Sunday, February 22, 2009

Të braktisur apo të harruar

Dr. Alban Daci
Botuar me 25 shkurt 2005
Gazeta NDRYSHE

Gjatë kësaj periudhe relativisht të gjatë që kam jashtë Atdheut, për arsye studimesh, kam vënë re shumë gjëra të çuditshme, ku për objekt edhe pse jo në formë të drejtpërdrejt janë bashkëkombasit e mi të emigruar për arsye nga më të ndryshme.
Të flasësh për emigrantët nuk është e thjeshtë, por kjo nuk do të thotë se duhet të heshtim, sepse emigrantët janë bashkëkombasit tanë, vëllezërit tanë, njerëzit e vuajtur që nuk kanë pasur shumë alternativa për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri.
Për fat të keq edhe në mediet e vendit tonë nuk flitet pothuajse fare për emigrantët si dhe për komponentët që ndërtojnë jetën e tyre të përditshme, nuk flitet për historitë vetjake dhe kolektive që kanë përjetuar, nuk flitet për hallet e ndryshme që kanë hasur dhe vazhdojnë të hasin çdo ditë në vendin e huaj, nuk flitet se si mund të mbrohen të drejtat, identiteti si dhe prestigji i të qenit shqiptarë.
Ashtu siç ndodh rëndomtë edhe në Shqipëri, për shqiptarët që kanë emigruar jashtë flitet vetëm, kur ndonjëri mes tyre ka thyer rregullat dhe ligjet e vendit që ka zgjedhur për të emigruar, por këta që flasin ndoshta nuk e dinë, apo nuk duan ta dinë dhe ta konfirmojnë se këto raste të karakterizuar me devianzë janë aq të vogla në realitetin e emigracionit shqiptar sa mund të zënë një hapësirë fare të vogël.
Emigracioni shqiptar nuk është i mbushur dhe i ndërtuar vetëm me ngjarje që mund të mbushin faqet e kronikës së zezë në shtypin e shkruar shqiptar dhe të huaj. Kush mendon se emigranti është sinonimi i hapësirës së kronikës së zezë, në herë të parë nuk është shqiptar, nuk e njeh aspak botën e emigracionit shqiptar si dhe në fund nuk ka kuptuar asgjë nga realiteti, por vazhdon e shkruan dhe imagjinon jo realen e largët nga faktet dhe momentet njerëzore që si fletët e borës një e nga një, ndërtojnë botën e gjerë dhe të komplikuar të emigrantëve që çdo ditë sfidojnë vështirësitë e panumërta në respekt për jetën.
Kam disa vjet që ndodhem jashtë për arsye studimesh, dhe për nga natyra që kam për të qëndruar pranë njerëzve dhe halleve të tyre, jam interesuar gjithmonë për botën e emigracionit shqiptare, dhe jam përpjekur të bëj maksimumin tim për të përdorur aftësitë e mia njerëzore dhe intelektuale në shërbim të bashkëkombësve të mi që ndodhen në statusin e emigrantit.
Unë, edhe pse kam ardhur për një mision krejt ndryshe nga ata, për studime, kam përjetuar të njëjtin realitet, sepse duke qëndruar në botën e tyre, kam pasur dëshirën dhe durimin të dëgjoj historitë e tyre që janë të mbushura me vështirësi, dhimbje dhe dëshpërim.
Të tregosh historitë e çdo emigranti shqiptar nevojiten faqe të tëra dhe vite të pafundme për t’i shkruar, sepse historia e çdo kujt është një moment i jetuar me forcë, vullnet, sakrificë dhe dëshirë për jetuar më mirë.
Po ju tregoj historinë e Elmiut, të një emigranti 25 vjeçar, i cili ka më shumë se dy vjet e gjysmë që është emigrant në Itali.
Jeta e këtij djaloshi shqiptar me të vërtetë është e mbushur me vështirësi, vuajtje dhe sakrifica, por ajo është krejtësisht e ndershme e bazuar mbi punë, djersë dhe mundim.
Elmiu, tregon se: ka filluar të punoj në Shqipëri që kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, ku fillimisht ka punuar si punëtor i thjeshtë në sektorin e ndërtimit, por pastaj pa mbushur akoma njëzet vjeç është bërë usta i përsosur.
Ai tregon se kushtet e vështira ekonomike e detyruar të fillonte të punonte dhe të ndihmonte sadopak vëllezërit e tij, por puna që bënte në raport më pagesën që merrte në Shqipëri, nuk mund të kënaqnin nevojat e tija dhe jo më hallet e gjithë familjes. Për këtë arsye, mendon të emigroj në Itali, për të punuar për disa vjet në mënyrë që të siguroj ca para dhe pastaj të rikthehet për t’i investuar në Shqipëri në shërbim të vetes dhe të familjes.
