Intervistë e dott. Mag Alban Daci dhënë për emisionin radiofonik “Europa dhe të Rinjtë” tek radio “Tirana”. Dëgjim të këndshëm.
Thursday, April 14, 2011
Tuesday, April 12, 2011
Alban Daci flet për radion “Zëri i Mitrovicës”
Kjo intervistë është dhënë nga Alban Daci për radion “Zëri i Mitrovicës” me seli qendrore në Suedi. Gjatë intervistës ka pasur pyetje të shumta edhe nga dëgjuesit, kurse me poshtë janë pasqyruar vetëm disa pyetje kryesore të bëra nga stafi i radios.
1. z. Alban Daci a mund të bëni një prezantim për dëgjuesit e radio “Zërit i Mitrovicës” kush është Alban Daci?
Përshëndetje! Në radhë të parë dua të falënderoj radio “Zëri i Mitrovicës” dhe stafin e saj, që më dha mundësinë të jap këtë intervistë dhe të komunikoj me shqiptarët, kudo që ndodhen. Unë jam Alban Daci, 27 vjeç. Jam i fejuar me Artiolën që është studente e shkëlqyeshme mjekësie në Genova. Kam lindur në komunën e Sllovës, rrethi i Dibrës (asaj të voglës, që ndodhet brenda kufijve zyrtar të Shqipërisë). Jam pasardhës i Mahmut Dacit (1797-1865), i cili është emblema e trimërisë dhe atdhetarisë jo vetëm për Lumën, por edhe për Dibrën dhe gjithë Shqipërinë, i cili kokën e ka në Stamboll dhe varrin në vendlindje. Ky kreshnik luftoi për 40 vjet në front e në kullë, me katër sulltanë e shtatë pashallarë në një hapësirë të gjerë nga Kosova, në Lumë, në Dibër, në Mat dhe Gostivar. Për Mahmut Dacin këndohen 35 këngë e variante këngësh në të gjitha trevat shqiptare, disa prej të cilave janë himne të dasmave dhe gëzimeve dibrane e lumjane. Gjyshi im Mehdi Daci, ka kryer Internatin e Krumës bashkë me Fadil Hoxhën (më vonë kryetar i Kosovës e kryetar i Jugosllavisë) dhe Xhavit Nimanin – më vonë kryetar i Qeverisë së Kosovës. Pastaj ka mbaruar gjimnazin e Shkodrës dhe ka kryer studimet ushtarake ne Romë bashkë me Mehmet Shehun, Zojë Themelin, Zija Kambon. Pas ardhjes në pushtet të regjimit Hoxha, ai u sulmua politikisht, ku internua në Shijak (Durrës). Më vonë u sulmuan politikisht nga lufta e klasave edhe anëtarët e tjerë të Familjes. Babai im quhet Fatos Daci, i cili është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, anëtar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionist të Shqipërisë, Kryetar i Unionit të Krijuesve Dibranë. Ka dhënë një kontribut të çmuar në publicistikë duke bashkëpunuar me gazetat më të rëndësishme shqiptare. Është fitues i disa çmimeve në Krijimtari. Ai ka shkruar disa libra ku do të veçoja: Skënderbeu i Vërtetë, Enciklopedia e Dibrës, Historia e Arsimit në Dibër etj. Nëna ime quhet Dashuri, ajo është mësuese. Kam dy vëllezër, Jordani më i madhi, doktor i shkencave juridike dhe Dardani, më i vogli, i cili është student për drejtësi (si vjet diplomohet). Kjo është një rezyme e shkurtër rreth familjes time.Tani le t’i kthehemi personit tim. Në vitin 2002 kam mbaruar me rezultatet të shkëlqyera shkollën e Mesme të Përgjithshme “Arben Broci” në Tiranë. Në vitin 2003 vazhdova studimet e larta për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Diplomatike, Fakulteti i Shkencave Politike, Universiteti i Genovës në Itali, të cilat i kreva me rezultate të larta në vitin 2008. Me rastin e diplomimit mora edhe “Çmimin Kolombo” nga Komiteti Kombëtar Kolombo me seli qendrore në Genova të Italisë. Nga viti 2003 jam kryetar i organizatës shqiptare “Gjenerata Re Shqiptare” për gjithë Italinë. Në një rol të tillë kam realizuar shumë projekte, bashkëpunime, takime, konferenca, kërkime shkencore, binjakëzime, shkëmbime ndërkulturore që kanë pasur për objekt Komunitetin