Monday, September 29, 2008

Komuniteti shqiptar në Xhenova


Dr. Alban Daci
Xhenova-Itali
Botuar në disa numra radhasi tek
gazeta "Ndryshe"

Qyteti i Xhenovës, ka një numër të konsiderueshëm me shqiptarë që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në sektor të ndryshëm dhe vijnë pothuajse nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Disa prej tyre posedojnë lejet e qëndrimit dhe kanë bërë të mundur bashkimin familjarë, kurse një pjesë tjetër po aq e konsiderueshme, kanë ardhur në formë klandestine ( fshehur) dhe në tre vitet e fundit nuk kanë pasur fatin dhe mundësinë të marrin lejet e qëndrimit (në këto tre vjet në Itali nuk ka dalë asnjë fluks gjithëpërfshirës për legalizimin e emigrantëve, por vetëm disa flukse të punës sezonale me kuota fare të vogla pranimi në numër).

Ato emigrantë që kanë lejet e qëndrimit, kanë përfituar disa “privilegje” si:
1) kanë mundësi më të mira për të gjetur punë, sepse mund të lëvizin lirshëm, pa pasur frikë nga autoritet e ruajtjes dhe rendit publik.
2) mund të punojnë në rregulla me siguracione shoqërore për jetën
3) mund të shkojnë në Shqipëri për festa dhe festime të ndryshme familjare
4) kanë mundësinë të marrin dhe familjarët e tyre duke aplikuar për procedurën e bashkimit familjarë
5) e kanë më të lehtë të marrin me qira apo të blejnë shtëpi

Pra, nga rreshtimi që bëmë më sipër, mund të shprehemi se: kjo kategori e emigrantëve shqiptarë është me fat dhe në një mënyrë apo në një tjetër përpiqet të integrohet më shpejt dhe më lehtë në shoqërinë vendase. Megjithatë integrimi i tyre është jo i njëtrajtshëm dhe uniformë.

Integrimi ekonomik

Normalisht integrimi ekonomik i punëtorëve shqiptarë që emigrojnë në formë individuale është shumë i shpejtë dhe realizohet në një periudhë kohe të shkurtër, falë edhe ndarjes në segmente të tregut të punës këtu në Xhenova, sepse emigrantët zënë vende pune që janë pak të paguara dhe të pa pëlqyera nga vendasit.
Emigrantët shqiptarë, jo vetëm kanë arritur të bëjnë integrim të shpejtë ekonomik, por mund të themi se kanë arritur të zënë edhe pozicionin e liderit në këtë fushë, sepse janë bërë sipërmarrës në aktivitete të ndryshme punësimi .
Shqiptarët zënë vendin e parë, për sa i përket fushës së sipërmarrjes, për nga komunitet e huaja të pranishme në qytetin e Xhenovës, ku pothuajse në çdo ndërmarrje pune në sektorin e ndërtimit janë pronarë ose bashkëpronar.
Punët që shqiptarët (gjinisë mashkullore) kryejnë në fushën e ndërtimit janë ndihmës punëtorë, punëtorë, mjeshtër, artixhan dhe imprezar (sipërmarrës).
Ndërsa, në fushën e hoteleri-turizmit. ushtrojnë profesionet e njohura si: ndihmës kamerier, kamerier, ndihmës kuzhinier, kuzhinier. Në kooperativa të ndryshme solidariteti, kryejnë kryesisht rolin e ndërmjetësuesit kulturor, kurse në bujqësi punojnë në vreshta me rrush si dhe në ferma me pemë frutore. Këto janë profesionet më kryesore dhe më të dukshme që kryejnë shqiptarët e gjinisë mashkullore në qytetin e Xhenovës.

Roli i gruas shqiptare në mërgim

Femra shqiptare lidhur edhe me paragjykimet tradicionale të marra me vete nga Shqipëria, në hapat e para të emigracionit, nuk ka qenë angazhuar drejtpërdrejtë në asnjë formë punësimi, përveç shtëpiakes së mirë që kujdeset për fëmijët, për shtëpinë dhe për burrin.
Me kalimin e kohës, burrat (bashkëshortët) shqiptarë e kanë parë se: është shumë e vështirë, thuajse e pamundur që vetëm me një burim të ardhurash të kënaqin nevojat e gjithë familjes. Prandaj, më shumë për nevojë ekonomike dhe mbijetese, se sa sensibilizimi, burri shqiptar, ka filluar t’i jap më shumë hapësira bashkëshortes së tij, duke e lejuar të përfshihet me të drejta të plota në tregun e punës.
Prandaj, kohët e fundit edhe pozicioni i femrës shqiptare në shoqërinë e komunitetit shqiptar në Xhenova po ndryshon, sepse sot, femra shqiptare nuk është vetëm një shtëpiake e mirë, që kujdeset vetëm për burrin, shtëpinë dhe fëmijët, por po bëhet gjithmonë e më aktiveve edhe jashtë mureve të shtëpisë, duke ushtruar profesione të ndryshme si: Badante (përkujdesjes për moshën e tretë), kameriere, shitëse në super markete etj.
Në disa familje që kanë zgjedhur të jetojnë këtu në Xhenova, me të cilët unë kam marrëdhënie miqësore, kam vënë re se: gruaja shqiptare jo vetëm jep një kontribut të rëndësishëm për familjen, sepse ushtron një profesion dhe sjellë të ardhura ekonomike, por ka marrë në dorë timonin e drejtimit të familjes, duke i qëndruar pranë bashkëshortit që të dalë nga situata e vështirë e pesimizmi (për shkak të vështirësive të shumta që një emigrant has në jetën e përditshme si dhe për hapësirat e vogla që disponon për ti kaluar, kalon në faza të vështira edhe pesimizmi) dhe të besoj seriozisht tek vetja dhe tek familja se një e ardhme më e mirë e pret atë dhe familjen e tij.
Prandaj, mendoj se femra shqiptare, meriton të ketë një pozicion më të fortë dhe më të rëndësishëm në shoqëri, duke pasur parasysh iniciativën e sakrificës dhe guximit që ka marrë mbi supe për të bërë një jetë më të mire si dhe në aftësitë intelektuale që ajo mbart.

