Monday, November 17, 2008

Për car demokracie e keni fjalën


Dr. Alban Daci
Botuar me datë 18 Nentor 2008
GAZETA NDRYSHE

Disa deputet të Parlamentit shqiptar për të kundërshtuar miratimin e kodit të ri zgjedhor vendosën në shenjë proteste dhe mos ujdie të hyjnë në grevë urie pikërisht në ambientet e parlamentit. Nga kjo ngjarje shumë “mendje” të mprehta filluan të flasin për demokracinë shqiptare, sistemin politik shqiptar, për mbrojte dhe shkelje të drejtash etj.
Në të vërtet të gjithë këta, kanë folur me fjalë kafenesh, të implikuar në interesa sallonesh, por aspak me kompetenca dhe dëshirën e madhe për ta analizuar situatën si vëzhgues të pavarur dhe profesional.
Ajo që më shqetëson është se shtypi shqiptar jo vetëm që nuk është pushteti i katër por është një servil dhe shërbëtor i rëndomtë i pushtetit të parë.
Prandaj, në disa përjashtime të vogla, në faqet shtypit shqiptar mund të shikosh artikuj të gjatë dhe të pakuptueshëm me fjalë që vijnë jashtë horizontit dhe realiteti shqiptarë, ku u bëhen lëvdata politikanëve tonë sipas interesave të caktuara.
Në hapësirat e këtyre faqeve, pothuajse nuk flitet aspak për atë që është burimi, legjitimiteti dhe justifikim i të gjithë pushteteve. Është pothuajse sporadike të lexosh nga këta “mendje” të mprehta të shtypit shqiptar, ndonjë artikull që i dedikohet popullit dhe komponentëve të tij.
Politika jonë është bërë me sjelljen e saj me të vërtet qesharake dhe qesharakë janë edhe ato që me pa moral dhe dinjitet i servilosen asaj derisa pranojnë të mos thonë të vërtetën si është, të mohojnë faktet, të pranojnë injorancën, të mos shikojnë të ardhmen dhe të pranojnë të rrinë në kushtet e një të tashme që është qesharake dhe shqetësuese në të njëjtën kohë.
Rastësisht duke shfletuar shtypin, pashë një foto, që prezantonte një seancë parlamentare të ditëve të fundit të Parlamentit shqiptar, ku në pamje të parë ishin edhe deputetët që ndodhen në grevë urie dhe sipër kokave të tyre ishte dhe një shirit që i dedikohej votës së lirë.
Pyetja e parë që i bëra unë vetës dhe ndoshta shumë të tjerë si unë ishte dhe sa skandale të kësaj natyre ambienti i politikës tonë do të vazhdoj të transmetoj tek vendet, ku demokracia është shekullore e palëkundur dhe që me shëndetin saj të plotë, fiton mbi çdo lloj forme tiranie, poliarkie, oligarkie dhe autoritarizmi?
Ndërsa pyetja e dytë ishte ç’far kërkojnë këta deputet dhe për car lloj vote e kanë fjalën?
E treta, a janë në hall me të vërtet këta deputet dhe a konçidojnë ato me e hallet e qytetarëve që i kanë zgjedhur ?
E katërta për car lloj forme demokracie e kanë fjalën “mendjet” e mprehta të shtypit shqiptar që këto ditë janë lodhur duke shkruar pa e kuptuar se car kanë shkruar?
Politikanët shqiptar, ku pjesë integrale e tyre janë edhe deputet që kanë pranuar të hyjnë në grevë vetëm se ju janë prekur interesat e tyre personale dhe ato brenda llojit dhe për këtë arsye kanë vendosur të reagojnë menjëherë duke u justifikuar në metoda demokratike.
Këta deputet, që tani rrezikojnë të dalin në pension nga rregullat e lojës që kanë vendosur vetë, reagojnë me kaq shumë vendosmëri kundër kolegeve të tyre të cilët ndoshta tani ndodhen në një pozicion më të fortë, që janë më të shumtë në numër dhe janë më të favorizuar për të çuar lojën drejtë fitores së tyre.