Shqiptar, që është i pranishëm në Itali. Duke qenë përfaqësues i denjë i këtij Komuniteti, si dhe duke studiuar në Universitetin e Genovës, që është një ndër universitetet më prestigjioze në Europë dhe në Botë, kam pasur kapacitete dhe aftësi të larta akademike për të shkruar një numër të konsiderueshëm artikujsh profesional që kanë të bëjnë me çështjet e integrimit euro-atlantik, integrimit social, kulturor dhe politik të rajonit të Ballkanit në përgjithësi dhe të Shqipërisë në veçanti. Në vitin 2010 mbarova me medalje ari studimet pasuniversitare për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Diplomatike, Fakulteti i Shkencave Politike, Universiteti i Genovës. Në 2005, kam bërë një Stage Universitar në bashkëpunim me Universitetin e Genovës dhe Qendrën e Studimeve “MEDI” (Emigracioni në Mesdhe) në fushën statistike-akademike mbi familjet e emigrantëve në përgjithësi dhe emigrantëve shqiptarë në veçanti të vendosur në Liguria të Italisë. Nga 9 tetori i 2006, jam zgjedhur Delegat i C.N.C (Komiteti Kombëtar Kolombo) për Shqipërinë si dhe anëtarë i Jurisë ndërkombëtare “Kolombo”. Nga 7 maj deri në 7 korrik të 2007, kam realizuar një Stage tjetër tek kompania Box International me seli kryesore në Genova, falë një marrëveshjes të firmosur nga Box International S.r.l dhe Universitetit të Genovës - Fakulteti i Shkencave Politike. Me datë 21.09.2008, falë iniciativës së time dhe mbështetjes personale të Giuseppe Maria Durazzo, Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë themelova për herë të parë në qytetin e Genovës, skuadrën shqiptare të futbollit “Real Durazzo”. Aktualisht jam Presidenti i kësaj skuadre, e cila është e formuar vetëm me djem të rinj shqiptarë që jetojnë në qytetin e Genovës dhe ka si qëllim të nxis dhe të realizojë integrimin e Komunitetit shqiptar që është i pranishëm në Genova edhe në sport. Skuadra mban emrin “Real Durazzo” për të nderuar historinë e dinastisë “Durazzo” që nga skllevër u bënë Dukë duke u bërë pjesë e lavdishme e historisë së qytetit të Genovës. Me datë, 04.04.2009, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, organizata shqiptare “Gjenerata Re Shqiptare” organizoi një Konferencë në Universitetin e Genovës, me titull “ Shqipëria po ndryshon, le ta zbulojmë së bashku”. Kjo konferencë u ideua dhe u drejtua nga unë në rolin e kryetarit. Të pranishëm gjatë punimeve të Konferencës ishin Giovani Firera, Konsull Nderi i Shqipërisë për Piemonten, Giuseppe Maria Durazzo, Konsull Nderi i Shqipërisë për Liguri-an, studentë, akademikë, dashamirës të Shqipërisë dhe të shqiptarëve etj. Konferenca u mbyll duke deklaruar se rruga jonë është e gjatë dhe të gjithë jemi udhëtarë që “Guxojmë për të Ardhmen që meritojmë”. Nga muaj shtator i vitit 2009 deri në muajin prill të vitit 2010 ka punuar si Tutor në Fakultetin e Shkencave Politike. Gjithashtu nga muaj mars deri në muajin qershor të vitit 2010 ka punuar në sektorin e marrëdhënieve me publikun tek Departamenti Universitar i Kërkimeve Evropiane (Di.R.E) në Genova. Nga nëntori i 2010 deri në janar të 2011 ka punuar si gazetar për Çështjet e Rajonit dhe të Diplomacisë pranë gazetës së përditshme shqiptare “SHEKULLI”. Falë meje Kosova dhe çështja e saj ka zënë një hapësirë të rëndësishme në këtë gazetë. Aktualisht, sapo kam botuar librin tim të parë me titull “Europa dhe shqiptaret”. Libri është përbërë në katër kapituj, i pari i dedikohet Europës së Bashkuar, i dytë Bashkimit Europian dhe Shqiptarëve, i treti “Europës Federaliste” i katërti dhe i fundit Demokracisë dhe Shqipërisë.
