillte asnjë avantazh politik për këtë parti, por thjeshtë humbje politike duke u ri gjetur në pozicionin e opozitarit. LSI, nuk është në gjendje të fitoj zgjedhjet e vetme dhe të siguroj mazhorancën më të madhe për të qeverisur vendin. Për shkak të këtij pozicioni politik që kjo parti ka dhe për faktin se është parti e qendrës, duhet të bashkohet me njërin nga dy ekstremet për të qeverisur vendin. Në këto momente, ajo këtë gjë mund ta bëj vetëm me PD. Ky koalicion, që me të drejtë mund ta quajmë “koalicioni i integrimit” ka dy valenca:
a) Në planin kombëtar, sepse siguron vazhdimësinë e reformave në vend, garanton vazhdimin e më tejshëm të procesit të Integrimit Evropian si dhe forcimin e demokracisë etj.
b) Në planin ndërkombëtar, sepse koalicion rrit besimin tek Evropa, se politika shqiptare ka ndryshuar, sepse brenda këtij sistemi nuk ka vetëm luftëra të vërteta siç ka ndodhur deri tani, por edhe konsensus politik për të mirën e qytetarëve. Deri tani ka qenë krijuar ideja se: politikanët shqiptarë për hir të pushtetit janë në gjendje të bëjnë gjithçka përfshi edhe luftën e vërtetë, kurse këto zgjedhjet e fundit treguan se Shqipëria ka ndryshuar dhe bashkë me të ka ndryshuar edhe mënyra e të bërit politik.
Këto zgjedhje treguan se: Shqipëria ka arritur një maturi të mirë demokratike dhe që demokratizimi i vendit është një proces që sigurisht mund të ketë akoma shumë gjëra për t’i korrigjuar ose për t’i aplikuar që të funksionoj sa më mirë të jetë e mundur. Ashtu siç ka thënë Rousseau: “Nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ekzistoj një demokraci perfekte, përsa kohë bota do të jetë e populluar me njerëz dhe jo me hyjni”. Pra, edhe në vendet më histori të gjatë demokratike nuk kemi akoma sot një demokraci perfekte, sepse ajo nuk mund të realizohet. Prandaj, ne shqiptarët, duhet të përpiqemi që të krijojmë një demokraci sa më të mirë dhe reale, ku shtylla e saj të jetë konsensusi i qytetarëve i shprehur përmes votës së lirë dhe transparenca e aksioneve që ndërmarrin përfaqësuesit për të përfaqësuar sa më mirë interesat e qytetarëve.
Këto zgjedhje janë një risi që rrisin shpresën reale tek ne qytetarët, sepse vendi ynë përjeton aktualitetin, dëshiron/meriton një të ardhme të mirë dhe nuk kthehet më mbrapa për të rikujtuar të kaluarën, që shpresoj të mbetet gjithmonë e tillë.

Friday, July 3, 2009

Zgjedhjet parlamentare të 92-shit


Dr. Alban Daci
Botuar me date 07.07.2009
Gazeta "TIRANA OBSERVER"
Pothuajse gjatë gjithë periudhës së tranzicionit demokratik, ne shqiptarët kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi kureshtar se çfarë mendojnë të huajt për ne, se si i analizojnë dhe i komentojnë proceset tona politike? Ky kuriozitet është më i rëndësishëm në ato raste, kur janë vendet demokratike perëndimore që flasin, analizojnë, komentojnë, pasqyrojnë, kritikojnë dhe japin alternativat e tyre për ngjarjet politike të vendit tonë.