Në rast se i kthehemi mbrapa të kaluarës së afërt do të vëzhgojmë se disa nga këta deputet që kanë pasur edhe role të rëndësishme drejtuese në nivelet më ta larta qeverisëse, nuk i kemi parë ndonjëherë të dalin në protesta apo të hyjnë edhe në grevë, urie sepse në shtëpitë e qytetarëve/zgjedhësve nuk ka drita, se varfëria është në nivele të larta, që votuesit e tyre për të shpëtuar nga skamja vazhdojnë edhe në ditët e sotme të marrin rrugën e arratisë për të gjetur demokraci të vërtet, për të gjetur qetësi, mirëqenie, normalitet dhe siguri.
Pra, politikave shqiptarë nuk ju intereson aspak se çfarë ndodh jashtë lloj të tyre dhe nuk duan t’ia dinë aspak për votuesit e tyre që ju kanë dhënë legjitimitetin e ushtrimit të pushtetit, por janë të gatshëm edhe të “sakrifikohen” nëse ju preket edhe një qime floku nga interesat e tyre personale.
Kam dëgjuar se: ka deputet që kanë shkuar në zonat e tyre vetëm gjatë fushatës elektorale dhe pasi kanë fituar, jo vetëm që nuk kanë marrë mundimin t’iu hipin makinave të tyre luksoze dhe të harxhojnë pak litra benzinë për të shkuar qoftë edhe për t’i falënderuar zgjedhësit që u garantuan fitoren, por që nuk janë parë ndonjëherë dhe dëgjuar e të dalin dhe të flasin në ndonjë seancë plenare për të përfaqësuar hallet e zgjedhësve të tyre si dhe për të kërkuar brenda hapësirave dhe kompetencave zgjidhjet e tyre.
Atëherë, me thoni mua sa të drejtë morale dhe politike kanë këta politikan të dalin para zgjedhësve duke ju thonë troç e qartë se ne po hyjmë në grevë ngaqë kolegët tanë që janë më të fortë se ne, kanë menduar se ne nuk vlejmë më dhe duhet të gëzojmë pensionin.
Sistemi politik shqiptar mendoj se ka shumë nevojë për rinovim dhe kjo duhet të filloj pikërisht nga themelet e tij, ku rolin vendimtar dhe të pazëvendësueshëm në caktimin e rregullave se si duhet të funksionoj e ka kodi zgjedhor.
Deri tani jemi mësuar të shikojnë parti politike pa elektorat dhe me një kryetar që është edhe i vetmi anëtarë. Këto lloj kryetarësh i kemi parë me vite me radhë në arenën e politikës shqiptarë si dhe në nivele të larta drejtuese dhe përfaqësuese për shkak të lojërave të paqarta që janë kurdisur si ai i “dushkut”.
Mendoj se këta persona që kanë parti, ku janë vetë kryetar dhe vetë anëtarë dhe që pretendojnë me çdo kusht të bëjnë karrierë politike, duhet të shkojnë në shtëpi, sepse nuk përfaqësojnë askënd dhe boll kanë përfituar nga tranzicioni i politikës shqiptare.
Megjithatë nuk mjafton vetëm kaq për të thënë se kemi demokraci të shëndosh në Shqipëri.
Demokracia moderne për të cilën duhet të pretendojmë të gjithë ne, pandeh tolerancën e opinionit të tjerëve dhe në mënyrë të veçantë ekzistencën e opinionit të minorancës ( të asaj minorancë që më të vërtet ka elektoratin e saj, që është e përfaqësuar nga vota e drejtpërdrejtë dhe e lirë dhe jo nga parti me një anëtarë dhe kryetarë në të njëjtën kohë).
Gjithashtu është i përhapur opinioni se të drejtat, përfshi ato të votës dhe të lirisë së fjalës, janë pak të dobishëm nëse ka individ ose grup individësh që jetojnë në kushte të forta mos barazie sociale dhe ekonomike.
Individ të tillë mund të ketë pak interes për demokracinë dhe për të drejtat e tyre dhe të jenë shumë më të shqetësuar pikërisht për mbijetesën e tyre dhe nevojat e tyre materiale që janë të domosdoshme për të jetuar.
Lipset për shembull ka insistuar mbi faktin që ekziston një marrëdhënie rastësore mes zhvillimit ekonomik dhe demokracisë. Duke përdorur si indikatorë nivelin e të ardhurave, industrializimit, urbanizimit, dhe arsimimit, ka kërkuar të tregoj që regjimet demokratike janë zhvilluar në ato shoqëri që faktikisht kanë kënaqur pikërisht nevojat materiale të anëtarëve.