Shqiptarët e duan punën

Zonat më të populluara me shqiptarë këtu në qytetin e Xhenovës janë në Sampiederena, Korniliano, Peli, Principe, Dinegro, Brinjole, në qendrën komerciale Fiumara etj.
Mjafton të vizitosh këto vende për kuptuar botën e komunitetit shqiptar si dhe hallet, vështirësitë, aspiratat, dëshirat, ëndrrat, zhgënjime e tyre.
Shqiptarët njihen si njerëz që e duan punën, që punojnë shumë (thuajse gjithmonë punojnë nga 10 deri në 11 orë në ditë), qoftë edhe të dielave duke mos njohur ditë pushimi.
Megjithatë, pavarësisht nga dëshira që shqiptarët kanë për të punuar, jo gjithmonë arrijnë ta gjejnë dhe ta kenë atë në formë të vazhdueshme. Nuk mungojnë rastet, që emigranti shqiptar të mbetet pa punë edhe me periudha edhe relativisht të gjata.
Nëse emigranti gjendet papritur papunë, mund të themi me plot kuptimin e fjalës se kemi të bëjmë më një periudhë të zezë për atë, sepse komplikohen një seri problematikash si: pa mundësia me paguar qiranë ose këstin e shtëpisë (në rast se e ka blerë me kredi), pa mundësia me ushqyer veten dhe familjarët e tjerë (nëse ka bërë bashkimin familjarë) etj.
Zakonisht, në rastet, kur një emigrant humb vendin e punës dhe nuk arrin të gjej një të re, nga depresioni, mërzia, largësia me vendin dhe familjarët e bën të ndjehet keq në aspektin psikologjik dhe të mbyllet në vetvete, duke e konsumuar periudhën e vështirë në shoqërinë e duhanit, shishes së birrës, gotës së konjakut, kafesë së zezë dhe meditimit personal.
Po si fillon dhe zhvillohet dita e një emigranti që punon?
Zgjohet zakonisht rreth orës pesë të mëngjesit, merr në telefon punëdhënësin me të cilin vendos vendin se ku do të takohen, pastaj hynë në një barë për të bërë mëngjesin.
Mëngjesi i një emigranti është një kafe makiato e shoqëruar me një ëmbëlsirë, me një gotë raki, apo konjak. Nga kurioziteti që kisha, i kam pyetur: pse para se fillojnë punën, pinë një gotë raki apo konjak? Më janë përgjigjur se: një gotë raki të bën mirë për stomakun, sepse ta mbledh dhe nuk e ndjejnë bosh, plus pastaj në mëngjes gjatë dimrit të ngroh dhe të bën më të fortë për të punuar.
Pasi bën mëngjesin, nuk harron të blej paketën e duhanit ( nëse e pinë) dhe bashkë me punëdhënësin hypin në makinë për ikur tek vendi i punës.
Nëse distanca është relativisht e madhe, gjatë udhëtimit mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, zhvillohet vetëm dialog pune, ku punëdhënësi i bën lavdërime ose kritika punëtori për punën që ka bërë një ditë më parë si dhe i jep urdhra për punën e re që do të kryej.
Nga ora tetë e mëngjesit, fillon rutina e punës, sepse punëtori ndërron rrobat e udhëtimit me ato të punës dhe fillon të bëj atë që i thotë punëdhënësi i tij. Kjo rutinë vazhdon kështu, me pushime të vogla nga pesë minuta, derisa vjen ora një e drekës, kur lan duart dhe fillon të haj bukën që ka marrë me vete, ose nëse nuk ka pasur mundësi të marr me vete, shkon aty afër në ndonjë market, ku blen bukë, domate, proshutë dhe nuk harron të marrë birrë ose ujë sipas mundësive dhe kur mbaron së ngrëni, shfrytëzon ato pak minuta që i kanë mbetur në dispozicion ( pushimi i drekës nuk është më shumë se një orë) për tu shtri që të çlodhet.
Pasi mbaron pushimi i drekës, i rikthehet përsëri punës deri nga ora pesë e gjysmë, gjashtë ( ka edhe raste deri në tetë të darkës) që është edhe koha, kur punëtori shqiptar mbaron ditën e punës, ndërrohet duke veshur përsëri rrobat e udhëtimit dhe pret të vij ta marrë përsëri punëdhënësi i tij për ta çuar në shtëpi.
Duhet theksuar se: jo gjithmonë punëdhënësi i garanton udhëtimin punëtorit të tij, në shumicën e rasteve punëtori, duhet të përdorë shërbimin publik të transportit për të vajtur në punë dhe për tu kthyer në shtëpi.
Dita e diel është dita e pushimit dhe rrugët e qytetit të Xhenovës mbushen me shqiptarë, që më në fund edhe ata si të tjerët mund të pushojnë, të dalin të shëtisin, të bëjnë shoping dhe të takojnë ndonjë shokë.
Të dielave shqiptarët grumbullohen më shumë tek qendra komerciale Fiumara, ku qëndrojnë ulur gjithë ditën në baret e saja, duke parë ndonjë gocë të bukur që kalon aty pranë, duke ngacmuar me shikim ndonjë tjetër që mund të jetë ulur aty përballë si dhe qajnë hallet e njëri- tjetri.
Pse shqiptarët zgjedhin qendrat komerciale për të kaluar të vetmen ditë pushimi që kanë? Sipas analizës time mendoj se: ditët e punës për shqiptarin janë tepër monotone, sepse nuk ka asnjë hapësirë tjetër përveç punës.
Ai është thjeshtë një robot pune, që nuk ka mundësi të takohet me njerëz, të shkëmbej biseda. Pra, ai ndjehet në një farë mënyre i braktisur nga bota njerëzore, dhe mezi pret të vij dita e diel për të shkuar tek qendra komerciale, ku ka shumë njerëz, zhurma etj.
Kjo ditë e vetme pushimi i jep shpresën se edhe ai është pjesë e jetës urbane së qytetit dhe i largon qoftë edhe për një ditë idenë e stamposur në kokë se nuk është robot pune, që merr vetëm komanda për ti zbatuar, por qenie njerëzore që për nga natyra ka nevojë të jetë në marrëdhënie reciproke me njerëzit e tjerë.

Shqiptarët shfrytëzojnë shqiptarët

Punëdhënësi mund të jetë italian ose shqiptarë, ku ndryshimi mes tyre është mjaft i prekshëm dhe radikal.
Nëse e pyet një emigrant shqiptar se me kë punon dhe ai të përgjigjet gjithë gëzim se punon me italian dhe në të kundërt shprehet me gjysmë zëri me shqiptar. Pse ndodh kjo? Italianët zakonisht janë më njerëzorë në sjellje dhe në komunikim, sepse të lënë të punosh brenda aftësive fizike që ke pa të bezdisur shumë me kërkesa të tepërta, me qëllimin se edhe nëse nuk ke ç’të bësh, duhet të harxhosh patjetër energji qoftë edhe pa dobi, sepse po të paguan dhe nuk të kam marr të bësh “Qejf”.
Kjo nuk nënkupton se italianët janë engjëj, por se në krahasim me shqiptarët, janë shumë më të sjellshëm si për nga natyra, qoftë edhe nga frika që kanë kundrejt shqiptarëve. Me shqiptarin mjafton të dish të komunikosh, të dish të sillesh, dhe nuk është e nevojshme t’i thuash të punoj, ti japësh urdhra në rolin e eprorit, sepse punën e don dhe nuk bën dredha.
Ndërsa nëse punon me shqiptarë do të thotë se je me të vërtet pa fat dhe se ti edhe pse po punon në kohë moderne, trajtohesh (në pjesën më të madhe të rasteve) si një skllav i vërtetë i rendit skllav-pronar.
Ajo që kam vënë re me keqardhje në shumë raste është se: shqiptarët shfrytëzojnë njëri- tjetrin këtu në mërgim. Si ndodh kjo? Po ja një kategori e emigrantëve shqiptarë, që kanë ardhur shumë kohë më parë këtu në Xhenova dhe janë sistemuar me punë stabël, përpiqen të përfitojnë nga kategoria tjetër e sapoardhur, e pa ambientuar, me pa mbështetje që nuk njohin askënd dhe kanë nevojë të fillojnë të punojnë menjëherë.
Atëherë këta të mjerët e sapoardhur, duke mos ditur mirë edhe gjuhën italiane e kanë pothuajse të pa mundur të komunikojnë me vendasit si dhe për rrjedhojë të gjejnë punë. Kështu, përpiqen të vihen në kontakt me bashkëkombësit e tyre që kanë ardhur më parë, me shpresën se do i ndihmojnë për t’i i marrë në punë.
Të punosh me një bashkëkombës tëndin (nga rastet që kam vënë re unë) do të thotë se: me të vërtetë do të kalosh një ditë pune me lodhje të përballueshme dhe me gjendje dëshpëruese psikologjike deri në një dëshpërim të madh në pritje që kjo ditë ferri të mbaroj sa më parë dhe me shpresën e venitur, duke ju lutur zotit se dita e nesërme nuk do të jete po aq e lodhshme sa kjo që sapo mbylla.
Ai që mbart rolin e ustait apo mjeshtrit e trajton punëtorin e tij tamam si: kafshë që nuk dinë dhe nuk ka të drejtë të reagoj apo të mbrohet, por thjeshtë zbaton urdhrat sikur të ishte kalë karroce, që e shikon rrugën vetëm para. Shqiptari për nga natyra, kanë qejf të madh të jap vetëm urdhra dhe të bëj rolin e shefit qoftë edhe në realizimin e një diçkaje të vogël, për të cilën mbart kompetenca të plota dhe të pa kundërshtueshme. Për të kuptuar më mirë po ju jap një shembull si: ndërtimin e një muri të thatë.
Kjo është një ndër punët më të lodhshme që asnjë emigrant nuk do të donte të bënte punëtorin, sepse ka lodhje të madhe fizike.
Punëdhënësi i jep urdhrin punëtorit që gurët të vendosen mbi skele, pa pasur parasysh se nëse mundet dhe nëse gurët janë tepër rëndë për ti lëvizur, ta copëtosh gurin me barre, pa menduar aspak se guri mund të jetë shumë i fortë dhe se nuk thyhet dhe etj. Ka edhe raste të tjera, kur ti je duke u marrë me diçka dhe në të njëjtën kohë, punëdhënësi të kërkon ti japësh çekiçin në dorë që e ka afër këmbëve. Këtë e bën për të lënë të kuptuar se ai është pronari jot, dhe se detyra jote është të punosh pa pushim dhe nën urdhrat e tija.
Këtë shembull e dhashë thjeshtë për të pasur një ide se deri, ku shkon shfrytëzimi i shqiptarit nga vetë shqiptari, që thyen limitet e humanizmit. Shfrytëzimi, nuk është vetëm i karakterit fizik, ekonomik por edhe shkatërrim psikologjik, sepse punëdhënësi mund të kaloj gjithë ditën duke e ofenduar dhe fyer rëndë punëtorin e tij.
Ai mund ta ofendoj deri aty, ku nuk mban më, sepse kërkon ti plotësoj dhe ti realizoj të gjitha qejfet dhe tekat e tija që janë jashtë mundësisë njerëzore për tu plotësuar nga forca fizike e një punëtori të vetëm. Punëdhënësi kërkon të realizoj një fitim të madh, por duke u përpjekur që punën e njëzet punëtorëve ta bëj vetëm një, sepse kërkon të fitoj shumë pa investuar aspak në krahun e punës.
Ndërsa shfrytëzimi ekonomik nënkupton pagesa minimale në krahasim me mesataren e tregut të punës si dhe vonesa të gjata kohore likuidimi.
Pse dhe si ndodh një shfrytëzim i tillë?
Sepse, zakonisht punëtorët shqiptarë që nuk kanë arritur të mësojnë një zanat të mirëfilltë në fushën e ndërtimit, mund të kalojnë periudha të gjata pa pasur punë dhe për rrjedhojë gjenden në vështirësi të mëdha ekonomike.
Punëdhënësit shqiptarë, shfrytëzojnë pikërisht këto raste të vështira dëshpëruese nëpër të cilat kalojnë kjo kategori emigrantësh dhe ju ofrojnë pagesa qesharake (40 euro ditën e punës).
Jo vetëm që në të vërtet i shfrytëzojnë në aspektin ekonomik, por në pamje të parë, atyre ju shfaqen me fytyrën e engjëllit, duke ju thënë se ne po ju ndihmojmë, po ju gjejmë punë dhe po ju trajtojmë si vëllezër.