Opinionet që vijnë nga vendet perëndimore jo vetëm kanë pasur, por vazhdojnë të kenë një impakt të fortë në politikën tonë, ku shumë herë janë marrë edhe si pika referimi që subjektet politike në vend t’iu tregojnë qytetarëve të tyre se: jemi më perëndimorë dhe më demokrat se pala kundërshtare, sepse aplikojmë dhe veprojmë ashtu si mendojnë dhe na këshillojnë demokracitë e vjetra evropiane në veçanti dhe perëndimore në përgjithësi. Po të njëjtën gjë ka bërë edhe pala tjetër kundërshtare, kur ndonjë organ i shtypit perëndimorë ka folur mirë për to, sapo ka ndodhur një gjë e tillë, subjekti politik, të cilët i është bërë lëvdata, nuk ka hezituar të dal menjëherë me deklaratë për shtyp për t’iu thënë qytetarëve ja shikoni se çfarë kanë thënë vendet demokratike për ne.
Kjo gjë u vë re madje edhe në zgjedhjet e fundit, ku njëra nga partitë politike në vend, kishte publikuar fjalë për fjalë në gazetën e saj partiake artikullin e një gazete perëndimore që fliste me nota pozitive për liderin e saj.
Pra, le të themi se pothuajse të gjitha subjektet politike shqiptare kanë bërë pak a shumë lojën e ndërtimit të imazhit të tyre politik duke ju referuar gjithmonë modelit perëndimorë. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh, sepse vetë këto subjekte nuk kanë pasur dhe vazhdojnë të mos kenë besim në demokracinë shqiptare, ku janë vetë aktorë të drejtpërdrejtë.
Fillimi i demokracisë shqiptare që përket më lëvizjet e viteve 1990, brezin tim e gjeti në një moshë fare të vogël, por megjithatë një pjesë e mirë e jona po kuptonte në linja të përgjithshme se çfarë po ndodhte gjatë atyre viteve në Shqipëri dhe kjo ka ndodhur për faktin se ngjarjet ishin shumë të rëndësishme dhe impakti i tyre ishte shumë i forti mbi të gjithë qytetarët.
Kurioziteti se si gazetat italiane kanë komentuar zgjedhjet tona parlamentare të muajt mars të vitit 1992, më shtyu të bëja këtë analizë në të cilën do të trajtoj argumentet që ka shkruar, pasqyruar, komentuar dhe analizuar gazeta “Corriere della Sera” .
Ky kuriozitet ka lidhje edhe me faktin se gjatë asaj periudhe në Shqipëri nuk kishte media të lira, të pavarura dhe profesionale që mund ta përshkruanin ashtu siç ishte ai realitet, pa emocione, pa maska, pa propagandë politike.
Kështu, mendova se vëzhgues me një nivel të lartë profesional dhe krejtësisht të pavarur dhe të pa implikuar drejtpërdrejt në këto zgjedhje mund të ishin vetëm mediet e huaja që kanë qenë dëshmitare duke dërguar gazetarët e tyre direkt në terren.
Një ndër gazetat më prestigjioze italiane që ju ka kushtuar një hapësirë të veçantë zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë të zhvilluar në muajin mars të vitit 1992 ka qenë “Corriere della Sera” që gjatë gjithë procesit të votimit ka pasur të dërguarit e saj që i dërgonin në kohë reale informacione të vërteta, të pavarura dhe të sigurta.

Zgjedhjet e marsit të vitit 1992
Për zgjedhjet e këtij viti, jam bazuar mbi atë që ka pasqyruar “Corriere della Sera” në disa artikuj nga data 22 mars deri me datë 25 mars po të njëjtit vitit.
Kjo gazetë më një artikull që daton me datën 22 mars të vitit 1992 fillimisht përshkruan situatën e përgjithshme në të cilën ndodhej Shqipëria duke cituar këto rreshta: “ Shqipëria për herë të dytë brenda vitit kërkon të vesh veshjen e demokracisë. Votohet në një vend që ekonomikisht po jep shpirt. Ushtria e të papunësuarve rritet çdo ditë, pjesa më e madhe e industrisë është mbyllur për mungesë të lëndës së parë, dyqanet janë bosh, produktet e nevojës parë nuk mjaftojnë, shqiptarët të dëshpëruar shpërthejnë magazinat për të sjellë në shtëpi ushqime sa për të ushqyer fëmijët. Nuk ka qumësht për fëmijët, mishi është një e mirë shumë e shtrenjtë, buka mungon”.