Atëherë duke ditur që jo vetëm disa individ apo disa grupe por që pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptarë jetojnë në një pabarazi të vërtetë sociale dhe ekonomike dhe në mungesë të plotë materiale duke u nisur që nga ato më elementaret që janë të domosdoshme për të jetuar.
Për këtë arsye politika shqiptare do të vazhdoj të jetë indiferente kundrejt tyre si dhe jo vetëm nuk do ti përfaqësoj duke ju mbrojtur interesat dhe të drejtat e tyre, por në formë ironike do të tallet me ta duke ju thënë se: prisni një herë, sepse kemi hallet dhe problemet tona personale për të zgjidhur dhe pastaj nëse do të gjejmë kohë do të merremi me ju që na zgjodhët dhe na dhatë mundësinë që të ushtrojmë pushtetin e legjitimuar nga ju por jo në funksionin tuaj.

Monday, November 10, 2008

Një natë vjeshte në mërgim


Dr. Alban Daci
Botuar me datë 15 Nentor 2008
GAZETA NDRYSHE

Ndodhem brenda shtëpisë time, që ndodhet diku në një cep të qytetit të Xhenovës, lart mbi një kodër të butë dhe të vogël, ku nga dritarja mund të shikoj dritat e portit si dhe ngjyrën e errët të detit, që me vrullin e tij dhe forcën e natyrës përqaset me dallgë të forta në bregun shkëmbor. Në shtëpi, kam ndezur kaldajën për t’u ngrohur, sepse sonte qenka paksa ftohtë.
Jashtë, qielli është i errët dhe me vranësira, rrugët janë të lagura, sepse herë pas here bie shi i vrullshëm. Ky përshkrim është më se normal, sepse këto janë netët e fundit të vjeshtës, që po i lënë radhën stinës së dimrit.
Para se të ulesha këtu para kompjuterit po studioja diçka që ka të bëj me drejtimin tim profesional dhe meqë nuk po më vinte gjumë, mendova të shkruaja disa rreshta, sepse herë pas herë e ndjej të nevojshme të shkruaj ato që mendoj se për ndryshe nuk më zë gjumi.
Kjo sjellje thonë se është me e bukura e të shkruarit, kur të vjen muza për të shkruar, duhet ta bësh me çdo kusht se ndryshe nuk ndjehesh mirë me veten dhe mendimet mposhtin kushtin e nevojës fizike- nevojën për gjumë.
Kinezët kanë një thënie- të ecësh të bën mirë për reflektuar- kurse unë do të thosha se nëse do të reflektosh dhe të mendosh, duhet të qëndrosh qoftë edhe për pak çaste vetëm.
Thonë se: kur dikush qëndron vetëm, në një qetësi absolute, kalon në një fazë të drejtpërdrejt ëndërrimi, ku më shumë mendon gjëra të mira dhe kritikon ndoshta edhe me eufori gjerat negative, ato gjëra që me pa të drejtë kushtëzojnë një apo disa persona për të mos përjetuar shumë lumturi, që i lëndojnë si dhe i bëjnë të ndjehen jo shumë mirë por të përmalluar.
Kur je vetëm, mendja udhëton aq shumë në labirintet e imagjinatës, ëndrrave, dëshirave saqë nuk je i vëmendshëm ti japësh urdhër të kthehet në pikën fillestare të nisjes dhe mund të harroj se duhet të rikthehet përsëri në realitetin e prekshëm drejtpërsëdrejti.
Mendoj se: horizonti i labirinteve të imagjinatës, është më i gjer, kur njeriu ka në zotërim më shumë dituri të përfituara nga leximi i lirë, nga studimi profesional, nga përvojat jetësore si dhe nga kultura apo ambienti shoqëror dhe familjarë- këtu mund të ketë një rol vendimtar qoftë edhe një histori e vogël apo një përrallë e treguar me dashuri dhe ëmbëlsi nga prindërit e dashur.
Sa më i gjerë të jetë labirinti i imagjinatës tonë aq më shumë vëzhgues të kujdesshëm jemi për fenomenet që bien mbi ne, rreth nesh dhe që na kanë ose jo neve si objekt. Në momentin që çdo kush nga ne arrin në statusin e vëzhguesit vigjilent për gjithçka që ndodh afër dhe larg nesh, aq më shumë është i ndjeshëm dhe i lidhur mbi ato që ka vëzhguar.
