Monday, July 12, 2010

Doha Round-i dhe WTO-ja



Dr. Alban Daci ©

ONT-ja është si kinema me shumë salla. Duhet të vendosësh cilin film ke me të vërtetë dëshirë me pa, sepse nuk është mundur ti shikosh të gjithë në njëjtën kohë.

Negociatat tregtare multilaterali në Doha (Qatar) të zhvilluara në 2001-shin, mund të themi se në mënyrë thelbësore kanë falimentuar. Me datë 24 korrik të vitit 2006, Pascal Lamy, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të tregtisë (ONT), pasi ka konstatuar, se pozicionet e aktorëve kryesor të tregtisë botore mbeteshin të papajtueshme dhe që nuk kishte një interes nga të gjitha palët për të gjetur një marrëveshje kompromisi, ka deklaruar në mënyrë formale ndërprerjen e punimeve. Pasojat e falimentimit të këtij Round-i janë të shumta. Doha Round, që ishte lançuar në 2001-shin me shumë dëshirë si negociata e parë tregtare multilaterale në favor të zhvillimit, është përballur me rezistencën dhe frikën e shumë Vendeve pak a shumë të zhvilluar. Ndryshimet e thella të ekonomisë botërore pas rënies së murit të Berlinit, zhvillimi i shpejt dhe i pabesueshëm industrial i Kinës, rritja e fuqive të reja tregtare si India dhe Brazili dhe frika e Vendeve të zhvilluara se mund të humbasin pozicionet e privilegjuara që kanë fituar në kohë, kanë bindur shumë Shtete që të mbajnë pozicione më shumë mbrojtëse përsa i përket hapjes së tregjeve në nivel ndërkombëtar.
Në vitet e fundit sistemi i marrëdhënieve tregtare ndërkombëtare është bërë gjithmonë e më kompleks dhe i artikuluar si pasojë e dy fenomeneve. Në vend të parë, është kaluar nga forma e integrimit të thjeshtë tregtar (shallow integration), i limituara në mënyrë thelbësore nga liberalizimi i barrierave të tarifave të tregtisë së të mirave dhe mallrave, në forma më komplekse (deep integration). Në fakt, sot procesi i liberalizimit parashikon barrierat e tarifave dhe jo tarifave, shërbimet, të drejtat e pronësisë intelektuale, etj. Gjithashtu, është në fasë vlerësimi futja e temave të reja (investimet, konkurrenca, ambienti, rregullimet shtëpiake). E gjitha kjo ka ndryshuar shpenzimet dhe impenjimet në ngarkim të vendeve anëtare të ONT-së. Në vend të dytë, nga një club me pak Vende të industrializuara të dominuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Komuniteti Evropian që ishte Gatt-i (General Agreement on Trade and Tariffs krijuar në vitin 1947) është kaluar në një realitet më kompleks që shikon përfshirjen progresive të shumë Vendeve nën zhvillim dhe rritjen e influencës të Vendeve me rritje të fortë ekonomike si Kina, India dhe Brazili. Ky kontekst i ri tregtar nuk bën të mundur gjetjen e një zgjidhje të thjeshtë dhe lë në izolim Vendet më të dobëta dhe më pak të zhvilluara që në të vërtetë duhet të ishin përfituesit më të mëdhenj të round-it. Një kontekst i ngjashëm shpjegon një seri mos suksesesh (konferenca e Cancun-it në 2003 dhe pastaj e Hong Kong-ut) që kanë shoqëruar jetën e vështirë të ciklit të Doha-s deri në falimentimin e parashikuar.
Reforma dhe rinovimi i mekanizmave të negociatave ndërtojnë zemrën e problemit që duhet përballuar për të rilançuar kuadrin multilateral dhe për evituar që ONT-ja, në mënyrë të ngjashme me organizatat e tjera ndërkombëtare, të shikoj në mënyrë drastike ridimensionimin e kapaciteteve të saja vendimmarrëse dhe të rrezikoj një rritje marxhinalizuese.
Cikli i Doha Round-it ka qenë hapur në tetor të vitit 2001 në një kontekst ndërkombëtar që dukej se do të favorizonte konkluzionin e shpejtë të një marrëveshje tregtare multilaterale. Ky cikël me negociata do të kishte dhënë për herë të parë një shtyrje të rëndësishme zhvillimi për Vendet më të prapambetura të botës dhe do të merrej me çështje kyçe si: qarkullimi i shërbimeve, sovencionet e prodhimeve të agrikulturës, aspektet tregtare të pronësisë intelektuale dhe lehtësimet e shkëmbimeve tregtare zakonisht të llojeve të përjashtuara nga marrëveshjet e kaluara.