Të jesh klandestin

Një klandestin realisht nuk gëzon asnjë të drejtë, edhe atë më themeloren, të drejtën për të jetuar, sepse lëviz gjithë frikë se mos e kapin forcat e rendit edhe pse në fakt nuk ka bërë asgjë, përveç faktit që ka thyer sovranitetin e një vendi për një jetë më të mirë.
Ai nuk mund të punoj me rregulla dhe pagesa shoqërore, por thjeshtë në të zezë dhe me pagesa qesharake, nuk mund të shikoj të afërmit dhe nuk mund të kthehet në Shqipëri qoftë si për gëzime ashtu edhe për hidhërime familjare.
Njohë personalisht një djalë të ri që ka ardhur në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, që nuk ka mundur të bëj dokumentet, por nuk ka reshtur qoftë edhe një ditë duke punuar në të zezë, sepse në të bardhë nuk mund, pasi për shtetin italian për statusin që mbart nuk ekziston.
Djali tashmë ka 20 vjeç dhe për faktin që nuk ka lejen e qëndrimit nuk e ka parë familjen e tij gjatë gjithë kësaj kohe, sepse po të shkoj në Shqipëri nuk mund të kthehet më, kurse në Shqipëri nuk qëndron, sepse nuk ka punë.
Ai thotë se familjarët e mi kanë, harxhuar goxha para nga ato pak kursime që kishim që unë të vija këtu të punoja dhe të ndihmoja familjen time, sepse po kalonte një periudhë krize ekonomike ngaqë të dy prindërit ishin pa punë dhe nuk kishin mundësi të gjenin punë të re. Pra, mjafton vetëm ky shembull, për të kuptuar dhimbjen që kalon një shqiptar klandestin nga jeta që është i detyruar në rrethana të pa dëshirueshme ta bëj.
Një ditë një miku i im (të gjithë shqiptarët e mirë që janë në mërgim këtu në Xhenova i kam miq) që është njeri i mirë, por që për fatin e tij të keq është klandestin, më thirri të shkoja ta takoja diku në Peli, ku po punonte.
Kishim shumë kohë që nuk ishim parë, sepse unë i zënë me studime dhe ai i zënë me punë, nuk kishim pasur asnjë hapësirë kohe për tu takuar dhe përshëndetur. Për këtë arsye vendosa atë ditë që të shkoja ta takoja edhe përse ishte pak larg.
Kështu bëra, shkova dhe e takova, e përshëndeta, e pyeta se si po ja kalonte në punë dhe apo lodhej? Ai mu përgjigj duke buzëqeshur dhe drejtuar gishtin tek disa porta të blinduara që ishin mbështetur diku në një faqe muri dhe më thotë se: një derë e tillë peshon njëqind kile dhe unë duhet ta marrë vetëm në shpinë dhe ta ngjis në katin e gjashtë. Këtë punë bëj çdo ditë dhe më thuaj ti nëse lodhem apo jo?! Mua më erdhi shumë keq dhe u gjeta në një pozicion të vështirë, sepse nuk dija çfarë t’i thosha.
Megjithatë, u përpoqa ti jap optimizëm, duke i thënë se më mirë do të bëhet, pa mendo të tjerët që duan të punojnë, por nuk gjejnë punë e kështu me radhë. Fjalët e mia ishin të kota, sepse realiteti jo vetëm i mikut tim, por i të gjithë të tjerëve që mbartin statusin klandestin është i hidhur dhe tepër dëshpërues.

Emigracioni jo individual dhe martesat miske

Emigracioni shqiptar këtu në Xhenova, nuk është vetëm i karakterit individual, por edhe familjarë, sepse falë lehtësimeve të procedurave dhe vizave për bashkim familjarë, shumë shqiptarët kanë sjellë edhe familjarët e tyre si: bashkëshorten, fëmijët, prindërit etj. Pra, mund të themi se emigracioni shqiptarë këtu në Xhenova, ka kaluar në një fazë të dytë, atë të pjekurisë, të tipit familjarë.
Nuk janë të pakta rastet, kur emigrantët e rinj që kanë ardhur në një moshë fare të re dhe kanë zgjedhur martesa miske, duke zgjedhur bashkëshortë/e që janë qytetare italiane, apo qytetarë nga komunitet e tjera të emigracionit që janë vendosur në Xhenova.
Martesa miske nuk funksionojnë dhe nuk zgjasin shumë, pasi në pjesën më të madhe të rasteve, bëhen për interesa të njëanshme, dhe jo për hir të dashurisë së sinqertë të shprehur nga dy palët. Kur, kam pyetur shqiptarët që janë martuar me të huaja (italiane) se perse kanë zgjedhur të bëjnë një lidhje të tillë? Ato më janë përgjigjur se: e kanë përdorur martesën për të marrë dokumentet dhe lejet e qëndrimit. Ka edhe raste të tjera që ndoshta janë të pakta në numër, kur bëhen martesa të sinqerta miske mbi bazën e dashurisë dhe respektit reciprokë.
Kalimi i emigracionit shqiptar, këtu në qytetin e Xhenovës, nga faza individuale e tranzicionit, në atë të emigracionit familjarë dhe të pjekurisë, ka sjellë disa ndryshime që nuk janë të pa dukshme, sepse kanë marrë edhe familjarët e tyre, kanë blerë shtëpi, ka futur fëmijët në shkolla.
Kjo tregon, se po bëjnë investime afatgjate dhe është e vështirë të besosh se kjo kategori e komunitetit shqiptar (emigrantët shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të komuniteteve të huaja për numrin e shtëpive të blera) mund të rikthehet përsëri në vendin e tyre të origjinës.
Në disa raste që kam pasur mundësinë të takohem dhe të pi kafe me emigrantët të moshës relativisht madhore, që kanë marrë edhe pjesën tjetër të familjes me vete dhe në muhabet e sipër i kam pyetur nëse mendojnë të rikthehen përsëri në Shqipëri? Ato me sy të përlotur më janë përgjigjur se tashmë janë stabilizuar shumë mirë këtu me punë, me shtëpi dhe se tani nuk e shikojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Pastaj, nuk e kanë shumë të lehtë të kthehen edhe nëse duan, sepse fëmijët e tyre që frekuentojnë shkollat këtu dhe që janë integruar plotësisht në shoqërinë xhenoveze jo vetëm që nuk duan të kthehen përgjithmonë për të jetuar në Shqipëri, por që as e mendojnë një gjë të tillë.
Shqipëria, për brezin e ri që po rritet dhe që lind në Xhenova, bëhet gjithnjë më e largët dhe më e huaj, sepse kjo kategori për fatin tonë të keq jo vetëm që po integrohet më së mirë në shoqërinë vendase, por më saktë po asimilohet.
Një pjesë e mirë e tyre që kanë ardhur në një moshë fare të re, apo që kanë lindur këtu, nuk dinë ta shkruajnë fare gjuhën shqipe, dhe e flasim duke u menduar që të gjejnë fjalët e duhura për të formuar fjalitë. Mendoj se ky është një ndër problemet kryesore që do të has në të ardhmen emigracioni shqiptar, atë të humbjes së identitetit.

