Tuesday, September 9, 2008

Mos u largoni!


Dr. Alban Daci
Botuar me 10.09.2008

Gazeta "Ndryshe"


Mos u largoni nga Shqipëria! Këtë thirrje e bëj për të gjithë të rinjtë shqiptarë dhe në veçanti për shtresat e varfra dhe të mesme që ëndërrojnë të largohen nga vendi i tyre për të studiuar jashtë. Besoj se është normale që dhe ju ashtu si tjerët të keni ëndrra dhe vizione për jetën tuaj si dhe në mesin e atij hambari të ndodhet edhe ëndrra e largimit për të studiuar në një universitet perëndimor.
Kur, shikoni një ëndërr të bukur gjithçka është e thjeshtë, sepse ajo nuk është e vërtetë dhe për rrjedhojë ajo zhvillohet në përkryerje pa hasur asnjë vështirësi, por është gjithçka ndryshe nëse ju në një fazë të dytë pasi e keni ëndërruar virtualisht doni ta vendosni në rrafshin e reales, për ta bërë të përjetueshme drejtpërdrejt dhe të prekshme në emocione.
Unë, do ju tregoj disa të vërteta për t’iu bindur ju se perse nuk duhet të merrni vendimin e largimit nga familja për të ardhur me studime këtu në Evropë. Ju do të largoheni në një moshë fare të re, drejtë një ambienti të huaj, të ftohtë dhe të vështirë, ku nuk do të keni pranë asnjë anëtarë të familjes suaj që mund t’iu ndihmoj duke ju dhënë qoftë edhe një këshillë, për të cilin do të keni shumë nevojë.
Shumë të rinj që e dashuronin shumë shkollimin, duke u mbështetur në jetën që pasqyrohej në programet e kanaleve televizive të huaja dhe në ambiciet e tyre universitare vendosën të largoheshin dhe të vinin e të studionin në Evropë apo diku gjetkë, ku u përballen me vështirësi të shumta si: me çmime të larta konsumi, qira të larta dhe taksa të larta universitare etj.
Me pak fjalë realiteti që gjetën dhe prekën këtu në Evropë ishte krejtësisht ndryshe nga ajo që kishin parë në ëndrra dhe në programet televizive. Këtu në Evropë nuk është se ne shqiptarëve na presin të mirat e dynjasë dhe o burra të vijnë me vrap ti marrim, por një jetë shumë e shtrenjtë, ku realitetet ekonomike që kemi në familjet tona nuk mund ta konceptojnë dhe jo më ta përballojnë.
Shumica e të rinjve që kanë ardhur deri sot nga Shqipëria janë kryesisht njerëz që e duan shumë shkollimin, por që periudha e errët e komunizmit i zhveshi familjet e tyre nga të gjitha të mirat që kishin dhe nuk ju la asgjë.
Të dëshpëruar dhe të inatosur për të kthyer rendin dhe nderin që kanë pasur shumë kohë më parë familjet e tyre vendosin: në mos përputhje me realitetin e tyre ekonomik të largohen për të shkolluar në universitetet më të mira në perëndim si një formë deklaruese se ëndrrat e tyre dhe të prindërve do i realizojmë njëkohësisht.
Njoh shumë të rinj shqiptarë që kanë ardhur këtu në Evropë me ëndrrën e bukur për të kryer studimet e larta dhe kanë përfunduar mes “katër rrugëve”, sepse të varfër ekonomikisht dhe të vetmuar shpirtërisht nuk kanë mundur ti rezistojnë trysnisë shoqërore dhe për rrjedhojë të mbajnë edhe statusit e të qenit student. Në kushte të vështira jetese janë detyruar të lenë ëndrrën universitare që e deshën aq shumë dhe ti kthehen tregut të punës.
Pra, nga studentë janë kthyer punëtor të pasigurt, sepse nuk është e lehtë të gjesh punë këtu në Evropë dhe në rast se gjen për ne që konsiderohemi të “huaj” ka vetëm punë të rëndomta dhe të lodhshme që “vendasit” nuk kanë qejf ti kryejnë.
E ardhmja për studime dhe mos realizimi i tyre ka edhe një anë tjetër negative, sepse të gjitha ata që kanë ardhur me dokumente studimi nuk mund ti kthejnë në dokumente pune. Për rrjedhojë mos suksesi në karrierën universitare të bën të përfundosh si një emigrant i rëndomtë, ose klandestin siç e quajnë në Itali, ku të mohohen shumë të drejta themelore si ajo e lëvizjes së lirë.