Bisedimet janë vlerësuara të vështira që nga fillimi. Kontraste të forta kanë lindur në të gjitha zonat më të rëndësishme të negociatave. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbrojtur sovencionet e mëdha të garantuara tek bujqit amerikan dhe në mënyrë të veçantë tek prodhuesit e pambukut të Texas-it. Në katër vitet (1998-2002) lobby i fuqishëm amerikan i pambukut ka marrë sovencioni për rreth 15 miliardë dollar. Ky shi i madh me para favorizon një pjesë minimale të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara, por prodhon efekte negative në zona të tjera të botës (në veçanti në Afrikën sub-sahariane), ku pambuku përfaqëson një ndër burimet kryesore të të ardhurave. Hapjet e treguara nga Shtetet e Bashkuara kanë qenë të kushtëzuara tek mbajtja nga ana e partnerëve të tjerë tregtar me koncesione thelbësore në lëndën e hapjes së tregjeve për prodhimet industriale dhe shërbimeve amerikane. Ambasadorja amerikane Susan Schuab (shefe e Ustr- United State Trade Rapresentative) i ka kualifikuar modifikimet e paketës negociuese të vendosura nga vendet e tjera të ONT-së si një “Doha lite”, le të themi një marrëveshje me pak sostancë.
Disa vende më influencë të zonës nën zhvillim, në veçanti India dhe Brazili, me dëshirën për të ruajtur tregjet e tyre të brendshme të prodhimeve industriale dhe të shërbimeve, kanë refuzuar ofertën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian për të ndryshuar reformën e sistemit bujqësore me një hapje thelbësore në lëndën e prodhimeve industriale dhe shërbimeve. Bashkimi Evropian, edhe pse kishte pranuar të zvogëlonte tarifat mesatare të bujqësisë me 51% (kundër 39% që ishte propozuar në fillim), është akuzuar si përgjegjëse për falimentimin. Megjithatë akuza përballë Bashkimit Evropian është vetëm pjesërisht e justifikuar. Komisioni Evropian edhe pse duke sakrifikuar shumë nga limitet e saja negociuese të marrëveshjeve evropiane (në mënyrë të veçantë ato franceze) ka shkuar përtej lëshimeve të bëra nga Shtetet e Bashkuara dhe ka kërkuar deri në fund një zgjidhje me kompromis që mund të shpëtonte negociatat. Paketa e propozuar nga Brukseli ishte në fakt një ndër më të konsiderueshmet që ka qenë ofruar ndonjëherë në një cikël me negociata tregtare multilaterale.
Kostot e mungesës së një marrëveshje janë të mëdha. Ky falimentim i Doha-s, pas atij të Seattle-t të 1999, përfaqëson një goditje serioze tek kredibiliteti i sistemit tregtar ndërkombëtar dhe mund të vendos në diskutim vetë ekzistencën e ONT-së. Në vitet e fundit numri i marrëveshjeve bilaterale dhe rajonale është rritur në mënyrë të dukshme, duke u bërë një instrument gjerësisht i përdorshëm nga pothuajse të gjitha vendet anëtare të ONT-së. Bilateralizmi ose rajonalizmi nuk janë domosdoshmërish një e keqe, por me kusht që të jetë një barazi thelbësor mes nënshkruesve. Ndryshe ka rrezik që të mbizotëroj ligji i më të fortit me kosto të rënda për të gjithë nënshkruesit, dhe në veçanti për Vendet më të varfra dhe më pak të zhvilluara, që nuk kanë një fuqi reale negociuese.
Gjithashtu është keqpërdorur mundësia për të krijuar një kuadër të ri referimi për tregtinë Jug-Jug që do të pasqyronte rolin rritës të Kinës dhe të ekonomive të Azisë dhe Amerikës së Jugut në ekonominë globale. Në fakt, këto Vende duhet të kenë parasysh se rritja e fuqisë ekonomike duhet të korrespondoj me përgjegjësi të reja dhe më të rënda për ta. Prodhimet industriale evropiane (në veçanti ato italiane) dhe amerikane mbeten të përjashtuara nga tregjet e ekonomive të reja nën zhvillim, si Kina dhe Brazili, që përbëjnë objektiva të një rëndësie vitale. Mungesa e një pakti mbi tregtinë e shërbimeve dëmton gjithashtu ato Vende evropiane të pajisur me një ekonomi të zhvilluar dhe pra që janë eksportues të fortë të shërbimeve.