2. Në vitin 2008 në Universitetin e Genovës u diplomuat me rezultatin maksimal, Fakulteti i Shkencave Politike, dega “Shkenca Ndërkombëtare e Diplomatike" në Marrëdhënie Ndër-kombëtare dhe Diplomatike. Në diplomim paraqitët dhe mbrojtët para komisionit akademik universitar temën me titull “Aleanca e Atlantikut mes Globalizimit dhe Margjinalizimit”, ku një hapësirë të veçantë i keni kushtuar rastit të ndërhyrjes së Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë. Duke e parë dhe analizuar në aspektin e të Drejtës Ndërkombëtare që është në fuqi si dhe në spektrin gjeopolitik dhe ushtarak të Aleancës. Çka mendoni ju z. Daci sa i përket këtij intervenimi nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare, spektrit gjeopolitikë por edhe atij humanitarë.
Për të kuptuar, se përse NATO ka ndërhyrë në Kosovë mjafton të citojmë Preambulën e Traktatit, Nenin 1, 2 dhe 3 që ka hy në fuqi me datë 4 prill 1949. Në preambulë, ndër të tjera, shkruhet...Shtetet që aderojnë në traktatin e pranishëm e riafirmojnë besimin e tyre në qëllimet dhe principet e Statutit të Kombeve të Bashkuara dhe shprehin dëshirën dhe vullnetin e tyre për të jetuar në paqe me gjithë popujt dhe qeveritë. Janë të vendosur të ruaj lirinë e popujve të tyre si dhe civilizimin e tyre të bazuar mbi principin e demokracisë, lirisë individuale, mirëqenies dhe stabilitetit. Në Kosovë, ashtu siç e dimë të gjithë, jo vetëm që nuk u respektua demokracia për shqiptarët e Kosovës (e drejta për vetëvendosje e garantuar nga e drejta ndërkombëtare në fuqi), por, nga serbët u kryen masakra çnjerëzore mbi shqiptarët e Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë u krijua një situatë e pa precedent humanitare, u dogjën qytete e fshatra në gjithë Kosovën, u përzunë nga shtëpitë e tyre mijëra shqiptarë. Gjithashtu, në atë situatë të vështirë po cenohej stabiliteti i paqes në Rajon dhe me gjerë, sepse trupat e armatosura të Jugosllavisë jo vetëm po bënin provokime serioze ushtarake në kufi me Shqipërinë e Veriut, por po kërkonin përfshirjen në luftë të kësaj të fundit. Në këtë situatë të rrezikshme për rajonin dhe më gjerë dhe përballë përdhosjes të drejtave të shqiptarëve autokton, NATO nuk mund të qëndronte me duar lidhur.
3. Në Korrik në vitit 2010 ju z. Daci mbrojtët Magjistraturën prapë me rezultat maksimal 110 nga 110 dhe morët titullin Doktor Magjistër. Cila ishte tema e diplomës kësaj radhe pasi që ishit kaq i suksesshëm?
Tema ka qenë “Doha Round dhe WTO-ja (Organizata Ndërkombëtare e Tregtisë). Kjo temë është një punim i mirëfilltë shkencore dhe profesional dhe bën pjesë në të Drejtën Ndërkombëtare të Ekonomisë. Suksesi ishte mjaft pozitiv edhe për faktin e literaturës së mirëfilltë akademike të përdorur, stilit e artikulimit kronologjik, si dhe hedhja e disa vizioneve, që kanë të bëjnë me të ardhmen e Organizatës Ndërkombëtare të Tregtisë. Një rol mjaft të rëndësishëm për vlerësimin final ka luajtur edhe mënyra e interpretimit të fakteve që paraqita para Komisionit Akademik.
4. Në vitin 2000-2001, ishit Delegat në “Parlamentit Rinor” për Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Arben Broci”, që mbështetej nga UNICEF-i që kishte objektiva kryesorë tolerancën, mirëkuptimin dhe paqen mes të rinjve shqiptarë, të cilët po kalonin dhe përjetonin momentet e tranzicionit politik, ekonomik dhe social. A mendoni se ky tranzicion ishte i stërzgjatur dhe a u kalua ky tranzicion akoma?