Ky artikull nuk le pa bërë dhe një pasqyrë/analizë mbi situatën politike në vend, ku thekson rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare. Ja se si na e paraqet situatën politike: “ Vendi është në shthurje edhe në këndvështrimin politik. Në vitin e fundit, drejtimi i qeverisë ka ndryshuar pesë herë. Është tentuar edhe rruga e “solidaritetit” kombëtar: të gjithë në timon me shpresën që situata të përmisohet. Asgjë nuk ka ndodhur. Çdo marrëveshje ka dështuar dhe tani, në krye të qeverisë është një teknik, Uilson Ahmeti, me profesion inxhinier, i cili po drejton varkën në një det të trazuar. Një mijë problemet e shqiptarëve nuk kanë gjetur zgjidhje dhe shanset e fundit janë vendosur tek vota dhe tek ndryshimi total, i cili mbahet peng nga komunistët e vjetër, që rastësisht janë ngjyrosur si socialist. Opozitarët gërthasin duke thënë se: kanë ndryshuar emrin, por jo fytyrën. Nëse do të jetë për ata duhet të kthehemi mbrapa në kohë, sepse thonë se ishim mirë kur ishim keq. Megjithatë vota e sotme është historike për Shqipërinë. Nëse rezultati do të jetë i njëjti me atë të vitit të kaluar, pasojat mund të jenë katastrofike.”
Ky artikull mbyllet duke treguar situatën e shtypit të opozitës, i cili është krejtësisht i censuruar dhe i kontrolluar nga organet shtetërore. Ja si përshkruhet kjo situatë në fund të këtij artikulli: “ Gazetat e opozitën shpesh herë nuk kanë mundur të botohen dhe të dalin në treg për mungesë të letrës. Regjimi nuk e shpërndan atë. Sokol Huho, kronist politik i opozitës shprehet se: komunistët e vjetër kontrollojnë radion edhe televizionin. Pra, vendi është në udhëkryq: ose ndryshon muzika duke hyrë në Evropë më ndihmën e kombeve mike; ose kthehet në antikitet me një izolim vetëvrasës... Nëse demokracia nuk do të fitoj, përgatituni të insistoni në episode të tjera biblike, sepse njerëzit nuk mund të vuajnë më.”
Një tjetër artikull që daton po me datën 22 mars me titull “ Anatomia e një rrëzimi: nga Hoxha tek miti USA”, na e përshkruan në këtë mënyrë pluralizmin politik të sapo vendosur: “ 517 kandidat të pesë partive, partia socialiste e punës (ish PK), partia demokratike, republikane, socialdemokrate dhe e sapo rilindura partia komuniste garojnë sot për 250 mandate në Parlamentin kombëtarë. Popullsia shqiptare shkon të votoj për herë të dytë në zgjedhje të lira dhe demokratike pas rrëzimit të diktaturës në dhjetor të 1990. Regjimit komunist kishte mbijetuar për një periudhë pesë vjeçare që nga vdekja e themeluesit të tij, Enver Hoxha, që i mbajti bashkëkombasit e tij për rreth 40 vjet jashtë nga historia. Diktatori kishte ndërtuar një regjim autokratik, pa komunikim me Botën. Trashëgimia politike e Hoxhës ishte marr nga Ramis Alia që fillimisht e kishte administruar pa e modifikuar: situata ekonomike po bëhej e papërballueshme. Hapjet e para ishin shumë kaotike dhe shpejt ishin vlerësuar si të pavlefshme. Ramis Alia ishte i detyruar të merrte në konsideratë një politikë me reforma, dhe kjo kishte provokuar rrëzimin e digës: protestat për liri të shqiptarëve kishin shpërthyer papritur në fund të vitit 1990, falë iniciativës të studentëve të universitetit të Tiranës. Vdekjet dhe plagosjet shoqërojnë kalimin e Shqipërisë nga diktatura në liri. Lindin partitë e para demokratik që detyrojnë Ramiz Alinë t’i legalizoj: kontakti i parë i qeverisë komuniste me përfaqësuesit e Partisë Demokratike ndodh në Tiranë me 17 dhjetor 1990”.