Prishja e bisedimeve siç është rregulluar nga ONT-ja, sjellë falimentimin edhe të marrëveshjeve tashmë të nënshkruara, plotë 18 mbi 20 të rendit të ditës. Kjo është gjykuar nga zërat më autoritar të shteteve të përfshira si një humbje e rëndë dhe, mbi të gjitha, një dëm shumë i rëndë për zhvillimin e tregtisë botërore, e llogaritur në rreth 130 miliardë dollar me taksa doganore minore. Ndërsa disa analistë të tjerë kanë vëzhguar që dëmi është vetëm historik, sepse bisedimet ju referohen tavaneve të taksave doganore dhe jo të atyre efektivisht te aplikuara, që janë në mënyre të dukshme më të ulëta.
E dhëna me të vërtetë shqetësuese është humbja mbi planin institucional, sepse ka hyrë në krizë metoda e marrëveshjeve multilaterale, që përfaqësonte me të vërtetë një hap përpara në respekt me Gatt-in. Rritja e shpejtë e çmimit të naftës, i commodity-ve më të rëndësishëm të bujqësisë dhe rreziku i rritjes së konkurrencës së prodhimeve industriale të fuqive të reja (mbi të gjitha të Kinës dhe Indisë) nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të shtyjnë Vendet e zhvilluara drejt “rajonalizmit”, që ju lejon t’i kenë duart më të lira për të aplikuar masa mbrojtëse.
Fatkeqësisht kjo është një politik miope, që mund të ketë sukses vetëm në një periudhë të shkurtër kohore; problemi i vërtetë i tregut botëror, në fakt, është se në vitet e fundit është rezervuar kërkesa e miliarda personave që duan t’iu afrohen standardeve të jetës perëndimore “të propaganduar” nga media. Nëse India është bërë djepi i informatikës dhe Kina ka pushtuar botën me prodhimet e saja me kosto të ulët, bujqësia e këtyre vendeve është akoma larg niveleve të progresit teknologjik perëndimor, dhe është akoma edhe më shumë në Vendet e pazhvilluara, të cilët nuk kanë arritur akoma të konvertojnë prodhimin e eksperiencës koloniale në prodhimin e përshtatshëm për të kënaqur konsumin e brendshëm.
“Rajonalizmi” tenton të s’postoj në kohë këmishën e forcës së ONT-së, që dëshiron të hap tregjet botërore tek zhvillimi i shkëmbimeve dhe tek konkurrenca, por krijon shumë pengesa në mbrojte të vendeve në veçanti; rreziku është ai i paralizimit të zhvillimit dhe mbajtja ndoshta për vite me radhë të çmimeve të larta, në interes të lobby të bujqësisë, dhe jo vetëm të Vendeve të zhvilluare por edhe të atyre nën zhvillim. Viktimat e vërteta, në këtë sfidë mes fuqive të vjetra të tregut botërore (SHBA dhe BE) dhe fuqive të reja (Kina, Brazili dhe India) janë Vendet me zhvillim të vonuar që nuk kanë as burimet monetare dhe as kapitalet e domosdoshme për t’u dhënë impuls ekonomive të tyre të brendshme.
Falimentimi i Gjenevës dimostron se historia nuk është mësuese e jetës, ashtu siç thënia do të dëshironte. Megjithatë, edhe pse në dhjetor të vitit 2008 Doha Round në mënyrë thelbësor dështoj, mund të themi se është rindezur përsëri një dritë shprese për konkludimin e këtij round-i brenda 2010. Para mbarimit të vitit 2010 pritet të zhvillohet Round-i i Brazilit me qëllim për të garantuar tregtinë e lirë. Të gjithë ne do të jemi dëshmitar sesi do të shkojnë gjërat, por për tregtinë ndërkombëtare dhe për ONT-në është shumë e rëndësishme që Doha të përfundoj sa më shpejt që të jetë me një rezultat pozitiv për të gjitha palët, sepse kështu të gjithë shtetet, individët, organizatat ndërkombëtare jo-qeveritare mund të jenë në gjendje të përballojnë çështje të rëndësishme dhe të vështira në të njëjtën kohë.