Opinioni i emigrantëve për Shqipërinë

Deri tani folëm për emigrantët shqiptarë këtu në Xhenova, por nuk kemi përshkruar se çfarë mendojnë emigrantët shqiptarë për vendin tyre Shqipërinë? Zakonisht në emigracion kanë ardhur persona që kanë qenë mbushur me plot dëshpërim, vuajtje, zhgënjim, varfëri, stres dhe që nuk kanë gjetur asnjë rrugë shpëtim për të dalë nga ferri i jetës së gjallë njerëzore në Shqipëri, por me dhimbje, lot kanë marrë pa kushte rrugën e emigracionit.
Prandaj, këto person është e vështirë të kenë një opinion të mirë për vendin e tyre Shqipërinë. Le të bëjmë një dallim të qartë në të shprehur, kur them “vend” e kam fjalën për klasën politike që e ka dhe vazhdon ta qeverisë Shqipërinë.
Emigrantët, nuk është se nuk e duan vendin, ku janë lindur ata dhe të parët e tyre, të cilin e konsiderojnë me të drejtë si një vend të mrekullueshëm me mjaft pasuri, por që fatin e këtij vendi të mrekullueshëm e kanë marrë në dorë persona të papërgjegjshëm që nuk dinë të qeverisin dhe se mendojnë vetëm për vetën e tyre.
Nëse edhe thjeshtë për të bërë për muhabet, ose për kuriozitet i pyet emigrantët se çfarë mendojnë për politikën dhe politikanët tanë? Ato nuk duan të flasin fare, por nëse insiston, të përgjigjen se: ju ka ardhur në majës të hundës nga politika dhe politikanët, sepse mendojnë vetëm për xhepat dhe veten e tyre.
Kjo nënkupton se edhe pse në pamje të parë nuk duan të shprehen aspak për politikën shqiptare, që i varfëroj shpirtërisht, ekonomikisht dhe që i degdisi nëpër botë, thellë në të vërtetë emigrantët, kanë krijuar ndoshta një urrejtje të justifikuar mbi politikën shqiptare nga faktet se si i kanë qeverisur në dy dekadat e fundit, pa llogaritur edhe periudhën e errësirës së madhe në pesëdhjetë vitet e komunizmit çnjerëzorë shqiptar.
Gjatë kësaj vere që sapo kaluam u ktheva me pushime në Shqipëri, pranë familjes time dhe një ditë më merr në tel një miku im që jeton prej kohësh me familjen e tij në qytetin e Xhenovës dhe më fton për të pirë një kafe, sepse edhe ai ashtu si unë, ishte kthyer në Shqipëri për pushime.
Pas telefonatës që bëra, dal nga shtëpia dhe shkoj ta takoj diku tek Zogu i Zi, ku po më priste në makinë bashkë me vajzën e tij gjashtë vjeçe.
U takuam dhe u përshëndetëm dhe pastaj hipëm në makinën e tij dhe u nisem për të shkuar në një bar diku jashtë Tiranës për të pirë kafen. Gjatë rrugës, miku im pyet gocën e tij gjashtë vjeç se: ku është më mirë këtu në Shqipëri, apo atje në Xhenova? Ajo edhe përse e vogël në moshë përgjigjet si një e rritur se: këtu në Shqipëri duhet të vijnë për të parë të afërmit tanë, por atje në Xhenova, ku ne jetojmë është më mirë, sepse rrugët janë të pastra, këpucët nuk të bëhen me pluhur sikur të ecësh nëpër Sahara, se rrugës, kur kalon afër koshave të plehrave nuk vjen erë e keqe e kështu me radhë.
Zgjedhja e kësaj vajze që ka vetëm gjashtë vjeç, tregon se sa i vështirë është bërë realiteti i përditshëm në Shqipërinë tonë të dashur, ku shumë gjëra vazhdojnë të jenë shumë larg standardeve evropiane. Gjithashtu, kjo nënkupton dhe sa dëshirë kanë fëmijët që kanë ardhur të vegjël apo që kanë lindur në Xhenova për tu kthyer përgjithmonë në vendin e origjinës, Shqipërisë.
Është për të ardhur keq që prindërit e tyre janë larguar të mbushur më zhgënjime dhe që edhe fëmijët e tyre vazhdojnë të ushqehen me dëshpërimin e prindërve të tyre, sepse kur bëjnë krahasimin mes jetës që bëjnë këtu Xhenova, dhe asaj që gjejnë dhe prekin për ato pak ditë që shkojnë me prindërit me pushime në Shqipëri, është njëlloj sikur të krahasosh natën me ditën, ose dy standarde me nivele krejtësisht të largëta.
Duhet të theksojmë se: edhe pse emigrantët shqiptarë janë larguar nga Shqipëria, kundër dëshirës së tyre, sepse nuk kishin asgjë të sigurt dhe të garantuar, duke u nisur nga gjetja e një vendi pune deri tek siguria për jetën .
Ato, përsëri kanë mall dhe nostalgji shumë të madhe për vendin e tyre, ku janë lindur, janë rritur dhe kanë të afërmit e tyre, kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribute të mëdha ekonomike, por irritohen dhe nuk pranojnë dot realitetin që është krijuar nga një klasë politike që është krejtësisht indiferente kundrejt halleve dhe problemeve të qytetarëve.


Integrimi social, kulturor dhe politik i shqiptarëve
në Xhenova


Më i ngadaltë është integrimi social-kulturor dhe ai politik që kërkojnë disa dhjetëra vjet edhe në vende të hapura si Shtetet e Bashkuara, ku grupe të ndryshme etnike kanë jo më pak se dy ose breza për një integrim, që jo gjithmonë është realizuar në këtë kategori.
Shqiptarët, në qytetin e Xhenovës, janë komuniteti më pak i organizuar në forma të përbashkëta organizative jo qeveritare, për mbrojtur të drejtat e tyre kolektive. Edhe pse janë të shumtë në numër, deri në vitin 2003, ku për herë të parë u themelua, organizata e parë shqiptare “Gjenerata Re Shqiptare”, shqiptarët nuk ishin grumbulluar në asnjë formë bashkëpunimi apo grupimi të përbashkët në mbrojte të drejtave të tyre kolektive si komunitet.
Organizata “Gjenerata Re Shqiptare” e formuar nga një grup të rinjsh që sapo kishin ardhur nga Shqipëria për të kryer studimet e larta, është përpjekur që përmes programeve të saja dhe bashkëpunimeve që ka bërë, të ngrejë lartë jo vetëm vlerat dhe imazhin e komunitetit shqiptar të vendosur në Xhenova, por edhe atë të Shqipërisë.
Falë iniciativave dhe punës vullnetare që ka bërë kryetari i kësaj organizate dr. Alban Daci si dhe ndihmës që ka dhenë dhe vazhdon të jap i nderuari Giuseppe Maria Durazzo, Konsull i Nderit në Montekarlo për Republikën e Shqipërisë, komuniteti shqiptar në Xhenova po integrohet edhe në sport.
Për herë të parë në historinë e Xhenovës, falë iniciativës së dr. Alban Daci dhe mbështetjes personale që ka afruar Konsulli Durazzo është themeluar një skuadër futbolli shqiptare, vetëm me djem të ri shqiptarë që jetojnë në këtë qytet dhe quhet “Reale Durazzo” në nderë të familjes fisnike shqiptare “Durazzo”, që erdhën si skllevër dhe falë aftësive të tyre kanë qeverisur për dekada Republikën e Xhenovës.
Sa i përket integrimit politik të shqiptarëve, për momentin as që nuk mund të flasim, sepse janë disa kushte formale dhe informale që mund të plotësohen vetëm me kalimin e kohës dhe me ndërrimin e brezave për të realizuar një integrim të kësaj natyre. Një ndër kushtet themelore për pjesëmarrje politike, sipas kushtetutës italiane është të zotërosh nënshtetësinë italiane. Gjithashtu, një kërkesë tjetër informale po aq e rëndësishme për pjesëmarrje dhe përfaqësim politik është të kesh një titull lartë studimesh.
Kjo kërkesë që të realizohet, do të paktën të kaloj edhe një brez tjetër të bëhet realitet, sepse tani për tani shqiptarët kanë sfida të tjera më të vështira për të përballur. Integrimi politik mund të bëhet vetëm, kur të rriten dhe të arsimohen fëmijët e emigrantëve shqiptarë që janë lindur dhe janë arsimuar këtu në Xhenova.