Tranzicioni, nga vetë fjala, nënkupton diçka të ndërmjetme, në rastin tonë konkret Shqipëria, pas vitit ’90 ishte mes të kaluarës totalitare dhe dëshirës për një të ardhme demokratike. Tranzicioni shqiptar ishte i lodhshëm dhe stërmundueshëm për të gjithë shqiptarët, sepse prodhoi fenomene dhe ngjarje negative. Prodhoi një emigracion masiv drejt perëndimit të mijëra shqiptarëve. Gjithashtu, prodhoi ngjarjet e vitit 97, 98 dhe e fundit në 2011-tën. Në të gjitha këto raste ai që doli i humbur ishte pikërisht qytetari i thjeshtë. Në kuptimin e mirëfilltë të demokracisë perëndimore dhe sipas mendimit tim Shqipëria vazhdon të jetë në tranzicion, sepse në Shqipëri ka manipulime votash, në Shqipëri i gëzojnë të drejtat vetëm ata që kanë lidhje privilegjesh me klasën politike, në Shqipëri ka shumë varfëri, ka shumë të papunë, politika nuk bëhet mbi rregulla demokratike, por mbi rregullat e një konflikti të nxehtë. Ndërsa, sipas mendimit të stilit Ballkanas, Shqipëria ka dalë nga tranzicioni, që kur është bërë anëtare e Aleancës dhe ka fituar liberalizimin e vizave. Për mua tranzicioni do të shënonte zyrtarisht fundin e tij vetëm në moment kur Shqipëria do të jetë anëtare me drejta të plota në Bashkimin Europian.
5. Nga viti 2003, jeni Kryetari i organizatës shqiptare “Gjenerata e re Shqiptaro-Italiane”, në një rol të tillë keni realizuar shumë projekte. A mund të na veçoni ndonjë projekt që keni realizuar?
Unë, në rolin e kryetarit të organizatës Gjenerata e Re Shqiptare, kam realizuar shumë projekte, që kanë pasur për objekt shqiptarët. Më shumë do të veçoja projektin “Mirë se Erdhët në Atdhe”, i cili ka pasur si qëllimin kthimin në Atdhe të mijëra të rinjve, që kanë mbaruar studimet universitare dhe pasuniversitare në Perëndim. Shqipëria ka hyrë në proceset e reformave të mëdha, si dhe është e implikuar në procesin e Integrimit Europian. Përvojat universitare dhe jetësore të realizuara nga të rinjtë në Perëndim janë shumë të rëndësishme dhe të domosdoshme që Shqipëria të ecë përpara në progres ekonomik dhe të jetë bashkëkohore dhe demokratike.
6. Në vitin 2008, falë iniciativës suaj dhe mbështetjes personale të Giuseppe Maria Durazzo, Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë themeloni për herë të parë në qytetin e Genovës, skuadrën shqiptare të futbollit “Real Durazzo”. Aktualisht jeni Presidenti i kësaj skuadre, e cila është e formuar vetëm me djem të rinj shqiptarë që jetojnë në qytetin e Genovës dhe ka si qëllim të nxis dhe të realizoj integrimin e Komunitetit shqiptar që është i pranishëm në Itali. Si po shkojnë punët me këtë klub futbolli dhe sa është e organizuar Mërgata shqiptare në përgjithësi në Itali?
Po është e vërtetë që e kam themeluar këtë skuadër, e cila po shkon shumë mirë. Ajo ka marrë pjesë në disa konkurse të karakterit lokal, ku është paraqitur mjaft mirë. E rëndësishme për mua është fakti se lojtarët e skuadrës ndjehen mirë dhe për çdo ndeshje që bëjnë këndojnë Himnin e Flamurit shqiptar. Shqiptarët në qytetin e Genovës kanë një histori të lashtë dhe krenare. Kjo histori e meritonte të pasurohej edhe me një skuadër futbolli. Ajo që mund të them, është se mërgata shqiptare në Itali shquhet më shumë për kualitete individuale se sa për një organizim të mirëfilltë kolektiv. Në Itali, ka disa shoqata dhe organizata, por mes tyre ndonjë herë ka bashkëpunime të vogla dhe shumicën e rasteve fare. Mendoj se në të ardhmen e gjithë kjo mërgatë duhet të ketë edhe një kuptim politik në Shqipëri. E kam fjalën për të drejtën e votës të emigrantëve. Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali nuk ndjehet të përfaqësuar sepse nuk votojnë. E drejta e votës nuk është vetëm akti i zgjedhjes por fakti se kanë të drejtë edhe të zgjidhen.