Thursday, July 8, 2010

Biografia e Alban Daci


Biografia e Alban Daci
Lindur më 12 qershor 1984

6 Korrik 2010, në Universitetin e Xhenovës (Genova), Fakulteti i Shkencave Politike, dega “Shkenca Ndërkombëtare e Diplomatike” dr. Alban Daci mbrojti Diplomën e Magjistraturës me rezultatin 110/110 dhe mori titullin Doktor Magjistër (Dottore Magistrale in Scienze Internazionali e Diplomatiche) në Shkenca Ndërkombëtare e Diplomatik. Për mbrojtjen e Diplomës së Magjistraturës para Komisionit Universitar Akademik paraqiti Temën e Diplomës (Punimin Shkencor) me titulli në shqip: “Doha Round dhe WTO-ja” ose në anglisht “Doha Round and WTO” (Doha Round and World Trade Organisation).
7 mars 2008, në Universitetin e Xhenovës (Genova), Fakulteti i Shkencave Politike, dega “Shkenca Ndërkombëtare e Diplomatike" u diplomua me rezultatin maksimal studenti shqiptar Alban Daci, ku i jepet titulli Doktor (Dottore) në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomatike. Alban Daci, në diplomim paraqiti dhe mbrojti para komisionit akademik universitar temën e mbrojtjes së diplomës me titull “Aleanca e Atlantikut mes Globalizimit dhe Margjinalizimit”, ku një hapësirë të veçantë i ka kushtuar rastit të ndërhyrjes së Aleancës në Kosovë, duke e parë dhe analizuar në aspektin e të Drejtës Ndërkombëtare që është në fuqi si dhe në spektrin gjeopolitik dhe ushtarak të Aleancës.

Alban Daci, hapat e para të arsimimit i mori në komunën e Sllovës në rrethin e Dibrës. Në këtë periudhë ai u dallua për rezultate të larta në mësime duke mbajtur flamurin e nxënësit të dalluar në mësime, sjellje si dhe nxjerr në pah karakterin e tij këmbëngulës të një lideri të ardhshëm. Në Tiranë fillon dhe mbaron klasën e tetë po me rezultate të larta tek shkolla 8-vjeçare “Naim Frashëri”.
2001-2002, mbaron me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme të përgjithshme “Arben Broci” në Tiranë, ku krahas diplomës së Pjekurisë, merr dhe dy diploma tjera, një për rezultate të larta në mësime si dhe një tjetër diplomë mirënjohje nga Komuniteti Shqiptar i Drejtave të Njeriut, për rolin e aktivizimit qytetar që ka bërë jo vetëm tek kjo shkollë në mbrojte të drejtave të individit, por edhe në aktivitetet e ndryshme në shkallë kombëtare që kanë pasur për temë të Drejtat dhe Liritë e Personit.

