Thursday, December 29, 2011

Te padukshimit e shoqërisë

Alban Daci

Nuk e di nëse keni kaluar ndonjëherë rastësisht tek ushtari i panjohur apo tek dogana në Tiranë dhe të shikoni persona me fytyra të lodhura, të zymta dhe të dëshpëruara, me rroba të grisura dhe tepër të vjetra që presim me dëshpërim të gjejnë ndonjë mundësi për të punuar, për të marrë ca të holla sa të ushqej veten dhe fëmijët që e presin në shtëpi?
Nuk e di nëse ju ka ndodhur të udhëtoni rastësisht në disa zona rurale, ku skamja mbretëron në qetësinë e heshtjes dhe izolimit nga bota e mirëqenies dhe jetës normale?
Nuk e di nëse ju ka rastisur të ndodheni jashtë vendit dhe rastësisht të dëgjoni bisedën e dy rinjve shqiptarë që bisedojnë së bashku të irrituar për situatën që ndodhen, sepse punëdhënësi nuk i ka paguar, sepse nuk kanë para për t’iu dërguar familjarëve të tyre në Shqipëri, se nuk kanë dokumente të shkojnë në Shqipëri për të përjetuar festat bashkë me të afërmit e tyre si e gjithë bota?
Nuk e di nëse keni vizituar ndonjë familje të varfër, por të ndershme që nuk ka mundësi të ushqej fëmijët edhe me bukë të thatë?
Nuk e di nëse e dini se ka akoma shumë shqiptarë që kanë dëshira si: fëmija i vogël i kërkon Babagjyshit të Vitit të Ri ti sjell babin në shtëpi për të rregulluar dhe zbukuruar së bashku pemën e Vitit të Ri, sepse ka vite që ndodhet në emigrim, nëna që kalon kohën duke parë nga dritarja me shpresën se mos i vjen djali për tu çmallur dhe përjetuar së bashku festat, që nusja pret bashkëshortin e tij me shumë dashuri dhe mall që të kthehet nga mërgimi, ku ishte i detyruar të largohej në ditën e tretë pas martesës për shkak të kushteve të vështira ekonomike që ndodhej?
Nuk e di nëse ju ka rastisur duke ecur në rrugë të shikoni një person të shtrirë në trotuar dhe që ka zgjatuar dorën për të kërkuar mëshirë dhe ju të largoheni me indiferentizëm pa kërkuar të dini të vërtetën e atij personi, të kaluarën e tij?
Nuk e di nëse keni takuar ndonjë të ri që ka mbaruar me rezultate shumë të mira universitetin, por që Vitin e Ri është i detyruar ta pres me statusin e të papunësuar, për faktin se nuk bën pjesë në asnjë lloj forme politike?
Të gjithë këto janë persona që për “ne” janë të “padukshëm”, sepse jeta jonë është shumë larg rutinës së jetës që bëjnë ata, sepse “ne” në shoqërinë e sotme po e humbasim ndjenjën e përgjithësisë kolektive, por gjithmonë e më shumë jemi të interesuar vetëm për spektrin tonë individual.
Prandaj, unë do të uroja që Vitit i Ri të sjell ndryshime edhe për këto realitete që i kemi të pranishme dua apo s’duam duam “ne” ti pranojmë.
Babagjyshit të Vitit të Ri do ti kërkoja që emigrantët shqiptarë të mos presin më me radhë të gjata nëpër pika kufitare në shi, borë dhe në të ftohtë për tu kthyer pranë familjeve të tyre, të mos ketë familje të varfra që jo vetëm nuk mund të festojnë si gjithë të tjerët, por të mos diskutojnë bukën siç ndodh fatkeqësisht akoma në shoqërinë tonë, do ti kërkoja që atyre dy të rinjve shqiptarë ti paguaj punëdhënësi i tyre, që të sigurojnë dokumentet për të shkuar pranë të afërmve të tyre sa herë që e ndjejnë të nevojshme, që djalit të ri të sapo diplomuar me rezultate të mira të gjej një punë të mirë dhe të merituar, djalit të vogël ti sjell babin e dashur jo vetëm për të rregulluar pemën e Vitit të Ri, por edhe me hapur së bashku dhuratat që simbolizojnë gëzimin dhe traditën se çdo gjë në këtë jetë do e ndajmë dhe përjetojmë se bashku.
Do i kërkoja Babagjyshit të Viti të Ri të ndalojë tek Ushtari i Panjohur, dogana dhe në shumë vende të tjera si ato, ku për fat të keq Shqipëria ka shumë për t’iu dhuruar shpresën dhe dëshirën për jetuar si mundësinë për të pasur një vend fiks pune dhe të mos vazhdojnë të frekuentojnë në dëshpërim dhe zhgënjim vende të tilla që nuk japin asnjë kënaqësi aktuale për jetuar dhe asnjë shpresë për të ardhmen se edhe jeta e tyre mund të ketë momente të këndshme dhe të gëzueshme si të tjerët.
Do i kërkoja Babagjyshit të Vitit të Ri që këto persona të padukshëm ti bëj më të dukshëm dhe më aktiv në shoqërinë tonë, t’iu rikthej edhe atyre buzëqeshjen e munguar, gëzimin e harruar, të ushqyerën e bollshme që kurrë nuk e kanë pasur, ndarjen e emocioneve me familjarët e tyre duke përjetuar pak çaste të lumtura në detin vuajtjeve që kanë deri tani.
Shpresoj të paktën që Babagjyshi i Vitit të Ri do i dëgjoj fjalët e mia dhe dëshirat e këtyre personave që janë të “padukshëm” në sytë tonë, sepse askush tjetër nuk është i interesuar për hallet, problemet, për kërkesat, dëshirat apo edhe për ëndrrat e tyre.