Kjo kategori e të rinjve shqiptarë që kanë përfunduar në këtë hendek, duhet të përballojnë jo vetëm dhimbjen e dështimit dhe mos realizimit të ëndrrës universitare, por edhe mallin për të parë dhe vizituar familjarët e tyre.
Marrja e pa dëshirueshme e statusit të ri me nofkën klandestin, i bën të fshihen nga autoritet e vendeve ku ndodhen, nga dështimi i papranueshëm si dhe nga shikimi i prindërve të dashur që as nuk mund ti shikojnë dhe as nuk mund ti takojnë. Këtu në Evropë, ka shumë të rinj që ndodhen në këtë situatë të vështirë, që edhe përse duan shumë të kthehen për pushime në Shqipëri, nuk munden, sepse kanë përfunduar pa dokumente si dhe nuk gjejnë dot forcën dhe guximin t’iu tregojnë prindërve të vërtetën në të cilën ndodhen.
Gjatë gjithë këtyre viteve pothuajse të gjithë janë të njohur për këtë realitet të vështirë, ku ka përfunduar një pjesë e mirë e rinisë tonë shqiptare dhe askush nuk e ngre zërin thjeshtë qoftë edhe duke dëshmuar për këtë të vërtetë të hidhur dhe të papranueshme. Faktin që shumë nga të rinj shqiptar që me kapacitete të mira intelektuale, por me varfëri të theksuar materiale përfundojnë në fundin e shpresës, në fillimin e dëshpërimit dhe në udhëkryqet jetësore duhet të na shqetësoj pa masë.
Prandaj, të dashur të rinj, nëse vendosni të largoheni nga Shqipëria, dijeni se për shkak të vështirësive që përmendëm më sipër do e keni shumë të vështirë të riktheheni përsëri, pavarësisht nga dëshira dhe vullneti juaj. Datën e largimit do e dini dhe do e mbani mend gjithmonë, por datën e rikthimit përgjithmonë në Atdhe do e keni të vështirë ta gjeni dhe ta vendosni.
Për këto arsye ju këshilloj të mos largoheni nga Shqipëria, sepse ëndrrat tuaja të dashura rrezikojnë të digjen në zjarrin e dëshpërimit ekonomik, në jetën e vështirë, në sytë e përlotur për dashuri prindërore si në zhgënjimin e imazheve te bukura që keni parë në programet e transmetuara nga televizionet e huaja.
Mos u largoni, sepse do të lini krevatin tuaj të këndshëm në shtëpi dhe do të udhëtoni me tragete, ku do të jeni të detyruar nga lodhja të shtriheni si “bagëti” në dyshemenë e anijes, sepse udhëtimi me avion do të mbetet thjeshtë një ëndërr e paralizuar për shkak të biletave që shiten me çmime të pa përballueshme.
Mos u largoni nga shtëpitë tuaja të ngrohta, sepse këtu Evropë qiraja është shumë e shtrenjtë dhe nuk e përballoni dot me të ardhurat që mund të kenë prindërit tuaj në Shqipëri, por edhe nëse ju e përballoni nuk do të gjeni kollaj dhe shpejt shpi me qira, sepse do të prezantoheni me nofkën e të huajit dhe të pa njohurit.
Mos u largoni nga Shqipëria, sepse këtu në Evropë jo vetëm që rrezikoni të mos përfundoni ëndrrën universitare për të cilën keni ardhur, por rrezikoni të përfundoni në rrugë pa shtëpi, pa punë, pa dokumente dhe me pa të ardhmen për jetën tuaja.
Thirrja për tu mos u larguar nga Shqipëria nuk do të thotë se ju duhet të dekurajoheni duke mos kryer studimet e larta universitare në Shqipëri. Përkundrazi ju këshilloj të jeni këmbëngulës në objektivat tuaja studimore, duke mbaruar me rezultate te larta, sepse vetëm në këtë mënyrë keni garantuar të ardhmen tuaj individuale si dhe mund të jepni kontribute të mëdha kolektive në të mirë të vendit.
Vetëm në këtë formë nuk rrezikoni të digjni të ardhmen tuaj, si dhe nuk do të lejoni që ambienti i injorancës që qarkullon në “sallonet shqiptare” t’iu marrë nëpër këmbë dhe t’iu mohoj të drejtat themelore.