Në mbyllje të këtij artikulli përshkruhet momenti i vizitës të Sekretarit Amerikan të Shtetit Baker në Tiranë. Ja se si përshkruhet ky moment historik: “me 21 mars 1991 Baker shkon në Tiranë. Të kemi pritur për dyzet vjet, duartrokasin shqiptarët dhe Baker merr titullin e qytetarit të nderit për Tiranën të dorëzuar nga kryetari i qeverisë Ylli Bufi”.
Artikulli i datës 23 mars në hyrje bën lidhjen mes shpresës së shqiptarëve dhe rrëzimit të diktaturës. Ja çfarë thuhet: “Ka një folje që mijëra shqiptarë vazhdojnë ta zgjedhojnë prej shumë javësh: foljen shpresoj. Këtu njerëzit shpresojnë që pronarët e vjetër të largohen me nxitim; shpresojnë që emrat e regjimit të zhduken përfundimisht nga pushteti; shpresojnë që demokracia të triumfoj mbi diktaturën, shpresojnë që vendi të dal nga kriza e thellë ekonomike që po e mbyt; shpresojnë që uria dhe mjerimi të mbeten vetëm një kujtim; shpresojnë që industria të rifilloj të punoj me ritmin e duhur, shpresojnë që papunësia të ndaloj, shpresojnë që Shqipëria e dashur mund të jetë pjesë integruese e asaj Evrope, ku të gjithë ndjehen pjesë e saj”.
Ndërsa më poshtë përshkruhet situata se si liderët e majtë dhe të djathtë presin rezultatin e zgjedhjeve dhe kush janë parashikimet e tyre për këtë rezultat. “Fatos Nano, një ndër komunistët e ri, nxjerr në pah qetësinë: sondazhet janë me ne, thonë se do të fitojmë, duke kaluar mbi 50. Më pak diplomatik është ish presidenti i Parlamentit Kastrio Islami, një fizikan nuklear i diplomuar në Francë, i cili ka bërë studime matematikore që kanë dhënë një rezultat të sigurt: 53.3% fitore për socialistët. Në të kundërt Eduart Selami, sekretar i përgjithshëm i Partisë demokratike deklaronte: Do të fitojmë ne me 54.8%”.
Ky artikull mbyllet duke përshkruar se në një farë mënyrë Fatos Nano dhe anëtarët e Partisë së tij tashmë të bindur se zgjedhjet i kanë humbur dhe po fillojnë ta pranojnë këtë fakt. Gjithashtu ka përshkruar me interes fitoren e Sali Berishës që në orët e paradites.