Çmime dhe Tituj

Po me 7 mars 2008, në një nga ambientet e Universitetit të Xhenovës në prani të akademikëve, personaliteteve, miqve dhe familjarëve, i jepet një targë nga “Komiteti Kombëtar Kolombo". Ndër të tjera në këtë targë shkruhet: "I jepet kjo targë në shenjë respekti dhe mirënjohje për bashkëpunim dhe solidaritet midis Italisë e Shqipërisë."Gjatë ceremonisë i jepet dhe një Certifikatë Nderi, nga z. Muro Cuneti, kryetar i Komunës Castelnuovo Bormida. Motivacioni është "Për bashkëpunimin dhe ndarjen e ideve në lidhje me problemet mjedisore në nivel kombëtar e ndërkombëtar".
Nga viti 2008 eshte anetar i Shoqates se Gazetarve.
Alban Daci është edhe anëtar i Lëvizjes Federaliste Evropiane. Ka marrë pjesë në Shumë takime, konferenca dhe aktivitete të organizuara nga Lëvizja Federaliste Evropiane jo vetëm në Xhenova (Genova), por në gjithë Italianë.

Eksperienca Pune

1999, Senator i shkollës së Mesme të Përgjithshme “Arben Broci” në Tiranë.
2000-2001, Delegat i “Parlamentit Rinor” për Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Arben Broci”, që mbështetej nga UNICEF dhe kishte objektiva kryesorë tolerancën, mirëkuptimin dhe paqen mes të rinjve shqiptarë, të cilët po kalonin dhe përjetonin me gjithë shoqërinë momentet e tranzicionit politik, ekonomik dhe social, pas rënies të regjimit komunist.2001-2002, Ka qenë vullnetar për organizatën shqiptare jo qeveritare “Mjaft”. U bë pjesë e “Mjaftit”, sepse ashtu si shumë të rinj shqiptarë, e ndjente të ishte aktiv për të marrë pjesë në aksione demokratike, që kishin për objekt mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive kolektive dhe personale. Duke parë që gjërat po ndryshonin në kahun e gabuar brenda kësaj organizate si dhe për arsyen e studimeve të më tejshme nuk aktivizohet më.
Nga 2003, është Kryetari i organizatës shqiptare “Gjenerata Re Shqiptare-Itali”, në një rol të tillë ka realizuar shumë projekte, bashkëpunime, takime, konferenca, kërkime shkencore, binjakëzime, shkëmbime ndërkulturore që kanë pasur për objekt Komunitetin Shqiptar që është i pranishëm në Itali. Duke qenë përfaqësues i denjë i këtij Komuniteti si dhe duke studiuar në Universitetin e Xhenovës, që është një ndër universitetet më prestigjioze në Evropë dhe në Botë, ka pasur kapacitete dhe aftësi të larta akademike për të shkruar një numër të konsiderueshëm artikujsh profesional që kanë të bëjnë me çështjet e integrimit euro-atlantik, integrimit sociale, kulturor dhe politik të rajonit të Ballkanit në përgjithësi dhe të Shqipërisë në veçanti. Artikujt e tij janë publikuar në disa gazeta si: Koha Jonë, Shekulli, Ndryshe, RD, Tirana Observer, Nacional, Lajm, Nënë Shqipëria, Tema, Dibra, gazeta e “Shqiptarëve në Britani”, Standard, Albania, Balli i Kombit, il giornale “La Gazzetta di Monferrato”, “Sicilia Millennium”, Dire Online (Revista e Departamentit Evropian të Kërkimeve në Universitetin e Xhenovës), Kuvendi (Revista e përmuajshme që botohet në Miçigan të USA-ve nga shqiptarët që jetojnë prej vitesh atje) etj. Gjithashtu janë publikuar dhe në mjaft faqe interneti si:http://www.alb-shkenca.org/ (faqja e studiuesve shqiptarë), www.studenti.forum-2007.com (faqja