Tuesday, December 20, 2011

Islami dhe Partia

Alban Daci 

 Partia vendosi të përjashtojë Kastriot Islami, i cili vepronte e mendonte ndryshe nga ajo dhe lideri i saj shpirtëror. Partia u mundua dhe u përpoq ta edukonte dhe t'ia mbushte mendjen të mendonte si Partia dhe gjithashtu të gjente se car mendimesh kishte lideri i saj shpirtëror. Pas shumë përpjekjesh me keqardhje Partia dështoi me individin Islami, të cilin tashmë vendosi ta përjashtojë dhe ta shpall armik të saj dhe të kombit. Madje edhe armik të integrimit europian. Islami ishte aq shume i pandreqshëm sa nuk ju tha e drejta të bënte as autokritike. Për tradhti ndaj liderit dhe Partisë, ati i hiqet e drejta të kalojë qoftë edhe afër vendit, ku është selia e Partisë. Ndoshta Partia do të vendoste ta dërgonte në Qafen e Barit, por tashmë ajo nuk ekziston. Për këtë arsye i ka dhënë të drejtë të kërkojë dhe te marr azil në ndonjë parti tjetër, të majtë e pse jo edhe të djathtë. Vija dhe ideologjia e të pavdekshmit sh. Enver Hoxha që mbetet në zemrën e Partisë, ndihmojë të zgjidhte problemin Islami. Enver Hoxha: "Dënimi më i rëndë për një anëtar partie është përjashtimi nga Partia. Por edhe ata që janë përjashtuar ose që përjashtohen nga Partia nuk janë tradhtarë, apo armiq të Partisë dhe të popullit. Bëjnë përjashtim ata që në bazë të fakteve, provave e gjykimeve të drejta të Partisë janë cilësuar elementë antiparti, tradhtarë të Partisë dhe të popullit. Kategoria e parë e të përjashtuarve kanë qenë njerëz që vazhdimisht kanë pasë përsëritur gabime të ndryshme, për të cilët janë bërë përpjekje të ndreqen, të edukohen, po ka qenë e pamundur, prandaj edhe nuk e meritonin të militonin në radhët e Partisë. Por, prapë e deri në fund Partia kujdeset dhe e ka për detyrë të kujdeset për ta dhe, ashtu si me gjithë njerëzit, edhe me këta ajo ka korru sukses rezultate të mira". Kohët ndryshuan dhe mendohej se proceset do të ecnin vetëm përpara. Rralle ndokush në fillim të viteve ’90 do të besonte se ne vitin 2011 mund të përjashtoheshin njerëz nga Partia vetëm pse mendonin ndryshe nga Kryetari. Megjithatë, ja ndodhi! Vitet kanë kaluar, por hija e së kaluarës qëndron shumë e pranishme me hapat e kohë, sa shumë herë na duket sikur jetojnë të njëjtat kohëra. Veprimi i Islamit për pak çaste na bëri të besojmë se Byroja e Partisë ekziston akoma dhe në mesin e saj ka edhe armiq që duhen të ndëshkohen.