7. Ju z. Daci mjaft i ri në moshë, por tani jeni me disa tituj akademikë dhe çmime të tjera që keni fituar. Cili çmim për ju ka qenë më vlefshmi deri më tani?
Të gjithë çmimet janë të rëndësishme, sepse janë vlerësim për punën time dhe për peronin tim në aspektin human dhe intelektual. Megjithatë, atë që do të veçoja më shumë është “Çmimi Kolombo” për solidaritetin italo-shqiptar. Ky ishte një vlerësim për mua, për punën që kisha bërë duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë dhe shqiptarë në takime, konferenca të ndryshme të nivelit europian. Ndërsa, në të ardhmen, ëndërroj shumë të marr çmimin “Nobel” për paqen.
8. Jeni edhe anëtar i Lëvizjes Federaliste Evropiane. A mund të na flisni pak më tepër rreth kësaj?
Gjatë kohës së studimeve universitare dhe pas universitare në Genova të Italisë, u njoha me literaturën federaliste dhe me lëvizjet federaliste europiane. Nga kjo literaturë, për shkak të ngjarjeve të kaluara, si: luftërat etnike dhe fetare në Ballkan dhe dy luftërat botërore të fillim shekullit XX-të, kuptova dhe u binda se e keqja me e madhe e Kontinentit Europian është shteti nacional dhe nacionalizmi. Falë ideve dhe Lëvizjes Europiane Federaliste, Europa e Bashkuar nga një utopi që ishte u kthye në një projekt konkret politik i cili gjatë gjithë kohës është në lëvizje dhe zhvillim. Themeluesit kryesorë të kësaj lëvizje janë: Altiero Spinelli, Ernesto Rossi e Eugenio Colorni. Objektivi i kësaj lëvizje është krijimi i “Shteteve të Bashkuara të Europës” në formën federale.
9. Shqipëria është anëtare e NATO-së. Çfarë rëndësie ka kjo në rrafshin kombëtarë dhe atë ndërkombëtarë?
Në rrafshin kombëtar, do të thotë se Shqipëria do të tentoi të jetë më demokratike dhe më perëndimore. Gjithashtu, do të thotë se sovraniteti i Shqipërisë mbetet i pa cenuar nga asnjë kërcënim ndërkombëtar, pasi, sipas artikullit të pestë të Traktatit të Aleancës... çdo sulm kundër një shteti anëtar të Aleancës do të konsiderohet sulm kundër Aleancës... Pra, kush do që do të tentoi të sulmoi Shqipërinë duhet të përballet me gjithë potencialin ushtarak të Aleancës. Në aspektin ndërkombëtar do të thotë se Aleanca me anëtarësimin e Shqipërisë ka forcuar shumë praninë e saj në një rajon të brishtë, si ai i Ballkanit. Shqipëria për shkak të pozicionit gjeo-strategjik dhe për shkak të lidhjes etnike në rajon ka një rol shumë të rëndësishëm stabiliteti.
10. Si e shihni ju z. Daci zgjedhjen e çështjes shqiptare kur dihet që kemi mjaftë probleme si problemin e Çamërisë, problemi i Mitrovicës pastaj Luginën e Preshevës e shumë problemet e tjera?
Unë e kam shprehur edhe në disa artikuj të botuar në shtypin shqiptar dhe europian. Nuk jam aspak kundër bashkimit të shqiptarëve. Megjithatë, koha ecën përpara dhe ndryshon bashkë me proceset. Sot, gjithnjë e më tepër, po përballemi me një botë të globalizuar, ku kufijtë shtetëror nuk kanë më asnjë kuptim të mirëfilltë. Sot Europa po shkon drejt bashkimit të madh politik dhe ekonomik përmes Bashkimit Europian. Bashkimin e trojeve shqiptare e shikoj në optikën e Bashkimit Europian. Ne, shqiptarët, duhet të punojmë fort që në shtetet ku jemi të pranishëm ky integrim të ndodh sa më shpejt që të jetë i mundur. Vetëm në momentin që do të integrohet në Bashkimin Europian i gjithë rajoni i Ballkanit do të bashkohen edhe shqiptarët. Kjo është mënyra më e mirë paqësore. Ndërsa bashkimin përmes një lufte e shikoj krejt jashtë aktualitetit europian dhe katastrofal.