Opinioni i shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri
mbi emigracionin


Po shqiptarët që ndodhen në Shqipëri që nuk kanë emigruar asnjëherë dhe nuk e njohin aspak realitetin e të qenit emigrant çfarë mendojnë për ato që kanë marrë rrugën e mërgimit? Përderisa në Shqipëri ashtu si në çdo vend të botës, kemi shtresa të ndryshme shoqërore, për rrjedhojë nuk mund të kemi një opinion uniformë kundrejt emigrantëve që kanë zgjedhur të jetojnë dhe të punojnë jashtë.

Prandaj, do të përpiqem të bëj disa klasifikime si më poshtë:

familje shqiptare që në mënyrë të drejtë apo të pa drejtë, kanë arritur të shfrytëzojnë ato pak hapësira që kishte realiteti shqiptarë, jo vetëm për të siguruar një jetë normale, por edhe për të garantuar të ardhura aq të mjaftueshme sa mund të klasifikohen si të pasur. Meqë, këto familje kanë arritur të sigurojnë standarde të mira jetese, nuk kanë pasur nevojë të emigrojnë dhe ta njohin botë e emigrantit, i bën ata të jenë plotësisht indiferent për këtë fenomen që e konsiderojnë krejtësisht të huaj dhe aspak të pranishëm në jetën e përditshme të tyre.
bota e turizmit shqiptar, i njeh në raportin e klientit në llogaritjen e përfitimit ekonomik dhe pothuajse nuk krijojnë aspak marrëdhënie të karakterit social, por vetëm në kuadrin e ofrimit të një shërbimi të mirë të ofruar gjatë pushimeve, kundrejt përfitimit që marrin prej emigrantëve në formën e pagimit për shërbimin që kanë marrë. Megjithatë, duhet të theksojmë se turizmi i lirë privat në Shqipëri, nuk ka një histori të gjatë dhe nuk pasqyron pjekuri shërbimi për klientët. Prandaj, edhe emigrantët shqiptar ashtu si qytetarët e tjerë jo gjithmonë janë të kënaqur për pushimet që kanë kaluar.
familjet që bëjnë pjesë në shtresën e mesme dhe të varfër të shoqërisë shqiptare dhe që janë prekur drejtë për së drejti nga emigracioni, ku kanë të paktët një anëtarë të familjes, e shikojnë emigracionin si: një mundësi shpëtimi nga varfëria, një opsion të sigurt për zgjidhjen e shumë halleve që kanë, por edhe si dhimbje të thellë shpirtërore, për faktin se kalojnë një kohë të gjatë pa u parë dhe pa ndarë emocionet më të rëndësishme të jetës së tyre.
Shteti shqiptarë, është krejtësisht indiferent për t’iu qëndruar pranë, kur emigrantët shqiptarë kanë nevoje dhe shumë vigjilent për të shfrytëzuar të ardhurat e tyre në mbushjen e boshllëqeve të buxhetit shtetëror. Shteti shqiptar, me plot kuptimin e fjalës që nga origjina e emigracionit deri më sot nuk ka bërë asgjë konkrete për emigrantët.

Çfarë opinioni kanë italianët për shqiptarët, a janë ata racistë si dhe a mund të bashkëjetojnë së bashku