Elmiu, ka më shumë se dy vjet e gjysmë që ka ardhur në Itali, por për fat të keq edhe pse vazhdon e punon me ndershmëri duke derdhur djersën e tij në sektorin e ndërtimit, nuk ka mundur të siguroj asnjë leje qëndrimi.
Pra, në gjuhën e përditshme të emigracionit, Elmiu ndodhet në Itali pa dokumente. Elmiu, dhe shumë të tjerë si ai punojnë pa qenë të siguruar me kontribute shoqërore dhe pa pasur asnjë garanci për jetën gjatë kohës që punojnë, sepse për autoritetin dhe sindikatat italiane ata nuk ekzistojnë. Ato, nuk paguhen në raport të drejtë me punën që bëjnë, sepse ndodhen në pozicion inferior për shkak të burokracive të legalizimeve që Shteti italian ka prodhuar.
Në rast se vriten në punë për ta nuk mendon askush, nuk paguan askush për shëndetin e tyre dhe në rastin më të keq të fatit të tyre, mjerë familjet tyre dhe ata për tragjedinë që mund t’i përfshij se askush tjetër nuk do t’ia dijë për ta.
Një ditë njëri nga ne kishte prerë biletën për shkuar në Shqipëri dhe po tregonte datën që do të nisej, mes nesh ishte dhe Elmiu, i cili pasi dëgjoj me vëmendje, reagoj duke thënë se sa zili të kam që do të shkosh në shpi.
Një histori tjetër e ngjashme është e Yllit që ka më shumë se tetë vjet që ka ardhur si emigrant në Itali, por që nuk ka mundur të shkoj asnjëherë në shtëpi gjatë gjithë kësaj kohe, sepse nuk ka siguruar edhe ky ashtu si Elmiu leje qëndrimi. Historia e Yllit është akoma më e vështirë dhe e komplikuar. Sapo mbërrin në Itali, edhe përse nuk posedonte asnjë leje qëndrimi, fillon të punoj tek një firmë ndërtimi italiane.
Pasi punon për disa vjet me radhë, vendos ta lerë punën, sepse pronari i firmës italiane, ku ai punonte i paguante punonjësit e saj duke ju dhënë nga një përqindje të vogël pagese nga paga mujore që duhet të merrnin. Pra, asnjëherë nuk i shlyente plotësisht dhe i mbante me gënjeshtra se radhën tjetër do ju jap të gjitha parat që meritoni.
Ylli, duke qenë se ishte pa dokumente dhe në një gjendje të tillë është shumë e vështirë për të gjetur punë si dhe me shpresën se një ditë do ti marr të gjitha parat edhe pse koha kalonte vazhdon të punoj. Një ditë vendos dhe insiston të marr parat e mbetura pa paguar, por përgjigja nga firma italiane ishte se ne parat t’i kemi dhënë dhe kemi vetëm një shumë të vogël pa të shlyer. Realisht firma e ndërtimit sipas tij ka për t’i dhënë më shumë se 15 mijë euro. Ndërsa pala italiane i përgjigjet se ne duhet të japim vetëm 3 mijë euro dhe asnjë cent më shumë, po të duash edhe mund të na denoncosh, por ne nuk lëkundemi nga pozicioni jonë.
Mendoni për pak çaste sikur të jeni në rolin e Yllit që ka më shumë se tetë vjet që ndodhet në emigracion, që nuk ka shkuar qoftë edhe njëherë gjatë kësaj kohë në shtëpi, sepse nuk ka leje qëndrimi, dhe pas kësaj sakrifice tej imagjinatës nuk paguhet për punën që ka bërë.
Natyrshëm çdo kush nga ne mund të pyes vetën se: përse këta djalosh të ndershëm, këta djem nënash që punojnë çdo ditë më ndershmëri nuk kanë të drejtë të shkojnë si qytetar të lirë në shtëpitë e tyre, të jenë të lirë me liri dhe të drejta të garantuara, të paguhen në raport të drejtë me punën që prodhojnë?
Ne si individ dhe si qytetar mund të japim një sërë argumentesh dhe përgjigjesh, të cilat nuk japin asnjë zgjidhje konkrete për situatën e Elmiut, Yllit dhe të tjerëve që gjendjen në të njëjtat kushte.
Nuk e di kujt i ka shkuar ndërmend t’i hedh një sy Kushtetutës dhe të lexoj nenin tetë, ku ndër të tjera përcakton se: "Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm dhe përhershëm jashtë kufijve të vet ".