Po ndiqja një program televiziv që në qendër të mendjes kishte fenomenin Obama. Pasi e ndoqa me vëmendje po thosha po sikur të kishim edhe ne shqiptarët një “Obama”!
Pasi analizova mirë faktet, thjeshtë natyrshëm më lindi pyetja por përse duhet të kemi pikërisht një “Obama”? Fare mirë mund të kemi një “Shpëtimtar”. Jo për gjë, por tingëllon më mirë, sepse është emër shqiptar dhe ne flasim shqipen tonë të mrekullueshme.
Shqiptarët nuk kanë nevojë realisht për një “Shpëtimtar”, por duhet te jenë të zotë për të shpëtuar nga realiteti që kanë, duke u përpjekur me çdo kusht që ta ndryshojnë atë. Për ta realizuar atë duhet të besojnë thellë tek vetja e tyre se janë shpëtimtar të vetës së tyre.
Besimi i ndryshimit duhet të lind në zemrat tona, nga dëshira që kemi për të realizuar të ardhmen tonë me plotë ëndrra të bukura dhe nga forca që gjejmë tek e kaluara e frikshme dhe e errët që kemi përjetuar jashtë dëshirave, ëndrrave dhe aspiratave që kemi pasur realisht në labirintet e imagjinatës tonë.
Pas programit, u shtriva që të pushoja pak, por papritur dëgjoj një zhurmë të vrullshme që vinte nga jashtë. Nga kureshtja largova një cik perden e dritares për të parë se ç’po ndodhte jashtë?! Po binte shi me vrull. Mu duk diçka e natyrshme, sepse nuk e përjetoja për herë të parë një fenomen të tillë. Prandaj, me mospërfillje për atë që pashë u shtriva përsëri.
Sapo u shtriva dhe trupi im më ra në qetësi të plotë fizike, duke qenë se jam larg vendit dhe familjes time. Në mënyrë instiktive po mendoja nëse në Shqipëri bie shi si këtu?! Isha kureshtar me të vërtet të dija nëse binte shi dhe në Shqipëri, dhe nëse familjarët e mi dhe bashkëkombësit e mi ishin brenda si unë ose që halli dhe puna i ka nxjerrë jashtë dhe ndoshta nga shiu i vrullshëm po lagen dhe po bëhen qullë.
Po mendoja se nëse ka ndonjë shqiptarë të gjorë që për një mi e një arsye nuk mund te ketë një çati, ku të fus kokën. Po mendoja se nëse rrugët e qyteteve tona janë po me gropa, me puseta të hapura, me balt dhe të mbushura me pellgje me ujë dhe me makina që kalojnë me shpejtësi jo sikur të udhëtonin në zona urbane, por sikur të jenë në pista garash,ku nuk është i nevojshëm respektimi i vijave të bardha dhe semaforëve.
Nga kjo që ndodhi fare në çast, nxora një mësim shumë të rëndësishëm se: nuk duhet të jemi mospërfillës për çdo gjë që ndodh mbi ne dhe rreth nesh, sepse ajo mos përfillje mund të na bëj indiferent për analizuar të kaluarën dhe për të projektuar të ardhmen.
Ashtu siç ndërtohet një pallat duke rreshtuar tullat një mbi një, ashtu edhe e ardhmja jonë mund të ndërtohet nga çdo moment që ne përjetojmë dhe ëndërrojmë.
Në qoftë se jemi mospërfillës qoftë edhe ndaj një momenti të vogël, pallati i ardhmërisë tonë do të ketë një tullë mangët dhe struktura nuk do të jetë e plotë dhe kompletë, ku në një të ardhme të largët do të çaloj duke e ndjerë mungesën e asaj tulle, sepse erozioni duke gjetur pikën e dobët- mungesën e asaj tulle te vetme- ka bërë të veten, ku me kalimin e viteve dhe me ciklin e vazhdueshëm të stinëve vrima me përmasat e tullës mund të zmadhohet aq shumë sa një ditë mund të vër me të vërtet në rrezik qëndrimin në këmbë të gjithë strukturës.
Duke shkruar dhe menduar, fare pa e ndjerë kaloj edhe kjo natë, sepse tani ka filluar të zbardhë, kjo është shenja se dhe një ditë e re sa po ka filluar. Gjithmonë më ka magjepsur dhe më ka zhytur në mendime fakti, kur nisja një udhëtim në të gdhirë të mëngjesit dhe largohesha nga Tirana ime e dashur.