Duhet të theksojmë se jo vetëm në Xhenova, por në të gjithë Italinë, ka një numër të konsiderueshëm punësh që janë pak të pëlqyeshme dhe që paguhen pak- në agrikulturë, në sektorin e ndërtimit, në peshkim, në industrinë e rëndë, në shërbime të veçanta shtëpiake- që italianët nuk duan ti bëjnë më, sepse në shumicën e rasteve niveli i tyre i përgatitjes shkollore si dhe mirëqenia familjare i shtynë ti refuzojnë.
Ndarja Ne/Ata ( shqiptarë/ italianë), prezantohet si një zbulim i vërtetë i një gjendje fakti të një realiteti dhe si një ndarje thelbësore, identiteti, mes grupeve të ndryshme si rezultat i një seri marrëdhëniesh sociale.
Kjo na fton të mos përqendrojmë vëmendje mbi karakteristika të supozuara mes Nesh dhe Atyre, të marra si vlera autonome dhe të izoluara, por me vëzhguar në zona përplasje, përballje, ndërmjetësimi dhe dialogu. Prandaj, na fton të vëzhgojmë çështjet e diskriminimit e krijimit të diferencave nga një pikëpamje marrëdhëniesh.
Problemi i një përkufizimi Ne/Ata dhe një përdorimi shoqërorë i këtyre kategorive është një çështje që ka të bëj me momente relacionale, konkretisht rastet e aksionit social, nuk janë çështje që zgjidhet në të kuptuarin mirë kush jemi Ne dhe kush janë Ata.
Prandaj, duket e nevojshme jo shumë të pyeten mbi një shembull statuti të identiteteve respektive, se sa mbi marrëdhëniet që vendosin në lidhje, ndonjëherë në kundërvënie, këto terma dhe identifikimet që i ndërtojnë.
Një vëzhgim i drejtë dhe racional na fton të lëmë hipotezën se diskriminimi dhe pengesa përballë diferencave mund të jetë i rikthyer në faktor “personal”, që është i mundur ti ndaj njerëzit në dy njësi: racistë dhe jo racistë.
Sikur nënvizon Taguieff se: nëse nuk je racist mund të bëhesh dhe nëse ke qen mund të mos jesh më. Racizmi i shfaqur nga sjellja e një aktori social nuk mund të shpjegohet përmes tendencave dhe udhëzimeve të këtij të fundit. Elementi kryesor i shpjegimit të një qëndrimi social është situata.
Marrëdhënia që ndërton ndarjen Ne/Ata duhet të analizohet duke pasur parasysh kontekste të veçanta dhe asimetrinë e pushtetit.
Kjo nënkupton se duhet të reflektojmë jo vetëm në ndërtimin e kufijve social (identitet, diferencë) por edhe mi hierarkinë (pozicionin social, pushtetin) që nga ndarja Ne/Ata gjejnë legjitimitet dhe mundësi konkrete manifestimi dhe përdorimi.
Ndarja Ne/Ata nuk mund të jetë e vlerësuar në një kontest të universalizmi dhe reciprociteti të rremë. Një reflektim serioz mbi diskriminimin duhet të di të shoqërohet në reflektim multikulturor dhe interkuluror- një diskutim që kërkon të mbaj diskriminimet në ballafaqimin e Tjetrit duke celebruar diferencën, duke favorizuar një njohje të tijën , duke kërkuar të edukoj në kulturën e të tjerëve për të bërë të mundur ta njohin dhe ta admirojnë – një reflektim mbi diskriminimin i vënë në jetë nga grupe homogjene që vlerëson dimensionet strukturale të proceseve përjashtuese , që i kthen me shumë se të vetëdijshëm anëtarët e grupit dominuese të paragjykimit të tyre dhe të racizmit të tyre (Anthias e Lloyd, 2002).
Pjesa dominuese që përbën shumicën luan rol qendror që mund të konsiderohet edhe si problematik. Të reflektuarit mbi modalitetin e marrëdhënieve, të integrimit të bashkëjetesës mes grupeve që konsiderohen të ndryshëm, nuk mbarohet - as zgjidhet kryesisht - në një analizë të karakteristikave dhe aksioneve të grupeve minoritare, por duke propozuar çështjet e statusit të mazhorancës: marrëdhëniet ndërkulturore nuk shqyrtojnë karakteristikat e pakicave, mbi të gjitha, mendimin, identifikimet dhe aksionet e grupit dominues (Tëëne e Gallagher, 2008; Essed e Trienekens, 2008).
Të pyesësh mbi bashkëjetesën multikulturore sot në Itali është para së gjithash të pyesësh mbi idenë e “Italianizmit”, mbi ndërtimin lokal të identitetit, të kufijve, e mbylljeve dhe të hapjeve të “italianëve”: forma jo të thjeshta “reagimi” në sjellje, qëndrime ose “karakteristika themelore” të Tjetrit.
Prej vitesh studiozët theksojnë se transformimet e thella në retorikë dhe në praktikë të diskriminimit. Termat e ri si racizëm institucional, kulturor, racizmit simbolik, racizëm ditor tentojnë të theksojnë që jemi përballë në praktikë dhe retorikë se sa në biologji dhe në racë gjejnë bazë në kulturë, praktikë që më shumë se të shfaqen në aksione eksplicite dhe violente përsëriten në mekanizma anonim të burokracisë, në përtesën për të menduar si zakonisht.
Forma diskriminimi më pak radikal, por në realitet rezultojnë të aftë me efekte më të përhapura dhe këmbëngulës, sepse fshehin prezencën e tyre dhe mekanizmat të funksionimit të tyre, prezantohen si “realiteti i fateve”, mënyrë normale për të bërë gjërat, aksionet që ju mungojnë çdo kuptimi diskriminues.
Ka të bëj me një racizëm pa racë, me një diskriminim pa sharje eksplicite, më mbrojtës se fyes, “Racizëm që ka temë dominuese jo trashëgiminë biologjike, por pamposhtmërinë e diferencës kulturore: një racizëm që, me pamje të parë, që nuk kërkon me ngulm superioritetin e disa grupeve ose popujve mbi të tjerët, por “vetëm” papërshtatshmërinë e njerëzve dhe traditave (Balibar e Wallerstein, 1991).
Diskutimi mbi diskriminimin bashkëkohor prezantohet si një racizëm pa racë, propozohet të ruaj diferencat e grupit dominues duke e konsideruar emigracionin si një rrezik, një invazion që vë në diskutim unitetin dhe identitetin kombëtar ose lokal.
Deri tani shpjeguam termin diskriminimin në linja të përgjithshme si dhe formën e racizmit bashkëkohor që shfaqet jo vetëm në Itali, po në të gjitha vendet e zhvilluara që kanë pritur emigrant në dy dekadat e fundit. Ky shpjegim ndihmon për të kuptuar dhe analizuar rastin e emigracionit shqiptarë në Xhenova në raport me popullsinë vendase (italianët).
Atëherë le të fillojmë me pyetjen se: çfarë opinioni kanë italianët për shqiptarët?
Duhet që qartësojmë se opinioni konsiston në përmbajtjen e ndërgjegjes së një personi pavarësisht nga gjykimi mbi vërtetësinë e tij ose falsitetin.
Mendoj se italianët këtu në Xhenova mbi shqiptarët shfaqin dy lloj opinionesh:
1. të drejtë duke thënë të vërtetën
Opinioni i drejtë që italianët shfaqin për shqiptarët është se: shqiptarët janë njerëz që punojnë shumë, që respektojnë ligjin, që dinë të sillen, janë të zot, kanë prirje për të mësuar shpejt gjuhët e huaja, luftojnë për të bërë një jetë të mirë dhe që herë- herë me punët e tyre të ndershme dhe të lodhshme janë bërë më të pasur se edhe vetë italianët.
Një ditë shkova në një bar këtu në Xhenova, për të konsumuar diçka dhe fare rastësisht hyra në bisedë me pronarin e barit që më pyeti nëse isha turist i huaj?! Jo i thashë, jam shqiptar dhe kam ardhur për studime këtu. Kur, e mori veshtë se isha shqiptar më tha shqip “ej Shoku”. Pronari i lokalit vite më parë kishte punuar në sektorin e ndërtimit dhe më tha se njihte shumë shqiptarë, me të cilët kishte punuar. Ai u shpreh se shqiptarët janë punëtorë shumë të zotë, sidomos në ndërtimin e mureve të thata.
Opinione të kësaj natyre mbi shqiptarët ka shumë, por janë të rasteve, kur vetë deklaruesit janë të implikuar drejtpërdrejtë në çështjen që bëhet fjalë. Pothuajse në të gjitha rastet, kur italianët shfaqin opinion pozitiv mbi shqiptarët, do të thotë se për arsye pune apo në rrethana të tjera të natyrës sociale, kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë dhe i kanë njohur personalisht nga afër shqiptarët.