11. z. Daci, keni vizituar ndonjëherë Kosovën dhe cili është komenti i juaj rreth asaj se Kosova do ta ketë së shpejti një presidente femër?
Po e kam vizituar disa herë. Hera e parë ka qenë menjëherë pasi kishte mbaruar lufta. Në lidhje me ngjarjet e fundit në Kosovë me zgjedhjen e presidentit. Unë shpreh keqardhjen time, për faktin se Pacolli nuk arriti të vazhdonte rolin e Presidentit të Kosovës. Pacolli, pavarësisht kritikave të shumta që ka pasur, unë mendoj se ai ishte një person me arsim të lartë të realizuar në perëndim, me eksperiencë suksesi në sipërmarrjen private. Pra, ai i kishte të gjitha kartat për të qenë një përfaqësues i ndenjtë për Kosovës. Në vitin e parë dhe të fundit si president që bëri në Shqipëri, ai u shpreh për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai, tha, se ky fillimisht duhet të ndodh ekonomikisht dhe pastaj edhe politikisht. Në lidhje me emërimin e presidentes së re të Kosovës, komenti im është vetëm pozitiv, sepse kjo tregon se shoqëria kosovare është një shoqëri perëndimore dhe demokratike. Vitet e fundit në botë po shfaqen gjithnjë e më shumë gra të hekurta në politikë. Presidentes së re të Kosovës i uroj një punë të mbarë dhe një përfaqësim sa më të ndenjtë të qytetarëve të Kosovës. Ajo duhet të jetë një shembull uniteti, sepse vetëm kështu mund t’ia dal mbanë Kosova sfidave të mëdha që kanë të bëjnë me bisedimet e Serbisë, me Integrimin Euro-Atlantik.
12. Sa mendoni se është i organizuar faktori shqiptarë duke filluar nga ai politik dhe ai intelektual për zgjedhjen e problemeve që i cekëm më lartë?
Faktori shqiptar në nivel qytetar po ndërgjegjësohet shumë, në nivel ekonomik vitet e fundit janë rritur shumë kontaktet dhe marrëdhëniet tregtare mes shqiptarëve. Ndërsa, në nivelin politik, që është edhe më e rëndësishmi, nuk shikoj ndonjë organizim konkret, pasi nuk ka një strategji të përbashkët shqiptare, e cila do të përfaqësonte interesat e tyre në Ballkan.
13. Të rinjtë Shqiptarë po studiojnë sot nëpër Universitetet të ndryshme të botës. Sa po u jepet hapësirë këtyre kuadrove për të vepruar dhe kontribuar në vendlindje nga politika, shkenca etj?
Unë, jam i pari dhe ndoshta i vetmi që e kam trajtuar me artikuj në faqet e ndryshme të përditshmeve shqiptare këtë çështje. Madje kam organizuar takime dhe konferenca si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Për fat të keq është bërë shumë pak nga shteti dhe klasa politike për këta të rinj. Njerëz që kanë kryer studimet jashtë me rezultate të larta, por që nuk kanë miq në politikë, o sillen rrugëve të papunë në Shqipëri, ose nuk kanë marrë fare guximin të kthehen duke njohur realitetin që mund t’i pres. Dikur një person i nderuar dhe një kryetar i një partie të rëndësishme për qytetin e Tiranës më tha: “Nëse nuk bën ti diçka për partinë, partia nuk mund të bëj për ty”. Shqipëria ka një energji të madhe të rinjsh, e cila po shkon dëm dhe nuk po shfrytëzohet (Në kuptim pozitiv nga shteti) për të mirën e vendit.
14. Në fund të kësaj bisede, cila është porosia e juaj z. Daci për rininë shqiptarë në përgjithësi e veçanërisht e atyre që jetojnë në Mërgim?
Nuk kemi forcën e armëve, por kemi forcën e dijes, bibliotekave, auditorëve, internetit, librave etj. Këtë potencial ta përdorim për të qenë vetvetja dhe në shërbim të vendit tonë që meriton më shumë se sa tani..
Subscribe to:
Posts (Atom)