Më ka magjepsur udhëtimi në të gdhirë, sepse fillimin e një gjallërie e përshëndet duke u larguar, sepse vëzhgon se si fillon jeta e një qyteti, por që pastaj për faktin që largohesh nuk je dëshmitar si do të zhvillohet ajo. Maksimumi thjeshtë mund të përdoresh imagjinatës për të qenë afër së vërtetës.
Kur isha fëmijë, kishte raste që sapo kisha nisur të luaja në mëngjes me shokët dhe papritur prindërit me shkëpusni nga loja e më merrnin me vete në ndonjë udhëtim që kishin vendosur të bënin.
Në fillim të udhëtimit filloja të mendoja se: nëse këto momente shokët e mi po bëjnë të njëjtën lojë që po bënin kur isha edhe unë? Se nëse loja ka mbaruar dhe se kush mund ta ketë fituar atë?
Pra, isha kureshtar të dija se çfarë po bëjnë ato? Fakti që unë nuk isha aty, më kushtëzonte, që thjeshtë të përdorja imagjinatën time, e cila ndoshta nuk përputhej me realitetin, por thjeshtë kënaqte dëshirat e mia të atij çasti si dhe më bënte të ndjehesha sikur vazhdoja të luaja bashkë me ata edhe pse realisht vetëm largohesha nga ata në një drejtim krejtësisht të ri.
Prandaj, në këto momente po mendoj se edhe në Shqipërinë time të dashur ka filluar të zbardhë, se nëse të dashurit e mi kanë bërë një gjumë të qetë dhe se tani duhet të zgjohen dhe të bëjnë mëngjesit, të përgatiten dhe pastaj të fillojnë punët e tyre.
Po mendoj, sepse nuk mund të jem i pranishëm se nëse në Tiranën time, ka filluar të gjallërohet jeta, ku njerëzit ndoshta në rrugët e lagura nga shiu po ecin me duar në xhep për të filluar punët e ditës.
Po mendoj se nëse politikanët shqiptarë kanë parë ëndrra se si mund të ndihmojnë qytetarët dhe vendin e tyre që të jetë i mrekullueshëm dhe i begatë.
Shpresoj se edhe nëse nuk kanë parë ëndrra të tilla, sepse kanë aq shumë impenjime në mendjet e tyre dhe nuk kanë shumë hapësira të mendojnë për qytetarët që i kanë zgjedhur, të paktën të jenë ngritur në krah të djathtë, që edhe pse nuk i ndihmojnë dot, të paktën t’iu mos u prishin punë dhe t’iu mos u bëjnë keq.
Ja kjo është një natë vjeshtë që një emigrant përjeton, ku nga kjo që lexuat kuptuat se ai më shumë ëndërron se sa flemë gjumë, ai më shumë ndodhet mes jush se i vetëm, ai natën nuk është larg jush por tek ju, në ëndrrat dhe imazhet tuaja.
Ëndrra e tija janë po të njëjtat me tuajat, sepse ëndrrat e tija jeni pikërisht ju.
Shpresoj që ju të dashurit e mi të keni parë ëndrra të bukura dhe dëshiroj shumë t’iu bëhen realitet, dua shumë që edhe unë të kem qenë pjesë e ëndrrave tuaja sepse ju ishit në ëndrrat e mia.
Ndërsa ti Shqipëria ime e dashur dhe ti Tirana ime e mrekullueshme që të dedikova adoleshencën time, ju uroj të keni vazhduar një ditë me plot gjallëri, lumturi dhe sa më me pak dhimbje dhe lëndime të mbyllet kjo ditë që sapo kemi nisur.
Nata sapo kaloj, na solli një ditë të re, e cila me siguri do të jetë e ndryshme nga ajo që lamë pas, sepse ndryshe nga dje, mbrëmë kemi parë ëndrra të reja që na frymëzuan me shpresë dhe na ushqyen me forcë të re pozitive duke na bërë të ditur se ndryshimi tek ne sapo ka filluar.
Prandaj, duhet të punojnë së bashku për ta çuar përpara atë, sepse aspiratat i kemi pozitive dhe në favorin tonë.
Ditë e re dhe kësmet i ri, shpresojmë që kjo ditë që sapo kemi vazhduar në të njëjtën kohë por me mënyra të ndryshme të jetë me oportunitete te reja për të gjithë ne.