2. opinion paragjykues duke sfiduar faktet dhe vërtetësinë.
Paragjykim do të thotë vetëm “gjykim paraprak” ose gjykim që prononcohet para një provimi të plotë të të gjithë atyre elementeve të rëndësishëm. Nga periudha e iluminizmit termi “paragjykim” fiton një ngjyrim negativ.
Allport thekson se: paragjykimi përcakton një farë orientimi drejt kategorive të përgjithshme njerëzore se sa drejt individëve, ose shqyrton individët jo në individualitetin e tyre, por si anëtarë të një kategori.
Disa italian që për fatin tonë nuk përbëjnë shumicën në numër, por që kanë në dorë forcën e fjalës (gazetarë jo realist), medien, mjaftojnë të gjejnë një rast edhe të vetëm, kur një shqiptarë shkel ligjin, apo devijon ( devianzë quajmë aktin që dhunon normat e një komuniteti dhe ndëshkohet me një sanksion) dhe të shkruajnë duke deklaruar pa baza faktesh, por për interesa të caktuar se të gjithë shqiptarët shkelin ligjet.
Pra, këto gazetarë që mbulojnë kryesisht kronikat e zeza, paragjykojnë të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe punëtorë, duke përdorur stigmën dhe stereotipin shqiptarë, qoftë edhe kur kemi vetëm një rast të asaj natyre.
Ky lloj paragjykimi publik, ndikon tek të gjithë qytetarët e tjerë italian, që nuk kanë asnjë lloj forme kontakti me shqiptarët, të forcojnë paragjykimin e marrë nga mediet, duke e bërë akoma edhe më real e të besueshëm në impaktin e drejtpërdrejtë shoqëror.
Sipas një ndër studiuesve dhe kriminologëve më të mëdhenj amerikanë Edwin H. Sutherland se: sjellja devijuese nuk është as e trashëguar as e trilluar nga aktori, por e mësuar përmes komunikimit me persona të tjerë. Citimi i studiuesi amerikan, gjen aplikim në rastit tonë konkret, sepse një shqiptarë, kur vjen në një moshë fare të këtu në Itali, nuk është aspak i prirur për të devijuar, por janë rrethanat që e detyrojnë në një farë mënyrë për të bërë diçka kundër vullnetit dhe dëshirës së tij.
Po ju tregoj një histori për të qenë më të qartë se çfarë dua t’iu them. Kjo është historia e një të riu shqiptar, që sapo kishte mbushur 19 vjeç, vite më parë vjen këtu në Xhenova, për të realizuar ëndrrën e tij universitare, por edhe pse kishte një talent të trashëguar intelektual, nuk kishte mundësi ekonomike të vazhdonte studimet. I riu i sapo ardhur kishte bërë kërkesën për përfituar konviktin, po nuk e fiton dot, sepse konsiderohet me të ardhura të mira familjare (në familje punonte vetëm babai me një rrogë mujore prej 100 eurosh). I riu i vendosur për të realizuar ëndrrën universitare, vendos të shkoj të takoj personalisht drejtoreshën e konvikteve për ti treguar se: vjen nga një familje që arsimin e kanë konsideruar gjithmonë si të rëndësishëm dhe të pa zëvendësueshëm në formimin kulturor të individit dhe se ëndrra e tij është të mbaroj universitetin dhe të integrohet me të drejta të barabarta në shoqërinë italiane.
Ai i argumenton drejtoreshës se: nëse nuk e ndihmon duke i ofruar vetëm një vend fjetje në konvikte, ëndrra e tij jo vetëm që nuk do të realizohet, por se ai do të gjendet fare i vetëm në mesin e rrugës, i pa strehë, i pa ngrënë, i pa mbrojtur dhe pa eksperiencë në një vend të huaj. Në këto rrethana kundër vullnetit dhe ëndrrës së tij mund të bëhej devijues në kërkim të mbijetesës dhe të respektimit të ligjit të egër të rrugës.
Pra, jeta e këtij të riu ishte me të vërtetë në duart e kësaj zonje që përfaqësonte institucionin e strehimit për studentë. Për fatin e mirë, drejtoresha u tregua zemër mirë, dhe me aktin e ofrimit të vendit të fjetjes, mbrojti ëndrrën e një të riu shqiptar, që kishte ardhur nga një realitet ku nuk kishte ëndrra por ankthe.
Falë asaj ndihme, i riu shqiptar jo vetëm që realizoj ëndrrën e tij universitare, por me sjelljen e tij kulturore dhe me kapacitetin e tij intelektual vazhdon të jetë një shembull jo vetëm si shqiptarët ashtu edhe për italianët.
Ky shembull tregon se nëse një shqiptarë devijon, është faji edhe i vendasve që nuk i kanë ofruar asnjë mundësi që të integrohet dhe të realizoj ëndrrat e tij, ashtu si qytetarët e tjerë vendas.
Para se të analizojmë se nëse italianët janë racistë apo jo kundrejt shqiptarëve? E shikoj të arsyeshme të shpjegojmë metamorfozën e racizmit nga biologjik në kulturor.
Racizmi biologjik (klasik), që bazohej mbi karaktere trupore për të justifikuar raportet e pa barazisë, ka humbur besueshmëri. Megjithatë qëndrimet raciste nuk janë zhdukur, por kanë zënë forma më pak eksplicite, si për shembull ai i diskutimit mbi ndryshimet dhe mos përputhjet mbi kulturat që legjitimojnë masa veçimi dhe përjashtimi.
Pra ashtu siç kemi theksuar më sipër kemi kaluar nga racizmi me racat në një “racizëm pa raca”, që është një formë racizmi shumë evident, sepse fshihet poshtë veshjeve “pozitive” të diferencës dhe mbron larmi kulturash.
Mendoj se qytetarët italian në Xhenova janë më shumë në fazën e paragjykimit, se sa të racizmit të mirëfilltë kundrejt shqiptarëve. Pse shprehem kështu? Sepse, jo të gjithë xhenovezët, kanë qëndrim konstant racist mbi shqiptarët, por opinioni i tyre është në formën e një cikli, ku në momente të caktuara shfaqet me kuota të larta përfshirje dhe në momente të tjera me kuota fare të vogla dhe të papërfillshme.
Duhet të theksojmë se për nga natyra xhenovezët janë të ftohtë dhe janë më të prirur për të thelluar ndarjen Ne/ Ata jo vetëm me shqiptarët, por me çdo të huaj që vjen për herë të parë në vatrën e tyre, në qytetin e tyre dhe tenton të behet pjesë e tyre. Madje vetë xhenovezët mburren kur thonë, se duhet vite të bësh një Xhenovez mik, por nëse e ke e bërë, atëherë e ke përjetë.
Fakti që xhenovezët për nga natyra nuk hyjnë lehtë në marrëdhënie me të huajt, i bën ata të mos kenë një opinion të drejtpërdrejt dhe personal të tyrin pikërisht mbi këta të huaj dhe të mbeten në fazën e paragjykimit, pa mundur të analizojnë faktet dhe të vërtetat.
Për këtë arsye shumë qytetar kujtohen të shfaqen egërsisht deri në racizëm kundër të huajve, kur disa gazetarë të kronikave të zeza përdorin subjekte të veçanta për ngjarjet që ndodhin.
Për shembull, gazetarët janë të prirur të theksojnë se një djalë shqiptarë tentoj të dhunonte një grua. Nuk e kuptoj se përse duhet të theksohet se ishte një djalë shqiptarë, kur fare mirë mund të shkruhet se një djalë tentoj të dhunonte një grua, sepse nuk janë vetëm shqiptarët të prirur për të dhunuar.
Qytetarët e thjeshtë që nuk kanë asnjë lloj kontakti të drejtë për drejtë me shqiptarët, me të lexuar këtë lajm, frymëzohen dhe shprehen se shqiptarët janë të gjithë dhunues, se ato duhet të shkojnë andej nga kanë ardhur etj. Kjo formë e logjikuar është krejtësisht e gabuar, sepse është një lloj sikur të pohojmë se Sokrati ka mjekër, të gjitha dhitë kanë mjekër dhe atëherë Sokrati është një dhi.
Në këtë fazë mund të themi se nga paragjykimi, për faktin se nuk njohin faktet, të frymëzuar edhe nga kryeartikujt e stigmatizuar të gazetarëve shprehin nivelin më të lartë të atij që quhet racizëm ditor, sepse lajmi zakonisht ka efekt vetëm për pak kohë, pastaj harrohet dhe zëvendësohet nga një lajm tjetër që ka subjekt dhe natyre të ndryshëm nga paraardhësi.
Prandaj, me të drejtë mund të pohoj se racizmi Xhenovez nga ajo që shprehëm edhe më sipër ka formën e një cikli me vlera variuese, ku me periudha të shkurta dhe të influencuar nga faktorë të jashtëm është i lartë, por në periudha të tjera është më i ulët deri në jo ekzistencë.
Fakti që aktualisht shqiptarët kryejnë punët e pa preferuara nga xhenovezët dhe që janë pak të paguara, bën që më shumë të ketë përshtypje mbi bazën e paragjykimeve se sa shprehje racizmit nga vendasit.
Në një fazë të dy, kur shqiptarët të fillojnë të kenë një nivel më të lartë arsimi, dhe të jenë në kushte të barabarta për të zënë punë në profesionet e nivelit të lartë si avokat, mjek, inxhinier, arkitekt, lektor universitar, ekonomist etj.
Atëherë, për arsye të konkurrencës së drejtpërdrejtë, xhenovezët do të shfaqin jo vetëm paragjykime, apo racizëm ditor, por në një farë mënyre edhe racizëm institucional ndaj shqiptarëve, sepse nuk do i shikon si “inferior” por si konkurrentë të fortë në jetën e përditshme.
Megjithatë, mendoj se duke kaluar një periudhë të gjatë bashkëjetese, xhenovezët do e kuptojnë, se emigrantë shqiptarë janë një domosdoshmëri ekonomike, sociale dhe demografike dhe se me ata mund të bashkëjetohet ashtu siç ka ndodhur që nga vitet 1389, kur durrsaku i parë erdhi në Xhenova si skllav dhe fitoj lirinë, duke vënë themelet e para të dinastisë “Durazzo” (për dekada me radhë ka qenë protagoniste dhe aktore e historisë së qytetit të Xhenovës) deri tek eksodi i 1990 që me ritme më të vogla vazhdon edhe në ditët e sotme.
Xhenova, është një ndër qytetet me moshë më të plakur jo vetëm në Itali, por edhe në Evropë, ku personat që janë në moshën 81 vjeç e sipër përbëjnë 21 të popullsisë totale të këtij qyteti.
Mund të themi se Badantet shqiptare luajnë një rol të rëndësishëm dhe ta pazëvendësueshëm, duke ofruar shërbim për këta të vjetër jo suficient të braktisur nga familjarët e tyre.
Emigrantët shqiptarë janë një domosdoshmëri ekonomike, sepse siç kemi theksuar, sepse mbulojnë segment të rëndësishëm të tregut të punës të lënë të pa mbuluara nga krahu i punës italian, duke ringjallur sektor të rëndësishëm ekonomik-produktiv: të peshkimit, në agrikulturë, në industrinë e ndërtimit etj.
Prandaj, mendoj se italianët do të vazhdojnë të bashkëjetojnë shumë mirë me komunitetin shqiptar, sepse kanë një lidhje të fortë të nevojës reciproke në formën e një lidhje simbiotike. Shqiptarët, tashmë janë një realitet i pa mohueshëm, që po jep kontributin e tij që Xhenova të bëhet një qytet i hapur, kosmopolitik dhe t’iu përgjigjet me efikasitet dhe me shpejtësi kërkesave të globalizimit.

Tuesday, September 9, 2008

Mos u largoni!