Friday, December 16, 2011

Shqipëria dhe të huajt


Alban Daci

Kohët e fundi është dëgjuar të flitet se në vendin tonë ka forca të errëta që nuk e duan këtë vend dhe madje në shumicën e rasteve luftojnë kundër tij. Ajo që është për tu shqetësuar është fakti, se në lidhje me këtë argument flasin edhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Jo më larg se mbrëmë tek emisioni “Opinioni”, Kryeministri foli, se grupe antishqiptare tentuan ta pengonin ndërtimin e Rrugës së Kombit.
Në lidhje me këtë çështje dalin në dritë disa problematika serioze. Se pari nëse ka grupe të tilla, a janë ato jashtë sferës së vendimmarrjes së Shtetit, apo tashmë janë pjesë integrale dhe ndoshta shumë herë vendimet e marra prej tyre vendosin edhe fatin e Shqipërisë? Nëse do të flisnin intelektualët, apo shoqëria civile për ekzistencën e grupeve antishqiptare nuk do të ishte shumë shqetësuese, por fakti se vetë Kryeministri flet, do të thotë se edhe një figurë shtetërore si ai është ndjerë ndofta edhe i “kërcënuar” ose nën “presion” për të ndjekur linjat e tyre antishqiptare. Pra, në një far mënyrë këto grupe antishqiptare janë aq të pranishme dhe të fuqishme sa nuk e kanë problem të tentojnë të diktojnë edhe politikat e një Kryeministri.
Edhe pse Kryeministri flet hapur për ekzistencën e tyre dhe për faktin se kanë tentuar ose provuar që Rruga e Kombit të mos ndërtohet, nuk e dimë nëse me të vërtetë nga situatat ose faktorët e ndryshim, Kryeministri të ketë ndjekur edhe nga pavetëdija interesat e tyre që janë hapur kundër interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Së dyti, nëse ekzistojnë këto grupe për të cilat flitet, pse nuk ka një transparencë për të treguar se kush janë dhe çfarë qëllimesh kanë. Pra, përderisa Kryeministri flet për ekzistencën e tyre, do të thotë se ai i ka të gjitha informacionet e nevojshme rreth tyre. Vendet demokratike, në dallim nga vendet totalitare, shquhen për transparencë. Nëse Shqipëria pretendon se është e tillë, atëherë Shteti duhet të jetë më shumë transparent për të informuar qytetarët për rreziqet (nëse ka) që duhet të "luftojnë". Nëse ka grupe antishqiptare, ne si qytetarë kemi të drejtë t’i dimë dhe të marrim masat tona ndoshta edhe modeste për tu mbrojtur.
Së treti, kjo është një çështje edhe me e komplikuar, që ka të bëjë me sovranitetin. A është në gjendje Shqipëria ta ketë nën kontroll sovranitetin e saj? A ka sot Shqipëria një sovranitet të paprekshëm? Në pamje të parë gjithçka duket në rregull. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare mes shteteve ka ndryshuar shumë. Tashmë, sot për shumë faktorë nuk mund të ketë, duke bërë ndonjë përjashtim të vogël, luftëra të nxehta ose thyerje të sovranitetit të një shteti nga një shtet/shtete me anë të një konflikti të nxehtë. Mënyrat më të mira për të nënshtruar një shtet dhe për të cenuar sovranitetin e tij, është ajo që njihet ndryshe “metoda e heshtur”.