Artikulli i datës 24 me titull “Shqipëria, triumfi i demokratëve” i dedikohet krejtësisht fitores së demokratëve, dhe përshkruan më kujdes dhe me një stil mjaft origjinal çdo moment dhe çdo ngjarje të kësaj fitoreje. Ja si i përshkruan fjalët e para të Berishës para turmës në sheshin Skënderbeu: “ Vëllezër dhe motra, urime për ju. Kjo është dita e parë e demokracisë. Në sheshin Skënderbeu 100 mijë shqiptarë përshëndesin Berishën. Tashmë është e sigurt se komunizmi ka vdekur dhe njerëzit e përjetojnë këtë moment historik me gëzim, lumturi dhe shpresë. Partia demokratike ka fituar më shumë se 65% . Është një ditë pranverore në një sintoni perfekte me pranverën politike të Tiranës. Berisha është në tribun, një orë pas faljes. Një mijë, njëqind mijë duar të ngritura ngrihen sipër duke treguar gishtat në shenjë fitoreje. Këndohet himni kombëtar, të moshuarit heqin kapelet, gratë kanë sytë e mbushur me lot, të rinjtë këndojnë duam Shqipërinë pa Ramiz Alinë. Rreth mes ditës Berisha thotë se: Komunizmi është rrëzuar një herë e mirë dhe dua t’iu falënderoj, sepse së bashku do të ndërtojmë një Shqipëri ndryshe: më të lirë, demokratike. Jemi vendi më i varfër në Evropë, por duhet të jemi krenar që bëmë të mundur fitoren e demokracisë. Tani e dimë se kush do të na ndihmoj, por ndihma më e madhe duhet të vij nga vetë ne. Unë ju garantoj që do bëj një qeveri të ndershme, të ndërtuar me njerëz të ndershëm, në të cilën duhet jetuar në paqe pa hakmarrje, duke harruar të kaluarën”. Komunistët ( ose më mirë socialistët aktual) në këto zgjedhje kanë zbritur në 22% duke humbur 40 pikë. Berisha shpjegon se: pikërisht në fshatra kemi fituar betejën tonë... shqiptarët kanë kuptuar se kështu nuk mund të shkohej përpara, duke ndërruar faqen, duke besuar tek ajo që ne kishim premtuar. Mes socialistëve, ish kryeministri dhe tani kryetari i partisë, Fatos Nano ka arritur të fitoj mandatin e tij, ndërsa Sabri Godo që drejtonte republikanët nuk zgjidhet nga zgjedhësit e tij”.
Ky artikull mbyllet duke dhënë deklaratat e disa diplomatëve të huaj, në lidhje me fitoren e demokratëve si dhe çfarë do të bëhet me zonjën Hoxha. Ambasadori gjerman në Tiranë thotë se: “Unë jam i sigurt që Evropa do të kuptoj se sa nevojë ka Shqipëria për ne. Ndërsa kur një gazetare amerikane pyet Berishën se: kush do të jetë fati i zonjës Hoxha? Ai përgjigjet se: do të jetë drejtësia që do ta gjykoj”.
“Shqipëria, receta e Berishës” është artikulli i datës 25 mars, cili i dedikohet pothuajse krejtësisht liderit demokrat Sali Berisha si dhe programit të tij qeverisës.
Në hyrje përshkruhet ambienti i Partisë demokratike, figura e Berishës dhe si po e përjeton momentin e fitores dhe faktin se është i vetmi kandidat i mundshëm për President republike.
Në artikull këto element përshkruhen kështu: “ Zyra mund të jetë si ajo e çdo funksionari të zakonshëm, dy tavolina, ndonjë karrige, një divan i vjetër. Mbi portë emri dhe mbiemri dhe detyra e tij. Është ky apartamenti i varfër që Berisha ka ndërtuar partinë demokratike duke fituar zgjedhjet në Shqipëri. Është këtu që ky kardiolog 46 vjeçar, që ka filluar ngjitjen e tij në pushtet. Ai kujton duke vëzhguar në boshllëk se: kur vendosa të hyj në politikë, ishte diktatura. Nuk do të kisha menduar kurrë të arrija të formoja një parti. Faktet më kanë përgënjeshtruar dhe jam shumë i lumtur. E vetmja gjë që nuk mungon mbi tavolinën e punës së Berishës janë telefonat: janë tre telefona, me ngjyra të ndryshme si dhe një fax. Prej 24 orësh nuk flenë. E thërrasin nga çdo anë e botës, për ta uruar, për ti shtrënguar duart, për t’i thënë se: Ke shpëtuar një popull që po vdiste. Veshur ka një kostum blu elegant, një këmishë të bardh, një kollare të ngjyrosur. Jashtë tek porta, një radhë e gjatë e pret që ta takoj: miq të vjetër, miq, të afërm të largët, fotograf, operator, gazetar”.