Dr. Alban Daci
Botuar me 10.09.2008

Gazeta "Ndryshe"


Mos u largoni nga Shqipëria! Këtë thirrje e bëj për të gjithë të rinjtë shqiptarë dhe në veçanti për shtresat e varfra dhe të mesme që ëndërrojnë të largohen nga vendi i tyre për të studiuar jashtë. Besoj se është normale që dhe ju ashtu si tjerët të keni ëndrra dhe vizione për jetën tuaj si dhe në mesin e atij hambari të ndodhet edhe ëndrra e largimit për të studiuar në një universitet perëndimor.
Kur, shikoni një ëndërr të bukur gjithçka është e thjeshtë, sepse ajo nuk është e vërtetë dhe për rrjedhojë ajo zhvillohet në përkryerje pa hasur asnjë vështirësi, por është gjithçka ndryshe nëse ju në një fazë të dytë pasi e keni ëndërruar virtualisht doni ta vendosni në rrafshin e reales, për ta bërë të përjetueshme drejtpërdrejt dhe të prekshme në emocione.
Unë, do ju tregoj disa të vërteta për t’iu bindur ju se perse nuk duhet të merrni vendimin e largimit nga familja për të ardhur me studime këtu në Evropë. Ju do të largoheni në një moshë fare të re, drejtë një ambienti të huaj, të ftohtë dhe të vështirë, ku nuk do të keni pranë asnjë anëtarë të familjes suaj që mund t’iu ndihmoj duke ju dhënë qoftë edhe një këshillë, për të cilin do të keni shumë nevojë.
Shumë të rinj që e dashuronin shumë shkollimin, duke u mbështetur në jetën që pasqyrohej në programet e kanaleve televizive të huaja dhe në ambiciet e tyre universitare vendosën të largoheshin dhe të vinin e të studionin në Evropë apo diku gjetkë, ku u përballen me vështirësi të shumta si: me çmime të larta konsumi, qira të larta dhe taksa të larta universitare etj.
Me pak fjalë realiteti që gjetën dhe prekën këtu në Evropë ishte krejtësisht ndryshe nga ajo që kishin parë në ëndrra dhe në programet televizive. Këtu në Evropë nuk është se ne shqiptarëve na presin të mirat e dynjasë dhe o burra të vijnë me vrap ti marrim, por një jetë shumë e shtrenjtë, ku realitetet ekonomike që kemi në familjet tona nuk mund ta konceptojnë dhe jo më ta përballojnë.
Shumica e të rinjve që kanë ardhur deri sot nga Shqipëria janë kryesisht njerëz që e duan shumë shkollimin, por që periudha e errët e komunizmit i zhveshi familjet e tyre nga të gjitha të mirat që kishin dhe nuk ju la asgjë.
Të dëshpëruar dhe të inatosur për të kthyer rendin dhe nderin që kanë pasur shumë kohë më parë familjet e tyre vendosin: në mos përputhje me realitetin e tyre ekonomik të largohen për të shkolluar në universitetet më të mira në perëndim si një formë deklaruese se ëndrrat e tyre dhe të prindërve do i realizojmë njëkohësisht.
Njoh shumë të rinj shqiptarë që kanë ardhur këtu në Evropë me ëndrrën e bukur për të kryer studimet e larta dhe kanë përfunduar mes “katër rrugëve”, sepse të varfër ekonomikisht dhe të vetmuar shpirtërisht nuk kanë mundur ti rezistojnë trysnisë shoqërore dhe për rrjedhojë të mbajnë edhe statusit e të qenit student. Në kushte të vështira jetese janë detyruar të lenë ëndrrën universitare që e deshën aq shumë dhe ti kthehen tregut të punës.
Pra, nga studentë janë kthyer punëtor të pasigurt, sepse nuk është e lehtë të gjesh punë këtu në Evropë dhe në rast se gjen për ne që konsiderohemi të “huaj” ka vetëm punë të rëndomta dhe të lodhshme që “vendasit” nuk kanë qejf ti kryejnë.
E ardhmja për studime dhe mos realizimi i tyre ka edhe një anë tjetër negative, sepse të gjitha ata që kanë ardhur me dokumente studimi nuk mund ti kthejnë në dokumente pune. Për rrjedhojë mos suksesi në karrierën universitare të bën të përfundosh si një emigrant i rëndomtë, ose klandestin siç e quajnë në Itali, ku të mohohen shumë të drejta themelore si ajo e lëvizjes së lirë.
Kjo kategori e të rinjve shqiptarë që kanë përfunduar në këtë hendek, duhet të përballojnë jo vetëm dhimbjen e dështimit dhe mos realizimit të ëndrrës universitare, por edhe mallin për të parë dhe vizituar familjarët e tyre.
Marrja e pa dëshirueshme e statusit të ri me nofkën klandestin, i bën të fshihen nga autoritet e vendeve ku ndodhen, nga dështimi i papranueshëm si dhe nga shikimi i prindërve të dashur që as nuk mund ti shikojnë dhe as nuk mund ti takojnë. Këtu në Evropë, ka shumë të rinj që ndodhen në këtë situatë të vështirë, që edhe përse duan shumë të kthehen për pushime në Shqipëri, nuk munden, sepse kanë përfunduar pa dokumente si dhe nuk gjejnë dot forcën dhe guximin t’iu tregojnë prindërve të vërtetën në të cilën ndodhen.
Gjatë gjithë këtyre viteve pothuajse të gjithë janë të njohur për këtë realitet të vështirë, ku ka përfunduar një pjesë e mirë e rinisë tonë shqiptare dhe askush nuk e ngre zërin thjeshtë qoftë edhe duke dëshmuar për këtë të vërtetë të hidhur dhe të papranueshme. Faktin që shumë nga të rinj shqiptar që me kapacitete të mira intelektuale, por me varfëri të theksuar materiale përfundojnë në fundin e shpresës, në fillimin e dëshpërimit dhe në udhëkryqet jetësore duhet të na shqetësoj pa masë.
Prandaj, të dashur të rinj, nëse vendosni të largoheni nga Shqipëria, dijeni se për shkak të vështirësive që përmendëm më sipër do e keni shumë të vështirë të riktheheni përsëri, pavarësisht nga dëshira dhe vullneti juaj. Datën e largimit do e dini dhe do e mbani mend gjithmonë, por datën e rikthimit përgjithmonë në Atdhe do e keni të vështirë ta gjeni dhe ta vendosni.
Për këto arsye ju këshilloj të mos largoheni nga Shqipëria, sepse ëndrrat tuaja të dashura rrezikojnë të digjen në zjarrin e dëshpërimit ekonomik, në jetën e vështirë, në sytë e përlotur për dashuri prindërore si në zhgënjimin e imazheve te bukura që keni parë në programet e transmetuara nga televizionet e huaja.
Mos u largoni, sepse do të lini krevatin tuaj të këndshëm në shtëpi dhe do të udhëtoni me tragete, ku do të jeni të detyruar nga lodhja të shtriheni si “bagëti” në dyshemenë e anijes, sepse udhëtimi me avion do të mbetet thjeshtë një ëndërr e paralizuar për shkak të biletave që shiten me çmime të pa përballueshme.
Mos u largoni nga shtëpitë tuaja të ngrohta, sepse këtu Evropë qiraja është shumë e shtrenjtë dhe nuk e përballoni dot me të ardhurat që mund të kenë prindërit tuaj në Shqipëri, por edhe nëse ju e përballoni nuk do të gjeni kollaj dhe shpejt shpi me qira, sepse do të prezantoheni me nofkën e të huajit dhe të pa njohurit.
Mos u largoni nga Shqipëria, sepse këtu në Evropë jo vetëm që rrezikoni të mos përfundoni ëndrrën universitare për të cilën keni ardhur, por rrezikoni të përfundoni në rrugë pa shtëpi, pa punë, pa dokumente dhe me pa të ardhmen për jetën tuaja.
Thirrja për tu mos u larguar nga Shqipëria nuk do të thotë se ju duhet të dekurajoheni duke mos kryer studimet e larta universitare në Shqipëri. Përkundrazi ju këshilloj të jeni këmbëngulës në objektivat tuaja studimore, duke mbaruar me rezultate te larta, sepse vetëm në këtë mënyrë keni garantuar të ardhmen tuaj individuale si dhe mund të jepni kontribute të mëdha kolektive në të mirë të vendit.
Vetëm në këtë formë nuk rrezikoni të digjni të ardhmen tuaj, si dhe nuk do të lejoni që ambienti i injorancës që qarkullon në “sallonet shqiptare” t’iu marrë nëpër këmbë dhe t’iu mohoj të drejtat themelore.