Kjo metodë që në pamje të parë është krejt e heshtur, është mjaft efikase dhe korrë suksese pas disa vitesh. E kam fjalën për monopolet ekonomike, të cilat duke qenë jo transparente për nga natyra, janë në të njëjtën kohë edhe jo transparente për interesat që ato përfaqësojnë. Sot pothuajse për të gjithë është thuajse e qartë se në Shqipëri në shumë sektorë ekonomik ekzistojnë monopole, të cilat në ekonominë e tregut janë të papranueshme dhe nëse rregullat e lojës i bën tregu dhe jo pushteti i njeriut nuk mund të ekzistojnë. Megjithatë, kjo është një çështje tjetër që lidhet me faktin nëse në Shqipëri ka me të vërtetë ekonomi tregu të bazuar në rregullat e konkurrencës së ndershme.
Tashmë flitet se në Shqipëri ka monopole ekonomike greke, serbe, të cilat e kanë kapur ekonominë shqiptare për fyti. Duke kapur ekonominë që është motori i shoqërisë dhe shtetit, në të njëjtën kohë kanë kapur edhe vetë vendin tonë Shqipërinë. A ekzistojnë me të vërtetë këto monopole sot në Shqipëri? Unë, konkretisht nuk kam ndonjë provë konkrete dhe kjo ndoshta lidhet me faktin se nuk jam biznesmen dhe për rrjedhojë nuk kam asnjë kontakt apo përplasje me to. Megjithatë, jo shumë kohë më parë një mik që është biznesmen i rëndësishëm në vend dhe që përfaqëson interesa plotësisht kombëtar përmes aktivitetit të tij më tha: “Jam shumë i stresuar, po falimentoj. Këtu është bërë thuajse e pamundur të bësh biznes, sepse ekonominë shqiptare e kontrollojnë monopolet serbe dhe greke”.
Nuk dua ta besoj se kjo është e vërtetë. Megjithatë, duke njohur mirë mikun që është biznesmen, e kuptoj se ai ka të drejtë dhe po më thoshte të vërtetën.
Një fakt tjetër që po më mbush idenë komplotiste të ekzistencës së këtyre monopoleve ishte rasti, kur vizitova panairin tek Pallati i Kongreseve. Ajo që vura re ishte fakti, se aty kishte thuajse vetëm firma greke dhe shumë pak ose fare firma të tjera, për shembull italiane. Gjatë kohës së vizitës po bisedoja me një sipërmarrës italian të cilin e pyeta: çfarë mendon për faktin se këtu në këtë panair ka shumë firma greke dhe shumë pak italiane? Ai më tha: para se të vija në Shqipëri kisha dëgjuar se shqiptarët dhe greket kanë shumë probleme mes tyre, por kur erdha këtu vura re se greket janë shumë të pranishëm në Shqipëri. Gjithashtu ai tha, se greket sjellin këtu në Shqipëri produkte, të cilat kanë kryesisht teknologji italiane. Sipërmarrësit italian po i thosha se si ka mundësi që Greqia, e cila po shkon drejt falimentimit ekonomik, sjellë këtu në Shqipëri, le të themi, prodhime që do të zhvillonin dhe shpëtonin ekonominë tonë. Ai qeshi dhe tha: nuk e di, thjeshtë më duket absurde!
Shqipëria gjithmonë edhe në të kaluarën e saj ka pasur marrëdhënie jo të qarta dhe transparente me aktivitetet e të huajve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Ndoshta ka ardhur momenti që Shqipëria të jetë më e kujdesshme me investitorët që vijnë këtu. Të jesh i kujdesshëm nuk do të thotë të jesh kundër hapjes me botën dhe kjo tashmë është e padiskutueshme, por të mbrosh interesat tuaja kombëtarë. Kjo është një e drejtë legjitime e çdo shteti nacional që garantohet edhe në të Drejtën Ndërkombëtare. Ndoshta këtë gjë më mirë se sa Kryeministri dhe Presidenti i Republikës nuk mund ta bëj askush. Shpresoj dhe uroj se këta po e bëjnë një gjë të tillë.