Mendoj se ky nen që nga koha, kur kushtetuta ka hyrë në fuqi nuk ka gjetur hapësirë vepruese dhe zbatuese nga Shteti dhe institucionet që përbëjnë atë. Me thoni ndonjë rast nëse keni dëgjuar se Shteti shqiptar ka mbrojtur shtetasit e saj që ndodhet jashtë. Ato janë ndjerë dhe vazhdojnë të ndjehen krejtësisht të braktisur dhe të harruar.
Kam qenë dëshmitar, kur janë organizuar festa madhështore për të bërë prezantime për hapje Konsullatash Nderi dhe për emërime Konsujsh Nderi, me qëllimin për të forcuar marrëdhëniet dy paleshe dhe për të qëndruar pranë e ndihmuar emigrantët shqiptarë që të mos diskriminohen, por të integrohen me të drejta të plota në shoqëritë që kanë zgjedhur të jetojnë.
Kam qenë dëshmitar, ku këta Konsuj Nderi, të entuziazmuar nga emërimi kanë premtuar se: shpejti Konsullata e Nderit që përfaqësojnë do të ketë një seli, ku dera e saj do të jetë gjithmonë e hapur në shërbim të shtetasve shqiptarë.
Ju do të thoni se të gjitha këta premtim janë bërë realitet pasi ka mbaruar festa e bukur e prezantimit? Më ka ndodhur që emigrantët shqiptarë të më marrin në telefon dhe të më thonë se: mos e di ku ndodhet Konsullata e re që na thanë se është hapur? Mos keni ndonjë adresë të Konsullit? Jam ndodhur në vështirësi, sepse nuk dija se çfarë përgjigje t’iu jepja bashkëkombësve të mi. Nuk e dija se përse nuk është hapur selia e Konsullatës ashtu siç ishte premtuar dhe nuk dija se kush mund të priste emigrantët për t’i ndihmuar për problemet që mund të kishin.
Nuk e di se: kush është kriteri që zbatohet për të vendosur përzgjedhjen dhe emërimin e një Konsulli Nderi, por jam plotësisht i mendimit me ndonjë përjashtim të vogël se shumica e këtyre konsujve nderojnë vetëm vetën e tyre me privilegje dhe nuk duan t’ia dinë fare për emigrantët e thjeshtë.
Këta konsuj kanë përdorur dhe vazhdojnë e përdorin imazhin e emigrantit të thjeshtë që ka nevojë më shumë se kurrë për ndihmë, për të marr tituj nderesh dhe privilegje të pa merituara.
Emigrantët si Ylli kanë nevojë për një këshill, për një orientim dhe për një mbështetje se si të mbroj të drejtat e tija të legjitimuara.
Këta konsuj herë pas herë, na ftojnë përfaqësuesit më të lartë të Shtetit shqiptarë për vizita disa ditore në qytetet, ku janë emëruar si konsuj nderi për të treguar se ata po punojnë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Më thoni mua sa rëndësi ka vizita e një përfaqësuesi të lartë të Shtetit shqiptar që vjen e kalon ca orë të këndshme me taksat e qytetarëve shqiptarë duke ngrënë dhe vizituar muze, por që as nuk mundohet të takohet më emigrantët dhe bashkëkombasit e tij. Jemi mësuar t’i marrim veshtë vetëm nga mediet se një personalitet i lartë i Shtetit shqiptar paska qenë për vizitë në qytetin ku jetojmë.
Nuk e di nëse këto personalitete pasi mbarojnë vizitën komode, gjatë të cilës nuk marrin mundimin më të vogël për të takuar dhe përshëndetur qytetarët e tyre, në momentin që ngrihet avioni i tyre për të rikthyer në Shqipëri të mendojnë se është faj tyre dhe politikës që kanë prodhuar që këta shqiptarë të ndershëm dhe punëtor të vazhdojnë të jetojnë të braktisur, të vetmuar, me pa të drejta, liri dhe prestigj jashtë.
Historia e gjatë e tranzicionit shqiptar ka treguar se shumë vizita zyrtare janë bërë dhe do të vazhdojnë të bëhen nga përfaqësuesit më të lartë të Shtetit shqiptar, por asgjë s’ka ndryshuar dhe do të vazhdoj të mos ndryshoj për shqiptarët, të cilët vazhdojnë të jenë të braktisur dhe të harruar nga shteti i tyre, të vazhdojnë të jenë të diskriminuar, të mos gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, të qëndrojnë në radha të gjata në përfaqësitë e huaja diplomatike për të marrë viza, të qëndrojnë me radhë të gjata në pikat kufitare, sepse kompjuterët prishen, të rrihen, të trajtohen si kafshët, të vriten pa arsye.
Ky është realiteti i vërtetë që duhet treguar për tu marrë si një mësim që nuk duhet të përsëritet më.