zyrtare e organizatës “Gjenerata Re Shqiptare-Itali”), http://www.zeriyt.com/, http://www.siciliamillennium.it/, http://www.shqip.dk/, http://www.albemigrant.com/, http://www.interneti.eu/, http://www.albandaci.blogspot.com/, në faqen e radios “Kosova e Lirë”, http://www.shqiperia.com/, http://www.lajmi.com/, http://www.peqini.com/, http://www.zemrashqiptare.net/, www.albaniadream.net, si dhe në mail-listat shqiptare memedheu@googlegroups.com, art-cafe@alb-net.com dhe albanianpolitics@yahoogroups.com, etj.
Në 2005, ka bërë një Stage Universitar në bashkëpunim me Universitetin e Xhenovës dhe Qendrën e Studimeve “MEDI” (Emigracioni në Mesdhe) në fushën statistike-akademike mbi familjet e emigrantëve në përgjithësi dhe emigrantëve shqiptarë në veçanti të vendosur në Liguria të Italisë.Nga 9 tetori i 2006, është zgjedhur Delegat i C.N.C (Komiteti Kombëtar Kolombo) për Shqipërinë si dhe anëtarë i Jurisë ndërkombëtare “Kolombo”. Për më shumë informacione vizitoni www.cristoforocolombo.euNga 7 maj deri në 7 korrik të 2007, ka realizuar një Stage tjetër tek kompania Box International me seli kryesore në Xhenova falë një marrëveshjes të firmosur nga Box International S.r.l dhe Universitetit të Xhenovës - Fakulteti i Shkencave Politike. Gjatë periudhës së Stage-it, Alban Daci ka shprehur aftësi të larta pune në fushën e Marketingut dhe atë të shërbimeve të logjistikës së Kontenerve që kjo kompani administron nga viti 1982.
Me datë 21.09.2008, Alban Daci, falë iniciativës së tij dhe mbështetjes personale të Giuseppe Maria Durazzo, Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë themelon për herë të parë në qytetin e Xhenovës, skuadrën shqiptare të futbollit “Real Durazzo”. Aktualisht Alban Daci, është Presidenti i kësaj skuadre, e cila është e formuar vetëm me djem të rinj shqiptarë që jetojnë në qytetin e Xhenovës dhe ka si qëllim të nxis dhe të realizoj integrimin e Komunitetit shqiptar që është i pranishëm në Xhenova edhe në sport. Skuadra mban emrin “Real Durazzo” për të nderuar historinë e dinastisë “Durazzo” që nga skllevër u bënë Dukë duke u bërë pjesë e lavdishme e historisë së qytetit të Xhenovës.
Me datë, 04.04.2009, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, organizata shqiptare “Gjenerata Re Shqiptare” organizoj një Konferencë në Universitetin e Xhenovës, me titull “ Shqipëria po ndryshon, le ta zbulojmë së bashku”.Kjo konferencë u ideua dhe u drejtua nga dr. Alban Daci, Kryetar i organizatës “Gjenerata Re Shqiptare”. Të pranishëm gjatë punimeve të Konferencës ishin Giovani Firera, Konsull Nderi i Shqipërisë për Piemonten, Giuseppe Maria Durazzo, Konsull Nderi i Shqipërisë për Liguri-an, studentë, akademik, dashamirës të Shqipërisë dhe shqiptarëve etj. Konferenca u mbyll duke deklaruar se rruga jonë është e gjatë dhe të gjithë jemi udhëtarë që “Guxojmë për të Ardhmen që meritojmë” .
Nga muaj shtator i vitit 2009 deri në muajin prill të vitit 2010 ka punuar si Tutor në Fakultetin e Shkencave Politike.
Gjithashtu nga muaj mars në deri në muajin qershor të vitit 2010 ka punuar në sektorin e marrëdhënieve me publikun tek Departamenti Universitar i Kërkimeve Evropiane (Di.R.E) në Xhenova (Genova).